ATV

Tag: Ballina

  • Ministri gjerman i Mbrojtjes: Erdha në Ballkan sepse jam i shqetësuar me situatën në Kosovë e Bosnjë

    Ministri gjerman i Mbrojtjes: Erdha në Ballkan sepse jam i shqetësuar me situatën në Kosovë e Bosnjë

    Ministri i mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ka thënë se vizita e tij në shtetet e Ballkanit Perëndimor, është bërë për shumë arsye, por njëra ndër më kryesoret janë tensionet e muajve të fundit.

    Në një intervistë për “Blic” në Serbi, ai tha se është i shqetësuar për situatën në Ballkanin Perëndimor.

    “Ky rajon i rëndësishëm në zemër të Evropës, jo shumë larg Gjermanisë, kërkon vëmendjen tonë. Për të qenë të qartë: ne duam të kontribuojmë në stabilizimin në rajon. Ne duam të mbështesim rajonin dhe, në të ardhmen, të ndjekim nga afër rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian. Në parim, situata në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë aktualisht është e qetë. Megjithatë, pikërisht në Kosovë (ajo) është ende e ndjeshme ndaj përshkallëzimit afatshkurtër, siç ka treguar viti i kaluar. Por edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, situata mund të përshkallëzohet për shkak të retorikës provokuese dhe veprimeve provokuese të disa politikanëve”.

    “Prandaj, së bashku me partnerët tanë, ne monitorojmë nga afër situatën dhe jemi në gjendje të reagojmë shpejt, gjë që e dëshmuam në fund të vitit të kaluar”, deklaroi Pistorius.

    Duke folur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ministri gjerman tha se “situata në rajon mbetet komplekse dhe ndonjëherë e tensionuar për shkak të konflikteve të ndryshme, të rrënjosura thellë dhe pjesërisht historike”.

    “Marrëdhëniet mes dy vendeve po zhvillohen ngadalë. Dialogu për normalizimin nën patronazhin e BE-së vazhdon të japë impulse të reja, por, për fat të keq, nuk arrin një përparim të qëndrueshëm. Progresi shpesh bllokohet nga mosbesimi i thellë. Nga njëra anë, kjo është e kuptueshme, sepse jo të gjitha plagët e së kaluarës janë shëruar ende. Nga ana tjetër, përparimi nuk mund të arrihet pa afrim dhe besim të ndërsjellë. Për mendimin tim, normalizimi i marrëdhënieve është hapi i parë drejt një të ardhmeje pozitive. Si në çdo konflikt, nuk ka kurrë vetëm një palë për të fajësuar. Të dyja palët duhet të rishqyrtojnë pozicionet e tyre të çimentuara më parë. Ua bëj të qartë të gjithëve me të cilët flas gjatë udhëtimit tim se provokimet nuk janë kurrë të dobishme. Bëhet fjalë që të gjitha palët të bëjnë një hap përpara dhe të dërgojnë shenja të dukshme gatishmërie për kompromis”, u shpreh ministri i Gjermanisë.

    Për çështjen e ndalimit të dinarit si valutë për transaksione në Kosovë, Pistorius tha se në këtë pikë kemi të bëjmë me përplasje të dy këndvështrimeve.

    “Nga njëra anë, rregullorja paraqet zbatimin e Kushtetutës së Kosovës, dhe nga ana tjetër, Kushtetuta e Serbisë parasheh dinarin si mjetin e vetëm të pagesës. Për mua është e qartë se pjesa serbe e popullsisë, veçanërisht në veri të Kosovës, ende varet nga përdorimi i dinarit serb. Ndryshimi kërkon kohë. Dhe kjo kohë duhet t’i jepet vetes, për të arritur një zgjidhje përmes dialogut. Mendoj se edhe ky konflikt duhet të zgjidhet në tryezën e bisedimeve në kuadër të dialogut të paqes të udhëhequr nga BE-ja. Deri atëherë duhet shmangur përshkallëzimi për shkak të veprimeve të nxituara”, tha ministri gjerman në këtë intervistë.

    Në lidhje me shtimin e numrit të ushtarëve gjermanë në KFOR, ai tha se vendi i tij nga prilli i këtij viti, do të dërgojë forca shtesë në madhësi të kompanisë dhe forca të nevojshme mbështetëse në Kosovë.

    “Kjo rrit ndjeshëm kontingjentin tonë nga rreth 70 ushtarë aktualisht në rreth 250. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të theksohet se ushtria mund të kontribuojë në zgjidhjen, por nuk mund ta arrijë e vetme. Ne duhet të kemi sukses në stabilizimin e situatës në afat të gjatë përmes një qasjeje të integruar të sigurisë. Këtë e bëj të qartë edhe në bisedat e mia gjatë këtij udhëtimi”, tha ai.

  • Hovenier e përsërit: Qeveria e Kosovës ta shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore

    Hovenier e përsërit: Qeveria e Kosovës ta shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur edhe një herë sonte, se Qeveria e Kosovës duhet ta shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore.

    Ai tha se as SHBA dhe as partnerët ndërkombëtarë nuk po e kontestojnë autoritetin e Bankës Qendrore dhe as Kushtetutën e Kosovës, por është e shqetësuar me mënyrën se si rregullorja planifikon të zbatohet pas marr parasysh disa realitete.

    Ambasadori Hovenier në një intervistë intervistë për RTV21, ka folur edhe për ndikimet që do të ketë zbatimi i kësaj rregulloreje në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në.

    “Mendoj se krejt çka mund të bëj është të flas për kërkesën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Para së gjithash, më lejoni të sqaroj disa gjëra. Kërkesa jonë është shumë e qartë. Ne po i kërkojmë qeverisë, jo vetëm unë, ka kërkesa edhe nga Uashingtoni, por edhe kolegët e mi të QUINT-it e kanë këtë pikëpamje, që qeveria tash për tash do të duhej të shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore. Po e kërkojmë këtë sepse besojmë që puna parapërgatitore e nevojshme për zbatimin me sukses të saj në mënyrë që të mos ketë ndikim të padrejtë në komunitetet e cenuara – dhe po flasim për komunitetet pakicë, po flasim, ndër të tjera, për komunitetin etnik serb në Kosovë – se puna që duhet bërë, që është dashur të bëhej për të shmangur ndikimin e saj negativ nuk është bërë”.

    “Më lejoni të jem shumë i qartë për këtë. Ne nuk e kontestojmë Kushtetutën e Kosovës. Ne e pranojmë dhe e respektojmë atë. Për hir të Zotit, ne e mbështetëm procesin dhe zhvillimin e tij. Ne nuk i kontestojmë autoritetet e Bankës Qendrore të Kosovës për të rregulluar sektorin financiar. Në fakt, sërish, qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare për rolin që kemi luajtur në mbështetje të zhvillimit të Bankës Qendrore, Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera”.

    “I mirëpresim përpjekjet e Kosovës, si çdo vend tjetër në botë, për të vënë në zbatim rregulloren, ligjin, procedurat që zvogëlojnë mundësitë për kryerjen e krimeve financiare, si pastrimi i parave, financimi i terrorizmit, gjëra të tilla. Pra, ne nuk kemi problem filozofik që Banka Qendrore të vendosë një rregullore që do t’i përmbushte këto synime”.

    “Jemi të shqetësuar se mënyra në të cilën kjo rregullore po zbatohet apo planifikohet të zbatohet nuk merr parasysh siç duhet disa realitete. Dhe këto realitete për të cilat ne besojmë se nuk merren parasysh në mënyrë adekuate ndikojnë drejtpërdrejt në një nga çështjet më të ndjeshme në dialogun bilateral… në dialogun Kosovë-Serbi që ne e mbështesim e që janë veprimet që prekin komunitetet pakicë në Kosovë, veçanërisht komunitetin serb. Kjo është arsyeja e kërkesave tona.

  • Kurti: Është e nevojshme një periudhë tranzicioni për rregulloren e BQK-së

    Kurti: Është e nevojshme një periudhë tranzicioni për rregulloren e BQK-së

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar se komunikimi rreth vendimit për rregulloren e Bankës Qendrore për pagesat vetëm me valutën euro, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb, ka mundur të ishte më i qartë “për të shmangur konfuzion”.

    Pavarësisht se rregullorja e BQK-së për pagesa me para të gatshme hyri në fuqi më 1 shkurt, mes kritikave nga faktori ndërkombëtar dhe serbëve lokalë, Kurti tha se e kupton që “një periudhë tranzicioni është e nevojshme”, duke shtuar se një periudhë e tillë tranzicioni veçse ka nisur.

    Kryeministri kosovar tha se gjatë këtij muaji autoritetet do të ofrojnë informacione që “ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur”.

    “Një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitimin politik”, tha Kurti, sipas një njoftimi për media të lëshuar nga zyra e tij më 6 shkurt.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kritikuar Kosovën për miratimin e rregullores së BQK-së, pa konsultime paraprake.

    SHBA-ja po ashtu ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hoveriner ka deklaruar se “ne kemi shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje, pasi besojmë se nuk i merr parasysh disa shqetësime të komuniteteve”.

    Kurti sërish përsëriti qëndrimin e tij se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme nuk është kundër dinarit serb dhe se serbët që pranojnë pensione dhe ndihmë tjetër nga Serbia me dinarë, mund të vazhdojnë t’i pranojnë ato, por ato pagesa duhet të deponohen në llogaritë bankare në Kosovë me euro.

    Një ditë më herët, Kurti u takua me ambasadorët e akredituar në Kosovë. Në takim, sipas një njoftimi, ai u shpreh i gatshëm të adresojë “në mënyrë të shpejtë” shqetësimet lidhur me vendimin e BQK-së për pagesat.

    Faktori ndërkombëtar ka shprehur shqetësime për ndikimin që mund të ketë kjo rregullore te komuniteti serb në Kosovë, pasi ata që nga paslufta kanë përdorur monedhën kombëtare të Serbisë. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.

    Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka kritikuar vendimin e BQK-së, dhe kreu i kësaj partie, Zllatan Ellek, më 3 shkurt tha se ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbimin të serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe” nga territori i Kosovës.

    Sipas Ellekut, afër 100.000 serbë do të preken drejtpërdrejt nga vendimi i BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit.

  • Përparim Rama flet për herë të parë për aferën e “Badovcit”

    Përparim Rama flet për herë të parë për aferën e “Badovcit”

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, ka sqaruar për herë të parë ‘aferën’ Badovci.

    Ai tha se toka afër liqenit Badovci ka pasë kushte ndërtimi, por për shkak të presionit publik për mbrojtje të ujit, është ndalë ndërtimi dhe iu është ofruar ndërrimi i tokës, me një vend ku mund të bëhet ndërtimi.

    “Faktet thonë po ashtu që një tonë e cila në qeverisjen e kaluar është vlerësuar prej ministrisë faktikisht, 13 hektarë afër liqenit janë vlerësuar 8 milionë, edhe ministria i ka kërkuar komunës prapë në qeverisjen e kaluar për me e shty procesin sepse e ka ndalë. Kjo pronë ka pasur leje ndërtimi dhe ka pasë faktikisht kushte ndërtimi edhe për shkak të presionit publik, ka thënë ndaloni mos ndërtoni aty edhe e ka vlerësua tonë, ka thënë ta ndërrojmë t’ia japim diku tjetër sepse e kanë pronocu si pronë me interes publik për mos me e lënë me u ndërtu rreth liqenit, për me e mbrojë ujin. Kjo ka qenë arsyeja pse e kanë ndalë, edhe i kanë thënë po e ndrrojmë po ta japim diku tjetër. Vendin ku ia ka dhënë tash të ri, prapë ministria, komuna ka propozu me ia dhënë diku 6.6 hektarë për me e ndërru 13 hektarshin, ministria atë e ka vlerësuar si 3 milionë. Ministria e ka vlerësu tokën e komunës si 3 milionë 6.6 hektarë, ministria e ka vlerësua tokën private 13 hektarshe 8 milionë, aty s’ka pasë punë Përparim Rama, apo Kuvendi Komunal”, tregoi Rama.

    Ai tha se kanë mbetur edhe 5 milionë që të shpronësohen dhe është kërkuar që procesi të vazhdojë përpara. /atvlive.tv

  • Përparim Rama thotë se arsyeja e shkarkimit të Ilirik Musliut ka të bëjë vetëm me mos zgjidhjen e problemit me mbeturina

    Përparim Rama thotë se arsyeja e shkarkimit të Ilirik Musliut ka të bëjë vetëm me mos zgjidhjen e problemit me mbeturina

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se arsyeja e shkarkimit të Drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës ka qenë mos zgjidhja e problemit të mbeturinave në kryeqytet.

    “Sot jemi në shkurt edhe e kemi problemin e madh me mbeturina. Pra nuk kam pasur në mundësi tjetër përveç që me e ndërrua drejtorin për arsye të mundësisë për me e zgjedhë problemin e mbeturinave”, tha Rama.

    Ai mohoi se shkarkimi i drejtorit Ilirik Musliu ka të bëjë me çështje të tjera apo probleme brenda koalicionit.

    “Unë gjithmonë kam diskutu për rezultate. Rezultatet janë ato aspektet të cilat mua më interesojnë edhe si rezultat i rezultateve, të cilat nuk kanë qenë të nivelit të pritshmërisë time në dikastere të ndryshme, në këtë rast e drejtorisë së Shërbimeve Publike, ku si pjesë e problemeve të mëdha është edhe zgjedhja e problemit të mbeturinave. Kjo është një çështje që e kemi diskutuar vazhdimisht edhe faktikisht kemi pasur një numër të madh të datave të ndryshme ku edhe i kam vendosur për zgjidhjen e problemit të mbeturinave”, tha Rama.

    Ai tha se ka kërkuar që problemi i mbeturinave të zgjidhet edhe duke shikuar mundësinë e prurjes së sektorit privat në pamundësi që ky problem të zgjidhet me kompaninë “Pastrimi”.

    “Kam kërkuar që problemi i zgjedhjes së mbeturinave të menaxhohet, pra te menaxhohen proceset edhe të mundësisë të aspektit të prurjes së sektorit privat në pamundësi që ne ta zgjedhim problemin e mbeturinave me kompaninë “Pastrimi”. Me kompaninë “Pastrimi” kemi pasur probleme shumë të mëdha, edhe përkundër faktit se ne kemi subvencionu me muaj të tërë, kemi dhënë subvencionime shtesë që t’i ndihmojmë kompanisë “Pastrimi””, tha Rama. /atvlive.tv

  • Rreziku për tensione nga “vendimet e drejta”, barrë mbi Kosovën

    Rreziku për tensione nga “vendimet e drejta”, barrë mbi Kosovën

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Krahas brengës se veprimet e institucioneve në raport me dinarin dhe komunat ilegale serbe mund të nxisin tensione, ndërkombëtarët kanë paralajmëruar pasoja për Kosovën nëse lëvizjet e pakoordinuara shkojnë keq.

    Duke i përmendur pasojat eventuale, politologu Fidan Ukaj theksoi rëndësinë e reflektimit të Qeverisë, në raport me rekomandimet e SHBA-së.

    “Tanimë Kosovë gjendet nën masat e BE-së, e po ashtu rreziku i madh është që (mos)përkrahja e SHBA-së në anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë, plot organizata të rëndësishme për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, e po ashtu rruga për në BE mund të çalojë nga mospërkrahja e aleatëve tanë strategjik, veçmas SHBA-së, do të ishte dëm i madh nëse do të ndodhte një gjë e tillë”, tha Ukaj.

    Teksa përmendi moszbatimin e marrëveshjes së vitit 2013 nga Serbia, për shuarjen e strukturave ilegale, Ukaj vuri theksin te politizimi i veprimeve.
    “Mendoj se vendimet kanë qenë të drejta dhe legale, mirëpo strategjia, plani i zbatimit të tyre ka qenë gabim nga ana institucioneve të Kosovës, qoftë në rastin e parë kur në krye të aksioneve kemi parë akterë politikë dhe jo ata që kanë detyrë t’i mbyllin këto zyra, prokuroria, hetuesia dhe policia”, tha Ukaj.

    Pasi raportet me partnerët ndërkombëtarë i vlerësoi tashmë të lënduara nga masat ndëshkuese në fuqi, si pasojë e veprimeve të pakoordinuara, opinionisti Bekim Kabashi tha se gjithçka është përpjekje për shtyrje të zbatimit deri pas qershorit.

    “Veprimet e Qeverisë së Kosovës janë në këtë kontekst, për ta penguar implementimin e marrëveshjes, e cila është arritur në Bruksel dhe Ohër e që lidhet me asociacionin. Pra, Qeveria sa herë ta shohë që ka ardhur në pozicionin kur duhet të bëjë veprime para presionit ndërkombëtar nxjerrë temë të re, e cila pastaj e eklipson çështjen e rëndësishme siç është asociacioni”, tha Kabashi.

    Qeveria, e cila përmes letrave ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese, nuk u përgjigj në pyetjet e televizionit lidhur me shqetësimet e SHBA-së dhe BE-së, se veprimet e saj mund të bëhen shkak i rikthimit të tensioneve.

  • Gjykimi ndaj ministrit Sveçla e të tjerëve për hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend

    Gjykimi ndaj ministrit Sveçla e të tjerëve për hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend

    Përgatiti: Nora Luta

    Për t’u ballafaquar me akuzat rreth veprës penale që, sipas Prokurorisë, e kreu sa ishte deputet, Xhelal Sveçla, tani ministër i Punëve të Brendshme, të martën erdhi në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Sveçla, bashkë me deputetët Fitore Pacolli, Drita Millaku dhe Salih Zyba akuzohen se hodhën gaz lotsjellës në seancën e 21 marsit të 2018-s. Megjithatë, të paktën për të dytën herë me radhë gjykimi ndaj tyre dështoi të fillojë, për shkak të mungesës së Millakut.

    Edhe në rast të prezencës së Millakut, seanca do të mund të dështonte, pasi tre të akuzuarit erdhën pa avokat. Ministri Sveçla, sikurse edhe dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, thanë se nuk kanë nevojë për mbrojtës.

    Ndërkohë, nëse deputetja Millaku mungon sërish, gjyqtari njoftoi se mund të veçohet procedura.

    Në qershor të vitit të kaluar për shkak të dështimit të disa seancave, një rast tjetër ku ishte i akuzuar ministri Sveçla që ndërlidhet me vepra penale të huliganizmit, ishte parashkruar.

    Deputetët e Vetëvendosjes, gjatë 2018-s, sa ishin në opozitë, disa herë kishin protestuar, duke hedhur edhe gaz lotsjellës në Kuvend, për të kundërshtuar marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

    Sipas aktakuzës, Sveçla dhe të tjerët më 21 mars të po të njëjtit vit, rreth orës 12:10 deri në orën 15:40, në sallën e Kuvendit, kishin ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, duke pamundësuar vazhdimin e seancës plenare.

  • Projektligji për lirinë fetare mbetet pezull qe 11 muaj, shkak lista serbe

    Projektligji për lirinë fetare mbetet pezull qe 11 muaj, shkak lista serbe

    Përgatiti: Haris Ademi

    Bojkoti i deputetëve të Listës Serbe në seancat plenare, ka bërë që për 11 muaj të mos hidhet fare në votim Projektligji për Lirinë Fetare.

    Kjo nismë ligjore nuk mund të miratohet pa votën e dy të tretave të minoriteteve. Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, thotë se deputetët serbë janë pengesa kryesore në këtë proces, të cilët gjatë 2023-ës kanë qenë në sallë vetëm dy herë, sa për ta vazhduar mandatin.

    “Nuk e di me çfarë qëllimi, unë kam biseduar me ata, veç më kanë thënë që nuk është koha për votim. Sepse brenda komisionit kemi një përfaqësues të Listës Serbe, por asnjëherë nuk ka ardhur në takim dhe është pa sukses. Prandaj sivjet as nuk është në plan fare për miratim”, tha Balje.

    Mirëpo, kjo nuk po shihet thjesht si problem procedural i legjislativit. Pika e nxehtë e projektligjit është statusi i Kishës Ortodokse Serbe, e cila në draft njihet baras me gjashtë bashkësitë e tjera fetare.

    “Kisha nuk përfaqëson vetëm një lloj institucioni religjioz në shoqërinë serbe, por roli i saj politik është i njohur, prandaj rregullimi i statusit të saj lidhet drejtpërdrejt me problemet politike, që nuk duhet të trajtohet si projektligj i zakonshëm”, tha Arbër Thaçi, hulumtues në KDI.

    Statusi i Kishës Ortodokse është përfshirë edhe në Nenin 7 të propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, bashkë me sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë.

    Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se një gjë të tillë tashmë e kishin sponsorizuar në projektligjin për lirinë fetare, duke garantuar se nuk bëhet fjalë për ekstraterritorialitet apo kompetenca speciale për kishat ortodokse.

    “Formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse do të bëhet, përkatësisht tashmë është bërë, përmes njohjes së saj si një nga bashkësitë fetare në ligjin përkatës. Mund t’ju garantoj se asgjë e veçantë, privilegjuese, ose historikisht kontestuese, nuk do të lejoja të përfshihej në këtë marrëveshje”, tha Kurti.

    Deputetja Balje thotë se kjo nismë është shumë me rëndësi për procesin e integrimeve evropiane, andaj duhet të gjendet zgjidhje.

    Risi në projektligjin për lirinë fetare është njohja e Komunitetit Bektashian, si bashkësi e veçantë, dhe auditimi vjetor i pasqyrave financiare të të gjitha përfaqësive fetare.

  • ​Kjo është letra e plotë e Bislimit drejtuar Lajçakut për heqjen e masave ndaj Kosovës

    ​Kjo është letra e plotë e Bislimit drejtuar Lajçakut për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i ka shkruar një letër të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke renditur përpjekjet që ka bërë Kosova në drejtim të kërkesave për heqjen e masave.

    Bislimi ka lutur Lajçak që së bashku me Përfaqësuesin e Lartë Borrell, të bëjnë kërkesë urgjente dhe formale për heqjen e këtyre masave, të cilat po ndikojnë negativisht në progresin dhe reformat e Kosovës në BE.

    I nderuar Përfaqësues Special i BE-së Lajcak,

    Po ju shkruaj për të renditur përpjekjet që ka bërë Kosova në drejtim të kërkesave për heqjen e masave dhe ju lus ju dhe Përfaqësuesin e Lartë (Borrell) që të bëni një kërkesë urgjente dhe formale për këtë.

    Masat kundër Kosovës u miratuan nga EEAS dhe DGNEAR kur narrativa e përhapur fajësoi Kosovën për përshkallëzimin në katër komunat veriore në qershor të vitit 2023. Këto masa e nxitën qartë Serbinë drejt radikalizimit pasi ajo rrëmbeu tre policë nga brenda territorit të Kosovës menjëherë më pas. Disa muaj më vonë, Serbia sponsorizoi aktin e agresionit dhe sulmit terrorist në Banjska me synimin e qartë për një destabilizim më të gjerë.

    Në ndërkohë, Kosova ka zbatuar të gjitha elementet e përfshira në Marrëveshjet e Bratislavës, të rëna dakord më 10 korrik 2023. Tani kemi arritur në një situatë joracionale ku Kosova po mbron sundimin e ligjit ndërsa është nën masa, ndërsa Serbia vazhdon të ushqejë radikalizmin pa pasoja. Është e vetëkuptueshme se ky veçim i padrejtë i Kosovës dëmton edhe procesin e normalizimit me Serbinë që po përballet me pengesa për të zyrtarizuar dhe zbatuar marrëveshjen ashtu siç është negociuar.

    Masat ndikojnë negativisht në progresin dhe reformat tona në BE. Më lejoni t’ju kujtoj se Kosova është një lider rajonal në dëshirën e saj për t’u anëtarësuar në BE me mbështetjen më të lartë të qytetarëve dhe të gjithë spektrit politik. Bllokimi në ekzekutimin e projekteve IPA dëmton përpjekjet tona për rritje të përshpejtuar, konvergjencë të BE-së dhe reforma strategjike thelbësore. Një heqje e menjëhershme e këtyre masave negative jo vetëm që do të na ndihmonte të mobilizonim përpjekjet për përparimin e përshpejtuar të reformave, por në të njëjtën kohë do të krijonte një mjedis të favorshëm për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin më të shpejtë të BP6.

    Një nga prioritetet kryesore të Programit të Qeverisë 2021-2024 është integrimi i të gjitha komuniteteve në shoqërinë kosovare, qëllimi i së cilës është të mbështesë integrimin e komunitetit serb të Kosovës dhe komuniteteve tjera përmes masave që stimulojnë pjesëmarrjen e tyre në jetën institucionale, ekonomike dhe sociale. Ky prioritet është në përputhje me vlerat dhe “themelet e BE-së së pari”, që i jep përparësi institucioneve të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave, si dhe një ekonomi tregu funksionale në përputhje me standardet e BE-së.

    Aneksi

    Lista e masave proaktive të ndërmarra për të përmirësuar pjesëmarrjen e serbëve në institucionet dhe jetën publike të Kosovës

    1. Krijimi i mekanizmit për verifikimin e diplomave të lëshuara nga shkollat e mesme të sistemit serb në Kosovë. Me vendim të dalë nga mbledhja e qeverisë në muajin tetor është krijuar baza ligjore për verifikimin e diplomave të lëshuara nga shkollat e mesme të sistemit serb në Kosovë. Kjo masë e njëanshme jehon një mundësi që as që u diskutua në dialogun e normalizimit. Kjo ofron mundësi të reja të mëdha për rreth 30.000 të diplomuar të tillë që të kenë qasje në arsimin e lartë ose punësim në institucionet dhe tregun e punës të Kosovës, dhe të sigurojë një fuqi punëtore që pasqyron diversitetin e Kosovës. U siguruan marrëveshje të reja financimi dhe Sekretariati pranë Ministrisë së Arsimit u zgjerua së bashku me rregulloret e detajuara. Serbia ende nuk ka reaguar ndaj kësaj mase. Komisioni është mbledhur gjithsej 21 herë (11 herë që nga 13 qershori 2023) dhe ka verifikuar 75 diploma që nga qershori. Një zyrë në komunën e Mitrovicës së Veriut shërben si pikë grumbullimi për dorëzimin e diplomave në mënyrë që ta lehtësojë procesin pa pasur nevojë për udhëtim deri në Prishtinë. Kjo së shpejti duhet të jetë e disponueshme edhe në Graçanicë dhe Ranilug.

    2. Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë është shndërruar në Kolegj Publik të Arsimit të Lartë. Për Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë (27% e studentëve nga komunitetet që studiojnë në gjuhën angleze në veri dhe jug të Mitrovicës) qeveria ka ndarë 270.000 euro. Kjo paraqet një mundësi të madhe për studentët që dëshirojnë të studiojnë në institucione publike, të subvencionuara të arsimit të lartë që ofrojnë programe në gjuhën serbe.

    3. Subvencione shtesë për 4 komuna në veri të Kosovës. Kosova po bën gjithashtu maksimumin e saj për t’i afruar skemat e ndryshme të subvencionimit me anëtarët e komunitetit serb dhe të krijojë skema të reja për të përmirësuar perspektivën ekonomike. Subvencione në vlerë prej tre milionë eurosh janë ndarë në gjysmën e dytë të vitit 2023 nga Ministria për Komunitete dhe Kthim për 265 grante për OJQ-të, fermerët dhe bizneset e vogla nga komunitetet joshumicë. Shumica e këtyre mjeteve (55% e mjeteve për biznese; 66% e mjeteve për fermerët) shkuan për komunitetin serb në Kosovë dhe të gjitha komunitetet kanë përfituar. Disa ministra kanë vizituar fermerë, media dhe sipërmarrës, si dhe vende për projekte të mundshme të infrastrukturës. Në vitin 2023, Qeveria ka ndarë 5.8 milionë euro për projekte infrastrukturore në katër komunat veriore. Një milion euro ndahen nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për komunat për projekte infrastrukturore në zonat me komunitete jo shumicë. Ministria për Komunitete dhe Kthim ndau grante për 42 individë dhe organizata për projekte të komuniteteve pakicë në arsim, kulturë, sport, shëndetësi dhe festime fetare. Qeveria ka ndarë 2 milionë euro për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë dhe 1 milionë euro për renovimin e shtëpive të pjesëtarëve të komuniteteve.

    4. Riparimi i dëmeve të shkaktuara në Manastirin e Banjskës gjatë Aktit të Agresionit të Serbisë. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ofruar riparimin e dëmeve të shkaktuara në Manastirin e Banjskës, i cili u dëmtua gjatë sulmit nga grupi terrorist në muajin shtator. Për t’u theksuar, analiza përfundimtare e granteve të dhëna nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve tregoi se në vitin 2023 mbështetja e tyre financiare për komunitetet ishte dyfishuar. Nëpërmjet thirrjeve të hapura janë mbështetur 88 projekte të komuniteteve jo-shumicë, me vlerë totale mbi 400.000 euro, duke përfshirë botimin e 10 librave në gjuhët e komuniteteve.

    5. Miratimi i Strategjisë për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Interesave të Komuniteteve në Administratën Publike. Qeveria ka miratuar Strategjinë për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Interesave të Komuniteteve në Administratën Publike, të miratuar në dhjetor të vitit 2023, e cila ka një plan veprimi shoqërues. Pas Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe Rregullores shoqëruese të miratuar nga qeveria në tetor të vitit 2023 e cila specifikon se procedurat e rekrutimit mund të kufizohen në komunitetet joshumicë si masë afirmative për të siguruar kuotën prej 10% të pjesëtarëve të komuniteteve të punësuar në institucionet qendrore, secili Ministri do të identifikojë 10 pozita që do të shpallen vetëm për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në muajin shkurt. Dispozitat kushtetuese për përfaqësimin në të gjithë administratën kërkojnë mbipërfaqësim të komuniteteve në sektorin publik.

    6. Dialog i rregullt me komunitetin serb. Kryeministri dhe zëvendëskryeministrat janë angazhuar në dialog të rregullt me komunitetin serb, përfshirë mediat serbe. Në varësi të temës, takimet përfshinin ministra të linjës dhe përfaqësues të ndryshëm të komunitetit serb. Nën presionin e Beogradit ndaj përfaqësuesve të shoqërisë civile, shumica e takimeve zhvillohen në mënyrë konfidenciale. Çdo katër muaj, Kryeministri ka takuar rregullisht zyrtarët komunalë për komunitete dhe kthim. Video-mesazhet e rregullta të kryeministrit në gjuhën serbe u kanë mundësuar qytetarëve që flasin gjuhën serbe të dëgjojnë drejtpërdrejt nga ai në mediat kryesore dhe sociale, në vend që mesazhet të shtrembërohen nga raportimi dhe përkthimi i pasaktë.

    7. Është shpallur konkursi i drejtorit të Zyrës për Çështje të Komuniteteve. Kjo pozitë është hapur vetëm për anëtarët e komuniteteve jo-shumicë dhe procesi vëzhgohet nga projekti i rekrutimit të bazuar në merita të Ambasadës Britanike për të siguruar besimin maksimal në rezultatet.

    8. Rritje e konsiderueshme e buxhetit dhe granteve për OJQ-të që punojnë në sigurimin e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Punë të tjera do të hapen në Zyrën e sapokrijuar të Kontrollit dhe Harmonizimit të Gjuhëve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, e cila do të rrisë numrin e përkthyesve serb në vitin 2024 dhe do të sigurojë sundimin e ligjit me versione të sakta të ligjeve dhe akteve nënligjore. Ndërhyrja personale e kryeministrit zgjidhi problemin me mungesën e përkthimit serb të seancave plenare në Kuvend. Për herë të parë, njoftimet për shtyp të Zyrës së Kryeministrit publikohen në të dyja gjuhët zyrtare dhe mbledhjet e qeverisë transmetohen drejtpërdrejt edhe në gjuhën serbe. Ueb-faqet e disa instituteve u rishikuan dhe tani ofrohen në të dyja gjuhët, tashmë plotësisht në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Janë bërë përpjekje shtesë për të përmirësuar pjesëmarrjen e komuniteteve në sport, kulturë dhe në përgjithësi me fushata të ndryshme informuese, përfshirë fushatën informative për liberalizimin e vizave.

    9. Rritja e shpejtë e kërkesave të serbëve të Kosovës për pasaporta të Kosovës. Si rezultat i liberalizimit të vizave dhe shtrirjes nga ana e institucioneve, pati një rritje të shpejtë të aplikimeve të serbëve të Kosovës për pasaporta të Kosovës, p.sh. mbi 5800 në katër komunat veriore, duke demonstruar interesin dhe përfitimet e integrimit për komunitetin serb.

    10. Fondi i Integrimit të Kosovës. Qeveria e Kosovës synon të themelojë një program të ri Kosovë-BE të quajtur “Fondi i Integrimit të Kosovës” me qëllim të promovimit të integrimit dhe përmirësimit të standardeve të jetesës së komuniteteve lokale në komunat me shumicë serbe të Kosovës përmes ofrimit të mundësive të ndryshme praktike institucionale, ekonomike dhe sociale për bashkëpunim ndërmjet komunave me përbërje të ndryshme etnike. Janë tri objektiva kryesore të Fondit për Integrim të Kosovës për komunat me shumicë serbe të Kosovës: 1. Fuqizimi i zhvillimit dhe shërbimeve të qeverisjes lokale përmes projekteve të bashkëpunimit ndërkomunal për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve. 2. Mbështetja Ndërkomunale e Sektorit Privat synon të përmirësojë gjenerimin e punësimit për gratë dhe të rinjtë përmes mbështetjes së bizneseve të reja, qendrave të inovacionit, programeve të mësimit, trajnimit të arsimit profesional, shërbimit online, avancimit të teknologjisë, etj. Politikat dhe legjislacioni favorizues në nivel qendror duhet të stimulojë investimet në komunat me shumicë serbe të Kosovës dhe gjenerimin e bizneseve të udhëhequra nga eksporti. 3. Angazhimi i qytetarëve në jetën publike duhet të forcohet nëpërmjet shoqërisë civile për të mbështetur iniciativat qytetare, OJQ-të në një gamë të gjerë aktivitetesh dhe lëvizshmërinë dhe shkëmbimet shoqërore. Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet që të kontribuojë më shumë se gjysmën e objektivit prej 100 milionë euro drejt këtij Fondi, i cili do të kanalizohet përmes mbështetjes buxhetore për komunat, investimeve direkte për infrastrukturë, kredi dhe asistencë teknike për bizneset, grante për OJQ-të, start-ups dhe iniciativa qytetare, bursa për studentë si dhe asistencë teknike dhe ngritje kapacitetesh për programet rajonale.

  • Shtyhet seanca fillestare ndaj anëtarëve të LV-së për gazin në Kuvend

    Shtyhet seanca fillestare ndaj anëtarëve të LV-së për gazin në Kuvend

    Është shtyrë seanca e shqyrtimit fillestar në rastin ndaj katër zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, më 21 mars 2018. Seanca është shtyrë për 28 shkurt.

    Xhelal Sveçla, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, gjatë periudhës si deputetë të LV-së, akuzohen se me hedhjen e gazit lotsjellës kanë kryer veprën penale të “përdorimit të armës ose mjetit të rrezikshëm” dhe “pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

    Aktakuza ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 korrik 2019.

    Në arsyetimin e shtyrjes, gjyqtari Sabit Sadikaj ka thënë se po pret përgjigje nga Drita Millaku për shkak të gjendjes shëndetësore. Nëse nuk përmirësohet, gjykata pritet ta veçojë procedurën ndaj saj dhe të tjerëve.