ATV

Tag: Ballina

  • ​Kurti përkujton masakrën e Rogovës: Kosova nuk i falë krimet e kryera nga Serbia

    ​Kurti përkujton masakrën e Rogovës: Kosova nuk i falë krimet e kryera nga Serbia

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka përkujtuar masakrën e Rogovës së Hasit, duke thënë se Kosova nuk i harron e as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia,

    Në llogarinë e tij në Facebook, Kurti tha se përvjetorët na i përtërijnë plagët e luftës të cilat nuk vjetrohen dhe se Republika e Kosovës nuk i harron e as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia.

    Ai ka përkujtuar 21 ushtarët e UÇK’së dhe 9 dhe civilët që ranë atje.

    “Më 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999, forcat e armatosura serbe i vranë 30 shqiptarë në Rogovë të Hasit, Goden e Bishtazhin të Gjakovës. Në këtë 25 vjetor i përkujtojmë luftëtarët dhe civilët e rënë për liri, që me sakrificën e tyre e shtruan rrugën deri te ҫlirimi i Kosovës nga Serbia okupatore. Atëbotë ranë duke luftuar 21 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nëntë civilë shqiptarë”, tha Kurti.

    “Të monumentalizuar në historinë e re të Kosovës, një çerek shekulli më pas i kujtojmë me emrat e tyre të rënët në ato ditë janari: Agim Zeneli, Agron Rama, Agush Gjocaj, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Gëzim Ademaj, Gaspër Karaqi, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Memë Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Prend Lleshi, Sahit Krasniqi, Sejdi Rama, Valon Gashi, Vesel Avdyli, Rrustem Morina, Selman Morina, Muhamet Morina, Nusret Morina, Xhevdet Berisha, Ibrahim Kryeziu, Adem Shala, Zyber Shala dhe Rifat Shala. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta”, shkruan Kurti.

  • Ramadani: Lënda për siguri dhe mbrojtje është e domosdoshme të futet në shkollat e mesme në Kosovë

    Ramadani: Lënda për siguri dhe mbrojtje është e domosdoshme të futet në shkollat e mesme në Kosovë

    Ish inspektori i AKI-së, Burim Ramadani, në emisionin A LIVE në ATV, tha se futja e lëndës për siguri dhe mbrojtje në shkollat e mesme të Kosovës është një prej veprimeve më të mira që po ndodhin në Kosovë.

    “Sa i përket fillimit ose kohës së fillimit, normalisht më duket që është shumë optimiste, që realisht të jetë e konsoliduar nga 1 shtatori i këtij viti, por se që të fillojë një program edukues për siguri dhe mbrojtje me nxënësit e shkollave të mesme është e domosdoshme dhe si e tillë është një prej veprimeve të mira që ndodhin në Kosovë”, tha Ramadani.

    Ai tregoi se koncepti i edukimit për siguri dhe mbrojtje në shkolla, është koncept që Kosova e ka marrë prej vendeve baltike, hartimi i së cilës ka filluar në vitin 2018 si pjesë e hartimit të strategjisë së sigurisë kombëtare.

    “Koncepti i tillë është koncept që kryesisht e kanë vendet baltike dhe prej vendeve baltike është marrë përvoja fillimisht diku në vitin 2018 gjatë kohës së hartimit të strategjisë së sigurisë kombëtare, pra atëherë kam qenë pjesë e ekipit, kemi vizituar edhe shtetet baltike dhe kemi parë një program të edukimit për siguri dhe mbrojtje në shtetet baltike, por se për shikuesit për qytetarët e sidomos prindërit që i kanë fëmijët në shkollë të mesme, dua ta qartësoj se bindja e ime është se programe të tilla nuk duhet të shihen si rekrutime ushtarake apo manovra ushtarake, pra janë programe të cilat e ngrisin edhe vetëdijesimin e qytetarëve sidomos moshave të reja për atë se si qytetarët mund të ndihmojnë institucionet e sigurisë në rast të krizave, emergjencave apo edhe nevojave për siguri emergjente”, tha Ramadani. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij në A LIVE e gjeni ën videon më poshtë:

  • Xhaferi e pranon detyrën e kryeministrit në RMV: Kjo do të jetë puna primare e qeverisë

    Xhaferi e pranon detyrën e kryeministrit në RMV: Kjo do të jetë puna primare e qeverisë

    Për herë të parë në histori, sot në zyrën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut do ta drejtojë shqiptari Talat Xhaferi.

    Pas ceremonisë së pranimit të detyrës, kryeministri i ri dhe paraardhësi i tij mbajtën një konferencë për mediat.

    Xhaferi u shpreh se kushtetuta dhe ligji do të jenë baza mbi të cilës ai do ta mbështesë çdo veprim dhe vendim në qeveri.

    Ai u shpreh se detyra primare e kësaj qeveria është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

    “Shpreh kënaqësinë dhe përgjegjësinë për detyrën që e mora përsipër duke e përsëritur atë që kushtetuta dhe ligji do të jenë baza mbi të cilën do e mbështes çdo vendim dhe veprim që e ndërmarrim si qeveri”.

    “Detyra primare e kësaj qeveria është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike të rregullta presidenciale me 24 prill dhe 8 maj dhe zgjedhjeve të rregullta parlamentare më 8 maj 2024 dhe për këtë qeveria në një procedurë të drejtpërdrejtë, transparente dhe ligjore dhe në bashkëpunim me kuvendin, Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, BE dhe ShBA, do të zbatojë të gjitha parakushtet ligjore, institucionale, organizative dhe operative për zbatimin e vullnetit të qartë të qytetarëve, duke synuar mundësimin e standardeve më të larta evropiane në procesin e fushatës zgjedhore dhe vet zgjedhjeve, që të zhvillohen zgjedhje me ligjshmëri të plotë”, është shprehur ai.

    Xhaferi do të udhëheqë qeverinë teknike deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme më 8 maj.

  • Hovenier i kërkon guvernatorit të BQK-së të shtyjë zbatimin e vendimit për dinarin

    Hovenier i kërkon guvernatorit të BQK-së të shtyjë zbatimin e vendimit për dinarin

    Ambasadori amerikan i Prishtinë, Jeff Hovenier, i ka kërkuar guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, që të shtyjë zbatimin e vendimit për përdorimin vetëm të valutës euro sa i përket operacioneve me para të gatshme.

    Kërkesë të njëjtë SHBA-ja ka bërë edhe ditë më parë.

    Rregullorja e miratuar nga BQK-ja, që nga serbët në Kosovë është parë si vendim që do t’iu pamundësojë atyre të përdorin dinarin, është paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt.

    “Sot zhvillova një takim produktiv me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e SHBA-së lidhur me zbatimin e rregullores së miratuar për operacionet me para të gatshme. Ne bëjmë thirrje që zbatimi i kësaj rregulloreje të shtyhet, në mënyrë që të japë kohë për tranzicion më efektiv dhe komunikim me publikun që të zbutet ndikimi negativ te qytetarët”, shkroi Hovenier në X, që më herët njihej si Twitter.

    Takimi mes ambasadorit Hovenier dhe guvernatorit Ismaili erdhi një ditë pasi shtetet e QUINT-it – SHBA-ja, Britania, Gjermani, Italia dhe Franca – bënë kërkesën e njëjtë për shtyrjen e zbatimit të vendimit për rregulloren për operacione me para të gatshme.

    Nga Qeveria e Kosovës kanë argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por QUINT-i ka thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

    Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka thënë më herët se ka kërkuar sqarime nga Kosova për këtë vendim, i cili sipas Listës Serbe – partisë kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

    Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

    Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

    Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.

  • 25 vjet nga deklarata historike e Grupit të Kontaktit në Londër

    25 vjet nga deklarata historike e Grupit të Kontaktit në Londër

    Masakra në Reçak përfundimisht e përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje për paqe në bisedime të drejtpërdrejta shqiptaro-serbe, siç ishte propozuar për disa vite me radhë.

    Pas kësaj masakre u rrit aktiviteti diplomatik në relacionin Uashington-NATO-Bruksel-Grup i Kontaktit, ku dhe të gjithë kishin arritur pajtimin se ideja për organizimin e një Konference duhej të kishte prioritet ndaj politikës së ultimatumeve.

    Më 29 janar 1999, Grupi i Kontaktit, i takuar në Londër në Pallatin Lancaster House, në afërsi të Pallatit Mbretëror “St.James”, doli me Deklaratën historike për mbajtjen e Konferencës në Rambuje, dhe miratoi parimet e pa negociuara, mbi të cilat duhej të ndërtohej Marrëveshja Kalimtare për Kosovën.

    Më 30 janar Këshilli i NATO-s e ripërtëriu vendimin e marr në tetorin e vitit të kaluar, duke vendosur kështu kornizë diplomatike për Konferencën.

    Fryma e Deklaratës së Grupit të Kontaktit nuk la vend dyshimi në vendosmërinë për të gjetur një zgjidhje e për të negociuar para pranverës. Është gati ultimatum, do të shprehet në librin e tij Paskal Milo.

    Në Beograd natyrshëm deklarata e Grupit të Kontaktit nuk është pritur mirë.

    Shqipëria zyrtare nëpërmjet ambasadorit të saj në Francë, Luan Rama kishte kërkuar nga këshilltari i posaçëm i Vedrinit, i ngarkuari për Kosovën, që Shqipërisë t’i jepej statusi i vëzhguesit, gjë që nuk u pranua.

    Si arsyetim këshilltari Fushe do të deklarojë se nuk do të ketë vëzhgues të tjerë nga Ballkani, dhe se në Rambuje nuk do të ketë konferencë ndërkombëtare si ajo e Parisit për Bosnjën.

    Vendosmëria për ndërhyrje ushtarake Grupi i Kontaktit i përkrahur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, bashkë me NATO-n tanimë ishin pjesë e lojës.

    Qeveria amerikane në veçanti kishte filluar të bënte trysni për aksion të mundshëm ushtarak për ta ndalur represionin në Kosovë.

    Kërcënimi i përdorimit të forcës në raport me Kosovën nga SHBA-ja ishte bërë që nga viti 1992.

    ’Në rast të konfliktit në Kosovë, i cili do të shkaktohej nga veprimi i Serbisë, SHBA-ja do të ishte e gatshme të përdorte forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë’’, i kishte shkruar kryetari i atëhershëm, George Bush, Sllobodan Millosheviqit, kërcënim ky që u përsërit nga administrata e Bill Clinton.

    Ndërsa Javier Solana, sekretari i përgjithshëm i NATO-s kishte deklaruar se Aleanca, në përpjekjet e veta për ta përkrahur bashkësinë ndërkombëtare që të arrihej një marrëveshje e negociuar, kishte ‘’….rishikuar planifikimin ushtarak për një vistër mundësish që të ndalej dhuna dhe të krijoheshin kushtet për negociata. Këto e përfshijnë edhe përdorimin e forcave tokësore e ajrore, e posaçërisht një vistër të gjerë opsionesh për përdorimin vetëm të forcës ajrore. Këto sigurojnë që NATO-ja të mund të vepronte me shpejtësi dhe në formë efikase po të shfaqej nevoja’’.

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së, kishte miratuar edhe rezolutat 1160 (1998), sipas së cilës Beogradi duhej të ndërpriste të gjitha veprimet luftarake, si dhe 1199 (1998), që ishin të bazuar në kapitullin e VII të Kartës së OKB-së. Një rezolutë e cila merret duke u mbështetur në Kapitullin e VII të Kartës së OKB-së, çmohet si hap i parë drejt masave më të ashpra të ndërmarra nga KS, të cilat mund të shkojnë deri tek intervenimi ushtarak.

  • Sot Talat Xhaferi merr detyrën si kryeministër i parë shqiptar

    Sot Talat Xhaferi merr detyrën si kryeministër i parë shqiptar

    Për herë të parë në histori, të hënën në zyrën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut do të jetë një shqiptar – Talat Xhaferi.

    Pranim-dorëzimi i detyrës në mes të kryeministrit në largim Dimitar Kovaçevski dhe kryeministrit të ri Talat Xhaferi do të bëhet në orën 10:00, ndërsa më pas do të mbahet një konferencë për media.

    Qeveria teknike e drejtuar nga Talat Xhaferi, me mandat 100 ditor, u votua sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me 65 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim.

    Në prezantimin e tij, Xhaferi tha se prioritet në mandatin e tij do të jetë zbatimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të ndershme dhe demokratike, sundimi i ligjit dhe respektimi i Kushtetutës, si dhe promovimi i marrëdhënieve strategjike me BE-në, SHBA-të dhe NATO-n.

  • Lajçak sot në Beograd, nesër në Prishtinë

    Lajçak sot në Beograd, nesër në Prishtinë

    I dërguari special për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Mirolsav Lajçak, do të vizitojë Prishtinën të martën më 30 janar.

    Kjo sipas transmetuesit publik të Kosovës, konfirmohet nga burimet mirë të informuara në Bruksel.

    Lajçak pritet të takohet me përfaqësuesit e institucioneve vendore, ndonëse akoma nuk ka konfirmim nëse do mbahet një takim në mes të tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

    Ndërkohë, bëhet e ditur se tashmë është konfirmuar mbajtja e takimit me zëvendëskryeministrin njëkohësisht kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin.

    Një ditë me herët, përkatësisht të hënën më 29 janar, Miroslav Lajçak do ndalet fillimisht ne kryeqytetin serb, Beograd. Tashmë ka konfirmim zyrtar se ai atje do takohet me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.

    Është kjo vizita e parë e të dërguarit të veçantë për dialog në këtë vit. Kjo vizitë, gjithashtu, po zhvillohet në periudhën kur procesi i dialogut është duke vegjetuar.

    Pas 14 shtatorit nuk ka pasur më takime ne nivelin më të lartë politik në kuadër të dialogut. Ishte ky takim I cili njëkohësisht shfaqi tensionet mes kryeministrit të Kosovës dhe vet Lajçakut, të cilin ky i pari e akuzoi se e ka humbur neutralitetin.

    Vizitat që do t’i bëjë Mirosllav Lajçak, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, do të jetë rast që sërish të kërkohet nga palët që të zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve përfshirë edhe aneksin e saj.

  • Policët ende pa sigurim shëndetësor

    Policët ende pa sigurim shëndetësor

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Punën e kanë me rrezikshmëri të lartë.

    Por, në rast të ndonjë lëndimi eventual, mjekimin duhet ta paguajnë vetë, meqë ende nuk kanë sigurim shëndetësor që ua mbulon shpenzimet.

    Kjo edhe konsiderohet një nga arsyet kryesore që dita ditës, zyrtarët policorë po e lënë punën.

    Andaj për një ish-drejtor policie, qeveria nuk po bënë asgjë për policët, ndonëse thotë se është nevoje e domosdoshme.

    Megjithatë pak shpresë për policët dhanë nga partia në pushtet.

    Sipas kryetarit të komisionit për siguri Enver Dugolli, policia shumë shpejt do ta ketë sigurimin shëndetësor.

    Megjithatë pak lehtësira, jo për të gjithë, por vetëm për ata që shërbejnë në kryeqytet, ua mundësoj komuna e Prishtinës. Shërbimet shëndetësorë në këtë komunë do të jenë falas për të gjithë policët.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Disa njësive në Policinë e Kosovës nuk u paguhet ekstra puna në fundjavë

    Disa njësive në Policinë e Kosovës nuk u paguhet ekstra puna në fundjavë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Në punë dalin edhe vikendeve.

    Por disa zyrtarë policorë, nuk marrin kompensimin financiar për punën ekstra që e bëjnë në fundjavë, siç edhe parasheh ligji.

    Andaj siç merr vesh televizioni, ata po përgatisin edhe një ankesë ndaj institucionit ku punojnë, meqë po u mohohet një e drejtë që e kanë të garantuar.

    Për këtë nuk janë në dijeni sindikata që i mbron ata, por thonë se nëse kjo vërtetohet, do ndërmarrin hapa ligjor.

    Një praktikë e tillë më herët ishe aplikuar edhe në disa ndërmarrje tjera, por që më pas ishte rregulluar me aktgjykim nga gjykata supreme.

    Andaj juristët vlerësojnë se e njëjta praktikë duhet ndjekur edhe në rastin e zyrtarëve policor.

    Sipas ligjit për pagat në sektorin publik, puna në fundjavë duhet të kompensohet me 50 për qind sa paguhet për orë një zyrtar policorë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Krerë shtetërorë urojnë kryeministrin Talat Xhaferin

    Krerë shtetërorë urojnë kryeministrin Talat Xhaferin

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Krerë shtetërorë e institucionale, kanë uruar Talat Xhaferin për postin e ri si kryeministër i Maqedonisë së Veriut. Presidentja Vjosa Osmani teksa uroi Xhaferin për marrjen e detyrës së re, tha se kjo është një arritje historike për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

    “Sot shënohet një moment historik i rëndësishëm për të gjithë komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke reflektuar kontributin e tyre jetik në shtetësinë e vendit dhe rrugëtimin drejt integrimit euroatlantik. I uroj qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Maqedonisë së Veriut suksese”, ka shkruar Osmani.

    Edhe kryetar i Kuvendit Glaug Konjufca, shkroi se Bërja e Z. Xhaferi kryeministër vjen si mundësi që pjesëmarrja dhe integrimi i plotë i shqiptarëve të vlerësohet si synim i pashmangshëm, prej të cilit përfiton më së miri vetë Maqedonia e Veriut.

    “Kryeministri shqiptar, sado me kompetenca dhe kohë të limituar, thyen një barrierë të perceptimit për këdo. Urojmë që kjo përgjegjësi e re t’iu shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim. Bërja e Z. Xhaferi kryeministër deri në realizimin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut vjen si mundësi që pjesëmarrja dhe integrimi i plotë i shqiptarëve të vlerësohet si synim i pashmangshëm, aq sa edhe përparimtar, prej të cilit përfiton më së miri vetë Maqedonia e Veriut”, ka shkruar Konjufca.

    Në anën tjetër edhe krerët e partive opozitare, e cilësuan si arritje historike zgjedhjen e Xhefrit si kryeministër, duke thënë se shqiptarët janë faktor stabiliteti në Maqedoni të veriut.

    E sipas analistëve politik në Kosovë, në të gjitha sukseset e Maqedonisë, faktor janë shqiptarët.

    Ndryshe, Talat Xhaferi tashmë është kryeministri i parë shqiptar që qeverisë me Maqedoninë e Veriut.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: