ATV

Tag: Ballina

  • Kurti optimist për anëtarësimin në KiE: Duhet të ndodhë para zgjedhjeve në ShBA dhe BE

    Kurti optimist për anëtarësimin në KiE: Duhet të ndodhë para zgjedhjeve në ShBA dhe BE

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është optimist për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

    Ai në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard” tha se kjo duhet të ndodhë para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian.

    Kurti tha se “disa shenja nuk janë të mira”, duke shtuar se “nuk dihet si do të duket bota pas dy viteve”.

    “Jam optimist. Por është shumë e rëndësishme që kjo të ndodhë përpara zgjedhjeve të BE-së dhe SHBA-së, sepse disa shenja nuk janë të mira. Nuk e dimë se si do të duket bota pas dy vitesh. Në vend të çlirimit të plotë të Ukrainës dhe përfundimit të luftës atje, ne kemi një tjetër konflikt në Lindjen e Mesme. Si rezultat, ka më pak vëmendje për Ballkanin”, tha Kurti.

  • Kryetari i Partisë Popullore Evropiane: Serbia të kuptojë se Kosova është shtet

    Kryetari i Partisë Popullore Evropiane: Serbia të kuptojë se Kosova është shtet

    Serbia pritet të përmbushë rekomandimet nga Raporti i Progresit, para së gjithash të zgjidhë marrëdhëniet e saj me Kosovën dhe të kuptojë se Kosova është shtet, tha në një intervistë Manfred Weber, kryetar i Partisë Popullore Evropiane dhe deputet i Parlamentit Evropian.

    Ai për televizionin serb N1 tha se ENP-ja ka një qëndrim të qartë se marrëdhëniet e Serbisë ndaj Rusisë janë vendimtare dhe mbështet hapur zgjerimin e Bashkimit Evropian.

    – Partia Popullore Evropiane kohët e fundit ka qenë mjaft e përkushtuar ndaj zgjerimit, me dëshirën për të treguar përkushtimin e saj ndaj BE-së dhe vetë partisë nëse vendet e rajonit janë duke u rikthyer ose kanë progres të dobët në rrugën drejt BE-së. Serbia nuk konsiderohet as demokraci por një regjim hibrid. Pse?

    Weber: Partia Popullore Evropiane është një parti që mbron zgjerimin. Ne besojmë se zgjerimi forcon gjithçka. Për të sjellë stabilitet në Bashkimin Evropian të sotëm. Ne duhet ta shikojmë zgjerimin nga një kënd gjeopolitik. Nuk ka të bëjë vetëm me pranimin dhe respektimin e rregullave dhe qasjen e bazuar në merita, ka të bëjë edhe me atë se kush ka ndikim në rajon, kush dëshiron të vendoset në kontinentin tonë. Dhe kjo është arsyeja pse ne duhet ta shikojmë zgjerimin nga një kënd gjeopolitik dhe ta përshpejtojmë atë.

    – Por kjo nuk po ndodh tani?

    Weber: Ka shumë zhgënjim në Ballkanin Perëndimor. Më duhet të them se kjo është edhe për shkak të sjelljes së disa anëtarëve të Bashkimit Evropian. Shqipëria për shembull – sjellja e francezëve nuk ishte realisht e bazuar në përmbajtje, por e udhëhequr nga politika e brendshme dhe disa anëtarë të tjerë. Ne duhet ta kapërcejmë atë, duhet t’i kthehemi mënyrës së vjetër të të menduarit kur u anëtarësuam në Bashkimin Evropian prej 10 anëtarësh pas rënies së Murit të Berlinit dhe kjo ishte e mirë për të gjithë. Kjo mënyrë e të menduarit për zgjerimin tani duhet të zbatohet edhe në Ballkanin Perëndimor, Moldavi, Ukrainë dhe vende të tjera.

    – Partia Popullore Evropiane e mbështeti shumë SNS-në (partia e Vuçiqit) pa një target të fortë qeveritar dhe partiak – deri në agresionin rus, dhe më pas gjithçka ndryshoi. Pse u keni dhënë partnerëve tuaj kaq shumë kohë për të shfaqur sjellje që në thelb nuk është plotësisht në përputhje me vlerat që promovohen?

    Weber: Serbia është një vend evropian dhe një numër i madh njerëzish donin të ishin pjesë e këtij Bashkimi Evropian, donin të anëtarësoheshin, të bëheshin evropianë që do të trajtoheshin njësoj si evropianët e tjerë. Është ëndrra e shumë njerëzve në rajon. Kjo është arsyeja pse angazhimi ynë është i qartë. Ne jemi në anën e atyre që e bëjnë këtë. Me lidershipin e Serbisë dhe me presidentin Vuçiq kemi pasur disa pjesë për të cilat na shqetësonte – për shembull, fakti që nuk janë vendosur të gjitha sanksionet ndaj Rusisë nuk është e pranueshme për ne, këtë kemi kërkuar. Ka gjëra të tjera ku ne jemi të shqetësuar me një perspektivë më të gjerë. Por qasja jonë është e qartë – ne duam të ulemi në tryezë, të dëgjojmë njëri-tjetrin, të gjejmë një zgjidhje. Kështu punojmë. Dhe fakti që Serbia tani, për shembull, po bëhet më e pavarur nga burimet ruse të energjisë dhe dëshiron të lidhet me Bullgarinë dhe të tjerët në Bashkimin Evropian, tashmë është një sinjal i mirë i integrimit në Bashkimin Evropian. Kjo duhet të motivohet, por duhet të jetë edhe kritik në lidhje me mosvendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

    – A ka fuqi Partia Popullore Evropiane si grup për të ndihmuar Serbinë të kthehet në rrugën e BE-së?

    Weber: Mendoj se kemi fuqinë, që kemi mundësinë të bisedojmë me Serbinë.

    – Por a mund të ndikojë?

    Weber: Gjithmonë ka të bëjë me vullnetin e lirë të vendeve. Sot Serbia është shtet i pavarur. Do të ketë zgjedhje, do të kemi një qeveri të re dhe do të fillojmë sërish bisedimet. Ata janë të pavarur. Ata vendosin drejtimin e tyre. Ajo që ne mund të bëjmë është të ofrojmë një rrugë drejt Evropës, me piketa të qarta, me kërkesa të qarta se çfarë duhet bërë, ne kemi nevojë për reforma ligjore në Serbi tani, që të zbatohen dhe të mos mbeten vetëm në letër. Pra, ne ofrojmë një rrugë për në Evropë, por në fund të fundit, vendet janë të pavarura dhe duhet të vendosin vetë.

    – Ju jeni takuar me Vuçiqin në vitin 2019 kur ishit në Serbi pas formimit të këtij Komisioni të BE-së dhe kësaj mbledhjeje të Parlamentit të BE-së. Pastaj thatë: ‘Vuçiq e do Serbinë në BE’. A besoni edhe sot në këtë, duke pasur parasysh aktivitetet e qeverisë dhe partisë?

    Weber: Tani për tani ka një fushatë dhe gjatë fushatës ju mund të dëgjoni se çfarë thonë ata, dhe ne të gjithë shohim dhe dëgjojmë se si zhvillohen fushatat. Ajo që unë shoh është realiteti në terren, që është se Serbia merr para të BE-së, fonde për të stabilizuar situatën, për të menaxhuar infrastrukturën, se ajo po përdoret mirë dhe se Serbia po integrohet gjithnjë e më shumë në mënyrën evropiane të të menduarit. Për shembull, tarifat për telefonat celularë – për ta bërë më të lehtë lidhjen në rajon dhe ky është një hap pozitiv. Dhe të gjithë ata hapa mund të jenë hapa të vegjël, por na japin një ide të qartë se në cilin drejtim dëshiron të shkojë Serbia. Por duhet të jem i qartë se na duhet një mesazh i besueshëm se Serbia e pranon këtë Bashkim si të vetin, i cili bazohet në vlera. Do të thotë gjithashtu të kesh një pozicion të qartë për çështjet aktuale, qoftë Izraeli apo Rusia.

    – Si duhet të duket ai mesazh? Çfarë duhet të bëjë Serbia nëse thoni: “Po, ky është mesazhi”?

    Weber: Hap pas hapi. Pikat konkrete të përcaktuara nga Komisioni Evropian duhet të zbatohen. Progres-raporti i javës së kaluar ishte një mesazh i qartë për atë që pritet nga Serbia, veçanërisht për Kosovën dhe perspektivën më të gjerë në rajon, për të sqaruar situatën në Kosovë, marrëdhëniet ndaj Kosovës. Për këtë çështje presim mesazhe dhe hapa të qarta nga Serbia, për të kuptuar se Kosova është shtet dhe se si e tillë është pranuar nga shumica e vendeve anëtare të BE-së.

    – Ndikimi rus në rajon është mjaft i fortë dhe duket se po forcohet. Partia Popullore Evropiane ka vijat e veta të kuqe që janë të qarta. SNS është anëtare e Partive Popullore Evropiane dhe disa deputetë apo ministra të saj janë hapur pro bashkëpunimit me Rusinë dhe kundër BE-së. Si është e mundur? Çfarë ju thotë kjo? A është ende vendi i SNS në Partinë Popullore Evropiane?

    Weber: Partia Popullore Evropiane përcakton qartë se marrëdhënia me Rusinë është një parim kyç për ne. Për ne, partia është brenda Bashkimit Evropian, me Ursula von der Leyen që udhëtoi në Ukrainë, me Roberta Macola si presidente të parë të institucionit, një politikane që udhëtoi në Ukrainë, në Kiev. Ne jemi partia e Ukrainës, ne jemi partia që mbështet Ukrainën në luftën e saj. Lufta e tyre është lufta jonë dhe ne përpiqemi t’i bindim të gjithë për këtë. Ne kemi ndikimin e Rusisë brenda vetë Bashkimit Evropian, gjithë ato lajme të rreme dhe zhvillime të tjera. Dhe ne duhet të jemi të guximshëm, duhet të jemi të fortë dhe duhet të jemi të bashkuar për këtë çështje.

  • Kuvendi sot mban seancë plenare, në rend dite buxheti

    Kuvendi sot mban seancë plenare, në rend dite buxheti

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do të mbajnë seancën e radhës plenare.

    Në rendin e ditës do të jetë shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-260 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024.

    Kjo seancë pritet të nis nga ora 10:00.

    Buxheti për vitin 2024 parashihet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

  • Kosova e Serbia sot përballen në tavolinën e diskutimeve në Bruksel

    Kosova e Serbia sot përballen në tavolinën e diskutimeve në Bruksel

    Takimi i radhës mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të mbahet sot në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë para takimit se Kosova nuk është në fazën e negocimit në Bruksel.

    “Ne nuk jemi në fazën e negocimit në Bruksel, jemi në fazën e zbatimeve të marrëveshjeve. Nuk ka më kompromise në negocim, negocimet kanë përfunduar dhe jemi në fazën e zbatimi të marrëveshjeve. Ku Kosova insiston që marrëveshjet të zbatohet në plotëni dhe pa parakushte dhe vonesa dhe për të siguruar që marrëveshjet na çojnë drejt normalizimit e jo drejt eskalimit të konfliktit. Ne kemi parë nënshkrimin e marrëveshjes si rrugën më të mirë për të garantuar zbatimin e tyre të plotë”, deklaroi ai.

    Sipas Bislimit, ky është dakordimi i vetëm që kanë arritur në takimin me emisarin special evropian, Miroslav Lajçak dhe se “nuk ka më kompromise në negocim, por vetëm zbatim të marrëveshjeve”.

    Ndryshe, Lajçak ka deklaruar kohë më parë se draft-statuti për asociacionin nuk shkel “vijat e kuqe” të palëve, duke shtuar se ky nuk është elementi i vetëm që duhet të zbatohet, pasi Serbia nuk ka zbatuar nene të marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.

    Diplomati sllovak gjithashtu pati deklaruar se në takimin që do të mbahet në Bruksel, fokusi parësor do të jetë në arritjen e progresit të menjëhershëm në zbatimin e marrëveshjes dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për situatën sfiduese në veri të Kosovës. /KP

  • Nga sot gomat e dimrit, të obligueshme

    Nga sot gomat e dimrit, të obligueshme

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Nga kjo e mërkurë shoferët duhet t’i kenë zëvendësuar gomat e verës me ato të dimrit. Pajisjet dimërore janë të obligueshme deri në muajin mars.

    Njëkohësisht pjesëmarrësit në trafik u kujdesën që menjëherë ta kryejnë këtë obligim.

    “Unë zakonisht çdo vit e bëj ndërrimin e gomave sipas afatit kohor, jam pajisur me të gjitha pajisjet e tjera dimërore me zinxhirë dhe me të gjitha. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të pajisen me pajisje dimërore, për shkak që nuk duhet ta rrezikojmë jetën tonë dhe të tjerëve, janë gjëra elementare”, tha Rinor Hajdini, qytetar.

    Sipas shitësve të gomave, çmimi këtë vit për një gomë dimërore fillon nga 35 euro, derisa numri i të interesuarve për t’i zëvendësuar gomat është i lartë.

    “Interesimi është jashtëzakonisht i madh, pasi që dihet që sot është data zyrtare e ndërrimit të gomave të verës në ato të dimrit, fluksi zakonisht është ditëve të fundit pra më 14 ose 15 nëntor”, tha Diondrid Reçica, menaxher.

    Derisa, Policia bëri thirrje për kujdes të shtuar në trafik, gomat vlerësohen pjesë qenësore e sigurisë.

    “Për kushtet e dimrit prej 1 milimetër deri në 2 milimetra është gjendja e mjaftueshme për thellësinë e gomës, për arsye se asfalti i thatë është në kushtet e verës, kurse në kushtet e dimrit është asfalti ndryshe për arsye se mund të kemi edhe baltë në rrugë, mirëpo edhe borë”, tha Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit.

    Përveç ndërrimit të gomave, pjesëmarrësit në trafik duhet t’i posedojnë edhe zinxhirët. Ngasësit që drejtojnë automjete pa pajisje dimërore dënohen për kundërvajtje, duke filluar nga 40 euro e më lart.

  • Buxheti për komunat, i pamjaftueshëm për to

    Buxheti për komunat, i pamjaftueshëm për to

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Mbi 742 milionë euro, Qeveria ka planifikuar t’i ndajë për nivelin lokal, në vitin 2024. Projektbuxheti me t’u miratuar nga ekzekutivi ishte kritikuar nga partitë opozitare.

    Mes tjerash, Qeveria u kritikua se në mesin e 38 komunave në projektbuxhet janë favorizuar katër që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

    “Është diskriminues se nuk ka parametra matës mbi çfarë baze është planifikuar që komunat e menaxhuara nga LV-ja kanë shumëfish më shumë buxhet. Komuna e Drenasit ka 0.55% projekte të reja, ndërsa komunat e tjera kanë deri në 3 e 4% investime të reja. Skenderaj ka 0.04% investime të reja, ndërsa Shtimja ka mbi 2% e 3% investime të reja. Por edhe te qytetet e mëdha janë bërë anomali aq të mëdha në raport me pushtetet lokale ku menaxhon saqë është vërtet shqetësuese dhe diskriminuese”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    Kryetari i komunës e cila aktualisht prin sa i përket shpenzimit të buxhetit, Malishevës, buxhetin e ndarë për të e vlerëson të pamjaftueshëm. Por, shpresë ka te deputetët.

    “Nuk i përmbush kërkesat tona dhe nevojat. Ne kemi bërë edhe kërkesa të veçanta për projekte që janë të domosdoshme që të zhvillohen në komunën e Malishevës, që janë në kompetencë të qeverisë së Kosovës. Është më i lartë, por edhe kërkesat tona dhe nevojat po shtohen. Ende kemi kohë, është propozuar te komisionet parlamentare dhe shpresoj që do t’i kenë parasysh kërkesat tona që vijnë nga komuna e Malishevës”, tha kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.

    Por, Qemajl Aliu i cili udhëheq komunën e Shtimes, nuk pajtohet që komunat e udhëhequra nga Vetëvendosja kanë fituar më shumë. Sipas tij, Shtimja ka nevojë për më shumë investime, meqë në raport me komunat e tjera është më pak e zhvilluar.

    Ndarja buxhetore për vitin 2024 do të shqyrtohet në lexim të parë, në seancën e së enjtes. Ky diskutim do të jetë pikë e vetme e rendit të ditës.

  • “Dialogu në fazë zbatimi”, ende heshtje për përmbajtjen

    “Dialogu në fazë zbatimi”, ende heshtje për përmbajtjen

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Vizitat në Kosovë dhe Serbi, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, synon t’i kurorëzojë me një takim trepalësh në nivel kryegociatorësh në Bruksel, të enjten.

    Në një përgjigje pa detaje, BE-ja njoftoi se takimi do të fokusohet në “hapat e radhës në procesin e normalizimit dhe zbatimi i zotimeve të dialogut”.
    BE-ja nuk tregoi se cilat janë vërejtjet që kryeministrit Albin Kurti ia ka dërguar emisarit Lajcak për draftin e propozuar, e as nëse i kanë kthyer përgjigje për to.

    “Pyetja juaj e dytë duhet t’i adresohet ekipit të z. Kurti. Nga ana jonë, ne ritheksojmë se një propozim i ri i balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të komunave iu paraqit partnerëve përkatës nga Përfaqësuesi Posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, gjatë vizitës së tij në rajon në fund të Tetorit dhe më pas u diskutua nga të dyja palët në takimin e me liderët në margjina të Këshillit Evropian”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Edhe pse adresë për përgjigje e bëri Zyrën e Kryeministrit, Bashkimi Evropian kërkoi ruajtje të fshehtësisë së bisedimeve.

    “Propozimi i Bashkimit Evropian nuk është bërë publik, sepse përpjekjet diplomatike po vijojnë. Ne kurrë nuk japim dokumente zyrtare që janë në diskutim dhe presim të njëjtën nga partnerët, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet”, tha Stano.

    As Qeveria nuk ka treguar se cilat janë vërejtjet e saj për draft-statutin e propozuar të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Megjithatë, ATV-ja kuptoi se në mesin e çështjeve për të cilat u kërkua qartësim është roli dhe përgjegjësia që Asociacioni, sipas draftit, parashihet të ketë lidhur me procesin e kthimit – në raport me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

    E po ashtu, komunikimi dhe raportet e asociacionit me autoritetet qendrore; si dhe çështje që lidhen me njohjen dhe integrimin e sistemeve paralele ilegale edukativo-arsimore dhe shëndetësore.

  • Nga sot fillon sezona dimërore, Polica bën thirrje që veturat të pajisen me goma të dimrit

    Nga sot fillon sezona dimërore, Polica bën thirrje që veturat të pajisen me goma të dimrit

    Sot është afati i fundit për ndërrimin e gomave nga ato të verës në të dimrit. Edhe Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim ku fton të gjithë qytetarët të kenë kujdes të shtuar në vozitje gjatë periudhës së dimrit, gjithashtu kanë apeluar që gomat të ndërrohen.

    Pajisjet dimërore të cilat duhet t’i posedojnë pjesëmarrësit në trafik janë gomat e dimrit dhe zinxhirët.

    Shoferi që drejton automjetin pa pajisje dimërore, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 40 eurosh.

    Ndërkaq, sipas Ligjit, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 100 deri në 300 euro, edhe personi juridik apo institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar shoferi.

    Me këtë rast, Policia u ka bërë thirrje të gjithë shoferëve që të kenë kujdes të shtuar në trafik.

    “Policia e Kosovës apelon për të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar për fillimin e sezonit dimëror ku ndryshimet atmosferike janë të pranishme. Sigurohuni që gomat e mjetit tuaj janë ndërruar para fillimit të sezonit dimëror, gjithashtu presioni i ajrit të tyre duhet të jetë sipas rekomandimeve të prodhuesit, në temperaturat e ulëta!”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit

    Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit

    Trupi gjykues në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka vendosur që Rexhep Selimit t’i vazhdohet paraburgimi.

    Ky panel gjyqësor përbëhet nga kryetari i trupit gjykues – Charles L. Smith III, Christoph Barthe dhe Guénawl Mettraux – anëtarë të trupit gjykues dhe Fergal Gaynor – gjyqtar rezervë.

    Gjykata Speciale argumenton se paraburgimi i Selimit mbetet proporcional duke iu referuar gjetjeve të mëparshme të panelit.

    Trupi gjykues konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku që i pandehuri Rexhep Selimi të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra penale të tjera kundër atyre që konsiderohen se janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku përfshihen dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi, mund të japin dëshmi në këtë çështje gjyqësore ose që pritet të paraqiten në gjykatë, thuhet në vendim.

    Sipas vendimit, marrë parasysh faktin se ekzistojnë rreziqe të vazhdueshme për pengimin e procedurës dhe kryerjen e krimeve të mëtejshme, asnjëra prej të cilave nuk mund të zbutet mjaftueshëm me zbatimin e masave të arsyeshme alternative. Paneli konstaton se paraburgimi i Selimit edhe për dy muaj të tjerë, është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethanat specifike të rastit.

  • ​Nesër takimi Bislimi-Petkoviq, skepticizëm për rezultate konkrete

    ​Nesër takimi Bislimi-Petkoviq, skepticizëm për rezultate konkrete

    Rreth dy muaj pas agresionit serb në Banjskë të Zveçanit, nesër pritet të kthehet dialogu Kosovë-Serbi, në nivel të kryenegociatorëve. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe përfaqësuesi serb, Petar Petkoviq në Bruksel pritet të diskutojnë për hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit dhe zbatimin e angazhimeve të palëve në dialog, duke përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Megjithatë, nga Qeveria e Kosovës nuk treguan nëse të enjten do të diskutohen komentet e palëve për planin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit si dhe draftin e Asociacionit të propozuar nga emisarët euro-amerikanë më 21 tetor. Të njëjtit thanë se gjatë ditës së sotme do të dalin me një komunikatë për medie për të treguar detajet e takimit në kryeqendrën evropiane.

    Nga ana tjetër, opozitarët kritikojnë ekzekutivin për mungesë transparence për draftin e Asociacionit si dhe kërkojnë që menjëherë pas takimit Bislimi-Petkoviq të raportohet në Kuvend. Ndërkaq, njohësit e procesit të dialogut janë skeptikë se do të ketë progres të madh në takimin e nesërm.

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryetare e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi, thotë për KosovaPress se e kanë të pamundur të dalin me një qëndrim për draftin e Asociacionit, derisa i njëjti ende nuk iu është prezantuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

    Ajo shprehet e shqetësuar, siç thotë për mungesën e transparencës së kryeministrit Albin Kurti në këtë proces, derisa thekson nevojën që bashkësia ndërkombëtare ta bind Serbinë që të zbatojë në tërësi marrëveshjet nga e kaluara.

    “Nuk mundemi me fol për Asociacionin, pasi kryeministri Kurti ende nuk e ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit. Ne e pamë…deklaratat e ambasadorit të Amerikës, por kishte qenë e rrugës që kryeministri të vjen të raportojë në Kuvend, pasi ky proces s’ka pasur aspak transparencë…Jemi prapa në implementimin e marrëveshjeve të kaluara, gjë e cila u theksua edhe në Raport të Progresit që nuk po zbatohen marrëveshjet. Mendoj se kjo është shqetësuese për vendin pasi nuk kemi një situatë të qetë në pjesën veriore ende…Ne e dina se Serbia nuk dëshiron t’i zbatojë marrëveshjet por ish dashur nga ana e ndërkombëtarëve që të bindin Serbinë. Po ashtu me implementimin e marrëveshjeve të hiqen masat pasi kemi humbur shumë nga ana financiare, sidomos në projektet IPA”, thotë Krasniqi.

    Skeptik për takimin Bislimi-Petkoviq është analisti politik, Dorajet Imeri, i cili thotë për KosovaPress se duke marrë parasysh qasjen destruktive të Serbisë në dialog nuk pret të ketë dakordim për zbatim të sekuencuar të marrëveshjes bazë, ku vihet në pah edhe njohja de-facto mes palëve.

    Ai kërkon që Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në dialog si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si mbështetëse e tij të jenë më agresiv ndaj Serbisë si palë bllokuese e dialogut.

    “Lehtësuesit e këtyre negociatave dhe ata që e mbështesin këtë proces duhet të jenë sy hapur që pala(Serbia) që nuk është konstruktive në këtë dialog të pengohet në procesin e anëtarësimit apo qoftë edhe në zhvillimin ekonomik apo pozicionin ndërkombëtar që ka, në rastin tonë po flasim për Serbinë”, thekson Imeri.

    Emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dje ka qëndruar në Beograd, kurse javën e kaluar ka qenë në Kosovë, siç ka thënë për të përgatitur për takimin e kryenegociatorëve Bislimi-Petkoviq.

    Pas vizitës së tij në Kosovë, ai kishte thënë se ka propozuar një agjendë të drejtpërdrejtë për takimet e ardhshme në Bruksel, në linjë me pritshmëritë e përcjella nga liderët evropianë. Sipas tij fokusi primar do të jetë në arritjen e progresit të menjëhershëm në zbatimin e marrëveshje dhe gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme për situatën sfiduese në veri të Kosovës.

    Megjithatë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, javën e kaluar në konferencë për media tha se dakordimi me Lajçakun gjatë takimit në Prishtinë, ishte vetëm ai për një takim të radhës në Bruksel.

    Pas dështimit të arritjes së rezultateve në takimin Kurti-Vuçiq më 14 shtator dhe pas sulmit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, diplomatët euro-amerikanët më 21 tetor paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të nënshkruajë, krahas marrëveshjes bazë dhe aneksit, por që u tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiq e refuzoi.