ATV

Tag: Ballina

  • Lënda “Edukimi për Siguri”, sfidë për drejtoritë e arsimit

    Lënda “Edukimi për Siguri”, sfidë për drejtoritë e arsimit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Nxënësit e klasave të 11-ta e 12-ta do të mund të zgjedhin lëndën edukimi për siguri si lëndë zgjedhore, nëse duan. Por zgjedhja e mësimdhënësve do të jetë pak e vështirë.

    Angazhimi i mësimdhënësve që do ta ligjërojnë këtë lëndë, konsiderohet si sfida kryesore pasi lënda të hyjë në kurrikulën shkollore.

    Në Komunën e Fushë Kosovës ende nuk kanë nisur procedurat për angazhimin e mësimdhënësve, megjithëse e pranojnë se do ta kenë mjaft të vështirë.

    “Do të shohim në bashkëpunim me Ministrinë e financave dhe Ministrinë e arsimit nëse do të na lejohet që të rekrutojmë mësimdhënës adekuatë, por nëse nuk na lejohet, atëherë duhet ta gjejmë formën se si me ofru, ose përmes ekspertëve të jashtëm ose mësimdhënësit që i kemi me i dergu në trajnime sado pak me i aftësu”, tha drejtori i DKA-së në Fushë-Kosovë, Fatlum Berisha.

    Detaje rreth ligjërimit të kësaj lënde nuk dha as Ministria e Arsimit, por as ajo e Mbrojtjes si incizuese e kësaj çështjeje.

    Andaj edhe njohës të sigurisë, vlerësojnë se kujdes të shtuar duhet kushtuar mësimdhënësve që e ligjërojnë lëndën.

    Qëllimi i kësaj lënde, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, është që nxënësit të marrin njohuri bazike ushtarake dhe të sigurisë.

  • Në shkurt fillon vendosja e kamerave të sigurisë në Prishtinë

    Në shkurt fillon vendosja e kamerave të sigurisë në Prishtinë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Pasi dëmtuan kamerat e parkingut, disa persona ende të paidentifikuar thyen edhe një veturë në parkun e Gërmisë në Prishtinë.

    Një ditë pas incidentit, vetura jo por pjesët e thyera të saj janë ende në vendin e ngjarjes.

    Me qëllim që të parandalohen raste të tilla, por edhe të identifikohen kryerësit, komuna e Prishtinës nga muaji shkurt do të fillojë vendosjen e kamerave më të sofistikuara.

    “Kamerat për të cilat jemi në pritje do të jenë me prodhim kanadez, nuk mund të thyhen apo të dëmtohen lehtë sikur kamerat e rëndomta, pikërisht ky rast është një shembull se sa të rëndësishme janë këto kamera, dhe besoj që muajin e ardhshëm do të fillojmë me vendosjen e tyre”, tha drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica.

    Fushtica thotë se vendosja e kamerave të sigurisë në kryeqytet do të ndikojë pozitivisht edhe në kryerjen e detyrave policore.

    Natyrisht që ne jemi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pasi edhe aty do të përcillet rrjedha e kamerave…”, tha Fushtica.

    Ndërkaq, ekspertë të sigurisë konsiderojnë se komuna e Prishtinës është vonuar në këtë drejtim.

    “Edhe pse jo sipas afateve të parapara, por prapëseprapë i mirëpresim këto kamera, vetëm se vendosja e tyre nuk do të thotë që duhet të jetë e fokusuar vetëm në qytet, por edhe në rrugë nacionale, fshatrat përreth, sepse ne çdo ditë po dëgjojmë fenomene të ndryshme edhe nga atje”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

    Për projektin e vendosjes së kamerave në kryeqytet, janë ndarë rreth 1.3 milionë euro.

  • Vazhdon presioni ndërkombëtar për shtyrjen e vendimit të BQK-së

    Vazhdon presioni ndërkombëtar për shtyrjen e vendimit të BQK-së

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Kur kanë mbetur edhe dy ditë para se të hyjë në fuqi Rregullorja e re e BQK-së, e cila parasheh se monedha e vetme në Kosovë për pagesa të jetë euro, është shtuar presioni ndërkombëtar për ta shtyrë zbatimin e këtij vendimi.

    Në mëngjesin e së hënës, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, një kërkesë të tillë ia parashtroi drejtpërdrejt vetë Kreut të Bankës Qendrore të Kosovës.

    Pas takimit të mbyllur, Hovernier në një adresim tjetër për media, tha se kërkoi nga guvernatori Ahmet Ismaili, që ta shtyjë zbatimin e vendimit, meqë mund të ndikojë negativisht te komuniteti serb.

    “Ne respektojmë absolutisht autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës për t’i rregulluar transaksionet financiare në mbarë Kosovën. Dhe besoj se një pjesë e kësaj rregulloreje shkon në diçka që ne dhe shumë të tjerë e kemi kërkuar prej kohësh, që është sigurimi i kontrolleve të duhura financiare për t’i shmangur krimet financiare, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, gjëra të tilla. Por ne besojmë se nevojitet kohë dhe nevojitet periudha e tranzicionit, dhe disa çështje duhet të zgjidhen e të cilat nga këndvështrimi ynë nuk duket se janë zgjidhur ende. Kështu që ne kemi kërkuar shtyrje të vendimit të zbatimit për t’u siguruar që janë bërë përgatitjen për t’u siguruar që njerëzit e prekur të mos ndikohen negativisht”, tha Hovernier.

    Në anën tjetër, Banka Qendrore nëpërmjet një komunikate njoftoi se guvernatori Ahmet Ismaili, i tha ambasadorit amerikan se rregullorja e re s’e kufizon këmbimin e çfarëdo valute.

    “Rregullorja e re e BQK-së nuk e ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në valutën euro në bankat e licencuara, dhe se as nuk e kufizon këmbimin e cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare, ose jo-bankare të licencuara nga ajo. Në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore. Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së”, tha Ismaili.

    Veç SHBA-së, edhe Bashkimi Evropian të hënën ka përsëritur kërkesën për shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi nga ana e institucioneve të Kosovës.

    “Kjo ngrit shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në komunitetet me shumicë serbe, veçanërisht në shkolla dhe spitale, për të cilët asnjë proces alternativ nuk duket i duhur në këtë moment. Rregullorja, po ashtu, ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia, andaj duke pasur parasysh pasojat eventuale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja pret që aspekti i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Të dielën, përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e QUINT-it kërkuan që Kosova të pezullojë zbatimin e rregullores së BQK-së, duke thënë se çështja duhet të diskutohet më tej, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

  • Lajçak pas takimit me Vuçiqin: Bëmë një bilanc mbi situatën aktuale në dialog dhe hapat për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve

    Lajçak pas takimit me Vuçiqin: Bëmë një bilanc mbi situatën aktuale në dialog dhe hapat për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve

    I Dërguari i Posaçëm në Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në vizitën e tij zyrtare në Beograd ka takuar presidentin, Aleksandar Vuçiq.

    Pas takimit me të, Lajçak në platformën “X” ka thënë se kanë bërë një bilanc mbi gjendjen në dialog si dhe kanë folur edhe për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhëneve mes dy vendeve.

    “Me të mbërritur në Beograd këtë mëngjes, u takova me Presidentin, Aleksandar Vuçiq. Në diskutimin tonë, u fokusuam në perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi situatën aktuale në dialog dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën””, ka shkruar Lajçak në platformën “X”.

    Pas kësaj vizite, Lajçak nesër do të jetë në Prishtin.

  • Asnjë njohje që tre vjet: Liberalizimi i vizave mund të ndihmojë

    Asnjë njohje që tre vjet: Liberalizimi i vizave mund të ndihmojë

    Në pak javë, Kosova pritet të shënojë vitin e saj të 16-të si shtet, mirëpo në tre vjetët e fundit shtetësia e saj nuk është njohur nga asnjë vend.

    Opsione për të dalë nga kjo status-quo, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, ka.

    Shfrytëzimi i liberalizimit të vizave për krijimin e raporteve diplomatike dhe ndihma e aleatëve për lobim, janë dy nga to.

    Izraeli ka qenë vendi i fundit që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 Shkurt të vitit 2008.

    Kjo njohje ka ndodhur në shkurt të vitit 2021 dhe ka qenë zotim i Marrëveshjes së Uashingtonit – e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator, 2020, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

    Para saj, shteti i fundit që e ka njohur Kosovën, ka qenë Barbadosi në vitin 2018.

    Në listën që ka të publikuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë në ueb-faqen e saj, figurojnë 117 vende që e njohin Kosovën.

    Radio Evropa e Lirë dërgoi pyetje në këtë ministri rreth angazhimit të saj për njohje, por nuk mori përgjigje.

    Shteti më i ri në Evropë vazhdon të mos njihet nga dy fqinjët e tij rajonalë, Serbia – e cila me Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë si pjesë të veten – dhe Bosnje e Hercegovina, si dhe nga pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian: Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia.

    Kjo, me gjithë faktin se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

    REL-i, po ashtu, pyeti ministritë e Jashtme të shteteve mosnjohëse të BE-së nëse janë duke shqyrtuar ndryshimin e qëndrimit dhe nën cilat kushte do ta bënin një gjë të tillë.

    Ajo e Sllovakisë tha se “pozicioni i saj, në raport me pavarësinë e Kosovës, nuk ka ndryshuar”, ndërsa e Rumanisë tha se, fillimisht, Kosova duhet t’i zgjidhë problemet me Serbinë.

    “Ne e mbështesim plotësisht dhe në mënyrë aktive dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si kanali kryesor për një normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë”, tha MPJ-ja në Bukuresht.

    Këtë muaj, Spanja i njohu pasaportat e Kosovës, por autoritetet e këtij vendi sqaruan për REL-in se kjo nuk nënkupton njohje të Kosovës.

    Nga Qiproja dhe Greqia nuk pati përgjigje.

    Si mund të ndikojë liberalizimi i vizave në njohje?

    Alejandro Esteso Perez, analist dhe studiues i politikave të Ballkanit dhe zgjerimit të BE-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës “diçka mund të lëvizë”.

    “… sepse, mbajtësit e pasaportave të Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në shumicën e këtyre vendeve [të BE-së] dhe kjo do të ketë ndikim në lidhjet ndërpersonale dhe lidhjet ndërmjet Kosovës dhe vendeve mosnjohëse të BE-së, veçanërisht në nivel social dhe kulturor”, thotë Perez, i cili ligjëron në Universitetin Complutense të Madridit.

    Sipas tij, liberalizimi i vizave është një pikënisje e mirë për ta bërë një hap më tej dhe “për t’i forcuar ose, në disa raste, për t’i vendosur lidhjet diplomatike dypalëshe”.

    Nga 1 janari i këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë fituar të drejtën e udhëtimit pa viza në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.

    Vetëm pak ditë më vonë, më 6 janar, Spanja ka njoftuar se do t’i njohë pasaportat e Kosovës.

    Perez thotë se jo të gjitha vendet mosnjohëse e pengojnë integrimin evropian të Kosovës. Përkundrazi, shton ai, janë disa që e njohin, por nuk e mbështesin.

    “Greqia ka një zyrë diplomatike në Prishtinë dhe gëzon një marrëdhënie të frytshme ekonomike dhe politike me Kosovën. Mirëpo, jo të gjithë njohësit janë mbështetës të Kosovës në çdo kohë. Shikojeni Hungarinë, aleanca e së cilës me Serbinë është duke ndikuar në qasjen skeptike ndaj procesit të integrimit evropian të Kosovës”, thotë Perez, pa specifikuar më shumë.

    Kryeministri populist i Hungarisë, Viktor Orban, është aleat i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Derisa Serbia të integrohet [në BE], Ballkani Perëndimor nuk do të integrohet”, ka thënë Orban gjatë një vizite në Beograd në korrik të vitit 2021.

    “Së pari në Evropë, pastaj me njohjet”

    Adnan Qerimagiq, analist në Iniciativën për Stabilitet Evropian, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet të fokusohet së pari në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, në NATO dhe në Bashkimin Evropian, e pastaj, me ndihmën e aleatëve, t’i bindë vendet mosnjohëse.

    “Në këtë mënyrë, Kosova dhe partnerët e Kosovës në Këshillin e Evropës, në Bashkimin Evropian, por edhe në NATO do të kenë më shumë mundësi për ta shtyrë përpara njohjen e Kosovës”, thotë Qerimagiq.

    Sipas tij, “zbutja” e Spanjës karshi pasaportës së Kosovës ka dëshmuar se vendet mosnjohëse, mund t’i ndryshojnë politikat ndaj Kosovës.

    ​“Ajo çfarë na është dëshmuar në këto vitet e fundit, jo vetëm me luftën Ukrainë-Rusi, por edhe me atë se çfarë po bën Serbia në rajon dhe me narrativën dhe politikat karshi fqinjëve të saj, tregon se çështja nuk është vetëm te njohjet… por është edhe në interesin e vendeve evropiane që ta integrojnë Ballkanin Perëndimor në familjen euroatlantike për të siguruar stabilitet dhe paqe në rajon”, thotë Qerimagiq.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022 dhe po atë vit, në dhjetor, ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, në Kosovë kanë thënë se i kanë shtuar përpjekjet për anëtarësim edhe në NATO.

    Vendi tashmë është anëtar i disa organizatave ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

    Me vite, Serbia ka qenë e angazhuar në një fushatë kundër njohjes së Kosovës apo për çnjohje të saj. Edhe pse autoritetet atje kanë thënë se kanë arritur t’i bindin disa vende për t’i tërhequr njohjet e Kosovës – në mesin e tyre: Surinami, Burundi, Liberia, Ishujt Solomon etj. – autoritetet e Kosovës nuk kanë konfirmuar ndonjë çnjohje.

    Diplomacia e Kosovës është kritikuar në disa raste për mungesë strategjie.

    Por, në një intervistë dhënë mediumit Kallxo në Kosovë, në muajin dhjetor, shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, ka thënë se po punohet për njohje të reja.

    “Unë s’mund t’ua imponoj vullnetin tim shteteve të tjera. Ajo çfarë mund të bëj, është që të mos e ndal punën asnjë ditë”, ka thënë Gërvalla.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsërit vazhdimisht se njohja e Kosovës nga Serbia, nuk do të ketë alternativë.

    Dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve për më shumë se një dekadë, por marrëveshjet e arritura mes tyre kanë gjetur pak zbatim. /REL

  • Guvernatori i BQK-së: Rregullorja e re s’e kufizon këmbimin e çfarëdo valute

    Guvernatori i BQK-së: Rregullorja e re s’e kufizon këmbimin e çfarëdo valute

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka thënë të hënën se rregullorja e re e BQK-së nuk e ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në valutën euro në bankat e licencuara, dhe se as nuk e kufizon këmbimin e cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare, ose jo-bankare të licencuara nga ajo.

    “Pra, të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet”, tha ai.

    BQK-ja njoftoi se Ismaili i bëri këto komente gjatë një takimi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier.

    Rregullorja e re e BQK-së, e lëshuar javë më parë, kërkon që të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë të bëhen me euro nisur nga 1 shkurti, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb në vend.

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i ka kërkuar guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, që të shtyjë zbatimin e vendimit për përdorimin vetëm të valutës euro sa i përket operacioneve me para të gatshme.

    “Ne bëjmë thirrje që zbatimi i kësaj rregulloreje të shtyhet, në mënyrë që të japë kohë për tranzicion më efektiv dhe komunikim me publikun që të zbutet ndikimi negativ te qytetarët”, shkroi Hovenier në X, që më herët njihej si Twitter.

    Ismaili theksoi se vetëm në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare (kredidhënëse) si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore.

    “Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së”, thuhet në njoftim.

    Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

    Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

    Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.

    Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – ka thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

    Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar të hënën anulimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme në Kosovë.

    Kërkesa e tij erdhi gjatë një takimi me të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Beograd.

    Takimi mes ambasadorit Hovenier dhe guvernatorit Ismaili erdhi një ditë pasi shtetet e QUINT-it – SHBA-ja, Britania, Gjermani, Italia dhe Franca – bënë kërkesën e njëjtë për shtyrjen e zbatimit të vendimit për rregulloren për operacione me para të gatshme.

    Edhe Bashkimi Evropian i ka kërkuar të hënën Kosovës që të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret në operacionet me para të gatshme.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se këtë çështje palët duhet ta zgjidhin në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli.

    Nga Qeveria e Kosovës kanë argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por QUINT-i ka thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”. /rel

  • Nënshkruhet një marrëveshjeje ushtarake Kosovë-Turqi

    Nënshkruhet një marrëveshjeje ushtarake Kosovë-Turqi

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka njoftuar se Kosova tashmë ka nënshkruar një marrveshje ushtarake kornizë me Turqinë.

    Maqedonci ka shkruar në Turqi me ftesë të ministrit turk të Mbrojtjes Kombëtare, Yasar Guler, me të cilin nënshkruan marrëveshjen “për ta thelluar bashkëpunimin ushtarak në shumë drejtime”.

    “Shkëmbimi i personelit ushtarak, shkollimet, trajnimet e përbashkëta, investimi në industrinë e mbrojtjes si dhe trajtimi shëndetësor i pjesëtarëve të FSK-së në Turkiye ishin disa nga çështjet të cilat i diskutuam, e që përmes marrëveshjes së nënshkruar i hapim rrugë procesit për realizimin e tyre”, shkroi ministri kosovar në një postim në Facebook.

    “Krahas lidhjes kulturore ndërmjet dy shteteve tona, tashmë ekziston një bashkëpunim i ngushtë në aspektin ushtarak, me qëllim që së bashku t’i kontribuojmë ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, shtoi ai.

    Ky nënshkrim vjen pak ditë pasi Qeveria votoi propozim-vendimin për t’i kërkuar presidentes Vjosa Osmani që ta japë autorizimin për këtë marrëveshje.

  • BE-ja i kërkon Kosovës që përmes dialogut ta zgjidh çështjen e dinarit

    BE-ja i kërkon Kosovës që përmes dialogut ta zgjidh çështjen e dinarit

    Bashkimi Evropian i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret në operacionet me para të gatshme.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se këtë çështje palët duhet ta zgjidhin në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli.

    Shtyrja e vendimit, që është paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt, sipas BE-së, do të mundësonte që të adresohej ndikimi i mundshëm negativ te komuniteti serb në Kosovë.

    Kërkesa e bllokut vjen në ditën kur i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, qëndron në Serbi dhe në ditën pasuese do të vizitojë edhe Kosovën.

    “BE-ja ka marrë në dijeni rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e parave të gatshme, që ka për qëllim zvogëlimin e falsifikimit, të ruajë stabilitetin financiar dhe të rrisë transparencën e qarkullimit të parave të gatshme në Kosovë. Megjithatë, kjo ngrit shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në komunitetet me shumicë serbe, veçanërisht në shkolla dhe spitale, për të cilët asnjë proces alternativ nuk duket i duhur në këtë moment. Rregullorja po ashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia”, tha Stano.

    Stano tha se BE-ja bën thirrje “që të ketë një periudhë të mjaftueshme transitore që do të mundësonte gjetjen e një marrëveshjeje të negociuar” lidhur me vendimin e BQK-së.

    Ky vendim i BQK-së nga serbët në Kosovë është parë si vendim që do t’iu pamundësojë atyre të përdorin dinarin.

    “Duke pasur parasysh pasojat eventuale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja pret që aspekti i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Stano.

    Stano foli edhe për vizitën që Lajçakut në Serbi dhe Kosovë. Ai tha se këto vizita që do të realizohen më 29 dhe 30 janar janë pjesë e punës së tij të përditshme në përpjekje për t’iu ndihmuar palëve që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve mes tyre. Stano tha se në Beograd, Lajçak do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq në Kosovë me “bashkëbiseduesit e tij”.

    Ndryshe, kërkesë për shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së për operacionet me para të gatshme më herët kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara, por edhe shtetet e tjera të QUINT-it – Italia, Gjermania, Franca dhe Britania.

    Pas vendimit të publikuar nga BQK-ja më 17 janar, BE-ja kishte thënë se ka kërkuar sqarime nga Kosova për këtë vendim.

    Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – ka thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

    Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

    Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

    Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari./rel

  • Ramadani: Trendi i dhunës dhe krimit në Kosovë, është jashtëzakonisht alarmues

    Ramadani: Trendi i dhunës dhe krimit në Kosovë, është jashtëzakonisht alarmues

    Ish inspektori i AKI-së, Burim Ramadani, në emisionin A LIVE në ATV, tha se në Kosovë ka trend të dhunës në nivel alarmues dhe si e tillë, secili mekanizëm duhet t’i marrë në përgjegjësi detyrat e veta.

    “Trendi i dhunës dhe krimit është jashtëzakonisht alarmues. Në Kosovë ka trend të dhunës në nivel alarmues dhe si e tillë secili mekanizëm i ka detyrat e veta. Cili do të duhej të jetë reagimi i shtetit? Apsolutisht, menjëherë duhet të rifunksionalizojë policin e lagjes, policinë e udhëhequr nga inteligjenca, ekipet dhe prurësit të sigurisë lokale, komitetet lokale për siguri publike. Pra janë mekanizma të cilat ta themi janë një mini-shtet në secilën lagje. Ato kanë filluar të funksionojnë paraprakisht. Që tri vite janë ndalur. Duhet të vazhdohet të avancohen dhe nëse kemi, ta themi në një shkollë, Dardani, që ka dy shkolla afër, komuniteti aty mund të ndihmojë edhe shkollat , por po ashtu edhe policinë, edhe policia pastaj në anën tjetër të rikthejë ose të kthejë ndihmën”, tha Ramadani.

    Ai tha se duhet të ketë edhe sa më shumë fushata vetëdijësuese, të cialt duhet t’i kenë target prindërit dhe institucionet.

    “Normalisht që do të duhej fushata shumë më të mëdha vetëdijësuese, edhe për prindërit, sepse fushatat vetëdijësuese nuk i shohin fëmijët, pra nëse ka fushata në televizione, targeti i tyre duhet të jenë prindërit dhe institucionet, por jo fëmijët sepse fëmijët nuk është e thënë që të shohin fushata të të rriturve”, tha Ramadani. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij në A LIVE e gjeni ën videon më poshtë:

  • Trump: Jemi në prag të Luftës së Tretë Botërore

    Trump: Jemi në prag të Luftës së Tretë Botërore

    Një reagim tjetër ka ardhur nga SHBA, me ish-presidentin Donald Trump që pretendon se sulmi i djeshëm ndaj personelit amerikan në Jordani na lë “në prag të Luftës së Tretë Botërore”.

    Në një deklaratë të lëshuar pas sulmit, i cili vrau tre anëtarë të shërbimit amerikan, Trump tha se sulmi “nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse do të isha president”.

    “Ashtu si sulmi i Hamasit i mbështetur nga Irani ndaj Izraelit nuk do të kishte ndodhur kurrë, lufta në Ukrainë nuk do të kishte ndodhur kurrë dhe ne tani do të kishim paqe në të gjithë botën”, tha ai.

    “Në vend të kësaj, ne jemi në prag të Luftës së Tretë Botërore”.

    Ai është një nga disa republikanë që kanë bërë presion mbi presidentin Joe Biden për t’iu përgjigjur me forcë.

    Biden ka thënë se do të urdhërojë një përgjigje, por nuk ka ofruar asnjë detaj se si duken ata shumë.