ATV

Tag: Ballina

  • Publikohet çmimi i derivateve për sot, shtrenjtohet benzina

    Publikohet çmimi i derivateve për sot, shtrenjtohet benzina

    Çmimi i naftës për ditën e sotme është 1.68 euro për litër, një cent më shtrenjtë krahasuar me dje.

    Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila ka publikuar përditësimin e çmimeve të derivateve.

    Sipas njoftimit, benzina kushton deri në 1.47 euro për një litër, tre centë më shtrenjtë se dje, ndërsa gazi 0.85 euro.

  • Kur mund të mbahen zgjedhjet e reja në Kosovë?

    Kur mund të mbahen zgjedhjet e reja në Kosovë?

    Pas zhvillimeve politike dhe dështimit të procesit për zgjedhjen e presidentit, Kosova pritet të hyjë në zgjedhje të reja parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda afatit kushtetues prej 45 ditësh.

    Sipas llogaritjes së afateve ligjore, duke marrë si pikënisje datën 29 prill, kur kanë filluar të rrjedhin procedurat për zbatimin e vendimeve kushtetuese, zgjedhjet e reja duhet të mbahen më së largu deri më 7 qershor.

    Ndërkohë, pritet që gjatë ditëve në vijim të bëhet shpallja e datës së zgjedhjeve nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

    Sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, nëse deputetët nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin brenda afateve të përcaktuara, Kuvendi shpërndahet automatikisht (“ex constitutione”), duke hapur rrugën për zgjedhje të reja.

    “TË KONSTATOJË që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

  • Kurti i kërkon LDK-së një kandidat dhe 15 nënshkrimet: Hatixhe Hoxha u tërhoq nga gara

    Kurti i kërkon LDK-së një kandidat dhe 15 nënshkrimet: Hatixhe Hoxha u tërhoq nga gara

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë në një konferencë për media, para përpjekjes së fundit për zgjedhjen e presidentit. Seanca është shtyrë për të tretën herë dhe përpjekja e fundit para skadimit të afatit kushtetues do të jetë në orën 23:00.

    Në konferencën e dytë brenda pak orësh, Kurti tha se e propozuara për presidente Feride Rushiti i ka votat për presidente, bazuar në votimin e mbrëmshëm, por nuk e ka kuorumin.

    Ai tha se kandidatja Hatixhe Hoxha ka pranuar të tërhiqet nëse LDK sjell 15 nënshkrime për një kandidat të saj.

    “Ju e dini që VV-ja dhe unë kemi bërë një mori ofertash për LDK dhe PDK por të gjitha propozimet tona janë refuzuar. Nga pala tjetër nuk kemi pasur asnjë propozim për të dalë nga ngërçi. Përgjegjësia për ti dhënë Republikës institucionet e plot nuk është vetëm e fituesit. Edhe për opozitën ka përgjegjësi në konstituimin e institucioneve. Nata e mbrëmshme dëshmoi se Kosova mund të ketë presidente të re, Feride Rushtinin, meqenëse në kuti kishte 63 vota. Feride Rushiti i ka votat për presidente, mungon kuorumi. 63 vota , të fshehta janë më shumë se votat e qeverisë Thaçi 2 dhe qeveria e PAN-it me Haradinajn kryeministër. Të gjithë besoj e keni vërejtur që katër parti mungojnë në Kuvend, PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe.

    Në këtë situatë, unë jam përballur me pyetjet për listën e LDK-së me 15 nënshkrime, që kishte datën e pardjeshmit dhe nuk kishte emër sipër. Pasi përfundoi kjo seancë, kam komunikuar menjëherë me kandidaten Hatixhe Hoxha. Ajo është dakorduar të tërhiqet nga kandidatura nëse LDK i sjell 15 nënshkrime për këdo që është. Në atë rast VV i plotëson edhe 15 nënshkrime dhe do sonte le ta zgjedhim presidentin.

  • Kurti: Opozita ka qëllim vetëm bllokimin

    Kurti: Opozita ka qëllim vetëm bllokimin

    Kryeministri i Kosovës, njëherësh kreu i LVV-së, Albin Kurti, akuzoi partitë opozitare se me mospjesëmarrje në seancën për zgjedhjen e presidentit po tregojnë se “nuk kanë qëllim tjetër përveç se bllokimit”.

    Ai e akuzoi opozitën për veprime joshtetërore dhe sipas Kurtit partitë opozitare duan vetëm të bllokojnë qeverisjen e tij.

    “Në këto rrethana, e gjithë kjo bllokadë nuk mund të quhet ndryshe pos mosnjohje e rezultatit zgjedhor e shprehur qartë më 28 dhjetor”, tha Kurti, duke shtuar se në këto zgjedhje partia e tij fitoi 51.1 për qind të votave.

    Ai sërish përmendi ofertat që i ka bërë PDK-së dhe LDK-së për çështjen e presidentit, të cilat janë refuzuar, duke thënë se ai ka bërë propozime konkrete, por është përballur me refuzime.

    “Ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet që vendi të mos shkojë në zgjedhje të përsëritura dhe të panevojshme”, tha Kurti në nisje të konferencës për media./REL

  • Kryeministri Albin Kurti mban konferencë për media

    Kryeministri Albin Kurti mban konferencë për media

    Kryeministri i Republika e Kosovës, Albin Kurti, do të mbajë sot një konferencë për media në ndërtesën e Qeverisë, duke filluar nga ora 16:30.

    Kjo konferencë zhvillohet në një moment të rëndësishëm politik, pasi përkon me ditën e fundit të vazhdimit të seancës për zgjedhjen e presidentit të vendit, kjo pasi sot përfundon edhe afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit.

    Pritet që kryeministri Kurti të adresojë zhvillimet e fundit politike, ecurinë e seancës parlamentare dhe qëndrimet e Qeverisë në lidhje me situatën aktuale institucionale.

  • Edhe AAK kërkon që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura për presidente

    Edhe AAK kërkon që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura për presidente

    Pas PDK-së, edhe AAK-ja ka kërkuar që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura për presidente.

    Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, tha se kandidatja e VV-së për shefe të shtetit, po bëhet pjesë e një procesi i cili po rrënon rendin kushtetues.

    “Nuk do të lejojmë që të dëmtohet më tej rendi kushtetues, nuk mund dhe nuk duhet të legjitimohet logjika parti-shtet për shkak se ne nuk jemi në një shtet monist, një partiak. Demokracia nuk funksionon mbi imponim, por mbi marrëveshje e kompromis dhe respekt njëri ndaj tjetrit. Dje, Kurti foli gjatë e përdori foltoren e kuvendit për një diskutim politik brenda partiak, ai foli edhe për 3 emra të cilët do të ishin unifikues, megjithatë, qytetarët e panë qartë se ai nuk u konsultua me partitë të cilat i thërriste për diskutim, por në mënyrë arbitrare i solli në kuvend dy emra të tjerë. Kjo vetëm unifikuese nuk është por përjashtuese”, deklaroi Tahiri.

    “Ne si AAK besojmë se Kosova meriton më shumë, propozimi ynë i parë është që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura e saj për shkak se po bëhet pjesë e një procesi politik, i një procesi i cili po rrënon rendin kushtetues. Në rrethana tepër të vështira nuk kemi të bëjmë as me unifikim as diskutim, por përjashtim”, theksoi ai.

  • Shtyhet sërish seanca për presidentin, tentimi i radhës në orën 19:00

    Shtyhet sërish seanca për presidentin, tentimi i radhës në orën 19:00

    Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës vazhdon sot, në ditën kur skadon edhe afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca për presidentin, që u ndërpre për të dytën herë brenda ditës, do të vazhdojë sërish në orën 19:00.

    Ajo i bëri sërish thirrje opozitës që të marrë pjesë në vazhdimin e seancës.

    “Në këto rrethana, për shkak të mungesës së opozitës dhe në përpjekje që ajo të jetë e pranishme në seancën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, si për obligimet kushtetuese ashtu edhe për interesin publik, ju njoftoj se kjo seancë vazhdon sot në orën 19:00”, tha Haxhiu.

  • PDK i bën thirrje Feride Rushitit të tërhiqet nga gara për Presidente

    PDK i bën thirrje Feride Rushitit të tërhiqet nga gara për Presidente

    Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kritikuar ashpër procesin për zgjedhjen e Presidentit, duke e cilësuar atë si të dëmshëm dhe në kundërshtim me rendin kushtetues.

    Në një konferencë për media nga holli i Kuvendit, ajo shpalosi qëndrimet e PDK-së, duke i bërë thirrje partisë në pushtet të ndalë, veprimet antikushtetuese.

    “Dua të apeloj tek partia në pushtet që t’i ndërpresë këto veprime ‘karateje’ të dhunës politike, sepse ky nuk është Kuvend i karatesë, por institucion i të zgjedhurve të popullit”, tha Çitaku.

    Ajo i është drejtuar edhe kandidates për presidente, duke i kërkuar të tërhiqet nga gara.

    “Nga zemra i bëj thirrje zonjës Feride Rushiti që të tërhiqet nga kjo lojë politike antikushtetuese e Albin Kurti, që është e dëmshme për shtetin dhe atë vet”, u shpreh ajo.

    Çitaku ka shprehur keqardhje për përfshirjen e saj në këtë proces.

    “Sinqerisht më vjen keq që ka pranuar të huazojë politikisht emrin e saj për një maskaradë të rrezikshme politike”, deklaroi ajo.

    Në fund, ajo theksoi se vlerëson angazhimin e Rushitit në shoqërinë civile, por i bëri sërish thirrje të tërhiqet.

    “Si PDK e çmojmë angazhimin e saj në shoqërinë civile, por puna më e rëndësishme që mund t’i bëjë vetes dhe nderi më i madh që mund t’i bëjë vendit është të largohet nga kjo garë”, tha Çitaku.

    Ajo ka thënë se zhvillimet e fundit janë shqetësuese dhe përbëjnë rrezik për rendin kushtetues.

    “Këto veprime janë sinjale të qarta se pushteti po vendoset mbi Kushtetutën dhe ligjet dhe këtë nuk do ta lejojmë dhe së bashku me qytetarët do ta ndalojmë”, ka deklaruar Çitaku.

    Ajo ka bërë thirrje për ndaljen e menjëhershme të tensioneve në Kuvend.

    “Stop dhunës politike në Kuvend, stop veprimeve antikushtetuese”, ka theksuar ajo.

  • Krejt çka ndodhi në seancën e mbrëmshme për presidentin

    Krejt çka ndodhi në seancën e mbrëmshme për presidentin

    Tensione të larta politike dhe paqartësi kushtetuese kanë shoqëruar procesin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar procedurat në mungesë të opozitës, duke thelluar kësisoj përplasjet mbi ligjshmërinë e votimit dhe kuorumin në Kuvend.

    Pa praninë e partive opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ka proceduar me votimin e dy kandidaturave të reja për presidente të Kosovës, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, gjatë një seance të mbajtur të hënën në mbrëmje, pas orës 21:00.

    Kjo seancë u thirr më pak se një orë pas përfundimit të një tjetër seance për të njëjtën çështje, e cila gjithashtu u bojkotua nga opozita. Në rundin e parë të votimit të fshehtë, Rushiti mori 63 vota, një votë rezultoi e pavlefshme, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë votë.

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se seanca do të vazhdojë të martën në orën 10:00.

    Procesi është shoqëruar me reagime të ashpra nga opozita. Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, e cilësoi zhvillimin si “puç kushtetues”, duke argumentuar se rundi i parë nuk mund të konsiderohet i vlefshëm për shkak të mungesës së kuorumit.

    Në të njëjtën linjë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, akuzoi LVV-në për “përmbysje të rendit kushtetues”.

    Edhe nga shoqëria civile ka pasur kritika. Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, deklaroi se veprimet e ndërmarra përbëjnë shkelje të hapur të Kushtetutës së Kosovës. Sipas tij, për të proceduar me zgjedhjen e presidentit, në sallë duhet të jenë të paktën 80 deputetë.

    “Mungesa e kësaj shumice tregon për qëllime jo të mira të partisë në pushtet,” tha ai, duke shtuar se edhe tërheqja e kandidaturave të mëparshme dhe nënshkrimeve përkatëse ngre dyshime për shkelje të Rregullores së Punës së Kuvendit.

    Në seancën paraprake, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku nga LVV kishin tërhequr kandidaturat e mëparshme për presidente.

    Deputetët e legjislaturës së dhjetë kanë afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri. Nëse kjo nuk ndodh, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

  • Publikohet çmimi i naftës për sot

    Publikohet çmimi i naftës për sot

    Çmimi i naftës për ditën e sotme është 1.67 euro për litër, një cent më shtrenjtë krahasuar me dje.

    Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila ka publikuar përditësimin e çmimeve të derivateve.

    Sipas njoftimit, benzina kushton deri në 1.44 euro për një litër, ndërsa gazi 0.86 euro.