ATV

Tag: Ballina

  • Haradinaj falënderon Kurtin që nuk e ftoi AAK-në në takime për presidentin

    Haradinaj falënderon Kurtin që nuk e ftoi AAK-në në takime për presidentin

    Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mënyrën e zgjedhjes së presidentit, që në fund dështoi dhe çoi vendin në zgjedhje.

    Në Debat Plus, Haradinaj tha se e falënderon publikisht Kurtin që nuk i ka përfshirë në takime, duke shtuar se, sipas tij, këto diskutime nuk kanë pasur përmbajtje reale.

    “E falënderojmë Albin Kurtin publikisht që nuk ka bërë pjesë të këtyre debateve. Sepse epo dihet që edhe beteja e fundit, në foltore, si një tip tubimi elektoral se në Parlament. U pa që ky po mundohet ta hedhë fajin tek subjektet opozitare. Nuk qëndron ky fakt. Asnjëri nga emrat që i ka nominuar (për president) nuk i ka negociuar me deputetët…

    E kemi pasur qëndrimin publik ë nuk i shkojmë në takim. Nuk kemi nevojë me shku sepse nuk ka diskutime përmbajtësore…”, ka thënë Haradinaj.

  • Tre kongresistë amerikanë paraqesin rezolutë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Tre kongresistë amerikanë paraqesin rezolutë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Kongresmeni amerikan, Keith Self, së bashku me dy të tjerë, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për të shprehur mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.

    Në rezolutë përmenden disa prej arsyeve që Kosova meriton anëtarësimin në NATO.

    “Për më tepër, ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, shtimi i Kosovës në aleancën e NATO do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për t’i dekurajuar përpjekje të tilla armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”, thuhet në rezolutë.

    Katër shtete anëtare të NATO-s , Greqia, Rumania, Sllovakia e Spanja, ende nuk e kanë njohur Kosovën shtet.

    Rezoluta bën thirrje këtyre katër aleatëve t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre, duke theksuar se njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për ta zhbllokuar rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe për të mbyllur një boshllëk strategjik në Evropën Juglindore që kundërshtarët kërkojnë ta shfrytëzojnë.

    “Kosova ka demonstruar një përkushtim të qartë ndaj stabilitetit rajonal dhe përafrimit strategjik me vendet e NATO, por progresi i saj drejt anëtarësimit në aleancë po pengohet nga mungesa e njohjes nga një numër i vogël aleatësh,”, ka th՞në kongresisti Self.

    Ai ka shtuar se shtimi i Kosovës në aleancë është thelbësor për ta kundërshtuar ndikimin në rritje të kundërshtarëve në Evropë.

    “Shtetet e Bashkuara duhet t’i inkurajojnë Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të sigurojnë që Kosova të ketë një rrugë të besueshme dhe të arritshme drejt anëtarësimit”, ka thënë ai.

    Në rezolutë thuhet se shtimi i Kosovës në aleancën e NATO është thelbësor për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare të Shtetet e Bashkuara në Evropën Juglindore.

  • Zyrtare: Zgjedhjet e parakohshme mbahen më 7 qershor

    Zyrtare: Zgjedhjet e parakohshme mbahen më 7 qershor

    Pas takimit konsultativ me partitë politike, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, njoftoi se 7 qershori është vendosur zyrtarisht si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

    “Sot bazuar në Ligjin për zgjedhjet, përmbylla takimin me përfaqësues të subjekteve politike. Pas vlerësimit të afatave kushtetuese, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme të mbahen me 7 qershor”, tha Haxhiu.

  • Raporti i ekspertëve britanik konfirmon shqetësimet për funksionimin e Speciales

    Raporti i ekspertëve britanik konfirmon shqetësimet për funksionimin e Speciales

    Shqetësime serioze lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ka konstatuar edhe raporti preliminar i një autoriteti të pavarur ndërkombëtar, raporton KosovaPress.

    Ky raport evidenton shqetësime serioze lidhur me “kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimet e komunikimeve familjare por edhe ato profesionale me ekipet e mbrojtjes”.

    Kështu ka njoftuar Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i cili bëri të ditur se ky raporti i “Bar Human Rights Committee of England & Ëales” konfirmon edhe shqetësimet e ngritura më parë nga vet Institucioni i Avokatit të Popullit.

    Sa i përket çështjes së paraburgimit dhe kufizimit të të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, raporti evidenton shqetësime serioze lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimet e komunikimeve familjare por edhe ato profesionale me ekipet e mbrojtjes. Dhe për më tepër, raporti konstaton se lirimi në Holandë ku zhvillohet procedura penale nuk është i mundur. Duke krijuar një pengesë strukturore që rëndon pozitën e të akuzuarve. Pra, edhe fakti që deri më sot ka pasur shumë pak lirime të parakohshme edhe pse kanë kaluar disa vite nga fillimi i procesit dhe nga momenti kur janë paraburgosur personat që janë atje, le të kuptosh që një pretendim i tillë jo vetëm që mund të ngritet si shqetësim por edhe mund të evidentohet si fakt konkret”, ka deklaruar ai.

  • BE: Keqardhje që partitë në Kosovë s’gjetën një figurë unifikuese për president

    BE: Keqardhje që partitë në Kosovë s’gjetën një figurë unifikuese për president

    Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që partitë politike në Kosovë nuk identifikuan një figurë unifikuese për kandidat për president të vendit, duke bërë që shteti të organizojë zgjedhjet e treta në më pak se një vit e gjysmë.

    Një zëdhënës i BE-së i tha Radios Evropa e Lirë se blloku evropian vazhdimisht u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të sigurojnë stabilitet institucional.

    “Është urgjente për Kosovën që të forcojë dialogun ndërpartiak për të siguruar funksionimin efikas të institucioneve dhe për të mos humbur mundësi që u sjellin përfitime qytetarëve, përfshirë ato nga Plani i Rritjes”, tha zëdhënësi.

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan që të zgjedhin një president të ri të vendit brenda afatit kushtetues dhe, në bazë të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi u shpërnda më 28 prill.

    Tani, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, pas takimitme partitë politike – që do të mbahet sot – do të duhet të shpallë datën e zgjedhjeve, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

    Janë vetëm dy data kur mund të mbahen zgjedhjet: 31 maj dhe 7 qershor.

    Natën e 27 prillit, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet tërhoqi dy kandidaturat partiake, përkatësisht emrin e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakut, dhe më pak se një orë më vonë prezantoi dy kandidate për presidente, që të dyja aktiviste për të drejtat e njeriut: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

    Por, partitë opozitare nuk morën pjesë në seancën plenare që nisi mbrëmjen e 27 prillit dhe përfundoi mesnatën e 28 prillit – kur ishte edhe afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.

    Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka thënë se ka bërë përpjekje për marrëveshje me partitë opozitare, por pa rezultat.

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar të propozojë vetë kandidatin për president, ndërsa është kritikuar nga LVV-ja për mungesë transparence.

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në anën tjetër, ka kundërshtuar idenë që një parti – në këtë rast LVV – t’i kontrollojë tri institucionet kryesore të shtetit: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.

    Kurti ka thënë se i ka ofruar LDK-së pjesëmarrje në Qeveri ose postin e kryeparlamentarit, por oferta është refuzuar. Një ofertë e ngjashme iu bë edhe PDK-së, por lideri i saj, Bedri Hamza, e cilësoi si joserioze, duke thënë se nuk kishte pasur ftesë zyrtare për takim.

    Më pas, Kurti u ka kërkuar PDK-së dhe LDK-së të propozojnë tre emra jopartiakë për president, duke ofruar mbështetjen e LVV-së, por opozita e ka refuzuar edhe këtë ide, duke e cilësuar si joserioze dhe të papranueshme.

    Afati i 28 prillit erdhi pasi më 5 mars, LVV-ja nisi seancën për votimin e Konjufcës dhe Kollçakut, por e ndërpreu atë për shkak të mungesës së kuorumit.

    Një ditë më pas, ish-presidentja Vjosa Osmani shpalli një dekret për zgjedhjet e reja. Por, vendimi u dërgua në Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës. Gjykata më e lartë në vend tha se deputetët kishin afat 34 ditë që të zgjidhnin një pasues të Osmanit.

    Osmani e përfundoi mandatin pesëvjeçar më 4 prill dhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, sipas Kushtetutës, mori postin e ushtrueses së detyrës së presidentit.

    Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mbahet.

  • Vdes një punëtor në Gjakovë, u godit aksidentalisht nga një kamion

    Vdes një punëtor në Gjakovë, u godit aksidentalisht nga një kamion

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 09:55 në fshatin Meqë të Gjakovës, ku dyshohet se një punëtor ka vdekur pasi është goditur nga një kamion.

    Lajmin e ka konfirmuar Vlera Krasniqi, zëdhënëse e policisë për rajonin e Gjakovës.

    “Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se gjatë procesit të punës, shoferi i një mjeti transportues (kamion) ka humbur kontrollin mbi mjetin, me ç’rast kamioni ka rrëshqitur. Si pasojë e kësaj lëvizjeje, një punëtor (mashkull i moshës madhore), i cili ndodhej në afërsi të mjetit, ka mbetur i bllokuar nën të”, deklaroi Krasniqi.

    Tutje, ajo bëri me dije se në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitë relevante të Policisë, ekipi i zjarrfikësve dhe ndihma e shpejtë, por që personi në fjalë veçse kishte vdekur.

    “Pas intervenimit, mjeku përgjegjës ka konstatuar se personi i zënë nën mjet ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin po ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm nga Policia për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje”, theksoi ajo.

  • Kurti kërkon më shumë angazhim nga institucionet e drejtësisë për të siguruar drejtësi për viktimat

    Kurti kërkon më shumë angazhim nga institucionet e drejtësisë për të siguruar drejtësi për viktimat

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Shtuticë të Drenicës, duke theksuar se shteti i Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të luftës, raporton Ekonomia Online.

    Ai tha se, me gjithë përparimet në ndjekjen e krimeve të luftës, nevojitet më shumë angazhim nga institucionet e drejtësisë për të siguruar drejtësi për viktimat.

    “Në Shtuticë e Vërboc, në Gllobar e Baks, në fshatra të ndryshme të Drenicës, në secilën prej tyre para 27 vjetëve ranë dhjetëra martirë e dëshmorë të kombit. Dhe siç thuhet edhe në këtë memorial, gjaku i tyre është shndërruar në dritën e lirisë që na e ndriçon rrugën përpara, na e përkujton prej nga vijmë dhe në këtë mënyrë jemi të sigurt se ku shkojmë. Republika e Kosovës, demokratike e pavarur, shtet i orientuar kah Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, i ka rrënjët e lirisë së saj dhe themelet e sistemit të institucioneve në gjakun e këtyre dëshmorëve dhe martirëve. Pas 27 vjetëve, shumë kriminelë serbë po arrestohen ose po gjykohen në mungesë, dhe ka përparime sa i përket edhe zbardhjes së fatit të të pagjeturve, të zhdukurve me dhunë, por edhe sa i përket ndëshkimit të kriminelëve të Serbisë”, tha ai.

    Kurti kërkoi veprime më të shpejta nga prokuroria dhe gjyqësori për shkak të kalimit të kohës dhe humbjes së dëshmitarëve.

    “Duhet të bëhet më shumë nga prokuroria dhe gjyqësori, duhet të veprohet më shpejt nga prokuroria dhe gjyqësori, për shkak se një mend dëshmitë materiale janë këtu, mirëpo në anën tjetër dëshmitarët po plaken, shumë prej tyre edhe po ndërrojnë jetë. Prandaj na duhet që të nxitohemi, që të kemi sa më shumë drejtësi për viktimat tona”, tha ai.

    Ai shtoi se Kosova sot është më e fortë në aspektin e sigurisë dhe institucioneve, duke garantuar se krime të tilla nuk do të përsëriten më.

    “Në anën tjetër, Kosova është më e fortë se kurrë. Ushtria dhe policia, edhe për nga aftësitë, edhe për nga madhësia, janë në nivele të larta, dhe kurrë më askush nuk guxon që të na e mësyjë, për të vrarë pleq e fëmijë, gra e burra, të reja e të rinj, siç është bërë në luftën e fundit në Kosovë. Dëshmorët e martirët e kombit, ne i përkujtojmë përherë dhe do t’i kujtojmë përgjithmonë. Njëkohësisht nuk harrojmë se gjenocidi i Serbisë i viteve 1998-1999, është gjenocidi i katërt dhe i fundit i Serbisë. Republika e Kosovës, dinjitetin e sovranitetin, socio-ekonominë, integritetin territorial e institucional, forcën e sigurisë dhe policinë, i ka në nivele gjithnjë e më të larta, dhe një përparim i një ngritje e tillë vetëm sa do të vazhdojë në javët, muajt dhe vitet në vijim”, tha ai.

  • Lushaku-Sadriu: Nuk ka dorëheqje nga LDK, por vetëm një të vërtetë – bashkimi i së djathtës po bëhet

    Lushaku-Sadriu: Nuk ka dorëheqje nga LDK, por vetëm një të vërtetë – bashkimi i së djathtës po bëhet

    Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka njoftuar se një fushatë e paturpshme ka nisur në mesnatën e mbrëmshme kundër partisë ku ajo vepron.

    Përmes një postimi në Facebook, Lushaku-Sadriu hodhi poshtë pretendimet se ka dorëheqje brenda LDK-së, duke theksuar se ka vëtëm një të vërtetë, e që sipas saj është bashkimi i së djathtës.

    “Fabrikim i posterëve në gjuhë serbe, fabrikim i dorëheqjeve e fyerje me mesazhe intimiduese ndaj anëtarëve të LDK-së. Krejt kjo është dëshmi e frikës së madhe që ekziston nga bashkimi i së djathtës rreth LDK-së e rritja potenciale e saj. Kur nuk kanë argumente, shpifin, dhe kur nuk kanë mbështetje, fabrikojnë përçarje që nuk ekzistojnë. Nuk ka dorëheqje nga LDK, por ka vetëm një të vërtetë që i tremb: bashkimi i së djathtës po bëhet realitet”, ka shkruar ajo.

    Ndër të tjera, Lushaku-Sadriu thotë se ata që e sollën vendin në kriza politike, në panik, sipas saj po tentojnë ta mbulojnë dështimin me propagandë të ultë.

    “Kosova ka nevojë për një bashkim të së djathtës; një vizioni zhvillimor e patriotik; një shpëtim të vendit tonë nga krizat!  Prandaj sa më shumë sulme, aq më i madh bashkimi”.

  • Pretendime për dorëheqje në LDK, reagojnë zyrtarët e kësaj partie: Janë “fake news”

    Pretendime për dorëheqje në LDK, reagojnë zyrtarët e kësaj partie: Janë “fake news”

    Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit dhe shkuarjes në zgjedhje, janë raportuar për disa dorëheqje nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

    Por këto pretendime janë mohuar nga vetë përfaqësues të partisë dhe figura të saj, të cilat janë cilësuar si të pavërteta

    Në mesin e personave që u raportua se janë dorëhequr nga LDK ishin Gazmend Muhaxheri e Kujtim Shala.

    Mirëpo një gjë të tillë e ka mohuar Kujtim Shala. Ai ka hedhur poshtë informacionet që qarkullonin duke theksuar se mbetet pjesë e subjektit politik.

    Ndërkohë edhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi ka reaguar ndaj këtyre raportimeve duke i cilësuar si “lajme të rreme”, dhe duke theksuar se nuk ka ndarje dhe se në LDK po ndodh një bashkim më i gjerë i së djathtës.

    “FAKE NEWS – Ndarje e Kuvende të reja në LDK, FACT- Bashkimi i madh i së djathtës po ndodh”, ka shkruar Rukiqi.

  • Komunat në kolaps financiar: Mbi 344 milionë euro të humbura dhe 20 milionë të tjera në rrezik nga moszbatimi i vendimit të GjK

    Komunat në kolaps financiar: Mbi 344 milionë euro të humbura dhe 20 milionë të tjera në rrezik nga moszbatimi i vendimit të GjK

    Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka paralajmëruar për një rëndim serioz të situatës financiare të komunave në vend. Sipas tij, mbi 344 milionë euro u janë marrë komunave përmes vendimeve gjyqësore gjatë periudhës 2022–2026, ku shumica lidhet me kontratën kolektive, ndërsa vetëm në muajt e parë të vitit 2026 janë ekzekutuar rreth 55 milionë euro.

    Ibrahimi thekson se barrës ekzistuese po i shtohet edhe një kosto e re prej 15–20 milionë eurosh, si pasojë e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga Ministria e Financave për shtesën e përvojës së punës (0.5% në vend të 0.25%) për vitet 2023–2025.

    “Përveç faktit që komunave të Kosovës tashmë u janë marrë mbi 344 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore në periudhën 2022–2026 (ku shumica dërrmuese lidhet me kontratën kolektive), dhe vetëm në muajt e parë të vitit 2026 janë ekzekutuar rreth 55 milionë euro, situata financiare po rëndohet edhe më tej me një barrë të re prej 15–20 milionë eurosh. Kjo barrë shtesë vjen si pasojë e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nga ana e Ministrit Hekuran Murati dhe Ministrisë së Financave, lidhur me përllogaritjen e shtesës për përvojën e punës (0.5% në vend të 0.25%) për periudhën 2023–2025”, tha Ibrahimi për Periskopi.

    Ai vlerëson se komunat po përballen me presion të trefishtë financiar, që po ndikon negativisht në buxhetet dhe investimet kapitale, ndërsa përgjegjësia për këtë situatë, sipas tij, i takon nivelit qendror. Ibrahimi kërkon ndërhyrje urgjente nga Qeveria e Kosovës për të marrë përgjegjësinë financiare dhe për të zbatuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    “Kjo do të thotë se komunat po përballen me një presion të trefishtë financiar: • nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore për kontratën kolektive; • nga ndikimi negativ në buxhetet komunale dhe investimet kapitale; • dhe tash edhe nga një detyrim shtesë që buron nga moszbatimi i një vendimi detyrues kushtetues. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe obliguese për të gjitha institucionet. Moszbatimi i tyre jo vetëm që cenon rendin kushtetues, por prodhon pasoja direkte financiare që në këtë rast po i barten padrejtësisht komunave. Është e rëndësishme të theksohet se komunat nuk kanë pasur asnjë rol në krijimin e kësaj situate”, shtoi ai

    “Politikat e pagave dhe zbatimi i vendimeve kushtetuese janë përgjegjësi ekskluzive e nivelit qendror. Megjithatë, në praktikë, faturat po paguhen nga buxhetet komunale, duke rrezikuar seriozisht funksionimin normal të pushtetit lokal dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Në këtë kontekst, kërkohet një ndërhyrje urgjente nga Qeveria e Kosovës që të marrë përgjegjësinë e plotë financiare për këto obligime dhe të sigurojë zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që komunat të mos penalizohen për një dështim që nuk u takon”.