ATV

Tag: Ballina

  • Greva e 120 punëtorëve teknik të shkollave në Prishtinë, Azemi: Nëse këtë javë nuk i plotësojnë kërkesat, javën tjetër të gjejnë punëtorë tjerë

    Greva e 120 punëtorëve teknik të shkollave në Prishtinë, Azemi: Nëse këtë javë nuk i plotësojnë kërkesat, javën tjetër të gjejnë punëtorë tjerë

    12 punëtorë teknik të 15 shkollave, nga 16 sa janë gjithsej në Prishtinë, sot kanë nisur grevën, për shkak të pagave të ulëta. Ata kërkojnë rritje të pagës nga 250 në 405 euro si dhe kushte më të mira në punë.

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një prononcim për ATV-në, tha se puntorët kanë vendosur që këtë javë të rrinë në grevë dhe në rast se nuk iu plotësohen kushtet nga Komuna e Prishtinës, ata do të largohen nga vendet e tyre të punës në mënyrë demostrative.

    “Neve na vjen keq nga prindërit e fëmijëve, por megjithatë unë besoj se prindërit e fëmijëve na kuptojnë sepse ne po marrim pagë 230 euro nga këto shkolla me të cilat nuk po mund t’ia dalim dhe e kemi ofruar një ofertë, këtë javë do të jemi në grevë, nëse nuk janë kërkesat tona të realizuara 100%, atëherë nga java tjetër, të gjithë këta punëtorë në mënyrë demostrative do t’i lëshojnë vendet e tyre të punës dhe le të vjen kushdo që dëshiron me punu”, tha Azemi.

    Ai tha se buxhet ka, por nuk ka interesim nga Komuna e Prishtinës për t’ua plotësu këto kërkesa puntorëve.

    “Ne normalisht që nuk kemi hyrë të papërgatitur. Faktikisht, me thanë për një pagë 230 euro, kudoqoftë që të dalësh sot, nën pagën 450 euro nuk mbetesh. Andaj, me këto çështje veç jemi definuar dhe ne nuk jemi të interesuar të dalim sepse kemi dhënë djersë me nga 20-30 vite, por megjithatë tani ka ardhur fundit dhe edhe ne, edhe ata edhe kushdo qoftë nuk ka mundësi që sot të punohet me 230 euro, nuk mund t’ia dalim, jo pse ne po duam të krijojmë njëfarë luksi. Buxhet ka, por nuk ka interesim të institucioneve relevante. Dihet që Komunës së Prishtinës, 50 milionë euro i kanë tepruar vitin e kaluar dhe e gjithë kjo shumë për të cilën ne po e kërkojmë, mund të jetë një shumë 10 mijë euro, mirëpo nuk ka interesim”, u shpreh Azemi. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij në A LIVE e gjeni në videon më poshtë:

  • Osmani pret në takim ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë

    Osmani pret në takim ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të hënën në takim Ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, raporton EO.

    Pas takimit, Osmani dhe Pistorius është paralajmëruar konferencë për medie.

    Ministrin Pistorius do ta pres në takimi edhe kryeministri Albin Kurti, si dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    Po ashtu pas dite, ministri Maqedonci, dhe ministri Pistorius, do të shohin për së afërmi kapacitetet profesionale dhe mjetet teknike të Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit (QNKTSH).

  • Nis greva e punëtorëve teknik të 15 shkollave në Prishtinë

    Nis greva e punëtorëve teknik të 15 shkollave në Prishtinë

    Punëtorët teknik të 15 shkollave në Prishtinë sot kanë nisur grevën, për shkak të pagave të ulëta, raporton atvlive.tv.

    Ata kërkojnë rritje të pagës nga 250 në 405 euro si dhe kushte më të mira në punë.

    16 shkolla sa janë gjithsej me operatorë ekonomik, ku punëtorët e 15 prej tyre kërkojnë që të barazohen me punëtorët që menaxhohen nga Komuna e Prishtinës.

    Në krevën e punëtorëve teknik mori pjesë edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. /atvlive.tv

  • Ministri gjerman i Mbrojtjes sot në Prishtinë, takohet me Osmanin e Kurtin

    Ministri gjerman i Mbrojtjes sot në Prishtinë, takohet me Osmanin e Kurtin

    Përveç Kurtit e Osmanit, ministri gjerman do të takohet edhe me Maqedoncin

    Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, sot do të pritet në takim nga presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti.

    Përveç me ta, Pistorius do të takohet edhe me homologun e tij në Kosovë, ministrin Ejup Maqedonci.

    Takimi do të nisë në orën 13:30.

    Ndërkaq në orën 15:00 Maqedonci dhe Pistorius do të shohin për së afërmi kapacitetet profesionale dhe mjetet teknike të Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit (QNKTSH).

  • QKUK-ja me vetëm 48 anesteziologë, nevojitet të jenë 100

    QKUK-ja me vetëm 48 anesteziologë, nevojitet të jenë 100

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Puna e një anesteziologut që të shlyejë vetëdijen, të eliminojë dhembjen dhe të mobilizojë trupin gjatë operacionit kërkon procedurë.

    Sipas drejtorit të klinikës së anesteziologjisë, Gazmend Spahiu, krahas numrit të pacientëve, 48 anesteziolog sa ka Qendra Klinike Universitare nuk mjaftojnë.

    Për t’i kryer të gjitha nevojat e pacientëve, Spahia thotë se duhet të jenë së paku 100 anesteziologë.

    Krahas mungesës së anesteziologëve, në këtë klinikë janë vetëm 195 infermierë, përfshirë edhe personelin mbështetës.

    Arsyet e mungesës së personelin shëndetësorë në përgjithësi konsiderohet të jetë angazhimi në klinika private dhe largimi jashtë vendit.

  • Pensionohet inspektori, KPMM-ja nuk po mund ta zëvendësojë

    Pensionohet inspektori, KPMM-ja nuk po mund ta zëvendësojë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Inspektori i vetëm përgjegjës në kuadër të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për mbikëqyrjen e pajisjeve elektrike, u pensionua të premten, për ta lënë të zbrazët këtë pozitë.

    Tash, ky institucion po e ka të vështirë ta gjejë dikë tjetër për ta zëvendësuar atë. Kryeinspektori Naim Sejdiu thotë se në konkursin e fundit, kanë aplikuar 10 persona, nëntë prej të cilëve nuk i kanë plotësuar kriteret. Ndërsa tjetri s’i vazhdoi fare procedurat tjera të aplikimit.

    “Do të kemi vështirësi në kryerjen e punëve, por do të mundohemi që punët te ecin mbarë. Konkursi për inspektorë të Minierave Elektrike ka dështuar për shkak te mos aplikantëve, konkursi është përsëritur dhe është procedurë”, tha Sejdiu.

    Sejdiu thotë se ka nevojë edhe për rritje të numrit të inspektorëve që i evidentojnë operatorët ilegal.

    Aktualisht janë 10 sosh, të shpërndarë në pesë regjione, pa llogaritur edhe dy inspektor të minierave nëntokësore që sipas nevojës mund t’u asistojnë të parëve.

    “Numri i inspektorëve që merren me operatorët ilegal për momentin është 12. Numri inspektorëve është i vogël dhe ka nevojë të rritet sepse, përveç inspektimeve të rregullta, ka edhe inspektime në operator ilegal”, tha Sejdiu.

    Gjatë vitit 2023, inspektorati i KPMM-së, evidentoi 46 raste të operimeve ilegale që ndërlidhen kryesisht me nxjerrjen e rërës dhe zhavorrit nga shtrati i lumenjve dhe tokave përreth, por edhe me përpunim të resurseve.

    Gjeografi Faruk Foniqi, thotë se mungesa e kapaciteteve inspektuese, është shkak i degradimit të shtretërve lumorë.

    “Vërehet që kemi degradim të jashtëzakonshëm të shtretërve lumor që ndodhë si pasojë e mungesës së inspektimeve ose monitorimit të vazhdueshëm që duhet ta kenë pellgjet lumore. Në kuadër të Ministrisë janë vetëm dy inspektor që merren me monitorimin apo monitorimin e pellgjeve lumore, ndërsa në dikasteret e tjera të Qeverisë janë ndoshta edhe disa sosh që ndoshta nuk arrijnë në masë të madhe t’i mbulojnë hapësirat e gjëra që përfshijnë shtretërit lumor”, tha Foniqi.

    Sipas tij, mungesa e inspektorëve duhet të trajtohet me prioritet nga shteti.

    “Është e domosdoshme që ministritë e linjës të shikojnë forma që të rekrutojnë personel adekuat dhe të kualifikuar për mbikëqyrjen dhe monitorimin dhe zbatimin e ligjeve që i mbrojnë lumenjtë e Kosovës”, tha Foniqi.

    Sipas të dhënave zyrtare, deri në vitin 2018, afro 1800 hektarë sipërfaqe e shtretërve të lumenjve dhe tokave pranë tyre, janë dëmtuar nga dora e njeriut.

  • Shpallja e zgjedhjeve lokale në veri mund të vonohet edhe për disa muaj

    Shpallja e zgjedhjeve lokale në veri mund të vonohet edhe për disa muaj

    Përgatita: Haris Ademi

    Kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës ka mundësi t’i zë edhe pranvera në këto poste. Sipas partisë në pushtetin qendror, por edhe njohësve të proceseve zgjedhore, mund të kalojnë edhe disa muaj deri te shpallja e zgjedhjeve të reja.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se është në proces të verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionet për shkarkim të liderëve lokalë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se kjo varet nga vullneti i serbëve lokalë, nëse do ta përkrahin rrëzimin e kryetarëve atje.

    “Nuk mund të flasim për afate sepse këto marrin kohë dhe varet çfarë dinamike ndiqet atje. Por nëse dalin 50.1 për qind dhe votojnë për largimin e tyre, padyshim se zgjedhjet janë një fakt i kryer. Mos të harrojmë kjo situatë është krijuar përsëri si pasojë e veprimi politik të Serbisë për t’i detyruar serbët që të tërhiqen nga institucionet”, tha Rrustemi.

    Ndërsa ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, tregon se procedurat e pamundësojnë përshpejtimin e procesit.

    “Siç pritet dhe shihet do të ketë nevojë edhe për disa muaj kohë që këto formalitet informuese të kryhet, pastaj që të ketë ose jo sukses. Nëse s’ka sukses iniciativa, atëherë 1 vit s’ka mundësi sipas udhëzimit administrativ që të iniciohet një iniciativë e re qytetarësh për të përmbushur 20 për qindshin e trupës elektorale që të nis sërish një iniciativë të re për shkarkimin të kryetarëve”, tha Baraliu.

    Sipas udhëzimit administrativ, pasi që KQZ-ja i konfirmon nënshkrimet e mbledhura në komision, e organizon votimin për shkarkim të kryetarit, ku kërkohet 50% plus një votues, për të pasur sukses.

    Më pas i mbetet presidentes që brenda 30 deri 45 ditësh, t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për katër komunat me shumicë serbe.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Mbyllja e komunave paralele, SHBA-ja dhe BE-ja e kritikojnë qeverinë për nxitje të tensioneve ndëretnike

    Mbyllja e komunave paralele, SHBA-ja dhe BE-ja e kritikojnë qeverinë për nxitje të tensioneve ndëretnike

    Përgatiti: Haris Ademi

    Mbyllja e komunave paralele serbe brenda territorit të Kosovës po shihet si hedhje e benzinës në zjarr, nga aleatët ndërkombëtarë të republikës.

    Pavarësisht se këto institucione funksiononin me sistem të Beogradit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë qortuar qeverinë kosovare për dëmtim të komunitetit serb.

    Në aksionet ku morën pjesë edhe ministrat, Xhelal Svecla e Elbert Krasniqi, policia mbylli komunat paralele në Dragash, Pejë, Istog e Klinë. Këto veprime, sipas ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier, i rrisin tensionet ndëretnike dhe kufizojnë opsionet e Amerikës që të avokojë për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

    Sikur Hovenier, edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, kërkoi që tema të tilla të shtrohen në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi.

    Njohësi i pushtetit lokal, Shemsi Jashari, thotë se mbyllja e objekteve ku u gjetën materiale të Listës Serbe, është e ligjshme, por qeveria ka gabuar që nuk është konsultuar me miqtë, paraprakisht.

    “Qeveria para se të marrë veprime si kjo, pavarësisht që janë të ligjshme, duhet të koordinohet mirë, dhe të sigurohet që partnerët ndërkombëtare e kuptojnë drejtë dhe nuk lë hapësirë interpretimi sikur kjo po bëhet si presion ndaj serbëve lokalë”, tha Jashari.

    Ndryshe vlerëson profesori universitar, Gëzim Qerimi, i cili thotë se reagimet ndërkombëtare për këtë çështje kanë tjetër prapavijë.

    “Reagimet e SHBA dhe BE janë të pakuptimta sepse nuk duhet të lejohen komunat paralele… Por kjo tregon raportet jo të ngrohta midis faktorit ndërkombëtar dhe qeverisë së Albin Kurtit…”, tha Qerimi.

    Ky nuk pajtohet që çështje të tilla teknike të vazhdojnë të diskutohen në Bruksel.

    Kundër thirrjeve amerikano-evropiane doli deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila tha se reagime të këtij niveli nuk ka pasur për arrestimin e 3 policëve kosovarë nga Serbia e as për sulmin terrorist në Banjskë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Mbyllja e zyrave të Serbisë me polici, zëdhënësi Stano del me reagim – Kosova t’i shmang veprimet e njëanshme

    Mbyllja e zyrave të Serbisë me polici, zëdhënësi Stano del me reagim – Kosova t’i shmang veprimet e njëanshme

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka lëshuar një deklaratë, përmes së cilës kërkon nga Kosova që “të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE”.

    Ky reagim vjen pasi Policia mbylli komunat paralele të Serbisë në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë dhe objektet e OJQ’së Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë.

    “Bashkimi Evropian nënvizon me shqetësim të madh operacionet e Policisë Speciale të kësaj jave në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia në komunat Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë dhe objektet e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Toleranca në Prishtinë.”

    Stano ka thënë se mbyllja e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komunitetit serb në Kosovë.

    “Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative për kushtet jetësore të përditshme të komunitetit serb të Kosovës, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment.”

    Ai ka shtuar se statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet përmes dialogut.

    “Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.”

    Lidhur me këto çështje, mbrëmë ka dalë me reagim edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke thënë se autoritetet e Kosovës po nxisin tensione ndëretnike të panevojshme.

    Ai tha se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për të gjitha shqetësimet e qytetarëve, ndërsa ka shtuar se çështja e strukturave serbe duhet të përfshihet në dialog.

    “Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Hovenier.

  • “Ku është balancimi, heshtja për sulmin në Banjskë mbetet ende e shurdhër”, Kearns reagon ndaj deklaratës së Hovenierit

    “Ku është balancimi, heshtja për sulmin në Banjskë mbetet ende e shurdhër”, Kearns reagon ndaj deklaratës së Hovenierit

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, mbrëmë ka reaguar duke thënë se qeveria amerikane është thellësisht e shqetësuar me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës.

    Hovenier përmendi çështjen e dinarit dhe mbylljen e komunave paralele në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, teksa tha se këto veprime po i rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë “po i kufizojnë mundësitë që ShBA-të të shërbejnë si avokues për Kosovën në arenën ndërkombëtare”.

    E ndaj një qëndrimi të tillë të ambasadorit amerikan, ka reaguar deputetja e britanike, Alicia Kearns.

    Në një reagim në “X”, Kearns ka pyetur ambasadorin Hovenier se ku qëndron bilanci këtu.

    “Ku është bilanci? A kemi parë një deklaratë të tillë nga SHBA-të pas rrëmbimit të paligjshëm të tre policëve nga Serbia? Jo. Heshtja për sulmin terrorist të Banjskë mbetet ende e shurdhër”, ka shkruar Kearns.

    Ndryshe ndaj veprimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, ku kanë kërkuar që të shmangen veprimet e njëanshme që mund të shkaktojnë tensione.