ATV

Tag: Ballina

  • NATO-ja do të zhvillojë stërvitjen më të madhe në dekada

    NATO-ja do të zhvillojë stërvitjen më të madhe në dekada

    NATO po fillon stërvitjen e saj më të madhe që nga Lufta e Ftohtë duke treguar se si trupat amerikane mund të përforcojnë aleatët evropianë në vendet në kufi me Rusinë, dhe në krahun lindor të aleancës, nëse një konflikt do të ndizet me një kundërshtar “të afërt”.

    Rreth 90.000 trupa do t’i bashkohen stërvitjeve “Steadfast Defender 2024” që do të zgjasin deri në muajin maj, tha të enjten komandanti suprem i Aleancës për Evropën, gjenerali amerikan Chris Cavoli.

    Më shumë se 50 anije do të marrin pjesë, gjithashtu më shumë se 80 avionë luftarakë, helikopterë dhe drone dhe të paktën 1.100 automjete luftarake, duke përfshirë 133 tanke dhe 533 automjete luftarake të këmbësorisë, tha NATO.

    NATO nuk e përmendi me emër Rusinë në njoftimin e saj. Por dokumenti i saj kryesor strategjik e identifikon Rusinë si kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë e anëtarëve të aleancës.

    “Steadfast Defender 2024 do të demonstrojë aftësinë e NATO-s për të vendosur me shpejtësi forcat nga Amerika e Veriut dhe pjesë të tjera të aleancës për të përforcuar mbrojtjen e Evropës”, tha NATO.

    Përforcimi do të ndodhë gjatë një “skenari të simuluar të konfliktit me një kundërshtar të afërt”, u tha Cavoli gazetarëve në Bruksel pas një takimi dyditor të shefave të mbrojtjes kombëtare, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Stërvitjet e fundit të një madhësie të ngjashme ishin ato që quheshin Reforger – gjatë Luftës së Ftohtë në vitin 1988 me 125.000 pjesëmarrës – dhe Trident Juncture më 2018 me 50.000 pjesëmarrës, sipas NATO-s.

    Trupat që marrin pjesë në stërvitje do të vijnë nga vendet e NATO-s dhe Suedia – e cila shpreson t’i bashkohet aleancës së shpejti.

    Aleatët nënshkruan planet rajonale në samitin e tyre në Vilnius në vitit 2023, duke i dhënë fund një epoke të gjatë në të cilën NATO nuk e kishte parë nevojën për plane të mbrojtjes në shkallë të gjerë, pasi vendet perëndimore zhvilluan luftëra më të vogla në Afganistan dhe Irak, dhe mendonin se Rusia nuk ishte më një kërcënim ekzistencial.

    Gjatë pjesës së dytë të stërvitjes “Mbrojtësi i qëndrueshëm”, një fokus i veçantë do të jetë në dislokimin e forcës së reagimit të shpejtë të NATO-s në Poloni në krahun lindor të aleancës.

    Vende të tjera kryesore të stërvitjeve do të jenë shtetet baltike, të cilat shihen si më të rrezikuara nga një sulm i mundshëm rus, Gjermania – një qendër për përforcimet e ardhshme – dhe vendet si Norvegjia dhe Rumania. ​

  • Sot fillon grumbullimi i nënshkrimeve për shkarkimin e Ilir Pecit nga pozita e kryetarit të Zveçanit

    Sot fillon grumbullimi i nënshkrimeve për shkarkimin e Ilir Pecit nga pozita e kryetarit të Zveçanit

    Përfaqësuesi i qytetarëve për peticionin në Zveçan, Darko Vuksanoviq, u ka bërë thirrje qytetarëve të kësaj komune që të dalin sot sa më shumë të votojnë për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Zveçanit, Ilir Peci.

    Nënshkrimet ai ka treguar se do të fillojnë të mblidhen sot nga ora 9 e mëngjesit.

    Vuksanoviq teksa ka folur për Kosova Online ka pretenduar se kanë hasur në pengesa, por se përkundër kësaj kanë arritur të marrin dokumentacionin e nevojshëm.

  • Osmani takon Hovenierin, flasin për miratimin e Programit të Shitjeve Ushtarake nga DASh-i

    Osmani takon Hovenierin, flasin për miratimin e Programit të Shitjeve Ushtarake nga DASh-i

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Bëhet e ditur se gjatë takimit, Osmani e Hovenier folën për zhvillimet e fundit në vend, ku në fokus ishte miratimi i Programit të Shitjeve Ushtarake nga Departamenti amerikan i Shtetit.

    “Me këtë rast, Presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Hovenier për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe vlerësoi lartë punën e institucioneve në të dyja anët”.

    Javën e kaluar është bërë e ditur se Kosovës i është konfirmuar blerja e raketave antitank “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarë.

  • Avokati serb Çedomir Stojkoviq bën homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari”

    Avokati serb Çedomir Stojkoviq bën homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari”

    Përgatiti: Nora Luta

    Me një kurorë lulesh e një mesazh në tri gjuhë, Çedomir Stojkoviq, avokat i politikanit serb, Nikola Sanduloviq, ka bërë homazhe pasditen e së enjtes në kompleksin memorial “Adem Jashari”.

    “Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë”, është mesazhi në tri gjuhë që ai e la mbi varrin e Blerina Jasharit.

    Avokati me këtë vizitë në Prekaz, ka thënë se i sfidon autoritetet e Serbisë, nëse do ta arrestojnë njësoj sikurse kishin vepruar me klientin e tij.

    Klienti i tij, Sanduloviq ishte arrestuar dhe ka pretenduar se është rrahur nga shërbimi sekret serb pikërisht për këtë arsye.

    Politikani opozitar serb, Nikolla Sanduloviq, është liruar para pak ditësh nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri.

    Atij homazhet te varri i Komandantit Legjendar, Adem Jashari, në Prekaz, dhe kërkim falja për krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë, i kishin kushtuar me arrestim dhe maltretim.

    Sanduloviq është ndër figurat e pakta në Serbi, që e përkrahin hapur pavarësinë e Kosovës.

  • Seancë e jashtëzakonshme për çmimin e energjisë elektrike

    Seancë e jashtëzakonshme për çmimin e energjisë elektrike

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Me polemika si kjo, u përcoll pothuajse e gjithë seanca e jashtëzakonshme, e para për sesionin pranveror.

    I gjithë diskutimi ishte fokusuar në një pikë të rendit të ditës: Rritja e çmimit të Energjisë elektrike.

    Në këtë seancë, PDK-ja kishte edhe një propozim rezolutë, e cila përmbante 5 pika, ndër të cilat u kërkua ulja e çmimit të energjisë elektrike dhe heqja e bllok-tarifës.

    Por, sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, bllok-tarifa ishte shtyrë para në vitin 2017 nga PDK-ja e LDK-ja.

    Ndërkohë derisa, Rizvanolli tha se Kosova e ka çmimin më të ulët në rajon, reagim kishte nga ana e opozitës. Shefi i grupit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Qeveria Kurti ia shet 3 centë kilovatin KEDS-it, ndërsa sipas tij, KEDS-i atë kilovat ia shet 14 centë qytetarit.

    E sipas kryetarit të PDK-së, 100 eurot që u ndanë nga Qeveria, qytetarëve ua mori menjëherë nëpërmjet faturave të larta.

    Për fatura e fryra foli edhe Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Sipas saj, ekzistojnë dyshimet për faturim të pasaktë të energjisë elektrike.

    Pas debatit rreth pesë-orësh, nuk pati deputetë të mjaftueshëm në sallën plenare për ta hedhur në votim rezolutën e PDK-së, ku kërkohej ulja e çmimit të energjisë elektrike dhe heqja e bllok-tarifës.

    Andaj, në mungesë të kuorumit ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës.

  • BQK vendos që vetëm euro mund të qarkullojë në Kosovë

    BQK vendos që vetëm euro mund të qarkullojë në Kosovë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pagesa me këto të holla do të tolerohen vetëm edhe për pak ditë.

    Rregullorja e re e miratuar nga Banka Qendrore e Kosovës për operacionet për paratë e gatshme, parasheh që valuta e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është Euro.

    Këtë po e kundërshtojnë banorët serb të Graçanicës të cilët thonë se është vendim jo të drejtë.

    “Kjo është padrejtësi, kjo është gjenocid ndaj popullit serb këtu gjithmonë është paguar me dinar dhe duhet të vazhdojë qarkullimi i saj. Në pranojmë pensione nga Serbia në dinar. Do të jetë e vështir edhe për shqiptarët e Bujanocit e Medvegjes sepse ata vazhdojnë të jenë shtetas të Serbisë dhe ti marrin pensionet në dinarë”, thotë një banor serb.

    “Nuk e di çfarë të them por shumë vështir është, por mbase mund të merren vesh mes veti diçka”, thotë një tjetër banor serb.

    Sipas rregullores së BQK-së e cila hynë në fuqi nga 1 shkurti thuhet se valutat jo euro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare”.

    “Valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor. Këmbimet valutore mund të kryhen në Republikën e Kosovës vetëm përmes institucioneve të licencuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës që ofrojnë këtë shërbim”, thuhet në rregulloren e BQK-së.

    Rregullorja e BQK-së u bë edhe temë politike, meqë nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucici u interpretuar si ndalim i qarkullimit të dinarit dhe shkelje e parimeve të dialogut.

    Mirëpo, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në një reagim në facebook sqaroi se rregullorja nuk merret me ndalim të qarkullimit të dinarit, nuk e përmend dinarin fare dhe nuk merret me ndalim të valutave tjera. Sipas Bislimit, në rregullore vetëm precizohet se Euro është valutë e vetme dhe se Banka Qendrore e Kosovës është autoritet i pavarur bankar.

    Përveç Prishtinës dhe Baogradit është prononcuar edhe Brukseli. Ndërmjetësuesi në dialog, Miroslav Lajçak, ka thënë tha se për këtë ka biseduar edhe me zëvendës kryeministrin Bislimi dhe shpreson në një zgjidhje pa pasoja negative.

    Një vendim i tillë po konsiderohet i drejtë dhe i duhur nga ekonomistët.

    Kosova ka pranuar Euron si valutë që nga fillimi i aplikimit të kësaj valute në Bashkimin Evropian, në vitin 2002.

  • Lëndohet rëndë 23 vjeçarja që u zu nga çatia e komunës së Prishtinës

    Lëndohet rëndë 23 vjeçarja që u zu nga çatia e komunës së Prishtinës

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Një vajzë 23-vjeçare është lënduar si pasojë e goditjes nga pjesë e çatisë e cila ra nga objekti i Komunës së re në Prishtinë.

    Si pasojë e lëndimeve të rënda, ajo menjëherë u dërgua në emergjencë.

    “Pacientja ka lëndime të rënda trupore, do të dërgohet në klinikën intensive”, tha drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla.

    Derisa vajza merrte trajtimin, në vendin e ngjarjes po punohej që rrëmuja të largohej e të hapej rruga.

    Dyshimet fillestare, sipas zyrtarëve komunalë, çojnë tek era e fortë.

    “Dyshimet fillestare janë që është rrëzuar nga era e fortë, por për momentin nuk kemi raport final. Jemi në pritje…”, tha drejtori i Emergjencave në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica.

    Por, era e fortë në të cilën drejtori i emergjencave në komunë, aludoi që është shkaktar i incidentit, nuk dëmtoi asgjë tjetër në kryeqytet.

    “Jo era nuk ka dëmtu asgjë tjetër…”, tha Fushtica.

    Derisa komuna e Prishtinës nuk e ka të qartë situatën dhe pret raporte përfundimtare, Prokuroria tashmë ka nisur hetimet dhe rastin e ka iniciuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    Objekti i komunës së Prishtinës është përuruar në vitin 2009.

    Por, çatia u rindërtua edhe njëherë në vitin 2023. Tenderin 380 mijë eurosh, për ta kryer këtë punë e kishte fituar një kompani nga Komuna e Suharekës.

  • Avokati serb: Ndjej dhembje për qytetarët e vrarë në Kosovë, nuk i frikësohem arrestimit

    Avokati serb: Ndjej dhembje për qytetarët e vrarë në Kosovë, nuk i frikësohem arrestimit

    Çedomir Stojkoviq, avokati i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, ka bërë homazhe sot te varri i Blerina Jasharit, shtatëvjeçares së vrarë nga forcat serbe gjatë sulmit ndaj familjes Jashari në Prekaz në vitin 1998.

    Ai në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz, pasi bëri nderimet dhe kërkim-faljen, tha se nuk frikësohet nga arrestimi sikur që i ndodhi politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq.

    Stojkoviq la edhe një mesazh, ku thuhej “Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet, dhe miliona shpresa dhe ëndrra. Të cilat fillojnë me fjalën ‘Më fal’”.

    “Nëse vendi im e ka arrestuar dhe rrahur Nikolla Sanduloviq sepse ka vendosur lule në këtë vend sipas ndërgjegjes dhe sipas mendimit të tij, tani vendi im ka mundësinë të më arrestojë edhe mua dhe t’i shpallë botës se ka një rregull të ri sipas të cilit vendosja e luleve të pajtimit në varret e kombeve të tjera dënohet me burgim. Nëse nuk është kështu, atëherë duhet t’i shpjegojnë të njëjtës botë pse trëndafilat e mi janë të ndryshëm nga trëndafilat e Nikollës apo dikujt tjetër, pse unë jam një përjashtim që nuk jam arrestuar… Blerina, urrejtja vdes, por ti do të jetosh përgjithmonë”, tha ai.

    Avokati serb shkoi edhe vizitoi nga afër edhe kompleksin e Jasharëve, nga ku bëri thirrje që shqiptarët dhe serbët të jetojnë së bashku në paqe.

    Ai tha se për shkak të propagandës së presidentit serb Aleksandër Vuçiq, por edhe ish-kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq, populli serb nuk e dinë se çka ka ndodhur në Kosovë.

    “Aleksandër Vuçiq dëshiron më shumë pushtet dhe dëshiron të mbetet në pozitën e pushtetit. Dhe kjo është arsyeja pse ai krijon gjithnjë e më shumë urrejtje, sepse nëse serbët mendojnë se shqiptarët janë terroristë, nëse serbët mendojnë se perëndimi i urren serbët, atëherë serbët do të izolohen vetë, me vullnetin e tyre, dhe kështu sundojnë diktatorët”, deklaroi ai.

    Stojkoviq ditë më parë ka paralajmëruar se pas këtij veprimi do të dorëzohej tek autoritetet e Beogradit për t’i sfiduar dhe treguar se në Serbi ekziston një rregull i ri sipas të cilit çdo vendosje lulesh në varret e fëmijëve shqiptarë dënohet me rrahje dhe burg.

    Politikani opozitar serb Nikolla Sanduloviq ishte arrestuar dhe është rrahur nga shërbimi sekret serb pikërisht për këtë arsye. Në fletarrestin ndaj tij thuhej se ai kishte nxitur urrejtje kombëtare, racore e fetare, duke e përmendur rastin kur ai pati bërë homazhe te varrezat e Jasharëve./KP/

  • ​Ndalimi i dinarit serb, buxheti i Kosovës do të ketë përfitime

    ​Ndalimi i dinarit serb, buxheti i Kosovës do të ketë përfitime

    Buxheti i shtetit do të ketë përfitime, vlerësojnë njohës të ekonomisë pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb në vend. Sipas tyre, që nga pavarësia nuk është respektuar neni që përcakton përdorimin e një valute. Të njëjtit presin përmirësim të gjendjes financiare në vend, e po ashtu edhe pasqyrë më të shëndetshme të ekonomisë.

    Përveç kësaj, përdorimi i dinarit ka qenë antiligjor dhe antikushtetuese. Në nenin 11 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme, ndërsa me Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), po ashtu, thuhet se sipas kërkesës Banka Qendrore do të këmbejë kartëmonedhat dhe monedhat euro.

    Ani pse vendim i vonuar, ekspertët e ekonomisë thonë për KosovaPress, se ky vendim është i mirëseardhur.

    Njohës i ekonomisë Besnik Avdija thotë se një gjë e tillë duhet të implementohet në mënyrë të kujdesshme.

    “Qysh nga krijimi i shtetit tonë, pavarësisë, kushtetutës, në Kosovë nuk është respektuar neni që përcakton përdorimin e një valute të vetme. Pra, ka munguar implementimi i mekanizmave kontrollues përmes të cilëve është dashur që të kontrollohen transaksionet financiare të bizneseve në Kosovë, të cilat nuk e përdorin euron, që është përcaktuar si valutë në venin tonë. Kjo rregullore është e mirëseardhur me kusht që implementimi saj në mënyrë të kujdesshme të arrijë deri tek integrimi i shoqërisë të qytetarëve serb në komunat ku përbejnë shumicën, por edhe i entiteteve biznesore, të integrohen në sistemin fiskal dhe monetar tonin pa pasur komplikime të mëtejme që vinë kryesisht si rezultat i presioneve të jashtme që kanë për qëllim çrregullimin e rendit kushtetues në vendin tonë”, thotë Avdija.

    Ai shton se vendimi për ndalimin e dinarit serb nënkupton që transaksionet financiare do të regjistrohen në përputhje me ligjin në fuqi.

    “Në aspektin ekonomik për vendin tonë është shumë pozitive, për shkak se këto transaksione financiare që kanë qenë ekzistuese de-facto te ne, tashmë do të regjistrohen edhe në mënyrë të ligjshme, dhe përmes këtyre transaksioneve buxheti i shtetit ka përfitime. Pastaj, ka përfitime sistemi financiar te ne, sistemi makro fiskal, por në përgjithësi është një pasqyrë më e shëndetshme e ekonomisë dhe gjendjes financiare në vendin tonë”, tha Avdija.

    Edhe eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadrija e vlerëson pozitive vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës.

    “Është për t’u përgëzuar, diçka e vonuar, dhe në këtë drejtim është në rregull, për faktin që BE na ka imponuar që ne të punojmë me valutën euro, ne duhet të shtrijmë autoritetin në tërë territorin e Kosovës, dhe duhet ta ketë të qartë si komuniteti serb, si Serbia e çdokush që në Kosovë valutë legale është euro. Në këtë drejtim duhet të punohet me euro. Nëse bëhet ndonjë ndryshim apo ndërrim valutash, është diçka tjetër, por te pjesa e tregtisë dhe e këmbimit duhet të jetë thjesht valuta euro. Kushdo që ka pakënaqësi mund të jenë subjektiv, por nga ana objektive dhe ana e funksionimit të shtetit është në rregull, dhe do ta kuptojnë edhe minoriteti serb që në Kosovë është regjimi i valutës euro, edhe është diçka shumë e qartë”, thotë Kadriaj.

    Ai thotë për KosovaPress se shfrytëzimi i dinarit serb ka dëmtuar anën fiskale të ekonomisë së Kosovës.

    “Uroj që në këtë drejtim autoriteti i Kosovës të shtrihet një hap para dhe është diçka e kuptueshme, sepse gjithmonë është përmendur si ekonomi grirëse, si një korridor veriu që në fakt e ka dëmtuar nga ana fiskale edhe në përgjithësi ekonominë e vendit, pra në këtë drejtim është diçka e mirëseardhur dhe e mirëpritur…Nga aspekti ekonomik, shtetëror është diçka shumë e qartë dhe e kuptueshme, sepse përderisa në shtetin verior ka regjimin dinar, është diçka që në atë vend po punohet me dinar, dhe në këtë rast ne Republikën e Kosovës kemi regjimin e euro-s, është në rregull. Ne jemi në pajtim me vetë BE-në”, tha Kadriaj.

    BQK ka vendosur që nga 1 shkurti 2024, valuta e vetme e lejuar për transaksione të pagesave me para të gatshme në Kosovë do të jetë euro, derisa në vendim kanë theksuar se po ashtu se BQK-ja është autoriteti i vetëm monetar që mund të vendosë për denominimet e lejuara të valutës euro për qarkullim në Kosovë.

    “Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 35 të kësaj rregulloreje.

    Në anën tjetër, për vendimin e BQK-së ka reaguar gjatë ditës së djeshme edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duke thënë se “ky veprim i Kurtit do të nënkuptonte jo një largim të heshtur, por të zëshëm të serbëve nga Kosova”.

    Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, përdoret dinari serb për të kryer pagesa. Me dinarë paguhen edhe pensionet që serbët marrin nga Serbia, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

    Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët përdoren në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri çmimet janë me dinarë. /kp

  • ​Kurti-Denkov diskutojnë mbi raportet Kosovë-Bullgari

    ​Kurti-Denkov diskutojnë mbi raportet Kosovë-Bullgari

    Në ditën e tretë të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot është takuar me homologun e tij bullgar Nikolai Denkov, me të cilin ka diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe situatën e sigurisë në rajon.

    Në takim u bisedua edhe për 13 marrëveshjet e nënshkruara deri më tani ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, dhe shtatë të tjera që janë në proces të finalizimit, për bashkëpunim ndërshtetëror dhe rajonal.

    Kryeministri Kurti e falënderoi homologun e tij bullgar për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, për përkrahjen aktive në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe për kontributin në fushën e sigurisë e mbrojtjes përmes pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it.