ATV

Tag: Ballina

  • ​Stoltenberg i thotë Vuçiqit që sulmuesit në Banjska duhet të mbahen përgjegjës

    ​Stoltenberg i thotë Vuçiqit që sulmuesit në Banjska duhet të mbahen përgjegjës

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka folur në Beograd mbi rastin e sulmit në Banjska në Zveçan më 24 shtator, duke kërkuar edhe një herë që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

    Ai pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se pas zhvillimeve në veri, Aleanca Veri-Atlantike ka dërguar në Kosovë rreth një mijë trupa të reja. Stoltenberg serish përsëriti se Policia e Kosovës është reaguesi i parë, ajo e EULEX-it i dyti dhe KFOR-i si autoritet i tretë.

    “Çdo shkelje e sundimit të ligjit, dhe vrasja e civilëve është absolutisht e papranueshme. Si gjithmonë, përgjegjësit duhet të mbahen përgjegjës, pavarësisht se kush është autori, apo kush është përgjegjës, sepse kjo ka të bëjë me respektimin e disa parimeve thelbësore për sundimin e ligjit. Por le të sigurojmë, sa herë që shohim shkelje të ligjit, ose shohim njerëz të pafajshëm derisa vriten, sigurisht që mesazhi është i njëjtë, përgjegjësit duhet të mbahen përgjegjës”, ka thënë Stoltenberg.

    Ndryshe, Stoltenberg dje qëndroi për vizitë në Kosovë. Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ai deklaroi se sulmi terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, është i papranueshëm dhe po ashtu arsyeja pse KFOR-i ka rritur praninë në Kosovë. Ai ka nënvizuar nevojën që përgjegjësit për këtë sulm dhe po ashtu sulmin ndaj 93 ushtarëve të KFOR-it në maj të mbajnë përgjegjësi./kp

  • Haxhiu: Nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML-së dhe mostrave

    Haxhiu: Nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML-së dhe mostrave

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me zjarrin që shpërtheu sot në objektin e Insitutitit të Mjekësisë Ligjore.

    Haxhiu ka thënë se nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe mostrave, derisa shtoi se pa u kuptuar shkaqet e zjarrit, nuk mund të japë më shumë informacione.

    “Rreth orës 08:00 të mëngjesit, nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, jam njoftuar që dy zyra në katin e dytë në objektin e IML, janë përfshirë nga zjarri.
    Ekipet e zjarrëfikësve, policia, prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave”, ka shkruar Haxhiu.

    Sipas saj, Policia dhe prokuroria po ashtu janë duke bërë punën e tyre.

    “Ekipet e forenzikës, ekspertët e zjarrit dhe të elektroteknikës janë ende duke e kryer punën e tyre me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit. Policia dhe prokuroria po ashtu janë duke bërë punën e tyre. Për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML ndërvite, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë mirëpo pa kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë. Sapo të kemi informacione më të detajuara lidhur me rastin, do të njoftojmë me kohë”, ka shkruar ndër të tjera Haxhiu.

  • Prishtina fillon t’i dekorojë sheshet për festat e fundvitit

    Prishtina fillon t’i dekorojë sheshet për festat e fundvitit

    Prishtina po bëhet gati për festat e fundvitit.

    Kompanitë e kontraktuara kanë nisur dekorimin e shesheve të kryeqytetit, ku siç mëson ATV, për këto dekorime do të shpenzohen rreth 50 mijë euro.

    ATV ju sjell pamjet e para të nisjes së punimeve për dekorimin e sheshit. /atvlive.tv

  • Procesohen pagesat për familjet e prekura nga vërshimet

    Procesohen pagesat për familjet e prekura nga vërshimet

    Janë procesuar pagesat për afër dy mijë familje të prekura nga vërshimet në shtator të vitit 2022 dhe në janar të vitit 2023.

    Lajmin e bëri të ditur sot ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

    Murati, tha se 620 familje janë të mbështetura për vërshimet e shtatorit 2022, ndërsa një mijë e 285 familje janë të mbështetura për vërshimet e janarit 2023.

    “Pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga ana e komunave dhe komisionit përkatës për vlerësimin dhe verifikimin e dëmeve, tashmë janë procesuar pagesat në kuadër të mbështetjes për rimëkëmbje nga dëmet e vërshimeve në ekonomitë familjare, për vërshimet në 2022 dhe 2023”, tha ai.

    “Sipas vendimit të qeverisë, dhe vlerësimit të komisioneve përkatëse, gjithsej janë mbështetur 1,905 familje, ku nga to për vërshimet e shtatorit 2022 janë 620 familje të mbështetura, kurse për vërshimet e janarit 2023 janë 1,285 familje të mbështetura”, u shpreh Murati.

    Qeveria e Kosovës kishte ndarë muajin e kaluar 9 milionë euro për mbështetjen e ekonomive familjare të prekura nga vërshimet.

  • Stoltenberg në Beograd: Grumbullimi i ushtrisë serbe pranë Kosovës s’i ndihmon situatës

    Stoltenberg në Beograd: Grumbullimi i ushtrisë serbe pranë Kosovës s’i ndihmon situatës

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të martën në Beograd se grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk ndihmon në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve.

    Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën dukshëm më 24 shtator kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë të Zviceranit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Tre sulmues serbë u vranë në luftimet që pasuan.

    Pak kohë pas sulmit, Serbia i dërgoi forcat e saj në afërsi të kufirit kosovar, para se t’i tërhiqte pas reagimit të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

    “Të dy palët duhet t’i ulin tensionet dhe të vetëpërmbahen nga veprimet përshkallëzuese”, tha Stoltenberg në një konferencë për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën paradite.

    Përgjegjësinë për sulmit e 24 shtatorit e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Serbia ka zhvendosur trupat e saj pranë kufirit me Kosovën disa herë edhe në të kaluarën.

    “Grumbullimi i forcave të Ushtrisë Serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk do të ndihmonte në qetësimin e situatës”, tha Stoltenberg.

    Stoltenberg mbërriti në Beograd pas një vizite që pati të hënën në Prishtinë, ku theksoi se aleanca ushtarake po e shqyrton mundësinë nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës në shtator.

    NATO-ja i ka shtuar 1.000 trupa në misionin e saj paqeruajtës – KFOR – pas dhunës së shtatorit, që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës.

    Ngjashëm si në Prishtinë, edhe në Beograd, Stoltenberg e përsëriti se përgjegjësit e sulmit të 24 shtatorit – për të cilin Kosova e fajëson Serbinë e cila i mohon akuzat – duhet të sillen para drejtësisë./REL/

  • Sulmi në Banjskë, shtimi i trupave e shqetësimi për zgjerim të konflikteve në rajon, çka tha shefi i NATO-s në Prishtinë

    Sulmi në Banjskë, shtimi i trupave e shqetësimi për zgjerim të konflikteve në rajon, çka tha shefi i NATO-s në Prishtinë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dje nuk ka dhënë shumë shpresa për anëtarësim të Kosovës në strukturat e aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, NATO, duke nisur nga Partneriteti për Paqe.

    Për këtë, sekretari i NATO-s tha se nevojiten votat e të gjithë anëtarëve.
    “Anëtarësimi në programimin për Partneritet për Paqe kërkon vota unanime nga të gjitha shtete anëtare. Nevojitet vendimi i të gjitha aleatëve nuk e di kur mund të merret një vendim i tillë”, u shpreh Stoltenberg, teksa foli sërish për sulmin në Banjskë. Për këtë, tha se do të bisedojë nesër me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    “Dhuna që e kemi parë në Banjskë kjo është arsyeja pse kemi rritur praninë tonë dhe që është vendosja me e madhe e KFOR për një dekadë. NATO nuk është institucion i zbatimit të ligjit për këtë arsye është Policia dhe EULEX. Këtë shqetësim do ta ngris nesër në Beograd dhe ata që qëndrojnë prapa sulmit të mbahen përgjegjës. Po e rishikojmë nëse duhet të ketë një rritje të përhershme të ushtarëve të NTAO-s në Kosovë”, tha ai.

  • Zjarr në zyrat e Mjekësisë Ligjore

    Zjarr në zyrat e Mjekësisë Ligjore

    Një zjarr i madh i ka përfshirë disa zyre të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës në Prishtinë mëngjesin e së martës.

    Zjarrfikësit dhe Policia janë parë në vendin e ngjarjes duke punuar për ta shuar zjarrin.

    Nuk dihet se çfarë mund ta ketë shkaktuar zjarrin në ndërtesën e këtij Instituti.

  • Kuvendi të enjten shqyrton gjetjet e raportit për Kosovën

    Kuvendi të enjten shqyrton gjetjet e raportit për Kosovën

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Dy javë pas publikimit të Raportit të Progresit, deputetët e opozitës kanë kërkuar që të enjten, në seancë plenare të diskutohet për të.

    Pas mbledhjes së kryesisë, shefat e grupeve parlamentare të opozitës, theksuan se edhe ata mund të kontribuojnë në politika që ndihmojnë reformën evropiane.

    “Mendoj që diskutimi është i rëndësishëm dhe të japim kontributin tonë si parti politike, lidhur me reformën evropiane. Ju e dini që ky Raport ka evidentuar një sërë gjetjesh në shumë fusha dhe mendoj që është e rëndësishme që të diskutohen këto gjetje”, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

    “Të enjten do të diskutohet për raportin e progresit. Ne si opozitë kërkuam që të trajtohet raporti për Kosovën nga Bashkimi Evropian, për shkak që ky raport ka adresuar një mori problemesh dhe çështje që Qeveria e Kosovës nuk ka arritur t’i adresojë”, tha shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

    Përveç diskutimit për raportin e Progresit për Kosovën, në rend dite do të jetë edhe votimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare.

    “Ndër pikat e para që do të diskutohet është raporti i progresit dhe gjetjet e Bashkimit Evropian lidhur me gjetjet e progresit të Kosovës si dhe votimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare të cilat janë tash e sa muaj në Kuvend për të cilat nuk po gjendet assesi konsensus i kalimit të tyre. LDK-ja qëndrimin e ka që i voton dhe i ka votuar”, tha shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

    Për Marrëveshjet Ndërkombëtare foli edhe deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja. Ai kërkoi nga opozita që këto marrëveshje të votohen.

    “Të enjten në kuvend do të diskutohet për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, andaj ne shfrytëzojmë rastin si mazhorancë që t’u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve, posaçërisht partive opozitare që të njëjtat të votohen, gjithashtu është vendosur të diskutohet për raportin e progresit dhe planin ndërkombëtar të shkencës”, tha deputeti i LV-së, Armend Muja.

    Ndërsa, duke folur për dialogun dhe transparencën e kryeministrit Albin Kurti, deputetët e opozitës thanë se fatkeqësisht Kuvendi është i injoruar dhe në terr informativ. Po ashtu, ata kanë kërkuar nga Kurti të jetë më i kujdesshëm në raport me Veriun dhe të mos ngjallë panik te qytetarët.

  • “Beteja” mes ministres Haxhiu dhe prokurorisë speciale

    “Beteja” mes ministres Haxhiu dhe prokurorisë speciale

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Një postim në Facebook, u bë shkas që Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, të merret në pyetje nga zyrtarët hetimorë në lidhje me rastin e vdekjes së Astrit Deharit, në burgun e Prizrenit 7 vjet më parë.

    Haxhiu kishte fajësuar prokurorinë për mosveprim, pasi, sipas saj, ka prova të mjaftueshme për zbardhje të rastit. Andaj këto prova edhe iu kërkuan të hënën gjatë intervistimit.

    Emër jo, veçse prova të tjera tha se u dhanë mjaftueshëm.

    Andaj, sipas Haxhiut, edhe prokurori i rastit veproi në hakmarrje, teksa ngriti disa pikëpyetje.

    Deklaratat e ministres Haxhiu, sipas Gëzim Shalës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, paraqesin ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

    Sidoqoftë, Haxhiu kërkoi që prokurori i rastit Afrim Shefkiu t’ia dorëzojë rastin dikujt tjetër e drejtësia të bjerë në vend.

    Për vdekjen e ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, u thanë versione të ndryshme, por tash e 7 vjet vdekja e tij mbetet enigmë.

  • Kërkohet zbatimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë

    Kërkohet zbatimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i ka bërë thirrje Kosovës që të bëjë edhe më tej përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë, duke shtuar se ajo ka qenë e përkushtuar “në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

    Në një takim në Komisionin për Integrim Evropian, Rohde ka thënë se sfiduese për Kosovën mbetet lufta ndaj korrupsionit, reforma e administratës publike dhe sundimi i ligjit.

    “Kosova ka mbetur e përkushtuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, por duhet akoma përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura”. “Raporti për Kosovën duhet të shihet që të na kujtojë të gjithëve se cilat reforma duhet të bëhen që Kosova të avancojë në qëllimin e saj që të bëhet anëtare e BE-së. Reformat nuk duhet bërë vetëm nga Qeveria, por edhe nga Kuvendi. Sot që jemi këtu, dua të shpreh zhgënjimin për mungesën e bashkëpunimit me partitë politike dhe mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtarëve, ku do të jepeshin mbi 400 milionë euro”, tha Rohde.

    Rezultate në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, kërkoi edhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

    “…Kemi parë rezultate të mira në Kosovë, ka nivel të arritjes në disa fusha, krahasuar në disa të tjera. Raporti është rezultat i konsultimeve shumë të komplikuara. Nga perspektiva jonë, procesi është shumë i qartë. Është me unanimitet të punojmë së bashku rreth asaj se si të arrihet ky unanimitet për rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe këtu duhet të them që arritja e progresit në dialog është substancial”, tha Szunyog.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se BE-ja duhet sa më parë t’i largojë masat ndëshkuese karshi Kosovës. Ai, po ashtu, e cilësoi të padrejtë mosdhënien e statutit të vendit kandidat për BE, Kosovës.

    “Për këtë status nuk ka nevojë për njohjen nga pesë vendet mosnjohëse… Vonesat në trajtimin e aplikimit po i shtojnë zërat skeptikë. Masat negative të BE-së janë ende në fuqi dhe besojmë që prezenca e këtyre masave ka ndikuar në vlerësimin që është bërë në raport. Masat që janë ende në fuqi bien ndesh me përpjekjen e rajonit për integrim në BE. Është shumë e rëndësishme që BE-ja t’i heqë sa më shpejt këto masa”, ka thënë Bislimi.

    Komisioni Evropian në raportin e fundit për Kosovën të publikuar më 8 Nëntor, tha se vendi ka shënuar progres të kufizuar në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.