ATV

Tag: Ballina

  • ShBA- ja kërkon rishqyrtim të vendimit për dinarin

    ShBA- ja kërkon rishqyrtim të vendimit për dinarin

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ambasada amerikane në Kosovë kërkoi nga Qeveria e Kosovës rishikimin e vendimit të BQK-së për paratë e gatshme, me anë të të cilit nga 1 shkurti ndalohet përdorimi i dinarit serb.

    Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i ka thënë Evropës së Lirë se Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me komunitetet e prekura nga ky vendim, t’i adresojë shqetësimet e shprehura prej komunitetit ndërkombëtar, dhe të ofrojë kohë për zbatim të vendimit, për të zbutur ndikimin që mund të ketë te banorët.

    “Ne jemi të shqetësuar që rregullorja e miratuar më 27 dhjetor, do të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë. Sipas ligjeve të Kosovës, si dhe në bazë të zotimeve që ka marrë Kosova me Planin e Ahtisarit, Serbia ka të drejtë t’iu dërgojë ndihmë financiare pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.

    Kërkesës së SHBA-së i është kundërpërgjigjur të mërkurën zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili ka insistuar në zbatim të Kushtetutës në të gjitha rastet.

    Ndërsa, përkundër insistimit, Banka Qendrore e Kosovës nuk ka treguar të mërkurën nëse do ta rishqyrtojë vendimin që thotë se valuta e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë, është Euro.

    Megjithatë, njohës të fushës vlerësojnë se afati është shumë i shkurtër, andaj duhet të shtyhet sepse mund t’i dëmtojë shumë qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë.

    Ndërsa, për ish-guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti, ky institucion nuk ishte dashur të nxjerrë rregullore kur një gjë e tillë është e shkruar në ligj.

    Në rregulloren për operacionet për paratë e gatshme, thuhet se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare”.

  • Ministria e Mbrojtjes s’e dinte se ndaj “Beni Donës” ka kallëzim penal, i dha tenderë milionësh

    Ministria e Mbrojtjes s’e dinte se ndaj “Beni Donës” ka kallëzim penal, i dha tenderë milionësh

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Ministria e Mbrojtjes nuk ishte fare në dijeni se ndaj kompanisë “BENI DONA” e cila përfitoi tenderë milionësh ka kallëzim penal aktiv.

    Në fund të vitit të kaluar, kjo ministri me procedurë të negociuar, tenderin me mbi 2 milionë euro, për t’i ushqyer pjesëtarët e Forcës së Sigurisë ia dha kompanisë e cila dyshohet se më parë kishte furnizuar Policinë e Kosovës, me ushqim me afat të skaduar.

    “Ne si Autoritet Kontraktues nuk kemi qenë në dijeni për ndonjë kallëzim penal ndaj Operatorit Ekonomik në fjalë dhe nuk jemi të informuar për një gjë të tillë prej asnjë nga institucionet përkatëse apo kompetente”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Ministria e Mbrojtjes nga “BENI – DONA” kishte kërkuar: Vërtetimin nga Administrata Tatimore dhe nga Gjykata Themelore, por jo edhe ndonjë dëshmi nëse është subjekt i ndonjë hetimi.

    Ardit Dragusha, nga Demokraci Plus, thekson se kompanitë që dyshohen për keqpërdorime vazhdojnë të marrin miliona euro nga Autoritetet Kontraktuese për shkak të mangësive që ka Ligji për Prokurimin Publik.

    “Do të thotë Ligji i Prokurimit Publik parasheh që vetëm nëse ka ndonjë vendim të formës së prerë që rezulton me dënim, sepse nëse kompania është subjekt i hetimit nga Prokuroria, atëherë Autoritetet Kontraktuese nuk kërkojnë dëshmi sepse edhe ligji nuk e parasheh një gjë të tillë. Ka një hendek ligjor këtu, andaj kompanitë që dyshohet se kanë falsifikuar ose janë subjekt i hetimit vazhdojnë të marrin miliona euro”, tha Dragusha.

    Megjithatë, sipas tij, autoritetet kontraktuese e kanë një rrugë tjetër të cilën mund ta ndjekin.

    “Ekziston “Lista e Zezë” që në këto raste duhet të aplikohet, sepse nga OSHP-ja mund të kërkosh që një kompani të futet në këtë listë vetëm nëse ka dyshime për ndonjë keqpërdorim. Pra nuk ka nevojë të pritet për ndonjë vendim të prerë nga Gjykatat Kompetente. Por, këtë rrugë Autoritetet Kontraktuese e ndjekin shumë pak”, tha Dragusha.

    “BENI DONA” me procedurë të negociuar mori tender edhe në fillim të vitit 2023. Vlera e tenderit paraprak, gjithashtu, ishte mbi 2 milionë euro, që i bie vetëm nga Ministria e Mbrojtjes i fitoi rreth 5 milionë euro brenda një viti.

  • Kurti: Hapja e korridoreve ajrore me Shqipërinë sjell përfitime mjedisore dhe ekonomike

    Kurti: Hapja e korridoreve ajrore me Shqipërinë sjell përfitime mjedisore dhe ekonomike

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se hapja e korridoreve të reja me Shqipërinë për fluturimet komerciale, sjell përfitime mjedisore, por edhe ul koston për udhëtarët.

    Gjatë ceremonisë zyrtare për hapjen e korridoreve ajrore me Shqipërinë, Kurti tha se ky hap e sjell Kosovën më afër normalizimit të hapësirës së poshtme të saj ajrore.

    “Duke shkurtuar trajektoren e udhëtimeve për dhe nga Kosova, koha e udhëtimit ulet prej 8 deri në 12 minuta. Reduktimi i kohës së fluturimit përkthehet në ulje të konsiderueshme të konsumit të karburantit, duke minimizuar kështu emetimin e dyoksidit të karbonit”, tha Kurti.

    “Përtej përfitimeve mjedisore dhe infrastrukturore, koha e shkurtuar e fluturimeve sjell edhe përfitime për mërgatën tonë, rriten mundësitë për çmime më të përballueshme të biletave dhe për destinacione të reja për dhe nga aeroporti i Prishtinës”, shtoi ai.

    Njoftimi për hapjen e korridoreve ajrore ishte bërë më 28 dhjetor të vitit 2023. Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se hapja e rrugëve të reja ajrore për Kosovën u arrit pas një pune ekipore 15-mujore me autoritetet e Kosovës, Shqipërisë, por edhe me ndihmën e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Ai madje e quajti të vonuar hapjen e korridoreve të reja, pasi sipas tij, kjo ka mundur të ndodhë disa vjet më parë.

    Sipas tij, për shkak të rrugës më të gjatë të fluturimeve, avionët kanë shpenzuar më shumë kerozinë, duke ndotur mjedisin. Rohde tha se më 2022, është përdorur 7.3 milionë kerozinë shtesë, në vlerë prej 3.3 milionë eurosh.

    Ai u zotua se do të vazhdojnë punën që të hapen edhe korridore të tjera, duke përmendur Malin e Zi.

    Që nga paslufta, më 1999, fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë realizuar vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

    Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, ishte arritur në vitin 2020.

    Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër.

    Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe KFOR-i./rel

  • Kryeministri Kurti tregon prioritetet e qeverisë gjatë këtij viti

    Kryeministri Kurti tregon prioritetet e qeverisë gjatë këtij viti

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar prioritetet e qeverisë gjatë këtij viti. Kurti para kabinetit qeveritar, tha se prioritet në mandatin e fundit qeverisës do të jetë ngritja e kapaciteteve mbrojtëse, reforma në drejtësi, reforma pensionale dhe finalizimi i autostradës Gjilan-Prishtinë.

    Krahas kësaj, ai në mbledhjen e sotme të ekzekutivit, tha se në politikën e jashtme, prioritet është anëtarësimi në Këshill të Evropës.

    “Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve këtë vit do të vazhdojë me reformën pensionale. Rikujtojmë se vitin e kaluar krijuam skemën pensionale parciale, kontributive për pensionistët të cilët u patën përjashtuar nga puna gjatë viteve të 90-ta. Prioritet do të ketë edhe sa i përket procesit të fiskalizimit, përmes të cilës do të rrisim formalizmin e ekonomisë dhe reformën në prokurimin publik për të rritur transparencën dhe efikasitetin e shpenzimeve publike. Për MINT-in angazhim prioritet do të jetë përmirësimi i ambientit për të bërë biznes përmes shërbimeve më të mira për biznese, mbrojtjes së pronësisë industriale dhe rritjen e mbikëqyrjes së tregut…Reforma në drejtësi është prioritet i qeverisë, andaj ajo do të vazhdojë të jetë prioritet. Vetingu po merr rrugë, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ky proces është domosdoshmëri që po na dëshmohet çdo ditë, krahas tij dhe teksa presim tash e 11 muaj për vendim të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, luftën kundër korrupsionit këtë vit do të bëjmë edhe përmes themelimit të byrosë për konfiskimin civil dhe funksionalizimit të task-forcës antikorrupsion”, tha ai.

    Sipas tij, krahas blerjes dhe investimeve në fushën e mbrojtjes, prioritet do të jetë edhe bashkëpunimi me aleatë.

    “Në këtë vit, rritja e kapaciteteve mbrojtëse do të jetë prioritet i parë i ministrisë së Mbrojtës. Për një fillim të mbarë, në fillim të këtij viti ne morëm konfirmimin nga DASh se ka pranuar kërkesën tonë për të blerë sistemin anti-tank Javelin. Për gjatë vitit krahas blerjes dhe investimeve të tjera, në fushën e mbrojtjes do të jetë prioritet edhe bashkëpunimi me aleatë”, theksoi Kurti.

  • Dvorak thotë se Çekia e përkrah Kosovën për anëtarësim në BE: Integrimi i Kosovës në BE është i lidhur me dialogun

    Dvorak thotë se Çekia e përkrah Kosovën për anëtarësim në BE: Integrimi i Kosovës në BE është i lidhur me dialogun

    Ministri për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak, pas takimit me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, në një konferencë për media ka thënë se integrimi i Kosovës drejt BE-së është i lidhur me dialogun me Serbinë.

    Sipas tij, raportet ndër-fqinjësore mes dy vendeve që synojnë anëtarësimin në BE janë çështje kruciale jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por për secilin shtet tjetër.

    “Do të doja të them se integrimi i Kosovës në BE është fuqishëm i lidhur me dialogun me Serbinë. Çështja e fqinjësisë së mirë dhe integrimit është çështje që aplikohet për të gjitha shtetet e Ballkanit”, tha ai.

    Dvorak tutje tha se Çekia në afatgjatë ka qenë mbështetëse e përpjekjeve euroatlantike të Kosovës, teksa përmendi edhe liberalizimin e vizave.

    “Më vjen mirë që konfirmoj se mbështetja e vazhdueshme e Çekisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe anëtarësimin në KiE. Unë besoj që anëtarësimi në BE do të jetë sa më shpejt që është e mundur të gjithë anëtaret e Çekisë ne parlament do të ju votojnë”, ka thënë ai.

    Bislimi kërkon që procesi i dialogut të ndahet nga procesi i integrimit të Kosovës në BE

  • ShBA-ja i kërkon Kosovës të rishqyrtojë vendimin për dinarin

    ShBA-ja i kërkon Kosovës të rishqyrtojë vendimin për dinarin

    Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e autoriteteve financiare për paratë e gatshme, ku është përmendur edhe dinari serb.

    Ditë më parë, Banka Qendrore e Kosovës, e ka miratuar një rregullore për operacionet me para të gatshme që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e transaksioneve.

    Kjo rregullore parashihet të hyjë në fuqi më 1 shkurt.

    Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

    Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

    Në katër komunat me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – valuta serbe përdoret edhe në objektet tregtare.

    Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me komunitetet e prekura nga ky vendim, t’i adresojë shqetësimet e shprehura prej komunitetit ndërkombëtar, dhe të ofrojë kohë për zbatim të vendimit, për të zbutur ndikimin që mund të ketë ai te banorët për të cilët vlen.

    “Ne jemi të shqetësuar që rregullorja e miratuar më 27 dhjetor, do të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë. Sipas ligjeve të Kosovës, si dhe në bazë të zotimeve që ka marrë Kosova me Planin e Ahtisarit, Serbia ka të drejtë t’iu dërgojë ndihmë financiare pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë”.

    Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.

    Në rregulloren e BQK-së është thënë se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë janë e drejtë ekzekutive e saj.

    Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – pati thënë se ky vendim i “regjimit të Albin Kurtit” është “vendim për dëbimin e serbëve nga këto zona pa përdorimin e armëve”.

    Mes tjerash në reagim, Ambasada amerikane ka rikujtuar pse Kosova duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    “Asociacioni është mekanizmi primar, përmes së cilit Serbia do të mund të ofronte ndihmë financiare për institucionet dhe individët, nën kornizën ligjore të Kosovës”.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

    Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

    Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

  • “Sot ditë e rëndësishme për të ardhmen e qytetit”, Përparim Rama paralajmëron projekte të shumta për Prishtinën

    “Sot ditë e rëndësishme për të ardhmen e qytetit”, Përparim Rama paralajmëron projekte të shumta për Prishtinën

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka deklaruar se sot është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për të ardhmen e kryeqytetit. Ai ka njoftuar se gjatë gjithë ditës do të prezantojnë një sërë projektesh për Prishtinën.

    “Sot është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për të ardhmen e qytetit tonë, sepse gjatë gjithë ditës do të prezantojmë një sërë projektesh për Prishtinën para qindra liderëve të biznesit nga vende të ndryshme të botës”, ka shkruar Rama në Facebook.

    Ai ka theksuar se këto projekte synojnë të ndryshojnë fytyrën e kryeqytetit, duke e bërë atë më të gjallë, më të qëndrueshëm dhe më të përshtatshëm për të gjithë.

  • Të enjten jep dorëheqje qeveria e Maqedonisë së Veriut, kur pritet të marrë detyrën kryeministri shqiptar

    Të enjten jep dorëheqje qeveria e Maqedonisë së Veriut, kur pritet të marrë detyrën kryeministri shqiptar

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski njoftoi se të enjten kabineti i tij jep dorëheqjen për t’i hapur rrugën formimit të Qeverisë teknike.

    Kryeministër i kësaj të fundit pritet të emërohet Talat Xhaferi, i cili do të dorëhiqet ndërkohë nga pozicioni i kryetarit të Kuvendit. Qeveria teknike do të funksionojë 100 ditë, apo deri në zgjedhjet parlamentare, të përcktuara të mbahen në 8 maj.

    “E gjithë Qeveria do të jetë në dorëheqje, të enjten në orën 10:00. Do të kemi kohë të mjaftueshme që t’i kryejmë të gjitha formalitetet dhe të dielën 28 janar të votohet Qeveria teknike”, deklaroi Kovaçevski.

    Përpara votimit të saj ndërkohë, parlamenti do të votojë kryetarin e ri, Jovan Mitreski, i cili kryeson aktualisht grupin parlamentar të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM). Qeveria teknike, bazuar në Ligjin për Zgjedhjet, formohet 100 ditë para çdo cikli zgjedhor, dhe ka për detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

    Pjesë e kësaj Qeverie, përveç partive që aktualisht përbëjnë ezekutivin, LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët, duhet të jetë edhe opozita, konkretisht VMRO DPMNE-ja, të cilës i takojnë Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, si dhe tre zëvendësministra me kompetenca të veçanta, që do të thotë se ministrat nuk do të mund të marrin asnjë vendim pa nënshkrimin edhe të zëvendësministrave.

    Ndërkohë kreu i partisë më të madhe opozitare, VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, deklaroi se ligjvënësit e saj nuk do të votojnë për Qeverinë teknike, sepse nuk pranojnë që ajo të drejtohet nga Xhaferi i BDI-së, të cilin e akuzojnë për shkelje të shumta ligjore gjatë periudhës që shërbeu si kryetar i Kuvendit.

  • Osmani pret në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvořák

    Osmani pret në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvořák

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur  të mërkurën në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvořák.

    Takimi është duke u zhvilluar në objektin e presidencës dhe mediat janë lejuar që të marrin pamje vetëm ne fillim të takimit.

    Dvořák, sot gjatë ditës do të takohet edhe me Kryeministrin, Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi.

    Pas përfundimit të takimeve bilaterale, zëvendëskryeministri Bislimi dhe Ministri për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak, do të mbajnë konferencë për media.

  • Rrustemi: Ende nuk duket në horizont shkuarja e Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese

    Rrustemi: Ende nuk duket në horizont shkuarja e Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se çështja e Asociacionit së pari duhet të trajtohet në proces të dialogut dhe se ende nuk duket në horizont shkuarja në Gjykatë Kushtetuese.

    “Çështja e Asociacionit së pari duhet të trajtohet në proces të dialogut, në kuptimin, duhet të shihet dhe të diskutohet si proces. Jemi larg një veprimi jo të përfilljes ose jo të vlerësimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, por nuk duket në horizont shkuarja në Gjykatë Kushtetuese”, tha Rrustemi.

    Ai tha se draft statuti nuk është pranuar nga Kosova, sipas tij në aspektin e marrjes për sipër për zbatimin e tij.

    “Do ta shohim procesin në tërësi. Është e vërtetë që zoti Kurti në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel me kancelarin Gjerman, presidentin francez dhe kryeministren italiane dhe përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian, edhe për shkak të si rrjedhojë e vlerësimit të vetë treshes së të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian për shkak të urgjencës, ka shprehur gatishmërinë për t’i nënshkruar ato tri dokumentet, Marrëveshjen bazë të Brukselit, Aneksin e Ohrit edhe Draftin e statutit për pikën 7 të Marrëveshjes së propozuar nga fasilituesit, por Serbia ka refuzuar nënshkrimin, respektivisht pranimin dhe zbatimin. Draft statuti nuk është pranuar. Po të pranohej nuk ka nevojë me shku në Kuvend, por nuk është pranu”, tha Rrustemi. /atvlive.tv

    Intervistën e tij të plotë në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë: