ATV

Tag: Ballina

  • Familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, pa asnjë sqarim iu anuluan vizitat

    Familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, pa asnjë sqarim iu anuluan vizitat

    Edhe pse i kishin të konfirmuara vizitat nga Njësia e Paraburgimit e Gjykatës Speciale, shumë familjarëve dhe miqve të krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, sot ato u janë anuluar pa asnjë arsyetim nga ana e administratës së Qendrës së Paraburgimit.

    Me dhjetra persona që këto ditë kishin vizita të konfirmuara në Hagë, të cilët kanë bërë shpenzime me blerjen e biletave të fluturimit dhe rezervimet e vendqëndrimeve në Hagë, sot në mënyrën më të papërgjegjshme janë njoftuar nga Dhomat e Specializuara me vetëm një fjali: ‘’Me keqardhje ju informojmë se vizita juaj është anuluar’’.

    Kanal 10 ka mësuar se vizitat u janë anuluar edhe familjarëve të ngushtë të ish-krerëve të UÇK-së, që kishin shkuar tashmë në Hagë, pa ua dhënë asnjë sqarim atyre.

    Ndërkohë, Parim i Përgjithshëm i Udhëzuesit të Punës për ‘’Vizitat dhe komunikimet’’ të Gjykatës Speciale, të paktën në dokumentet e shkruara të tyre, thuhet se është mundësimi i ruajtjes së marrëdhënieve personale me anëtarë të familjes dhe persona të tjerë nëpërmjet vizitave, thirrjeve telefonike dhe letërkëmbimit.

    Po ashtu, siç nuk ndodh askund në botë, shumë përkrahësve të ish-krerëve të UÇK-së që thjeshtë dëshirojnë të shkojnë për t’i takuar dhe vizituar ata në Qendrën e Paraburgimit, kohëve të fundit po iu refuzohen aplikacionet me arsye banale, kinse në formularët e tyre nuk kanë arritur ta dëshmojnë afërsinë, pa u pyetur fare të paraburgosurit nëse duan apo jo t’i pranojnë si vizitorë.

    Përkundër që procesi gjyqësor po zvarritet tejmase shumë, në Kosovë është rritur agresiviteti i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me bastisje dhe sekuestrime telefonash.

    Deri më tani nga trupi gjykues janë dëgjuar vetëm 37-të dëshmitarë, ndërkohë që ish-krerët e UÇK-së i kanë bërë këtë muaj tri vjet qëndrim në paraburgim.

  • Arrestohen tetë zyrtarë të doganës dhe një zyrtar policor, dyshohen për keqpërdorim të pozitës dhe marrje të ryshfetit

    Arrestohen tetë zyrtarë të doganës dhe një zyrtar policor, dyshohen për keqpërdorim të pozitës dhe marrje të ryshfetit

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njoftoi se në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës, kanë zhvilluar një aksion për kontroll në 11 lokacione.

    Sipas një komunikate dërguar mediave, PSRK-ja njoftoi se kontrolli është bërë me qëllim të mbledhjes së provave dhe ndalimit të nëntë (9) zyrtarëve të dyshuar për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ‘’Marrja e ryshfetit”, me ç’rast janë arrestuar tetë zyrtar të doganës dhe një zyrtar policor .

    Tutje, në komunikate thuhet se gjatë këtij aksioni janë grumbulluar prova që mbështesin dyshimin se këta nëntë (9) zyrtarë, tetë (8) nga të cilët janë zyrtar të Doganës dhe një (1) zyrtar policor nga Policia kufitare, kanë qenë të përfshirë në veprat për të cilat dyshohen.

    “Nga ky aksion janë sekuestruar sende tjera të rëndësishme për procedurë të mëtutjeshme hetimore si: Njëzet plomba zyrtare të Doganës së Kosovës, 10 telefon së bashku me katër (4) sim kartela, Një pistoletë e kalibrit 9 mm me tre karikator dhe 9 fishek, me leje dhe 16 copë municion jo zyrtar’”,  thuhet mes tjerash në njoftim./atvlive.tv/

  • Policia zhvillon një aksion në veri, bastisen katër lokacione

    Policia zhvillon një aksion në veri, bastisen katër lokacione

    Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës ka zhvilluar një aksion në katër lokacione në komunat veriore të Kosovës në mëngjesin e së shtunës.

    Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    Elshani ka thënë se ata kanë asistuar Doganën dhe se janë bastisur katër lokacione. Sipas tij, gjithçka ka shkuar në rregull, derisa lidhur me atë se a ka të arrestuar, ka thënë se do të deklarohet Dogana.

    “Ne kemi asistu Doganën gjatë bastisjeve në veri të Mitrovicës. Për më shumë se sa janë arrestuar, ata prononcohen. Katër lokacione janë bastisur, çdo gjë ka shkuar në rregull. Kanë përfunduar bastisjet”, ka thënë Elshani.

  • Ky është i riu që vdiq në aksidentin në rrugën Ferizaj-Kaçanik

    Ky është i riu që vdiq në aksidentin në rrugën Ferizaj-Kaçanik

    Një person ka vdekur dhe pesë të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur këtë të premte në rrugën Kaçanik-Ferizaj.

    Personi që ka mbetur i vdekur në këtë aksident është i riu Lorent Trena. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi. Ai ka ngushëlluar të gjithë të afërmit e Lorentit.

    “Me këtë rast ndajmë ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë qytetarët e Komunës së Kaçanikut, duke bashkëndjerë dhembjen së bashku. Lutemi që raste të tilla asnjëherë të mos përsëriten, ndërsa shpirti i tij hyjnor të pushoj në paqen e paskajshme. ”, ka shkruar Ilazi në Facebook.

  • Për dhjetë muaj mbi 5 mijë vjedhje – Ekspertët e lidhin me kushtet socio-ekonomike

    Për dhjetë muaj mbi 5 mijë vjedhje – Ekspertët e lidhin me kushtet socio-ekonomike

    Gjatë dhjetë muajve të këtij viti, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, janë regjistruar mbi pese mijë vjedhje, raporton Ekonomia Online. Sipas Policisë, në periudhën janar-tetor 2023, kanë ndodhur 3 502 vjedhje, 2 223 vjedhje të rënda si dhe 13 vjedhje grabitqare. 

    Për këtë njohës të çështjeve të sigurisë kanë thënë se rritja e numrit të vjedhjeve është bërë një fenomen shqetësues dhe këtë çështje ata e lidhin me kushtet socio-ekonomike në vend. Njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci, ka thënë se numri i vjedhjeve është bërë shqetësues, ai ka thënë se këto vjedhje janë duke ndodhur si shkak i situatës ekonomike në vend si dhe shtimi i numrit të përdoruesve të lëndëve narkotike.

    “Ky numër është shqetësues por vlen të theksohet se edhe më herët ka qenë shqetësues. Si shembull konkret se sa shqetësuese është ne e kemi rastin në Ferizaj, kur ndodhi plaçkitja atje dhe e pame se për çka janë në gjendje të bëjnë këta grabitës, ose këta kriminel. Duke i parë edhe statistikat e përdorimit të substancave narkotike, delikuentet bëjnë çdo gjë që të arrijnë deri të ajo drogë ose substancat tjera narkotike dhe për këtë janë në gjendje që të plaçkitin dhe të bëjnë vjedhje të rënda, pa i menduar pasojat. Definitivisht se kjo ka të bëjnë edhe me situatën ekonomike”, tha ai.

    Ai bëri thirrje që Policia të jetë me vigjilente dhe të rris numrin e patrullimeve.

    “Delikuenca është rritur në Kosovë dhe ajo çka duhet të bëjë policia në aspektin e sigurisë dhe gjithmonë sipas mendimit tim se policia në bashkësi duhet që të veprojë më shumë, duhet të organizohet më shumë dhe sidomos lagjet kur janë të dyshimta, ndriçimi publik duhet të jetë. Dhe patrullat definitivisht duhet që të shtohen më shumë, jo se nuk ka pasur patrulla edhe më herët, por situata dhe statistikat se po shtohen numrat duhet që të shtohen edhe patrullimet”, tha ai.

    Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, tha se numri kaq i madh i vjedhjeve është duke ndodhur për shkak se {olicia është më shumë e fokusuar në pjesën veriore të vendit, për këtë ai ka thënë se kriminelët po i shfrytëzojnë këto raste.

    “Tani në situatën në të cilën po jetojmë edhe problemet që po paraqiten sidomos situatat konfliktuoze që munden me ardhë deri teke një lufte mesë Serbisë dhe Kosovës, krejt opinioni është i orientuar për këtë çështje të mbrojtjes se sovranitetit të Kosovës. Dhe në këtë situatë gjithsecili mundohet me i shfrytëzuar situatat e veta edhe kjo strukturë e këtyre njerëzve që merren me krime janë permanent edhe ecin ne hap me kohën sepse shfrytëzojnë kohën. Tash ne një numër të madh të policisë i kemi të orientuar edhe i kemi dërguar atje në mbrojtjen e sovranitetin në pjesën e veriut”, tha ai.

    Ai tha se për këtë një kritik të madhe duhet që t’i drejtohet Ministrisë së Punëve të Brendshme, pasi sipas tij, ajo duhet që të jetë vigjilente që të ruaj rendin dhe qetësin brenda krejt territorit të Kosovës, raporton EO.

    “Është një kritik e madhe që duhet me ja drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, pavarësisht se e kemi situatën siç e kemi. Ministria duhet që të jetë vigjilente që të ruaj rendin dhe qetësin brenda krejt territorit të Kosovës. Luftimin e krimit duhet të bëhet në mënyrë permanente, në ato pjesë që ndodh më shpesh ato vepra duhet edhe me u përgjigj. Nga ana e policisë kërkohet që non-stop të është i mbuluar tereni sidomos në ato vende ku shpesh herë përsëriten. Normal që gjithë ndërlidhet me shkaqet ekonomike, institucionet e sigurisë në mënyrë permanente ti përcjellin këto, t’i kenë me vigjilent detyrat e tyre”, tha ai.

  • Vizita e Sekretarit të NATO-s në Ballkan, kjo është agjenda e takimeve

    Vizita e Sekretarit të NATO-s në Ballkan, kjo është agjenda e takimeve

    Nga e diela, Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Jens Stoltenberg, do të nis një vizitë në Ballkan, në kuadër të së cilës do të vizitojë edhe Kosovën. Vizita e tij do të përfundojë të mërkurën, më 22 nëntor.

    Këtë vizitë, Stoltenberg do ta fillojë në Bosnjë e Hercegovinë, ku do të ketë një darkë pune me anëtarët e Presidencës. Pas Bosnjës, ai do të vijë në Kosovë.

    Sipas njoftimit të publikuar nga NATO, Stoltenberg do të qëndrojë në Kosovë të hënën, ku do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti. Ai do të vizitojë edhe Kampin e KFOR’it “Nothing Hill”, ku do të takohet me Komandantin e KFOR’it dhe do t’ju adresohet trupave.

    Ai do të takohet gjithashtu me Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, gjeneral brigade Hammerstein.

    Të martën, më 21 nëntor, sekretari i Përgjithshëm do të jetë në Beograd, ku do të ketë takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq.

    Më vonë atë ditë, Stoltenberg do të udhëtojë në Maqedoninë e Veriut për t’u takuar me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

    Ai do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe do të mbajë një fjalim para Kuvendit.

    Të mërkurën, më 22 nëntor, sekretari i Përgjithshëm do të marrë pjesë në një takim me liderët aleatë nga rajoni. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq dhe kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, janë ftuar të marrin pjesë, thuhet në njoftimin e NATO-s.

  • Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak paralajmëron se do të ketë zhvillime shumë shpejt

    Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak paralajmëron se do të ketë zhvillime shumë shpejt

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është deklaruar pas aktivitetit të tij në procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku teksa bëri një përmbledhje të këtyre zhvillimeve tha se diskutimet në Kosovë kanë qenë për çështjet me rëndësi në kuadër të dialogut.

    Duke u nisur nga fillimi i javës që u shënua me vizitën në Beograd, tha se diskutimet me presidentin serb Aleksander Vuçiq dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkvoiq, ishin të fokusuar në vazhdimin e përpjekjeve për të avancuar implementimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit.

    Teksa për vizitën në Kosovë, i njëjti u shpreh duke theksuar nevojën urgjente për zgjidhje e marrëveshjes nga të dya palët.

     “Në bisedat tona, unë theksova që implementimi i Marrëveshjes duhet të ketë progres nga të dy palët në përmbushjen e obligimeve të tyre respektive, hap pas hapi paralelisht dhe bazuar në parimin që të dy palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka”, ka shkruar Lajçak.

    Në këtë përbledhje, Lajçak gjithashtu ka folur edhe për takimet që ka pasur me kryenegociatorët në Bruksel, duke treguar se kanë diskutuar për një numër çështjesh, përfshirë Statutin, planin e zbatimit, energjinë, tabelat, zgjedhjet dhe personat e zhdukur.

    Ai ka thënë se është bërë përparim në disa çështje dhe se pret një vazhdim të shpejtë të negociatave duke treguar se ka plan që bisedimet t’i vazhdojë në ditët dhe javët në vijim.

    “Takimet ishin të dobishme për të bërë përparim në një sërë çështjesh në axhendën tonë të Dialogut dhe pres një vazhdim të shpejtë së shpejti. Prandaj, kam në plan të vazhdoj bisedimet në ditët dhe javët në vijim”, ka paralajmëruar Laçjak.

    Emisari i BE-së ka përmendur edhe takimin që ka pasur në Bruksel me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.

    “Të mërkurën pata një takim të dobishëm me liderin e partisë opozitare të Kosovës, PDK-së, Memli Krasniqi. Folëm për situatën në Kosovë dhe rëndësinë e progresit në Dialog për rrugën  të Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Miroslav Lajçak.

  • Aksident trafiku në rrugën Kaçanik-Ferizaj, një i vdekur e pesë të lënduar

    Aksident trafiku në rrugën Kaçanik-Ferizaj, një i vdekur e pesë të lënduar

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbëmë në rrugën Kaçanik-Ferizaj, ku një person ka mbetur i vdekur dhe janë lënduar pesë të tjerë.

    Siç njofton major i Policisë së Kosovës në rajonin e Ferizajt, Qazim Reka, në këtë aksident janë përfshirë tri vetura.

    “Aksidenti ka ndodhur rreth orës 21:10. Në aksident janë përfshirë tri njësi. Nga ky aksident ka mbetur i vdekur një person, ndërsa janë lënduar pesë të tjerë”, ka thënë Reka.

  • Zhduket një 15-vjeçare, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e saj

    Zhduket një 15-vjeçare, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e saj

    Policia e Kosovës në Pejë kërkon ndihmë nga qytetarët rreth gjetjes së një personi të moshës 15-vjeçare, e raportuar si e zhdukur.

    Bëhet fjalë për Serbeze (Istref) Gashi, e lindur më 6 qershor 2008, në Pejë.

    Policia kërkon nga qytetarët e Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të zhdukur në foton e bashkangjitur, të lajmërojë policinë apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

    Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës janë: 192 dhe 080019999 (pa pagesë) 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë dhe e-mail adresa: [email protected]

  • Kurti uron Shqipërinë për kualifikim në Euro 2024

    Kurti uron Shqipërinë për kualifikim në Euro 2024

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar Shqipërinë për kualifikimin në Kampionatin Evropian të Futbollit, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.

    Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo është një festë e madhe që do të vazhdojë edhe në Euro 2024.

    “Shqipëria kalon. Festë e madhe, që do vazhdojë në Euro 2024. Për herë të dytë në histori. Pas Francës, tashmë drejt Gjermanisë. Urime lojtarëve, gëzuar të gjithëve!”, ka shkruar Kurti.

    Shqipëria siguroi kualifikimin për Euro 2024, pas barazimit me Moldavinë.