ATV

Tag: Ballina

  • Strategjia e punësimit, me mangësi në shifra konkrete

    Strategjia e punësimit, me mangësi në shifra konkrete

    Përgatiti: Haris Ademi

    E panjohur është lënë vlera monetare e burimeve për jetësimin e Strategjisë së Punësimit 2023-2027 në Kosovë.

    Veç kësaj, hartuesja, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve po kritikohet se në dokument ka lënë edhe paqartësi të tjera në qëllimet katërvjeçare.

    Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore thotë se strategjia përfshin analizë të mirë të gjendjes aktuale, por çalon në konkretizim të objektivave.

    “Te rezultatet është i mangët sepse nuk jepen shifra, as shpenzimet…”, tha Abazi.

    Abazi vlerëson se, në tërësi, strategjitë qeveritare nuk përputhen mes vete. Prandaj kanë dërguar komente me vërejtjet se në këtë të Punësimit, nuk është përfshirë fare sektori i energjisë së gjelbër.

    “Nuk janë përfshirë vendet që do të hapen në këtë sektor, izolimi, instalimet e paneleve…”, tha Abazi.

    Strategjia katërvjeçare e punësimit përthekohet në tri objektiva. Zhvillimin e aftësive të fuqisë punëtore, rritjen e pjesëmarrjes në treg të punës të grave, të rinjve dhe grupeve në rrezik përjashtimi dhe përmirësimi i kushteve të punës.

    Deri më 2027, mëtohet të ketë sigurim të detyrueshëm për të gjithë punëtorët. Ndërsa pritet të ulet në 10% informaliteti.

    Qeveria, gjithashtu, synon që paga minimale të jetë sa gjysma e pagës mesatare të po atij viti.

    Tashmë ka përfunduar periudha e konsultimit publik për këtë strategji, e cila pritet të miratohet në qeveri.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Stacionet policore në Istog e Fushë-Kosovë me mungesë të spërkatësve e jelekëve antiplumb

    Stacionet policore në Istog e Fushë-Kosovë me mungesë të spërkatësve e jelekëve antiplumb

    Përgatiti: Nora Luta

    Të paktën në dy vitet e fundit zyrtarët policorë në Istog e në Fushë-Kosovë ballafaqohen me mungesë të uniformës. Përveç veshmbathjeve adekuate, Inspektorati Policor gjatë inspektimit ka hasur në mungesë të jelekëve antiplumb, spërkatësve kimikë dhe radio-lidhjeve.

    Në raportet e publikuara për dy stacionet veç e veç, IPK-ja ka dhënë pothuajse vërejtjet dhe rekomandimet e njëjta.

    “Zyrtarët policorë kanë mungesë të këpucëve dhe çizmeve për punë. Zyrtaret policore, në mungesë të këmishëve adekuate, janë të detyruar të veshin këmishë për meshkuj. IPK-ja i rekomandon Drejtorisë së Logjistikës që në koordinim më Stacionin Policor të Fushë-Kosovës, të ndërmarrë veprime urgjente në furnizimin e zyrtarëve me uniforma policore. Për arsye të sigurisë, IPK-ja rekomandon furnizimin e stacionit me spërkatës kimikë, jelekë antiplumb dhe radiolidhje” thuhet në njoftimin e IPK-së.

    Sipas ish-togerit të Policisë, tani avokat, kushtet e tilla të punës përveç që ndikojnë në performancë, rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e zyrtarëve policorë.

    Sipas Rudarit, Policia detyrohet t’i marrë parasysh vërejtjet e IPK-së.

    IPK-ja, gjithashtu, ka vërejtje sa iu përket dhomave për ruajtjen e dëshmive, duke rekomanduar të respektohen rregullat mbi paketimin e dëshmive të konfiskuara në material adekuat varësisht prej specifikave të tyre.

    Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, e cila ka kompetencë për furnizim, e as Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë kthyer përgjigje, nëse kanë filluar të ndërmarrin ndonjë veprim rreth rekomandimeve dhe vërejtjeve të IPK-së.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Mitrovica agon me nacionalizmin serb në mure

    Mitrovica agon me nacionalizmin serb në mure

    Përgatiti: Armand Hoti

    Grafite me përmbajtje nacionaliste serbe ka gjithandej Mitrovicës së Veriut.

    Megjithatë, tash mureve të qytezës iu shtuan edhe dy të reja, të lokalizuara fare pranë sheshit kryesor.

    Si autor të mbishkrimeve në çirilicë, ka dalë hapur Brigada e Veriut, të cilën qeveria e Kosovës e ka shpallur organizatë terroriste.

    Njohësi i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se dikush ka interes që veriu të ketë tensione, andaj edhe bëhen grafitë të tilla urrejtje-nxitëse.

    “Këtu është vetëm një tentim i vogël që ta mbajnë situatën nën tension, pork jo është paksa ndryshe pasi Policia e Kosovës ka kapacitete të polta në veprim, e përmenda 24 shtatorin dhe asgjë nuk është njëjtë pas 24 shtatorit…Grupi terrorist Brigada e Veriut dhe Mbrojta civile nuk janë më në Kosovë dhe nëse vijnë do të arrestohen sikurse në çdo shtet tjetër demokratik”, tha Dashevci.

    Sipas Dashevcit, dy grupet e përmendura, nuk gëzojnë autoritetin që kanë pasur dikur në popullatën serbe në veri të Ibrit.

    “Unë nuk e besoj që do mundë të mbajnë situatën nën tension, pasi faktet janë krejt ndryshe…Mendimi im në aspekt sigurie është se këta nuk e kanë më atë famë siç e kanë pas para 24 shtatorit, mirëpo a do të tentojnë në vazhdimësi, gjithsesi se po. Por, fakti është ndryshe sepse rezultatet do t’i kenë më të dobëta thuasje zero sepse vetëdijësimi qytetar matan lumit ibër është për 80-85% më i lartë ngase ka qenë para 24 shtatorit”, tha Dashevci.

    Policia ka konfirmoi për ATV-në, se tashmë është hapur rast për nxitje të urrejtjes, ndërsa ende nuk ka të dyshuar apo të arrestuar.

    Grafitet u bënë në kohën kur hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore, që nuk e njeh dinarin si valutë për pagesa, gjë e cila ka ngjallur reagime të serbëve lokal, por edhe faktorit ndërkombëtar.

    Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile janë shpallur organizata terroriste nga autoritetet në Prishtinë, në fund të qershorit të vitit të kaluar, pas protestave të dhunshme kundër kryetarëve shqiptarë, në të cilat u lënduan dhjetra ushtarë të KFOR-it.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Komentet e Trumpit për NATO-n priten me kritika nga perëndimi

    Komentet e Trumpit për NATO-n priten me kritika nga perëndimi

    Zyrtarë të lartë të Perëndimit e kanë kritikuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump, të dielën, pasi ai ka sugjeruar se Shtetet e Bashkuara mund të mos i mbrojnë aleatët e NATO-s – që nuk janë duke ndarë mjaftueshëm para në mbrojtje – nga një pushtim potencial prej Rusisë.

    “Çdo sugjerim që aleatët nuk do të mbrojnë njëri-tjetrin, dëmton sigurinë e të gjithëve, përfshirë atë të SHBA-së, dhe i rrezikon ushtarët amerikanë dhe ata evropianë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përmes një deklarate me shkrim.

    “Çdo sulm ndaj NATO-s do të rezultojë me një përgjigje të përbashkët dhe të fuqishme”, ka thënë ai.

    Trump ka gjasa të fitojë nominimin e republikanëve në garën presidenciale, që do të mbahet në nëntor të këtij viti.

    Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, ka reaguar, po ashtu.

    “Motoja e NATO-s është ‘një për të gjithë, të gjithë për një’, dhe ky është përkushtim konkret. Minimi i kredibilitetit të shteteve aleate nënkupton dobësim të gjithë NATO-s”, ka thënë ai në X, platformë e njohur më parë si Twitter.

    “Asnjë lloj i fushatës nuk është arsyetim për të luajtur me sigurinë e aleancës”.

    Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka postuar një mesazh “Një për të gjithë, të gjithë për një’ me thirrjet “Së bashku më të fortë”, gjithashtu, në X, pas komenteve të Trumpit.

    Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka thënë se “deklaratat për sigurinë e NATO-s dhe Aktin 5, u shërbejnë vetëm interesave të [presidentit rus, Vladimir] Putin”.

    Artikulli 5 i traktatit të NATO-s përcakton se një sulm i armatosur kundër një anëtari të aleancës konsiderohet sulm kundër të gjitha vendeve dhe nxit mbrojtje të përbashkët.

    Trump, duke e rikujtuar një takim me liderë të NATO-s, gjatë një marshi politik në Karolinën e Jugut, e ka cituar presidentin e një “shteti të madh”, që nuk ia ka përmendur emrin, duke e pyetur atë, “Zotëri, nëse ne nuk paguajmë, dhe sulmohemi nga Rusia, a do të na mbroni?”

    “I kam thënë: ‘Nuk keni paguar? Jeni delikuent?’ Ai ka thënë: ‘Po, kështu ka ndodhur’. Jo, nuk do t’ju mbroj juve. Në fakt do t’i inkurajoja ata të bëjnë çfarë të duan. Duhet të paguani”.

    “Ne e kemi dëgjuar këtë më parë… asgjë e re”, ka thënë Komisionari i Bashkimit Evropian për Treg të Brendshëm, Thierry Breton, në një intervistë për televizionin francez LCI.

    “Ai ndoshta ka probleme me kujtesën, mirëpo në fakt ka qenë një presidente, jo një shtet, por Bashkimi Evropian”, ka thënë Breton, duke iu referuar një bisede që ka pasur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen me Trumpin, më 2020.

    Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, i pyetur për komentet e Trumpit, ka thënë se “inkurajimi i pushtimit të aleatëve tanë të ngushtë nga regjimet vrasëse, është i tmerrshëm dhe i pavarur – e rrezikon sigurinë kombëtare amerikane, stabilitetin global dhe ekonominë në shtëpinë tonë”.

    Të 31 vendet anëtare të NATO-s janë pajtuar që të ndajnë të paktën 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm në fushën e mbrojtjes, mirëpo të dhënat e NATO-s kanë treguar e vetëm 11 prej tyre janë duke vepruar ashtu.

  • Publikohet logoja zyrtare për shënimin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës

    Publikohet logoja zyrtare për shënimin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës

    Qeveria e Kosovës ka bërë tashmë publike logon me të cilën pritet të shënohet përvjetori i 16-të i pavarësisë së shtetit.

    “Kosovë, ne të dalim zot!”, mbishkruhet në logon e pavarësisë, të cilën qeveria e ka shpërndarë në faqen zyrtare në ‘Facebook’.

    Qeveria ka ndarë edhe agjendën për 17 shkurt, ku pritet të ngrihet flamuri i Kosovës fillimisht, homazhe tek ish-presidenti Ibrahim Rugova, tek komandanti legjendar Adem Jashari.

    Po ashtu, nga ora 12:00 do të mbahet një seancë solemne në nder të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

    Qeveria ka ndarë agjendën edhe për nder të 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së (5,6 dhe 7 mars) dhe 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës (12 qershor).

  • Azemi: Pas liberalizimit ikën 140 mijë punëtorë, 70 për qind e kompanive kanë përmirësuar kushtet e pagat

    Azemi: Pas liberalizimit ikën 140 mijë punëtorë, 70 për qind e kompanive kanë përmirësuar kushtet e pagat

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë për Ekonomia Online se 70% e kompanive pas liberalizimit të vizave kanë përmirësuar kushtet e punës, pasi kjo iu është imponuar.

    Ai ka thënë se ka lëvizje edhe tek pagat, por që ato nuk janë ende në nivelin që e meritojnë punëtorët.

    “Ka përmirësim kushtesh, paga të mira të punëtorëve jo aq sa e meritojnë por ka lëvizje. Por më e rëndë është fakti se iu është imponuar, ka lëvizje edhe tek pagat. E kushtet nuk ka dilema aty, shembull në markete deri vonë ka qenë 250 euro tashmë kemi ngritje 350 megjithatë ka vende që s’e kanë këtë pagë. Diku 70% të kompanive kanë lëvizur në këtë drejtim”, ka thënë ai.

    Azemi ka thënë se pas liberalizimit të vizave rreth 140 mijë persona janë larguar nga vendi.

    Ai ka shtuar se si Sindikata e po ashtu edhe bizneset janë të indinjuar se si qeveria nuk ka marr hapa me herët për të parandaluar këtë dukuri.

    “Ne kemi paralajmëruar si Sindikatë se mund të kemi rreth 150 mijë punëtorë që do të largohen, megjithatë nuk duhet të japim shifra. Por shifrën që e kemi dhënë për gjatë gjithë vitit, vetëm për një muaj kemi pasur ikje 140 mijë vetëm gjatë janarit. Vetëm nga aeroporti 230 mijë dalje por duke e konsideruar që 50% të tyre kthehet, 25% kanë shkuar të themi tek familjarët e tyre, pjesa tjetër mbetet shqetësuese dhe ne jemi shumë të indinjuar, edhe pronarët e kompanive sepse ata e kanë parë seriozitetin e kësaj pune”, ka thënë ai.

  • Erëra të forta në Prishtinë, komuna thotë se do të sjellin dëme materiale

    Erëra të forta në Prishtinë, komuna thotë se do të sjellin dëme materiale

    Komuna e Prishtinës u ka kërkuar qytetarëve që të kenë kujdes, pasi sot (e dielë), parashihet të ketë erëra të forta, që mund të sjellin edhe dëme materiale. Komuna ka bërë të ditur se do të izolohet zona përreth objektit të Kryeqytetit në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

    Kjo do të bëhet për të parandaluar ndonjë fatkeqësi të mundshme për shkak se janë paralajmëruar erëra të forta nga 20 deri në 80 km/h të cilat do të sjellin edhe dëme materiale.

    “Sipas parashikimeve meteorologjike, e diel 11 Shkurt 2024, parashihet të ketë reshje shiu, të cilat në momente të caktuara do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me ndonjë shkarkesë elektrike. Era do të fryjë nga juglindja, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 20-80 km/h! Parashihet të ketë dëme materiale në zona të caktuara”, thuhet në njoftimin e komunës.

  • Kupchan i jep të drejtë Kurtit për dinarin, por e kritikon për kontekstin

    Kupchan i jep të drejtë Kurtit për dinarin, por e kritikon për kontekstin

    Profesori në Universitetin Georgetown dhe ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Charles Kupchan ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka të drejtë të shtrijë sovranitetin monetar, por ama në kontekstin aktual e ka quajtur “të padobishme, të panevojshme dhe provokuese”.

    “Mendoj që kryeministri Kurti ka çdo të drejtë politike dhe ligjore, që serbët në veri duhet të përdorin euron, ashtu si këtu në Shtetet e Bashkuara, ku ata që jetojnë në Floridë përdorin dollarin. Por në kontekst të një momenti delikat kur Serbia dhe Kosova, shpresojnë, po provojnë të mbështesin Marrëveshjen e Ohrit, unë mendoj që veprime të këtilla nuk janë të dobishme, por panevojshëm dhe provokuese“, tha ai për Tëvë1.

    Tutje Kupchan ka thënë se është optimist se një normalizim do të ndodhë mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Kam besim që në fund, Kosovën dhe Serbinë të pajtohen dhe normalizojnë marrëdhëniet. Në mendjen time është pyetje ‘kur’ do të ndodhë kjo, e jo ‘nëse’ do të ndodhë kjo. Mendoj që është një moment kur të dy, edhe Kurti, edhe Vuçiq, duhet të dëshmojnë kurajë politike, të bëjnë zgjidhje dhe lëshime të rënda, por në vend të kësaj çfarë po shohim është se po luajnë rolin e nacionalizmit, e që nuk është e dobishme”, thotë ai.

  • Asnjë bankë serbe s’ka aplikuar për licencim në BQK

    Asnjë bankë serbe s’ka aplikuar për licencim në BQK

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pavarësisht se kanë kaluar 10 ditë që nga hyrja në fuqi e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës më të cilën parashihet që pagesat në Kosovë të kryhet vetëm me euro, asnjë bankë serbe nuk ka aplikuar për licencim.

    Sipas rregullores që nga hyrja e saj në fuqi, bankat kanë kohë 30 ditë që bëjnë kërkesë për licencim. BQK-ja përmes një përgjigje për ATV-në nuk dha detaje nëse edhe bankat të cilat tashmë operojnë në Kosovë kanë aplikuar për këtë licencë.

    “Ju informojmë se që nga hyrja në fuqi e rregullores, Për Operacionet me Para Të Gatshme nuk ka aplikuar – s’ka bërë kërkesë për licencim asnjë bankë që vjen nga shteti serb. Procedurat dhe kriteret e licencimit janë të rregulluara me Rregulloren e BQK-së për Licencimin e Bankave dhe Degëve të Bankave të Huaja. Për çdo aplikues, procedurat dhe kriteret për licencim janë të sqaruara”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

    Ndërkaq sipas ekonomistëve bankat në Kosovë mund edhe të hezitojnë për të hapur filiale në komunat veriore për shkak të situatës së brishtë atje.

    Sipas tij afati për 30 ditësh edhe mund të shtyhet.

    Në rregullore të BQK-së për para të gatshme në nenin 36 parashihet se këmbimet valutore mund të kryhen në Republikën e Kosovës vetëm përmes institucioneve të licencuara nga BQK-ja që ofrojnë këtë shërbim.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Qeveritarët optimistë për autostradën deri në Gjilan

    Qeveritarët optimistë për autostradën deri në Gjilan

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Sikurse ky ekip i ATV-së, për ta shfrytëzuar autostradën Prishtinë – Gjilan, qytetarët duhet të presin edhe një kohë. E paraparë të përfundonte në vitin 2020, punët në terren, po shkojnë ngadalë.

    Ndonëse në vende të caktuara është kantier ndërtimi, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi është optimist që segmenti deri në Bresalc të finalizohet gjatë këtij viti.

    “Nga Banulla ku fillon autostrada e deri në Bresalc disa lote janë para përfundimit kanë mbet vetëm këto punët finale ne disa ka pak ma shume pune dhe jemi duke punu një urë, që është në pjesë të Zheovcit dhe na kanë mbet disa pjesë të gërmimit që duhet me i përfundua që me e hapë komplet trasenë dhe deri ka gjysma e vitit po shpresojmë qe deri kah gjysma e vitit ta përfundojmë komplet deri ne Bresalc”, tha Durmishi.

    Për projektin që në veçanti do t’iu shërbejë banorëve të Anamoravës dhe Luginës së Preshevës, foli edhe kryetari i Gjilanit. Alban Hyseni theksoi problemet.

    “Problemet me shpronësimin, rrëshqitjet e dheut për shkak të kualitetit jo të mirë të projekti. Kemi pas edhe zvarrite të punëve nga operatori për shkak të ngritjes së çmimeve që kanë sjellë problem. Unë besoj që brenda këtij viti autostrada e Gjilanit do të jetë temë e harruar”, tha Hyseni.

    Ndërkohë, ministria e Infrastrukturës pritet ta shpallë tenderin për ndërtimin e segmentit nga Bresalci deri të Dheu i Bardhë. Fillimisht janë paraparë 60 milionë euro.

    “Këto nuk mjaftojnë por planifikohet që autostrada në tërësinë e saj, pra deri te Dhe u Bardhe faza e ndërtimit te zgjasë 4 vite… kështu që një pjesë e buxhetit është e parapare ne vitin i cili nuk është ende në buxhet pra ne vitin 2024-25 dhe 2026-27 që të përfundojë në tërësi”, tha Durmishi.

    Gjatësia e autostradës nga Prishtina deri në Gjilan është 22 kilometra, teksa mbi 12 kilometra janë të asfaltuara dhe të përfunduara.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: