ATV

Tag: Ballina

  • ​Grafitet e reja në veri, pozitë dhe opozitë shprehen të shqetësuara

    ​Grafitet e reja në veri, pozitë dhe opozitë shprehen të shqetësuara

    Vendosja e grafiteve në katër komunat veriore me mesazhet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”, po shihen si shqetësuese nga grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Pozitë dhe opozitë thonë situata në veri, mbetet e brishtë për shkak të tendencave të Serbisë që përmes grupeve të caktuara të destabilizojë situatën atje.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se paraqitja e grafiteve të reja në veri është marrë me shqetësim dhe seriozitet nga organet kompetente të sigurisë. Sipas saj, të gjitha informacionet tregojnë se Serbia asnjëherë nuk është ndalur për të destabilizuar veriun e vendin.

    “Është evidente që situata e sigurisë në veriun e vendit mbetet e brishtë, për shkak të pretendimeve dhe rrezikut potencial që ekziston nga grupe të caktuara të mbështetura nga Serbia. Paraqitja e grafiteve natyrisht që është marrë me shqetësim por edhe seriozitet të organeve kompetente. Siç e dini menjëherë janë aktivizuar policia dhe prokuroria për identifikimin e autorëve të paraqitjeve të këtyre grafiteve…Sa i përket situatës të paraqitjes së sulmit terrorist të Banjskës të shtatorit të vitit të kaluar, të gjitha informacionet tregojnë se asnjëherë nuk kanë rreshtur pretendimet e Serbisë për destabilitet të Kosovës. Por gjithashtu edhe gatishmëria dhe përgatitja e organeve të vendit dhe forcës ndërkombëtare është treguar se është në nivelin e duhur”, theksoi ajo.

    Si pasojë e kësaj, Kusari-Lila shtoi se është shtuar edhe siguria personale e udhëheqësve të shtetit. Siç deklaroi, shefja e deputetëve të partisë në pushtet, informacionet tregojnë se ka potencial se të njëjtit mund të jenë target i sulmeve nga Serbia.

    Megjithatë, ajo nuk pranoi të shpalos detaje për pretendimet për planifikimin e një atentati ndaj kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, ku qëndroi gjatë javës së kaluar.

    “Në rastin specifik nuk mund të flas për diçka që është në konfidencialitet të lartë dhe përbënë informacione të inteligjencës. Por ajo çka mund të them është se vazhdohet të mbetet një situatë kur grupe të caktuara kriminale asnjëherë nuk kanë rreshtuar për të destabilizuar vendin, apo paraqitur rrezik për vendin. Qoftë përmes sigurisë personale të krerëve të shtetit, apo krijimin të incidenteve të tjera”, shtoi Kusari Lila.

    Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, duke folur për pretendimet për planifikimin e një atentati ndaj kryeministrit Kurti, tha se profesionalizmi i institucioneve të Kosovës nuk është me rrjedh lajmi në media, por në identifikimin e autorëve. Sipas tij, është për keqardhje që një lajm i tillë u demantua nga institucionet e Maqedonisë së Veriut.

    “Profesionalizmi i institucioneve të Kosovës nuk është me rrjedh lajmi në media, pasi atëherë nuk identifikohet asgjë. Profesionalizmi është me identifiku burimin e qartë dhe me neutralizu diçka të tillë. Shprehi keqardhje për një kërcënim të tillë, qoftë ndaj kryeministrit apo cilido lider që ndodh në vendin tonë. Ju e dini se të kaluarën jo shumë të largët ka pasur kërcënime edhe për liderët e opozitës, të cilët tashmë janë në mbrojtje të policisë. Por vërtet është për keqardhje kur brenda një periudhe disa orëshe me u demantu nga një shtet i cili ishte mikpritës i kryeministrit të Kosovës. Kjo është shumë e pahijshme dhe kjo i vë një hije të keqe AKI-së dhe institucioneve të sigurisë. A kemi të bëjmë vërtet me një kërcënim apo vetëm me rrjedhjen e një lajmi të rrejshëm. Nuk mendoj se duhet për interesa të kujtdo qofshin të degradohet puna e institucioneve të sigurisë”, theksoi Tahiri.

    Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se nuk e dinë se cili ka qenë niveli i kërcënimit ndaj kryeministrit Kurti, por, sipas tij çështje të tilla nuk duhet të përdoren për qëndrime politike.

    “Cili ka qenë niveli i kërcënimit, këtë nuk e di. Veçse një shtet si Maqedonia e Veriut nuk guxon me bërë deklarim publik, nëse ekziston një komunikim zyrtar mes dy agjencioneve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në këtë temë…Normal si shqiptar me të kërcënuar dikush kryeministrin nuk ndihesh mirë, sikurse ndihem jo mirë kur një shtet detyrohet me të dematuar për një çështje, e cila siç po duket është përdorur për qëndrime politike”, theksoi ai.

    Megjithatë, Tahiri deklaron se agjenda armiqësore e Serbisë dhe presidentit Vuçiq nuk do të ndalet asnjëherë për destabilizimin e Kosovës.

    “Agjenda armiqësore e Serbisë, respektivisht presidentit Vuçiq as nuk u ndal deri sot dhe as nuk ka me vazhdu me u ndal. Synimi i tyre është destabilizimi i Kosovës dhe rrjedhimisht provokimi i gjendjes në Kosovë. Aleanca i ka qëndrimet shumë të thjeshta në këtë temë, sundimi i ligjit, shtrirja e sovranitetit dhe mbrojtja e integritetit tonë territorial është detyrë e qeverisë dhe ne si AAK i japim mbështetje për çfarëdo veprimi që është në këtë funksion. S’ka asnjë dilemë se a do të kthehet ushtria serbe në Kosovë, kjo është një ëndërr që e ëndërrojnë jo Serbia, por disa nacionalist. Ata e dinë sikur 1 plus 1 që bëjnë dy se kurrë asnjë ushtri më nuk do të kthehet dhe që ka kush i del zot kësaj Kosove. Qysh i ka dal UÇK-ja në vitin 1999, tash me ushtri dhe instrumente kur të dojnë t’ia mësyjnë. Por nuk e kanë atë guxim”, tha Tahiri.

    Këto komente ata i bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që gjatë kësaj jave të mbahen tri seanca plenare.

    Deputetët të mërkurën pritet të mblidhen për të shqyrtuar pikat e mbetura nga seancat e kaluara, kurse të enjten do të mbahen dy seanca të reja plenare, ku njëra do të shqyrtojë plotësim-ndryshimet kushtetuese për procesin e vetingut, ndërkaq tjetra marrëveshjet ndërkombëtare dhe pikat të tjera që janë në rend të ditës.

    “Kuvendi për këtë javë do të mbajë tri seanca plenare. E para është ditën e mërkurë me 14 shkurt me fillim në ora 11:00. Kjo seancë do të shqyrtojë vazhdimet e seancave të papërfunduara të javës së kaluar, në të cilën janë të parapara katër votime…Ditën e enjte, seanca e re do të jetë në orën 10:00 në të cilën është një seancë e veçantë, në të cilën do të shqyrtohen plotësim-ndryshimet kushtetuese sipas propozimit të komisionit, i cili ka bërë shqyrtimin e procesit të vetingut…Vazhdon dita e enjte me një seancë tjetër të re. Seanca që fillon në orën 10:30 dhe ka pikat e rregullta të rendit të ditës, gjegjësisht deklarimet e rendit të ditës, kurse pyetjet parlamentare janë hequr me dakordim të grupeve parlamentare, ndërkaq vazhdohet me marrëveshjet ndërkombëtare”, tha shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

    Në anën tjetër, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se do të iniciojnë themelimin të dy komisioneve hetimore parlamentare, njëra për kontratat njëburimore dhe tjetra për tekstet shkollore.

    Ndërkaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, bëri të ditur se kanë mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për ligjin për sigurime shëndetësore./KosovaPress/

  • ​Mitsotakis në Beograd: Nuk kemi ndryshuar qëndrimin karshi Kosovës

    ​Mitsotakis në Beograd: Nuk kemi ndryshuar qëndrimin karshi Kosovës

    “Qëndrimi i Greqisë sa i përket Kosovës mbetet i pandryshuar”, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një vizite në Beograd më 12 shkurt.

    “Ndërmjetësimi evropian dhe dialogu janë mënyra e vetme për të normalizuar raportet mes dy palëve. Kjo do të ndihmonte ndjeshëm stabilitetin në rajon. Ne po i shikojmë dhe ndjekim me ankth ngjarjet e mujave të fundit”, tha Mitsotakis pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Greqia është në mesin e pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, së bashku me Spanjën, Qipron, Sllovakinë dhe Rumaninë.

    Udhëheqësi grek tha se shteti i tij mbështet Serbinë në rrugën e saj evropiane.

    “Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është qëllimi ynë strategjik. Është e rëndësishme për Beogradin që të përfitojë nga këto rrethana pozitive në procedurën evropiane. Duke përshpejtuar reformat në shtetin tuaj, ju do t’i afroheni BE-së”, shtoi ai.

    Kryeministri grek po ashtu theksoi se ka parë përparim në raportet mes Athinës dhe Beogradit. Sipas Mitsotakis, bashkëpunimi mes Greqisë dhe Serbisë është zgjeruar në sektorin e energjisë dhe Athina mbështet projektet infrastrukturore dhe investimet e BE-së në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.

    “Ne duhet t’i përdorim fondet evropiane që janë të dedikuara për Ballkanin Perëndimor”, theksoi ai.

    Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “Serbia dhe Greqia gjithmonë kanë mbështetur integritetin territorial të njëra-tjetrës”.

    “Besoj se edhe në të ardhmen do të jetë njëjtë”, tha Vuçiq.

    Ai theksoi se Serbia “është e vendosur” që të vazhdojë rrugën evropiane dhe falënderojë Greqinë për mbështetjen në këtë drejtim.

    Vuçiq tha se me Mitsotakis ka biseduar për energjinë, përkatësisht për naftësjellësit, gazsjellësit, blerjen e gazit, burimet e energjisë së ripërtërishme, por edhe se si kompanitë greke mund të ndihmojnë që Serbia të ndërtojë këto kapacitete.

    Ata po ashtu kanë biseduar për infrastrukturën dhe transportin, për modernizmin e rrugës dhe hekurudhës nga Beogradi në Selanik dhe lidhjen e Serbisë me portet greke. /rel/

  • ​Ademi: Trajneri është gjermanofolës, emërohet brenda dy ditësh

    ​Ademi: Trajneri është gjermanofolës, emërohet brenda dy ditësh

    Trajneri i ri i Kombëtares së Kosovës do të jetë një gjermanofolës. Kështu së paku ka bërë të ditur për KosovaPress presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

    Ai ka thënë se brenda dy ditësh mund edhe të bëhet zyrtarizimi i trajnerit të ri me nënshkrimin e kontratës mes dy palëve.

    “Trajneri do te emërohet dhe do te nënshkruhet kontrata në Prishtinë. Do të jetë gjermanofolës dhe sigurisht këto dy ditë presim deklarimin e tyre në pranimin e ofertave tona që i kemi dërguar”, ka thënë Ademi.

    Ndryshe, Kosova është pa trajner që nga koha e largimit të Primoz Glihas.

  • Nis protesta në Mitrovicën e veriut për çështjen e dinarit

    Nis protesta në Mitrovicën e veriut për çështjen e dinarit

    Ka nisur protesta e qytetarëve serbë në Mitrovicën e veriut për të kundërshtuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit si mjet pagese.

    Në fotografitë e mëposhtme të siguruara nga ATV, shihet një numër qytetarëve serbë që janë mbledhur në protestë, në mesin e tyre edhe Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek dhe ai i subjektit politik Demokracia e Hapur, Aleksandar Arsenijeviq.

    Kujtojmë se në katër komunat veriore të Kosovës, me shumicë serbe, janë parë të dielën disa grafite të reja me mesazhet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar të dielën komunitetit serb në Kosovë, duke i thënë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nuk ia ndalon Serbisë që t’iu ndihmojë atyre dhe Kosova nuk e ka ndaluar dinarin, ashtu sikurse asnjë valutë tjetër.

    Ai i është referuar rregullores së BQK-së – që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt – e cila parasheh që valuta e vetme për kryerje të transaksioneve me para të gatshme është euroja. /atvlive.tv

  • Kurti nga Britania: Nuk mund ta kthejmë vendimin për dinarin, s’do të ketë ndëshkime

    Kurti nga Britania: Nuk mund ta kthejmë vendimin për dinarin, s’do të ketë ndëshkime

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin se nuk ka tërheqje për vendimin lidhur me dinarin.

    Ai ka thënë se i qëndron rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme.

    Tutje, kreu i ekzekutivit deklaroi se se Qeveria e tij nuk do të ndërhyjë në vendimin e Bankës Qendrore, të cilën e ka quajtur të pavarur në zbatimin e rregullores së saj, të hyrë në fuqi më 1 shkurt.

    “Nuk mund ta kthejmë këtë vendim. Nuk do të kemi asnjë lloj mase ndëshkuese – nuk duam të ndëshkojmë askënd”, ka thënë ai në një intervistë dhënë mediumit britanik “Bloomberg” të hënën.

    Ai ka folur edhe për Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke thënë se nevojitet një marrëveshje e nënshkruar me Serbinë sa më shpejt të jetë e mundur.

  • Qasja e kufizuar në financa, falimentojnë rreth 1500 biznese gjatë 2023-ës

    Qasja e kufizuar në financa, falimentojnë rreth 1500 biznese gjatë 2023-ës

    Gjatë vitit 2023 janë shuar rreth 1500 biznese në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ndonëse Administrata Tatimore e Kosovës gjatë kësaj periudhe ka mbyllur veprimtarinë e vetëm 20 bizneseve, pasi që nuk mund të çregjistrohet asnjë biznes pa i kryer obligimet dhe detyrimet ndaj Administratës Tatimore.

    Mungesa e politikave zhvillimore dhe qasja e kufizuar në financa, vlerësohen disa nga barrierat që çojnë në vështirësi të mëdha bizneset dhe të cilat mund të jenë si faktorë kontribuues në falimentimin e shumë prej tyre.

    Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thonë se gjatë periudhës janar-nëntor 2023, numri i bizneseve të regjistruara është 10 mijë e 790, ndërsa 1 mijë e 497 janë mbyllur. MINT-i potencon se trendi i hapjes dhe mbylljes së bizneseve është i ngjashëm me atë të vitit 2022.

    “Gjatë periudhës janar-nëntor 2023, numri i bizneseve të regjistruara është 10 mijë e 790, ndërsa 1 mijë e 497 prej tyre janë mbyllur. Këto shifra tregojnë për një aktivitet të vazhdueshëm në sektorin e biznesit, megjithatë, vlen të theksohet se këto janë të dhënat pa përfshirjen e muajit dhjetor, i cili mund të sjellë një numër shtesë të bizneseve të regjistruara. Po ashtu, te bizneset e shuara duhet të theksojmë se të gjitha bizneset që ndryshojnë status duke kaluar në status tjetër, automatikisht konsiderohen të shuara e që në fakt vazhdojnë aktivitetin në një status tjetër. A ka rritje apo rënie të hapjes dhe mbylljes së bizneseve në krahasim me vitin e kaluar (2022)? Kur krahasojmë këto të dhëna me vitin e kaluar, shohim një trend relativisht të ngjashëm. Në vitin 2022, janar-dhjetor, janë regjistruar 11 mijë e 043 biznese, pra një shifër e ngjashme me atë të vitit 2023. Në anën tjetër, numri i bizneseve të mbyllura ka qenë përafërsisht në të njëjtën shifër”, thonë nga MINT-i në përgjigjen e tyre përmes emailit.

    Ndërkaq, shifrat e hapjes dhe mbylljes së bizneseve në Kosovë janë të ndryshme nga MINT-i dhe ATK-ja.

    Zëdhënësja e Administratës Tatimore e Kosovës, Valentina Bytyqi-Sefa në një prononcim për KosovaPress thekson se numri i bizneseve, të cilat janë hapur në vitin 2023 është mbi 20 mijë, ndërsa 20 të tjera kanë përmbyllur veprimtarinë.

    Bytyqi-Sefa potencon se janë hapur rreth dy mijë biznese që aktivitet primar e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, ndërkaq nga po e njëjta veprimtari janë mbyllur shtatë biznese.

    Ajo vlerëson se procesi i hapjes së një biznesi është i thjeshtë, ndërkaq për të mbyllur duhet plotësuar disa kritere dhe të gjitha obligimet ndaj ATK-së.

    “Numri i bizneseve, të cilat janë hapur në vitin 2023, vitin që po e lëmë pas, është 21 mijë e 156 sosh, për dallim nga ato të cilat kanë kërkuar të shuajnë aktivitetin e tyre, ku janë 20 biznese të cilave, është arritur të mbyllet veprimtaria e tyre… Sipas statistikave, të cilat kemi siguruar, bizneset të cilat kanë kërkuar që të hapen në vitin që lamë pas janë në sektorin ose aktivitet primar që kanë tregtia me shumicës dhe pakicë, që janë diku 2 mijë 722 biznese që janë hapur te kjo veprimtari. Ndërsa, te bizneset, të cilat janë mbyllur vitin që e lamë pas, kemi diku shtatë biznese, të cilat kanë kërkuar të mbyllen nga e njëjta veprimtari, nga veprimtaria e tregtisë me shumicë dhe pakicë… Sigurisht, procedurat e hapjes së një biznesi janë shumë më të thjeshta dhe nuk kanë shumë përgjegjësi ndaj shtetit, ligji nuk obligon shumë në pjesën e hapjes. Mirëpo, sa i përket pjesës së procedurës kur një biznes duhet të mbyllet, janë procedura të tjera, të cilat i parasheh për Administratën Tatimore dhe procedurat. Asnjë biznes nuk mund të mbyllet nëse nuk i plotëson të gjitha kriteret, të cilat thirren në nenet e përcaktuara nga ky ligj, pasi fillimisht biznesi duhet t’i kryejnë të gjitha obligimet, detyrimet që i ka ndaj Administratës Tatimore të Kosovës”, thotë Bytyqi-Sefa.

    Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK), Zana Beqiri, thotë për KosovaPress se bizneset e reja problemin më të madh e kanë te qasja në financa. Ajo potencoi se ka ngecje edhe sa i përket Fondit Sovran, derisa shtoi se qeveria duhet të veprojë me mekanizma më të mirë në lehtësimin e proceseve për mirëfunksionimin e bizneseve.

    Beqiri theksoi se bazuar në raportet e Bankës Botërore, sa i përket hapjes së bizneseve, Kosova ka qenë për një kohë të gjatë në top 10 vendet e botës.

    Ajo konsideron se procesi i hapjes së bizneseve është efikase dhe e thjeshtë, porse mbyllja e tyre është shumë më problematike.

    “Bizneset e reja problemin më të madh e kanë te qasja në financa. Arsyet janë kushtet mjaft të pavolitshme sa i përket kredive të biznesit, posaçërisht për bizneset e reja. Gjithmonë kërkohet një investim individual dhe për këtë arsye shihet si mjaft problematike kjo pikë, dhe mendojmë se qeveria duhet të vijë me mekanizma shumë më të mirë. Ne presim të shohim ndonjë lëvizje sa i përket edhe Fondit Sovran, mirëpo shohim që edhe ai proces ka ngecur…Kur kanë mungesë të financave, kanë edhe mungesë edhe në qasjen e ekspertizës dhe për këtë arsye edhe ngecin ose kanë vonesa, ose kanë probleme të ndryshme sa i përket furnizimeve, kualitetit të materialeve…15:21 Bazuar në raportet e Bankës Botërore, sa i përket hapjes së biznesit, ne kemi qenë për kohë të gjatë në top 10 vendet e botës. Hapja është aq efikase, mirëpo mbyllja është shumë problematike e për më tepër për shkak të një udhëzimi, i publikuar tash e disa muaj, është bërë mjaft problematik edhe te ndryshimet që kompanitë duan t’i bëjnë, sepse kërkohen dokumente të noterizuara”, thotë Beqiri.

    Kosova mbetet një vend jo tërheqës për investime të huaja, sidomos nga korporatat dhe markat e mëdha botërore. /kp

  • Kurti udhëton drejt Mbretërisë së  Bashkuar – ja kë pritet ta takojë

    Kurti udhëton drejt Mbretërisë së Bashkuar – ja kë pritet ta takojë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar.

    Kështu kanë njoftuar nga zyra e tij derisa kanë bërë me dije se do t’i zhvillojë disa takime, me zyrtarë të institucioneve.

    “Në qëndrimin e tij njëditor atje, krahas takimeve me zyrtarë të institucioneve, ai do të marrë pjesë në panelin e diskutimit mbi sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Ballkani Perëndimor, të organizuar nga Instituti i Politikave ‘’Chatham House’’, thuhet në njoftim.

  • Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës: Kemi marr premtim nga Qeveria e Kosovës për mbështetje

    Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës: Kemi marr premtim nga Qeveria e Kosovës për mbështetje

    Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, pavarësisht buxhetit të vogël që iu nda, ka shpresë për një ndihmë tjetër që iu premtua nga Kosova.

    Kryetari Nevzad Lutfiu tha që kanë marr premtime nga Kurti që do të kenë mbështetje për këtë çështje.

    “Ne i kemi shkruar edhe Ministrisë për qasjen diskriminuese që e kanë pas kemi kërkuar që me shiku sa më shpejt këtë vendim të tyre, i kemi shkruar edhe ministrisë, i kemi njoftuar edhe zyrtarët ndërkombëtarë, dhe kemi kërkuar mbështetje edhe prej Kosovës me mbulu pjesën e këtij dëmi që ju ka bërë institucionit të vetëm të shqiptarëve në Serbi. Unë besoj që shumë shpejt kemi me pasë një mbështetje prej Qeverisë së Kosovës”, deklaroi ai për Front Online.

  • Sot protestë në Mitrovicën e veriut për çështjen e dinarit, dalin në rrugë pensionistët

    Sot protestë në Mitrovicën e veriut për çështjen e dinarit, dalin në rrugë pensionistët

    Sot në ora 12:00 në Mitrovicën e Veriut është paralajmëruar se do mbahet një protestë nga pensionistët e komunitetit serb. Kjo thirrje është bërë nga Lista Serbe përmes rrjetit social Facebook.

    Protesta sipas tyre, vjen për të kundërshtuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit si mjet pagese.

    Zëvendësdrejtori i policisë në Mitrovicën e veriut Veton Elshani për rtv21.tv tha se Policia ka pranuar informatat se për këtë protestë.

    Në katër komunat veriore të Kosovës, me shumicë serbe, janë parë të dielën disa grafite të reja me mesazhet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar të dielën komunitetit serb në Kosovë, duke i thënë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nuk ia ndalon Serbisë që t’iu ndihmojë atyre dhe Kosova nuk e ka ndaluar dinarin, ashtu sikurse asnjë valutë tjetër.

    Ai i është referuar rregullores së BQK-së – që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt – e cila parasheh që valuta e vetme për kryerje të transaksioneve me para të gatshme është euroja.

  • 12 vjet nga tragjedia e Restelicës, momenti prekës kur u nxor e gjallë Amsera Reka

    12 vjet nga tragjedia e Restelicës, momenti prekës kur u nxor e gjallë Amsera Reka

    Sot mbushen 12 vjet nga tragjedia e Restelicës, fshat ky në komunën e Dragashit ku si pasojë e rënies së ortekut të borës kanë humbur jetën 10 banorë të këtij fshati, të gjithë të një familje.

    Nga kjo fatkeqësi natyrore u shkatërruan dhjetëra shtëpi, ndërsa fatkeqësisë i mbijetoi vetëm në atë kohë 7-vjeçarja, Amsera Reka, e cila tashmë jeton te të afërmit e saj. Asaj i vdiqën babai, nëna, vëllai dhe gjyshërit.

    Aksioni i shpëtimit ishte organizuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës, por arritja deri te vendi i tragjedisë ishte i vështirë, për shkak kushteve atmosferike dhe borës së madhe.