ATV

Tag: Ballina

  • Sot 27 vjet nga masakra e Studimes së Vushtrrisë

    Sot 27 vjet nga masakra e Studimes së Vushtrrisë

    Sot mbushen plot 27 vjet nga koha kur në Studime të Vushtrrisë forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm.

    Teksa kishin marrë rrugën për në Shqipëri, të dhënat nga dëshmitarët tregojnë se viktimat u nxorën me forcë nga një kolonë me qindra qytetarë të zhvendosur dhe u pushkatuan brenda vetëm dy orëve.

    Në nder të viktimave, sot në Studime do të mbahet një akademi përkujtimore.

  • Seancat ndaj Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë, nga 11 deri më 15 maj

    Seancat ndaj Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë, nga 11 deri më 15 maj

    Seancat në çështjen Thaçi dhe të tjerët në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, që lidhen me akuzat për vepra kundër administrimit të drejtësisë, janë caktuar që të mbahen gjatë muajit maj, sipas kalendarit të DhSK-së.

    “Sikurse pasqyrohet në Kalendar, në çështjen Thaçi dhe të tjerët në lidhje me akuzat për vepra kundër administrimit të drejtësisë, janë caktuar seanca për periudhën nga 11 deri 15 maj 2026”, u tha në njoftimin e DhSK-së.

    Kjo erdhi pas anulimit të trefishtë të seancave të prillit.

    Në këtë rast, nën akuzë janë Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klaj dhe Hajredin Kuçi.

    Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

  • KQZ cakton 10 ditë e 7 orë fushatë për zgjedhjet e 7 qershorit – fillon me 28 maj

    KQZ cakton 10 ditë e 7 orë fushatë për zgjedhjet e 7 qershorit – fillon me 28 maj

    KQZ ka vendosur që periudha zyrtare e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026 të zgjasë 10 ditë e 7 orë, duke filluar më 28 maj 2026 dhe duke përfunduar më 7 qershor 2026 në orën 06:59.

    Pas caktimit dhe shpalljes të datës 7 qershor 2026 për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, KQZ mori disa vendime në kuadër të fillimit të përgatitjes për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

    Në mbledhjen e mbajtur sot, KQZ mori vendim për caktimin e afateve dhe miratoi planin e aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, i cili përfshin, ndër të tjera: deklarimin e partive politike për pjesëmarrje/mospjesëmarrje në zgjedhje; deklarimin e partive politike për formimin e koalicioneve; aplikimin për certifikimin e subjekteve politike; dorëzimin e listave të kandidatëve dhe verifikimin e tyre; periudhën e fushatës zgjedhore; caktimin e qendrave të votimit, përfshirë përfaqësitë diplomatike; regjistrimin e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës; periudhën e votimit përmes postës dhe në përfaqësi diplomatike; certifikimin e listës së votuesve; akreditimin e vëzhguesve dhe mediave; si dhe emërimin e anëtarëve të 38 Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve dhe këshillave të vendvotimeve.

    Sipas planit të aktiviteteve të miratuar nga KQZ:

    Deklarimi i partive politike për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe për formimin e koalicioneve bëhet nga 1 maj deri më 7 maj 2026.

    Aplikimi për certifikim të subjekteve politike (përfshirë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) zhvillohet nga 2 maj deri më 10 maj 2026, ndërsa dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë bëhet nga 2 maj deri më 12 maj 2026.

    KQZ vendos për certifikimin e subjekteve politike deri më 10 maj 2026, ndërsa për kandidatët deri më 15 maj 2026.

    Shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim hidhet më 16 maj 2026.

    Sa i përket votuesve dhe organizimit teknik:

    Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës bëhet nga 6 maj deri më 17 maj 2026, ndërsa votimi përmes postës zhvillohet nga 25 maj deri më 6 qershor 2026.

    Votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet më 6 qershor 2026, nga ora 07:00 deri 19:00.

    Brenda vendit, periudha për kundërshtimin dhe korrigjimin e listës së votuesve zgjat nga 6 maj deri më 18 maj 2026.

    Po ashtu, KQZ ka paraparë afate për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta, akreditimin e vëzhguesve dhe emërimin e komisioneve zgjedhore komunale dhe këshillave të vendvotimeve gjatë muajit maj.

    Dita e zgjedhjeve është caktuar më 7 qershor 2026, me orar votimi nga 07:00 deri 19:00.

  • Hyn në fuqi marrëveshja, sërish lëvizje e lirë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë

    Hyn në fuqi marrëveshja, sërish lëvizje e lirë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë

    Ka hyrë këtë të premte në fuqi sërish marrëveshja për lëvizjen e lirë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

    Kjo marrëveshje do të jetë aktive deri në muajin tetor, ndërsa pritet të ripërtërihet edhe në muajt dhjetor dhe janar, si dhe gjatë fundjavave.

    Ajo parashikon shmangien e qëndrimit të automjeteve në radhë në kufi, si dhe lehtësimin e procedurave, ku kalimi bëhet pa kontroll të detajuar të letërnjoftimeve apo pasaportave, përveç rasteve të dyshuara.

    Zbatimi i saj ka shmangur pritjet e gjata në kufi.

    Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë mëngjesit të sotëm kanë hyrë në territorin e Shqipërisë rreth 15 mijë shtetas, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga Kosova.

    Lëvizja e përshpejtuar ka vënë në funksion plot 11 sportele në pikën kufitare të Morinës, duke mundësuar zbatimin pa pengesa të marrëveshjes./TCH

  • “Jemi lodhë: Parlament-Qeveri, të kujt jeni?”, protestojnë punëtorët e sektorit privat

    “Jemi lodhë: Parlament-Qeveri, të kujt jeni?”, protestojnë punëtorët e sektorit privat

    Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka filluar protestën në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

    Protestuesit po mbajnë pankarta në duar me mbishkrimet, “Mos na shkelni, mjaft pritëm”, “Për pesë vite në punë vdiqën 97 punëtorë”, “Jemi lodh, parlament-qeveri të kujt jeni?”, e pankarta të tjera, raporton EkonomiaOnline.

    Protesta do të vazhdojë deri në hapësirën ndërmjet objektit të ish-Gërmisë dhe ndërtesës së Qeverisë.

  • Mbi 170 punëtorë vdiqën në vendin e punës që nga viti 2018 në Kosovë

    Mbi 170 punëtorë vdiqën në vendin e punës që nga viti 2018 në Kosovë

    Ndonëse 1 Maji – Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve – është pjesë e kalendarit të festave zyrtare, për Sindikatën e Punëtorëve të Sektorit Privat, ka pak arsye për festë, sepse ky vit vlerësohet “vdekjeprurës” për punëtorët në Kosovë.

    Sipas të dhënave nga kjo sindikatë deri më 24 prill, tetë punëtorë kanë humbur jetën gjatë këtij viti.

    Por, që nga kjo datë, autoritetet raportuan për vdekjen e dy punëtorëve të tjerë dhe pas rasteve me fatalitet në prill, autoritetet kryen inspektime në nivel vendi.

    Megjithatë, nga Inspektorati Qendror i Punës tha se jo të gjitha rastet me fatalitet ishin punëtorë.

    “Prej tyre, një vdekje në vendpunishte nuk ka qenë punëtor, por ka qenë mbledhës i hekurave, dhe një rast ka të bëjë me sulm kardiak gjatë orarit të punës”, thotë Kaltrina Cakolli, zëdhënëse në këtë inspektorat.

    Si i gjen 1 Maji punëtorët në Kosovë?

    Për kreun e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, vdekja e punëtorëve në vendet e tyre të punës është “jashtëzakonisht shqetësuese”.

    Sindikatat e punëtorëve vazhdimisht janë ankuar për kushtet e punës dhe për shkeljen e të drejtave të tyre në punë.

    Sipas Azemit, gjendja e punëtorëve të sektorit privat nuk ka vëmendjen “as nga pronarët e kompanive dhe as nga qeveria e shtetit”.

    Ai thotë se problematike janë edhe pagat për punëtorë.

    “Me këto paga që i kemi nuk po mund të mbijetojmë”, thotë ai, teksa shton se gjendja “më e rëndë” është te punëtorët e kompanive që kryejnë shërbime për institucionet shtetërore.

    “Këtu na kanë sanksionuar me paga. Paramendojeni që edhe sot, kur po flasim, ka punëtorë që marrin 239 euro pagë”.

    Për sektorin publik, përmes një vendimi të Qeverisë së Kosovës vitin e kaluar, është rritur paga minimale nga 350 euro, në 425 euro në janar, ndërkaq në korrik parashihet të bëhet 500 euro për të gjithë punëtorët me orar të plotë.

    Nga Inspektorati Qendror i Punës nuk treguan se si e vlerësojnë situatën e punëtorëve e me çfarë shkeljesh përballen ata. Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësja Kaltrina Cakolli u shpreh se kanë pranuar 391 ankesa, por nuk dha detaje.

    Por, sipas një raporti për vitin e kaluar ky inspektorat pranoi 1.660 ankesa, nga të cilat shumica dërmuese – 1.233 – ishin nga punëtorët e sektorit privat, 418 nga ai publik dhe nëntë nga sektori publiko-privat.

    Nga inspektimet që thuhet se janë bërë vitin e shkuar, në raport janë evidentuar 1.946 punëtorë pa kontrata dhe 6.611 raste të shkeljeve të drejtave të tjera të punëtorëve. Në mesin e shkeljeve janë identifikuar 2.091 raste që lidhen me pagën, 1.918 me orarin e punës, 1.802 me marrëdhënie pune e 782 raste që lidhen me pushimet.

    Evidentohen shkelje gjatë inspektimeve në nivel vendi

    Teksa sindikata dhe IQP-ja kanë vlerësime të ndryshme lidhur me numrin e punëtorëve që humbën jetën gjatë këtij viti në vendet e punës, vdekja e një 59-vjeçari në Ferizaj më 13 prill, nxiti ministrin, tashmë në detyrë të Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, që të urdhëronte një inspektim 15-ditor në sektorët me rrezikshmëri të lartë – përfshirë edhe atë të ndërtimit.

    Por, teksa ky aksion po zhvillohej, u raportua edhe për raste të tjera me fatalitet në vendpunishte.

    Hoti, gjatë një adresimi në Kuvend më 24 prill u shpreh se aksidentet me fatalitet në vendin e punës po ndodhin “për shkak të neglizhencës dhe mos plotësimit të kritereve të sigurisë janë të papranueshme”.

    Megjithatë, Hoti theksoi se aksioni inspektues nuk ishte kundër bizneseve, “por mbi çdo biznes, çdo fitim është jeta e qytetarit”.

    Në raportet çdo 48-orë që ka publikuar Inspektorati Qendror i Punës, që nga 16 prilli kur nisi aksioni e deri më 29 prill, në nivel vendi janë kryer 294 inspektime. Nga to, puna është ndaluar në 123 raste derisa vërejtje për kushtet e punës janë dhënë në 108 raste të tjera.

    Zëdhënësja e këtij institucioni, Kaltrina Cakolli, u shpreh se gjatë inspektimeve është hasur në mungesë të kushteve të sigurta dhe të shëndetshme të punës.

    “Mosvendosja e skelarisë, rrethojave të brendshme, [gjendja teknike] e pajisjeve të punës [duke përfshirë edhe vinçat], mungesa e dokumentit të vlerësimit të rrezikshmërisë të vendeve të punës, trajnimet dhe kontrollet mjekësore”, janë disa nga gjetjet e inspektimit që përmend ajo.

    Por, Azemi nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat, tha se ky aksion nuk do të ketë asnjë efekt në përmirësimin e kushteve.

    “Nuk ka ndonjë ndryshim ose nuk sheh kompani që punëtorët janë të pajisur me mjetet mbrojtëse ashtu siç e kërkon Ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë”, thotë ai, duke shtuar se “për 10 ditë mund të verifikohen rreth 400 kompani dhe kompani që duhet të kontrollohen janë mbi 40.000”.

    Sipas Ligjit për siguri dhe shëndet në punë, punëdhënësit janë të obliguar të sigurojnë kushte të sigurta pune, përfshirë trajnimin e punëtorëve dhe përdorimin e duhur të pajisjeve.

    Azemi thotë se inspektimet e vendeve të punës duhet të jenë punë e përditshme e inspektorëve, numri i të cilëve vlerëson se është i pamjaftueshëm.

    “Kjo është një lloj fushate…e kanë bërë sa për të thënë se po bëjmë diçka”, thotë Azemi.

    “I vetmi element që do të kishte ndikuar në rënien e [vdekjeve të] këtyre punëtorëve do të ishte që institucionet, pronarët e kompanive, Inspektorati dhe sindikata të kenë një program të përbashkët në edukimin dhe trajnimin edhe të pronarëve të kompanisë, por në veçanti të punëtorëve”, shton ai.

    Viti i kaluar ishte po ashtu i kobshëm për punëtorët, pasi sipas sindikatës që drejton Azemi, vdiqën 32 punëtorë.

    “Viti 2025 ka qenë viti me numrin më të madh të vdekjeve të punëtorëve në vendet e tyre të punës”, thotë ai.

    Por, shifër më e vogël paraqitet në raportin e Inspektoratit Qendror të Punës, përkatësisht ky inspektorat tha se vitin e kaluar u shënuan 19 aksidente me fatalitet.

    Megjithatë, derisa të dhënat për vdekjet në vendet e punës ndryshojnë, për punëtorët e lënduar konsiderohet edhe më i vështirë evidentimi i rasteve.

    Inspektorati i Punës, në raportin vjetor për vitin e shkuar, ka identifikuar 602 raste të lëndimeve, 33 për qind e së cilave në ndërtimtari.

    Azemi, në anën tjetër, thotë se në bazë të një hulumtimi që kanë bërë rreth katër vjet më parë, mesatarisht 1 mijë e 700 punëtorë janë lënduar brenda një viti.

    “[Numrin e punëtorëve të lënduar në vendet e punës] nuk mund ta nxjerrim asnjëherë saktë sepse në shumicën e rasteve, punëtorët që pësojnë lëndime nuk tregojnë, pasi frikësohen nga pronarët e kompanive”, shprehet ai.

    Rastet me fatalitet në vendet e punës

    Sipas Sindikatës të Punëtorëve të Sektorit Publik, më 2025 u regjistruan më së shumti raste me fatalitet në vendet e punës.

    Këto janë rastet e vdekjeve ndër vite, sipas shifrave të ofruara nga kjo sindikatë:

    2025: 32 të vdekur

    2024: 12 të vdekur

    2023 : 22 të vdekur

    2022: 24 të vdekur

    2021: 14 të vdekur

    2020: 15 të vdekur

    2019: 17 të vdekur

    2018: 27 të vdekur

    Premtimet e Ministrisë për Punë
    Ministria për Punë, ndërkaq tha se do të ndërmarrë veprime për përmirësimin e kushteve të punëtorëve dhe sigurimin e zbatimit të ligjeve në fuqi. Në kuadër të këtyre veprimeve, ky institucion thotë se synon rritjen e kapaciteteve të Inspektoratit Qendror të Punës.

    Aktualisht, sipas të dhënave të Inspektoratit, në gjithë vendin janë të angazhuar 53 inspektorë.

    “Ky numër është i pamjaftueshëm në raport me numrin e bizneseve aktive dhe numrin e të punësuarve”, shprehet zëdhënësja Kaltrina Cakolli.

    Ministri në detyrë, Hoti, më 24 prill, deklaroi se janë duke përgatitur shpalljen për rekrutim të inspektorëve të rinj.

    Nga Ministria për Punë përmendën edhe digjitalizimin e Inspektoratit, ndryshimin e Ligjit për inspektoratin, e zhvillimin e një fushate sensibilizuese për ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e respektimit të standardeve të sigurisë dhe shëndetit në punë.

    “Paralelisht, do të punohet edhe me vetë punëtorët për të rritur ndërgjegjësimin e tyre për të drejtat që kanë dhe për të raportuar çdo shkelje që rrezikon jetën dhe shëndetin e tyre”, thuhet në përgjigjen me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë nga Ministria për Punë.

    Por, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se ata nuk kërkojnë asgjë më shumë sesa respektimi i ligjeve në fuqi.

    Në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i të punësuarve më 2025 kaloi shifrën 400.000./REL

  • Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Çmimi i naftës për ditën e sotme është 1.68 euro për litër, njëjtë si çmimi i djeshëm.

    Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila ka publikuar përditësimin e çmimeve të derivateve.

    Sipas njoftimit, benzina kushton deri në 1.47 euro për një litër, ndërsa gazi 0.85 euro.

  • Mbi 7 milionë euro borxh i keq i rrymës u janë tarifuar konsumatorëve|Video

    Mbi 7 milionë euro borxh i keq i rrymës u janë tarifuar konsumatorëve|Video

    Edhe pse një pjesë e konsumatorëve ndër vite kanë shpenzuar energji elektrike pa e paguar, borxhi i tyre vazhdon t’u faturohet qytetarëve të tjerë. Vetëm këtë vit, mbi 7 milionë euro borxh do të shpërndahet te konsumatorët, ndërsa vitin e kaluar kjo shumë kishte arritur mbi 8 milionë euro.

    Edhe pse kanë shpenzuar energji elektrike, një pjesë e konsumatorëve ndër vite nuk e kanë paguar atë. Megjithatë, ky borxh i është faturuar qytetarëve tjerë. Vetëm sivjet, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike ka propozuar që në emër të borxhit të keq, 7.32 milionë euro t’u tarifohen qytetarëve tjerë.

    Vitin e kaluar vlera e borxhit të keq ishte mbi 8 milionë. Nga KESCO i kanë thënë RTK-së se ZRRE e përcakton nivelin e borxhit të keq, ndërkaq ata vetëm respektojnë dispozitat rregullative.

    “Trajtimi i borxhit të keq përcaktohet në Rregullën për Vendosjen e të Hyrave për Furnizuesin me Shërbim Universal, nr. 15/2017 e aprovuar nga Zyra Rregullatit për Energji (ZRrE). Në përputhje me këtë rregull, ZRRE e përcakton nivelin e borxhit të keq. Ne si kompani e rregulluar respektojmë me përpikëri këto dispozita rregullative, duke i zbatuar ato brenda metodologjisë së miratuar dhe vendimit rregullativ sikurse kur aplikojmë per tarifa, ashtu edhe gjate raportimeve”.

    E nga ZRRE deklarojnë se KESCO ka propozuar nivel më të lartë të borxhit të keq, por që ata e kanë ulur atë.

    “Sa i përket verifikimit, ZRRE ka analizuar të dhënat historike të arkëtimit, strukturën e borxheve dhe masat e ndërmarra nga furnizuesi për mbledhjen e tyre. Në këtë proces janë marrë parasysh vetëm ato borxhe që konsiderohen realisht të paarkëtueshme, duke përjashtuar çdo element që mund të lidhet me mungesë efikasiteti në arkëtim. Gjithashtu, është bërë krahasim me nivelet e mëparshme dhe me praktikat rregullatore për të siguruar që niveli i njohur të jetë i arsyeshëm”.

    Fidan Qerimi, profesor i ekonomisë tha se qytetarët e Kosovës, ata që kanë qenë të përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm ndaj obligimeve të të shpenzimeve të tyre të energjisë që kanë qenë pagues të rregullt, do të thotë kanë paguar koston e një pjese që kanë qenë të papërgjegjshëm.

    “Mendoj që kjo duhet që ZRRE-ja të ulet dhe ta gjejë një modalitet se si ato humbje që janë në rrjet, do të thotë qoftë vjedhje, qoftë humbje të tjera të gjejnë një mekanizëm se si do të kompensohen”, theksoi ai.

    Raporti i Auditorit të Përgjithshëm i vitit 2019, ‘Sistemi i Përcaktimit të Tarifave të Energjisë Elektrike, Termike dhe atyre të Ujësjellësit’, citon se ZRRE nuk ka një rregullore për klasifikimin e llogarive të arkëtueshme dhe me fokus të veçantë për identifikimin e borxheve të këqija. Vendosja e borxhit të keq në nivel prej 4% sipas ZKA-së ishte bërë pa një analizë të detajuar për të dëshmuar se ky nivel i aplikuar në tarifa është i argumentuar.

    Nga ZRRE kanë thënë se kanë marrë në konsideratë gjetjet e auditorit dhe kanë aplikuar kritere më strikte për njohjen e borxhit të keq.

  • Sot mblidhet KQZ, diskutohet buxheti për zgjedhjet e 7 qershorit

    Sot mblidhet KQZ, diskutohet buxheti për zgjedhjet e 7 qershorit

    Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nën drejtimin e Kreshnik Radoniqit, do të diskutohen pikat kryesore për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit 2026.

    Këshilli për Operacione Zgjedhore: planit kohor i aktiviteteve, afatet kohore dhe formula për nominimin e anëtarëve të KKZ-së.

    Këshilli për Buxhet dhe Financa: Plani i buxhetit për zgjedhjet.

    Këshilli për Personel: rekrutimi i stafit të përkohshëm dhe kompensimi për punën jashtë orarit, ditëve të vikendit dhe festave zyrtare.

  • Abdixhiku pas takimit me Osmanin: Darkë miqësore, do të vijmë me lajme të mira

    Abdixhiku pas takimit me Osmanin: Darkë miqësore, do të vijmë me lajme të mira

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është deklaruar pas takimit me ish-presidenten Vjosa Osmani.

    Ai është shprehur se ishte një darkë miqësore, derisa u shpreh se shumë shpejt do të vijnë me lajme të mira.

    Abdixhiku gjithashtu tha se kjo është një pjesë substanciale e kthimit të madh të LDK-së.

    “Shumë shpejt do të vijmë me lajme shumë të mira. Është pjesë substanciale e kthimit të madh të LDK-së, por shumë shpejt do të vijmë me lajme shumë të mira”.

    “Ishte një darkë miqësore mes miqsh dhe më lejoni edhe njëherë të them se do të vijmë me lajme shumë, shumë të mira”, tha ai.