Pak minuta pas zgjedhjes së kryeministrit Xhaferi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e uroi atë duke thënë se kjo ditë shënon një moment historik për të gjithë komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut
Urimet për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferin, tashmë veçse kanë filluar.
Pak minuta pas zgjedhjes së kryeministrit Xhaferi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e uroi atë duke thënë se kjo ditë shënon një moment historik për të gjithë komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
“Urime, Kryeministër Talat Xhaferi! Sot shënohet një moment historik i rëndësishëm për të gjithë komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke reflektuar kontributin e tyre jetik në shtetësinë e vendit dhe rrugëtimin drejt integrimit euroatlantik. I uroj qeverisë dhe të gjitha institucioneve të M.V. suksese”, shkroi ajo.
Me një orë vonesë filloi seanca e Kuvendit të RMV-së, me një pikë të vetme të rendit të ditës, zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me 66 vota për, nga 108 të pranishëm u miratua rendi i ditës me këtë pikë.
Seanca mund të zgjasë deri në dy ditë nëse ka fjalime nga deputetët. Aktualisht mandatori për kryeministër teknik, Talat Xhaferi është duke folur për programin e propozuar të tij për qeveri teknike.
Opozita shqiptare nuk merr pjesë në seancën e sotme të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku do të votohet për Qeverinë teknike në krye Talat Xhaferi me arsyetimin se nuk po iu lejohet ta ketë një anëtar në Komisionin shtetëror të Zgjedhjet.
Ndërkohë, bëhet e ditur se pas konstatimit se është shumica parlamentare prej 61 deputetëve, para të pranishmëve Talat Xhaferi do ta prezantojë programin e tij në gjuhën shqipe.
Kurse pas tij do të flas Antoni Milloshovci, si dhe persona të tjerë. I gjithë debati pritet të mbyllet me fjalimin e Ali Ahmetit.
Talat Xhaferi, kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut, ka thënë se emërimi i tij në këtë pozitë është në kohën e duhur.
Ai sot bëhet shqiptari i parë që është në krye të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ndonëse do të jetë qeveri teknike me mandat 100 ditësh.
Xhaferi për Klan Kosovën ka deklaruar se më herët ka qenë një tabu të flitet që shqiptarët të jenë në krye të institucioneve, sipas tij, tani kjo është një realitet.
“Mendoj se është në kohë dhe nuk është e vonuar, për faktin që aspektet procedurale dhe formale i përcakton Ligji për Qeverinë. Që përcakton se 100 ditë para mbajtjes së zgjedhejve duhet të ketë qeveri teknike, e cila ka për prioritet organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve, dhe jo vetëm aspektet e kompetencave qeveritare dhe të funksionimit të institucioneve. Besoj se është në kohën e duhur dhe në momentin e duhur.”
“Kontekstet kohoret në konktekst politik mund të themi se janë edhe të vonuara, por edhe në kohë. Për aspektet politik dhe shoqërore, aspekti kohë nuk ngërthen me orë me ditë, është çështje e proceseve që vijojnë dhe paraprijnë dhe që pasojnë, kështu që është çështje e politikbërjes që planifikimet bëhen afatshkurta dhe afatgjata, mendoj se është në kohën e duhur konform rrethanave. Por nëse e shohim në kontekst të ngushtë mund të thuhet se është e vonuar, nëse dikur ka qenë tabu, tani është realitet që ndodh i ri dhe është koha e duhur mendoj”, ka thënë Xhaferi.
Provat para performancave janë të domosdoshme. Por, ndërtesa e Filarmonisë së Kosovës, në të cilin Festim Fanaj dhe kolegët e tij ushtrojnë tash e 20 vjet, nuk i plotëson kushtet.
“Që nga themelimi, Filarmonia e Kosovës ka pasë probleme me objekt, sikur vend ushtrimi që është kjo sot këtu, që me herët ka qenë një objekt ku ka ushtruar kori i qytetit, është hapësirë e vogël, këtu zakonisht mund të ushtrojnë grupet kamertale që i bjen grupet më të vogla, ndoshta deri në 10-15 persona, dhe problemin e kemi për shkak që është ose shumë ftohtë ose shumë nxehtë”, thotë Festim Fanaj.
Mungesa e një objekti nuk është halli i tyre i vetëm. Vështirësi gjatë provave, po iu shkakton edhe mungesa e instrumenteve.
“Edhe këto mbajtëset e notave ose pulte e instrumentet tjera që po i shihni shumica janë donacion nga shteti japonez, disa nga instrumentistët i kanë instrumentet e tyre personale, por na mungojnë edhe shumë gjëra të tjera bazike të cilat janë mjete harxhuese dhe ato i paguajnë vetë instrumentistët.” , shtoi tutje ai.
Për këtë institucion kaq të rëndësishëm thonë se nuk po trajtohet dinjitetshëm.
“Është një hapësirë e vogël që nuk i plotëson të gjitha nevojat dhe kërkesat për të zhvilluar aktivitetin ditor, sidoqoftë me vullnetin e gjithë anëtarëve të Filarmonisë nuk kanë munguar sukseset, pavarësisht që jemi ballafaquar me probleme dhe me mungesa në aspektin e infrastrukturës. Duhet të pajtohemi që edhe në 5 vitet e ardhshme minimalisht të operojmë nëpër hapësirat ekzistence e shpresojmë që proceset të mos zvarriten tutje që të paktën Prishtina ta ketë sallën e saj.”, deklaroi Dardan Selimaj, menaxher i Filarmonisë së Kosovës.
Që nga viti 2000 kur është themeluar, Filarmonia funksionon në një objekt të Komunës së Prishtinës, pas Ministrisë së Kulturës. Por, ky institucion nuk u përgjigj nëse ka ndonjë projekt lidhur me Filarmoninë.
Pavarësisht problemeve infrastrukturore dhe mungesës së instrumenteve, më 27 janar Filarmonia e Kosovës prezanton dy premiera, njëkohësisht duke rikthyer pas disa vjetësh në program Simfoninë e shtatë të Beethovenit./ATVLIVE.TV/
Nxënësit e klasave të 11-ta e 12-ta do të kenë mundësi që nga viti i ri shkollor 2024-2025 të mësojnë më shumë për sigurinë.
Ministria e Arsimit ka vendosur që nga shtatori në kurrikulën shkollore ta fusë edhe lëndën Edukimi për Siguri, si kërkesë nga Ministria e Mbrojtjes.
Megjithatë, kjo do të mbetet në dëshirën e nxënësve, meqë lënda do të jetë vetëm zgjedhore e jo obligative.
Sidoqoftë, Ministria e Arsimit nuk saktësoi nëse kjo lëndë do të jetë zgjedhore në të gjitha shkollat e mesme.
Njohës të arsimit thonë se duhet të ketë përgatitje institucionale e profesionale që kjo lëndë të sjellë dobi te nxënësit.
“Besoj që ka një argumentim për këtë dhe ai argumentim duhet të bëhet publik. Të ndahen plan-programet, të ndahen shkollat e targetuara së pari për pilotim dhe të tjerat për gjithëpërfshirje, në mënyrë që kjo reformë të ketë një përfshirje shumë më aktive dhe të mos vijë vetëm si një reformë politike që ka një jetëgjatësi të shkurtër”, tha Rinor Qehaja nga Instituti ‘ EdGuard’.
Futja e lëndës së sigurisë në shkolla është nismë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe është bërë me qëllim që nxënësit të marrin njohuri bazike ushtarake dhe të sigurisë./atvlive.tv/
Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, janë duke e paditur Qeverinë e Kosovës, respektivisht Ministrinë e Mbrojtjes për moskompensimin e diferencës së pagës sipas rregullores për rritje të pagave të pjesëtarëve të FSK-së, sipas gradave të tyre.
Rregullore kjo që ishte në fuqi nga 14 shkurti i vitit 2020 deri me 28 korrik 2021.
Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë po kërkojnë kompensim për 18 muaj sa ishte në fuqi rregullorja e nënshkruar në kohen kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj.
E gjithë kjo, dëshmohet nga një komunikim mes Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes në të cilin pati qasje ATV-ja.
ATV-ja ndërkaq ka siguruar edhe një aktgjykim ku Gjykata Themelore në Pejë vendosi në favor të pjesëtarit të FSK-së që kompensimin vendosi ta kërkojë përmes rrugëve ligjore.
“DETYROHET e paditura Ministria e Mbrojtjes – Forca e Sigurisë së Kosovës, që paditësit në emër të kompensimit shtesë për ngritje profesionale me gradën rreshter, për periudhën nga data 01.02.2020 deri me datën 28.07.2021, t’ia paguaj diferencën në shumën prej 2,583.00 € si dhe shpërblimin jubilar për 10 vite të përvojës së punës, shumën prej 112.20 €, në shumën e përgjithshme prej 2,695.20 €”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë.
Ndërkaq, pretendimet e Qeverisë në këtë rast gjyqësor, Gjykata Themelore në Pejë i cilësoi të pabazuara.
Teksa Zyra e Kryeministrit e as Ministria e Mbrojtjes nuk kanë kthyer përgjigje, nga burime jozyrtare, televizioni kupton se numri i atyre që kanë përgatitur padi shkon deri në 300.
Ndryshe, rregullorja parashihte që sipas gradave, pjesëtarët të marrin këto paga: ushtari 525 euro, ushtari i klasës së parë 580 euro, tetari 641 euro, ndërsa rreshteri 708 euro./atvlive.tv/
Kompania kosovare për furnizim me energji elektrike – KESCO – i ka propozuar Zyrës së Rregullatorit ngritje të serishme të tarifave.
Në aplikimin për të hyrat e lejuara maksimale për vitin tarifor 2024-25, për mbulimin e të cilave barrën kryesore e kanë konsumatorët fundor, KESCO ka kërkuar që Rregullatori t’i aprovojë të hyra më ta larta sesa aktualet.
Mes tjerash në arsyetimin e rritjes eventuale te kostove, kjo kompani përmend propozimin e KEK-ut për rritje të çmimit të furnizimit me shumicë në 31.5 euro për megavat orë.
“Pa paragjykuar arsyeshmërinë e ofertës, me aplikimin e çmimeve të propozuar nga KEK kostot për konsumatorët fundor do të rriten për 6 milion €, apo një rritje prej 2% të MAR”, thuhet në aplikimin e KESCO-s.
Në kontekstin e rritjes së kostove, KESCO flet për ndikimet e nevojës për import të energjisë.
Pas shqyrtimit të aplikimeve të pranuara nga KESCO, KEDS dhe KOSTT, Zyra e Rregullatorit për Energji duhet të përpilojë raportin konsultativ i cili do të qartësojë nëse një kërkesë e tillë do të përfillet.
Në KESCO nuk u përgjigjën lidhur me këtë çështje. Por, eksperti i energjisë, Naim Bujupi, e vlerëson të dëmshme ngritjen eventuale të tarifave.
“Sa pashë kostoja u rritë për shkak të importit. Sa i përket përballueshmerisë, duhet të bëhet analizë. E vetmja formë që nëse vërtetohet se tarifa nuk është e përballueshme, është subvencionimi i tarifës. Por kjo është me rrisk të lartë, sepse nënkupton se është rritje artificiale, që nënkupton se në të ardhmen ndikon negativisht në zhvillimin e qëndrueshëm të tregut”, thotë Bujupi.
Ai nuk përjashton mundësinë e që ZRrE-ja të refuzojë këtë kërkesë.
“Është mirë të pritet vendimi i ZRRE-së. në të kaluarën KESKO ka prezantuar koston e tyre, por ZRRE ka vendosur ndryshe. Kështu, pas vendimit të ZRRE-së shpjegohet rritja e tarifave”, shtoi tutje ai.
Vendimi përfundimtar nga Rregullatori pritet të nxirret para fundit të muajit Mars.
Në dy shqyrtimet e fundit, 2022 dhe 2023, janë ngritur tarifat e energjisë./atvlive.tv/