ATV

Tag: Ballina

  • Thyhet tradita, parakalimi i FSK-së nuk do bëhet më 17 shkurt

    Thyhet tradita, parakalimi i FSK-së nuk do bëhet më 17 shkurt

    Përgatiti: Armand Hoti

    Kosova po i bënë 16 vite si Republikë e Pavarur dhe Demokratike.

    Siç e do tradita, më 17 shkurt qytetarëve të Republikës më të re në Evropë, iu mundësohet të shohin parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në sheshin kryesor të kryeqytetit.

    Por, këtë herë parakalimi i trupave të Forcës, nuk është në listën e aktiviteteve të parapara për 17 shkurt.

    Ministri i Mbrotjes, Ejup Maqedonci thotë se parakalimi i ushtarëve kosovarë, është shtyrë për datën 12 qershor, respektvisht në 25 Vjetorin e Çlirimit të Kosovës.

    “Komisioni ndërqeveritar për shënimin e festimit të tri datave kyçe gjatë këtij gjashtë mujori që është dita e Pavarësisë, Epopeja e UÇK-së dhe Dita e Çlirimit të vendit tonë, ka vendosur që parakalimi për këtë vit të vendoset më 12 qershor për shkak që 12 qershori do jetë vit jubilar, pra është 25 vjetori i çlirimit të vendit tonë”, tha Maqedonci.

    17 shkurtin, krerët shtetërorë do ta fillojnë në tetë të mëngjesit, me mbledhjen festive të Qeverisë së Kosovës.

    Pas ngritjes së flamurit në ora tetë e 20 minuta, pushtetarët do bëjnë nderime e homazhe përkujtimore tek varret e figurave që prijnë procese historike të shtet ndërtimit të Kosovës.

    Në mes të ditës, pritet të mbahet seanca solemne e Kuvendit. që pasohet nga pritjet shtetërore dhe koncerti i Pavarësisë.

    Dita do mbyllet me performimin e Filharmonisë së Kosovës.

  • BE – Qeverisë: Projektligji për KPM-në të mos ndikojë negativisht në lirinë e mediave

    BE – Qeverisë: Projektligji për KPM-në të mos ndikojë negativisht në lirinë e mediave

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se ndryshimet në Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KMP) duhet të bëhen në atë mënyrë që nuk do të kenë “ndikim negativ” në lirinë e mediave.

    Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Ioanna Lachana, tha se blloku evropian ka avokuar vazhdimisht që Kosova të rishikojë ligjin për KPM-në, në mënyrë që ai të jetë në përputhje me Direktivën e BE-së për mediat audo-vizuale.

    “Është thelbësore që Kosova të miratojë ligjin me shpejtësi, përmes një procesi të hapur dhe transparent, me konsultimet e duhura, ku do të përfshihej shoqëria civile dhe organizatat mediale”, tha zëdhënësja e Zyrës së BE-së.

    Lachana tha se BE-ja aktualisht është duke analizuar ndryshimet në Projektligjin për KPM-në dhe më pas do të japë komente për të “tek autoritetet kompetente”.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, por edhe një grup i organizatave ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga ndryshimet në projektligjin, i cili synon rregullimin e mediave online. Ata e kanë parë këtë legjislacion si “sulm” ndaj mediave, duke shprehur drojën se ekzekutivi mund ta përdorë këtë ligj për të censuruar mediat.

    I ashtuquajturi Projektligj për Komisionin e Pavarur të Mediave, është miratuar nga Qeveria më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës.

    Legjislacioni parasheh që mediat online, që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale.

    Ndryshimet në legjislacion parashohin gjoba deri në 40.000 euro për mediat që bëjnë shkelje të ndryshme ligjore.

    Aktualisht, tekstet e publikuara në mediat online monitorohen nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës. Ai nuk gjobit mediat për gabimet e tyre, por merr vendime për ankesat e bëra ndaj mediave dhe më pas vendimet e Këshillit mund të përdoren për të ngritur padi civile ndaj mediave nëpër gjykatat e Kosovës.

    Ndërkohë, përmbajtja audio-vizuale e publikuar në mediat online nuk monitorohet nga askush. Këshilli i Mediave të Shkruara, ka thënë se në shumicën e rasteve videot e publikuara shoqërohen me një tekst për të njëjtën temë dhe kështu bëhet monitorimi edhe i tyre.

    Në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian është thënë se “amendamenti, që është aktualisht në proces, do të duhej ta harmonizonte më tej Ligjin me Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audio-Vizuale për t’i shtrirë kompetencat e tij edhe në mediat audio-vizuale online”. /REL

  • Çështja e dinarit, Escobar: Vendimet e njëanshme kanë pasoja, palët të kthehen në dialog

    Çështja e dinarit, Escobar: Vendimet e njëanshme kanë pasoja, palët të kthehen në dialog

    I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka komentuar zhvillimet e fundit, me hyrjen në fuqi të rregulloreS së BQK-së që përjashton përdorimin e dinarit në Kosovë.

    Emisari amerikan tha se palët e kanë plotësisht të qartë se nuk mund të ketë lëvizje të njëanshme dhe se lëvizje të tilla do të kenë pasoja.

    Escobar tha se këto çështje duhet të komunikohen me afate që nuk prekin popullatën. Ai përsëriti se palët duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet

    “Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në zgjidhjen e problemit, por Beogradi dhe Prishtina duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet ekzistuese,” tha ai.

    Sipas tij, shumë nga këto çështje mund të zgjidhen me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Esobar tha se SHBA-të e mbështesin plotësisht dialogun nën patronazhin e BE-së dhe investojnë të gjitha përpjekjet për ta vazhduar atë, si dhe dialogu është i vetmi kanal për zgjidhjen e “çështjeve dypalëshe”.

    “Përkrahja jonë teknike, mbështetja jonë ekonomike dhe ndikimi ynë politik qëndron pas kësaj, sepse në fund të fundit, aspiratat tona më të mëdha janë që Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Dhe të zhvillojnë marrëdhënie bilaterale paqësore, produktive dhe efikase në ndërkohë”, tha Escobar.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka ritheksuar dje se nuk do të ketë kthim pas të vendimit të BQK-së, por nuk do të ketë masa ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit për ndalimin e dinarit, derisa ky institucion doli me njoftim se kjo periudhë mund të zgjasë deri në tre muaj.

    Kurti tha se serbëve etnikë do t’u jepet kohë për t’u përshtatur me vendimin e ri.

    “Qeveria e Kosovës, në kuadër të kompetencave të saj, nuk do të zbatojë asnjë masë ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit dhe u bën thirrje shtyllave të tjera që të mbajnë me përkushtim të njëjtin qëndrim. Jemi duke punuar për informacione më të plota, të cilat do t’i zbulojmë në ditët në vijim”, shkroi sot Kryeministri Kurti.

    E lidhur me këtë fazë tranzicioni nga BQK thanë se ajo mund të zgjasë deri në tre muaj, derisa prezantuan edhe një plan 10 pikësh.

  • Shala: Mund të kemi përshkallëzim të situatës në veri, protestës i priu Lista serbe e mbështetur nga Beogradi

    Shala: Mund të kemi përshkallëzim të situatës në veri, protestës i priu Lista serbe e mbështetur nga Beogradi

    Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë për Ekonomia Online se protesta e djeshme në veri të vendit nuk ishte e organizuar nga pensionistët serb por nga krerët e Listës serbe të mbështetur nga Beogradi. Synim sipas Shalës e kanë kundërshtimin e çdo vendimi legale të institucioneve të Kosovës.

    Shala ka folur mbi kundërshtitë e serbëve mbi Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, me ç’rast nuk e përjashton ndonjë përshkallëzim të situatës në veri.

    “Tanimë mbrapa protestës së organizuar de-facto nuk është shoqata e pensionistëve serbë të pjesës veriore, por mund të themi që mbrapa protestës së ditës së djeshme ishte Lista Serbe respektivisht Beogradi zyrtar të cilët me çdo kushte po tentojnë që të kundërshtojnë çdo vendim legal dhe legjitim të institucioneve të Republikës së Kosovës”, u shpreh Shala.

    Duke folur për mbledhjen në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, Shala e ka parë si “kërkesë” të ndërkombëtarëve që Brukseli është vendi i duhur për t’i diskutuar çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe çështjen e dinarit.

    “Sa i përket çështjes se a mund të kemi ndonjë përshkallëzim eventual në ditët dhe javët në vijim kjo varët gjithmonë nga konturat politike të cilat i ka paraparë dhe interesat që i ka Beogradi zyrtar në kontekstin e pengimit të mëtutjeshëm të Kosovës drejtë integrimit euroatlantike. Nëse i referohemi edhe çështjes së takimit në Këshillin e Sigurisë në Kombet e Bashkuara ku patë një debat në kontekstin e bashkërendimit të veprimeve të pretenduara të Serbisë me partnerët dhe aleatët tanë, de-facto është kundërshtuar në forma të ndryshme si; Këshilli i Sigurisë së OKB-së nuk është vendi i duhur për të diskutuar dhe ne do të duhej të rikthehemi në pjesën e dialogut sa i përket çështjes së Brukselit dhe pikërisht në kudër të këtij dialogu të diskutohet edhe sa i përket vendimeve të ndërmarra për çështjen e dinarit por sa është me rëndësi të potencohet dhe të theksohet është çështja se organet e sigurisë kanë ndërmarrë veprimet e tyre preventive por njëkohësisht gjatë ditëve dhe javëve në vijim, mund të kemi ndonjë përshkallëzim eventual të situatës së sigurisë, por kjo do të mbetet për t’u parë dhe për të analizuar nga informatat që mund të merren përmes rrugëve operative nga institucionet tona të sigurisë”, deklaroi Shala.

  • Hill: SHBA ka qenë shumë e qartë lidhur me ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë

    Hill: SHBA ka qenë shumë e qartë lidhur me ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë

    Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, tha se qeveria amerikane ishte shumë e qartë për shqetësimet e saj rreth vendimit për ndalimin e dinarit në Kosovë.

    Në Uashington, ku mori pjesë në një pritje me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, Hill, i pyetur nga për çështjen e dinarit. Ai tha se nuk dëshiron të hyjë në detaje se çfarë po ndodh aktualisht në Kosovë, por se duhet të ketë përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

    “Ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe do të shohim pjesën tjetër”, tha Hill.

    I pyetur nëse dialogu është në errësirë ​​pas lëvizjeve të fundit rreth vendimit të BQK-së, ambasadori Hill thotë se nuk dëshiron ta karakterizojë dialogun dhe se këtë ia lë të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, por beson se shumë probleme, përfshirë edhe dinarin, duhet të zgjidhen me dialog.

  • Ministri Murati raporton sot në Komisionin për Mirëqenie Sociale

    Ministri Murati raporton sot në Komisionin për Mirëqenie Sociale

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati sot raporton para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

    Në këtë komision, temë diskutimi do të jetë strategjia legjislative lidhur me skemat sociale dhe pensionale për vitin 2024.

    Në këtë takim do të diskutohet edhe për planet dhe prioritetet për fushën e skemave sociale dhe pensionale për vitin 2024.

    Takimi nis në orën 11:00, në Kuvendin e Kosovës.

  • Këtë javë, Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca plenare

    Këtë javë, Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca plenare

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Gjatë kësaj jave, Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca plenare.

    Fillimisht, deputetët do të mblidhen të mërkurën për të shqyrtuar një varg pikash të mbetura nga seancat e kaluara.

    Ndërkaq marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat nuk u votuan javën e kaluar në mungesë kuorumi si dhe plotësim-ndryshimet kushtetuese për procesin e vetingut do të shqyrtohen në seanca të ndara ditën e enjte.

    “Nga mbledhja e rregullt e Kryesisë me GP u dakorduam qe për këtë jave Kuvendi të mbaj 3 seanca plenare. E para është të mërkurën e cila do të vazhdojmë me seancën e papërfunduar”, tha shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

    Në këtë seancë, PDK-ja ka paralajmëruar se do të iniciojë themelimin e komisionit hetimor parlamentar për kontratat njëburimore dhe për tekstet shkollore.

    “Ajo që ishte me e habitur ishte refuzimi për votimin e Komisionit për hetimin në lidhje me humbjen e mostrave të rastit Dehari. Është një rast që është keqpërdorur shumë nga VV-ja. I bëj thirrje kësaj mazhorance që të votoj një Komision të tillë. Kërkoj që të mos refuzohet sepse ne do ta përsërisim një gjë të tillë. Do t’i iniciojmë edhe dy Komisione hetimore tjera”, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

    Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, vuri në pah nevojën për miratimin e disa ligjeve.

    “Kemi mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për ligjin e Sigurimeve Shëndetësore. Mos e bë Zot me iu sëmurë dikujt prindi apo fëmija, krejt kursimet duhet me i shkri, me hy në borxh për shërimin. Paga në sektorin publik”, tha Tahiri.

    Ndërkaq, të shtunën është paraparë të mbahet seancë solemne për nder të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

  • Protestë kundër rregullores, serbët duan të paguhen me dinarë

    Protestë kundër rregullores, serbët duan të paguhen me dinarë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Praktikën e marrjes së pensionit në dinarë nuk duan të ndërrojnë.

    Kjo qe edhe arsyeja që shoqata e pensionistëve serb në Kosovë, thirrën protestë në Mitrovicë të Veriut për ta kundërshtuar rregulloren e Bankës Qendrore, që ndalon qarkullimin e çfarëdo valute tjetër në vend përveç euros.

    “Duhet që vendimi të revokohet dhe të mundësohet dorëzimi i dinarëve në postë dhe banka. Ne kemi nevojë për atë që të jetojmë si çdo botë normale. Na duhet sot, jo nesër”, tha Dushanka Gjorovic nga shoqata e pensionistëve.

    Në organizimin që u mbajt në sheshin kryesor të qytetit, u bashkuan edhe civilë e politikanë. Në rend të parë u vunë përfaqësuesit e Listës Serbe, që akuzuan kryeministrin Albin Kurti për tentim-spastrimi etnik ndaj serbëve të Kosovës.

    “Ky është rasti të themi që nuk pajtohemi me vendimet e Albin Kutit, të cilat vendime vetëm sa e përkeqësojnë këtë situatë në veri. Ky vendim është kundër popullit serb që të mbijetojnë në këto treva, është që t’i ndal institucionet serbe në Kosovë”, tha Dragisha Milloviq, nënkryetar i Listës Serbe.

    Sipas tyre, largimi i dinarit nga qarkullimi po i varfëron serbët e këtushëm.

    “Heqja e dinarit, i cili për herë të parë është prerë në vitin 1214 në territorin e Kosovës, më saktë në Novibërdo, do të thotë heqje e jetës për popullin tonë. Ky vendim vë në pikëpyetje se si prindërit do të blejnë ushqime për fëmijët e tyre, si do të marrin studentët bursa, si dhe nga çfarë do të paguajnë tarifat e shkollës, do të paguajnë provimet”, tha Dragana Milenkoviq, profesoreshë e Fakultetit Ekonomik.

    Këta e thirrën bashkësinë ndërkombëtare ta ndalojnë një person si Albin Kurti të mos e shkatërrojë gjithçka që përfaqëson Bashkimi Evropian.

    Pas afro një ore, protesta përfundoi derisa qytetarët u shpërndanë qetësisht.

  • BQK-ja publikoi 10 veprimet për tranzicionin nga “dinar në euro”

    BQK-ja publikoi 10 veprimet për tranzicionin nga “dinar në euro”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Pak pasi nga Britania e Madhe, kryeministri Albin Kurti theksoi se komunitetit serb do t’i jepet kohë për tranzicion lidhur me çështjen e dinarit, Banka Qendrore njoftoi se kjo periudhë mund të zgjasë deri në tre muaj.

    Krahas kësaj, BQK-ja kumtoi një listë prej dhjetë veprimesh me qëllim lehtësimin e zbatimit të rregullores për operacione me para të gatshme.

    Krahas linjës telefonike pa pagesë, mes tjerash, plani parasheh lehtësime për hapjen e llogarive bankare në komunat me shumicë serbe, pezullim i tarifës për hapje të zyrave për institucionet financiare, shtim i prezencës me degë të reja banka e bankomatë, këmbimore, si dhe fushatë edukuese e informuese.

    Gazetari nga Mitrovica e Veriut, Branislav Krstic, vlerëson se kryeministri e ka kuptuar se komuniteti serb nuk ishte i informuar sa duhet.

    “Më duket se më mirë (për informim) do të ishte sikur kryeministri të ishte në disa kafe në Mitrovicë të Veriut, por kjo është strategjia dhe agjenda e tij”, tha Krstic.

    Por, duke përmendur konferencën informuese të guvernatorit të BQK-së, Krstic tha se Beogradi dhe Lista Serbe po mbajnë në terr informativ komunitetin serb.

    “Para gazetarëve të mediave të Kosovës në gjuhën serbe shumë saktë e ka sqaruar në cilin drejtim BQK-ja po insiston për integrimin financiar në shtetin tonë, por problemi është se ata pjesëtarë të mediave që kanë qenë atje nuk e kanë publiku atë mesazh nga z. Ismaili”, tha Krstic.

    Edhe pse periudhën e deritanishme e vlerësoi të pamjaftueshme, gazetari Bekim Kabashi tha se, megjithëkëtë, problemi nuk qëndron te informimi, por te mënyra e se si do të hyjnë paratë nga Serbia në Kosovë.

    “Në këtë rast konkret Banka Qendrore e Kosovës duhet të ketë një marrëveshje me Bankën e Serbisë, që ato të mund të transferohen përmes llogarive bankare. Normal urdhri jepet me dinar, por ato të dalin në llogari të qytetarëve me euro. Në këtë drejtim nuk kemi ndonjë hap pozitiv. Dhe ajo që pritet në ditët, javët në vijim, është që të ketë reagim të qytetarëve serbë dhe presion ndërkombëtar dhe të përfundoj me imponimin e një marrëveshje mes palëve”, tha Kabashi.

    Krahas kritikave për mënyrën e zbatimit të rregullores së re të BQK-së, SHBA-ja dhe BE-ja i kanë kërkuar Kosovës hapësirë kohore për mundësimin e lehtë të tranzicionit dhe shmangien e tensioneve eventuale.

  • Seriali më i ri vendor “Zyre për punësim”, vjen çdo të enjte nga ora 20:00 në ATV

    Seriali më i ri vendor “Zyre për punësim”, vjen çdo të enjte nga ora 20:00 në ATV

    “Zyre për punësim” është seriali më i ri vendor, i cili vjen për shikuesit e ATV-së çdo të enjte, duke filluar nga ora 20:00.

    Me producentë Genc Berisha dhe Rifat Smani, ky serial do të jetë një prej komedive të situatave që do të sjellë të qeshura të pafundme dhe origjinalitet.

    Kasta e aktorëve te “Zyra për punësim” përbëhet nga Lulzim Bucolli, Rifat Smanim, Genc Berisha, Diellza Balaj, e shumë të tjerë.

    Seriali do të sjell një perspektivë të freskët dhe humoristike për aktualitet vendore, duke ofruar një shpërqendrim të bukur nga rutina e përditshme.