ATV

Tag: Ballina

  • KOSTT-i nuk e bart më barrën e veriut, por s’e di a do të kompensohet

    KOSTT-i nuk e bart më barrën e veriut, por s’e di a do të kompensohet

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Nga 30 Janari, kur ZRRE-ja ia hoqi obligimin në licencë, KOSTT-i nuk është i detyruar t’i mbulojë humbjet për energjinë e papaguar në veri, por ende nuk dihet nëse do të kompensohet për dëmin buxhetor pas licencimit të Elektroseverit.

    Në një situatë të pazakontë, nga Qershori 2022 – për një vit e gjysmë, dy kompani KOSTT dhe Elektrosever, përmes licencave të tyre, ishin përgjegjës për energjinë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Megjithëkëtë, dështimi për përmbushjen me kohë të licencës nga Elektrosever i kushtoi vetëm KOSTT-it dhe buxhetit të shtetit.

    Rreth 50 milionë euro llogaritet të jetë dëmi buxhetor nga 1 Tetori 2022, kur sipas licencës, Elektrosever do të duhej të ishte tërësisht funksional dhe të niste faturimin e energjisë elektrike në veri.

    Derisa KOSTT-i dhe ZRRE-ja presin veprime politike, Qeveria kërkon zgjidhje në dialog.

    “Problemi i tretë të cilin e kemi diskutuar janë borxhet e akumuluara të KOSTT-it si rezultat i devijimeve për konsumin e energjisë pas Tetorit të vitit 2022, për çka presim që BE-ja të gjejë një zgjidhje për financimin e tyre”, tha zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

    Në një përgjigje për ATV-në, muaj më parë, BE-ja kishte thënë se borxhi është çështje që duhet zgjidhur mes palëve.

    Peter Stano, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri
    “Lidhur me përgjigje praktike në pyetje praktike e konkrete, për ndikimin në buxhetin e Kosovës, kush çfarë paguan, kjo është diçka që duhet të trajtohet nga akterët kryesorë dhe partnerët kontraktualë. Ne jemi aty për t’iu ndihmuar të gjejnë zgjidhjet më të mira”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Referuar rrethanave dhe ndikimit të politikës, eksperti i energjisë Naim Bujupi, theksoi se një marrëveshje e bazuar në obligimet që dalin nga licenca është e domosdoshme.

    “Pasi është politizuar si çështje, mendoj se mund të diskutohet në nivel politik, që ai obligim gjithsesi duhet të paguhet nga Elektroseveri. Nëse duhet të zbatohet licenca, ajo duhet të zbatohet në tërësi, jo parcialisht. Nëse zbatohet në tërësi, atëherë duhet të paguhet nga i licencuari, në këtë rast Elektrosveri”, tha Bujupi.

    Nga 1 Janari, përgjegjësia e plotë për energjinë në veri i takon Elektroseverit.
    Që nga përfundimi i luftës, dëmi buxhetor si pasojë e mos-pagesës së energjisë në këtë pjesë të vendit llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Raportimet për atentat ndaj Kurtit, ai thotë se s’u ndje i rrezikuar

    Raportimet për atentat ndaj Kurtit, ai thotë se s’u ndje i rrezikuar

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk është ndjerë i rrezikuar, edhe pse ka mësuar se ka shumë kërcënime për të nga Beogradi.

    Kryeministri Kurti të premten mbrëma qëndroi në Shkup. Siç ka raportuar transmetuesi publik, Kurti është kërcënuar me vrasje derisa autoritete maqedonase menjëherë kanë vendosur masa të rrepta sigurie.

    “Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar”, tha Kurti.

    Sipas burimeve të televizionit publik të Kosovës tentativa për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, ka ardhur nga “atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”.

    Sidoqoftë, kryeministri të shtunën mori pjesë në disa aktivitete të Lëvizjes vetëvendosje në Prishtinë dhe tha se nuk është ndjerë i rrezikuar.

    “Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, tha Kurti.

    Ndryshe kjo është hera e parë që ndaj kryeministrit Kurti pati raportime për plane për atentat. Megjithatë Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka thënë se nuk ka pasur tentim për vrasjen e tij.

    Kurti qëndroi në Shkup në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE e cila mori pjesë në takim rajonal të partive simotra të Partisë së Socialistëve Evropiane.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kurti tregon se a pati tentim-atentat ndaj tij gjatë vizitës në Shkup

    Kurti tregon se a pati tentim-atentat ndaj tij gjatë vizitës në Shkup

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka parë forca të shumta policore në Shkup gjatë mbledhjes që pati me partitë simotra të socialistëve, pas raportimeve se ka pasur një tentim-atentat ndaj tij.

    “Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, ka thënë Kurti.

  • Kurti pasdite viziton Shkupin, merr pjesë në një konferencë me figurat politike të RMV-së

    Kurti pasdite viziton Shkupin, merr pjesë në një konferencë me figurat politike të RMV-së

    Kryeministri Albin Kurti pasditen e sotme pritet të vizitojë Maqedonin e Veriut. Për këtë arsye Policia e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar që komunikacioni në Shkup do të organizohet me kufizime.

    “Me rastin e vizitës së paralajmëruar të kryetarit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Njësiti për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë SPB Shkup do të ndërmerr masa për regjim të posaçëm të trafikut nëpër rrugët në rajonin më të gjerë të qendrës së qytetit të Shkupit”, ka njoftuar Ministria për Punë të Brendshme e këtij shteti.

    Mediat në Maqedonin e Veriut raportojnë se Kurti do të jetë panelist në një konferencë me temë “Politikat progresive – përgjigje ndaj sfidave të vendeve të Ballkanit Perëndimor” do të mbahet në orën 18:30, në Hamam Daut Pasha, organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert.

    Përveç Kurtit, raportohet se në panel do të flasin kryetari i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë Lars Klingbeil, kreu i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Serbisë, Dragana Rakiq, lideri i Partisë për liri dhe drejtësi, Dragan Gjilas, pastaj i pari i Partisë Socialdemokrate të Malit të Zi, Ivan Vujoviq, nënkryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi, Ivan Vukoviq.

  • Kryesindikalisti i Policisë: S’ka përgjigje për kërkesat tona, prioritet është pensionimi i parakohshëm

    Kryesindikalisti i Policisë: S’ka përgjigje për kërkesat tona, prioritet është pensionimi i parakohshëm

    Kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se ende nuk janë takuar me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për t’i vendosur prioritetet se cila nga 14 kërkesat e tyre mund të realizohen nga qeveria në një kohë të shkurtër.

    Kjo pasi më 20 dhjetor të viti të kaluar, pas protestave të Njësiteve Speciale të Policisë së Kosovës, zyrtarët të Sindikatës së PK-së kishin zhvilluar takim me ministrin Xhelal Sveçla dhe drejtorin e PK-së, Gazmend Hoxha, për të diskutuar se cilat kërkesat mund t’i realizoj qeveria.

    Zeqiri ka thënë se pavarësisht se në atë takim ishin koordinuar që në fillim të këtij viti të takoheshin dhe të vendosin prioritetet se cila nga kërkesat mund të realizohen, ende nuk ka ndodhur një takim i tillë dhe pse Sindikata i ka dërguar kërkesë përsëri ministrit për ti rikujtuar se duhet të takohen.

    Ai ka theksuar se ata do të jenë insistues që ky takim të ndodhë dhe të plotësohen kërkesat e tyre.

    “Për takimin që ka ndodhur në dhjetor të viti të kaluar me ministrin u dakorduam që kërkesat të cilat i dorëzuam edhe i paraqitem edhe gjatë bisedimeve në takimin e dhjetorit u dakorduam që në takimin e ardhshëm të ulemi të bisedojmë, ti vendosim prioritetet se cila nga kërkesat mund të realizohet një kohë më të shkurtër, e cilat mund të mbesin më vonë. Ky takim nuk ka ndodhur ende, nuk e dimë pse nuk ka ndodhur takimi edhe pse ne kemi adresuar një kërkesë për ti rikujtuar ministrit se duhet të takohemi. Pritem që të kryejmë edhe paraqitjen para Komisionit për peticione dhe definitivisht jemi në pritje të një caktimi të takimit nga ministri. Ende nuk e ka caktuar nuk kemi ndonjë informacion arsyet pse. Po shpresojmë që do të realizohet së shpejti dhe ne do të jemi insistues që ky takim të ndodhë dhe të shohim se cilat do të jenë prioritet për t’u realizuar kërkesat të cilat veç i kemi dorëzuar tekë ministri i Punëve të Brendshme”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se si prioritet për ta është ligji për pensionim mbi moshën 55 vjeçare, shujta ditore, shpenzimet e udhëtimit e paga e 13-të.

    “Në realitet unë më shumë do të doja që kur të ulemi që të bisedojmë të marrim një pasqyrë një mendim nga vetë ministri se cilat qeveri mund ti realizoj të parat e cilat pak më vonë. Si prioritet mbi prioritete është ligji për pensionim mbi moshën 55 vjeçare, ligji është hartuar që disa vite dhe që duhet të behte, mandej shujta ditore, shpenzimet e udhëtimit, paga e 13-të të cilën jemi duke e realizuar me padi që të mos dëmtohemi edhe si fond i policisë dhe si fond i qeverisë, të bëhen me kohët këto. Mirëpo pa hequr dorë edhe nga kërkesat e tjera”, ka thënë ai për EO.

    Zeqiri ka thënë se nëse nuk plotësohen këto kërkesa që ata kanë, dorëheqjet e zyrtarëve policorë do të rriten edhe më shumë, tani edhe pas liberalizimit të vizave.

    “Sa për fillim që nga liberalizimi i vizave nga një janari nuk kemi ndonjë lëvizje të dukshme, ndonjë lëvizje të jashtëzakonshme qoftë të dorëheqjeve. Mirëpo nëse vërtet qëndrojmë në këto kushte dhe nuk realizohet as njëra nga këto kërkesa ose nuk fillojnë që të realizohen kërkesat dyshoj shumë që deri ka mesi i viti mos do të kemi ndonjë fluks apo ndonjë dorëheqje më shumë se zakonisht. Për shkak se dorëheqjen në PK ka pasur edhe para se të liberalizohen vizat. Vitin e kaluar kemi pasur mbi 100 dorëheqje vullnetare, këtë vit kemi filluar vetëm muajin e parë diku me rreth 10 dorëheqje vullnetare e që këto varen prej kushteve. I vetëmi parandalim për dorëheqje në PK është plotësimi i kushteve dhe mirëqenies”, ka thënë ai

    Protesta e PK-së vitin e kaluar kishin ndodhur pasi qeveria kishte miratuar pako të re për shtesat për njësitë elitare dhe njësitë e tjera policore.

    Sipas kësaj pako, për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat janë 150 euro mbi pagën bazë.

    Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria ka thënë se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

    Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj.

    Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, përkatësisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë.

  • Sulmoi fizikisht doktoreshën pasi nuk ia lëshoi një dokument mjekësor, arrestohet një burrë në Janjevë

    Sulmoi fizikisht doktoreshën pasi nuk ia lëshoi një dokument mjekësor, arrestohet një burrë në Janjevë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një burrë në Janjevë, meqë i njëjti ka sulmuar fizikisht një doktoreshë në shenjë revolte për një dokument mjekësor, që me rregullat e mjekësisë nuk i lëshohet pacientit.

    Me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    “SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR – Rr. Dardania, Janjevë 09.02.2024-17:45. I dyshuari mashkull kosovar e ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare-doktoreshë në shenjë revolte për një dokument mjekësor i cili me rregullat e mjekësisë nuk i lëshohet pacientit. Me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • 17 vjet nga protesta e 10 shkurtit

    17 vjet nga protesta e 10 shkurtit

    Lëvizja Vetëvendosje 17 vjet më parë organizoi protestë në shenjë kundërshtimi ndaj besimeve Kosovë-Serbi dhe pakos së Martti Ahtisaari-t, në të cilën si rezultat i ndërhyrjes së policisë rumune të UNMIK-ut mbetën të vrarë Arben Xheladini dhe Mon Balaj.

    Në protestë morën pjesë mijëra vetë dhe ajo eskaloi në momentin që janë hequr rrethojat e vendosura në mes të sheshit.Ishte policia e rumune e UNMIK-ut ajo që reagoi në mënyrë të dhunshme duke përdorur edhe armë vdekjeprurëse. Përveç vrasjes së dy aktivistëve, kishte edhe shumë të plagosur.

    KMDLNJ ka kërkuar drejtësi për viktimat e 10 shkurtit, si dhe ka kërkuar që Arben Xheladini dhe Mon Balaj të pranohen si viktima politike, të rehabilitohen dhe ta fitojnë statusin e merituar, ndërsa, familjet e tyre të fitojnë të drejtën që e gëzojnë familjet e viktimave civile të luftës.

    Me rastin e shënimit të kësaj dite, Lëvizja Vetëvendosje do të organizojë një sërë aktivitetesh, si homazhe te varret e dëshmorëve Mon Balaj e Arben Xheladini, nderime te pllaka përkujtimore në sheshin “Nëna Terezë”, si dhe do të shfaqet një film dokumentar dhe do të mbahet një diskutim në Kinemanë “ABC”.

  • Ardian Hajdaraj do ta udhëheqë Këshillin Prokurorial vetëm deri në vitin 2026

    Ardian Hajdaraj do ta udhëheqë Këshillin Prokurorial vetëm deri në vitin 2026

    Përgatiti: Nora Luta

    Vetëm dy vjet do të jetë në krye të Këshillit Prokurorial të Kosovës, prokurori nga Peja, Ardian Hajdaraj. Kaq do të zgjasë edhe mandati i zv.kryesueses Jehona Grantolli, ndonëse ligji parasheh mandat trevjeçar.

    Neni 11 i Ligjit për KPK-në përcakton që përzgjedhja e tyre në këto pozita, nuk e zgjat mandatin e tyre si anëtar të Këshillit.

    Monitorues të shoqërisë civile presin që udhëheqësia e re të jetë më transparente dhe bashkëpunuese, në rrugën drejt reformës në drejtësi.

    Ndërkohë nga Zyra e Komunikimit me media në KPK, kanë thënë se Hajdaraj për shkak të angazhimeve dhe agjendës, nuk mund të deklarohet, por në një përgjigje me shkrim, kanë theksuar se KPK-ja mbetet e përkushtuar për çdo iniciativë që është në funksion të sistemit të drejtësisë.

    “Në Takimin e 241-të, të mbajtur më 30 janar 2024, ka nxjerrë Vendim për emërimin e Grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit që rrjedh nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit. Pra, KPK-ja ka caktuar pesë (5) përfaqësues nga radhët e KPK-së për grupin punues, siç e parasheh Deklarata e Zotimit. KPK-ja, thekson se në këtë dokument janë evidentuar sfidat dhe shqetësimet tona dhe në këtë aspekt, KPK-ja mbetet e përkushtuar për të dhënë kontribut në iniciativat ligjore dhe për çdo iniciativë tjetër që është në funksion të fuqizimit të mekanizmave të brendshëm dhe të jashtëm të sistemit të drejtësisë, natyrisht, duke respektuar rolin e saj, që nga faza e konceptimit dhe e zhvillimit deri në finalizimin e këtyre nismave ligjore, në mënyrë që të afirmohet e drejta kushtetuese për pavarësinë e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit si dhe përgjithësisht të sistemit prokurorial”, tha Bedri Gashi, U.D. udhëheqës i Njësisë për Komunikim Publik.

    Kryesuesi i ri i KPK-së është zgjedhur në fund të janarit, pasi Jetish Maloku përfundoi mandatin. Hajdaraj mori shumicën e votave në këtë pozitë, pas tërheqjes nga gara të Veton Shabanit dhe Jehona Grantollit.

    Sipas ligjit aktual, anëtarët e KPK-së qëndrojnë në detyrë për një mandat pesëvjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

  • Kërkesa e Kurtit për nënshkrim të marrëveshjes në OKB, vullnet politik, jo mundësi reale

    Kërkesa e Kurtit për nënshkrim të marrëveshjes në OKB, vullnet politik, jo mundësi reale

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    “Përkundër ofertave të mia të përsëritura, z.Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë, e ftoj të nënshkruajë këtu, sot, menjëherë, duke theksuar rolin krucial të Kartës së OKB-së në këtë marrëdhënie. Ky akt simbolik do të demonstronte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore me Kosovën”, ka thënë mbrëmë kryeministri Albini Kurti në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

    Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte ngjarja e radhës, në të cilën kryeministri Abin Kurti këmbënguli në nënshkrimin e marrëveshjes bazë dhe shtojcës me Serbinë.

    Krahas kritikave për mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së, përfaqësuesja e SHBA-së sqaroi se Brukseli është vendi për diskutimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

    “Për të qenë e qartë, dialogu i lehtësuar nga BE-ja duhet të jetë kanali për zgjidhjen e këtyre çështjeve që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve, jo Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara”, tha ambasadorja e SHBA-së, Linda Thomas-Greenfield.

    Ajo kritikoi Kosovën në raport me mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së.

    Javën e kaluar, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se nënshkrimi i marrëveshjes dhe deponimi në OKB, është parakushti i parë për zbatim.

    Pasi theksoi se dialogu Kosovë – Serbi është çështje e BE-së në aspektin ligjor, profesori Kadri Kryeziu vlerësoi se kërkesa e Qeverisë është e parealizueshme.

    “Jo, nuk ka nevojë që marrëveshjet të përfundojnë në OKB, sepse janë marrëveshje ndërkombëtare të karakterit evropian dhe janë shtetet evropiane që po ndihmojnë që të arrihet një marrëveshje e përgjithshme, kështu që nuk ka sens që këto çështje të shkojnë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, tha Kryeziu.

    Teksa përmendi faktin se BE-ja dhe SHBA-ja i vlerësojnë ligjërisht obliguese marrëveshjen dhe shtojcën, politologu Fidan Ukaj këmbënguljen e Kosovës e lidh me atë që e cilësoi qasje destruktive të Serbisë në dialog.

    “Edhe pse nuk ishte një mbledhje e thirrur për nënshkrim apo rreth marrëveshjes, mendoj se tregon ma shumë një gatishmëri të Kosovës, e po ashtu një mosbesim ndaj palës tjetër, duke e ditur se kryeministrja serbe Brnabic ka dërguar një letër në adresë të BE-së, në të cilët tregon se nuk është e gatshme t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes, por që do të ketë selektim”, tha Ukaj.

    Më 2010, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë e cila njeh opinionin këshillëdhënës të GJND-së për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe BE-në si lehtësues të procesit të dialogut.

  • Pas tri ditëve grevë, punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë i janë kthyer punës

    Pas tri ditëve grevë, punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë i janë kthyer punës

    Përgatiti: Sara Shehu

    Kështu dukeshin hapësirat e shkollave në kryeqytet deri të enjten, pasi rreth 160 punëtorë teknikë hynë në grevë nga e hëna për shkak të pagave të ulëta.

    Por, të premten ata i janë kthyer punës, pasi Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat ka arritur një marrëveshje me komunën e Prishtinës.

    Fahrie Aliu, njëra prej 12 punëtoreve teknike në shkollën fillore “Naim Frashëri”, tha se për tri ditë që nuk kanë punuar, objekti i shkollës ishte mbushur me mbeturina.

    “Sa s’kemi punu, shkollën e kish mbulu papastërtia, ndërkohë si ju kemi kthy punës shkolla është pastru siç po e shihni. Ne jemi të kënaqur që sindikata ka arritur marrëveshje me komunën e Prishtinës për rritje të rrogave, tani po presim zbatimin e marrëveshjes”, tha Aliu.

    Ndërkohë, Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, tha se zyrtarët komunalë janë pajtuar rreth kërkesave të punëtorëve, megjithëse deri në fillim të javës së ardhshme nuk do të japin detaje.

    “Realisht të gjitha kërkesat që i kemi parashtruar Komunës së Prishtinës me kënaqësi i kanë pranuar të gjitha dhe unë nuk mundem të jap tani një shifër të pagesës deri ditën e hënë, sepse ashtu i kanë kriteret Komuna e Prishtinës. Të hënën pasdite në momentin kur publikohet, unë mund t’iu jap gjithçka në detaje. Përndryshe, të gjitha kërkesat që ia kemi parashtruar Komunës së Prishtinës i kanë parë të arsyeshme. Prioritet ka qenë rritja e pagës të punëtorëve teknikë që janë paguar direkt nga Komuna e Prishtinës. Kjo ka qenë ajo, sepse punëtorët ndihen të degraduar, derisa këta kanë marrë një pagë 230-270 euro”, tha Azemi.

    Edhe përfaqësuesit komunalë kanë konfirmuar për ATV-në, se tashmë i kanë në fokus kërkesat e punëtorëve teknikë, derisa pritet fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet qeverisjes lokale dhe punëtorëve.