ATV

Tag: Ballina

  • ​PDK e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur për Shërbimin Civil

    ​PDK e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur për Shërbimin Civil

    Partia Demokratike e Kosovës po kërkon nga Kushtetuesja interpretimin për ligjshmërinë e Ligjit për Këshillin e Pavarur për Shërbimin Civil të Kosovës. Sipas kësaj partie, ndryshimet që janë bërë në këtë ligj, e kanë kapur këtë organ të pavarur. Në konferencë për media, avokati i PDK-së, ka numëruar katër shkeljet, që sipas tij, nuk kalojnë testin e kushtetutshmërisë.

    Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në PDK, Përparim Gruda tha se pushteti po tenton që legjitimojë punësimet politike në këtë këshill.

    “Ne në fillim të këtij mandati e kemi kontestuar shkarkimin e anëtarëve të këtij këshilli në Gjykatë Kushtetuese. Dhe Gjykata Kushtetuese na ka dhënë të drejtë dhe ka përcaktuar disa aspekte shumë të rëndësishme të funksionimit të statusit kushtetues të këtij institucioni. Fatkeqësisht ky ligj i shkel ato përcaktime kushtetuese që ka bërë gjykata në atë vendim paraprak, prandaj ne sot e kemi kontestuar prapë ndryshimet në këtë ligj. Ndryshime të cilat, dua të them në emër të PDK-së, që kanë vetëm një qëllim ta nënshtrojnë dhe ta kapin organin e pavarur kushtetues, Këshillin e Pavarur për Shërbyer Civil. Në mënyrë që ai të kthehet në një mekanizëm që i legjitimon, i përkrah, nuk i ndalon punësimet politike, partiake të militantëve, të familjarëve të qeveritarëve të Kosovës”, tha ai.

    Ai shtoi se PDK nuk do të heq dorë nga respektimi i Kushtetutës, ani pse siç tha ai, po sulmohen nga qeveria.

    “Për më tepër ata duan ta zhveshin këtë organ nga kompetencat e tij kushtetuese, në një rrugë jo kushtetuese. Prandaj, ne si PDK, nuk do ta lejojmë këtë edhe ai premtimi që e kemi dhënë gjithmonë se sa herë kemi dilema për ligjet, do i dërgojmë në Kushtetuese, do të mbahet dhe po mbahet. Po e them në emër të PDK-së, që përkushtimi themelor që duhet të ketë çdo parti politike në Kosovë, është mbrojtja e Kushtetutës së Kosovës”, shtoi ai.

    Gruda u pyet edhe në lidhje me vendimin e presidentes, Vjosa Osmani për mos dekretimin e kryeprokurorit të shtetit

    “A do të shkojë rasti në Gjykatë Kushtetuese, kjo nuk varet vetëm nga PDK. PDK ka vullnet të plot, kjo varet edhe nga fakti i deputetëve të partive të tjera që duhet të ofrojnë nënshkrime, sepse dihet që kërkohen 30 nënshkrime për ta referuar çështjen. Nëse ato nënshkrime mblidhen dhe do të ketë vullnet nga partitë tjera, PDK do të punojë që ky rast të mbërrijë në Gjykatë Kushtetuese”, u përgjigj Gruda.

    Avokati i PDK-së, Faton Fetahu tha se ka marrë nënshkrimet dhe autorizimin e kësaj partie për të ngritur vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit të KPMShCK-së.

    “Janë katër shkelje serioze të cilat besoj që i kemi argumentuar dhe besojmë që do ta ndjekim edhe procesin në vijim përmes komunikimeve në gjykatë. Dhe jam i bindur që si të tilla nuk e kalojnë dot testin e kushtetutshmërisë. Cilat janë ato? Së pari mazhoranca apo shumica parlamentare zgjodhi që përmes plotësim-ndryshimit që i bëri Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës në radhë të parë propozoi zhveshjen nga imuniteti për të gjithë anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Çfarë nënkupton është se imuniteti është një instrument kushtetues të cilën kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese ia ka njohur Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe ky paraqet instrument kushtetues të mbrojtjes të anëtarëve të këshillit që për vendimet dhe veprimet e tyre të mos dalin para përgjegjësisë penale ose civile, siç ju njihet imuniteti funksional edhe deputetëve, anëtarëve të qeverisë edhe presidentit. Tani imuniteti i tillë me këtë ligj u është hequr”, theksoi Fetahu.

    Sipas tij, shumica parlamentare ka propozuar që të përjashtohen nga fushëveprimi i kontrollit të ligjshmërisë nga ana e këshillit, pozitat e nivelit të lartë drejtues.

    “Janë mijëra pozita të nivelit të lartë drejtues që kjo qeveri dhe kjo shumicë parlamentare po i përjashton nga fushëveprimi i kontrollit të ligjshmërisë nga ky institucion, në mënyrë që të mundësojë në procedura të shpejta kapjen dhe nënshtrimin e institucioneve përmes kapjes dhe nënshtrimit të pozitave kyçe në administratë. E treta është rritja absurde e numrit të anëtarëve të këtij institucioni nga 7 në 15, sikur edhe shpërfaq, pa qenë fare juristë, se kjo rritje e numrit vetëm ka për qëllim që të çojë disa militantë partiakë në këshill, në një institucion të pavarur profesional, në mënyrë që të sigurohet që të ketë mbivotim në proceset dhe çështjet që ngrihen përballë vendimmarrjes së qeverisë”, përfundoi ai.

    Partia Demokratike e Kosovës konsideron se shkelja e katërt që është bërë në këtë ligj, është pezullimi i efektit të zbatimit të vendimeve të këshillit, nëse të njëjtit atakohen nga ana e palëve në gjykatë. Avokati Fetahu tha se kjo tregon që kur qeveria është në palë në këshill, ai vendim të mos ekzekutohet. /KP

  • Përpjekje të reja perëndimore për rinisjen e dialogut, Kosova s’i beson më formatit të mëparshëm

    Përpjekje të reja perëndimore për rinisjen e dialogut, Kosova s’i beson më formatit të mëparshëm

    I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të udhëheqësve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar, qëndrojnë të shtunën më 21 tetor në Kosovë e Serbi. Ata takojnë ndaras dy udhëheqësit e dy vendeve, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në përpjekje për të rinisur procesin e dialogut me synim përmirësimin e marrëdhënieve, sidomos pas sulmit të 24 shtatorit kundër policisë së Kosovës në veri.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se qëllimi i vizitës është përparimi në zbatimin e marrëveshjeve.

    “Qëllimi i kësaj vizite është arritja e një përparimi konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, tha Stano, raporton DW.

    Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë mbështetës të mëdhenj të procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe të ardhmes evropiane të të gjithë rajonit.

    Zëdhënësi Stano, tha se BE-ja ka “pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të përmbushin pa vonesa dhe pa kushte detyrimet e tyre”.

    Kosova nuk i beson më dialogut në formatin e mëparshëm

    Nga ana e Kosovës duket se mungon besimi tek formati i mëparshëm i dialogut. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh, se procesi i dialogut me Serbinë duhet të “ridizajnohet” pas sulmit të 24 shtatorit, duke ritheksuar thirrjen e Prishtinës zyrtare “për sanksionimin e Serbisë dhe përparësinë që duhet t’i jepet sigurisë në Kosovë’.

    “I gjithë procesi i dialogut duhet të ridizajnohet, nëse mund ta quaj kështu, në atë mënyrë që merret parasysh 24 shtatori. Nëse injorohet 24 shtatori, e injorohet shkelja e nenit 3 të marrëveshjes, që kërkon që asnjëra palë të mos e përdorë dhunën si mjet apo të kryejë akte agresioni kundër tjetrës, atëherë, vërtetë dëmi më i madh i bëhet vetë procesit të dialogut. Dëmi më i madh i bëhet edhe paqes e stabilitetit në rajon”, ka thënë Presidentja Osmani në një intervistë për mediumin lokal KTV.

    Edhe kryeministri Kurti thotë se në lidhje me dialogun, se “ai nuk mund të vazhdojë sikur të mos ketë ndodhur asgjë më 24 shtator”. Pas një takimi që zhvilloi me Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt Tiranë, Albin Kurti, tha se “Kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit”.

    “Qasja në proces duhet të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet në plotni Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj. Serbia të zmbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike, të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetin tonë territorial”, ka thënë kryeministri Kurti.

    Në lidhje me këtë marrëveshje i dërguari i qeverisë gjermane për Ballkanin, Manuel Sarazin, ka thënë se “marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht ende funksionale, mirëpo nevojitet një ripërkushtim politik i Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e tyre”.

    “Ne besojmë fuqishëm se nuk është ide e mirë të fokusohemi vetëm në de-përshkallëzimin, në të njëjtën anë, ne duhet gjithashtu të përpiqemi që Marrëveshja e Ohrit të zbatohet përsëri, dhe të bëjmë një shtytje të mëtejshme për të marrë përsëri rezultatin e përgjithshëm pozitiv atje. Dhe kjo është ajo që mund të prisni nga Gjermania dhe nga Bashkimi Evropian, që edhe tani, dhe veçanërisht tani, do të përpiqemi të bëjmë një shtytje të re për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në terren nga të dyja palët, dhe ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të jenë konstruktive dhe pozitive në këtë proces”, është shprehur Sarrazin për mediumin lokal KosovaPress.

    “Dialogu nuk ka kuptim pa qëndrim të qartë nga ana Serbisë”

    Vizita e emisarëve perëndimorë në Kosovë e Serbi vlerësohet pozitivisht në Kosovë. Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, tha për DW-në, se shpreson që ‘emisarët perëndimorë, do të vijnë me një propozim të ri që të plotësohet marrëveshja e Ohrit”.

    “Situata dhe rrethanat kërkojnë urgjencë në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare në njohjen reciproke. Pas ngjarjes se 24 shtatorit, dialogu nuk ka kuptim pa qëndrim të qartë nga ana Serbisë, njohjen de jure të Kosovës, pra një pako e re për ta plotësuar Marrëveshjes e Ohrit. Nëse asgjë e re nuk ndodh dhe s’ka propozim të qartë dhe final, nuk ka kuptim më. Kosova ka mundur shumë lehtë të rrëshqas në një konflikt të gjerë, pra të hapur me pasoja të mëdha”, thotë Blerim Burjani.

    Nga ane e tyre ShBA përmes ambasadorit në Prishtinë, Jeff Hovenier, thanë se “zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një nga mënyrat për të rritur sigurinë e Kosovës”, dhe se sulmi i 24 shtatorit tregoi se nuk ka kohë më për të humbur.

    Autoritet e Kosovës e akuzojnë Serbinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit ndaj policisë në fshatin Banjskë në veri, ku u vra një oficer policie dhe tre nga sulmuesit. Autoritetet e Beogradi kanë mohuar çfarëdolloj lidhje me grupin e armatosur që kreu sulmin, përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

  • Ballkani Perëndimor, temë në samitin ShBA-BE, a do të përmendet Kosova?

    Ballkani Perëndimor, temë në samitin ShBA-BE, a do të përmendet Kosova?

    Situata në Ballkanin Perëndimor dhe angazhimi i përbashkët në këtë rajon do të jetë një prej temave të samitit mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që zhvillohet më 20 tetor në Uashington.

    Kështu konfirmuan për Radion Evropa e Lirë burimet në Bruksel, duke thënë se në konsultimet me partnerët amerikanë është përmendur edhe Ballkani Perëndimor si temë e samitit.

    Megjithatë, burimet diplomatike thanë se kësaj teme nuk pritet që liderët e SHBA-së dhe BE-së t’i kushtojnë shumë kohë në samit, pasi aty do të diskutohet për dy krizat më të mëdha në botë aktualisht, përkatësisht për luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe konfliktin mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit. Po ashtu, vëmendje do të marrin edhe raportet tregtare me Kinën.

    Gjithsesi, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë – që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja – situata në Bosnje e Hercegovinë dhe situata e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor janë tema që kërkojnë kujdesin e përbashkët të Uashingtonit dhe Brukselit.

    Një ditë pas mbajtjes së samitit në Uashington, në Kosovë dhe Serbi do të nisin vizitën i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me kolegët e tij nga Gjermania, Franca dhe Italia. Vizita e përfaqësuesve ndërkombëtarë synon të ringjallë dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në BE thonë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që SHBA-ja të mbështesë dialogun Kosovë-Serbi, por edhe rolin udhëheqës të BE-së si lehtësues në këtë proces.

    Samiti SHBA-BE është i pari që zhvillohet pas më shumë se dy vjetësh. Nikoqir i takimit të së premtes do të jetë presidenti amerikan, Joe Biden, ndërkaq nga BE-ja në këtë samit do të marrin pjesë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

    Në këtë takim pritet të shprehet mbështetja e përbashkët për luftën e Ukrainës kundër agresionit rus.

  • Rama: Plani franko-gjerman e çliron Kosovën përfundimisht nga Serbia

    Rama: Plani franko-gjerman e çliron Kosovën përfundimisht nga Serbia

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ritheksoi edhe njëherë qëndrimin e tij se plani franko-gjerman është ideal pasi e çliron Kosovën përfundimisht nga Serbia.

    “Plani franko-gjerman është ideal për Kosovën në aspektin e pragmatizmit politik. Se nëse ideale është që Serbia të dorëzohet, të shtrihet përtokë, të kërkojë falje, të paguajë dëmshpërblime etj etj., kjo është ideale, por në një botë që nuk ekziston. Në botën reale, plani franko-gjerman, është dhe koha është ideale që Kosova të çlirohet përfundimisht nga Serbia dhe të formësojë subjektivitetin e vet ndërkombëtar. Është shumë e thjeshtë kjo dhe shqetësimi do radikalizohet ose jo në Serbi, këtë le ta zgjidhin me Serbinë ata dhe ta zgjidhë Serbia me ata. Shqetësimi që duhet të ketë Kosova është që topin mos ta mbajë të zona e vet duke luajtur në mbrojtje gjithë kohës dhe pastaj duke u përpjekur të përfitojë nga marrëzitë e Serbisë, po ta marrë topin dhe ta heqë nga gjysmëfusha vet dhe të thotë ne i bëmë detyrat tona”, tha Rama në emisionin “Opinion”.

    Rama përsërit edhe njëherë se ky është oportunitet, që mund të mos vijë prap për shumë vite.

    “Mendoj situata është absurde, sepse oportuniteti është i artë dhe të mos e shohësh këtë oportunitet është një fatkeqësi. Unë kur e shoh oportunitetin nuk mund të mbyll gojën dhe të them po mirë s’ka gjë, nuk po e shohin, por do vijë prap. Sepse mund të mos vijë prap për shumë vite”

  • Rikthehet një njohje, Sabri Kiçmari akreditohet si ambasador jo rezident në Palau

    Rikthehet një njohje, Sabri Kiçmari akreditohet si ambasador jo rezident në Palau

    Sabri Kiçmari është akredituar sot si Ambasador jo resident i Republikës së Kosovës në Republikën e Palaut.

    Palau e kishte tërhequr njohjen në vitin 2019 dhe me akreditimin e Kiçmarit si ambasador, kjo konsiderohet si rikthim i njohjes.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kiçmari, përmes një postimi në Facebook.

    Gjatë ceremonisë zyrtare të dorëzimit të kredencialeve, Kiçmari ka thënë se ka përcjellur mesazhe miqësie dhe bashkëpunimi në emër të Republikës së Kosovës, duke theksuar vlerat e përbashkëta të paqes, respektimit të të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës, që na bashkojnë, përkundër distancës gjeografike.

    “Presidenti Whipps Jr. ka pritur me nderim Ambasadorin Kiçmari dhe ka shprehur mbështetjen e Qeverisë dhe Popullit të Republikës së Palaut për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në fusha të interesit të përbashkët”, thuhet në njoftim.

  • Deputetja britanike, Alica Kearns viziton Kosovën

    Deputetja britanike, Alica Kearns viziton Kosovën

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca do të pret në takim deputeten britanike Alicia Kearns.

    Takimi do të fillojë prej orës 13:00.

    Deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila është ndër zërat më të fuqishëm britanikë në mbrojtje të ligjshmërisë së Kosovës në pjesën veriore, që në muajin korrik kishte publikuar disa të dhëna shumë shqetësuese në lidhje me kriminalitetin serb në këtë pjesë të vendit.

    Kearns kishte thënë se Ushtria Britanike e angazhuar në KFOR ka siguruar të dhëna se Kisha Ortodokse serbe po furnizohet me armatim nga Serbia, dhe këtë po e bën përmes auto-ambulancave.

    “Për një kohë të gjatë nuk kemi arritur t’i quajmë ashtu siç janë milicitë e armatosura serbe që veprojnë në veri të Kosovës. Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët (Regjimenti Mbretëror, shën.red.) që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona marrin vesh këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që merret leja – çfarë befasie – një ambulancë është paraqitur në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët”, tha Alicia Kearns, deputete në Palamentin e Britanisë.

  • Emisarët evropianë dhe amerikanë, pritet të vijnë nesër në Kosovë

    Emisarët evropianë dhe amerikanë, pritet të vijnë nesër në Kosovë

    Emisarët evropianë dhe amerikanë, pritet të vijnë të shtunën në Kosovë, ndërsa në fokus të takimeve do të kenë planin që palët t’i rikthejnë në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Njohësit e çështjeve politike në Kosovë thonë se ardhja e tyre ka të bëjë edhe me ndryshimin e formatit të dialogut, derisa theksojnë se BE-ja duhet të ketë veprime të qarta kundrejt Serbisë.

    Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, pritet që pesëshja e madhe të vijë të shtunën në Kosovë, më pas edhe në Serbi, me përpjekjet e tyre për rifillimin e dialogut ndërmjet dy vendeve.

    E analistët në Kosovë, thonë se përpjekjet e tyre duhet të kenë një ndikim më të madh, pasi siç theksojnë, formati i deritanishëm i dialogut nuk ka prodhuar asgjë.

    Analistja Arta Tahiri tha se arsyeja e ardhjes së tyre ka të bëjë pikërisht me mënyrën se si do të ndryshojë formati i dialogut.

    “Në mënyrë kronologjike nëse i shohim ngjarjet, jo vetëm në Kosovë, por në çdo vend të botës, kur dialogu i formatit të zbatuar deri më tani nuk ka prodhuar sukses, gjithmonë ka ardhur një fazë tjetër kur është kërkuar me ngulm një format “merre ose lëre”, që është përdorur si shprehje për dy vende, në mënyrë që pastaj ajo marrëveshje që serviret në tavolinë të jetë e zbatueshme patjetër për të dyja palët. Nëse vazhdon kjo frymë e negociatave, ku kërkohet lëshim nga ana e Kosovës, por gjithashtu një qasje tjetër nga Serbia, atëherë kjo do të shkojë në pafundësi dhe nuk do të sjellë rezultate konkrete. Prandaj, mendoj që kohët e fundit me situatën e krijuar dhe me qasjen e udhëheqësve të Serbisë ndaj Kosovës duhet patjetër që të vihen pikat mbi “I” për të kuptuar se cili do të jetë ky format dhe cila do të jetë forma e prerë nëse duan zgjidhje përfundimtare ndërmjet dy shteteve fqinje siç janë Kosova dhe Serbia”, tha ajo.

    Ndërsa, profesori universitar, Dorajet Imeri, tha se emisarët nuk kanë se çfarë kërkojnë në Kosovë, përderisa nuk tregojnë veprimet e qarta kundrejt Serbisë.

    “Serbia është dëshmuar e përfshirë drejtpërdrejt në një akt, i cili synimin e ka pasur rrënimin e sistemit politik të Kosovës. Pra, një akt agresioni e që Serbia qëndron prapa grupeve terroriste, pra është e përfshirë, Serbia është grupi terrorist. E nëse Bashkimi Evropian e kapërcen këtë sikur nuk ka ndodhur asgjë, unë besoj fuqimisht se ata thjesht nuk janë të interesuar për marrëveshje, por janë të interesuar për menaxhim krize. Fatkeqësia është se ata po e dëmtojnë jashtëzakonisht shumë pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

    Ditë më parë, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka konfirmuar se përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirolslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të udhëtojnë të shtunën, më 21 tetor në Kosovë dhe Serbi, për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.

    Ai ka thënë se qëllimi i kësaj vizite është për të arritur përparim konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u takuan për herë të fundit më 14 shtator, takim i cili dështoi për t’u pajtuar me plan për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjeve./rtk

  • Murati raporton sot në Komisionin për Buxhet

    Murati raporton sot në Komisionin për Buxhet

    Ministri i Financave, Hekuran Murati do të raportojë sot në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

    Sipas njoftimit, raportimi i ministrit do të nisë nga ora 14:00 në sallën C-203 të Kuvendit të Kosovës.

  • PDK dorëzon sot një lëndë në Kushtetuese

    PDK dorëzon sot një lëndë në Kushtetuese

    Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës do të dorëzojnë sot edhe një lëndë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

    Kështu kanë njoftuar nga kjo parti përmes një komunikate për media, ku thuhet se ky dorëzim do të bëhet në ora në ora 11:00.

    Teksa pas kësaj, do të ketë edhe prononcim për media.

    “Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, nesër (e premte), nga ora 11:00, do të dorëzojnë edhe një lëndë tjetër për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Pas dorëzimit të dokumentacionit, do të ketë edhe prononcim për media”, thuhet në njoftim.

  • Parlamenti evropian miraton rezulutën, dënon sulmin e 24 shtatorit

    Parlamenti evropian miraton rezulutën, dënon sulmin e 24 shtatorit

    Përgatiti: Armand Hoti

    Parlamenti Evropian miratoi rezolutën që dënon sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

    Rezoluta kërkon të merren masa ndaj shtetit serb, nëse vërtetohet që shteti kishte gisht në organizimin e sulmit.

    “PE-ja i bën thirrje Komisionit dhe Këshillit që të marrin masa kundër Qeverisë së Serbisë, nëse hetimet zbulojnë se shteti serb ishte i përfshirë drejtpërdrejt në sulmin terrorist në Banjskë, ose në sulmet e dhunshme që ndodhën në veri të Kosovës, në maj të vitit 2023, ose nëse autoritetet serbe nuk janë të gatshme të bashkëpunojnë plotësisht”, thuhet në rezolutën e PE-së.

    Me këtë rezolutë, Parlamenti Evropian, po ashtu, kërkoi nga Bashkimi Evropian t’i mbështesë hetimet e autoriteteve kosovare lidhur më 24 shtatorin. Përpos që propozohet heqja e masave për Prishtinën, megjithatë kërkohet vazhdimi i dialogut.

    Përmbajtja e rezolutës, sipas njohësve të rrethanave, ishte e favorshme për Kosovën.

    “Është një thirrje për organet e tjera vendimmarrëse siç është Komisioni dhe Këshilli i Ministrave që të marrin vendime për dënimin e Serbisë për agresionin që ndodhi në veri”, tha politologu Fidan Ukaj.

    “Dihet se s’ka shumë ndikim të madh Parlamenti Evropian, por ka ndikim në formimin e opinionit publik dhe kjo është një konfirmim që opinioni publik kërkon që të ketë një reagim nga BE-ja”, tha profesori Seb Bytyqi.

    Me këtë rezolutë eurodeputetët, po ashtu, kërkuan që të mos vihet në dyshim liberalizimi i vizave për Kosovën dhe kjo çështje të mos lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.