Janë identifikuar dy persona me interes për intervistim për shpërthimin e mbrëmshëm në Veri.
Kështu ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për Veriun, Veton Elshani.
“Njësitet policore relevante si dhe prokurori i rastit ishin në vendin e ngjarjes dhe janë marrë me rastin. Njësiti i hetimeve rajonale i Mitrovicës së Veriut ka vazhduar punën sot me intensitet të shtuar dhe tashmë ka identifikuar dy persona të cilët janë persona me interes për intervistim.
Të njëjtët janë kërkuar edhe në shtëpitë e tyre, por nuk janë gjetur. Besohet se ky konflikt ishte pasojë e problemeve të mëhershme mes këtyre personave. Jemi duke hetuar tashmë disa pista”, ka thënë Elshani.
Policia ka njoftuar se afër një kafeneje ka shpërthyer një granatë dore, ku si pasojë dy persona kanë pësuar lëndime.
“Mitrovicë Veri 15.01.2024, 23:45. Është raportuar se afër një kafeneje ka shpërthyer një granatë dore dhe si pasojë kanë pësuar lëndime dy viktimat meshkuj kosovarë, ku të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Rasti ne procedure hetimore”, thuhet në raport.
Ndërsa nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për Paparacin gjatë ditës së martë kanë thënë se një i dyshuar e ka hedhur mjetin shpërthyes në drejtim të dy viktimave, të cilët kanë marrë lëndime trupore.
Siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit. Kështu vlerësoi ministri për Evropën dhe i punëve të jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, të martën në Prishtinë.
Pas takimit me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla, i pari i diplomacisë së Shqipërisë i bëri thirrje Serbisë që të ndalojë së dërguari ushtrinë e saj në kufi me Kosovës.
“U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin e 21-të, nuk i çohen ushtri fqinjit më te kufiri. Askush nuk duhet të bëjë më këtë lojën që është qesharake, sepse të gjithë jemi të qartë se garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës është NATO, ku dhe Shqipëria është pjesë”, tha Hasani.
Shefi i diplomacisë shqiptare nënvizoi nevojën që autorët e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit të dalin para drejtësisë.
“Ky sulm ishte një akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë, ligjit dhe rendit të Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë e stabilitetit e gjithë rajonit tonë me pasoja të drejtpërdrejta për Evropën tonë të përbashkët. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme”, tha Hasani.
Duke folur për Banjskën, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, sërish i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që ta sanksionojë Serbinë.
“Bashkësia ndërkombëtare pa vonesë të dalë me një qëndrim të qartë rreth asaj që ka ndodhur në Banjskë dhe ta sanksionojë agresorin. Mungesa e ndëshkimit mbart në vetvete rrezikun e përsëritjes, prandaj jo vetëm për hir të paqes dhe mirëqenies së Kosovës, por sidomos për paqen dhe stabilitetin në rajon, bashkësia
ndërkombëtare duhet të mos mbetet e heshtur por të ndëshkojë ashpër çdo tentativë për të destabilizuar vendet fqinje”, tha Gërvalla.
Duke folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Hasani tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit duhet të zbatohen.
Ministri shqiptar gjatë ditës u takua edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca. Në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca u tha se në takim përpos zhvillimeve të fundit politike dhe ato të sigurisë u diskutua edhe nevoja për koordinimin e vazhdueshëm ndërshtetëror në politikën e jashtme.
Vizita e ministrit Hasani, u bë në kuadër të një turi treditor ku pas Kosovës ai do ta vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Salla e sporteve këtu në periferi të Mitrovicës së Veriut, e ndërtuar me fondet e Bashkimit Evropian, do të shfrytëzohet nga qytetarët serbë për ta nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq.
Por nënshkrimet, banorët lokalë ende nuk kanë filluar t’i mbledhin.
Afati i parë kur do të duhej të përfundonte ky proces, sipas udhëzimit administrativ, është 22 janari.
Por i njëjti dokument lejon edhe një afat shtesë, nëse grupi iniciues paraqet kërkesë për shtyrje brenda kësaj periudhe.
Monitorues nga “Iniciativa e Re Sociale” thonë se qytetarët do t’i përgjigjen pozitivisht iniciativës për shkarkimin e kryetarit Atiq.
“Mendoj se qytetarët do ta nënshkruajnë, pasi nuk janë të kënaqur me kryetarët shqiptarë, dhe duan që serbët t’i përfaqësojnë dhe kjo do t’i shtyjë ata që ta nënshkruajnë peticionin”, tha Aleksandar Sljuka nga Iniciativa e Re Sociale.
Megjithatë, nga shoqëria civile nuk janë të sigurt nëse peticioni do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.
“Mendoj se janë më shumë qytetarë sesa në listat zgjedhore, pasi ato nuk janë rifreskuar, dhe kjo do të krijojë vështirësi, sepse nevojiten 50 % plus një, është vështirë që të arrihet kjo përqindje. Ka qenë duke u përfolur se në kohën kur qytetarët do të mbledhin 25 % për peticion, kryetarët do të japin dorëheqje, kështu për të shfaqur vullnet të mirë nga të dyja palët”, tha Sljuka.
Jozyrtarisht televizionit i është thënë se nënshkrimi i peticionit në Mitrovicën e Veriut do të fillojë të mërkurën.
Policia e Kosovës njofton se rreth orës 16:15, ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, kanë përfunduar me pastrimin e vendngjarjes nga mjetet e dyshuara në QKUK.
“Të njëjtat janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe nuk paraqesin rrezik pasi që janë materiale shkollore”, thuhet në përgjigjen e policisë për KosovaPress.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës pak më parë ka njoftuar se sot rreth orës 14:00, është pranuar informata për një mjet të dyshimtë, që dyshohet të jetë mjet shpërthyes, në Institutet Paraklinike, në QKUK, hapësirat ku është vendosur Oda e Mjekëve e Kosovës.
“Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.
Njohësi i çështjeve të sigurisë nga Mitrovica, Arben Dashevci, në emisionin A LIVE në ATV, tha se shpërthimi i mbrëmshëm në veri të Mitrovicës nuk ka të bëjë asgjë me problemet etnike.
Ai tha se ky sulm është një qërim hesapesh mes grupeve të ndryshme.
“Në momentin kur po flasim, sipas asaj që unë hulumtova deri tash, situata matanë lumit Ibër është e qetë dhe nuk ka asnjë indikacion se ky incident është i involvuar me diçka etnike ose ka të bëjë diçka me etniken. Ka ndodhur një arast atje pran një hoteli që quhet Bishevac, por indikacionet e para sipas mendimit tim janë thjeshtë qërime hesapesh mes grupeve të ndryshme atje, m’u ashtu siç ndodh edhe në ndonjë cep tjetër të Republikës së Kosovës”, tha Dashevci.
Sipas tij, Policia ka vepruar shpejt në atë pjesë dhe shumë shpejt ky rast do të sqarohet.
“Ajo çfarë duhet të ceket për rastin e mbrëmshëm se të gjithë ne po i presim hetimet e policisë sepse indikacionet janë ashtu si janë. Nuk ka indikacione që ka diçka etnike dhe policia i ka kapacitetet e plota për veprime dhe në atë pjesë, kështu që puna po bëhet dhe besoj se ky rast do të sqarohet”, tha Dashevci. /atvlive.tv
Intervistën e plotë të tij në A LIVE e gjeni në videon më poshtë:
Gazetari i ATV-së, Driton Sadiku, derisa po raportonte drejtpërdrejt nga vendi ku ndodhi shpërthimi në Mitrovicën e Veriut, një i ri serb ka bërë një provokim duke bërë një përshëndetje provokuese përpara kamerës me tre gishtërinjtë.
Pak sekonda më vonë, gazetari pengohet edhe nga një qytetare, e cila i del para kamerës sa ishte duke kaluar rrugën.
Këtë moment e gjeni në videon më poshtë:
Por çfarë do të thotë realisht ky simbol?
Një variant i interpretimit të këtij simboli, sipas serbëve, është triniteti i shenjtë. Por një shpjegim i tillë duket paska mitologjik, pasi ky simbol ka fituar popullaritet mes serbëve vetëm gjatë luftërave në Ballkan.
Përdorimi i parë i popullarizuar i përshëndetjes me tre-gishtat (me gishta të ndara) ishte në vitin 1988, kur serbët e përdorur për të kundërshtuar shqiptarët, kroatët dhe sllovenët. Gjesti i tre gishtave është një simbol ekskluziv serb, i cili në vitet e fundit ka marrë ngjyrime të forta nacionaliste, pasi u përdor në masë nga forcat paramilitare serbe në luftë, fillimisht kundër myslimanëve. /atvlive.tv
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ka deklaruar se autorët, organizatorët dhe nxitësit e sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë, duke shtuar se kjo është domosdoshmëri për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejmë, raporton EO.
Kryediplomati shqiptar, theksoi se tha se siguria dhe stabiliteti i rajonit është më i kërcënuar se kurrë më parë.
“Rajoni është duke kaluar një moment delikat, që pavarësisht progresit, siguria dhe stabiliteti janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit. Ne kemi dënuar ashpër sulmin e dhunshëm, të orkestruar dhe të armatosur kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit. Ky sulm ishte një akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë ligjit dhe rendit të Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë e stabilitetit e të gjithë rajonit tonë me pasoja të drejtpërdrejta për Europën tonë të përbashkët. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme. Prandaj, tani më shumë se kurrë është e nevojshme që të gjithë ato vende, ato forca që besojnë te pasja e stabiliteti, te bashkëpunimi e integrimi euroatlantik të punojnë se bashku për të ardhmen e rajonit tonë dhe të mirën e qytetarëve tonë”.
Ministri Hasani tha se shqiptarët duhet të luajnë një rol të dorës së parë në këtë përpjekje për të ardhmen e përbashkët dhe shtoi se “padyshim Kosova e Serbia duhet të jenë në zemër të kësaj përpjekjes – dy vende e një popull që më shumë se kushdo tjetër e mbështesin perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”.
Pas Kosovës, Hasani tha se do të shkojë në vizita zyrtare edhe në Maqedoninë e Veriut dhe më pas Malin e Zi.
“Është një tur që ka për qëllim ndarjen e ideve dhe mendimeve mbi punën që duhet të bëjmë së bashku për të mirën e rajonit dhe qytetarëve tonë”.
Të hënën rreth orës 23:50, dy persona janë lënduar në rrugën “Knjaz Millosh” në Mitrovicën e Veriut, si pasojë e shpërthimit të një granate dore afër një hoteli.
Klankosova.tv përmes burimeve mëson se njëri nga të lënduarit është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe se i njëjti pritet të transferohet për trajtim në Beograd.
I njëjti burim ka bërë të ditur se nuk bëhet fjalë për konflikt në baza etnike, por gjithnjë sipas burimit, rasti ka të bëjë me konflikt personal në mes të lënduarve dhe kryesit të veprës.
Personat e përfshirë në këtë rast janë të nacionalitetit serb dhe rasti mbetet duke u hetuar.
Mbrëmë, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur se përveç dëmeve në njerëz, janë shkaktuar edhe dëme materiale si pasojë e shpërthimit të granatës.
“Rreth orës 23:50, dyshohet se ka shpërthyer një granatë dore te hoteli ‘Bisevac’ në Mitrovicë të Veriut. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar 4-5 vetura dhe dy persona janë lënduar, njëri prej tyre ka lëndime më të rënda, por jashtë rrezikut për jetë. Njësitet policore relevante janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin”, ka thënë Elshani.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Dëshmitari i 39-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin W01493 do të vazhdojë dëshminë e tij edhe në seancën e sotme në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ndryshe dje gjykimi në çështjen Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ka rinisur dje me dëshminë e një dëshmitari të ri të ZPS-së, W01493, i cili është dëshmitar i mbrojtur dhe ka dëshmuar përmes video-lidhjes.
Sipas përmbledhjes së lexuar nga ZPS-ja në gjykatë, gjatë periudhës përkatëse ky dëshmitar ka shërbyer në zonën Operative të Dukagjinit dhe dëshmia e tij do të ofroj informacion për strukturën dhe marrëdhëniet ndërmjet UÇK-së dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).
Dy persona kanë pësuar lëndime si pasojë e shpërthimit të një granate dore që ndodhi mbrëmë në afërsi të një hoteli në veri të Mitrovicës.
Zëvendësdrejtori i policisë për veri, Veton Elshani, tha se nga shpërthimi janë lënduar dy persona, njëri prej të cilëve me lëndime më të rënda por jashtë rrezikut për jetë.
Elshani tha se granate e dorës ka shpërthyer te hoteli ‘Bisevac’ në veri të Mitrovicës. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar 7 vetura.
Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet mbi këtë rast.
Nga pamjet e publikuara nga mediat lokale serbe, shihet se në vendin e ngjarjes përveq Policisë së Kosovës janë parë edhe pjesëtar të EULEX-it dhe KFOR-it.
Arsyet se përse ka ndodhur ky shpërthim ende nuk dihen.