ATV

Tag: Ballina

  • Fillon gjykimi ndaj Zoran Vukotiqit, akuzohet për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

    Fillon gjykimi ndaj Zoran Vukotiqit, akuzohet për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

    Përgatiti: Nora Luta

    I dënuar dy herë për krime lufte në Kosovë, Zoran Vukotiq u soll nën masa të rrepta të sigurisë, nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Pallatin e Drejtësisë të premten.
    Ballafaqimin me drejtësinë Vukotiq do ta vazhdojë për një tjetër akuzë për dhunë seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Megjithatë gjatë seancës fillestare që u mbyll për publikun, 53 vjeçari ka mohuar fajësinë. Për të mbrojtur identitetin e viktimës, Prokuroria Speciale kërkoi që i tërë gjykimi të zhvillohet i mbyllur.

    Aktakuza e ngritur nga prokurorja speciale Drita Hajdari, e ngarkon Vuktoqin se si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Serbisë ka kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptarë gjatë një sulmi të gjerë kundër popullatës civile në vitin 1999.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga ATV-ja, Vukotiq e kishte goditur viktimën me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.

    “Viktima mundohet të rezistojë, mirëpo i pandehuri Zoran me thikë e pret në pjesën e poshtme të gjoksit të majtë, sikur edhe nëpër duar. Gjatë
    dhunimit, viktima ka pësuar lëndime të rënda fizike dhe psikike të përhershme”, thuhet në aktakuzën e PSRK-së ndaj Zoran Vukotiqit.

    Sipas aktakuzës, viktima ishte dhunuar edhe nga tre persona të tjerë, të cilët bashkë me Vukoticin kishin hyrë me forcë në shtëpinë e saj, dhe të njëjtit dyshohet se ia vranë babanë.

    “Këta katër persona, me të hyrë në shtëpi, fillimisht kanë filluar ta bastisin shtëpinë dhe pasi kishin gjetur një shishe të plastikës me jod dhe një me alkool, ata i ishin afruar babait të saj, duke i thënë në gjuhën shqipe “ti po i ndihmon UÇK-së”, të cilin njëri prej tyre e kishte goditur me kondak të armës në shpinë dhe e ka rrëzuar në dysheme, përderisa babai i saj i ishte kthyer personit që fliste shqip duke i thënë: “Çka po të bëj ty Zoran, pse po më mëshon”, thuhet më tej në aktakuzën e PSRK-së ndaj Zoran Vukotiqit.

    Kjo është aktakuza e pestë ndaj Zoran Vuktoiq, i cili aktualisht është në vuajte të dënimit edhe për një rast tjetër të dhunimit gjatë luftës në Kosovë. Apeli ia rriti dënimin nga dhjetë sa ia kishte shqiptuar gjykata e shkallës së parë në 13 vjet burgim, dhe i njëjti u vërtetua edhe nga Supremja.

    Ndërkohë edhe tri raste tjera janë ndaj tij për krime lufte në territorin e Komunës së Vushtrrisë, por të cilat nuk janë gjykuar që kur janë kthyer në rigjykim në vitin 2019.

    Vukotiq ishte ekstraduar në Kosovë nga autoritetet e Malit të Zi në vitin 2016, dhe që atëherë ndodhet në Burgun e Sigurisë së Lartë.

  • Ëndrra bëhet realitet, Shqipëria do të luajë në Kampionatin Evropian Euro 2024

    Ëndrra bëhet realitet, Shqipëria do të luajë në Kampionatin Evropian Euro 2024

    Kombëtarja e Shqipërisë e ka siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian Euro 2024, që do të mbahet në Gjermani.

    Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Zimbru”, Shqipëria ka barazuar 1:1 si mysafire me Moldavinë, raporton KosovaPress.

    Golin për kuqezinjtë e shënoi Sokol Cikalleshi nga penalltia në minutën e 25’, kurse te Moldavia golashënues ishte Vladislav Baboglo në minutën e 87’.

    Shqipëria ishte e vetëdijshme që i duhej vetëm një pikë për ta siguruar kualifikimin në Evropianin Euro 2024, hera e dytë kjo që “kuqezinjtë” kualifikohen në një turne evropian.

    Me pikët e reja, Shqipëria ngjitet në kuotën e 14 pikëve në vendin e parë, krahas Moldavisë që tani zë vendin e tretë me 10 pikë, aq sa ka edhe Polonia në vendin e katërt.

    Rezultati final, 1:1.

  • Kryesuesi i KGJK-së thotë se vendimet e pushtetit po e cenojnë pavarësinë e gjyqësorit

    Kryesuesi i KGJK-së thotë se vendimet e pushtetit po e cenojnë pavarësinë e gjyqësorit

    Përgatiti: Nora Luta

    Komentet dhe vlerësimet e pushtetit ekzekutiv rreth vendime të gjyqësorit, janë konsideruar shpeshherë si ndërhyrje në drejtësi nga shoqëria civile. Kritik ndaj ekzekutivit rreth komenteve për gjyqësorin, ishte të premten edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

    Në hapje të konferencës “Ditët e Gjyqësorit”, Zogaj bëri thirrje për përmbajtje në komentime ndaj vendimeve të gjyqtarëve. Ndërsa, vendimet e Qeverisë rreth uljes së pagave, sipas Zogajt, e cenojnë rëndë pavarësinë e gjyqësor.

    Ndërkohë, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, tha se përkundër sfidave e vështirësive në gjyqësor, është arritur që lëndët të përfundojnë në kohë rekorde.

    Konferenca “Ditët e Gjyqësorit” organizohet çdo vit dhe ka për qëllim vlerësimin e gjendjes aktuale të sistemit gjyqësor, përmbushjen e planeve të punës, sfidat dhe objektivat strategjike për avancimin e funksionimit të sistemit gjyqësor.

  • Stoltenberg më 20 nëntor viziton Kosovën

    Stoltenberg më 20 nëntor viziton Kosovën

    Nga data 19 deri më 22 nëntor, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të vizitojë Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

    Të dielën, më 19 nëntor, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të udhëtojë në Bosnje dhe Hercegovinë, ku do të ketë një darkë pune me anëtarët e Presidencës.

    Të hënën, më 20 nëntor, Stoltenberg do të takohet me Përfaqësuesin e Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën, Christian Schmidt. Ai do të takohet edhe me Kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Krishto.

    Stoltenberg do të vizitojë selinë e NATO-s në Sarajevë dhe do të ketë takime me udhëheqës ushtarakë dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

    Në të njëjtën ditë, sekretari i Përgjithshëm do të vazhdojë udhëtimin e tij në Kosovë, ku do të ketë diskutime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Konferenca e përbashkët për shtyp e Stoltenberg me presidenten Osmani do të mbahet në ora 16:10 (CET).

    Stoltenberg gjithashtu do të vizitojë kampin Nothing Hill të KFOR-it të NATO-s, ku do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ulutaş dhe do t’u drejtohet trupave. Ai do të takohet gjithashtu me Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, gjeneral brigade Hammerstein.

    Të martën, më 21 nëntor, sekretari i Përgjithshëm do të jetë në Beograd, ku do të ketë takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq.

    Më vonë atë ditë, Stoltenberg do të udhëtojë në Maqedoninë e Veriut për t’u takuar me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

    Ai do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe do të mbajë një fjalim para Kuvendit.

    Të mërkurën, më 22 nëntor, sekretari i Përgjithshëm do të marrë pjesë në një takim me liderët aleatë nga rajoni. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq dhe kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, janë ftuar të marrin pjesë, thuhet në njoftimin e NATO-s.

  • Bislimi: Asociacioni nuk është diskutuar në Bruksel, vlerësimin e fundit e jep Kushtetuesja

    Bislimi: Asociacioni nuk është diskutuar në Bruksel, vlerësimin e fundit e jep Kushtetuesja

    Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator për dialogun me Serbinë, ka thënë se shqetësimet e ngritura se po krijohet një autonomi për serbët në veri përmes Asociacionit janë të individëve që po shpërndajnë drafte dhe jo të qeverisë. Bislimi ka shtuar se ekzekutivi nuk punon me shqetësime, por në bazë të analizave, për më tepër, sipas tij draftin e Asociacionit të propozuar nga emisarët euro-amerikanë do ta vërtetojë Gjykata Kushtetuese dhe jo analistët në studio televizive dhe as politikanët.

    Bislimi tha se në takimin e së enjtes në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk është diskutuar për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi, siç ka thënë ai, pozicioni i Kosovës është bërë i qartë që më 26 tetor nga kryeministri Albin Kurti, në takim me liderët evropianë.

    “Tek pika e Asociacionit ne nuk kemi diskutuar për arsye se kemi thënë se pozicioni është i qartë dhe është prezantuar nga kryeministri Kurti më 26 tetor. Rrjedhimisht gjithkush që iu thotë që në Bruksel është shkuar për të diskutuar për Asociacionin, vetëm ka bërë dezinformim pasi nuk është diskutuar fare…Shqetësimet për (autonomi) janë të individëve të atyre që shpërndajnë drafte. Ne nuk punojmë me shqetësime dhe ne punojmë me analiza. Për më tepër kushtetutshmërinë e draftit të dërguar nga miqtë tanë ndërkombëtar e vërteton Gjykata Kushtetuese, as analistët në studio dhe as politikanët. Janë njerëz që marrin pagë mujore për me vlerësuar kushtetutshmërinë e dokumenteve që iu rezervohen atyre”, tha Bislimi.

    Duke folur për mundësitë e zgjedhjeve të parakohshme në veri, Bislimi tha se kanë pranuar të shmanget kërkesa që në kuadër të nënshkrimeve për peticion të nevojitet edhe numri i telefonit të nënshkruese, pas shqetësimeve të BE-së.

    “Për zgjedhjet në veri ne vetëm kemi diskutuar komplikimet e mundshme të cilat pala ndërkombëtare ka mundur t’i konstatojë nga hapat që kemi ndërmarrë deri tani. Më konkretisht ata kanë pasur shqetësimin se në formularët ku do të plotësohet peticioni është kërkuar edhe numri i telefonit të nënshkruese dhe kanë menduar se kjo nuk është konfrom rregullave për mbrojtjen e privatësisë. Ne kemi treguar gatishmërinë që ky element i formularit të shmanget…Kërkesa për me gjetur mekanizëm për të shkuar në zgjedhje të parakohshme nuk ka ardhur nga kryeqendra, por nga vet qytetarët serb nga komunat e veriut. Ne pastaj ju kemi treguar instrumentin që ata duhet të përdorin për këtë preferencë që kanë. Ju takon atyre që të vendosin se në cilën ditë apo përmes cilës OJQ apo parti politike do të fillojnë procesin”, theksoi Bislimi.

    Krahas kësaj, Bislimi tha se zbatimi i marrëveshjes për energji është tepër afër.

    “Është tepër afër, faktikisht vetëm duhet të nënshkruhen dokumentet. Po ashtu duhet një vendim i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për propozimin për tarifat që i ka propozua elektroserveri karshi KEDS-it. Në atë moment që ZRRE-ja thotë se këto tarifa janë të pranueshme për arsye se të njëjtat duhet të përkthehen në marrjen e KEDS-it gjatë vitit 2024. Në atë moment që ata marrin këtë dakordim nuk ka arsye për Elektroserverin që të vendos nënshkrimin”, tha ai.

    Këto komente Bislimi i bëri pas pjesëmarrjes në tryezën ndërparlamentare të Komisioneve për Punë të Jashtme të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

  • U paralajmërua hapja e Ambasadës në Poloni, Presidentja e emëron shef të misionit Drilon Gashin

    U paralajmërua hapja e Ambasadës në Poloni, Presidentja e emëron shef të misionit Drilon Gashin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka emëruar Drilon Gashin si shef të misionit të Kosovës në Varshavë.

    Osmani tha se ky është një mision historik në marrëdhëniet në mes vendeve, teksa shtoi se kjo nxit lidhje edhe më të forta në mes të Kosovës dhe Polonisë.

    “I lumtur që kemi emëruar z. Drilon Gashi, një kosovaro-amerikan i suksesshëm, si shef i misionit në misionin tonë në Varshavë. Kjo shënon një moment historik të rëndësishëm në marrëdhëniet tona dhe pasqyron angazhimin tonë për të nxitur lidhje edhe më të forta ndërmjet 🇽🇰& 🇵🇱”, ka thënë ajo.

    Ishte kryeministri Albin Kurti ai i cili pati paralajmëruar hapjen e ambasadës së Kosovës në Poloni.

  • Kundërshtimi i prokurores Fitore Sadikaj ndaj vendimit të kryesuesit të Këshillit – KPK-ja diskuton me dyer të mbyllura

    Kundërshtimi i prokurores Fitore Sadikaj ndaj vendimit të kryesuesit të Këshillit – KPK-ja diskuton me dyer të mbyllura

    Këshilli Prokurorial i Kosovës të premten ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm, raporton Ekonomia Online. Ndonëse takimi ishte i hapur për medie, KPK-ja fillimisht kërkoi që në pikën ku diskutohet kundërshtimi i prokurores Fitore Sadikaj ndaj vendimit të kryesuesit të Këshillit për moskonfirmimin e statusit të kandidatit për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të mbahet me dyer të mbyllura.

    Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani, tha se për shkak të konfidencialitetit, kjo pikë e rendit të ditës do të mbahet me dyer të mbyllura.

    Krahas kësaj pike, në rend dite janë edhe konfirmimi i listës së kandidatëve të cilët kanë aplikuar për pozitën Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Konfirmimi i listës së kandidatëve të cilët kanë aplikuar për pozitën Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

  • Jep dorëheqje anëtari i Bordit të OSHP-së, Agon Ramadani

    Jep dorëheqje anëtari i Bordit të OSHP-së, Agon Ramadani

    Agon Ramadani ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

    “Arsyeja e dorëheqjes ka të bëjë kryesisht me punën time profesionale, angazhimin dhe ambiciet e së ardhmes në këtë drejtim”, thuhet në letrën e tij të dorëheqjes, të cilën e ka siguruar ATV.

    Kuvendi pati zgjedhur në qershor të vitit të kaluar anëtarët e Bordit – Nita Bejta, Kimete Gashi, Vedat Peterqoj dhe Agon Ramadani – dhe kryetaren e tij, Vjosa Gradinaj-Mexhuani.

    Deri atëherë, mbi një vit ishin bllokuar qindra miliona euro në institucionet e ndërmarrjeve publike si pasojë e moszgjedhjes së Bordit të OSHP-së. /atvlive.tv

  • Lisbonë: Osmani flet në samitin më të madh në botë të teknologjisë informative

    Lisbonë: Osmani flet në samitin më të madh në botë të teknologjisë informative

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka qëndruar për vizitë njëditore zyrtare në Portugali, i është adresuar pjesëmarrësve në Samitin më të madh në botë të teknologjisë informative, i cili po mbahet në Lisbonë.

    Para përfaqësuesve të më se 160 shteteve, Osmani ka folur për rëndësinë e sektorit të ICT-së, barazisë gjinore, etikës dhe gjithëpërfshirjes.

    “Po aq sa është e rëndësishme etika për sektorin e teknologjisë informative, e cila po zhvillohet me ritëm të shpejtë, ne nuk duhet t`i harrojmë paragjykimet në rritje në këtë fushë. Prandaj, diversiteti dhe gjithëpërfshirja në zhvillimin e teknologjisë informative duhet të jenë imperativ i kohës sonë”, ka theksuar Osmani.

    Sipas saj, sektori i teknologjisë informative është jo vetëm mundësi e fuqizimit ekonomik, por edhe katalizator për transformimin e shoqërisë.

    Ndryshe, Samiti i Lisbonës është më i madhi në botë në fushën e teknologjisë informative, ndërkohë që në këtë edicion ka mbledhur afro 160 shtete dhe mbi 70-mijë pjesëmarrës.

  • Lajçak flet për takimin me Bislmin e Petkoviqin: Diskutimet ishin të dobishme

    Lajçak flet për takimin me Bislmin e Petkoviqin: Diskutimet ishin të dobishme

    Ndërmjetësuesi i BE-së, për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se me kryenegociatorët e kosovare dhe asaj serbe, sot patën diskutime të dobishme për progress në shumë pika.

    Këtë, Lajçak e shkroi në një reagim të tij në platformën X, ndërsa flet për takimin si raund tjetër i bisedimeve Kosovë-Serbi.

    ”Sot prita kryenegociatorët, të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, për një raund të takimeve të dialogut në Bruksel. Diskutimet tona ishin të dobishme për të bërë përparim në një sërë çështjesh në agjendën tonë”.