ATV

Tag: Ballina

  • Bideni uron Kosovën për Ditën e Pavarësisë

    Bideni uron Kosovën për Ditën e Pavarësisë

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pranuar një telegram urimi për 16-vjetorin e Pavarësisë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph R.Biden Jr.

    Me këtë rast, presidenti Biden ka konfirmuar se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm të përforcuar nga vizioni i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues.

    Në letër thuhet se SHBA-ja mbështet fuqishëm një Kosovë multientik dhe integrimin e saj në institucionet europiane edhe euroatlantike, por edhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja, transmeton Zeri.info.

    Në vijim gjeni letrën e plotë të urimit, e dërguar nga presidenti Biden:

  • Borrell nga Mynihu tregon nëse e ka në agjendë takimin Kurti-Vuçiq

    Borrell nga Mynihu tregon nëse e ka në agjendë takimin Kurti-Vuçiq

    Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se në Munih do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por, një takim i përbashkët i liderëve me ndërmjetësin evropian të dialogut, nuk është në agjendë.

    Kurti dhe Vuçiq janë në mesin e dhjetëra udhëheqësve nga e mbarë bota që po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih, që nis punimet më 16 shkurt.

    “Nuk është në planifikimet e mia, nuk është në agjendën time, por nëse do të ishte i mundur, ne do të ishim të lumtur. Në të kundërtën, unë duhet të tentoj ta arrij këtë [takimin Kurti-Vuçiq] diku tjetër”, tha Borrell në Munih.

    Pjesëmarrja e Kurtit dhe Vuçiqit në Munih po ndodh në një kohë kur janë rritur tensionet mes dy shteteve të tyre, për shkak të vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

    Bashkimi Evropian ka kërkuar që për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, Kosova dhe Serbia të diskutojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian.

    Kjo rregullore hyri në fuqi më 1 shkurt dhe autoritetet kosovare thanë se ajo po zbatohet përmes një faze lehtësuese tranzitore, e cila do të zgjasë jo më shumë se tre muaj.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar rregulloren e BQK-së – e cila parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa me para të gatshme – dhe kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të saj. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se mospërmbushja e kërkesës amerikane, veçse ka ndikuar në raportet mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

    Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve. Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

    Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.

    BQK-ja ka thënë se një praktikë e tillë është e paligjshme, pasi vetëm ajo mund të bëjë eksport dhe import të monedhave dhe kartëmonedhave brenda territorit të Kosovës.

    Kushtetuta e Kosovës përcakton që duhet të ekzistojë vetëm një valutë për kryerje të pagesave me para të gatshme.

    Kosova përdor euron si valutë të saj që nga viti 2002, pavarësisht se nuk është pjesë e Eurozonës.

  • “Çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë”- Vuçiq i përgjigjet Ramës

    “Çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë”- Vuçiq i përgjigjet Ramës

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili në emisionin “Context”, në ATV deklaroi se “çdo sulm ndaj Kosovës është sulm ndaj Shqipërisë”.

    Vuçiq tha se Serbia nuk ka ndërmend të sulmojë askënd.

    “Sot u dëgjua nga një shtet fqinj se nëse dikush sulmon Kosovën, edhe pse nuk e di kush do të sulmonte, Shqipëria nuk do ta lejojë dhe do të jetë në atë anë. Pas një deklarate kaq të tmerrshme, dëgjohej vetëm një heshtje e madhe, aq e fortë saqë heshtja ishte e pakëndshme. Për sa i përket neve, nuk kemi nevojë të sulmojmë askënd dhe nuk do ta bëjmë”, tha Vuçiq gjatë ceremonisë së Ditës së Shtetit.

    Vuçiq shtoi se Serbia do të mbrojë marrëdhëniet e saj me Evropën, por edhe se “nuk do t’i shkelë marrëdhëniet e saj me Rusinë, Kinën dhe askënd tjetër”./ATVLIVE.TV/

  • Nis Konferenca e Sigurisë në Munih

    Nis Konferenca e Sigurisë në Munih

    Konferenca e Sigurisë së Munihut nis më 16 shkurt në një kohë kritike, përderisa në Shtetet e Bashkuara po vazhdon fushata për zgjedhjet presidenciale ku ka të ngjarë që sërish të përballen presidenti Joe Biden, dhe ish-presidenti Donald Trump. Punimet e kësaj konference po mbahen edhe në kohën kur në Kongresin amerikan ka ngecur një paketë për ndihmë ushtarake për Ukrainën.

    Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, parashihet që t’i adresohet konferencës në ditën hapëse, ndërkaq një ditë më vonë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të bëjë paraqitjen e parë fizike në këtë konferencë që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Vlerësohet se 50 udhëheqës botërorë do të marrin pjesë në këtë ngjarje vjetore, që e cilëson veten si forumin kyç në botë ku debatohet për politikën ndërkombëtare të sigurisë. Qeveritë e Rusisë dhe Iranit nuk janë ftuar.

    Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Albin Kurti, ndërkaq Serbinë presidenti i saj Aleksandar Vuçiq. Pjesëmarrja e tyre në të njëjtin forum po ndodh në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur për shkak të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar pagesat me dinarin serb. Ky vendim ka hyrë në fuqi më 1 shkurt në mes të kritikave ndërkombëtare dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrje të vendimit ka ndikuar në cilësinë e raporteve mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

    Ndërkaq, numri dy i politikës amerikane, Kamala Harris, e cila ka marrë pjesë në Munih edhe më 2022 dhe 2023, kësaj radhe përballet me vështirësi të tjera. Ajo këtë vit përballet me detyrën që të sigurojë aleatët se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për të mbrojtur sigurinë e tyre pasi Trump, që konsiderohet kandidati kryesor për të fituar nominimin e republikanëve për president, ka vënë në pikëpyetje mbrojtjen e aleatëve të NATO-s – të aleatëve që dështojnë të shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre – nga një pushtim i mundshëm nga Rusia.

  • Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit drejt fundit

    Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit drejt fundit

    Përgatiti: Nora Luta

    Para se të deklarohet, përballë trupit gjykues rreth akuzave të Prokurorisë Speciale për vrasjen e Oliver Ivanovicit, Nedejklo Spasojeviq, ka kërkuar përkthimin në gjuhën serbe tw deklaratave të dhëna në prokurori e polici.

    Avokati që e përfaqëson Spasojeviqin, në këtë gjykim që po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, tha se është e drejtë e të pandehurit që të analizojë deklaratën e tij, para dhënies së mbrojtjes.

    Kërkesën e Korenicës, e mbështetën edhe avokatët e pesë të pandehurve të tjerë në këtë rast.

    Kështu dhënia e mbrojtjes u shty për në muajin mars, ndërsa Gjykata dha një obligim për Prokurorinë.

    Gjatë kësaj seance u administruan edhe provat materiale të Prokurorisë, të cilat u kundërshtuan nga mbrojtja.

    Sillvana Arsoviq, ish-sekretare e Ivanoviqit, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Radeta Basara, Zharko Jovanoviq, ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës, dhe Marko Roshiq akuzohen nga Prokuroria Speciale se si grup Kriminal organizuan, dhe planifikuan vrasjen e ish-liderit serb, në janar të 2018-s.

  • Abdixhiku për çështjen e dinarit: Kosova bëri një hap para dhe tre hapa mbrapa

    Abdixhiku për çështjen e dinarit: Kosova bëri një hap para dhe tre hapa mbrapa

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se me vendimin për dinarin, Qeveria ka bërë një hap para dhe tre hapa pas.

    “Çështja që lidhet është bukur sensitive, sepse ka të bëjë me një çështje të një institucioni tërësisht të pavarur, siç është Banka Qendrore e Kosovës dhe në diskursin politik kosovar mund të argumentojmë me të drejtë se çështja e dinarit ka një epilog të vetëm, nuk ka vend në Kosovë, por politika e bërjes një hap para dhe tre hapave pas, pra cilët tre hapa pas, është seanca Këshilli i Sigurimit, është pozicioni zyrtar amerikan dhe relacioni i rënduar i Kosovës në arenën ndërkombëtare, e bëjnë bukur të vështirë të vendosësh në peshore një vendim të tillë të analizosh pa këto pasoja”, tha Abdixhiku.

    Ai tha se përshkrimi më i mirë i veprimeve që Kosova po bënë, është se po bënë një politikë vetizoluese.

    “E kam përshtypjen se Kosova po menaxhon me politikë vetizoluese, është përshkrimi më i mirë që do t’i bëja dhe politikë që pa ndonjë shpjegim pa ndonjë shpjegim e vendos partneritetin tonë me aleat në pozitë bukur të rëndë, sepse në relacionet ndërshtetërore, sidomos me miq e aleatësh, gjëja e fundit që të do të bësh është ta befasosh për çështjet tua fundja, pra edhe për një çështje tënde, gjëja e fundit që dëshiron të bësh është të mos i informosh aleatët. S’do të thotë që humben sovranitet në informimin e tjetrit. Komunikimi, në radhë të parë është njëfarë mirësjellje politike e shteteve, është normale me shteteve që janë të afërta”, tha Abdixhiku.

    Ai tregoi se në takimin që kishte në Ambasadën Amerikanë kuptoi se këta nuk ishin kundër rregullores së BQK-së për dinarin.

    “Unë kisha në takim ambasadorin amerikan dhe prej asaj që pashë nga takimi nuk ishin kundër Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe po të informoheshin me kohë se këto janë hapat, edhe do ta ndihmonin një gjë të tillë. Tani çështja është a vlen që të futemi në përplasje të tilla, të përfundojmë me një seancë të Këshillit të Sigurimit, merreni mend, ku sulmi terrorist i Banjës së Kosovës barazohet me një çështje të Bankave Qendrore të Kosovës, ku për po herë të parë, dhe kjo u tha edhe sot, në historinë e Kosovës marrim kritika prej vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, prej vendeve mike të Këshillit të Sigurimit, sepse prej Rusisë kemi marrë gjithnjë, tani gjithë çuditërisht këtë herë dhe me citate se Kosova shtet i përkohshëm që vini nga zyrtarët tanë, pra në këtë rrethanë a ia vlen, kjo është çështje diskutimi dhe për mendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, natyrisht se jo”, tha Abdixhiku.

    Sipas tij, ka rrugë ku dhe heqet dinari dhe të mbahet alenaca me miqtë.

    “Ka rrugë ku dhe heqet dinari dhe ku mbahen aleancat, sepse në qoftë se përplasja me aleatë bëhet për të përballur Serbinë, është humbje që në fillim. Pra, pse duhet të humbesësh aleatët për të përballur e mundur Serbinë, ose thënë më logjikisht, si do ta mundim Serbinë pa aleatë”, u shpreh Abdixhiku. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • NCEU i reagon Bislimit, ‘deklarata të tilla janë kundër frymës së dialogut’

    NCEU i reagon Bislimit, ‘deklarata të tilla janë kundër frymës së dialogut’

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian i ka reaguar Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili një ditë më parë përmes një postimi në plaftormën X kritikoi emisarin Miroslav Lajcak për takimin me përfaqësuesit e kësaj organizate.

    Sipas Bislimit, Lajcak nuk tregoi se takimi ishte në Serbi. Andaj nga Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian thanë se etiketimet e tij janë kundër frymës së dialogut dhe vlerave evropiane.

    “Konsiderojmë se sjellja e tij duhet të dënohet nga Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të Quintit. Puna e Grupit Punues është e hapur për publikun dhe nga rezultatet tona përfitojnë të gjithë pjesëmarrësit në dialog, përfshirë Bislimi. Etiketimi i organizatave të shoqërisë civile nga Bislimi është kundër frymës së Dialogut, kundër vlerave evropiane dhe parimeve demokratike”, thuhet në reagimin e NCEU.

    Reagime të tilla nga zëvendësi i kryeministrit sipas njohësve të çështjes janë të pamatura dhe dëmtojnë pozicionin e Kosovës.

    “Mendoj se Z.Bislimi ka qenë i pamatur në disa deklarata të tij në adresë të faktorit ndërkombëtar dhe mendoj se ai duhet të ketë kujdes sa i përket këtyre deklaratave për arsye se Bislimi nuk përfaqëson vetëm vetën e tij por edhe Kosovën e po ashtu edhe procesin dialogues”, tha Fidan Ukaj, politolog.

    Thumbat nuk i kurseu as sot, vetëm se kësaj here në drejtim të diplomatëve ndërkombëtarë duke thënë se po ndërhyjnë në institucionet e pavarura të vendit, referuar presioneve për çështjen e dinarit.

  • Hovenier demanton qeverinë: Raportet me SHBA-në tashmë janë prekur

    Hovenier demanton qeverinë: Raportet me SHBA-në tashmë janë prekur

    Përgatiti: Haris Ademi

    Ambasadori Jeffrey Hovenier e tha prerazi, se raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë së Kosovës, tashmë janë ndikuar nga mosdëgjueshmëria për shtyrjen e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore, që e delegjitimon përdorimin e dinarit serb.

    Në një paraqitje të jashtëzakonshme për media, diplomati amerikan tha se i qëndron në linjë intervistës së ndihmëssekretarit të Shtetit, James O’Brien, dhënë gjatë javës, për këtë çështje. Madje, demantoi deklaratat e qeveritarëve në Prishtinë, se kjo temë s’ka ndikuar fare në raportet mes dy aleatëve.

    “Ai shprehu keqardhje që qeveria Kurti nuk i është përgjigjur kërkesës sonë. Dhe e tha qartë, që nëse kryeministri Kurti nuk do të na trajtojë si partnerë dhe e vë në pikëpyetje sa partner mund ta konsiderojmë këtë qeveri. Unë jam i shqetësuar se tash ka deklarime publike, që e pasojnë këtë intervistë, se sugjerojnë se partneriteti SHBA-Kosovë nuk është prekur, dhe nuk mund të preket nga kjo situatë. Duhet të jem i artë. Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Kjo thjesht nuk është kështu. Sikurse ndihmëssekretari O’Brien deklaroi, kjo situatë tashmë e ka ndikuar kualitetin e marrëdhënieve mes dy qeverive tona”, tha Hovenier.

    Sipas Hovenier, është shumë e rrallë që një zyrtar amerikan si O’Brien të dalë publikisht me këso deklarata kritike ndaj Kosovës, njësoj sikurse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, siç ndodhi më 8 shkurt në përballjen Kurti-Vuciq.

    “Është shumë e rrallë që në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për përfaqësuesin amerikan në Këshill të Sigurimit të thotë gjëra kritike për një qeveri të Kosovës. Ambasadorja Greenfield e bëri këtë”, tha Hovenier.

    Kërkesa amerikane bazohet në dy gjëra. Fillimisht të lejohet transferimi i fondeve nga Serbia, në përputhje me rregulloren e BQK-së dhe praktikat evropiane, për të cilën duhet të diskutohet në kuadër të dialogut në Bruksel. Derisa të zbatohet ky proces afatgjatë, duhet të ketë provizione të përkohshme për ta lejuar Beogradin të vazhdojë ofrimin e shërbimeve të nevojshme sociale për serbët e Kosovës.

    Kryeministri Albin Kurti deri tash nuk ka hequr dorë nga rregullorja, derisa Banka Qendrore ka treguar se faza tranzicionale e zbatimit të saj pritet të zgjasë tre muaj.

  • Begaj-Blinkenit: Jemi mirënjohës për atë që po bëni për Shqipërinë dhe Kosovën

    Begaj-Blinkenit: Jemi mirënjohës për atë që po bëni për Shqipërinë dhe Kosovën

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se vizita e Sekretarin Amerikan, Antony Blinken, dëshmon se partneriteti strategjikë mes dy vendeve është më i fortë se kurrë.

    Begaj në Facebook, pas takimit me Blinken ka shkruar se vizita e sekretarin amerikan në Shqipëri “është një mesazh i fortë në mbështetje të shqiptarëve, politikës tonë jashtme dhe të ardhmes së Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE”.

    Ai është shprehur mirënjohës ShBA-së për atë se çfarë kanë bërë për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin.

    “Ne jemi mirënjohës për atë që po bëni për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin.Jemi falënderues për atë që SHBA kanë bërë dhe ju po bëni për demokracinë shqiptare, sundimin e ligjit, veçanërisht reformën në drejtësi, mbrojtjen, sigurinë dhe sigurinë kibernetike, arsimimin dhe ekonominë përmes programeve të ndryshme mbështetëse. Shqipëria dhe SHBA kanë qenë së bashku në mbështetje të Ukrainës si aleatë në NATO, duke kontribuar në misione në Afganistan dhe Irak”, ka shkruar ai ndër të tjera.

  • Hovenier: Vendimi i Kosovës për dinarin ka ndikuar në marrëdhëniet tona

    Hovenier: Vendimi i Kosovës për dinarin ka ndikuar në marrëdhëniet tona

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendimi i Kosovës për ta zbatuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës

    Duke folur të enjten për gazetarë në Prishtinë, Hovenier tha se deklaratat e zyrtarëve amerikanë kanë qenë vazhdimisht të qarta se Kosova duhet ta shtyjë vendimin e zbatimit të rregullores.

    Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – hyri në fuqi më 1 shkurt.

    “Ne kemi shpresuar se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti do të angazhohej, siç bëjnë partnerët, për ta zgjidhur këtë çështje se bashku, në vend se të merren veprime në mënyrë të njëanshme… ne jemi të shqetësuar që Qeveria e Kurtit nuk e ka bërë këtë. Çfarëdo sugjerimi se gjërat janë në rregull, se ne të gjithë ne pajtohemi me njëri-tjetrin, nuk është aspak e vërtetë. Ne jemi të shqetësuar dhe të frustruar dhe mendoj se toni i ndihmëssekretarit O’Brien e pasqyron këtë shumë qartë”, tha Hovenier.

    Hovenier tha se është “gjë e rrallë” që Kosova të kritikohet nga Shtetet e Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke iu referuar fjalimit të ambasadores amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, e cila e përsëriti kërkesën e shtetit të saj që Kosova të pezullojë zbatimin e vendimit të BQK-së gjatë një seance më 9 shkurt ku u bisedua me kërkesë të Serbisë për çështjen e dinarit.

    “Më lejoni të theksoj sa problematik është ky moment, saqë qeveritë tona nuk duket se po punojnë në partneritet me njëra-tjetrën. Prandaj, dua që t’i shmangim gjëra të tjera si këto”, tha Hovenier.

    Deklaratat e ashpra të ambasadorit amerikan në Prishtinë vijnë një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tentoi t’i hedhë poshtë sugjerimet e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili tha se Kosova po e rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.

    “Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, tha Kurti të mërkurën.

    O’Brien paralajmëroi të martën se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.

    “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien të martën në një intervistë për Zërin e Amerikës.

    Hovenier tha se ndihet i shqetësuar nga deklaratat publike të Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë kosovarë pas intervistës së O’Brien, të cilët pretenduan se partneriteti SHBA-Kosovë nuk është prekur dhe mund të mos preket nga kjo situatë, duke shtuar “duhet të jem i qartë se kjo nuk është aspak e vërtetë. Nuk është kështu”.

    Të hënën, BQK-ja njoftoi se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj do të zgjasë deri në tre muaj, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova nuk do të heqë dorë nga vendimi për ndalimin e dinarit për pagesa me para të gatshme, por se ai po i respekton kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje.

    Por, Hovenier theksoi se Qeveria kosovare nuk i ka dëgjuar kërkesat e SHBA-së për shtyrjen e zbatimit të vendimit të rregullores.

    Ai tha se Shtetet e Bashkuara i kishin kërkuar Qeverisë së Kosovës dy gjëra specifike në lidhje me vendimin për zbatimin e rregullores së BQK-së.

    “E para, duhet të vendoset një procedurë përmes së cilës Serbia mund t’i transferojë fondet në përputhje me rregulloren e Bankës Qendrore. Por kjo nënkupton standarde dhe praktika evropiane. Vendosja e kësaj procedure duhet të diskutohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Presim nga Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në këtë.

    “E dyta, derisa të punohet për ta zbatuar këtë proces afatgjatë, duhet të ketë provizione të përkohshme për ta lejuar Serbinë të vazhdojë të ofrojë fonde për shërbime të nevojshme sociale, përfshirë pagesat sociale, si pensionet, mbështetjen për sistemin e shëndetësisë dhe arsimit. Deri tani nuk ka pasur përpjekjet për ta mundësuar këtë në baza të përkohshme”, shpjegoi Hovenier.

    Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve. Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

    Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.

    BQK-ja ka thënë se një praktikë e tillë është e paligjshme, pasi vetëm ajo mund të bëjë eksport dhe import të monedhave dhe kartëmonedhave brenda territorit të Kosovës.

    Kushtetuta e Kosovës përcakton që duhet të ekzistojë vetëm një valutë për kryerje të pagesave me para të gatshme.

    Kosova nuk është pjesë e Eurozonës – të cilën e përbëjnë 20 vende anëtare të Bashkimit Evropian – por e ka euron si valutë kryesore prej vitit 2002. /REL