ATV

Tag: Ballina

  • MKRS-ja s’ia del ta përzgjedhë projektin për ndërtimin e teatrit të operës

    MKRS-ja s’ia del ta përzgjedhë projektin për ndërtimin e teatrit të operës

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Lokacioni iu ricaktua. Por, pas më shumë së një viti procedurë, Ministria e Kulturës nuk arriti ta bëjë hapin e parë për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit, objekt të cilin qeveritë e njëpasnjëshme e synojnë tash e dy dekada. Tenderi për përzgjedhjen e projektit ideor është anuluar, njoftoi vetë MKRS-ja, pas vendimit final të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

    Gjykata e Tenderëve konstatoi disa shkelje ligjore në konkursin e hapur nga Ministria e Kulturës në tetor të vitit 2022.

    “Operatori Ekonomik i shpërblyer me çmimin e parë, ka shkelur nenin 80 të Ligjit për Prokurimin Publik, duke e zbuluar identitetin e tij në secilën faqe të ofertës. Njësoj kanë vepruar edhe dy operatorët e tjerë të përfshirë në listën finale të rezultateve, duke dhënë informata të zbulimit të identitetit, përmes të cilave komisioni ka mundur të kuptojë qartë se kujt i përket projekti ideor”, thuhet në njoftimin e OSHP-së.

    Duke i marrë parasysh këto fakte, ekspertët besuan se juria e formuar nga MKRS-ja nuk mund të bëjë vlerësim të drejtë, andaj kërkuan anulimin e tërësishëm të kësaj procedure.

    “Duke u bazuar në gjendjen reale të krijuar, të dy ekspertët vlerësojnë se tashmë rrethanat të cilat janë krijuar e bëjnë të pamundur që juria profesionale të bëjë vlerësim objektiv dhe të barabartë mes Operatorëve Ekonomikë, pasi që është shkelur rregulli bazik, parimi kryesor që vlerësimi i drejtë të bëhet përderisa identiteti i asnjërit pjesëmarrës nuk dihet, por qëndrojnë anonim”, thuhet më tej në njoftimin e OSHP-së.

    Teksa komunikimi me zyrtarë nga Ministria e Kulturës gjatë ditës nuk ishte i mundur, Besa Luzha anëtare e këshillit për funksionalizimin e institucionit të Operës kërkoi të merren parasysh vërejtjet.

    “Për neve është shumë i rëndësishëm ky objekt. Por, meqë është objekt madhor me rëndësi shumë të madhe nuk është mirë që ministria të ngutet. T’i merr parasysh vërejtjet që të mos i përsërisë shkeljet”, tha Luzha.

    Ndërkohë, Ministria e Kulturës ka planifikuar që ky konkurs të këtë kosto deri në 2.5 milionë euro.

    Ndryshe, në vitin 2019, Ministria e Kulturës kishte zhvilluar një proces të ngjashëm, por pa epilog. Kurse më 2 dhjetor të 2009 ishte vënë gurthemeli për këtë ndërtesë. Kuvendi i Kosovës në gushtin e vitit 2021 themeloi institucionin e Operës, i cili ende mbetet në konsolidim.

  • ​Lajçak mbërrin në Qeveri, pritet të takohet me Kurtin

    ​Lajçak mbërrin në Qeveri, pritet të takohet me Kurtin

    Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani ka mbërritur në qeverinë e Kosovës, për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti.

    Nga Bashkimi Evropian gjatë ditës së djeshme kanë thënë se ky takim është pjesë e kontaktit dhe ndërveprimit të vazhdueshëm të Lajçak me partnerët për t’i ndihmuar të ecin përpara në Dialog.

    “Kjo është pjesë e kontaktit dhe ndërveprimit të tij të vazhdueshëm me partnerët për t’i ndihmuar ata të ecin përpara në procesin e Dialogut të lehtësuar nga BE”, tha zëdhënësi Peter Stano.

  • Policia e Kosovës gjen thasë me rërë në një objekt në Zveçan, i cili përdorej nga grupet terroriste në kohën e barrikadave

    Policia e Kosovës gjen thasë me rërë në një objekt në Zveçan, i cili përdorej nga grupet terroriste në kohën e barrikadave

    Policia e Kosovës, pas informacioneve që ka pranuar se në një objekt në Komunën e Zveçanit ka gjëra dhe materiale të cilat janë përdorur nga grupet terroriste serbe në kohën e barrikadave, pas kontrollave ka gjetur thasë me rërë.

    Lajmin për ATV-në e konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    “Policia e Kosovës ka pranuar informacione se në një objekt publik në komunën e Zveçanit, ka disa gjëra materiale të cilat janë shfrytëzuar nga grupet terroriste serbe në kohën e barrikadave. Sot, gjate kontrolleve që ka bërë Policia, ka konstatuar se në katin e tretë të kësaj ndërtese janë dhjetëra thasë të mbushur me rërë që kane qene si istikame për të sulmuar Policinë dhe në mbrojtje të barrikadës dhe kontrollimit të rrugës kryesore që të dërgon në Zveçan”, thuhet në përgjigjen e Elshanit.

    Ai thotë se ky objekt publik është shfrytëzuar nga pjesëtarët e organizatave terroriste si Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut.

    “Kjo është edhe një dëshmi se grupet kriminale kanë qenë të armatosur rend dhe kanë pasur plane që të sulmojnë Policinë e Kosovës në rast se ata do të tentonin t’i largonin barrikadat”, thuhet në përgjigjen e Elshanit. /atvlive.tv

  • Tërhiqen avokatët e Thaçit, ankohen për mospagesë

    Tërhiqen avokatët e Thaçit, ankohen për mospagesë

    Gregory Kehoe, Joe Reeder, Greenberg Legal Associates dhe anëtarët e kësaj kompanie, kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja e Hashim Thaçit në rastin e tij në Gjykatën Speciale. Si shkak në kërkesë është përmendur moskryerja e obligimeve ndaj tyre.

    “Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Asociacionit Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe z.Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimi nëse nuk u është përmbushur detyrimi”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

  • Serwer: Në takim me Vuçiqin, Lajçak s’e tha “asnjë fjalë” për terrorizmin e 24 shtatorit

    Serwer: Në takim me Vuçiqin, Lajçak s’e tha “asnjë fjalë” për terrorizmin e 24 shtatorit

    Daniel Serwer, një nga vëzhguesit më të njohur të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, shprehu indinjatën me Emisarin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili nuk e adresoi sulmin e 24 shtatorit në pjesën veriore të Kosovës.

    Serwer, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të hënën, u shpreh se Lajçak s’e tha “asnjë fjalë” për terrorizmin e paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në takimin që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë një vizite në Beograd.

    “Asnjë fjalë për sulmin terrorist të 24 shtatorit të sponsorizuar nga Beogradi, mashtrimin në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Beograd apo përafrimin në rritje të Serbisë me diktatorët”, shkroi profesori amerikan nga “Johns Hopkins University” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

    Reagimi i Serwerit erdhi pas njoftimit të Lajçakut se në fokus të takimit që zhvilloi me presidentin serb, kanë qenë “perspektivat strategjike” për vitin 2024 dhe “hapat e ardhshëm” në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd nën ndërmjetësimin e BE-së.

  • TI: Në Kosovë nuk hiqet dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor

    TI: Në Kosovë nuk hiqet dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor

    Në Kosovë nuk ka gatishmëri politike për të hequr dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor, dhe ky vend duhet të punojë ende në luftim të korrupsionit.

    Kështu është thënë në raportin e Indeksit për Perceptim të Korrupsionit për vitin 2023, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.

    Sikurse vitin e kaluar, Kosova ka 41 pikë.

    Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

    Në pjesën për Kosovën, në raport është thënë se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësi të sistemit të gjyqësorit, sikurse krijimi i procesit të vettingut dhe miratimi i ligjit të ri, që do të mund të fuqizonte integritetin në Këshillin Prokurorial, janë duke lëvizur me ritëm shumë të ngadalshëm.

    “Edhe më keq, ndërhyrja e vazhdueshme e Qeverisë në çështjet e gjyqësorit, e ilustruar me shkarkim të shefit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, bashkë me ndërhyrjen e deputetëve të shumicës në hetimin parlamentar për një rast të madh të korrupsionit, sugjerojnë se nuk ka vullnet politik për të hequr dorë prej kontrollit dhe për forcim të mbikëqyrjes së pavarur”, është thënë në raport.

    Procesi i vettingut

    Procesi i vettingut është premtuar prej Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, në programin katërvjeçar.

    Megjithatë, ai ende është në fazën fillestare.

    Ky proces nënkupton rivlerësim të prokurorëve dhe gjyqtarëve, rritjen e tyre profesionale, luftim të korrupsionit dhe ndaljen e ndikimit të politikëve apo elementëve tjerë në drejtësi.

    Koncept-dokumentin për vettingun e ka vlerësuar edhe Komisioni i Venecias.

    Sipas komisionit, vettingu efektiv, në rastin e Kosovës, kërkon kombinimin e masave të ndryshme, që do të kishin efekt pozitiv në integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë.

    Si pikë e parë është rekomanduar verifikimi i nivele të larta në gjyqësor dhe në prokurori.

    Amendamentet kushtetuese për vettingun në nivele të larta, janë hartuar prej një komisioni ad-hoc të Kuvendit të Kosovës, i mbështetur prej Ministrisë së Drejtësisë.

    Më vonë, në mars të vitit 2023, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i pati dërguar disa ndryshime të amendamenteve në Gjykatën Kushtetuese, për të kuptuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën.

    Gjykata Kushtetuese nuk e ka dhënë ende fjalën e saj në këtë çështje, ndonëse, sipas ligjit, ky grup duhet të japë vlerësim brenda gjashtë muajsh, pas pranimit të kërkesës.

    Sipas raportit të Programit për Zhvillim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Pulsi Publik, i publikuar këtë vit, vetëm 29 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e sistemit të drejtësisë në Kosovë./rel

  • Kurti sot pret në takim Lajçakun

    Kurti sot pret në takim Lajçakun

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pret sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raporton Ekonomia Online.

    Pas vizitës në Beograd, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak sot do të vijë edhe në Prishtinë.

    Takimi i Kurtit me Lajçakun do të nisë në orën 15:00, njoftoi Qeveria e Kosovës.

  • Sot mbahet mbledhja e parë qeveritare në Maqedoni të Veriut me kryeministër Talat Xhaferin

    Sot mbahet mbledhja e parë qeveritare në Maqedoni të Veriut me kryeministër Talat Xhaferin

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka caktuar seancën e parë të përbërjes qeveritare të sapo zgjedhur.

    Ajo është paraparë të mbahet sot me fillim në orën 12:00, sipas Klan Macedonia.

    Talat Xhaferi, i cili u bë kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, dje tha se është dëshmuar që shqiptarët mund t’i menaxhojnë institucionet e shtetit.

    “Kemi verifikuar që mundemi dhe te shqiptarët ka kuadro të denjë, institucionalist që mbi parimet edhe të rregullave ndërkombëtare edhe të rregullave vendore mund të menaxhojnë institucionet”, deklaroi ai.

    “Jo vetëm shembulli i menaxhimit të parlamentit ose Ministrisë së Mbrojtjes, por të gjithë institucioneve, kemi ministrin e Punëve të Jashtme, kemi ministrin e Financave, kemi ministër të Arsimit, dhe fushave tjera, drejtori të veçantë, institucione tjera që kanë verifikuar se ka potencial, ka kapacitet, por në mënyrë të barabartë duhet dhënë mundësi që të verifikohet se po e bëjmë këtë”, tha ai.

    Ai pas pranimit të detyrës tha se kushtetuta dhe ligji do të jenë baza mbi të cilës ai do ta mbështes çdo veprim dhe vendim në qeveri, ndërsa pohoi se detyra primare e kësaj qeverie është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike.

    “Shpreh kënaqësinë dhe përgjegjësinë për detyrën që e mora përsipër duke e përsëritur atë që kushtetuta dhe ligji do të jenë baza mbi të cilën do e mbështes çdo vendim dhe veprim që e ndërmarrim si qeveri”.

    “Detyra primare e kësaj qeveria është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike të rregullta presidenciale me 24 prill dhe 8 maj dhe zgjedhjeve të rregullta parlamentare më 8 maj 2024 dhe për këtë qeveria në një procedurë të drejtpërdrejtë, transparente dhe ligjore”.

    “Në bashkëpunim me kuvendin, Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, BE dhe ShBA, do të zbatojë të gjitha parakushtet ligjore, institucionale, organizative dhe operative për zbatimin e vullnetit të qartë të qytetarëve, duke synuar mundësimin e standardeve më të larta evropiane në procesin e fushatës zgjedhore dhe vet zgjedhjeve, që të zhvillohen zgjedhje me ligjshmëri të plotë”, ka deklaruar ai.

  • Lajçak sot në Kosovë

    Lajçak sot në Kosovë

    I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot do të jetë në Kosovë, ku do të bisedojë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës në dialogun e Brukselit.

    Lajçaku dje ka qëndruar në Beograd, ku është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin përveç tjerash ka diskutuar edhe për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

    Ai ka shkruar në platformën X se në takimin me Vuçiqin, fokus i diskutimeve ka qenë perspektiva strategjike për vitin 2024, por gjithashtu kanë bërë një bilanc për të arriturat dhe ngecjet në dialog.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar anulimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme në Kosovë. Ai shtoi se e ka pasur një “takim konstruktiv dhe shumë të dobishëm” me Lajçakun.

    “E theksova domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës urgjentisht, dhe kërkova mbështetje nga Bashkimi Evropian për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram, pas takimit me Lajçakun.

    Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun po i kryen këto vizita në Beograd dhe Prishtinë në përpjekje për të çuar përpara dialogun.

    “Bisedimet me presidentin Vuçiq në Beograd dhe me homologët kosovarë në Prishtinë, janë pjesë e mandatit të tij, janë pjesë e punës dhe përpjekjeve të tij të vazhdueshme në drejtim të ndihmës së të dyja palëve për të çuar përpara dialogun”, theksoi Stano.

    Ndryshe, Brukseli kërkoi nga autoritetet në Kosovë të hënën që të shtyjnë zbatimin e vendimit për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin e Kosovës, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

    Nga Qeveria e Kosovës kanë argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por QUINT-i ka thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

  • Kërkohet refuzimi i kërkesës “absurde” të KESCO-s për ngritje tarifash

    Kërkohet refuzimi i kërkesës “absurde” të KESCO-s për ngritje tarifash

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Një ngritje eventuale e tarifave të energjisë elektrike për të tretin vit me radhë, nga qytetarë dhe njohës të fushës, do të ishte e pakuptimtë dhe e dëmshme.

    Në aplikimin e saj në ZRRE, për t’i lejuar më shumë të hyra, KESCO-ja si shkaktare të rritjes eventuale të kostove përmend propozimin e KEK-ut për ngritje të çmimit të furnizimit me shumicë nga 29.5 në 31.5 Euro.

    “Është absurde kërkesa për rritje të tarifave të energjisë elektrike, sidomos tash kur i pamë faturat e dhjetorit dhe të janarit që i befasuan qytetarët… ZRRE-ja do të duhej me automatizëm ta refuzojë për shkak se është kërkesë absurde dhe e pabazuar. Nuk është bazë e mjaftueshme që KEK-u po e rritë koston e prodhimit të energjisë elektrike, sepse nuk reflekton shumë”, tha njohësi i ekonomisë, Zekirja Shabani.

    Po ashtu, krahas ndikimit të importit, duke iu referuar një hulumtimi të një instituti privat vendor, te rritja e kostos KESCO-ja futi edhe propozimin për rritjen e pagave të punëtorëve të saj për 15%, me arsyetimin se ata mund të ikin jashtë vendit.

    “Është absurde për shkak se qytetarët nuk duhet ta paguajnë pagën e një punëtori të KESCO-s, duke e pasur parasysh që KESCO dhe KEDS-i, bashkë, janë dy kompanitë me qarkullimin më të madh në Kosovë, në top 10 kompanitë, KESCO dhe KEDS bashkë qarkullojnë mbi 380 milionë euro në vit”, tha Shabani.

    Një ngritje e re do të ishte tronditëse për shumë qytetarë, të cilët ankohen për papërballueshmërinë e tarifave aktuale.

    “Janari, 476 Euro. Në Emshir jetoj, me rrymë ngrohna. Përpara deri në 200 kurrë s’u shku, 160, të njëjtat sene janë krejt. Çka pusi u bo nuk e di?! Veç për dy muaj po i jap në 900 Euro rrymë! Me i thanë atij dostit atje që do me na rjepë, merre një brisk e rjepna krejt”, thotë Avdi Pollomi, qytetar.

    “Një njeri jam. Në banesë të huaj jam. Unë e paguaj ujin, rrymën, bërllokun, qira nuk paguaj në atë banesë. A rryma shtrenjtë po vjen, 54 euro e gjysmë më ka ardhë dhjetori, a vitin e kaluar e kam pasë 7 euro dhjetorin. Tash janari ka ardhë 45 Euro. Me 100 euro jetoj”, tha Nazlije Shabani, qytetare.

    Pas ngritjes së tarifave të energjisë elektrike dy herë radhazi, në hapje të procesit të rregullt të shqyrtimit KESCO-ja i ka propozuar ZRRE-së një ngritje tjetër.

    Në këtë kompani nuk janë përgjigjur ende lidhur me këtë temë.