ATV

Tag: Ballina

  • Kundërshtohet ndërtimi i stacionit policor në veri

    Kundërshtohet ndërtimi i stacionit policor në veri

    Përgatiti: Nora Luta

    Një tjetër peticion do ta dorëzojnë banorët lokalë serbë të Mitrovicës Së Veriut brenda kësaj jave në Kuvendin Komunal.

    Rreth 2 mijë qytetarë i janë përgjigjur pozitivisht iniciativës së partisë Demokratike Serbe për te kundërshtuar përmes peticionit vendimin e Komunës për t’ia dhënë në shfrytëzim këtë hapësirë Ministrisë së Punëve te Brendshme.

    Ata po pretendojnë se këtu do të ndërtohet një stacion policor.

    “I kemi mbledhur rreth 2 mijë nënshkrime, sepse jemi kundër vendimit të Komunës që ajo hapësirë të ipet në shfrytëzim, vendimi është marrë pa konsultim publik paraprakisht, askush nuk ka pyetur nëse 3 hektarë do të ipen në shfrytëzim, ne nuk kemi nevojë për forca shtesë të policisë, kemi nevojë më shumë hapësira të gjelbra, më shumë parqe”, tha Stefan Veljkovic nga Partia Demokratike Serbe.

    Por në Kuvendin Komunal thonë se kërkesa e këtij subjekti politik nuk është në përputhje me ligjin, dhe si pasojë vendimi nuk mund të shfuqizohet.

    E, nga Stacioni i Policisë së Kosovës në veri thonë se hapësira nga MBP-ja do të shfrytëzohet për një tjetër qëllim.

    Vendimi i Kuvendit Komunal për ndarjen e kësaj parcele për MPB-në ka marrë dritën e gjelbër edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

    Ndërsa stacioni i policisë këtu në veri aktualisht ndodhet në këtë objekt që është përballë Gjykatës Themelore.

  • Bërnica e Epërme pa ujë të pijshëm

    Bërnica e Epërme pa ujë të pijshëm

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Bidonët i vendosi në veturë e u nis për t’i mbushur me ujë ato.

    Kështu duke udhëtuar 16 kilometra, Liman Maqani nga fshati Bërnicë e epërme, siguron ujin për pije.

    Meqë komuna problemin me ujësjellës nuk ua zgjodhi, banorët hapen puse në fshat, por ujin nga aty nuk mund ta konsumojnë për pije.

    Mirëpo, çështja e ujit të pijshëm, pritet të zgjidhet së shpejti, kjo pasi që të hënën, kompania rajonale ujësjellësit Prishtina dhe komuna e Prishtinës arritën një marrëveshje.

    “Sot kemi pasur një takim me Komunën e Prishtinës, kemi arrite marrëveshje, që ne si KRU Prishtina me bë planin për ndërtimin e një rezervuari mbi fshatin Bërnicë. Projektin e realizojmë ne dhe e dërgojmë në komunë deri në fund të muajit mars, ndërsa komuna e Prishtinës do investojë aty, dhe kështu në plane afatgjate pritet të zgjidhet problemi me ujë për Bërnicë e Milevc”, thotë Arjeta Mjeku nga “KRU Prishtina”.

    Por pa dhënë detaje, nga drejtoria e investimeve kapitale, nëpërmjet telefonit i thanë ATV-së, se varësisht se sa shpejt KRU-ja e përfundon projektin, do të fillojnë investimet.

    Megjithatë, nëse çështja e ujit nuk zgjidhet shpejt, banorët e këtij fshati kanë paralajmëruar protesta, para institucioneve përgjegjëse.

  • ​Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në BE të ndahet nga procesi i normalizimit me Serbinë

    ​Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në BE të ndahet nga procesi i normalizimit me Serbinë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian të ndahet nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

    Ai nga Shkupi, ku u mbajt samiti, “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor”, tha se aktualisht dialogu po zhvillohet vetëm në relacionin mes kryenegociatorit Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, për përcaktimin e hapave të mëtutjeshëm.

    “Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin as demokracinë… (Dialogu) Tash për tash kjo zhvillohet në relacionit midis kryenegociatorit dhe lehtësuesit evropian, përfaqësueset special zotëri Lajcak. Tash për tash ky është rrafshi në të cilin do të mund të përcaktohen hapat e mëtutjeshëm, ndërsa në nivelin e takimit të liderëve nuk ka diçka të re, për çfarë ftesa na vjen nga Borrell”, tha ai.

    Kurti në konferencën për media pas samitit rajonal, nënvizoi sërish se që Ballkani Perëndimor të integrohet ekonomikisht dhe qytetarët të afrohen nevojitet që që paqja me sundim të ligjit të mbizotërojë, ndërsa kërcënimet e sigurisë të pushojnë.

    “Që rajoni i Ballkanit Perëndimor të integrohet ekonomikisht dhe që qytetarët të afrohen, nevojitet që paqja me sundim ligji të mbizotërojë dhe kërcënimet e sigurisë të pushojnë. Integrimi më i thellë dhe rritja e fluksit dhe mallrave kërkon besim dhe njohje reciproke mes shteteve, institucioneve dhe njerëzve. Anëtarësimi në BE është një zgjedhje, ka shtete dhe popuj që mund të përcaktohen për mos anëtarësim në BE. Por anëtarësimi në Bashkimin Evropian është synim i shtetit tonë, institucioneve dhe popullsisë së vendit tonë, në një mbështetje që sillet diku 94 për qind”, theksoi Kurti.

    Ai shtoi se masat e sigurisë të Kosovës ndaj Serbisë janë të domosdoshme, përderisa grupi paramilitar terrorist që kreu agresion ndaj Kosovës më 24 shtator në Banjskë është i lirë.

    “Masat e sigurisë të Kosovës janë të domosdoshëm, ne nuk kemi masa tregtare ndaj Serbisë. Kemi vetëm masa të sigurisë, por duhet të theksoj se për shkak të kontrollove të shtuara në vendkalimeve kufitare ka mundësi që ndërmarrje të caktuara nuk janë aq të interesuara të kalojnë kufirin dhe të vijnë në Kosovë si dikur. Masat e sigurisë ne nuk mund t’i heqim përderisa e kemi atë grup paramilitar terrorist që vepron i lirë. Në të njëjtën kohë na vijnë informacione sesi po takohen dhe po riorganizohen pa ndryshuar qëllimet dhe sjelljet e tyre”, deklaroi kryeministri.

    I pyetur për Ballkanin e Hapur, Kurti tha se ai nuk është mjaftueshëm evropian dhe s’ka as strategji zhvillimi dhe as plan veprimi.

    “Ballkani i Hapur nuk është mjaftueshëm evropian. Ndërkaq Ballkani evropian është mjaftueshëm i hapur. Ajo iniciativa për Ballkanin e Hapur nuk ka kontratë themelore, nuk ka kornizë institucionale, s’ka mekanizëm për të zgjidhur mospajtimet, s’ka strategji zhvillimi dhe as plan veprimi. S’ka transparencë procesi dhe as informacion të publikuar, po ashtu si ka as rregullat e Bashkimit Evropian dhe financimin e BE-së”, tha Kurti.

    Krahas kësaj, Kurti tha se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë në zgjedhje në Maqedoninë e Veriut.

    “LVV nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi aktivistë dhe zyrtarë që vijnë nga Maqedonia e Veriut, por këtu nuk jemi formalisht të regjistruar. Andaj ne si LVV nuk është se marrim pjesë këtu”, tha ai.

    Ndërkaq, tha se nuk është i njoftuar se pse është anuluar konferenca e përbashkët e planifikuar e të gjithë liderëve rajonal./kp/

  • Avokati Bajraktari: Sipas kualifikimit aktual për vrasjen e 18-vjeçarit, të miturit mund të dënohen maksimum deri në 5 vite burg

    Avokati Bajraktari: Sipas kualifikimit aktual për vrasjen e 18-vjeçarit, të miturit mund të dënohen maksimum deri në 5 vite burg

    Avokati Ardian Bajraktari, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, tha se, sipas kualifikimit aktual “Vrasje në bashkëkryerje”, dy të miturit për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë, mund të dënohen në maksimum deri në 5 vite burgim.

    “Sipas kualifikimit aktual, mirëpo që nuk përjashtohet mundësia që të rikualifikohet mbase në fazat e më pastajme, bazohem edhe në indikacionet të cilat mund të hasen gjatë procesit të më pastajmë. Sipas kualifikimit aktual që është “Vrasje në bashkëkryerje”, e që maksimumi i dënimit për këtë vepër penale që mund t’u shqiptohen të miturve është deri në 5 vite”, tha avokati Bajraktari.

    Ai tha se rrethanë determinuese në rastin e përcaktimit të moshës, është momenti i kryerjes së veprës penale.

    “Rrethanë determinuese në rastin e përcaktimit të moshës është momenti i kryerjes së veprës penale, sepse kemi dëgjuar dje se ‘jo duhet me i mbajt në paraburgim deri sa të arrijnë moshën 18-vjeçare, të ngjashme’, që kryesisht kanë qenë mbase edhe laik të fushës jo të profesionit, megjithatë unë e kuptoj reagimin edhe shqetësimet e opinionit publik në lidhje me pamjet të cilat janë shpërfaqur nga ana e mediave, megjithatë duhet me e pasë parasysh që këta i përkasin kategorisë së kryerësve të mitur, që nënkupton që ndaj këtyre zbatohen dispozitat e kodit të drejtësisë për të mitur gjatë gjithë ecurisë së procesit për çka zhvillohet ndaj tyre”, tha Bajraktari.

    Avokati tregoi se kodi i drejtësisë për të mitur është i vitit 2013, i cili është edhe kësaj në harmoni edhe me direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian.

    “Personat të cilët kanë kryer këtë vepër penale hynë në kategorinë e personave të mitur të rritur që nënkupton se plotësohet kushti bazë për shqiptimin e dënimit me burgim, e kur jemi tek dënimi me burgim, atëherë kodi i drejtësisë për të mitur përcakton që të mund të shqiptohet dënimi me burgim, duhet të kryhet një vepër e dënueshme me 5 vite e më tepër burgim, e që natyrisht vrasja hyn në këtë kategori dhe kohëzgjatja e dënimit me burgim për të mitur është nga 6 muaj deri në 5 vite, maksimumi i përgjithshëm, përveç në raste kur kryhen vepra të rënda, të dënueshme me burgim të përjetshëm, ose kryhen dy e më shumë vepra penale me të paktën 10 vite burgim, atëherë mund të dënohen deri në 10 vite. Këto janë limitet dhe kushtet me të cilat përcaktohen me dispozitat e kodit të drejtësisë për të mitur e kur jemi te kodi i drejtësisë për të mitur, ai është i vitit 2013 dhe në rrjedhë të kësaj është në harmoni edhe me direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian”, tha Bajraktari. /atvlive.tv

  • O’Brien: Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë aneksin e Ohrit

    O’Brien: Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë aneksin e Ohrit

    Ndihmësekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

    O’Brien në konferencën për medie, pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup, tha se ShBA-ja e mbështet fuqishëm ujdinë e Ohrit dhe i bëri thirrje palëve të angazhohen në zbatim e saj brenda kornizave të dialogut.

    “Ne e mbështesim fuqimisht udhërrëfyesin që është miratuar në Ohër, në marsin e kaluar. Besojmë se të dy shtetet duhet të operojnë brenda dialogut për të zbatuar udhërrëfyesin plotësisht”, tha ai.

    Kosova e Serbia janë pajtuar për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë më 18 mars të 2023-s, në Ohër, mirëpo kanë ngecur deri tani në zbatimin konkret të tij.

  • ​Samiti në Shkup, anulohet konferenca e përbashkët e liderëve

    ​Samiti në Shkup, anulohet konferenca e përbashkët e liderëve

    Është anuluar konferenca e përbashkët e liderëve të Ballkanit Perëndimor, e cila ishte paraparë të nis pas orës 12:00.

    Liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë tjerë të lartë janë mbledhur të hënën (22 janar) në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit.

    Bëhet fjalë për konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”.

    Mësohet se liderët e shteteve po flasin vetëm për mediet e tyre.

  • ​Përfundon mbledhja e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve shqiptarë në veri

    ​Përfundon mbledhja e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve shqiptarë në veri

    Nënshkrimi i peticioneve, i cili do të hapte rrugën për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komuna në veri të Kosovës, tashmë ka përfunduar. Këtë e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë përfaqësues të grupeve, të cilat e kanë iniciuar këtë proces.

    Darko Vuksanoviq, nga grupi për Zveçanin, ka konfirmuar për REL-in se gjatë ditës së parë (e premte, 19 janar) është mbledhur numër i mjaftueshëm i nënshkrimeve.

    Në komunën e Zubin Potokut, ku nënshkrimi është kryer gjatë periudhës 19-22 janar, janë mbledhur mjaft nënshkrime, ka konfirmuar Sërgjan Vuçiniq, njëri nga iniciatorët.

    Paraprakisht, edhe Sanja Kërtiniq, nga grupi iniciator në Mitrovicën e Veriut, ka thënë se procesi i mbledhjes së nënshkrimeve ka përfunduar. Të shtunën, më 20 janar, janë mbledhur nënshkrime të mjaftueshme edhe në komunën e Leposaviqit.

    Iniciatorët e nënshkrimit të peticioneve nuk kanë specifikuar se sa qytetarë kanë nënshkruar, duke thënë vetëm se janë mbledhur më shumë nënshkrime se minimumi i kërkuar.

    Në komunën e Mitrovicës së Veriut, peticionin është dashur ta nënshkruajnë së paku 3.640 votues me të drejtë vote, në Leposaviq 2.689 votues, në Zveçan 1.411 votues dhe në Zubin Potok 1.347 votues, shifra që përbëjnë 20 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve në këto komuna.

    Hapi i radhës tani është që peticionet e votuesve të regjistruar t’u dorëzohen kryetarëve të kuvendeve komunale.

    Pas dorëzimit të peticionit me nënshkrime, kryetari i kuvendit ka tri ditë kohë për t’ia përcjellë atë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shqyrtim dhe verifikim.

    Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon ato, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

    Pas kësaj, rezultati i dërgohet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme.

    Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët, në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

    Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar, të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR.

    Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

    Peticioni është nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet dhe largoi përfaqësuesit e saj nga institucionet e Kosovës, duke nxitur edhe largimin e serbëve të tjerë.

    Largimi nga institucionet u bë në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me ndërrimin e targave të makinave nga ato të lëshuara nga Serbia në ato që lëshohen nga Kosova, por që atëherë kjo çështje është zgjidhur.

    Por, në mesin e tetorit të vitit 2023, kjo parti deklaroi se ishte e gatshme të merrte pjesë në zgjedhjet në komunat në veri, pa vendosur asnjë kusht për pjesëmarrje në zgjedhje, siç kishte bërë më herët.

    Ky qëndrim i kësaj partie u mor pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje përfaqësuesve serbë në veri të Kosovës që të inicionin mbajtjen e zgjedhjeve të reja, në mënyrë që “levat kryesore të pushtetit të jenë në duart e tyre”.

    Kësaj thirrjeje i parapriu një sulm i armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, kur një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një polic. Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

  • BE me 6 miliardë për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kurti: Sa do të marrim, varet nga punët që bëjmë

    BE me 6 miliardë për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kurti: Sa do të marrim, varet nga punët që bëjmë

    Kryeministri Albin Kurti ka folur në Shkup në nisjen e Samitit të BE-së për Planin e Rritjes.

    “Në këtë mbledhje ku 6 shtete të Ballkanit Perëndimor takojnë BE-në, për Planin e Rritjes.

    Brukseli dhe Uashingtoni bashkë në Shkup me Ballkanin Perëndimor për rritjen ekonomike.

    Vlerat e BE-së duhet të bëhen reforma te ne, ndërkaq mbështetja e BE-së duhet të jetë edhe financiare. Plani i Rritjes nënkupton 6 miliardë euro për rajonin tonë, me ç’rast sasia e mjeteve që merret varet nga puna që bëjmë.

    Kosova do të dorëzojë sot listën e reformave të diskutuara ndërkaq ditëve në vijim do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative”, tha Kurti.

  • “Nëse Rusia mposht Ukrainën, çfarë do të ndodhë me Ballkanin?”

    “Nëse Rusia mposht Ukrainën, çfarë do të ndodhë me Ballkanin?”

    Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka përmendur Ballkanin dhe rrezikun që i kanoset në rast se Shtetet e Bashkuara nuk vazhdojnë të dërgojnë ndihmë për Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus, prej shkurtit të vitit 2022.

    Duke folur pas një konferencë me kryetarë të shteteve amerikane, Biden e ka përmendur pozitën e fuqishme të Shteteve të Bashkuara në botë, dhe për sfidat me të cilat po përballen vendet tjera.

    “Nëse ne ndalemi, dhe Rusia vazhdon të luftojë dhe mposhtet Ukraina, çfarë mendoni se do të ndodhë me vendet e Ballkanit? Çfarë do të ndodhë me Poloninë deri te Hungaria? Seriozisht, mendoni për këtë. E ndryshon dinamikën”, tha Biden, sipas Shtëpisë së Bardhë.

    Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë ndihmuar më së shumti Ukrainën, prej nisjes së luftës, aktualisht përballen me bllokadë të disa republikanëve konservatorë, të cilët kanë dalë kundër ndarjes së mëtejshme të ndihmës për këtë shtet.

    Në pakon e Bidenit për ndihmë parashihen 50 miliardë dollarë për Ukrainën dhe 14 miliardë për Izraelin.

    Edhe Bashkimi Evropian nuk ka arritur të ndajë fonde në vlerë të 50 miliardë dollarëve për Ukrainën, për shkak të vetos që e ka përdorur Hungaria.

    Muajin e kaluar, shefja e Zyrës së SHBA-së për Buxhet, Shalanda Young, ka thënë në një letër dërguar udhëheqësit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson që, nëse ndihma ushtarake përfundon, atëherë Kievi do të gjunjëzohet ndaj pushtimit rus.

    Në total, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë 111 miliardë dollarë për Ukrainën, prej nisjes së luftës, përfshirë 67 miliardë dollarë për blerje të pajisjeve ushtarake.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

    Parandalimi i ndonjë konflikti në Ballkan

    Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pati përsëritur në nëntor të vitit të kaluar, se gjëja e fundit që do Perëndimi në rajonin e Ballkanit Perëndimor është rikthimi i konflikteve, teksa e pati përmendur rëndësinë e pranisë së NATO-s.

    Pas sulmeve në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, KFOR-i, misioni i NATO-s në Kosovë, e ka rritur praninë në këtë vend dhe tani numëron 4.500 pjesëtarë.

    Më 24 shtator, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Kosova e ka fajësuar shtetin e Serbisë për sulmin, ndonëse kjo e fundit ka mohuar gjithçka.

    Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

    Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) tashmë ka lëshuar fletarrestim për të./ REL

  • ​Kurti: Plani i rritjes duhet të përshpejtojë anëtarësimin e BP në BE

    ​Kurti: Plani i rritjes duhet të përshpejtojë anëtarësimin e BP në BE

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Plani i Rritjes dhe Tregu i Përbashkët Rajonal i Procesit të Berlinit duhet të përshpejtojnë anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

    Kështu ka thënë Kurti gjatë darkës së mbrëmshme me liderët rajonalë të shtruar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

    Në komunikatën për media thuhet se kreu i ekzekutivit ka theksuar po ashtu se fondet e BE-së duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e BE-së.

    Kjo darkë i paraprin takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor së bashku me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që mbahet sot në Shkup kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian.