ATV

Tag: Ballina

  • Dërgohet në Emergjencë vajza që u lëndua pas rënies së çatisë së objektit të Komunës së Re në Prishtinë

    Dërgohet në Emergjencë vajza që u lëndua pas rënies së çatisë së objektit të Komunës së Re në Prishtinë

    Një vajzë dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e rrëzimit të çatisë së objektit të Komunës së Re në Prishtinë pas erërave të forta, raporton ATV.

    Në pamjet e publikuara nga ATV, disa qytetarë shihet se janë mbledhur në vendin ku besohet se gjendet trupi i viktimës.

    ATV do t’ju mbajë të informuar po sa të sigurojë informacione të reja për rastin.

  • Ambasadori Szunyog kërkon zgjedhje të shpejta në veri

    Ambasadori Szunyog kërkon zgjedhje të shpejta në veri

    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur i kënaqur që serbët e Kosovës po shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike të siguruar nga korniza ligjore e Kosovës në lidhje me mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për peticionet për tërheqje të kryetarëve të komunave në Mitrovicën e Veriut dhe në Leposaviq.

    Përmes një postimi në X, ai i ka bërë thirrje qeverisë dhe autoriteteve lokale “që të sigurojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe të lejojnë grupet e qytetarëve të iniciojnë mbledhjen e nënshkrimeve edhe në Zubin Potok dhe në Zveçan”.

    “Mbetet vendimtare mbajtja e shpejtë e zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, theksoi ambasadori i BE-së.

    Këto ditë, në Mitrovicë të Veriu dhe në Leposaviq ka nisur mbledhja e nënshkrimeve të nevojshme për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të këtyre dy komunave.

  • BQK: Pagesat në Kosovë do të kryhen vetëm me euro

    BQK: Pagesat në Kosovë do të kryhen vetëm me euro

    Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar një rregullore për operacionet për paratë e gatshme, e cila thotë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro.

    Kjo rregullore do të hyjë në fuqi më 1 shkurt.

    “Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 35 të kësaj rregulloreje.

    Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia atje përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë. Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

    Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët përdoren në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.

    Në rregulloren e BQK-së, thuhet se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare” dhe me to mund të kryen pagesa ndërkombëtare dhe këto valuta po ashtu mund të përdoren për këmbim.

    Por, këmbimi, sipas BQK-së, mund të kryhet vetëm përmes institucioneve të licencuara nga ajo për këtë shërbim.

    Deri më tani, dinarët në Kosovë qarkullojnë përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë” e cila vepron në vendbanimet e banuara me serb në Kosovë. Llogari në dinarë ka edhe në bankat “Postanska stedionica” (Kursimore e Postes) dhe “NLB Komercijalna banka”.

    Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.

    Në rregulloren e BQK-së thuhet se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë është e drejtë ekzekutive e saj.

    Më herët, çështjen e transaksioneve me valuta joeuro e ka ngritur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Kosova do t’i ndalë transaksionet me dinarë.

    Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar për këtë çështje.

    Ndërkaq, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë për televizionin serb, Pink, se për përdorimin e dinarit në Kosovë ka biseduar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe për këtë çështje e ka njoftuar Brukselin. /rel

  • Krasniqi kërkon hetim të pavarur për incidentin ku u lënduan minatorët

    Krasniqi kërkon hetim të pavarur për incidentin ku u lënduan minatorët

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se lëndimi i minatorëve në minierën në Stantërg kërkon përgjegjësi dhe se për këtë rast duhet të zhvillohet një hetim i pavarur.

    “Ngjarja e rëndë në minierën e Stantërgut, ku 12 punëtorë të Trepçës kanë marrë lëndime, është shqetësuese dhe kërkon përgjegjësi. Është e domosdoshme të zhvillohet një hetim i plotë dhe i pavarur për të identifikuar shkaqet dhe përgjegjësitë në këtë ngjarje e cila ka mundur të përfundoj me fatalitet”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

    Derisa u ka dëshiruar shërim të shpejtë minatorëve të lënduar, Krasniqi ka akuzuar Qeverinë për mungesë të trajtimit adekuat të kërkesave të minatorëve.

    “Punëtorëve të lënduar ju dëshiroj shërim të shpejtë dhe mbështetje të plotë në këtë moment të vështirë për ta. Përkundër kërkesave të vazhdueshme ndaj Qeverisë aktuale, minatorët e Trepçës kanë përjetuar mungesën e trajtimit adekuat. Qeveria e Kosovës duhet të dëgjoj kërkesat e minatorëve dhe duhet të ndërmarrë veprime urgjente dhe konkrete për të garantuar kushte më të mira dhe siguri në vendin e punës”, ka shkruar Krasniqi.

    Në një incident që ka ndodhur të mërkurën në minierën e Stantërgut janë lënduar 13 minatorë, dy prej të cilëve kanë marr lëndime më të rënda.

    Që të gjithë kanë pranuar tretman në Spitalin e Mitrovicës.

  • Shpërthimi i cisternës me acid në Minierën e Trepçës, policia: Rasti është duke u hetuar

    Shpërthimi i cisternës me acid në Minierën e Trepçës, policia: Rasti është duke u hetuar

    Policia e Kosovës ka thënë detaje për shpërthimin e cisternës me acid në Minierën e Trepçës gjatë ditës së djeshme.

    Rasti është cilësuar si “lëndim aksidental”.

    Për pasojë policia njofton se lëndime kanë marrë 12 persona, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Mitrovicës.

    Tutje, Policia njoftoi se prej tyre dy janë ndaluar në trajtim të mëtutjeshëm ndërsa 10 janë liruar në shtëpi, ndërsa rasti është duke u hetuar.

    “LËNDIM AKSIDENTALFsh. Stanterg, Mitrovicë / 17.01.2024 – 12:00. Raportohet se në rrethana të panjohura në minierën e Trepçës ka shpërthyer një cisternë me acid ku lëndime trupore kanë pësuar 12 persona. Të lënduarit janë dërguar në tretman mjekësor në spitalin e Mitrovicës, ku pas tretmanit dy janë ndaluar në trajtim të mëtutjeshëm ndërsa 10 janë liruar në shtëpi. Në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

  • Sot mbahet seancë e jashtëzakonshme në Kuvend, shqyrtohet rezoluta për çmimin dhe faturimin aktual të rrymës

    Sot mbahet seancë e jashtëzakonshme në Kuvend, shqyrtohet rezoluta për çmimin dhe faturimin aktual të rrymës

    Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot në seancë të jashtëzakonshme, raporton Gazeta Sinjali.

    Në seancën e cila pritet të fillojë në orën 10:00, në rend dite është Shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

    Vendimi për seancën e jashtëzakonshme është marrë të hënën në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë tha se aktualisht nuk ka temë me të rëndësishme se kjo.

    “Sot filloi sesioni i ri pranveror parlamentar dhe ne si PDK me mbështetjen e 40 deputetëve kemi thirrur një seancë të jashtëzakonshme për çmimin e energjisë elektrike në vend. Nuk ka temë me të rëndësishme. Ju i dini shqetësimet e mëdha që kanë ngritur qytetarët. Ne sot kemi kanalizuar këtë kërkesë dhe sesionin pranveror do të fillojmë më këtë seancë dhe kemi propozuar rezolutë për uljen e çmimit të energjisë elektrike”, është shprehur ai të hënën.

    Ndryshe, shumë qytetarë janë ankuar lidhur me faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor. Sipas tyre, faturat për muajin dhjetor kanë qenë shumë më të larta, edhe pse thonë se kanë shpenzuar njëjtë sikurse muajin paraprak. Te KESCO kanë shkuar mbi 1 mijë e 700 ankesa për këtë çështje.

  • Gjykimi “Thaçi dhe të tjerët”, dëgjohen edhe dy dëshmitarë

    Gjykimi “Thaçi dhe të tjerët”, dëgjohen edhe dy dëshmitarë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka vazhduar gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, me dëgjimin e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Për të tretën ditë radhazi, ka dëshmuar në seancë private dëshmitari i mbrojtur i cili ishte i 40-ti me radhë.

    Vec këtij, po sot dëshminë ka filluar edhe dëshmitari i 41-të.

    Në përmbledhjen e lexuar nga prokurori Matt Halling, u tha se dëshmitari është i afërm i një viktime që pretendohet se është vrarë dhe është zhdukur nga Drenoci.

    “Dëshmitari do të përshkruajë veprimtaritë e viktimës së pretenduar përpara se të zhdukej në Drenoc, herën e fundit që dëshmitari e ka parë dhe përpjekjet e pafundme që ka bërë familja për të zbuluar se çfarë i kishte ndodhur këtij personi”, tha Halling.

    Edhe seanca e dëshmitarit të 41-të kryesisht ka qenë e mbyllur për publikun.

    Dëshmia e tij pritet të zgjasë rreth 2 ditë.

    Ndërkaq, Dhomat e Specializuara ua kanë vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në dy vendime të ndara, më 15 janar 2024, kryetari i trupit gjykues, ka vendosur edhe për afatin se kur ZPS-ja duhet t’i dorëzojë parashtrimet e veta për shqyrtimin e radhës për masën e paraburgimit për dy të akuzuarit.

    Sa i përket Krasniqit, ZPS-ja kishte parashtruar se paraburgimi i tij mbetet proporcional, mirëpo mbrojtja kishte argumentuar se vazhdimi i paraburgimit për të mbrojturin e saj është joproporcional.

  • Peticionet në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq nisi mbledhja e nënshkrimeve

    Peticionet në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq nisi mbledhja e nënshkrimeve

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Pesë ditë para mbylljes së afatit të rregullt, qytetarë në dy nga katër komunat me shumicë serbe në veri, nisën mbledhjen e nënshkrimeve, me synimin final largimin e kryetarëve të cilët fituan mandatet në zgjedhjet të cilat ky komunitet i bojkotoi.

    Referuar interesimit të lartë, në mëngjesin e së mërkurës, iniciuesit e peticionit për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, shpresojnë që të arrijnë 20% apo 3640 nënshkrime të nevojshme nga lista e votuesve qysh të enjten.

    “Sot kemi pasur më shumë se një mijë njerëz deri tani, që kur kemi filluar vetëm dy orë më parë. Interesimi i qytetarëve është shumë i madh dhe ne presim që të mbyllim procesin e nënshkrimeve deri nesër. Ky është vlerësimi ynë. Më duhet të them se ne kemi pritur këtë moment gati një vit, sepse ne si qytetarë jemi të sigurt se kryetari aktual nuk i përmbush përgjegjësitë e tij, veçmas ndaj pakicave. Ne mendojmë se duhet të zgjedhim një të ri, ky nuk është përfaqësuesi ynë”, tha Sanja Krtinic, iniciatore e peticionit.

    Nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve 25 ditë pasi morën dritën e gjelbër, e arsyetuan duke thënë se lejen nga Komuna, për përdorimin e hapësirës publike për këtë organizim, e morën vetëm të hënën.

    Ndonëse liderët e Listës Serbe u panë tek u prinin qytetarëve drejt sallës ku po mblidhen nënshkrimet, organizatorët mohojnë lidhjen me këtë parti.

    “Jo, nuk është (nismë e lidhur me politikën). Jemi vetëm tre qytetarë nga Mitrovica e Veriut. Unë kam punuar në një organizatë joqeveritare dhe shumë njerëz më kanë pyetur a është kjo organizatë prapa peticionit? A është Lista Serbe prapa peticionit? Më duhet të them jo, nuk janë. Jam unë dhe dy kolegët, shokët e mi”, tha Krtinic.

    Në një ambient të improvizuar procesi i njëjtë nisi edhe në Leposaviq.

    Iniciuesit e peticionit e as qytetarët nuk folën para kamerës.

    Prapa saj u shprehën optimistë se brenda afatit do t’i mbledhin nënshkrimet e nevojshme.

    Kryetari Lulzim Hetemi nuk foli për organizimin para zyrës së tij.

    Ndonëse afatet kanë nisur të rrjedhin më 22, përkatësisht 27 Dhjetor, në Zubin Potok dhe Zveçan, ende nuk ka nisur mbledhja e nënshkrimeve.

    Mbledhja e suksesshme e nënshkrimeve, në pajtim me rregullat, procedurat dhe afatet kohore, pasohet me procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve – për çka kërkohet 50% plus një votë.

  • Qindra punonjës shëndetësorë paditin ShSKUK-në për pagën e 13-të

    Qindra punonjës shëndetësorë paditin ShSKUK-në për pagën e 13-të

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pagën e 13-të nuk e mori për tri vjet, ashtu siç e parashihte Kontrata kolektive që vlejti nga 2018 deri më 2021-ën. Andaj, Afërdita Xhelili, kryeteknike në mjekësinë nukleare në QKUK, vendosi ta ndjekë rrugën ligjore për të marrë atë që, sipas saj, i takon.

    Ajo ka paditur Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës për t’i marrë 3 paga të 13-ta.

    Njësoj si Xhelili kanë vepruar edhe afro 70 për qind e punonjësve shëndetësorë.

    Sipas nënkryetarit të sindikatës së QKUK-së, ata nuk patën zgjidhje tjetër.

    Megjithatë, Kryeziu druan se SHSKUK-ja si punëdhënëse do të mund t’i realizojë këto pagesa.

    ATV-ja ka pyetur SHSKUK-në se si do të veprojë lidhur me këtë çështje dhe nëse ka kërkuar mjete nga Qeveria për shlyerjen e këtyre obligimeve, por gjatë së mërkurës, televizioni nuk mori përgjigje.

    Të drejtën në pagën e 13-të, punëtorëve shëndetësorë ua ka njohur edhe Gjykata Supreme, nëpërmjet një mendimi të publikuar më 9 tetor të vitit të kaluar.

  • Shoqëria civile kritikon Qeverinë për mostransparencë

    Shoqëria civile kritikon Qeverinë për mostransparencë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Një vendim që ishte marrë nga Qeveria më 19 tetor, për subvencionimin e energjisë për familjet e cenueshme, u publikua 2 muaj më vonë.

    Shkas për të u bë një storje e ATV-së, meqë vendimi si i tillë nuk figuronte askund në ueb-faqe.

    Njësoj veproi edhe në shumë raste të tjera, përfshirë edhe kur ndryshoi ligjin për skemat pensionale që pensionistëve t’u njihen kontributet.

    “Vendimi për përcaktimin e dokumenteve për ta njoftë këtë pension nuk i publikon, ndërkohë ne detyrohemi që përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare të marrim një vendim që ish dashtë me qenë publik po atë ditë”, tha Naim Jakaj, hulumtues në IKD.

    Krahas vendimeve, sipas shoqërisë civile, ministritë kanë nxjerrë edhe dhjetëra udhëzime administrative, në bazë të të cilave edhe kanë punuar, pa i publikuar fare në Gazetën Zyrtare.

    “Dhjetëra udhëzime administrative të cilat janë miratuar gjatë qeverisë Kurti 2 nuk janë publikuar në faqen zyrtare, rrjedhimisht ato nuk kanë hyrë në fuqi. Kjo është në kundërshtim me kushtetutën me legjislacionin në fuqi”, tha Jakaj.

    Mospërgjigjet në kohë e po ashtu edhe mospublikimet nga ana e ministrive, por edhe vete Qeverisë e vështirësojnë edhe punën e mediave.

    “Kur është fjala për vendime të Qeverisë, aty hasim në vështirësi të shumta për të kuptuar cilat vendime në çfarë periudhe kohore janë marrë, sepse njoftimet përmes e-mailit janë shumë të shkurtra dhe nuk e tregojnë çfarë vendime janë marrë, dhe kjo e vështirëson punën e gazetarëve pasi lehtë mund të çojë në publikimin e informacioneve që nuk janë krejtësisht të sakta”, tha kryetari i Asociacionit të Gazetarëve në Kosovë, Xhemajl Rexha.

    Sipas Rexhës, sfidë për gazetarët mbetet edhe centralizimi i informacionit, meqë gjithçka kalon përmes zyrës së kryeministrit.