ATV

Tag: Ballina

  • Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Çmimi i naftës për ditën e sotme është 1.68 euro për litër, njëjtë si çmimi i djeshëm.

    Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila ka publikuar përditësimin e çmimeve të derivateve.

    Sipas njoftimit, benzina kushton deri në 1.47 euro për një litër, ndërsa gazi 0.85 euro.

  • Ulutash: Situata në Kosovë e qetë, por e brishtë – kërkohet urgjentisht zgjidhje politike

    Ulutash: Situata në Kosovë e qetë, por e brishtë – kërkohet urgjentisht zgjidhje politike

    Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka deklaruar se situata e sigurisë në vend mbetet përgjithësisht e qetë, por ende e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçanërisht në veri të vendit.

    Në një deklaratë nga Brukseli, pas takimeve në selinë e NATO-s, ai bëri të ditur se ka informuar ambasadorët e vendeve aleate dhe partnere kontribuuese në KFOR, si dhe është takuar me Zëvendëssekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska, dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

    Sipas tij, në këto takime është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, si dhe për prioritetet e misionit të KFOR-it, pak më shumë se dy muaj para samitit të NATO-s që do të mbahet në Ankara në korrik.

    Ulutash theksoi se angazhimi i NATO-s për sigurinë në Kosovë mbetet i palëkundur.

    “Aleatët dhe partnerët vazhdojnë të mbështesin plotësisht përpjekjet tona për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet dhe lirinë e lëvizjes”, tha ai.

    Sipas tij, misioni aktualisht përbëhet nga mbi 4600 trupa nga 31 vende, duke e cilësuar atë si një ndërmarrje kolektive të rëndësishme për stabilitetin në rajon.

    Duke folur për zhvillimet në terren, ai theksoi se që nga tetori i vitit 2025 nuk është vërejtur rikthim i dhunës si në vitin 2023, por paralajmëroi se situata mbetet e ndjeshme.

    “Që nga tetori i vitit 2025, kemi parë që siguria lokale është në përgjithësi e qetë. Nuk kemi parë rikthim të dhunës, siç pamë në vitin 2023. Megjithatë, situata mbetet e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçanërisht në veri të Kosovës”.

    “Prandaj, prioriteti im është ruajtja e stabilitetit, në të mirë të të gjitha komuniteteve”, deklaroi mes tjerash Ulutash, duke shtuar se KFOR-i mban një prani të dukshme dhe fleksibile për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi dhe për të ulur tensionet në rast nevoje.

    Komandanti e cilësoi KFOR-in si një shtyllë kyçe të stabilitetit në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, duke falënderuar aleatët për mbështetjen e vazhdueshme.

    Në deklaratën e tij, komandanti Ulutash theksoi edhe nevojën urgjente për një zgjidhje politike, teksa shtoi se KFOR-i vazhdon të krijojë hapësirë që dialogu politik të ecë përpara.

    “Stabiliteti varet nga zgjedhja e të gjitha palëve për diplomacinë mbi dhunën. Rruga drejt paqes afatgjatë është politike, jo ushtarake. KFOR-i do të vazhdojë ta bëjë punën e tij në mbështetje të këtij procesi”, tha ai.

    Komandanti i KFOR-it nënvizoi se NATO vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Ai përfundoi se KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në krijimin e hapësirës për avancimin e dialogut dhe në ruajtjen e stabilitetit, në funksion të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe rajonit.

    “Një rrugë konstruktive dhe gjithëpërfshirëse përpara është ajo që duhet të vazhdojmë ta ndjekim, së bashku, për një të ardhme më të mirë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Dhe për stabilitetin rajonal”, u shpreh komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash.

  • AKR: Largohet masa e pezullimit nga KQZ, rikthehemi plotësisht në aktivitet politik

    AKR: Largohet masa e pezullimit nga KQZ, rikthehemi plotësisht në aktivitet politik

    Aleanca Kosova e Re (AKR) njofton opinionin publik se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur heqjen e masës së pezullimit ndaj subjektit tonë politik, pas përmbushjes së të gjitha obligimeve ligjore të përcaktuara.

    Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, kjo masë ishte vendosur më 12 mars 2026, ndërsa është hequr pasi AKR ka respektuar afatin ligjor prej 45 ditësh, duke mbajtur Kuvendin Zgjedhor dhe duke përmbushur kërkesat përkatëse procedurale.

    “AKR e konsideron këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të mëtejshëm institucional dhe politik të subjektit tonë. Ne mbetemi të përkushtuar për funksionim transparent, respektim të ligjit dhe përfaqësim dinjitoz të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

    Strukturat e reja të dala nga Kuvendi Zgjedhor do të angazhohen menjëherë në fuqizimin e partisë, rritjen e besimit qytetar dhe përgatitjen për sfidat e ardhshme politike.

    AKR falënderon të gjithë anëtarët dhe mbështetësit për durimin dhe besimin gjatë kësaj periudhe dhe siguron se do të vazhdojë me një energji të re dhe vizion të qartë për të ardhmen”, thuhet në njoftim.

  • Data e zgjedhjeve, Haxhiu takon sot partitë politike

    Data e zgjedhjeve, Haxhiu takon sot partitë politike

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu pret sot në takim konsultativ partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.

    Takimi mbahet në ora 15:00.

    “Në orën 15:00, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu pret në takim konsultativ partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme”, thuhet në njoftim.

    Haxhiu një ditë më parë takoi kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

    Radoniqi ka deklaruar se përgatitjet për zgjedhje kërkojnë kohë dhe se procesi nuk është i lehtë, duke theksuar se data më e mundshme për mbajtjen e tyre është 7 qershori.

    Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, Radoniqi tha se ende nuk është diskutuar çështja e buxhetit për zgjedhjet në KQZ.

    “…Çështje e buxhetit ende nuk është diskutuar në KQZ, po besoj do të jetë përafërsisht si zgjedhjet e kaluara. Na nevojitet përgatitje, nuk është proces i lehtë… Dy data 31 maj ose 7 qershor, kështu që për mendimin tonë është 7 qershori, por prapë le t’i mbetet presidentes”, u shpreh të mërkurën Radoniqi.

    Kosova shkon në zgjedhje të reja pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.

  • Çka i tha Çitaku Gecit në Kuvend për “kërkim-faljen”?

    Çka i tha Çitaku Gecit në Kuvend për “kërkim-faljen”?

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka folur lidhur me deklaratën e ish-deputetit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Fatos Geci dhe më pas edhe kërkimfaljen e tij për gjuhën e përdorur ndaj saj.

    Ajo u shpreh se ka refuzuar të flasë me Gecin dhe tregoi se nuk e ka dëgjuar, por vetëm i ka kërkuar që të largohet.

    Çitaku gjithashtu u shpreh se abuzuesit siç i quajti ajo serikë, nuk duhet të tolerohen dhe tha se nuk duhet të mjaftohemi me kërkimfalje.

    “Thënë të drejtën, kam refuzuar ta dëgjoj. Kam qenë e ulur, e kam parë që po vjen drejt meje, por kam refuzuar ta dëgjoj. Vetëm i kam thënë “ik, largohu, nuk flas me ty, largohu”. Abuzuesit kronikë, serikë, nuk duhet të tolerohen dhe nuk duhet që ne të mjaftohemi me një kërkimfalje”, tha ajo në Klan.

    “Shan tërë ditën, pastaj të nesërmen “më fal”, jo, nuk ka. Mua nuk më duhet një kërkimfalje e tillë dhe e refuzoj një kërkimfalje të tillë. Ajo çfarë më ka thënë mua është shumë më e vogël në raport me fyerjet që ia ka bërë luftës çlirimtare”, tha ajo.

  • Pas britanikëve, edhe ambasada e SHBA-së mohon se përkrahu Feride Rushitin si kandidate për presidente

    Pas britanikëve, edhe ambasada e SHBA-së mohon se përkrahu Feride Rushitin si kandidate për presidente

    Pas ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, edhe ajo e SHBA-së ka mohuar se ka përkrahuar kandidaturën e Feride Rushitit për presidente të vendit.

    Pas dështoi zgjedhja e saj në mungesë të kuorumit dhe pas shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja, Rushiti së bashku me Kurtin mbajtën një konferencë për media pas orës 24:00, në të cilën u tha se ajo kishte përkrahjen e ambasadave për kandidimin e saj.

    Por, një gjë të tillë e kanë mohuar këto përfaqësi diplomatike.

    Një zëdhënës i ambasadës amerikane për Insajderin deklaroi se SHBA-ja nuk ka kurrfarë roli në propozimin e kandidatëve dhe se është përgjegjësi e të besuarve të popullit që të zgjidhet çështja e të parit të shtetit.

    “Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë rol në propozimin e kandidatëve për procesin zgjedhor presidencial në Kosovë. Është përgjegjësi e Kuvendit dhe udhëheqësve politikë të zgjedhin presidentin“, u tha në përgjigjen e ambasadës amerikane.

    Kurse, gjatë ditës, edhe ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka përgënjeshtruar pretendimin e shpaluar mbrëmë nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kandidatja e këtij subjekti për presidente të vendit, Feride Rushiti, se ishte ambasada britanike që e mbështeti kandidaturën e saj.

  • Kur mund të shpallet vendimi final për Hashim Thaçin dhe të tjerët- flasin nga Haga

    Kur mund të shpallet vendimi final për Hashim Thaçin dhe të tjerët- flasin nga Haga

    Më 18 maj 2026 bëhen 90 ditë që nga përfundimi i procesit të fjalëve përmbyllëse të palëve para Dhomave të Specializuara në Hagë për rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

    Sipas Rregullores, trupi gjykues do të duhej të nxirrte një vendim brenda këtij 90 ditëshi, megjithatë një datë specifike për vendimin final ende s’është caktuar.

    Kështu ka konfirmuar për Express zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep.

    “Data e saktë për shpalljen e vendimit në rastin Thaçi dhe të tjerët nuk dihet ende, por publiku do të njoftohet kur gjyqtarët të caktojnë një datë”, ka thënë Griep.

    Ajo s’ka përjashtuar mundësinë që gjyqtarët mund të kërkojnë kohë shtesë përtej 90 ditëshit, nëse diçka e tillë do të jetë e nevojshme.

    “Afati kohor për arritjen e një vendimi është specifik për secilin rast. Rregullat specifikojnë që Trupi Gjykues mund t’i zgjasë shqyrtimet përtej 90 ditëve kur rrethanat kërkojnë më shumë kohë”, ka potencuar Griep për Express.

    Afati 90 ditor për nxjerrjen e vendimit është i përcaktuar sipas Rregullës 159 të Dhomave të Specializuara dhe koha shtesë përveç rasteve ekstreme s’mund ta kalojë 60 ditëshin.

    ”Aktgjykimi i shkallës së parë shpallet brenda nëntëdhjetë (90) ditëve nga mbyllja e çështjes, në përputhje me Rregullën 136, dhe mund të përfshijë një vendim sipas Nenit 22(7) të Ligjit. Kur rrethanat e çështjes kërkojnë kohë shtesë, ajo nuk duhet të kalojë gjashtëdhjetë (60) ditë, përveç rasteve kur një zgjatje e mëtejshme është absolutisht e domosdoshme. Vendimi për zgjatjen duhet të jetë publik dhe t’u njoftohet palëve dhe përfaqësuesit të viktimave. Për zgjatjen duhet të jepen arsyet”, thuhet në Rregulloren e Gjykatës Speciale.

    Sipas kësasj Rregulloreje, Aktgjykimi i shkallës së parë, ose një përmbledhje e tij, shpallet publikisht në emër të popullit të Kosovës dhe në praninë e të akuzuarit, përveç nëse rrethana të jashtëzakonshme arsyetojnë mungesën e tij ose të saj.

    Aktgjykimi i shkallës së parë duhet të jetë me shkrim dhe të përmbajë arsyetim për gjetjet e Panelit, derisa në rast të lirimit nga akuza, aktgjykimi mund të shpallet gojarisht, i ndjekur nga arsyetimi me shkrim sa më shpejt që të jetë e mundur.

    Katërshja e UÇK’së vazhdojnë të jenë në paraburgim në Hagë që nga viti 2020 që kur Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tyre.Në fjalët përmbyllëse, ekipet mbrojtëse kanë kërkuar lirim nga të gjitha aktakuzat për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin.

    Derisa, Kryeprorkurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Gjykatën Speciale në Hagë, Kimberly West, ka kërkuar nga 45 vjet dënim me burg për secilin, apo 180 vjet gjithsej për katër të akuzuarit e rastit Thaçi dhe të tjerët.

  • Presidenca publikon agjendën e Haxhiut për të enjten, në orën 15:00 i takon partitë për datën e zgjedhjeve

    Presidenca publikon agjendën e Haxhiut për të enjten, në orën 15:00 i takon partitë për datën e zgjedhjeve

    Zyra për Media e Presidencës ka publikuar agjendën e u.d të presidentes, Albulena Haxhiu, për të enjten.

    Në orën 15:00 siç thuhet në komunikatë. Haxhiu do t’i takojë partitë politike për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve.

    “Në orën 15:00, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu pret në takim konsultativ partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit”, thuhet në njoftim.

    Sot Haxhiu është takuar me kreun e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, me të cilin ka diskutuar për të njëjtën temë.

    Radoniqi ka thënë se KQZ preferon datën më të largët të mundshme e që është 7 qershori.

  • Kurti nuk e përkrahu për mandat të dytë, reagon Osmani: Rrugët që u mbyllën nga padrejtësitë, hapen nga populli

    Kurti nuk e përkrahu për mandat të dytë, reagon Osmani: Rrugët që u mbyllën nga padrejtësitë, hapen nga populli

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar sot pasi Kuvendi i Kosovës është shpërndarë dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

    Osmani ka thënë se “rrugët që u mbyllën nga padrejtësitë, gjithmonë hapen nga populli”.

    “Mbrëmë ka qenë një natë e rëndë për Kosovën, por ky popull ka ditur të ngritët edhe nga momente shumë më të rënda. Ka ardhur koha për dashni. Mjaftë më me propagandë, përçarje e ndjellje të frikës. Aty ku ka urrejtje duhet të sjellim dashni, aty ku ka frikë duhet të sjellim shpresë. Aty ku ka propagandë e shpifje duhet ta mbrojmë të vërtetën”, ka thënë Osmani.

  • Kuvendi del me njoftim pas dështimit të zgjedhjes së presidentit

    Kuvendi del me njoftim pas dështimit të zgjedhjes së presidentit

    Pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, Kuvendi ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me zhvillimet e së martës.

    Në këtë njoftim thuhet se, në hapje të seancës së parë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka rikujtuar edhe një herë kushtet dhe procedurat për zgjedhjen e presidentit të Republikës.

    “Duke iu referuar serish Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, me theks të veçantë Aktgjykimit në rastin Nr. KO2911, opinioneve të Komisionit të Venecias dhe dokumenteve të tjera relevante lidhur me pjesëmarrjen e deputetëve në këtë proces, kryetarja Haxhiu përsëriti disa herë ftesën për deputetët që mungonin, që të vijnë në sallë dhe të votojnë. Ajo tha se deputetët të cilët nuk ishin prezentë, përkatësisht deputetët e grupeve parlamentare opozitare, nuk kanë marrë leje nga kryetarja e Kuvendit për të munguar në seancën për zgjedhjen e presidentit”, thuhet në njoftim.

    Haxhiu ndërpreu tre herë seancën. Në vazhdimin e fundit të orës 23:00, ajo ripërsëriti ftesën për deputetët.

    “Po presim nëse deputetët e opozitës do të vijnë dhe t’i lënë anash barrikadimet. Kjo është arsyeja pse në vazhdimësi kam bërë thirrje që deputetët e opozitës të vijnë këtu. Janë minutat e fundit të kësaj legjislature. Kjo rrugë e nisur mbarë nuk meritonte të ndërpritej”, theksoi kryeparlamentarja pak kohë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

    “Duke marrë fjalën në seancë, ministri i Financave, Hekuran Murati, foli për humbjet që sipas tij vendi do të pësojë nga shkuarja në zgjedhje të reja. Ai tha se pos 10 milionë eurove që do të kushtojë organizimi i zgjedhjeve, do të humbin edhe dhjetëra miliona të tjerë”, thuhet mes tjerash, transmeton Klankosova.tv.

    Fjalën e mori edhe Kryeministri Albin Kurti, i cili mbrëmjen e së martës në seancë foli për ofertat që u ka dhënë partive opozitare.

    “Ai tha se Republika e Kosovës praktikisht e ka presidentin, por nuk e ka konstruktivitetin elementar të opozitës për këtë gjë”, vazhdon njoftimi.

    “Feride Rushiti është e gatshme dhe gatishmëria e saj është nder. Unë e falënderoj që, si lidere e shoqërisë civile, ka pranuar të kandidohet”, tha Kurti.

    Në prag të skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit, kryeparlamentarja tha se kjo seancë fatkeqësisht shënon fundin e këtij procesi dhe fundin e kësaj legjislature.

    “Sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese Kuvendi konsiderohet i shpërndarë dhe zgjedhjet do të shpallen brenda afatit kushtetues”, theksoi kryeparlamentarja.