Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që të themelohet një Komision hetimor në lidhje me zjarrin Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Kështu ka thënë ajo duke shtuar se krimi është aq i madh në këtë institucion, sa që sipas saj, vetëm përmes një Komisioni hetimor do të mund të bëhej zbardhja e tyre, raporton Ekonomia Online.
“Kuptova që u përmend zjarri në IML dhe ndoshta janë të rralla kur hetimet preliminare thonë se zjarri ka ndodhur për shkak të defektit energjetik por duket e pabesueshme”.
“Jo rrallë herë IML është përballur me skandale të shumta kur vrasjet janë bërë vetëvrasje e kur vetëvrasjet janë bërë vrasje e kështu më radhë”.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që ta aprovojnë një rezolutë me të cilën do t’i kërkohej qeverisë ta paraqesë kërkesën për anëtarësim në NATO.
Sipas tij, deputetët duhet të ndërmarrin vendime për ta ndihmuar sigurinë e vendit, raporton EO.
“Ne mund ta aprovojmë një rezolutë dhe t’i kërkojmë qeverisë që ta bëjë kërkesën për anëtarësim në NATO”.
“Duhet të krijohet një komision parlamentar për NATO-n dhe një agjendë parlamentare për me i bindë vendet skeptike që të ecim përpara”.
Presidentja e Kosovës, me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka udhëtuar për në Tiranë ku do të marrë pjesë në Samitin III për Diasporë.
Në këtë Samit, pritet të marrin pjesë liderë institucionesh, partish politike, studiues dhe historianë nga gjithë hapësira shqiptare, duke përfshirë edhe përfaqësues dhe figura të njohura të komunitetit arbëresh.
Presidentja Osmani në Samitin III për Diasporën, do t’i adresohet të pranishmëve me një fjalim.
Samiti III për Diasporën do t`i zhvillojë punimet më 22-23 nëntor.
Sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj Pjetës Shalës në Gjykatën Speciale në Hagë.
Seanca nis në orën 09:30 dhe pritet të përfundojë rreth orës 16:00.
Sipas aktakuzës, Pjetër Shala ishte anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’) i stacionuar në Kukës, Shqipëri.
Ai akuzohet për krime të luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.
Krimet për të cilat akuzohet Shala dyshohet se u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së. Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime.
Të mërkurën një grabitje e armatosur ka ndodhur në një argjendari në Suharekë rreth orës 15:45, ku si pasojë një polic u plagos dhe një tjetër u lëndua gjatë aksionit.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje të rastit, duke njoftuar se me të marr informatën për një rast grabitje e armatosur”, patrulla më e afërt është nisur në atë drejtim, duke mbërri shumë shpejt në vendin e ngjarjes.
“Të dyshuarit ishin të maskuar dhe të armatosur. Posa patrulla policore ka mbërri në vendin e ngjarjes të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë, me atë rast një zyrtar policor është plagosur lehtë nga arma e zjarrit, ndërsa një tjetër zyrtar policor është lënduar gjatë aksionit”, thuhet në njoftim.
Policia njofton se ndërkohë kanë mbërri në vendin e ngjarjes edhe përforcime të tjera policore dhe se nga të dhënat e para dyshohet se ishin katër të dyshuar.
“Të dyshuarit janë larguar nga vendi dhe policët iu janë vënë pas, gjatë rrugës të dyshuarit kanë vendosur pengesa të ndryshme dhe kanë arrit që të arratisën”, vijon njoftimi i Policisë së Kosovës.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren në bashkëpunim edhe me drejtoritë tjera rajonale thonë se janë angazhuar me tërë kapacitetin e tyre për zbardhjen e rastit konkretisht identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
“Ftojmë gjithashtu të gjithë qytetarët që kanë çfarëdo informacioni që mund të na ndihmon në kapjen e kryesve të këtij rasti të kontaktojnë policinë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Drejtori i Policisë në Prizren, Faton Aliu, ka dhënë detaje shtesë në lidhje me grabitjen e armatosur në Suharekë.
Ai ka bërë të ditur se nga ky incident përveç një polici të plagosur, ka mbetur edhe një tjetër i lënduar.
“Grabitësit kanë plagosur një polic. Kanë dëmtuar veturën e Policisë. Kanë arritur të marrin një sasi të arit në argjendari, pronari i lokalit nuk është i lënduar. Në këtë rast ka pasur shkëmbim zjarri në mes Policisë e grabitësve, edhe një polic që ka gjuajtur në drejtim të grabitësve është i lënduar në krah, por jo si pasojë e armës së zjarrit”, ka thënë Aliu.
Ai ka thënë se të dyshuarit kanë qenë të maskuar, kanë pasur armë të gjata me vete dhe një veturë hiri që rezulton të jetë me targa të vjedhura.
“Janë katër persona të dyshuar që ishin të pajisur me arma të gjata, vetura ngjyrë hiri, me targa 01, që ka rezultuar të jetë e vjedhur diku në Prishtinë. Nuk kemi identitet të tyre ende”, ka vijuar ai.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka takuar ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se në takim Osmani dhe Hovenier kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend e rajon, procesin e dialogut dhe situatën e sigurisë në vend.
Në njoftim po ashtu thuhet se presidentja Osmani nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të, për të fuqizuar prezencën e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend e rajon, procesin e dialogut dhe situatën e sigurisë në vend. Presidentja Osmani nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të për të fuqizuar prezencën e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Kur u shtua interesimi i qytetarëve të komunitetit serb për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës, Komisioni Evropian doli me një propozim të ri.
Propozimi që udhëtimi në zonën Schengen me pasaporta të Zyrës Koordinuese të Ministrisë së Brendshme të Serbisë të lejohet, nga serbët e veriut po konsiderohet si veprim pozitiv.
Kritikat se kjo është shkelje e sovranitetit dhe ndikon në integrimin e serbëve, i kundërshtojnë organizatat e shoqërisë civile në Mitrovicë të Veriut.
“Shumë shqiptarë mendojnë se do të ndalojë integrimin e serbëve, por tashmë shumë qytetarë serbë kanë tashmë letërnjoftimin e Republikës së Kosovës, dhe në një mënyrë apo tjetrën disi qytetarët serbë janë të integruar në sistemin kosovar, dhe është e drejta e tyre e zgjedhjes nëse do…”, tha Aleksandar Sljuka nga Iniciativa e Re Sociale.
Ata thonë se qytetarët serbë po hasin në vështirësi gjatë procedurës për marrjen e nënshtetësisë kosovare.
“Duhet të kemi parasysh se shumë qytetarë tanë në veri kanë probleme ta marrin nënshtetësinë kosovare, andaj nëse do të rregullohej kjo çështje do të ishte shumë mirë. Që nga viti 2009 serbët që jetojnë në Kosovë dhe kanë pasaportat e Zyrës, nuk kanë të drejtë lëvizjeje të lirë, andaj peticioni i disa OJQ-ve të Kosovës ishte diskriminues. Mungonte shumë sensibilitet ndaj serbëve dhe e njëjta vlen edhe për Qeverinë. Ne konsiderojmë se do të duhej shfrytëzuar të gjitha përparësitë që serbët në Kosovë i kanë bazuar në ligj përfshirë edhe dyshtetësinë”, tha Stefan Veljkoviq nga Partia Demokratike Serbe.
Por disa qytetarë ende nuk janë përcaktuar.
Të martën, 21 organizata të shoqërisë civile përmes një letre dërguar Komisionit Evropian, kanë kërkuar që ky propozim të tërhiqet. Ndaj këtij propozimi reagoi edhe zv.kryeministri Besnik Bislimi, duke thënë se ai u bë pa u konsultuar me Qeverinë, si dhe paraqet shkelje të sovranitetit.
Vetëm në tre muajt e fundit, me pasaporta të Kosovës janë pajisur mbi 500 qytetarë të katër komunave të banuara me shumicë serbe.
Pas shkrepjes së kësaj fotografie, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, iu bashkua në një takim udhëheqësve të katër shteteve anëtare të NATO-s, nga Ballkani Perëndimor.
Stoltenberg bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, atë maqedonas, Dimitar Kovaçevski, Zoran Millanoviq nga Kroacia dhe kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, diskutuan gjerë e gjatë për situatën e sigurisë në Ballkan.
Ndonëse, situatën e sigurisë në rajon e vlerësoi të brishtë, Stoltenberg përjashtoi mundësinë e një kërcënimi ushtarak.
“Ky rajon është shumë i rëndësishëm për NATO-n dhe ka arsye për brengosje. Shohim kërcënime për ndarje në Bosnjë e Hercegovinë, gjendje të brishtë të sigurisë në Kosovë dhe ngecje të bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës. Ndërkaq, shtete autoritare si Rusia po rrezikojnë integritetin demokratik me kërcënime kibernetike”, tha Stoltenberg.
Meqë një ditë më parë në Beograd, shefi i NATO-s kishte kritikuar presidentin e Serbisë për grumbullimin e forcave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, Edi Rama kishte një propozim.
“Theksova edhe sot, në këtë takim, domosdoshmërinë e rritjes së numrit të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për ta garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili në shërbim të aktiviteteve ilegale, të trafikut të armëve, të drogës, të aktiviteteve të cilat më pastaj ngatërrohen edhe me aktivitetin politik, me sfonde ultranacionaliste, që shkakton devijime të rënda, siç ishte devijimi në Banjskë”, tha Rama.
Por, për rrugën drejt paqes, sipas Stoltenbergut, i nevojshëm është themelimi i Asociacionit.
“Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është thelbësor në rrugën e tyre drejt paqes dhe prosperitetit. Propozimet e fundit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë mund të jetë hap me rëndësi përpara. Është koha që të kapërcehen konfliktet rajonale”, tha Stoltenberg.
Vizita e Stoltenbergut në Shkup ishte e fundit në kuadër të turneut ballkanik, me ç’rast vizitoi edhe Kosovën.
Qeveria i shkeli dy ligje kur i propozoi Kuvendit shkarkimin e një prej anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, për shkak të tenderit për Insulina të Ministrisë së Shëndetësisë.
Shkarkimi i Kimete Gashit, u bë pa ndonjë vendim nga gjykata kompetente, siç e kërkon ligji mbi të cilin është krijuar “Gjykata e Tenderëve”.
“Procedura e shkarkimit të anëtarit të fundit del të jetë e pazakontë, ngase as ligji sektorial pra LPP-ja në kuadër të të cilit funksionon OSHP-ja e as ligji që përcakton mënyrë e funksionimit të kësaj agjencie nuk e parashohin një procedurë të tillë të shkarkimit”, tha Dardan Gashi nga Demokraci Plus.
“LPP-ja si ligj themelues nuk ia njeh Qeverisë të drejtën e shkarkimit të anëtareve të KRPP-së ose në këtë rast OSHP-së, me anë të një vendimi, por parasheh që çështjen mund ta dërgojnë në gjykatën kompetente”, tha Ardit Gashi nga Demokracia Plus.
Teksa ligjshmëria e vendimit për shkarkimin e Kimete Gashit, është duke u trajtuar në Gjykatën Kushtetuese, bordi i OSHP-së mbeti me vetëm 3 anëtarë pas dorëheqjes së Agon Ramadanit.
Për shkak të vonesave në trajtimin e ankesave qindra miliona euro kanë mbetur të bllokuara.
Ditë më parë, ATV-ja raportoi se tenderi i Ministrisë së Shëndetësisë për ndërtimin e QKMF-së në Drenas, në vlerë prej 3 milionë eurosh, është duke u trajtuar në OSHP.
Ndryshe, Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte mbetur pa bord për një periudhë kohore prej afërsisht 15 muaj. Bordi i ri ishte emëruar nga Kuvendi në qershor të vitit të kaluar.
Policia e Kosovës ka dalur me njoftim për grabitjen e armatosur në një argjendari sot në orën 15:45 në rrugën “Brigada 123” në Suharekë.
Të dyshuarit kanë qenë të maskuar dhe të armatosur si dhe gjatë rrugës kanë vendosur pengesa të ndryshme, duke arritur të arratisen.
Tutje sipas njoftimit të Policisë të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë, “me atë rast një zyrtar policor është plagosur lehtë nga arma e zjarrit, ndërsa një tjetër zyrtar policor është lënduar gjatë aksionit.
Gjithashtu, Policia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarët që kanë çfardo informacioni lidhur me të dyshuarit të kontaktojnë policinë.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Sot me datë 22.11.2023 rreth orës 15:45 policia është njoftuar për një rast “Grabitje e armatosur”, që ishtë në zhvillim e sipër në një argjentari , në rrugën Brigada 123, në Suharekë.
Policia me të marr informatën, konkretishtë patrulla më e afërt është nisur në atë drejtim, policia ka mbërri shumë shpejt dhe grabitësit i ka hasur në vendin e ngjarjes.
Të dyshuarit ishin të maskuar dhe të armatosur, posa patrulla policore ka mbërri në vend ngjarje të dyshuarit kanë shtën me armë zjarri në drejtim të policisë, me atë rast një zyrtar policor është plagosur lehtë nga arma e zjarrit ,ndërsa një tjetër zyrtar policor është lënduar gjatë aksionit.
Në ndërkohë kanë mbërri edhe përforicime të tjera policore, nga të dhënat e para dyshohet se ishin katër të dyshuar.
Të dyshuarit janë larguar nga vendi dhe policët iu janë vënë pas, gjatë rrugës të dyshuarit kanë vendosur pengesa të ndryshme dhe kanë arrit që të arratisën.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren në bashkëpunim edhe me Drejtorit tjera Rajonale janë angazhuar me tërë kapacitetin e tyre për zbardhjen e rastit konkrteisht identifikimin , lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
Ftojm gjithashtu të gjithë qytetarët që kanë çfardo informacioni që mund të na ndihmon në kapjen e kryesve të këtij rasti të kontaktojn policinë.
Policia në përgjithësi edhe në Prizren në veqanti vazhdon të jetë e përkushtuar për të ofruar ndihmë, rend dhe siguri për të gjithë qytetarët.
Pamje si në filma! Hajnat plaçkisin një argjendari dhe gjuhen me armë me policinë