ATV

Tag: Ballina

  • ​Kuvendi nuk arrin të votojë amendamentet kushtetuese për vettingun

    ​Kuvendi nuk arrin të votojë amendamentet kushtetuese për vettingun

    Kuvendi nuk ka arritur të votojë amendamentet kushtetuese për vettingun. Në sallën plenare kanë qenë të pranishëm 87 deputetë, tetë prej tyre nga komunitetet joshumicë, për çka kërkohet të jenë prezent 14 deputetë për ndryshime kushtetuese. Gjatë prezantimit të amendamenteve kushtetuese për vettingun, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se ka tendencë të vazhdueshme për të penguar reformën në drejtësi. Partitë opozitare kanë qenë pro këtyre ndryshimeve, veçse kanë theksuar se një gjë e tillë është e pamundur të bëhet pa Listën Serbe.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se amendamentet kushtetuese për vettingun në sistemin e drejtësisë janë një ndër reformat më të rëndësishme. Tutje, tha se ky është çelësi që Kosova të jetë shtet i së drejtës dhe kushti që në sistemin e drejtësisë të ketë prokurorë me integritet të lartë.

    “Një ndër reformat më të rëndësishme që ka për qëllim fuqizimin e institucioneve të drejtësisë, kthimin e besimit të qytetarëve në institucione të drejtësisë dhe më e rëndësishmja, pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Siç jeni në dijeni, vettingu në sistemin e drejtësisë ka qenë një nga zotimet tona kryesore para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Dhe për të ardhur deri këtu, nuk ka qenë aspak e lehtë. Sepse gjatë gjithë kësaj kohe jemi ballafaquar me sfida nga më të ndryshmet, sfida këto sidomos që ndërlidhen me tendencën e vazhdueshme për të penguar një reformë të rëndësishme. Por, siç e dini po ashtu, kemi qenë këmbëngulës në synimet tona për ta bërë Kosovën shtet të së drejtës dhe për të përmbushur secilin zotim që kemi dhënë para qytetarëve të Republikës së Kosovës”, deklaroi ministrja Haxhiu.

    Ajo shtoi se është e rëndësishme që në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese validohet kontrolli i integritetit si koncept që duhet të ekzistojë në Kosovë.

    “Na jepet drita e gjelbër që vlerësimi i integritetit të bëhet përkohësisht nga një mekanizëm i jashtëm, pra, jashtë Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial për nivelet e larta të sistemit të drejtësisë. Po ashtu, është po aq e rëndësishme që pasuria e pajustifikueshme është pranuar si rrethanë për largimin e një prokurori a gjyqtari nga sistemi, pra në rrethanat kur ai apo ajo nuk mund ta justifikojnë pasurinë e pajustifikueshme të tij apo saj. Vettingu, amendamentet kushtetuese që sot po i trajtojmë nuk janë e vetmja reformë në të cilën po punon Ministria e Drejtësisë. Reforma tjetër është ajo në Këshillin Prokurorial, që është reformë po aq e rëndësishme”, shtoi ajo në seancë plenare.

    Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala tha se në dhjetor është formuar komisioni ad-hoc për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar.

    “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës me aktgjykimin KO 55/23 vlerësoi se amendamentet e propozuara nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në kapitullin 2 ‘Të drejtat dhe liritë themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës’. Po ashtu Gjykata në këtë aktvendim ka kërkuar që në amendamentet 27 dhe 28 të fshihen fjalët ‘ose që ka integritet të cenueshëm’. Dhe siç shihet nga raporti i Komisionit të Legjislacionit fjalët ‘ose që nuk ka integritet të cenueshëm’, sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese është fshirë”, deklaroi ai.

    Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi kërkoi nga deputetët që të votojnë këto ndryshime kushtetuese.

    “Komisioni për Legjislacion ka shqyrtuar amendamentet kushtetuese të propozuara nga deputeti Kujtim Shala, i mbështetur nga 39 deputetë të tjerë të vlerësuara me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës KO55/23. Komisioni për të vepruar në pajtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në amendamentet e propozuara 27 dhe 28, propozon që të fshihen fjalët ‘ose që ka integritet të cenueshëm’, për të qenë në harmoni me aktgjykim KO 55/23. Po ashtu, me qëllim të shmangies së paqartësive, komisioni rikujton që ndryshon renditja e propozim amendamenteve”, shtoi ai.

    E shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh se në mungesë të Listës Serbe nuk mund të procedohet me votimin e këtyre amendamenteve kushtetuese.

    “Sa i përket pasurisë së pajustifikueshme, Gjykata Kushtetuese e sqaron shumë mirë që bëhet fjalë atëherë kur prokuror apo gjyqtar në fjalë kanë pasuri të pajustifikueshme dhe ajo vërtetohet me vendim të gjyqësorit. Pra këto janë të rëndësishme dhe ky proces aq sa është i rëndësishëm, ajo është po ashtu e rëndësishme që mos të pakëhësohen të drejtat e njeriut në kuadër të këtij procesi….Fatkeqësisht në mungesë të Listës Serbe në këtë rast, ndryshimet kushtetuese me gjasë nuk do të mund t’i procedojmë më tutje. Mirëpo, asnjëherë si kuvend nuk duhet të heqim dorë nga ky proces dhe shpresoj që në një të ardhme sa më të afërt, shpresojmë që në kuadër të kësaj legjislature të arrijmë t’i procedojmë përpara dhe ky proces të fillojë dhe ta fuqizojë sistemin gjyqësor dhe prokurorial në vendin tonë”, u shpreh Tahiri.

    Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se propozimi i tyre është që të ketë një sistem efikas të drejtësisë, ku shtoi se edukimi politik i mazhorancës aktuale është i limituar.

    “Duhet të ndërtohet një sistem efikas, duke marrë parasysh rrethanat aktuale në të cilat gjendet vendi. Dhe kjo për ne ka qenë prioritet i jashtëzakonshëm. Ka qenë e pamundur që të kemi një dialog politik dhe diskutim politik me pushtetin aktual për të kuptuar se cilat janë rrethanat reale aktuale, mbi të cilat ne duhet të bëjmë ndryshime. Nuk ka pasur vullnet e as njohuri për këto koncepte dhe nuk ka pasur as qasje për ndryshime kualitative në sistemin e drejtësisë. Krejt ideja e tyre ka qenë-ide përmbysëse, ide revolucionare të cilat do të duhej të implementoheshin në mënyrë arbitrare për sa është e mundur me ligjet të cilat mund të kalohen me shumicën e thjesht nga shumica qeverisëse. Dhe pastaj kur e panë që ato po shkojnë në Gjykatë Kushtetuese dhe po rrëzohen, ndërtuan një sistem akuzimi dhe anatimimi për opozitën”, deklaroi Gashi në seancë plenare.

    Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se përkrahin këto amendamente kushtetuese për vettingun.

    “Ne si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës i kemi përkrahur këto amendamente edhe pse Gjykata Kushtetuese e ka dhënë vlerësimin dhe për hir të një konsensusi ne do t’i përkrahim por që ju e dini që duhen edhe 2/3 e minoriteteve”, tha Lekaj.

    Çdo ndryshim kushtetues kërkon miratimin e 2/3 të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe 2/3 e vendeve të rezervuara për komunitete.

  • Gazetari i ATV-së nga Tirana zbulon detajet e fundit nga vizita e sekretarit Blinken

    Gazetari i ATV-së nga Tirana zbulon detajet e fundit nga vizita e sekretarit Blinken

    Gazetari i ATV-së, Fatlum Jashari, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Tirana në emisionin A LIVE, zbuloi agjendën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, gjatë qëndrimit të tij sot në Shqipëri.

    Gazetari tregon se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tashmë është në Tiranë në një vizitë tejet të rëndësishme për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë, për të dhënë mesazhet e tij pikërisht nga Shqipëria për gjithë Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm, pasi sekretari amerikan do të japë mesazhet e tij në mbështetje të Ukrainës.

    Agjenda e vizitës së sekretarit Antony Blinken në Tiranë

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka mbërritur në Tiranë para rreth gjysmë ore, ndërkaq në orën 13:35 minuta, ai do të qëndrojë në Ambasadën Amerikane në Tiranë ku do të ketë takim me stafin e ambasadës dhe familjarët e tyre dhe do të vazhdojë me një vizitë tek afganët të cilët janë të strehuar në Shqipëri dhe tutje në orën 15:05, do të ketë takimin me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, që do të përcillet nga takimi i radhës me një grup të rinjsh studentë, kryesisht bursistë të ndihmuar nga SHBA-ja. Në këtë diskutim me të rinjtë, do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama edhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë së Shqipërisë ku do të jepen opinionet dhe pikëpamjet e këtyre bursistëve që pasi janë ndihmuar nga SHBA-ja synojnë të kontribuojnë për Shqipërinë në lëmitë që kanë studiuar.

    Në orën 16:15 do të ketë një takim, pra takimi kryesor i vizitës së sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken, takimi me kryeministrin Edi Rama.

    Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, do të ketë një ceremoni të nënshkrimit të dy memorandumeve të mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë, ndërsa në fund, në orën 18:10, pritet të mbahet konferenca e përbashkët e kryeministrit Edi Rama dhe sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken.

    Është folur edhe për mundësinë e një darke jo formale ndërmjet sekretarit Blinken dhe kreut të Prokurorisë Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani, për të diskutuar për reformën në drejtësi dhe arritjen që ka bërë SPAK-u, por edhe rrugën përpara të këtij institucioni dhe institucioneve të tjera të rëndësishme të Shqipërisë, sigurisht në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

    Kjo vizitë e sekretarit Blinken vjen në një kohë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi Shqipëria ka marrë lavdata nga SHBA-ja për rolin e saj udhëheqës, kryesues në OKB, veçmas në raport me Ukrainën dhe kjo pritet të jetë nga falënderimet që do t’ia bëjë kryeministrit Rama.

    Në komunikatën zyrtare të lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në njoftimin e vizitës në Tiranë të sekretarit Blinken, Shqipëria është cilësuar si partnere kyçe e SHBA-së në rolin e saj për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken mbërrin në Tiranë

    Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken mbërrin në Tiranë

    Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken ka arritur në Shqipëri për vizitën e tij të parë në këtë shtet, derisa u prit nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe nga përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë.

    Blinken në vizitën disa orëshe në Tiranë, pritet të takohet me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama si dhe do të mbajë një konferencë të përbashkët për shtyp me kreun e qeverisë.

    Gjatë qëndrimit në Tiranë, Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP.

    Po ashtu gjatë vizitës së tij në Tiranë, Blinken do të ketë pjesë të delegacionit edhe ish-ambasadoren amerikane Yuri Kim, e cila tashmë ka një detyrë më të lartë në DASH.

    Agjenda e Blinken në Tiranë do të mbyllet me një takim me rreth 100 të rinj që kanë qenë pjesë e programeve mbështetëse të ambasadës amerikane.

  • Ambasadori amerikan thërret konferencë të jashtëzakonshme

    Ambasadori amerikan thërret konferencë të jashtëzakonshme

    Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thirrur mediat në një konferencë të jashtëzakonshme që do ta mbajë nga ora 15:00.

    Konferenca do të mbahet para ambasadës amerikane në Prishtinë.

    Hovenier ka thënë se SHBA kërkon nga Kosova shtyrjen e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që përjashton dinarin nga përdorimi dhe që të ketë komunikim të mjaftueshëm për qytetarët që preken nga ky vendim.

    Një paralajmërim i ashpër për këtë çështje erdhi nga Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, i cili i kërkoi Qeverisë së Kosovës të tërhiqet nga vendimi për dinarin dhe tha se mund të mos e konsiderojnë këtë qeveri si partnere.

    “Ai [kryeministri Kurti] kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, tha ai.

    Zyrtari amerikan kishte thënë për Zërin e Amerikës se kishte pasur disa kontakte me kryeministrin Kurti para shpalljes së vendimit dhe vetëm një shkëmbim të shkurtër pas shpalljes së tij.

  • Nën kërcënimin e armës e rrahu dhe e abuzoi seksualisht ish-bashkëshorten e tij, arrestohet i dyshuari në Vushtrri

    Nën kërcënimin e armës e rrahu dhe e abuzoi seksualisht ish-bashkëshorten e tij, arrestohet i dyshuari në Vushtrri

    Është arrestuar një person në Vushtrri nën dyshimin se ka dhunuar ish-bashkëshorten e tij, njoftoi Policia e Kosovës.

    Siç bëri të ditur Policia, viktima femër kosovare ka raportuar se nën kërcënimin e armës është rrahur dhe është detyruar të kryej marrëdhënie seksuale nga ish-bashkëshorti i saj.

    Tutje, në raportin policor thuhet se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje./atvlive.tv/

     

  • Blinken sot në Tiranë, kjo është agjenda

    Blinken sot në Tiranë, kjo është agjenda

    Dy marrëveshje do të nënshkruhen mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë vizitës që do ta ketë sot në Tiranë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

    Këshilli i ministrave, ka miratuar në parim marrëveshjet të cilat kanë të bëjnë me një program të shkëmbimit akademik “Fullbright” si dhe memorandumi i bashkëpunimit Shqipëri-SHBA kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj, që ka të bëjë me bashkëpunimin në mbrojtjen nga sulmet kibernetike.

    Agjenda e Blinken

    Vizita e tij 10-orëshe pritet të startojë të enjten në orën 11:00 kur do të zbresë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe nga ku do të nisë edhe turin e takimeve.

    Presidenti Bajram Begaj dhe Kryeministri Edi Rama pritet të jenë zyrtarët më të lartë shtetërorë, të cilët do të zhvillojnë takime kokë më kokë me kreun e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku mesazhet që do të përcillen do të jenë për të ardhmen e Shqipërisë, Ballkanit Perëndimor dhe Europës, gjatë një deklarate të përbashkët ndërmjet Ramës e Blinken.

    Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Blinken do të ketë pjesë të delegacionit edhe ish-ambasadoren amerikane Yuri Kim, e cila tashmë ka një detyrë më të lartë në DASH.

    Agjenda e Blinken në Tiranë do të mbyllet me një takim me rreth 100 të rinj që kanë qenë pjesë e programeve mbështetëse të ambasadës amerikane.

  • Zëdhënësi i DASH-it: SHBA-ja është e përkushtuar që në mënyrë diplomatike të zgjidh çështjen e dinarit serb

    Zëdhënësi i DASH-it: SHBA-ja është e përkushtuar që në mënyrë diplomatike të zgjidh çështjen e dinarit serb

    Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka deklaruar se SHBA-ja është e përkushtuar që në mënyrë diplomatike të zgjidh çështjen e dinarit serb në Kosovë.

    Në një konferencë për media, Miller ritheksoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Ne kemi për qëllim të jemi aktivë në përdorimin e mjeteve diplomatike për të adresuar këtë problematikë. Dëshirojmë që palët të rikthehen në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe, përveç kësaj, nuk do të dëshiroja të bëj parashikime për veprime të veçanta nga pozita ime,” u shpreh Miller.

    Gjithashtu, ai është pyetur në lidhje me vizitën e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, në Tiranë dhe nëse do të ketë ndonjë mesazh për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që do të transmetohet përmes Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

    “Ju lutem, më lejoni të them se cili do qoftë përmbajtja e komunikimit të Sekretarit me kryeministrin Rama, preferoj të presim dhe të dëgjojmë prej tyre në mënyrë private. Sekretari do të ketë një konferencë për shtyp më vonë në Shqipëri, ku pritet të flasë rreth asaj takime”, u shpreh Miller.

    Më 1 shkurt 2024 ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës e cila thekson se valuta e vetme në Kosovë është euro.

    Kjo ka ngjallur edhe reagimin e faktorit ndërkombëtar.

    BE dhe SHBA ka kërkuar një periudhë tranzicioni për zbatimin e kësaj rregulloreje.

  • Nga 25 marsi Japonia i heq vizat për kosovarët që kanë pasaporta diplomatike

    Nga 25 marsi Japonia i heq vizat për kosovarët që kanë pasaporta diplomatike

    Nga 25 marsi Japonia do t’i heq vizat për shtetasit e Kosovës që posedojnë pasaporta diplomatike dhe zyrtare.

    Kjo u bë e ditur nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Japonisë, me rastin e ditëlindjes së perandorit.

    “I shprehim mirënjohjen e sinqertë Qeverisë japoneze për vendimin e saj për të hequr kërkesat për viza për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare, duke filluar nga 25 marsi , një moment historik i rëndësishëm në marrëdhëniet tona dypalëshe”, tha ai.

    Numri një ka vlerësuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, duke shpresuar në thellimin e tyre.

  • Rama: Çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë

    Rama: Çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë.

    Ai tha se Kosova nuk është vetëm, jo thjesht se e ka Shqipërinë, por sipas tij, sepse i ka edhe aleatët strategjik.

    “Shqipëria nuk është thjesht një entitet gjeografik apo një entitet shtetëror që ka lidhje speciale me Kosovën dhe çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë, por nga anën tjetër, mos të harrojmë asnjëherë dhe për këtë arsye duhet me i pasë parasysh të gjitha kur nganjëherë e kalojmë masën në raport me aleatët, se Kosova nuk është vetëm, jo thjesht se ka Shqipërinë, po sepse ka aleat strategjik, që i dimë fare mirë kush janë, pa të cilin Kosova s’do të ekzistonte sot si shtet dhe me të cilët Kosova mund t’i arrijë të gjitha ato që ne të gjithë duam që Kosova t’i arrijë. Kështu që, për këtë arsye duhet menduar çdo ditë për peshën dhe rëndësinë e aleatëve, edhe kur je në një paqe të plotë e jo më kur je në një proces si ky, kur ke nevojë për sa më shumë miq dhe kur të humbasësh miq apo të ftohësh zemrën e miqve është gjëja më e pakëshillueshme e mundshme”, tha Rama.

    Ai thotë se, as që diskutohet që Shqipëria do t’i qëndrojë pranë Kosovës në çdo rast nevoje.

    As nuk diskutohet që Shqipëria ka qëndruar, qëndron dhe do të qëndrojë pranë Kosovës në çdo rast nevoje, nëse edhe, mos e dhëntë Zoti gjërat shkojnë në pikën ku në mes nuk është më fjala, po janë armët”, tha Rama. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të Edi Ramës në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Rama: Kosova duhet të dalë nga loja e Serbisë se kush e ka fajin

    Rama: Kosova duhet të dalë nga loja e Serbisë se kush e ka fajin

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova duhet të dalë nga loja e Serbisë se kush e ka fajin.

    Ai tha se Kosova duhet të tregohet e vetëdijshme për barrën e përgjegjësisë që ka si një anëtar i ri i bashkësisë ndërkombëtare.

    “Thelbi i gabimit strategjik që bëjnë të gjithë ata që mendojnë se subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës dhe shtetnjohja përfundimtare e Kosovës do të vijnë përmes një procesi ku Kosova do bëjë garë me Serbinë se kush e ka më shumë fajin. Jo, në këndvështrimin tim dhe unë këtë e kam thënë gjithmonë, qasja jonë strategjike e shqiptarëve dhe në këtë rast flasim për Kosovën, por mendoj që kështu është edhe për Shqipërinë dhe kështu duhet të jetë për të gjithë shqiptarët, nuk është që të fajësojnë të tjerët, apo të hyjmë në lojën e fajësimit të njëri-tjetrit në sensin ‘jo shiko, dakord, ne jemi mbase këtë, po shiko ata’. Ne nuk kemi punë fare me ata, ne këto gjëra i bëjmë për veten tonë, e Kosova për veten e saj duhet të shkëlqejë në këtë proces. Kosova, për veten e saj duhet të tregojë ndërkombëtarisht një qenie e cila është plotësisht e vetëdijshme për barrën e flamurit që ka, për barrën e Kushtetutës që ka, për barrën e përgjegjësisë që ka, si një aktor i ri, si një anëtar i ri i bashkësisë ndërkombëtare. Nuk është Serbia etaloni dhe nuk është Serbia standardi dhe nuk është Serbia pika e referimit”, tha Rama.

    Ai tha se po të ishte vetë në këtë proces, do t’i kishte përmbushur të gjitha detyrimet ndërkombëtare, ku më pas Serbinë do ua kishte lënë në dorë të tjerëve që të merreshin me të.

    “Unë e kam thënë kohë më parë, në rast se do të ishte për mua unë marrëveshjen do ta kisha firmosur në mënyrë të njëanshme, duke i përmbushur të gjitha detyrimet e mia në raport me këtë përpjekje për subjektivitet të plotë ndërkombëtar dhe duke ia lënë pastaj Serbinë në dorë tjerëve që të merreshin me të dhe jo të rrija unë e të merreshin me mua gjatë gjithë kohës, ‘pse e bën këtë, pse s’bën atë, e tjerë’”, tha Rama.

    Sipas tij, Kosova nuk duhet të krahasohet fare me Serbinë, por që duhet të mendojë për gjeneratën tjetër.

    “Duhet të nxitojmë e të bëjë ç’është e mundur që të bëhet e denjët për gjeneratën tjetër si një shtet i njohur nga të tërë dhe për këtë mendoj që në politikën ndërkombëtare dhe në arenën ndërkombëtare, në kushtet e sotme, për vendet si ne, duke bërë të keqin, nuk fiton asgjë, dhe bërë të mirin, mund të fitosh diçka”, tha Rama. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të Edi Ramës në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë: