ATV

Tag: Ballina

  • Sot mbahet samiti i BE-së në Shkup

    Sot mbahet samiti i BE-së në Shkup

    Sot në Shkup do të mbahet samiti i BE-së, kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian.

    Të pranishëm do të jenë liderët e Ballkanit Perëndimor, derisa Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Albin Kurti.

    Po ashtu pjesëmarrës janë dhe përfaqësuesit e lartë të administratës amerikane e të Bashkimit Evropian.

    Kujtojmë se të dielën është mbajtur darka e liderëve, ku është folur për zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

  • Asnjë hap për shërbim e obligueshëm ushtarak

    Asnjë hap për shërbim e obligueshëm ushtarak

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Shërbimi ushtarak i obligueshëm ishte një nga premtimet e Albin Kurtit, para se të bëhej kryeministër.

    Por edhe pasi e mori pushtetin, Kurti e përsëriti këtë premtim.

    Por, një gjë e tillë, nuk është paraparë me ndarjen buxhetore të këtij viti, derisa nuk dihet nëse është në plan të jetësimit nga qeveria.

    Njohës të çështjeve të sigurisë, thonë se ka pasur vetëm diskutime, por jo diçka konkrete në lidhje me këtë premtim.

    “Shërbimi ushtarak i detyrueshëm mund të jetë i mirë nëse dizajnohet për t’i kontribuar zhvillimit shoqëror të Kosovës. Mund të jetë negativ nëse mendohet si platformë për militarizim të shoqërisë. Ka shumë modele të ndryshme të shoqërisë, të cilat janë demokratike dhe kanë shërbim të detyrueshëm ushtarak, mund të merret si shembull Finlanda, mbase në një masë edhe Izraeli dhe Koreja e Jugut”, tha drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli.

    Sipas ekspertit të sigurisë, Nuredin Ibishi, një gjë e tillë mund të realizohet në një fazë të mëvonshme.

    “Ne e kemi FSK-në në tranzicion, në zhvillime të kapaciteteve njerëzore dhe trajnimeve të infrastrukturës e cila do të zgjatë deri ne vitin 2028, dhe kjo realisht është pak edhe në aspektin financiar edhe në çështje kadrovike të ekspertëve për trajnime, vendosje dhe pajisje. Duhet pritur një rast tjetër pasi që vet, derisa FSK-ja të përmbyll çështjen e tranzicionit apo zhvillimit 10 vjeçar. Atëherë, mund të mendojmë për një mundësi të kthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, që kishte me qenë modalitet, fillimisht vullnetarë dhe mandej me u bërë edhe i detyrueshëm”, tha Ibishi.

    Kryeministri Kurti pati thënë se shërbimi ushtarak do të jetë në kohëzgjatje tremujore dhe me standardet më të mira të vendeve të NATO-s, derisa sipas tij, Qeveria do të angazhohej që forcat e sigurisë të jenë pjesëmarrëse në stërvitjet e përbashkëta ushtarake me shtetet anëtare të NATO-s.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Për vrasjen e 10 mijë civilëve, Serbia dënoi vetëm 15 shtetas të saj

    Për vrasjen e 10 mijë civilëve, Serbia dënoi vetëm 15 shtetas të saj

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në luftën e Kosovës, ushtria e paramilitarët serbë nuk i kursyen fëmijët, gratë e madje as pleqtë.

    Për gati 2 vjet vranë më shumë se 10 mijë civilë, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare.

    Pavarësisht se vet ishte në krye të aparatit vrasës, shteti serb pas vitit 2000, nisi t’i hetonte krimet e kësaj lufte. Por, dënim iu dha vetëm fare pak personave.

    “Që nga përfundimi i luftës, Serbia i ka dënu vetëm 15 shtetas të saj për krimet e luftës në Kosovë. Përfshihet rasti i Suharekës, familja Bogujevci, Duriqi dhe i Tërnjës”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    “’Gjykimi i atyre 15 personave ka qenë politik. Ata pavarësisht dënimit janë të privilegjuar, tha Xhevdet Smakiqi, avokat.

    Madje, asnjëri prej tyre nuk u dënua me më shumë se 20 vjet heqje lirie.

    Ndërkohë, në Gjykata të Serbisë po trajtohet edhe një rast, cili vlerësohet se po zvarritet, ngjashëm si gjithë proceset tjera.

    “Është rasti për krimet e luftës në Pejë dhe në fshatrat Lubeniq e Qyshk. Ky proces po zvarritet tej mase. Është hapur në vitin 2012 dhe më shumë se 12 vjet nuk kemi epilog përfundimtar. Kjo tregon se Serbia nuk po i trajton me seriozitet”, tha Alija.

    “Përderisa ish-ministri i MIlloshevicit, Vucic është në krye të Serbisë, kjo tregon se populli serb nuk ka hequr dorë nga mbrojtja e ushtrisë dhe paramilitarëve”, tha Smakiqi.

    Për luftën në Kosovë nga të gjitha gjykatat, përfshirë ato vendore e ndërkombëtare, janë dënuar 34 pjesëtarë të forcave serbe dhe 40 pjesëtarë të UÇK-së.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Varroset i riu 18 vjeçar, dy të mitur në paraburgim

    Varroset i riu 18 vjeçar, dy të mitur në paraburgim

    Përgatiti: Armand Hoti

    Sot iu dha lamtumira e fundit, në varrezat e qytetit në Podujevë, 18 vjeçarit L.F, i cili nuk arriti tu mbijetonte plagëve të shkaktuara nga rrahja brutale.

    Viktima i ishte nënshtruar trajtimit mjekësor intesiv, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku edhe vdiq të shtunën.

    Agreta Gashi doktoreshë në Qendrën e Mjekësisë Intensive, konfirmoi se i riu kishte pësuar lëndime të rënda në tru.

    “Në intesivë është trajtuar gjashtë ditë dhe ka pasur lëndime të rënda në tru”, tha Gashi.

    Lidhur me rrahjen e cila i solli vdekjen të riut, më 15 janar dy të mitur ishin ndaluar nga policia, teksa dyshoheshin për vrasje në tentativë.

    Mirëpo, me vdekjen e 18 vjeçarit, tani Prokuroria Themelore në Prishtinë dyshon se ata janë përgjegjës për vrasje.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e dt. 15 janar 2024, në Podujevë, ku pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale ‘Vrasje në tetnativë’ (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore Prishtinë.

    Sipas prokurorisë, ndaj dy të miturve tashmë është caktuar masa e paraburgimit.

    “Brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente, prokurori ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarit, e cila është aprovuar”, thuhet më tej në njoftimin e Prokurorisë Themelore Prishtinë.

    Ngjarja tragjike kishte ndodhur një javë më parë më rrugën “Drenica” në Podujevë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Bëhen homazhe në 18-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Rugova

    Bëhen homazhe në 18-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Rugova

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Që në orët e hershme të mëngjesit, kanë filluar të bëhen homazhet te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, në përvjetorin e 18-të, të vdekjes së tij.

    Kurora lulesh te varri i Rugovës, vendosën Presidentja, Vjosa Osmani bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa u vizitua edhe familja e ishpresidentit.

    “Presidenti Rugova arrit në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për popullin tonë të ndërtojë aleanca të cilat edhe sot i duhet Kosovës. Prandaj, sot e përjetë do t’i ruajmë këto aleanca që do të na ndihmojnë që të ecnim përpara drejt realizimit të plotë të vizionit të presidentit historik për një Kosovës të pavarura, sovrane, të integruar në BE e në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të”, tha Osmani.

    “Bashkë me presidenten Osmani dhe me kolegë të tjerë nga institucione të shtetit vendosëm lule të freskëta te varri i presidentit Rugova i cili është edhe presidenti i parë i Republikës së Kosovës, kjo Republikë është Republikë për rezistencë ndaj okupimit të Serbisë në Kosovë por edhe presidenti i parë i Kosovës së çliruar. Sot në 18 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta e kujtojmë për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezistencës”, tha Kurti.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku bashkë me bashkëpunëtorë megjithatë ishin të parët që shkuan për homazhe.

    “Në këtë 18-vjetor të dhimbshëm ne vetëm ndjejmë dhimbje për humbjen dhe mungesën e tij, por rikujtojmë edhe me nder të madh, mundin, përpjekjen dhe mënyrën e të bërit politikë të tij. Projekti tij i një Kosovë të pavarur dhe sovrane të anëtarësuar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me ShBA-në është projekt i yni edhe sot”, tha Abdixhiku.

    Homazhe bënë edhe ambasadorë të huaj në Kosovë. Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, ndonëse nuk u deklarua për media, përmes platformës, X, tha se “Trashëgimia e Presidentit Rugova – ajo e një lideri që avokoi për rezistencë paqësore duke kërkuar të drejta dhe liri të barabarta për të gjithë qytetarët – është një frymëzim këtu në Kosovë dhe në mbarë botën.”

    Gjithashtu edhe përfaqësuesit e partive politike në vend, përmes postimeve në rrjetet sociale, kanë kujtuar ish-Presidentin Rugova.

    Ish-Presidenti Rugova, është kujtuar edhe nga liderët e Shqipërisë.

    Ish-presidenti Ibrahim Rugova, pas një sëmundje të rëndë, vdiq më 21 janar 2006.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Ambasadorët e huaj në Kosovë bëjnë homazhe tek varri i presidentit Rugova

    Ambasadorët e huaj në Kosovë bëjnë homazhe tek varri i presidentit Rugova

    Në shënimin e 18-të të vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, krerët e shtetit, figura publike dhe ambasadorët e huaj në Kosovë kanë bërë homazhe tek varri i tij, raporton EkonomiaOnline.

    Deri më tani, në homazhe janë parë ambasadori amerikan , Jeffrey M. Hovenier , shefi i zyrës së BE-së në Kosovës, Tomas Szunyog dhe Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.

    Rugova ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

  • Krerët e shtetit bëjnë homazhe në 18-vjetorin e vdekjes së Rugovës – Osmani: Sot e përjetë do t’i ruajmë aleancat që i ka ndërtuar presidenti Rugova

    Krerët e shtetit bëjnë homazhe në 18-vjetorin e vdekjes së Rugovës – Osmani: Sot e përjetë do t’i ruajmë aleancat që i ka ndërtuar presidenti Rugova

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
    Presidentja, Vjosa Osmani, ka thënë se ish-presidenti, Ibrahim Rugova, në një kohë të vështirë ka ndërtuar aleanca që ende i duhen Kosovës.

    Osmani në një deklarim para mediave pas homazheve që bëri së bashku me kryeministrin, Albin Kurti, te varri i presidentit historik në 18 vjetorin e vdekjes së tij, ka theksuar se aleancat që i ndërtuar Rugova do t’i ruajnë përjetë.

    “Presidenti Rugova arrit në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për popullin tonë të ndërtojë aleanca të cilat edhe sot i duhet Kosovës. Prandaj, sot e përjetë do t’i ruajmë këto aleanca që do të na ndihmojnë që të ecnim përpara drejt realizimit të plotë të vizionit të presidentit historik për një Kosovës të pavarura, sovrane, të integruar në BE e në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të”, ka thënë Osmani.

    Përveç Osmanit e Kurtit, homazhe kanë bërë edhe partia që dikush udhëhiqte Rugova, LDK-ja, po ashtu edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier dhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovës, Tomas Szunyog.

  • Haxhiu për Kodin Civil: Qeveria s’duhet ta procedojë në Kuvend pa u siguruar votat

    Haxhiu për Kodin Civil: Qeveria s’duhet ta procedojë në Kuvend pa u siguruar votat

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë për Ekonomia Online se Qeveria nuk duhet ta procedojë për në Kuvend, Projektligjin për Kodin Civil, pa u siguruar nëse i njëjti mund të kalojë.

    Ndonëse ky Projektligj nuk e ka mbështetjen e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhiu ka kërkuar që përkrahje t’i japin edhe opozita.

    Ajo ka thënë se në kohën sa ishin në opozitë, çdo projektligj që ka qenë në të mirë të qytetarëve e kanë përkrahur, teksa të kundërtën thotë se e kanë bërë kur marrëveshjet ishin të dëmshme.

    Haxhiu ka deklaruar se komunikimet me deputetë për t’i bindur do të vazhdojnë, pasi e konsideron se ligjvënësit e kanë për obligim.

    “Unë konsideroj që takimet konsultimet me deputetë duhet të vazhdojnë, dhe nuk mendoj që është mirë që Qeveria ta procedojë në kuvend edhe njëherë Kodin Civil pa u siguruar që ka mbështetjen e deputetëve të Kuvendit por këtu do të thosha që kanë obligim edhe opozita duke pasur parasysh që Kodi Civil është për të gjithë qytetarët e Republikës e Kosovës dhe jo vetëm për një grup”, u shpreh ajo.

    Ministrja e Drejtësisë, Kodin Civil e ka quajtur të rëndësishëm për qytetarët, pasi ligjet në fushën civile janë të vjetërsuara.

    “Unë konsideroj që Kodi Civil është jashtëzakonisht i rëndësishëm si dokument sepse adreson të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe ligjet e fushës civile të cilat janë disa në Republikën e Kosovës, e të cilat janë fuqi janë të stërvjetëruar dhe nuk i përgjigjen fare rrethanave aktuale në Republikën e Kosovës, duke pasur parasysh rendësin e tij konsideroj që është shumë i rëndësishëm”, u shpreh Haxhiu, teksa ka thënë se nuk ka munguar as komunikimi kokë me kokë. “Ne gjatë gjithë kësaj kohe kemi qenë në komunikim me deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjegjësit me grupin parlamentarë individualisht por edhe në grupe të ndara, për të kërkuar mbështetjen e tyre për këtë dokument që është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, deklaroi ajo.

    E para e MD-së ka thënë se përkrahje duhet t’i japin edhe deputetët e opozitës, pasi përfaqësojnë të drejtat e qytetarëve. Ajo përmend përkrahjet që u ka dhënë qeverive të kaluara në kohën sa kanë qenë në opozitë.

    “Në kohën kur ne kemi qenë në opozitë çfarëdo nisme që ka qenë në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës ne e kemi mbështetur, ne kemi kundërshtuar e kemi protestuar nismat të cilat kamë qenë në kundërshtim me Republikën e Kosovës, me interesin publik me interesin e qytetarëve të republikës së Kosovës, megjithatë sa herë ka pasur ndonjë iniciativë reformuese ne e kemi mbështetur atë. Ata e kanë obligim sepse përfaqësojnë qytetarët e republikës së Kosovës, prandaj edhe do duhej që të votonin në Kuvendin e Kosovës, të zgjedhin për, kundër apo edhe të abstenojnë. Megjithatë qasja e tyre natyrisht nuk ka qenë konstruktive, por unë uroj që gradualisht ta ndryshojnë qëndrimin dhe në momentin kur ne e procedojmë në Kuvend, të votojnë për të njëjtin”, u shpreh Haxhiu.

  • Sulmi brutal që i mori jetën të riut nga Podujeva: Zbulohet kush janë të dyshuarit – krejt çka dihet për vrasjen

    Sulmi brutal që i mori jetën të riut nga Podujeva: Zbulohet kush janë të dyshuarit – krejt çka dihet për vrasjen

    Vdekja e 18-vjeçarit nga Podujeva, Lulzim Fejzullahut, tronditi vendin. I riu që ndërroi jetë të shtunën, përfundoi në QKUK para disa ditësh, pasi u rrah brutalisht nga disa të mitur. Për këtë krim makabër, dy persona tashmë ndodhen nën masën e paraburgimit, teksa  po hetohet në zbulimin e rrethanave dhe motivit që çoi deri te ky konflikt që përfundoi tragjikisht, raporton Gazeta Sinjali.

    Sulmi që i mori jetë Lulzimit dyshohet se ndodhi mesditën e 14 janarit, ku për motive akoma të panjohura, në rrugën “Drenica” në Podujevë, dy të dyshuar e sulmuan brutalisht.

    Por çfarë ndodhi në të vërtetë atë ditë?

    Në dosjen e Prokurorisë thuhet se pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën, duke i shkaktuar lëndime trupore.

    Si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tentativë” (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

    Dy të dyshuarit që ndodhen prapa grilave për këtë rast janë E.Kadriu (16-vjeçar) dhe A.Abdullahu (17-vjeçar).

    Për këtë rast të tmerrshëm kanë folur edhe familjarët e të ndjerit. Ata thonë se pas një fjalosje me disa persona, Lulzimi është përplasur nga një veturë dhe më pas është goditur me shkopinj bejsbolli, duke i shkaktuar lëndime të rënda.

    “Unë jam axha i tij. Lulzimi si 18 vjeçar ka qenë puntorë, ka qenë jetim. Pa dy prindtë. Prej dorës kruiminele shqiptare. Maspari e kanë ndjek me kerr, e kanë shkel, e kanë shtypë e kanë rrëzuar. Kur e kanë rrezuar Lulzimin, e kanë goditur me stupca bejsbolli derisa sot në ora 3 pasdite ndërroi edhe jetë”, tha axha i Lulzimit.

    Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

  • 18 vjet nga vdekja e presidentit historik, Ibrahim Rugova

    18 vjet nga vdekja e presidentit historik, Ibrahim Rugova

    Këtë të diel të 21 janarit shënohet 18-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

    Gjatë ditës së sotme, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe partiakët e tjerë, do të bëjnë homazhe te varri i presidentit historik në Velani, me rastin e 18-vjetorit të vdekjes së tij.

    Ndërsa, nga ora 09:30, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të jetë gjithashtu te varri i ish-presidentit Rugova, për të bërë homazhe.

    Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore e ushtarake.

    Ka lindur më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë të komunës së Istogut. Shkollën fillore e ka kryer në Istog, të mesmen në qytetin e Pejës më 1967. Ndërsa, ka studiuar në Fakultetin Filozofik- Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe në Prishtinë. Ka doktoruar në fushën e letërsisë në UP më 1984.

    Më 1996, Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.

    Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.

    Autor i dhjetë librave, presidenti historik, Ibrahim Rugova ishte në nismë redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, ai punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike”, që e nxirrte ky Institut.