ATV

Tag: Ballina

  • Ndotja e ajrit, një vrasës i padukshëm në Kosovë

    Ndotja e ajrit, një vrasës i padukshëm në Kosovë

    39-vjeçari rom, Faton Alija, jeton në Plemetinë, një fshat 22 kilomentra larg kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.

    Ai jeton atje me familjen e gjerë, që përfshin edhe babain dhe vëllain e tij që jetojnë nën një çati. Një standard i mirë lokal, por duke parë në perëndim, në drejtim të rrugës kupton, se asgjë nuk është mirë. Çdo ditë ai vetëm dy kilometra larg shtëpisë sheh oxhaqet e tymosur të termocentraleve me qymyr Kosova A dhe B, të cilat sigurojnë pjesën më të madhe të prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë.

    “Për ne që jetojmë në Plemetinë, ndotja e ajrit është fatkeqësi. Ne nuk mund të shkojmë askund tjetër, sepse nuk mund ta përballojmë. Tashmë jemi mësuar të jetojmë në këto kushte ajri këtu”, thotë Faton Alija.

    Fatoni mban të gjithë familjen. Të ardhurat e tij si punëtor në një fabrikë qeramike mezi mjaftojnë për të jetuar. Ai nuk mund të përballojë të largohet nga zona kryesore e ndikimit të termocentraleve. Ai ka katër fëmijë. Më i vogli është tre vjeç dhe ka kollitje gjatë gjithë dimrit.

    Linjiti: shkaktar grimcash

    Ka shumë shkaqe për ndotjen e ajrit në Kosovë: termocentralet me qymyr, trafiku, përdorimi i qymyrit nëpër shtëpi për ngrohje dhe gatim, si dhe industria.

    Ajri është në gjendjen më të keqe, sidomos në dimër, kur qytetarët përdorin më shumë qymyr për ngrohje. Për të dhënë informacion lidhur me ndotjen e ajrit, në Prishtinë është vendosur një tabelë paralajmëruese në mes të shëtitores së kryeqytetit, që tregon cilësinë e ajrit me fytyra të mëdha emoji.

    Me anë të kësaj kalimtarët paralajmërohen që të mos thithin ajrin pa maskë për shkak të ndotjes së lartë. Paralajmërimet janë në të vërtetë të panevojshme, sepse cilësinë e dobët të ajrit mund ta nuhasë kushdo, sepse kundërmon erë thëngjilli. Këtë e pohon edhe Mentor Shala nga Instituti Hidrometeorologjik i Prishtinës, i cili çdo ditë raporton matjet nga Kosova në Agjencinë Evropiane për Cilësinë e Ajrit.

    “Aktualisht jemi duke monitoruar ndotjen e ajrit në Kosovë. Për shembull, ne aktualisht kemi ngjyrën vjollcë në sistem kudo në Kosovë dhe kjo tregon se sa e keqe është cilësia e ajrit në vend. Në stacionin Dardhishtë afër Obiliqit kemi pluhur të imët PM10 prej 70.5 gr për m2. Lejohet maksimumi 50 gramë për metër katror”, thotë Mentor Shala.

    Sipas raportit vjetor për gjendjen e ajrit për vitin 2019, ka pasur tejkalime të ndotjes nga grimcat PM10 në të gjitha stacionet matëse në Kosovë për gjithsej 535 ditë.

    Fatkeqësisht efektet e ajrit të ndotur nuk mund të largohen lehtë. “Ndotja e ajrit shkakton shumë kosto dhe gjithashtu merr jetë njerëzish”, thotë Frank Hames, drejtues i IQAir Quality nga Zvicra, që njihet për teknologjinë precize të matjes së ndotjes së ajrit, por edhe për pajisjet e pastrimit.

    Ndotja e ajrit një vrasës i padukshëm

    Pulmologu Dr. Musa Hoxha, drejtor i Departamentit të Mushkërive në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë e njeh problemin në Kosovë. “Janë grimcat e imta të pluhurit PM2.5, të cilat janë aq të vogla sa hyjnë në gjakun e njeriut përmes alveolave të mushkërive. Ky është veçanërisht njëproblem për gratë shtatzëna, të moshuarit dhe fëmijët, sepse shkakton shumë sëmundje”- thotë mjeku pulmonolog.

    Për të qytetet e Obiliqit dhe të Hanit të Elezit janë vendet me ndotjen më të lartë në Kosovë. “Banorët në këto zona janë njerëzit që janë në rrezik më të madh për t’u sëmurur me sëmundje kronike si astma apo kanceri i mushkërive”.

    Ekspertët thonë se 760 vetë vdesin në Kosovë çdo vit si pasojë e ndotjes së ajrit. E prekur është edhe familja e Fatonit: “Mamaja ime dhe dy anëtarët e tjerë të familjes sime ishin të sëmurë, sepse vazhdimisht merrnin frymë në ajrin jashtëzakonisht të keq. Nëna ishte vetëm 49 vjeç, kur vdiq nga kanceri në mushkëri”.

    Antti Kaartinen, zëdhënës i Agjencisë Evropiane të Mjedisit, thotë se sipas statistikave “Kosova ka shkallën e pestë më të lartë të vdekshmërisë për shkak të niveleve të larta të PM2.5 dhe ozonit”.

    Filtrat e mirë kushtojnë shumë

    Aktivisti mjedisor dhe ekologu Adhurim Hoxha nga Prishtina akuzon sektorin publik se nuk po bën sa duhet për të mbajtur ajrin të pastër. “Filtrat e termocentraleve me qymyr nuk janë ndërruar për një kohë të gjatë, prandaj ajri në Prishtinë, Obiliq dhe Plementinë është kaq i keq. Kostot për filtra të mirë shkojnë në miliona. Deri tani nuk ka pasur para nga buxheti publik për filtra të rinj.”

    Në Plemetinë Fatoni i di shkaqet e megjithatë edhe ai është i burgosur i këtij sistemi. Në shtëpinë e tij nuk ka ngrohje. Përveç dhomës së kuzhinës – dhomen e ndjenjes, ku ka sobën, të cilën ai e ngroh me qymyr. “Këtë vit qymyri ishte i cilësisë shumë të dobët,” kujton ai, “ishte i lagësht”.

    Pasojat prekin drejtpërdrejt edhe atë dhe familjen e tij. Pasi rimbush sobën e tij në këtë ditë të ftohtë janari duke lëvizur pllakën e kapakut, ai kontrollon ajrin në dhomën e ndenjes me një matës të cilësisë së ajrit IQAIR.

    Rezultati tronditës: Në 320 µg/m³, përqindja e ajrit që përmban grimca të frymëmarrjes PM2.5 është më e keqe se vlera kufi më e lartë. Ekrani, i cili tregon gjithmonë ajrin më të keq nga jeshile në të verdhë e në të kuqe, tregon nivelin më të lartë ngjyrë vjollcë. Piktogrami është i frikshëm. Ai duhet të mbajë një respirator në dhomën e tij të ndenjes. Edhe ai është pjesë e problemit, nga i cili vuan ai dhe familja e tij.

    Kosova është zotuar që deri në vitin 2050 ta prodhojë energjinë e saj në një mënyrë neutrale ndaj klimës. Përveç një parku me erë dhe një termocentrali diellor, ende nuk ka asnjë masë konkrete në horizont. Do të nevojiten shumë masa. Nëse këto fillojnë në Obiliq, Fatoni do të jetë me fat dhe do të mund të jetojë më shëndetshëm në Plementinë./DW

  • ​Ndalimi i Stojkoviqit, Stradner: Agjencia serbe e Inteligjencës armiku më i madh i demokracisë

    ​Ndalimi i Stojkoviqit, Stradner: Agjencia serbe e Inteligjencës armiku më i madh i demokracisë

    Analistja amerikane, Ivana Stradner ka reaguar pas ndalimit 4-orësh që i është bërë avokatit Cedomir Stojkoviq, për të hyrë në Serbi, për çka ka përsëritur se ky vend po bëhet Bjellorusi.

    Ajo ka thënë se Agjencia serbe e Inteligjencës, e ndikuar nga Moska, është armiku më i madh i dekokracisë në Serbi.

    “Serbia po bëhet Bjellorusi. Pas 4 orësh ndalim, Çedomiri, i cili ka kritikuar regjimin e Vuçiqit, më në fund u lejua të hynte në vend. Agjencia Serbe e Inteligjencës (e cila është praktikisht e ndikuar nga Moska) është armiku më i madh i demokracisë”, ka shkruar ajo në X.

  • Sot hyn në fuqi rregullorja e BQK-së mbi pagesat me para të gatshme

    Sot hyn në fuqi rregullorja e BQK-së mbi pagesat me para të gatshme

    Autoritetet në Kosovë thanë të mërkurën se nga 1 shkurti [sot] do të hyjë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore mbi pagesat me para të gatshme në vend, por lanë të hapur mundësinë për një periudhë kalimtare për zgjidhjen e shqetësimeve të komunitetit serb që vazhdon të përdorë dinarin serb.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka konfirmuar të mërkurën këtë duke thënë se do të sigurohet tranzicioni i lehtësuar. Ai nuk tregoi se sa do të zgjasë periudha e tranzicionit.

    “Implementimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transfereve nga Serbia dhe nuk nënkupton dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës së një shteti tjetër”.

    Megjithatë, ai tha se nga e enjtja nuk do te lejohet importimi i parave nëse, ai që bon importim, nuk është i licencuar nga BQK-ja.

    Bislimi, po ashtu, tha se do të zhvillohet një fushatë për infomimin e qytetarëve dhe se shpreson për biseda mes bankave qendrore të Kosovës dhe të Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve.

    Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e vendosur që “zbatimi i ligjshmërisë në secilën pjesë të territorit të Kosovës të jetë i pakushtëzuar dhe i pakompromis”.

    “Në të njëjtën kohë, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që në periudhat eventuale transitore të sigurojmë që qytetarët të adaptohen sa më shpejt, sa më lehtë dhe pa u dëmtuar”.

    Rregullorja që lejon pagesat me para të gatshme në Kosovë të bëhen vetëm me euro ka nxitur shqetësimin e Beogradit dhe përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë, të cilët vlerësojnë se ky vendim rrezikon mbijetesën e komunitetit serb.

    Sipas grupit QUINT, që përfshin SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, kjo çështje duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    BE-ja, në anën tjetër, kërkoi marrëveshje në dialog për vendimin e BQK-së.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se për ta zbatuar këtë vendim në tërësi, Kosovës i duhet mbështetja e aleatëve.

    “Sepse siç e dini, për secilën çështje që ka të bëjë me veriun e Kosovës, me shtrirjen e sovranitetit dhe me sigurinë e shtetit sa herë i kemi aleatët në krah tejkalohen këto sfida dhe realizohet mbrojtja e Kushtetutës tonë në tërësi”, tha ajo.

    Presidentja Osmani tha se pret një pajtim mbi mënyrën e zbatimit të rregullores.

    “Janë duke u diskutuar një sërë opsionesh të cilat në njërën anë do ta respektonin nenin 11 të Kushtetutës, por në anën tjetër do të lë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre le të themi në llogari të reja, në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate”, tha ajo.

    Zëvendëskryeministri Bislimi tha se duhet të hapen kanalet e komunikimit ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë për të lehtësuar këtë proces.

    “Në aranzhimin e këtyre modaliteteve ka shembuj nga e kaluara ku për shembull qeveria e Republikës së Kosovës ka dërguar mbështetje për komunën e Preshevës e pastaj Banka Qendrore e Serbisë me automatizëm ka konvertuar eurot në dinarë dhe i ka transferuar në llogarinë e komunës së Preshevës. Njësoj siç ka panumërt shembuj kur Republika e Serbisë dërgon pagesa në euro në vendet fqinje. Sa më shpejt të arrihet ky dakordim aq më i madh është kontributi i këtyre dy bankave qendrore në largimin e brengave eventuale”, tha ai.

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, tha më herët gjatë ditës se institucioni që ai drejton është i gatshëm për bashkëpunim.

    “Ne jemi të gatshëm si Bankë Qendrore që të ndihmojmë nëse kërkohet në aspektin teknik edhe në aranzhime të tjera të nevojshme me Bankën Qendrore të Serbisë. Pra ne si Banka Qendrore mund të shohim mundësitë se si të lehtësojmë këtë proces, sepse në fund të ditës këta janë qytetarë të Kosovës që nuk do të duhej jeta e tyre të ndikohej prej rregullimit të sistemit financiar të vendit, do të duhej vetëm të përmirësohej jeta e tyre”, tha ai.

    Ai theksoi se përdorimi i monedhave të tjera përveç euros është i kundërligjshëm, duke nënvizuar se rregullorja nuk është kundër asnjë komuniteti, por në funksion të mbrojtjes së sistemi bankar nga kartëmonedhat e falsifikuara, veprimtaritë që financojnë terrorizmin dhe pastrimi i parave.

    Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdon ta përdorë dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe rrogat për institucionet paralele që ka në Kosovë.

    Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

    Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale. Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.

    Bislimi tha se afro 27 mijë pensionistë serbë marrin pensione edhe nga Kosova, në xhirollogari të tyre bankare në valutën euro, dhe se ata mund t’i pranojnë pensionet nga Serbia në llogaritë e njëjta në valutën euro.

    Ai shtoi se mijëra serbë të tjerë paguhen nga autoritetet kosovare me valutën euro në llogaritë e tyre bankare në Kosovë, dhe se ata që nuk kanë llogari bankare, mund t’i hapin ato për t’i pranuar të hollat në valutën euro në bankat komerciale në veri.

    Bislimi tha se bashkësia ndërkombëtare nuk e vë në dyshim ligjshmërinë e rregullores, duke iu referuar takimeve të fundit të ambasadorëve të QUINT-it me kryeministrin Albin Kurti këtë javë, si dhe vizitës së të dërguarit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë të martën.

    Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të QUINT-it – Gjermania, Italia, Franca dhe Britania – kanë thënë se vendimi i BQK-së “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

  • Edhe sot po vazhdon dëshminë dëshmitari i 44-të i ZPS-së, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Edhe sot po vazhdon dëshminë dëshmitari i 44-të i ZPS-së, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Dëshmitari i 44-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të vazhdojë dëshminë e tij edhe në seancën e sotme në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Dëshmia e dëshmitarit të 44-të, të mërkurën, ka qenë në sesion privat, pavarësisht se një ditë më parë avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, kërkoi që dëshmia e tij të jetë në seancë publike, pasi që ky dëshmitar, sipas Emmerson, ka pranuar se ka gënjyer dhe është përpjekur që të manipulojë procesin gjyqësor për llogari të shërbimit sekret serb.

    Megjithatë, kërkesa e Emmerson nuk është aprovuar nga Trupi Gjykues i cili vendosi që dëshmia e dëshmitarit 44 të jetë në sesion privat. Ndryshe, shumica e seancave në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK, që nga fillimi e deri më tani janë zhvilluar në sesione private.

    Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë pritet të mbahen katër seanca, raporton RTKlive.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill të vitit të kaluar, kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

    Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

    Ndryshe, dje Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ua kanë vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

  • Formalizimi i marrëveshjes me Serbinë, parakusht për zbatimin

    Formalizimi i marrëveshjes me Serbinë, parakusht për zbatimin

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Pa zyrtarizimin si obligim ndërkombëtar të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit, duke përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara, sipas Qeverisë së Kosovës nuk mund të vazhdohet me procesin e zbatimit.

    Referuar qasjes selektive në zbatim nga Serbia, zëvendëskryeministri për dialog Besnik Bislimi tha se nënshkrimi është domosdoshmëri.

    “Ajo që ne jemi duke u marrë tani është formalizimi i marrëveshjes si parakusht për të filluar zbatimin e sekuencimit. Tash janë tri procese që në një mënyrë varen nga njëra-tjetra: formalizmi, që duhet të shoqërohet me anulimin e një letra që zonja Brnabic e ka dërguar në Bruksel, por duhet të jetë edhe mekanizmi që marrëveshja si e tillë, na obligon ne dhe BE-në që të deponohet brenda Kombeve të Bashkuara, sepse konventat e OKB-së kërkojnë nga vendet anëtare të deponojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Pastaj është sekuencimi”, tha Bislimi.

    Pa formalizim dhe gatishmëri për zbatim nga Serbia, sipas Bislimit, nuk ka kuptim të ketë takime në nivelin e lartë në dialog.

    Pasi tha se Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak, i ka dorëzuar një dokument pesë faqesh me argumente për heqjen e masave, Bislimi theksoi se heqja e tyre është në dorën e Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell.

    “Ne mendojmë që z. Borrell ka më shumë argumente sesa që i duhen për ta dërguar këtë letër dhe mosdërgimi i kësaj letre mund të krijojë indikacione që masat po keqpërdoren për ndonjë synim tjetër, i cili nuk ndërlidhet me eskalimin në veri të Kosovës”, tha Bislimi.

    Teksa përmendi formalizimin, si diçka paraprake, presidentja Vjosa Osmani tha se përfaqësuesi Lajcak ka mirëpritur vërejtjet e saj për daft-statutin e propozuar për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    “[Lajcak] Ka shprehur besimin se shumica dërmuese prej tyre së paku, do të mund të akomodohen. Megjithatë, mendoj se institucioni i cili përfundimisht do të mund të vendosë për përputhshmërinë me Kushtetutën e Kosovës do të mund t’i japë drejtim se si mund të zbatohen në praktikë pa i shkelur Kushtetuta e Kosovës këto dispozita, është vetëm Gjykata Kushtetuese e shtetit tonë”, tha Osmani.

    Të martën, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, theksoi nevojën dhe rëndësinë që zbatimi i marrëveshjes bazë dhe shtojcës të bëhet para muajit qershor.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Nuk ka shtyrje të vendimit që në Kosovë të përdoret vetëm valuta euro

    Nuk ka shtyrje të vendimit që në Kosovë të përdoret vetëm valuta euro

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme, e cila parasheh që në Kosovë të përdoret vetëm valuta euro, do të hyjë në fuqi nga nesër.

    Pavarësisht presioneve nga ndërkombëtarët, Qeveria nuk e shtyu datën për zbatimin e këtij vendimi. Zv.kryeministri Bislimi pohon se euroja ka qenë edhe më herët valutë zyrtare.

    Mirëpo, në rast se nuk zbatohet kjo rregullore, nga 1 shkurti nuk do të nisin masat ndëshkuese, por do të ketë investime në informim për qytetarët serbë.

    Për më tepër, sipas Bislimit, nuk ka arsye t’i frikësohet zbatimit të rregullores së re.

    Arsye për shtyrje të vendimit, nuk ka as sipas Guvernatorit të BQK-së.

    Përfaqësues diplomatikë të Shteteve të bashkuara dhe të vendeve evropiane kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të kësaj rregulloreje, pa kontestuar ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e saj.

    Ata kanë pohuar se periudha a adaptimit është e shkurtër dhe mund të shkaktojë komplikime në terren.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Rasti 53-milionët, Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim

    Rasti 53-milionët, Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim

    Përgatiti: Nora Luta

    Pothuajse dy vjet nga ngritja e aktakuzës, Gjykata Themelore e Prishtinës ka dhënë verdiktin në rastin e njohur si 53 milionët.

    Gjykata e shkallës së parë e ka gjetur fajtor ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke e dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim.

    Fajtorë, sipas gjykatës, janë edhe tre të akuzuarit e tjerë, ish-sekretari Nebih Shatri, ish-këshilltari i Lekajt, Eset Berisha, dhe ish-drejtori i prokurimit në MI, Besim Tahiri.

    Ata do të mund ta vuajnë dënimin me burgim në momentin kur aktgjykimi të marrë formën e prerë.

    Sipas gjykatës, ata me dashje tejkaluan kompetencat zyrtare, kur nuk e përfillën opinion e kompanisë “Hill”.
    Raporti kishte arsyetuar se borxhi prej 53 milionë eurosh ishte joreal dhe se Qeveria do të duhej të paguante 38 milionë euro më pak sesa i kërkoheshin në emër të punimeve dhe kostove shtesë për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

    Mbrojtja, e cila ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin, tha se gjatë gjykimit janë paraqitur prova shfajësuese ndaj klientëve të tyre.

    Gjatë gjykimit, i cili kishte nisur në pranverën e vitit 2022, u prezantuan prova materiale u dëgjuan shumë dëshmitarë, mesin e tyre Ramush Haradinaj, Lutfi Zharku e Avdullah Hoti.

    Ndërkohë Lekaj, sipas ligjit, do të mund të jetë deputet i Kuvendit të Kosovës deri në momentin kur aktgjykimi të marrë formën e prerë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • ATV-ja shënon trevjetorin e transmetimit

    ATV-ja shënon trevjetorin e transmetimit

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Tri vjet më parë, u shënua fillimi i një epoke të re, skemës mediale iu shtua ATV.

    Me investimin më të madh në media në Kosovë, në më shumë se një dekadë, një ekip i përzgjedhur i profesionistëve, më 31 janar 2021, me lajmet e orës 19:00, filloi rrugëtimin që sot e vazhdojnë me krenari.

    Bashkë, gazetarë, kameramanë, redaktorë, producentë e regjisorë, arritën që ATV-në, në kohë rekord, ta bëjnë pjesë të përditshmërisë së secilit qytetar në vend, përfshirë edhe diasporën.

    Duke i ditur kërkesat e shikuesve në kohën që po jetojmë, vëmendje e posaçme iu kushtua pranisë online. Kjo rezultoi me qindra miliona shikime në rrjetet sociale, në të cilat ATV-ja prin bindshëm.

    Gazetarët vazhdojnë të jenë kudo e kurdo, në çdo ngjarje e zhvillim, duke bërë që ata t’i sprovojnë edhe situatat ekstreme.

    Veç angazhimit maksimal në vend, ATV-ja raportoi edhe nga jashtë. Në saje të profesionalizmit të lartë, pamjet e ATV-së u cituan edhe në mediat botërore.

    ATV-ja u bë platformë e besueshme ku flasin të gjithë.

    Gjithashtu, edhe adresë duke u bërë pjesë e çdo familjeje përmes emisioneve, kronikave e informacioneve të fundit, duke ruajtur standardet më të larta profesionale.

    Për më tepër, produksioni i ATV-së veç emisioneve prodhon edhe dokumentarë e reportazhe, duke mbizotëruar edhe me serialin më të shikuar në vend, 3 Vllaznit.
    Duke dashur të jemi afër shikuesve e larg konkurrencës, planet për të ardhmen janë ambicioze, po ashtu.

    Live apo në xhirim, në televizor, telefon, apo pajisje të tjera. Në rrjete sociale apo në youtube, ATV do të mbetet i pari, KUDO!

  • Bislimi: Dinari s’ka qenë i lejuar asnjëherë, euroja ka qenë dhe do të jetë e vetmja valutë zyrtare

    Bislimi: Dinari s’ka qenë i lejuar asnjëherë, euroja ka qenë dhe do të jetë e vetmja valutë zyrtare

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dinarin serb, ka për qëllim parandalimin e aktiviteteve kriminale, financimin e terrorizmit dhe përdorimin e parave false, raporton EO.

    Në konferencën për media të mërkurën, Bislimi tha se rregullorja re e BQK, e cila fillon zbatimin nesër “as nuk e ndal, as e lejon e as nuk merret me dinarin serb”.

    Ai deklaroi se dinari serb nuk ka qenë i lejuar as më herët që të ndalohet tani, teksa ripërsëriti se “euroja ka qenë dhe do të jetë valuta e vetme zyrtare”.

    Ai po ashtu i bëri thirrje edhe Bankës Qendrore të Serbisë që të ketë bashkëpunim me BQK-në, në të mirë të qytetarëve.

    “Nuk ka dyshim që qëllimi final i rregullores është edhe mbrojt konsumatorin edhe të sistemit të pagesave. Nuk ka pasur qëllim që të vendos në treg një kartëmonedhë sepse ajo ka qenë e ndaluar edhe më herët. Nuk ka qenë fokus i rregullores ndalimi i ndonjë monedhe specifike sepse kjo vazhdon që të jetë e rregulluar me Kushtetutë. Vendos rregullat edhe për kartëmonedhat e dëmtuara. Rregullorja e BQK as nuk e ndal, as nuk e lejon e as nuk merret me dinarin serb, kjo pasi dinari serb nuk ka qenë më herët që ta ndaloj atë tani. Në gjithë këtë proces BQK është institucion i pavarur dhe i përgjigjet Kushtetutës”, u shpreh Bislimi.

    Megjithatë, ai tha se nga 1 shkurti nuk do të nisin masat ndëshkuese, por do të ketë investime në informim për qytetarët serbë.

  • Hill nga Lugina: Duhet të ketë llogaridhënie për sulmin në Banjskë

    Hill nga Lugina: Duhet të ketë llogaridhënie për sulmin në Banjskë

    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka vizituar sot Komunën e Preshevës me ç’rast është pritur në takim kryetari i kësaj komune Shqiprim Arifi.

    Ai ka folur edhe për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku ka theksuar se personat e përfshirë në këtë sulm duhet të japin llogari.

    “Të gjithë ata që nuk kanë dëgjuar, unë jam një përkrahës shumë i madh i Ballkanit të Hapur dhe i konceptit të bashkëpunimit rajonal. Këtu në Presheve, çështja e Ballkanit të Hapur nuk është vetëm një teori, pra ka të bëjë me zgjidhje të problemeve të qytetarëve”, ka thënë ai.

    “Kështu që ne sot kemi diskutuar se si mund të bashkëpunojmë të ecim përpara dhe të gjejmë zgjidhje. Ajo çka është më e rëndësishme janë investimet dhe zhvillimi ekonomik i rajonit. Kjo që të arrihet duhet të fillojë nga niveli i arsimit e tutje”, ka shtuar ai.

    I pyetur rreth rregullores së fundit të Bankës Qendrore të Kosovës përmes së cilës është ndaluar përdorimi i dinarit serb në territorin e Kosovës, ai ka thënë se e mbështetë plotësisht deklaratën e përbashkët të ambasadave të vendeve të QUINT-it, ku i bëhet thirrje BQK-së që ta pezullojë vendimin.

    “Nuk do të ju befasoj se unë e përkrahi fuqishëm deklaratën e ambasadave të vendeve të Quint-it. Kështu që dialogu është platforma ku mund të zgjidhen problemet, edhe ajo sa i përket transaksioneve. Për çështjet e të drejtave fundamentale, duhet të ketë diskutime në mes të palëve”, është shprehur ambasadori Hill.