ATV

Tag: Ballina

  • Kosova drejt rekordit evropian për ciklin më të shpeshtë zgjedhor

    Kosova drejt rekordit evropian për ciklin më të shpeshtë zgjedhor

    Kosova rrezikon të hyjë në një rekord të pazakontë në Evropë, duke pasur një nga ciklet më të shkurtra zgjedhore, si pasojë e krizave të njëpasnjëshme politike dhe mungesës së konsensusit institucional. Sipas të dhënave krahasuese, vendi ka kaluar në mënyrë të shpeshtë në procese zgjedhore brenda një periudhe të shkurtër kohore, duke e dalluar nga shumica e shteteve evropiane ku mandatet zakonisht zgjasin plotësisht.

    Në shumicën e shteteve evropiane, tri palë zgjedhjet e fundit shtrihen në një periudhë prej rreth 7 deri në 10 vjet. Kosova dallohet ndjeshëm: nëse nuk arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, tri zgjedhjet e fundit parlamentare do të përfshiheshin brenda një viti e katër muajsh.

    Vetëm gjatë vitit 2025, Kosova mbajti dy palë zgjedhje parlamentare, ndërsa vendi po përballet sërish me mundësinë e zgjedhjeve të reja për shkak të dështimeve për të zgjedhur presidentin. Zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2025 erdhën pas një ngërçi të gjatë politik dhe pas zgjedhjeve të mëparshme në të njëjtin vit, ku asnjë parti nuk siguroi shumicën e nevojshme për formimin e institucioneve stabile.

    Kriza aktuale lidhet me pamundësinë për të zgjedhur presidentin, proces që kërkon kuorum të caktuar në Kuvend. Dështimi i rundit të parë në mars dhe afatet kushtetuese që pasuan e kanë shtyrë vendin drejt një tjetër momenti kritik, me rrezik real për zgjedhje të reja nëse nuk arrihet marrëveshje politike. /REL

  • Seanca për presidentin, Hasani: Opozita gabon nëse e çon në Kushtetuese

    Seanca për presidentin, Hasani: Opozita gabon nëse e çon në Kushtetuese

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar dhe ka treguar se si shkon procedura e rundeve për zgjedhjen e presidentit të vendit.

    Pasi të hënën dështoi seanca e jashtëzakonshme për president, pasi opozita nuk mori pjesë dhe të njëjtën e quajtën antikushtetuese, Hasani tha se e njëjta nuk numërohet dhe nuk mund të vazhdohet me rundin e dytë sot.

    “Në momentin që e ka parë që në kuti nuk janë 2/3, ky rund nuk ekziston, domethënë nuk mund të shkohet në rund të dytë. Duhet të nisë nga fillimi, seanca e [mbrëmshme] nuk mund të kalojë në rund të dytë”, tha ai në Klan Kosova.

    Ai shtoi se gabimi më i madh i opozitës në këtë zhvillim do të ishte dërgimi i seancës për presidentin në Gjykatën Kushtetuese.

    “Gabimin më të madh e bën opozita në qoftë se e çon këtë çështje në Kushtetuese. Është abuzim klasik në mënyrën më primitive të mundshme”, deklaroi Hasani.

    Sot me fillim nga ora 10:00 Kuvendi do të mblidhet përsëri për çështjen e presidentit, ndërsa VV ka propozuar dy emra të ri për kandidate për presidente, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.

  • Çfarë thuhet për zgjedhjen e presidentit në aktgjykimin për rastin Pacolli?

    Çfarë thuhet për zgjedhjen e presidentit në aktgjykimin për rastin Pacolli?

    Teksa votimi në Kuvendin e Kosovës për presidentin e ri ka ndodhur sonte, ne po risjellim në vëmendje një aktgjykim për zgjedhjen e presidentit më 2011.

    Në mars të vitit 2011, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje në zgjedhjen e Behgjet Pacollit në postin e presidentit.

    Në aktgjykimin e publikuar u tha se për zgjedhjen e presidentit duhet të ketë të paktën dy kandidatë dhe për zgjedhjen e presidentit duhet të votojnë të paktën dy e treta e votave e të gjithë deputetëve.

    Aktgjykimi sqaroi se një kandidat zgjidhet president në rast se në dy rundet e para fiton 80 vota, ndërkaq në të tretin nevojitet shumica e thjeshtë prej 61 votash.

    Më 22 shkurt 2011, Behgjet Pacolli ishte zgjedhur president i Kosovës në rundin e tretë të votimit me 62 vota, në një seancë të bojkotuar nga një pjesë e opozitës. Në votim kishin marrë pjesë vetëm 67 deputetë.

    Rasti ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila më 30 mars 2011, interpretoi nenin 86 të Kushtetutës duke theksuar se formulimi “dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve” nënkupton pjesëmarrjen në votim të të gjithë 120 deputetëve, përveç atyre me leje mungese.

    Sipas Gjykatës, vetëm pasi të provohet se nuk sigurohen 80 vota në dy rundet e para, mund të kalohet në rundin e tretë.

    Duke qenë se në rastin e Pacollit në votim kishin marrë pjesë vetëm 67 deputetë, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se ky kusht nuk ishte përmbushur dhe se procedura e zgjedhjes së presidentit kishte shkelur Kushtetutën. /REL

  • KDI e dënon nisjen e votimit për President pa pasur kuorum prej 80 deputetësh

    KDI e dënon nisjen e votimit për President pa pasur kuorum prej 80 deputetësh

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka dënuar ashpër përpjekjen për ta çuar përpara zgjedhjen e Presidentit pa përmbushjen e kuorumit të kërkuar kushtetues.

    Sipas KDI-së Një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe funksionimin e demokracisë parlamentare në vend.

    “Vendimet dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese kanë sqaruar qartë standardin që duhet ndjekur, sipas së cilit përcaktohet që procedura e zgjedhjes së Presidentit kërkon pjesëmarrjen e së paku dy të tretave të të gjithë deputetëve në raundin e parë dhe të dytë të votimit, ndërsa vetëm pas përmbushjes së këtij kushti procedura vazhdon në raundin e tretë”.

    “Çdo tentativë për ta anashkaluar këtë rend kushtetues dhe për të zgjedhur Presidentin me një numër të kufizuar deputetësh në sallë përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe deformim të qëllimshëm të parimeve kushtetuese. Për më tepër, nuk ekziston asnjë bazë juridike që lejon uljen e kuorumit mbi bazën e pretendimeve për mungesën e deputetëve”.

    “KDI vlerëson se kjo qasje krijon një precedent të rrezikshëm dhe hap rrugë për interpretime të njëanshme të rregullave kushtetuese. Prandaj, KDI u bën thirrje deputetëve që të respektojnë standardet kushtetuese dhe të shmangin veprime që thellojnë krizën institucionale. Po ashtu, atyre u bëjmë thirrje edhe që të ndalojnë çdo veprim që cenon rendin kushtetues dhe të rikthehen në respektimin e plotë të procedurave kushtetuese”, thuhet në reagim.

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu e ka mbyllur seancën e Kuvendit duke thënë se vazhdon nesër në ora 10:00.

  • Mbyllet seanca për presidentin, Haxhiu do ta vazhdojnë nesër në orën 10:00

    Mbyllet seanca për presidentin, Haxhiu do ta vazhdojnë nesër në orën 10:00

    Është mbyllur seanca e jashtëzakonshme për presidentin, njoftoi kryesuesja Albulena Haxhiu. Ajo tha se seanca do të vazhdojë nesër në orën 10:00, duke i bërë thirrje opozitës që të jetë e pranishme.

    Në seancë ndodheshin 64 deputetë, nga ky numër “63 deputetë votuan për Feride Rushitin, një votë e pavlefshme dhe zero vota për Hatixhe Hoxha”.

  • Votimi për Presidentin me veç 64 deputetë në sallë, Zemaj: Ky është puç kushtetues

    Votimi për Presidentin me veç 64 deputetë në sallë, Zemaj: Ky është puç kushtetues

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e ka cilësuar si “puç kushtetues” votimin në Kuvend për presidentin e ri, pa praninë e deputetëve të opozitës.

    Ai ka publikuar një pjesë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Behxhet Pacollin, që gjeti se Pacolli u zgjodh në mënyrë të kundërligjshme president, pasi për të nuk kishin marrë pjesë në votim dy e treta e deputetëve, apo 80.

    “Kjo është puç kushtëtues!”, ka shkruar Zemaj.

  • Kurti luan me kartë të re: Propozohen Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha për Presidente

    Kurti luan me kartë të re: Propozohen Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha për Presidente

    Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit, sonte në orën 20:30.

    Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka njoftuar në kuadër të kësaj kërkese janë propozuar dy kandidatura për President: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

    Haxhiu ka ftuar të gjithë deputetët të marrin pjesë në seancë.

    “Sot kam pranuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit, sot në orën 20:30. Në kuadër të kësaj kërkese janë propozuar dy kandidatura për President: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. I ftoj që të gjithe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në këtë seancë, në përputhje me obligimet e tyre kushtetuese”, ka shkruar Haxhiu.

    Feride Rushiti është Drejtore Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ndërsa Hatixhe Hoxha ka qenë kandidate për deputete nga VV.

    Në seancën që u mbajtë më herët për Presidentin, e që u bojkotua nga opozita, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha Kollçaku, u tërhoqën zyrtarisht nga kandidatura.

  • Nis seanca për Presidentin, opozita e bojkoton

    Nis seanca për Presidentin, opozita e bojkoton

    Me rreth 30 minuta vonesë, ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ku do të diskutohet rreth çështjes së Presidentit.

    Opozita nuk po merr pjesë në këtë seancë.

    Thirrja e kësaj seance vjen një ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.

    Në rast se nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi shkon në zgjedhje.

    Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

    Lëvizja Vetëvendosje të shtunën pas mbledhjes së kryesisë së partisë, doli me një propozim të ri, duke ftuar PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e dhjetë.

    Përderisa Partia Demokratike e Kosovës refuzoi të propozonte emra, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku po të shtunën përmendi mundësinë e përfshirjes së emrit të Vjosa Osmanit në diskutime.

    “LDK mund të propozojë edhe emra, s’kemi nevojë me i propozu tre, e propozojmë një. Mundet me qenë edhe Vjosa Osmani, por le të na tregon ai a i ka 66 vota për këtë president, por njehërë duhet të vendosë a dëshiron marrëveshje”, kishte shkruar Abdixhiku në Facebook.

  • Spiunazh për BIA-n, Jelena Gjukanoviq dënohet me 6 vjet burgim

    Spiunazh për BIA-n, Jelena Gjukanoviq dënohet me 6 vjet burgim

    Ish-punonjësja e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Jelena Gjukanoviq, është dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale të spiunazhit.

    Gjukanoviq, shtetase serbe, ishte arrestuar më 28 shkurt 2025 në pikën kufitare në Jarinje dhe që nga ajo kohë ndodhej në paraburgim.

    Sipas aktakuzës, ajo dyshohet se ka qenë e përfshirë në aktivitete spiunazhi në bashkëpunim me një person tjetër, i cili gjithashtu është nën hetim nga autoritetet.

    Si manipuloi BIA serbe raporte të OSBE-së kundër Kosovës, përmes Jelena Gjukanoviq – publikohen mesazhet

  • Si manipuloi BIA serbe raporte të OSBE-së kundër Kosovës, përmes Jelena Gjukanoviq – publikohen mesazhet

    Si manipuloi BIA serbe raporte të OSBE-së kundër Kosovës, përmes Jelena Gjukanoviq – publikohen mesazhet

    Dokumente dhe komunikime mes spiunëve serbë vazhdojnë të shfaqin ndikimin informativ kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare, ku përfshihen elementë të BIA-s serbe dhe raportime që lidhen me OSBE-në.

    Sipas këtyre materialeve të siguruara nga Dukagjini, agjenti i BIA-s, Aleksandar Vllajiq (tashmë i dënuar nga drejtësia kosovare), dyshohet se ka komunikuar me ish-zyrtaren e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq, duke i dhënë udhëzime të drejtpërdrejta për mënyrën e hartimit të raporteve dhe ndërtimit të narrativave lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës.

    Në përmbajtjen e mesazheve përshkruhen orientime të detajuara se si duhet të strukturohet “historia”, duke paraqitur aksionet e Policisë së Kosovës dhe përdorimin e njësive speciale në veri si veprime të koordinuara politikisht dhe të perceptuara negativisht nga faktori ndërkombëtar.

    Në një bisedë të publikuar mes Gjukanoviq dhe Vllajiq, ajo përshkruan takime dhe koordinime që lidhen me përgatitjen e një raporti për Kosovën brenda OSBE-së.

    Në këtë komunikim, ajo përmend se kishte zhvilluar takime me atëbotë shefin e misionit të OSBE-së, Michael Davenport, i cili sipas saj, ishte duke e përgatitur një raport gjithëpërfshirës për Kosovën.

    Sipas përmbajtjes së mesazhit, ky raport do të përfshinte të gjitha ‘sulmet’ e pretenduara ndaj serbëve nga Policia dhe do të paraqitej në Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë përpara 57 shteteve anëtare.

    Po ashtu, gjithmonë sipas bisedës, Davenport kërkonte të konsultohej edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, para se ta paraqiste raportin në Vjenë.

    Po ashtu, në komunikimin mes spiunëve serbë sugjerohet që të theksohet se ambasada amerikane në Prishtinë nuk është e kënaqur me sjelljen e kryeministrit Albin Kurti, ndonëse vazhdon ta mbështesë atë në luftën kundër korrupsionit.

    “Nuk është e kënaqur me sjelljen e Kurtit”, është udhëzimi në një mesazh.

    Për më tepër, përmenden edhe organizata joqeveritare, “biseda të mbyllura” dhe rrjete informimi nga veriu, të cilat sipas këtyre udhëzimeve duhet të shfrytëzohen për ndërtimin e narrativave të caktuara.

    Një element tjetër i ndjeshëm i komunikimit lidhet me pretendimet për përfshirjen e shtetasve britanikë, të cilët sipas mesazheve zhvillojnë takime intensive në veri dhe hartojnë raporte të inteligjencës që më pas shërbejnë si bazë për operacione policore. Në të njëjtin kontekst përmenden edhe struktura të inteligjencës brenda KFOR, përfshirë kontingjente sllovene dhe zvicerane. /RTVD/