ATV

Tag: Ballina

  • Flakë në parlamentin shqiptar, mazhoranca miraton me shpejtësi projektbuxhetin dhe më pas mbyll seancën

    Flakë në parlamentin shqiptar, mazhoranca miraton me shpejtësi projektbuxhetin dhe më pas mbyll seancën

    Seanca plenare e kësaj të hëne, ku u miratua me 73 vota pro projektbuxheti, është shoqëruar me përplasje të forta, njoftojnë mediat në Shqipëri. Kanë qenë deputetët e Partisë Demokratike ata të cilët kanë ndezur flakadan të shumtë në sallë, një prej të cilëve ka shpërthyer në flakë.

    Salla u boshatis pas flakëve në Kuvend, ku ministrat dhe deputetët u larguan menjëherë, madje pas tyre dhe gazetarët.

    Maxhoranca miratoi pa diskutime projektbuxhetin për vitin 2024 brenda 5 minutave, duke shënuar seancën më të shkurtër të Kuvendit në historinë e parlamentarizmit.

    I pranishëm në seancë ishte dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili nuk e mori fjalën, por mori pjesë në votimin e projektbuxhetit.

    Flakët u përhapën pasi një prej flakadanëve ra mbi ulësen e tavolinës së një prej deputetëve të opozitës.

    Ka qenë ndërhyrja e gardës me ujë që parandaloi përhapjen e flakëve.

  • Shefi i NATO-s në Kosovë për t’i dërguar mesazh Rusisë

    Shefi i NATO-s në Kosovë për t’i dërguar mesazh Rusisë

    Në vazhdën e kërcënimeve dhe pas deklaratës se presidentit të Ukrainës, Volodymir Zelensky se zotëron prova qe Rusia po kërkon të hapë një vatër të re konflikti në Ballkanin Perëndimor mobilizohet NATO. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut, Jens Stoltenberg, do të zhvillojë takime me të gjithë liderët e Ballkanit për t’i dërguar Rusisë mesazhin se NATO nuk do të lejojë asnjë lloj konflikti në Ballkanin Perëndimor.

    Të hënën shefi i NATO-s do të nis tourin tre ditor në Ballkan. Takimi i parë në agjendë është ai me drejtuesit e lartë politikë dhe ushtarakë vendas dhe ndërkombëtarë të Bosnje Hercegovinës. Në të njëjtën ditë, pasditen e së hënës, do të jetë në Kosovë ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Njëjtë si në Bosnjë Hercegovinë, edhe në Kosovë do të takohet me drejtuesit ushtarakë të KFOR dhe NATO-s atje, ku do të përcjellë edhe një mesazh të tijin.

    Të martën e 21 nëntorit, Jens Stoltenberg do jetë fillimisht në Serbi ku e pret në bisedime presidenti Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.

    Një vizitë është parashikuar me shkencëtarë serbë ku do të prezantohet edhe teknologjia me e re e zhvilluar nga NATO në funksion të paqes dhe sigurisë.

    Në Maqedoninë e Veriu pas bisedimeve me presidentin Stevo Pendarovski dhe kreun e qeverisë Dimitar Kovaçevski, kreu i Aleancës së Atlantikut do të mbajë një fjalim në parlamentin e Maqedonisë pasi më herët do të zhvillojë një takim me kryeparlamentarin, shqiptarin Talat Xhaferi.

    I gjithë turi do të mbyllet me një takim dhe konferencë të përbashkët mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup të mërkurën e 22 nëntorit. Në të pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Përveç udhëheqësve të rajonit, në tryezën e diskutimeve do të jenë edhe presidenti kroat dhe kryeministri slloven.

    Vizita e Jens Stoltenberg vjen në një moment të rindezjes së tensioneve në Ballkan, e veçmas ato mes Kosovës dhe Serbisë pas ngjarjes terroriste në Banjskë. Po aq në sfondin e këtij turi intensiv janë edhe diskutimet mbi të ardhmen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për shkak të vazhdimit të konfliktit në Ukrainë.

  • Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit

    Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë sot takimin e radhës duke filluar nga ora 11:00.

    Në rend dite janë pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 3 dhe 11 nëntor 2023 dhe caktimi i rendit të ditës për seancën plenare të radhës.

    Rendi i ditës:

    I. Miratimi i procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,

    II. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 3 dhe 11 nëntor 2023:

    5. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për kadastër të pronës së paluajtshme,

    11. Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje,

    12. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    III. Propozimi i rendit të ditës për seancën plenare të radhës:

    1. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

    2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    3. Pyetjet parlamentare,

    4. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,

    5. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,

    6. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,

    7. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,

    8. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve,

    9. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

    10. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

    11. Shqyrtimi i Projektligjit për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,

    12. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,

    13. Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,

    14. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Verëra,

    15. Votimi në parim i Projektligjit për vlerësimin strategjik mjedisor,

    16. Votimi në parim i Projektligjit për performancën energjetike të ndërtesave,

    17. Votimi në parim i Projektligjit për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi,

    18. Votimi në parim i Projektligjit për tekstet shkollore,

    19. Votimi për emërimin e tre anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,

    20. Votimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës,

    21. Shqyrtimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,

    22. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtari të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë,

    23. Propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës,

    24. Emërimi i Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës,

    25. Zgjedhja e tre anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar,

    26. Zgjedhja e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

    IV. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave.

  • Kurti thotë se vizita e Stoltenberg në Kosovë tregon angazhimin e NATO-s për sigurinë tonë

    Kurti thotë se vizita e Stoltenberg në Kosovë tregon angazhimin e NATO-s për sigurinë tonë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Kosovë, Jens Stoltenberg, e planifikuar për 20 nëntor dëshmon për angazhimin e kësaj aleance ushtarake për sigurinë e Kosovës.

    Stoltenberg pos Kosovës do ta vizitojë edhe Serbinë. Kjo vizitë vjen pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës.

    Kurti në platformën X ka shkruar të dielën se edhe Bashkimi Evropian tashmë zyrtarisht po ekspozon synimin e Rusisë për të provokuar konflikt në Ballkanin Perëndimor.

    “Vizita e ardhshme e Jens Stoltenberg në Kosovë dëshmon se angazhimi i NATO’s është i vendosur për sigurinë tonë. Me BE që ekspozon zyrtarisht synimin e Rusisë për të provokuar një konflikt të ri në BB6, rruga më e sigurt drejt paqes së qëndrueshme është dhënia e BE statusit të kandidatit në BE dhe integrimi në NATO”, ka shkruar Kurti teksa do ta pres sekretarin e NATO-s në takim.

  • Reagimi i parë i Abdixhikut pas rizgjedhjes në krye të LDK-së

    Reagimi i parë i Abdixhikut pas rizgjedhjes në krye të LDK-së

    Kryetari i sapozgjedhur i LDK-së, Lumir Abdixhiku thotë se është nder i jashtëzakonshëm për besimin e marrë nga partia. Ai përmes një reagimi në Facebook zotohet se për katër vitet ardhshme do t’i prijë me nder e dinjitet.

    Abdixhiku në reagimin e parë që nga rizgjedhja thotë se në gjithë këtë rrugëtim ka marrë më të mirën nga partia dhe ka gjetur njerëzoren, raporton Paparaci.

    Reagimi i plotë:

    Anëtarësisë sonë, delegatëve të Kuvendit;

    Ju faleminderit!

    Marrja e përgjegjësisë dy vite e gjysmë më parë ishte privelegji më i madh jetësor. Konfirmimi i këtij besimi sot, nga të gjithë delegatët prezent, për katër vite të tjera, është nder i jashtëzakonshëm!

    Kemi kaluar momente të vështira, kemi kaluar momente të gëzimit, të rigjetjes së vetes e të fatit tonë të përbashkët politik, të ringritjes si mision tek i cili shkriheshim të gjithë. Çdo sfidë që kemi hasur ka qenë një dëshmi e qëndrueshmërisë sonë, çdo triumf një nderim i unitetit tonë.

    Dhe në gjithë këtë rrugëtim, kam marrë më të mirën nga ju. Kam gjetur njerëzoren; kam gjetur idealin e domosdoshëm për të shtyrë vendin një hap tutje. Kam gjetur vet përkushtimin që bënte të mundur këtë ecje edhe kur dukej rëndë, edhe kur dukej e pamundur. Më keni qëndruar afër si një familje e vërtetë, më shumë se sa një familje politike. Asgjë mangut në këtë rrugëtim.

    Shpresoj të kem ushtruar para jush me po aq përulje e përkushtim, besimin që kjo shtëpi e demokracisë më ka vënë mbi supe dy vite më parë. Shpresoj të kem arritur të përmbushë pritjet e juaja; shpresoj, mbi të gjitha, të kem arritur të sillem si një rugovist i vërtetë.

    Zotohem se për katër vitet ardhshme do të ju prijë me nder e dinjitet. Do t’i shërbejmë bashkërisht e pa kursim, Lidhjes Demokratike të Kosovës, shtëpisë së rugovistëve, të djathtëve e patriotëve të Republikës.

    Le të ringritemi si një!

    I juaji,

    Lumiri

  • Kurti: Radoiçiqi në Rashkë po e riorganizon grupin e tij paramilitar e terrorist

    Kurti: Radoiçiqi në Rashkë po e riorganizon grupin e tij paramilitar e terrorist

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka alarmuar në Facebook se “në Rashkë të Serbisë po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë”.

    Kurti shkruan se Radoiçiqit, i cili pranoi se e organizoi sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, para një jave “ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova”.

    Ai shkruan për rritjen e kërcënimin në Ballkanin Perëndimor, ndërsa shton se “drejtuesit e grupit terrorist, në vend që të jenë duke u përballur me drejtësinë në Kosovë, vazhdojnë përgatitjet për sulme të tjera ndaj Kosovës dhe grumbullim të votave me shantazhe ndaj serbëve të Kosovës”.

    Postimi i plotë:

    Në Rashkë të Serbisë, po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Millan Radoiçiq dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë.

    Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë.

    Gjatë këtij takimi përveç deputetëve të Listës Serbe, kanë marrë pjesë edhe kryetari i ri i saj Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq.

    Aty është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore.

    Millan Radoiçiq, pas sulmit terrorist të kryer në veri, u lirua brenda ditës që të vazhdonte veprimtarinë e tij paramilitare e terroriste në shërbim të politikës shtetërore të Serbisë kundër Kosovës.

    U bënë pesë muaj pas rrëmbimit në Leposaviq të policëve tanë kufitar Rifat Zeka, Beqir Sefa e Shemë Mustafa dhe tetë javë nga vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

    KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, duhet të dalin me raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit, dhe ku dënohet riorganizimi i grupit të Radoiçiqit.

    Edhe pas presionit ndërkombëtar, Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës.

    Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën.

    Kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë. Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit “Bota Serbe”, të Vulinit e të Vuçiqit.

    Mungesa e sanksionimit të Serbisë, rritë nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor. Drejtuesit e grupit terrorist, në vend që të jenë duke u përballur me drejtësinë në Kosovë, vazhdojnë përgatitjet për sulme të tjera ndaj Kosovës dhe grumbullim të votave me shantazhe ndaj serbëve të Kosovës.

  • 9 zyrtarët e arrestuar dje dyshohet se bashkëpunuan me strukturat ilegale serbe, e lejuan kontrabandim të mallrave pa pengesë

    9 zyrtarët e arrestuar dje dyshohet se bashkëpunuan me strukturat ilegale serbe, e lejuan kontrabandim të mallrave pa pengesë

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj tetë zyrtarëve të Doganës, dhe një zyrtari policor, të arrestuar të shtunën në dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe nën dyshimet për marrje ryshfeti.

    Sipas kërkesës së PSRK-së që e posedon ATV, të dyshohet se disa nga të arrestuarit përfitonin- ishin përfshirë në këto vepra penale që nga viti 2020, në pikën doganore të Hanit të Elezit, duke kontrabanduar mallra pa pengesë.

    Sipas kërkesës të arrestuarit kishin bashkëpunuar duke lejuar mallra edhe nga pjesa veriore e vendit.

    “Se prej vitit 2020 e tutje, i pandehuri V. M, si person zyrtar, është cilësuar e Zyrtarit Doganor, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyrë që me qëllim të përfitimit të dobishëm për vete edhe për personat e tjerë, e informon te dyshuarin M. V se kur ka kontroll në pjesën veriore nga zyrtarët doganor dhe se me çfarë automjete do jenë zyrtarët doganor, kohën kur do të fillojë kontrolli në pjesën veriore, për kohën kur i pandehuri është në ndërrim me qëllim që i dyshuari të mund të kontrabandojë mallra pa pengesë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit.

    “Të pandehurit A.S dhe A. C, si persona zyrtarë në cilësinë e zyrtarëve doganorë duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat e tyre në atë mënyrë që me qëllim të përftimit të dobishëm për veti dhe për personat e tjerë kanë bërë marrëveshje me personat e caktuar të cilët marrin mito nga kontrabanduesit e pjesës së veriut në baza mujore për zyrtarët e lartëcitur, me qëllim që grupet e caktuara që merren me kontrabandim të mallit të mos pengohen nga zyrtarët doganor gjatë kontrabandimit.”, thuhet tutje në kërkesën e Prokurorisë.

    Prokurori në kërkesë ka theksuar se ata nuk duhet të lihen në liri, pasi ekziston dyshimi se ata mund të arratisen, kanë bashkëpunim me strukturat paralele dhe se hetimi për këtë rast është në vijim e sipër, dhe deri tash po hetohen 15 persona.

    Ndërsa zyrtari policor A. A dhe zyrtari doganor T.D sipas Prokurorisë Speciale, dyshohen të kenë pranuar para të mbuluar me foli, në zyrat ku bëhet zhdoganimi i mallrave në Han të Elezit. /atvlive.tv

  • Njohësit e sigurisë tregojnë se çka nënkupton kategorizimi që kërkoi NJSI nga shteti

    Njohësit e sigurisë tregojnë se çka nënkupton kategorizimi që kërkoi NJSI nga shteti

    Pos rritjes së shtesës për rrezikshmërinë, në listën e kërkesave të njësisë speciale intervenuese ishte diçka që nuk u përmend fort.

    Kërkesë e parë e pjesëtarëve të kësaj njësie elitare të Policisë ishte kategorizimi si njësi e veçantë dhe përfshirja në listën e ekspertëve.

    Sipas njohësit të sigurisë, Valdet Hoxha kjo kërkesë ka të bëjë me gradimin e tyre financiar.

    “E gjitha kjo ka të bëjë me pagesën në mënyrë specifike për ekspertizën të cilën ata e kryejnë, pra funksionet operacionale të cilat njësitë tjera nuk mund t’i kryejnë pra kryesisht ka të bëjë me anën materiale, mirëqenien e tyre pra pagesën në cilësi të kategorive të veçanta, çfarë do të duhej edhe të jenë”, ka thënë eksperti i sigurisë, Valdet Hoxha.

    Njëjtë nuk mendon, Hajrullah Ternava. Sipas tij, kjo do të nxiste pakënaqësi mes njësive policore.

    “Mendoj që një dallim i tillë sikur që po kërkojnë me i dallu si ekspert e ka një rrezik tjetër sepse mundet me përça Policinë e Kosovës”, ka deklaruar Hajrullah Ternava.

    Ditë më parë, drejtori i Policisë së Kosovës tha që do të bëjnë të pamundurën që zyrtarët e njësive elite të Policisë së vendit të dalin të kënaqur pas kërkesave të tyre.

  • Piramida në Tiranë: Dikur muze për Enver Hoxhën, sot qendër e teknologjisë

    Piramida në Tiranë: Dikur muze për Enver Hoxhën, sot qendër e teknologjisë

    Dikur muze dedikuar diktatorit shqiptar, Enver Hoxhës, Piramida në Tiranë tani është kthyer në qendër të teknologjisë dhe në një atraksion të rëndësishëm turistik në Shqipëri.

    Piramida është bërë pjesë e shëtitjes së mbrëmjes të qytetarëve të Tiranës, e ambicieve të të rinjve për t’u bërë pjesë e qendrës së teknologjisë aty, si dhe cak i turistëve të huaj që duan ta shohin nga afër se si është shndërruar simboli i së shkuarës.

    “Shtëpia e diktaturës, tani shtëpi lirie”

    Ilda Qazimllari, drejtore e Investimeve në bashkinë e Tiranës, thotë se shndërrimi i Piramidës tregon se si mund të ruhet historia e një objekti, duke iu përshtatur nevojave të një epoke të re. Sipas saj, nga “shtëpi e shtypjes dhe diktaturës”, Piramida po kthehet në “shtëpi lirie”.

    “Nëse ëndrrat e së ardhmes janë kodimi, robotika, mekatronika, dizajni, softueri, atëherë duhet të përgatitemi sot. Qendra TUMO do ta kryejë më së miri funksionin dhe qëllimin e saj në ambientet e reja të Piramidës”, thotë Qazimllari për Radion Evropa e Lirë.

    Qendra e Inovacionit “Tumo Tirana” ishte hapur në vitin 2020 nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Por, ajo u zhvendos në hapësirat e Piramidës në maj të këtij viti, pas rinovimit të Piramidës.

    Drejtorja e Investimeve në bashkinë e Tiranës tregon se në TUMO mësojnë fëmijë të grupmoshës 12 deri në 18 vjeç. Qëllimi i qendrës është që t’iu ofrojë fëmijëve zhvillimin të aftësive të tyre digjitale.

    “Njohuritë që ata fitojnë i ndihmojnë ata në krijimin e një portofolio personal në fushat e programimit, animacionit, zhvillimit të Lojërave kompjuterike, dizajnit grafik, filmografisë, robotikës, muzikës dhe modelimit tredimensional”, thotë Qazimllari.

    Ajo shton se fëmijët mund edhe të marrin pjesë në seminare të zhvilluara nga ekspertë vendorë e ndërkombëtar.

    Transformimi i Piramidës kushtoi 22 milionë dollarë. Ndërhyrjet në strukturën e brendshme dhe të jashtme të saj janë kryer pa e prekur arkitekturën origjinale të saj.

    Qazimllari thotë se rijetësimi i Piramidës e ka bërë atë “një objekt që nuk fle kurrë, dhe do të jetë gjithnjë mbushur me aktivitete”.

    Brenda Piramidës do të ketë edhe ambiente për aktivitete të ndryshme kulturore, por edhe hapësira për biznese. Qazimllari thotë se, për shumë arsye, ky objekt është kthyer në një ndër më të vizituarit në Tiranë.

    “Historia që mbart, funksioni i ri dhe lehtësia në qasshmëri në çdo pjesë të saj – si në ambientet e brendshme, po ashtu edhe në pjesën e jashtme – e bën atë tërheqëse dhe lehtësisht të vizitueshme edhe nga turistët”, thekson Qazimllari.

    Nostalgji dhe shpresë

    Çdo ditë, Piramida tërheq vizitorë të shumtë vendës dhe të huaj.

    Astriti, 74-vjeçar, është vizitues i përditshëm i saj. I kënaqur për atë që e quan “transformimin rrënjësor të pamjes” së Piramidës, ajo mbart për të edhe kujtime të hidhura.

    “Teksa e shoh këtë ndërtesë, ish-muze për diktatorin [Enver Hoxha], sigurisht që kujtoj çfarë kemi kaluar, por më shumë shijoj ndryshimet, transformimin e vendit. Shyqyr që fëmijët, nipërit e mbesat janë të lirë”, thotë ai.

    Kujtime të ngjashme nxit Piramida edhe për shumë vizitorë që kishin jetuar gjatë regjimit të ish-diktatorit Enver Hoxha në Shqipëri. Sofo Metaj, 69 vjeç, shpeshherë vrojton turistët teksa vizitojnë Piramidën, të cilës i bëjnë foto.

    “Puna që është bërë flet vetë, brezat e rinj që rrinin poshtë në atë skëterrë, gërmadhë – si ishte shndërruar Piramida – tani kanë dalë në dritë. Ishte bërë aq keq sa që nuk shihej dot me sy… në mes të Tiranës. Kam qejf që të rinjtë ta shfrytëzojnë sa më shumë, në të mirën e tyre”, thotë ai.

    Turistët e huaj: Piramida, ndërtesë unike

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, gjatë muajve janar – gusht të këtij viti, Shqipëria është vizituar nga mbi shtatë milionë turistë të huaj. Kjo shifër është rreth 27 për qind më e lartë sesa e turistëve gjatë të njëjtës periudhë vitin e kaluar.

    Për shumë prej tyre, Piramida është bërë njëra nga destinacionet e tyre. Njëra nga ta është një turist nga SHBA-ja, Wayne.

    “Më pëlqen Piramida, për pamjen që të shfaqet, por edhe për mundësinë për të ushtruar, duke ngjitur dhe zbritur shkallët. Nuk e di gjithë historinë e Piramidës, do të më duhet të mësoj për të, por më pëlqen si ndërtesë”, thotë ai.

    Si objekt unik dhe interesant e shohin Piramidën dy turistë nga Filipinet.

    “Është interesante, është objekti i parë që vizituam në fillim të vizitës në Tiranë. Do të doja të mësoja për historinë e saj”, thotë April Alvienterra.

    Bashkëkombësja e saj, Johane Interru, e quan Piramidën “vepër arti”.

    “I kam parë fotot e vjetra të saj në Facebook, por edhe të rejat… transformimin e saj. Dhe kam dashur ta shoh nga afër, ndaj jam sot këtu”, thotë ajo.

    Arkitekti i studios holandeze që transformoi Piramidën, Winy Maas, ka thënë se qëllimi i tij ishte ta “ta kapërcejë të shkuarën, jo ta shkatërrojë atë”.

    Fasada e jashtme e Piramidës dikur shërbente më së shumti për fëmijët që rrëshqitnin mbi të. Një pjesë e saj është ruajtur si e tillë, por në pjesën më të madhe janë ndërtuar shkallë përmes së cilave tani kushdo mund të ngjitet në majë të Piramidës dhe ta shijojë pamjen e Tiranës.

    Në majë të Piramidës – ku dikur ngrihej ylli me pesë cepa, simbol i komunizmit – sipërfaqja prej xhami bën që nga jashtë të mund të shihen ambientet brenda Piramidës, si qendra TUMO dhe hapësirat e tjera.

    Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka thënë se Tirana do të jetë “Tel Avivi i Ballkanit”, një qendër e teknologjisë së zhvilluar.

    Mbijetesa e Piramidës mes planeve për ta shkatërruar dhe rijetësuar

    Piramida u ndërtua në vitin 1988 si muze për Enver Hoxhën. Ajo u projektua nga vajza e tij, Pranvera Hoxha, dhëndri i tij, Klement Kolaneci, si dhe arkitektët Pirro Vaso dhe Vladimir Bregu.

    Me rënien e komunizmit në vitin 1991, Piramida e humbi funksionin për të cilin ishte ndërtuar. Fillimisht u hoq statuja prej 22 tonësh mermer e diktatorit Enver Hoxha.

    Qysh në fillim kishte pasur përpjekje për ta shndërruar atë në një qendër kulturore, por ajo u kthye në një pronë që u dha me qira shkaku i mungesës së fondeve.

    Aty u vendos klubi i parë i natës në Shqipëri, mori zyrat e saj agjencia amerikane e ndihmave, USAID. Më 1999, gjatë luftës në Kosovë, NATO vendosi brenda Piramidës zyrën e vet.

    E, brenda Piramidës funksionoi për disa vite edhe një ndër televizionet dhe radiot e para private.

    Më pas nisi degradimi i objektit. Ngjashëm si shumë objekteve të tjera të komunizmit, edhe Piramidës iu thyen xhamat dhe u dëmtua struktura prej betoni. Qeveritë e ndryshme hartuan plane qoftë për ta transformuar, qoftë për ta prishur.

    U mendua të kthehej në teatër, në parlament, por asnjë prej këtyre ideve nuk u realizua, derisa Piramida po rrënohej. Por, më 2018, Qeveria e Shqipërisë dhe Bashkia e Tiranës prezantuan planin për ta rijetësuar Piramidën dhe për ta kthyer atë në qendrën më të madhe të teknologjisë në Ballkan.

    Përurimi i Piramidës u bë më 16 tetor 2023, kur në Tiranë u mbajt Samiti i Procesit të Berlinit dhe që përkonte edhe me ditën e lindjes së diktatorit Enver Hoxha. /REL/

  • LDK sot mban Kuvendin Zgjedhor

    LDK sot mban Kuvendin Zgjedhor

    Lidhja Demokratike e Kosovës sot do të mbajë kuvendin e 10 zgjedhor.

    Ky kuvend do të mbahet në sallën e sporteve në Pallatin e Rinisë dhe do të nisë në orën 10:00.

    Mediet mund të marrin pamje në fillim të punimeve, si dhe fjalimin e Lumir Abdixhiku.

    Gjithashtu, pas përmbylljes së procesit zgjedhor kryetari i LDK-së deklarohet për medieNdërsa në orën 17:00 LDK mban Konventën Programore ku do të shpalosen 100 zotimet.