ATV

Tag: Ballina

  • Përmbyllet fushata e informimit për liberalizimin e vizave për Kosovën

    Përmbyllet fushata e informimit për liberalizimin e vizave për Kosovën

    Sot përmbyllet fushata e informimit për liberalizimit e vizave për Kosovën.

    Kampanja përmbyllëse do të mbahet në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, nga ora 10:00 deri 15.00 .

    “Kamioneta jonë do të jetë në shërbimin tuaj për tju informuar dhe mundësuar të bëheni pjesë e kuizit dhe të fitoni një udhëtim në Vjenë me datën 1 Janar 2024. Shorteu i atyre që kan qëlluar 5 pyetjet e sakta do të mbahet LIVE të hënën në emisionin e mëngjesit në RTK.”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtra. Udhëtimi pa viza nënkupton se mund të udhëtoni lirshëm në shtetet e zonës Shengen, por nuk do të mund të punoni.

    Parlamenti Evropian miratoi në prill të këtij viti vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje u përmbyllën.

    Miratimi në Parlamentin Evropian ishte bërë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

  • Bislimi në Bruksel: Nuk diskutuam për Asociacionin, pa nënshkrim s’nis zbatimi

    Bislimi në Bruksel: Nuk diskutuam për Asociacionin, pa nënshkrim s’nis zbatimi

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Pa takim trepalësh është mbyllur rundi i ri i bisedimeve Kosovë-Serbi, në nivel kryenegociatorësh, nën lehtësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm, Miroslav Lajçak.

    Në Bruksel, emisari Lajçak takoi ndaras kryenegociatorët e dy vendeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

    Edhe pse diskutimi për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte pikë në rend dite, zëvendëskryeministri për dialog tha se diçka e tillë nuk ndodhi, teksa përsëriti çështjen e nënshkrimit.

    “Jemi të gatshëm ta pranojmë dokumentin në plotëni, të nënshkruajmë së bashku me dy dokumentet tjera. S’kemi pasur nevojë për sqarime shtesë nga ana e BE-së, prandaj edhe s’kemi diskutuar. Drafti që i është sjellë Kosovës ka pasur kujdes të shtuar për Kushtetutën e Kosovës. Por, a është në harmoni të plotë do të vendosë Gjykata Kushtetuese. Nuk mund të nisë puna pa nënshkrim, pasi duhet garanci që kemi marrëveshje valide, e cila pastaj krijon obligime edhe për palën tjetër”, tha Bislimi.

    Krahas diskutimit për të pagjeturit, ai njoftoi për lëvizje lidhur me bllokadën në zbatimin e udhërrëfyesit për energjinë.

    “Kemi diskutuar për çështjen e energjisë. Lajcaku mendon se jemi shumë afër nënshkrimit të marrëveshjes dhe ka sjellë vetëm dy-tri propozim-ndryshime të vogla në marrëveshjen për nën-kontraktim mes KEDS-it dhe Elektroserverit. Ne do të japim komentet tona. Java e ardhshme do të jetë e fundit kur duhet të nënshkruhet kontrata dhe të fillojë zbatimi”, tha Bislimi.

    Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, në anën tjetër, tha se me emisarin e BE-së diskutoi për draft-statutin e Asociacionit.

    “Ekspertët tanë kanë folur në mënyrë shumë të argumentuar dhe të qartë për të gjitha aspektet e draft-statutit, veçanërisht për pjesën që ka të bëjë me kompetencat ekzekutive të Asociacionit, në radhë të parë planifikimin hapësinor, shëndetësinë, arsimin, zhvillimin ekonomik, si dhe faktin që Asociacioni të financohet nga Beogradi”, tha Petkoviq.

    Zëvendëskryeministri tha se në takimin me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së u diskutua edhe për hapat e radhës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, në katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Ai shprehu gatishmërinë për akomodimin e kërkesës së BE-së për përmirësime, në formularin për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të komunës.

  • Kuvendi shqyrton buxhetin prej 3.3 miliardë eurosh

    Kuvendi shqyrton buxhetin prej 3.3 miliardë eurosh

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Diskutimi ishte i gjatë në njërën prej seancave më të rëndësishme të Kuvendit.

    Pushteti e opozita patën mendime të kundërta për projektligjin për ndarjet buxhetore, që në Kuvend erdhi për miratim në lexim të parë.

    Fillimisht kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, teksa prezantoi ndarjet buxhetore, tha se ky buxhet është i sigurisë e mbrojtjes, pasi aty pati ndarjet më të mëdha.

    Por, me këto që tha kryeministri nuk u pajtua opozita, teksa pati kritika të shumta si për buxhetin, ashtu edhe për ndarjet buxhetore.

    Megjithatë, me vërejtjet e deputetëve nuk u pajtua ministri i Financave, Hekuran Murati, gjë që nxiti debat më të ashpër me deputetët.

    Buxheti për vitin 2024 për të cilin u diskutua me orë të tëra kap vlerën 3 miliardë e 314 milionë euro, më i madhi ndonjëherë për nga shifra

  • Pa ndryshime, Qeveria miraton shtesat e rrezikshmërisë për policët

    Pa ndryshime, Qeveria miraton shtesat e rrezikshmërisë për policët

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Takimi i së mërkurës mbrëma, mes kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësdrejtorit të Policisë me pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese, nuk rezultoi me ndonjë marrëveshje mes tyre.

    Madje disa orë pas, në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Kurti miratoi pa ndonjë ndryshim shtesat e rrezikshmërisë për shtatë kategori të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

    “Siguruam ata se kategorizimi dhe vlera e shtesave është bërë me kujdes të veçantë dhe të shtuar, duke i marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të tyre”, tha Kurti.

    Shtesat për afro 8 mijë zyrtarët policorë do të fillojnë së implementuari nga paga e muajit nëntor.

    “Kurse për muajt e deritanishëm nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri për Pagat, ai do të ndahet në mënyrë retroaktive”, tha Kurti.

    E ato gjithsej buxhetit do t’i kushtojnë 7.6 milionë euro.

    “Tejkalojnë edhe kufirin e paraparë me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Konsiderojmë që është bërë një punë e jashtëzakonshme edhe nga grupi punues edhe nga komisioni, në mënyrë që të sigurohemi që të ketë një shpërndarje dhe një vlerësim të drejtë”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.

    Shtesat për Njësitë elitare do të jenë në vlerë prej 150 eurosh. Njësia Speciale Operative, K-9 dhe njësia për Eksplozivët dhe Çminim do të ketë shtesa prej 120 eurosh. 100 euro do të kenë pjesëtarët e patrullave kufitare, derisa të hetuesisë nga 75 euro në muaj.

    Para hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat, shtesat për NJSI-në ishin 225 euro, kurse pjesëtarët e NJSO-së, merrnin shtesa të rrezikshmërisë në vlerë prej 200 eurosh.

  • Serbia është zgjedhur edhe një herë anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s, zbehen gjasat e Kosovës

    Serbia është zgjedhur edhe një herë anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s, zbehen gjasat e Kosovës

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Me 137 vota Serbia është zgjedhur për herë të tretë, anëtare e Bordit Ekzekutiv të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

    Duke i marrë parasysh raportet mes dy vendeve, prania e Serbisë në bordin ekzekutiv deri në vitin 2027, do t’i vështirësojë përpjekjet e Kosovë për anëtarësim në UNESCO.

    Krahas Serbisë, në grupin e dytë të Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s, nga një ulëse morën edhe Shqipëria, Sllovakia dhe Çekia.

    Bordi ekzekutiv i UNESCO-s në tetor të vitit 2015, kishte vendosur ta përfshijë rekomandimin për pranimin e Kosovës në anëtarësinë e kësaj organizate.

    Megjithatë, konferenca e përgjithshme nuk kishte votuar në favor të pranimit të Kosovës. Për pranim në UNESCO ishin nevojitur 95 vota, teksa Kosova u përkrah nga 92 vende, 50 ishin kundër dhe 29 abstenuan.

    Ndryshe, kërkesën për pranimin e Kosovës në UNESCO në vitin 2015, e kishte paraqitur formalisht Shqipëria.

  • Peter Stano tregon pse BE-ja po e mban “top sekret” draft-statutin e Asociacionit

    Peter Stano tregon pse BE-ja po e mban “top sekret” draft-statutin e Asociacionit

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropiane për Politikë të Jashtme, Peter Stano, në një bisedë për gaztën zvicerane Le Canton27.ch ka dhënë detaje rreth draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që po përfolët ditëve të fundit në mediat shqiptare dhe serbe.

    “Lidhur me draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, mund të kujtojmë vetëm se një propozim i ri i balancuar evropian për krijimin e Asociacionit të Komunave iu paraqit partnerëve përkatës nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun në Beograd në Prishtinë gjatë vizitës së tij në rajon, në fund të tetorit, ku edhe u diskutua më pas me të dyja palët në takimin e « liderëve » në margjinat e Këshillit Evropian” ka thënë fillimisht zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për gazetën zvicerane Le Canton27.ch.

    Palët po respektojnë konfidencialitetin

    Në pyetjen se për çfarë arsye po mbahet sekret ky dokument, Stano u përgjigj: “Propozimi i BE-së nuk është bërë publik, ndërsa përpjekjet diplomatike vazhdojnë. Ne kurrë nuk transmetojmë dokumente zyrtare që janë objekt diskutimi dhe presim të njëjtën gjë nga partnerët tanë, siç është praktika e zakonshme në ndërmjetësimin ndërkombëtar, që ta zhvillojnë procesin në mënyrë konfidenciale”.

    “Është gjithashtu politika jonë e kahershme që të mos komentojmë rrjedhjet e supozuara ose raportet e mediave që pretendojnë se e kanë parë ose publikuar dokumentin”, ka shtuar Stano.

    Ai tregoi se për çdo hap të ardhshëm lidhur me dialogun, do të ketë njoftime me kohë, ndërsa la të kuptohet se sivjet nuk pritet ndonjë takim Kurti-Vuçiq, për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në Serbi.

    Stoni, edhe nuk deshi të flasë për masat e BE-së të cilat i janë vendosur Kosovës, si dhe për mos ndëshkimin e Serbisë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. /atvlive.tv

  • Përfundojnë bisedimet në Bruksel pa një takim trepalësh

    Përfundojnë bisedimet në Bruksel pa një takim trepalësh

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar të enjten takime në Bruksel për të diskutuar rreth zbatimit të marrëveshjeve paraprake, të arritura mes dy vendeve.

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, është takuar fillimisht me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, njëherësh shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e më pas me krynegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e vendit.

    Takim trepalësh nuk ka pasur.

    BE-ja ka bërë të ditur se paralelisht janë zhvilluar edhe takime ekspertësh për të pagjeturit dhe për çështje të energjisë.

    Bislimi ka thënë të mërkurën se takimi i 16 nëntorit është vazhdimësi e takimit të zhvilluar më 26 tetor me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe bllokut evropian.

    Petkoviq ka thënë ditë më parë se në Bruksel do të niset me një “ekip ekspertësh”.

    Sipas burimeve evropiane, në agjendë të takimeve ka qenë diskutimi për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por edhe për hapat tjerë në zbatimin e obligimeve që dalin prej Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Palët kanë arritur pajtueshmëri për këtë marrëveshje në shkurt në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në mars në Ohër.

    Megjithatë, në takimin e së enjtes, sipas burimeve të BE-së, prioritet kryesor do të ketë Asociacioni.

    Drafti për këtë Asociacion u është dorëzuar palëve në tetor nga një delegacion i përbashkët i Shteteve të Bashkuara, BE-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.

    BE-ja e konsideron këtë draft si “plan modern evropian” dhe ka insistuar që palët ta pranojnë.

    Ndonëse përmbajtja e këtij drafti vazhdon të mos jetë e qasshme për publikun, BE-ja dhe vendet kryesore anëtare, e konsiderojnë atë si propozimin më të mirë dhe si kompromis të cilin palët duhet ta shfrytëzojnë për të lëvizur përpara.

    Komisioni Evropian e ka kritikuar Kosovën dhe Serbinë për mungesë gatishmërie për t’i zbatuar obligimet që dalin prej marrëveshjeve paraprake.

    Në Raportin e Progresit të këtij Komisioni është konstatuar se palët nuk kanë nisur fare të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.

    Në këtë raport, Komisioni Evropian ka bërë ftesë për Kosovën dhe Serbinë që t’i qasen më me përgjegjësi obligimeve nga dialogu, duke rikujtuar se diçka e tillë është kyçe për përparimin e tyre në procesin e integrimeve evropiane.

    Në takimet e fundit që kanë pasur liderët e Kosovës dhe Serbisë, me liderët e BE-së, Francës, Gjermanisë e Italisë në Bruksel, me 26 tetor, ata, sipas diplomatëve evropianë, “kanë shprehur gatishmëri që të pranojnë propozimin si bazë të mirë“.

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shprehur gatishmëri të ecë përpara me këtë propozim, si dhe me zbatim të Marrëveshjes për normalizim.

    Ai ka thënë se ka dashur ta nënshkruajë dokumentin, pasi “vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe garanton implementim“.

    Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka refuzuar ta nënshkruajë atë.

    Në BE besojnë se takimet e së enjtes do të hapin rrugën për një dinamikë të re në procesin e zbatimit të marrëveshjeve.

    Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut. Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

    Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./REL/

  • Kurti i bindur se nuk do të zmbrapset vendi pas 1 janarit: Kurrë më shumë s’kemi blerë armë

    Kurti i bindur se nuk do të zmbrapset vendi pas 1 janarit: Kurrë më shumë s’kemi blerë armë

    Kreu i Qeverisë, Albin Kurti, duke iu përgjigjur kritikave të partive opozitare tha se në qeverisjen e tij janë dyfishuar eksportet edhe investimet e huaja, raporton Ekonomia Online. Sipas tij, Qeveria shquhet për investime në katër fusha, në mbrojtje e siguri, shëndetësi, arsim dhe bujqësi.

    Kurti tha se ka emigrim, por s’ka zbrazje të Kosovës dhe se pas 1 janarit gjendja s’mund të ndryshojë sepse ata që hynë në shtetet e BE-së duhet të kthehen. Kurti tha se liberalizimi i vizave i ndihmon komunitetit të biznesit dhe studentëve.

    “Në qeverisjen tonë janë dyfishuar edhe eksportet edhe investimet e huaja. Ekonomisë ja kemi shtuar mbi 1 miliard euro çdo vit. Është shumë vështirw të gjeni në histori e në botë ku shembuj të tjerë ku produkti bruto vendor rritet për gati 50 për qind për vetëm 4 vjet. Pagat janë rritur, qeveria jonë është shquar për investime posaçërisht në katër fusha, mbrojtje dhe siguri, shëndetësi, arsim dhe bujqësi”.

    “Kurrë ma vështir se sot në këtë shekull nuk ka qenë blera e armatimi, jo sepse nuk ka por radha është e gjatë, kurrë më shumë nuk është blerë. Sot është përvjetori kur LDK e ka dërguar ligjin për çmimet tava në Gjykatën Kushtetuese. Nga i cili do ta luftonim varfërinë dhe do ta ndihmonin mirëqenien e qytetarëve”, tha ai.

    “Unë s’mendoj që po zbrazet Kosova, ka emigrim, por nuk ka zbrazje të Kosovës dhe nuk do të ketë as pas 1 janarit. E dini që ata që do të shkojnë tani pa nevojë për vizë në zonën Schengen duhet të kthehen. Ata nuk shkojnë sikur në të 90-tat për azil politik e ekonomik”.

    Kurti, në fjalën e tij në Kuvend shtoi se për katër vite, bruto produkti është rritur pothuajse 50 %. Ai ka thënë se në vitin 2020, bruto produkti vendor ka qenë 6.77 miliardë, ndërkohë që në vitin 2024 pritet të jetë mbi 10 miliardë.

    Sipas tij, është vështirë të gjendet shembull në botë dhe në histori, ku një vendi për 4 vite rritë BPV-në në rreth 50 %.

    “Ekonomisë gjatë kësaj qeverisje ia kemi shtuar mbi 1 miliard për çdo vit. Në vitin 2020 BPV ka qene 6.77 miliardë. Në vitin e ardhshëm është mbi 10 miliardë. A e dini çfarë do të thotë që BPV të rritet për gati 50% për vetëm katër vjet. Është shumë vështirë të gjeni në histori e në botë shembuj të tjerë ku BPV rritet për gati 50 % për vetëm 4 vjet”.

    60 mijë vende të reja pune janë hapur për tri vjetët e para të mandatit të Qeverisë Kurti 2, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti, në seancën rreth projektbuxhetit të vitit 2024. Kreu i ekzekutivit ka thënë se për vitin e ardhëm do të punësohen edhe 500 policë e 600 ushtarë.

    “16 për qind është rritja e punësimit për tri vjet. Kemi rritje të punësimit. Ne zotimet i kemi pasur për punësim dhe drejtësi. Tek drejtësia kemi pengesa ndonëse sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit është vërtetuar nga organizata ndërkombëtare prestigjioze”.

    Tutje, kreu i qeverisë foli edhe për blerjen e armatimit nga ana e Kosovës, ku tha se sot, kurrë më vështirë në këtë shekull s’ka qenë blerja me armatim, raporton EO.

    “Tash kurrë më vështirë se sot në këtë shekull nuk ka qenë blerja e armatimit. Jo pse s’ka, por pse radha është shumë e gjatë. Dhe kurrë më shumë armatim, municion dhe pajisje nuk janë blerë se tani. Kurrë s’ka qenë më vështirë me gjet, kurrë s’ka qenë më i shtrenjtë dhe kurrë më shumë s’është blerë”, tha Kurti.

  • Mjeku: Niveli i manganit ka rënë dukshëm në liqenin e Badocit, shpresojmë se nga java e ardhshme do të mund ta përdorim ujin për pije

    Mjeku: Niveli i manganit ka rënë dukshëm në liqenin e Badocit, shpresojmë se nga java e ardhshme do të mund ta përdorim ujin për pije

    Drejtoresha e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A LIVE, tha se vlerat e manganit në liqenin e Badocit janë duke rënë dukshëm dhe shpreson se që nga java e ardhshme, uji do të jetë i gatshëm për pije dhe gatim.

    “Cilësia e ujit ka filluar të përmirësohet, jo ndoshta 100 për qind, mirëpo këto vlera variojnë, sepse ndoshta ndonjëherë në mbrëmje, nëse marrin mostra, del që niveli i manganit ka rënë dukshëm, mirëpo në mëngjes prapë rritet, kështu që ne po presim pasi që ka rënie të vlerave të nivelit të manganit në liqen, po presim dhe po shpresojmë që nga java e ardhshme qytetarët që furnizohen nga sistemi i furnizimit me ujë nga impianti i trajtimit të ujit në Badoc, do të mund të pinë ujë për pije dhe ta të përgatisin ushqim”, tha Mjeku.

    Ajo shtoi për këtë janë në kontakte vë vazhdueshme me IKSHPK-në, ndërsa deri në njoftimin e radhës, do të vazhdojnë të shpërndajnë ujë të pijshëm përmes autobotëve për qytetarët që janë me kushte të rënda ekonomike.

    Mjeku, gjithashtu njoftoi se së bashku me IKSHPK-në janë duke monitoruar cilësinë e ujit në liqenin e Badocit, ku edhe po bëjnë shpëlarjen e rezervuarëve që i kanë të vendosura në zonat urbane dhe rurale.

    “Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, bashkë me Institutin e Shëndetit Publik të Kosovës, në vazhdimësi janë duke monitoruar cilësinë e ujit pijshëm, jo vetëm në ujin e trajtuar, por edhe në ujin e patrajtuar, pra direkt në Liqenin e Badocit dhe njëkohësisht po merr mostra edhe në linjat magjistrale dhe sekondare. Në mënyrë që cilësia e ujit të përmirësohet, ne kemi rekomandim nga Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës që të merremi me shpëlarjen apo dezinfektimin e rezervuarëve që i kemi të vendosur në zonat urbane dhe rurale, po ashtu edhe me shpëlarjen e tubacioneve apo linjave magjistrale dhe sekondare”, tha Mjeku. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Miratohen shtesat e rrezikshmërisë për policët, nuk ndryshon vlera

    Miratohen shtesat e rrezikshmërisë për policët, nuk ndryshon vlera

    Qeveria ka miratuar shtesat e rrezikshmërisë për shtatë kategoritë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Kryeministri Albin Kurti tha se nga ky kategorizim përfitojnë rreth 8 mijë zyrtarë policorë, ndërkohë që njoftoi për takimin e djeshëm me njësitë elitare të policisë. Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, u tha se këto shtesa nuk kanë ndryshime.

    Shefi i ekzekutivit shtoi se në takimin e djeshëm me zëvendësdrejtorin e PK-së dhe pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese kanë diskutuar gjatë rreth kërkesave të tyre.

    Ai u zotua se janë të përkushtuar për kushte më të mira për Policinë e Kosovës por edhe për siguri në punë.

    “Diskutuam gjatë rreth kërkesave të tyre dhe vlerën e shtesave të rrezikshmërisë”, tha ai.

    Kurti shtoi se me këtë kategorizim do të përfitojnë rreth tetë mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati deklaroi se lista me shtesat e rrezikshmërisë nuk ka pësuar ndryshime.

    Shtesat për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të Afërt do të jenë në vlerë prej 150 euro. Ndërkaq, Njësia për Eksplozivët dhe Deminim do të ketë shtesa prej 120 euro. 100 euro do të kenë pjesëtarët e patrullave kufitare, derisa të hetuesisë nga 75 euro në muaj. Pjesëtarë të Policisë së Kosovës që shërbejnë si ekipe reaguese dhe patrullat do të marrin 60 euro shtesa në muaj, ndërsa pjesëtarë të tjerë të cilët sigurojnë objektet dhe angazhohen në menaxhim të operacioneve kanë shtesa të rrezikshmërisë në vlerë prej 50 euro.