ATV

Tag: Ballina

  • Rama: Banjska ka qenë një kthesë e rrezikshme për gjithë Ballkanin Perëndimor

    Rama: Banjska ka qenë një kthesë e rrezikshme për gjithë Ballkanin Perëndimor

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se sulmi i Banjskës ka qenë një kthesë e rrezikshme për bashkëjetesën e komunitetit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    “Nuk kemi qenë asnjëherë po mirë, edhe pse pa diskutim nuk jemi pa probleme dhe nuk është se nuk kemi parë edhe në të shkuarën e afërt kthesa të rrezikshme dhe ajo lidhur me Banjskën ka qenë një kthesë vërtet e rrezikshme. Ka qenë një moment vërtet shumë dramatik në bashkëjetesën e komunitetit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të sjellin rast ne jemi shprehur në mënyrë shumë të qartë”, tha Rama.

    Ai tha se nëse problemet nuk adresohen me dialog, mund të jenë jo vetëm të rrezikshme, por sipas tij edhe fatale.

    “Është e rëndësishme që të mos e humbasim fokusin se jemi më mirë se ndonjëherë, por gjithçka që është arritur mund të kthehet përmbys nëse ne e marrim për të mirëqenë dhe nuk i adresojmë me dialog, me konstruktivitet, me sensin e të ardhmes, ato probleme që potencialisht të përmbajnë edhe rreziqe pastaj, për kthesa që mund të jenë vetëm të rrezikshme, mund të jene edhe fatale”, tha Rama. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të Edi Ramës në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti mburret me punën e Qeverisë në 3-vjetorin e fitores së LV-së

    Kurti mburret me punën e Qeverisë në 3-vjetorin e fitores së LV-së

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është mburrur për punën e Qeverisë së Kosovës në 3-vjetorin e fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021.

    Kurti para kabinetit qeveritar të mërkurën, tha se kanë dëshmuar se është e mundur të qeveriset në përputhje me vullnetin e popullit dhe me duar të pastra.

    Sipas tij, në këto tri vite kanë shtrirë ligjshmërinë në tërë territorin e Kosovës, sikurse kanë luftuar krimin dhe korrupsionin.

    Duke përmendur dikasteret e ekonomisë dhe drejtësisë, Kurti tha se për të njëjtat ka pasur përpjekje për t’i ngadalësuar, por se të njëjtat do të bëhen.

    “Kosova e 14 shkurtit, sot pas tri vitesh është Republikë më e qëndrueshme, më e sigurtë dhe më e mirë për të jetuar”, theksoi ai.

  • Blinken qëndron sot në Tiranë

    Blinken qëndron sot në Tiranë

    Sekretari i Shtetit amerikan, Antony Blinken, do të qëndrojë në Tiranë për një vizitë disaorëshe gjatë ditës së enjte.

    Në Tiranë, sipas njoftimit të DASh-it, “Blinkeni do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

    Ndërkaq, në njoftim bëhet e ditur se pas përfundimit të qëndrimit në Tiranë, Sekretari Blinken do të vazhdojë rrugën në Munih, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Munihut si pjesë e delegacionit të ShBA-së të kryesuar nga Zëvendës Presidentja Kamala Harris.

    “Sekretari do të zhvillojë takime dypalëshe për të nënvizuar mbështetjen e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara për popullin e Ukrainës, për të vazhduar diskutimet me partnerët se si të arrihet paqe dhe siguri e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe për të theksuar angazhimin tonë të palëkundur për sigurinë transatlantike”.

    Sekretari Blinken do t’ bashkohet një forumi publik mbi multilateralizmin me partnerët ndërkombëtarë.

  • Kuvendi vazhdon sot seancën plenare

    Kuvendi vazhdon sot seancën plenare

    Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot për të vazhduar seancën plenare të mbetur në gjysmë.

    Përmes një komunikate për media, Kuvendi njofton se në seancën që pritet të fillojë në orën 11:00, në rend dite janë katër pika.

    Rendi i ditës:

    18. Votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,
    19. Propozimi për përzgjedhjen e një (1) kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës,
    20. Zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës,
    21. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës se Kosovës.

  • Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin Nicholas Abbott

    Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin Nicholas Abbott

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur mbrëmë në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, të cilin e ka falënderuar për bashkëpunimin dhe kontributin  e vazhdueshëm në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve.

    Në takim, Osmani  vlerësoi lart angazhimin personal të ambasadorit Abott, i cili përveç rolit në promovimin e marrëdhënieve reciproke, mbështeti edhe shumë kauza të rëndësishme për shoqërinë kosovare.

    “Ambasadori Abbott, për ne ju jeni më shumë se një përfaqësues diplomatik. Ju jeni një mik i vërtetë i Kosovës, një bashkëpunëtor i çmuar dhe një mbështetës i palëkundshëm i aspiratave tona për një shoqëri të lirë, të hapur dhe të drejtë. Përkrahja juaj e vazhdueshme për të drejtat e njeriut, paqen dhe integrimin e Kosovës në familjen euroatlantike, si dhe fuqizimin e përgjithshëm ndërkombëtar të saj tregon përkushtimin tuaj ndaj Kosovës”, është shprehur Osmani.

    Presidentja Osmani i ka uruar ambasadorit Abbott sukses në angazhimet e mëtejme, duke e konsideruar një mik të Kosovës, i cili do të jetë gjithnjë i mirëseardhur në shtetin tonë.

    Në takim, u shpreh gatishmëria e të dy bashkëbiseduesve që Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke përfshirë çështjet e sigurisë, zhvillimin ekonomik, arsimin, kulturën dhe përforcimin e lidhjeve njerëzore ndërmjet qytetarëve të dy shteteve.

  • Kurti: Me mosnënshkrim “Serbia lë të hapur derën e pushtimit të Kosovës”

    Kurti: Me mosnënshkrim “Serbia lë të hapur derën e pushtimit të Kosovës”

    Ato që i vlerësoi kërcënime dhe rreziqe që burojnë nga Serbia dhe aleanca e saj me Rusinë, ishin në qendër të fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në një diskutim në Britaninë e Madhe, për sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

    Pasi sulmit terrorist paramilitar më 24 Shtator, në Banjskë, iu referua si pushtim i kufirit nga Serbia, ai argumentoi për rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes si garanci e paqes.

    “Një marrëveshje e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më urgjente se kurrë më parë. Mos-nënshkrimi i marrëveshjes që kemi është shenjë e qartë e mosbesimi/keqbesimi. Kështu që ne duhet të kemi mirëbesim që të kemi siguri juridike dhe zbatim të asaj për të cilën jemi dakorduar deri tani. Dhe, kjo po ashtu do të thotë se kur ata refuzojnë të nënshkruajnë marrëveshjen, ata duan të mbajnë të hapur një mundësi për të pushtuar Kosovën. Pra, unë nuk shoh ndonjë kuptim tjetër substancial për refuzimin për nënshkrim sesa që duan të mbajnë të hapur këtë derë, ashtu që të ketë një dritare si opsion për t’u kthyer dhe kryer agresion përsëri”, tha Kurti.

    Kryeministri shpalosi edhe pikëpamjet e tij lidhur me integrimin e rajonit në BE.

    “Nuk mendoj se duhet të jetë gjithçka ose asgjë. Dhe, një shtet nuk mund të mbajë peng të gjithë të tjerët. Më vështrimin tim, Serbia me regjimin e saj autoritar është duke e mbajtur prapa gjithë rajonin. Serbia e njeh de-jure Bosnjë e Hercegovinën, por nuk e njeh de-fakto, njësoj Malin e Zi. Në rastin e Kosovës është e kundërta. Ata na njohin de-fakto në masë të madhe, por jo de-jure. Ka një tezë të përgjithshme që Serbia po mban marrëdhënie të mira me Federatën Ruse dhe Kinën, në mënyrë që t’i përdorë ato në agresivitetin ndaj Kosovës. Por, unë do të thosha të kundërtën, që Serbia përdorë agresivitetin ndaj Kosovës për të mbajtur marrëdhënie të mira me Federatën Ruse dhe Kinën, sepse ndaj diktatorëve që nuk i besojnë askujt duhet ta dëshmosh vetën kohë pas kohe. Dhe unë mendoj se kjo është ajo që po bën Vucic”, shtoi tutje ai.

    Një përgjigje e dha edhe kur u pyet për mundësinë e kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

    “Më pëlqen çfarë regjisori amerikan i filmave, David Lynch, ka thënë për Donald Trump. Ai ka thënë se ju nuk mund ta kundërshtoni z. Trump në një mënyrë inteligjente. Nuk ka thënë se ai nuk është inteligjent, por ka thënë se ju nuk mund të jeni inteligjent me të! Kështu që nuk do të jetë lehtë”, deklaroi kryeministri kosovar.

    Teksa foli për komunitetin serb, kryeministri theksoi faktin se nga 1 Janari, në katër komunat në veri, janë regjistruar më shumë se 5800 aplikime për pajisje me pasaportë të Kosovës./atvlive.tv/

  • Telashe me financim për avokatët e të akuzuarve në Hagë

    Telashe me financim për avokatët e të akuzuarve në Hagë

    Avokatët Mbrojtës të Haxhi Shalës, Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit, nuk po paguhen nga Ministria e Drejtësisë.

    Me këtë rast, u kërkua edhe pezullimi i procedurës gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Hagës, derisa çështja e pagesës të rregullohet.

    Avokati mbrotjës i Januzit, tha se kërkesën për financim në MD e kishte adresuar në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar.

    “ Mbrojtja e Januzit ka bërë kërkesë në përputhje me kriteret e saj më 4 dhjetor 2023. Sipas kritereve, Ministria e Drejtësisë duhet të krijojë një komision për t’i dhënë përgjigje kësaj kërkese brenda 10 ditësh. Ne i kemi kërkuar vazhdimisht MD-së që të trajtojë këtë kërkesë brenda dhjetë ditësh të parashikuara dhe më pas këtë e kemi bërë përmes një korrespodencë inter-partes ku MD-ja kërkoi që ta shtyjmë këtë çështje, ndërkohë që do të zgjidhnin çështjen e mungesës së numrit të duhur të personave që do të merrnin pjesë në komision”, thotë Jonathan Elystan Reese, avokati mbrojtës i Sabit Januzit.

    Avokati Reese kërkoi afate urgjente për çështjen e pagesave. E nëse kjo nuk ndodhë, sipas tij do kërkohet epilogu i Kushtetueses.

    Me këtë pajtohet avokatja mbrotjëse e Ismet Bahtjarit.

    “Dua ta mbështesë parashtrimin e z.Reese dhe të bëjë të njëjtën kërkesë në emër të Z.Bahtjari. Ne jemi në të njëjtën gjendje. Kemi bërë një numër kërkesash pranë Ministrisë së Drejtësisë për t’i dhënë përgjigje kërkesës sonë për financim dhe kur u bë e qartë që ky takim i Komisionit nuk do të mbahej gjatë javës së shkuar, unë e njoftova vetë zyrën administrative se kishte një problem. Të njëjtën gjë bëra edhe me ZPS-në.”, u deklarua Felicity Gerry Kc, avokate mbrotjëse e Ismet Bahtjarit.

    Pavarësisht telasheve të financimit, avokati i Haxhi Shalës tha se ai do vazhdojë ta mbrojë klientin e tij.

    “ Edhe ne jemi të prekur në të njëjtën mënyrë. Ajo që mund të them është se unë i kam premtuar Z.Shala se pavarësisht financimit, ne do të vazhdojmë ta përfaqësojmë atë. Sigurisht, që kemi nevojë për një vendim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Ne e kemi diskutuar me z.Shala çështjen e sigurimit të fondeve përmes DhSK-së në qoftë se Ministria nuk jep përgjigjen e duhur. Por, z.Shala është i paraburgosur për një periudhë prej dy muajsh dhe nuk duam që të ketë vonesa me tej të kësaj çështje”, u shpreh Toby Cadman, avokat mbrotjës i Haxhi Shalës.

    Kërkesat për pezullim të procedurës janë kundërshtuar nga prokurorja e Zyrës së Prokurorisë Speciale, Jasmine Shahabbudin.

    Nicholas Guillou, gjyqëtari i procedurës paraprake tha se në rast të mospagesës së mbrotjes nga ana e MD-së, alternativë është sistemi i ndihmës financiare pranë DhSK-së dhe se ata do të paguhen ose nga ky sistem ose me mjete vetanake të vet të akuzuarve./ATVLIVE.TV/

  • Prokuroria interviston të dyshuarit për vrasjen e Lulzim Fejzullahut, ata mbrohen në heshtje

    Prokuroria interviston të dyshuarit për vrasjen e Lulzim Fejzullahut, ata mbrohen në heshtje

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ 

    Intervistimi i të dyshuarve për vrasjen e Lulzim Fejzullahut, ishte gati të niste në Prokurori.

    Pasi policia siguroi perimetrin, i pari përmes hyrjes nëntokësore u soll i dyshuari kryesor E.K. Intervistimi filloi në 10:30, e përfundoi shpejt, meqë 16 vjeçari u mbrojt në heshtje.

    “Klienti im ka qenë në gjendje të rëndë emocionale…” , deklaroi Skender Musa, avokat i të dyshuarit E.K.

    Për më pak se 20 minuta përfundoi edhe intervistimi tjetrit të dyshuar, 17 vjeçarit A.A, i cili po ashtu u mbrojt në heshtje. Derisa për media nuk u deklarua as avokati i tij.

    Por deklarim për media lidhur me intervistimin pati Tomë Gashi, avokat i familjes së viktimës.
    “I njëjti ka shfrytëzuar të drejtën e tij që të mbrohet në heshtje dhe pse paraprakisht ka deklaruar se mbetet pranë deklaratës që ka dhënë në Polici. Dhe në pyetjen time, për një person i cili ka qenë i sulmuar nga ky para dy viteve, ai ka refuzuar të përgjigjet”’, tha Gashi.

    18 vjeçari Lulzim Fejzullahu ishte rrahur mesditën e 14 janarit dhe si pasojë e lëndimeve vdiq në Qendrën Klinike Universitare.

    Gati dy javë më vonë, Inspektorati Policor kishte iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit policor i cili ka ndryshuar raportin fillestar./atvlive.tv/

  • Një shtetase e huaj humb jetën nga orteku në Brezovicë

    Një shtetase e huaj humb jetën nga orteku në Brezovicë

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në Brezovicë, ku një grua 54- vjeçare ka humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes së një orteku.

    ATV-ja raporton se viktima është shtetase e huaj dhe se në momentin kur ka rrëshqitur orteku i borës, e njëjta ishte duke skijuar bashkë me bashkëshortin e saj.

    Lajmin për vdekjen e viktimës e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

    “Më datë 13.02.2024, rreth orës 15:35, kemi marrë një informacion se një person dyshohet se ka mbetur i vdekur gjatë skijimit në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, në vendin e quajtur “Foleja e Shqiponjës”. Dyshohet se shkak i këtij incidenti ka qenë rrëshqitja e një orteku të borës”, ka deklaruar Veseli.

  • Kurti thotë se Vuçiq po e lë të hapur mundësinë “e pushtimit të Kosovës”

    Kurti thotë se Vuçiq po e lë të hapur mundësinë “e pushtimit të Kosovës”

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ngjarjet e shtatorit në Banjskë të Zveçanit, protestat e majit në veri të Kosovës rritja e pranisë ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor e bëjnë më “urgjente se kurrë” nënshkrimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Por, me refuzimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që ta nënshkruajë këtë marrëveshje, sipas Kurtit, ai po e lë të hapur mundësinë “e pushtimit të Kosovës”.

    Shkurtin e kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan në Bruksel për këtë marrëveshje, ndërkaq në prill në Ohër u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të saj. Megjithatë, palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por blloku evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, tha se ajo është obliguese për palët.

    “Nuk mund të shoh asnjë arsye tjetër për refuzimin e nënshkrimit [nga Serbia]. Atëherë, ata duan të mbajnë hapur këtë derë [të pushtimit të Kosovës] dhe të kenë një dritare mundësie për t’u rikthyer dhe për të kryer agresion”, tha Kurti gjatë një paneli diskutimi të organizuar nga instituti Chatham House më 13 shkurt.

    Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    Në panelin e diskutimit, Kurti tha se “regjimi autoritar” i Serbisë “po mban prapa të gjithë rajonin. Sipas tij, Beogradi në një masë të madhe e njeh Kosovën de facto, por jo de jure.

    Kryeministri kosovar tha se Serbia përdor Kosovën për të mbajtur raporte të mira me Rusinë dhe Kinën.

    “Ekziston një tezë e përgjithshme se Serbia po mban raporte të mira me Federatën Ruse dhe Kinën, në mënyrë që t’i përdorë ato në agresivitetin kundër Kosovës. Por, unë mendoj se është e kundërta. Gjegjësisht, Serbia përdor agresivitetin e saj ndaj Kosovës që të mbajë raporte të mira me Federatën Ruse dhe Kinën. Sepse ndaj diktatorëve që nuk i besojnë askujt, ju duhet ta tregoni veten vazhdimisht. Mendoj se këtë po e bën Vuçiqi. Me agresivitetin e tij ndaj Kosovës ai po mundohet të mbajë raporte të mira me Kremlinin”, tha Kurti.

    Duke folur për ngjarjet e shtatorit në Banjskë, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës duke vrarë një rreshter, Kurti sërish akuzoi Serbinë për këtë ngjarje, që Kosova e konsideron sulm terrorist.

    Gjatë përleshjeve më 24 shtator u vranë edhe tre sulmues serb. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kurti tha se përmes Serbisë, Rusia po rrit praninë e saj në Ballkanin Perëndimor.

    “Pra, aleanca e Serbisë me Rusinë nuk është vetëm kërcënim në aspektin teorik për Evropën dhe Ballkanin. Është kërcënim real të cilin Kosova, por jo vetëm, e përjeton vazhdimisht. Përmes Serbisë, ne kemi parë rritjen e pranisë ruse në Ballkan, qoftë përmes mediave, inteligjencës, apo formave të tjera të ndërhyrjes.

    Autoritetet në Kosovës kishin deklaruar pas sulmit në Banjskë se po hetonin për përfshirjen e mundshme ruse në të.

    Fundin e vitit të kaluar, në një raport të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ishte thënë se Kosova është e ekspozuar ndaj dezinformatave dhe narrativëve që vijnë nga Rusia dhe Kina, të cilat synojnë të nxisin luftë ndëretnike dhe ndërfetare në Kosovë. /rel