ATV

Tag: Ballina

  • Lajçak takohet me Peachin, flasin për zhvillimet në rajon

    Lajçak takohet me Peachin, flasin për zhvillimet në rajon

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është takuar me të dërguarin e Britanisë për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

    Gjatë këtij takimi, dyshja kanë biseduar për zhvillimet e fundit në rajon. Kështu ka bërë të ditur Lajçak me anë të një postimi në llogarinë e tij në platformën X.

    “Ne e përditësuam njëri-tjetrin për përpjekjet tona dhe zhvillimet më të fundit në rajon”, ka shkruar Lajçak.

    Takimi është zhvilluar në Munih të Gjermanisë, ku po mbahet Konferenca e Sigurisë.

  • Parashkrimi i lëndëve në sferën penale, sfidë në sistemin e drejtësisë – Veçohen eksponentët politik

    Parashkrimi i lëndëve në sferën penale, sfidë në sistemin e drejtësisë – Veçohen eksponentët politik

    Parashkrimi i lëndëve penale e po ashtu edhe vonesat e shumta tek çështjet civile, vazhdon të jetë një ndër sfidat më të madha që po ballafaqohet sistemi i drejtësisë në vend, raporton EO.

    Në këtë kuptim, drejtësia nuk po tregohet efektive për qytetarët, pasi nëse lëndët e tyre parashkruhen, vjetrohen apo edhe ka vonesa të mëdha deri tek verdikti final, atëherë ajo nuk mund të jetë një drejtësi e plotë.

    Por, si të dilet nga kjo situatë dhe a ka elemente të qëllimshme në raste të caktuara të kësaj, flasin njohësit e këtyre rrethanave.

    Sipas tyre, kjo dukuri po ndodh më shpesh tek rastet e politikanëve, ndërsa ka raste kur një lëndë vonohet nga 10 deri në 15 vite.

    Avokati Yll Zekaj në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se parashkrimi i lëndëve është kryesisht në sferën penale ku qindra lëndë ende nuk kanë marrë epilogun e tyre.

    “Parashkrimi si nocion është afati kohorë, brenda pa nënkalimin e së cilit afat nuk mund të ndiqet një vepër penale, apo nuk mund të ekzekutohet një dënim edhe nëse është marrë ai nga ana e gjyqësorit. Si dukuri, parashkrimet nga periudha e luftës, është një sfidë kryesore që ndodh në sistemin e drejtësisë, kryesisht në sferën penale, ku ka shumë lëndë që nuk kanë arritur ta marrin epilogun e vet, për shkak se ka kaluar afati kohor brenda së cilës është dashur të trajtohet e njëjta. Nëse e shohim sistemin sot në sistemin gjyqësor, shohim lëndë që janë duke trajtuar ndoshta me 10 apo 15 vite e të njëjtat nuk kanë marrë ende epilogun, të njëjtit të dyshuar apo të akuzuar nuk kanë marrë dënimin e merituar dhe të dëmtuarit, nuk kanë marrë satisfakcionin nga ky gjykim për të qenë të kënaqur me një vendim gjyqësor që do ta merrte në fund gjykata”, tha Zekaj.

    Ai tha se rastet e personave që kanë pozita të larta publike, ndodh më shpesh të parashkruhen lëndët e për të cilët thotë se kanë dhënë një hije të rendë sistemit të drejtësisë e duke ulur edhe besimin e qytetarëve ndaj këtij sistemi.

    “Kjo për me tepër është një dukuri me raste të politikanëve për më tepër tek rastet e personave që kanë pozita të larta publike, ku faktikisht ka dhënë edhe një hije të rendë sistemit duke ulur besimin e qytetarëve ndaj këtij sistemi. Janë elemente të shumta që kanë ndikuar qoftë te zvarritja e procedurës, qoftë kthimi i rasteve në rigjykim e të cilat nuk kanë arritur ta bëjnë një vendim të plotfuqishëm me vite të tëra. jo pastaj reflekton edhe në mos besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor dhe në raste të caktuara dhe i lënë indikacionet, se kinse gjyqësori nuk po guxon të merret me figura të larta publike dhe nuk po guxon të merret me politikan të fuqishëm, sidomos me ata të cilët kanë qenë në pushtet gjatë kohës kur janë iniciuar procedura”, u shpreh Zekaj.

    “Nëse e shohim sot në sistemin gjyqësor, shohim gjithmonë e më shumë që ka të akuzuar dhe persona të cilën ndaj të cilëve kemi procedura penale, e që janë ish funksionar publik, e shumë rrallë kemi të dyshuar apo të akuzuar persona të cilët janë më në pushtet, apo kanë qenë në pushtet në kohën kur janë filluar procedurat”, deklaroi Zekaj.

    Mendim të njëjtë ndan edhe avokati tjetër, Ardian Bajraktari, veçse sheh pabarazi tek qytetarët. Thotë se parashkrimi i lëndëve kërkon më shumë angazhim nga institucionet e drejtësisë.

    “Parashkrimi i lëndëve apo humbja e së drejtës se shtetit për të ndërmarrë ndjekje përkatësisht për t’i vendosur para përgjegjësisë kryerësit e veprave penale, natyrisht që është një veprim që duhet të punohet jashtëzakonisht shumë, me qëllim të adresimit sepse kjo është sfide e aq më tepër kur kemi të bëjmë me raste kur parashkrimi ka të bëjë me eksponent politik. Natyrisht që kjo e minon masë të konsiderueshme besimin e publikut në drejtësi për faktin se këtu vihet në shprehje edhe trajtimi mbase i pabarabartë i qytetarëve para ligjit dhe drejtësisë. Andaj e vlerësoj që duhet të punohet shumë në drejtim të adresimit të kësaj sfide”, thotë Bajraktari, teksa ka kërkuar të adresohen këto vonesa nga Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokuroria.

    “Si kundër që Këshillat përkatëse, Këshilli Gjyqësor apo edhe Këshilli Prokurorial duhet të punojnë në drejtim të adresimit, të çfarëdo neglizhence e cila është hasur gjatë punës së tyre me qëllim që të njëjtit t’i vënë para përgjithësisë në raste se ka ardhur si rezultat i mos ndërmarrjes së veprimeve për cilat natyrisht që janë përgjegjës dhe paguhen me taksa të qytetarëve të këtij vendi”, u shpreh ai.

  • ​Jamie Shea, zëri i NATO-s dhe shpresa e kosovarëve

    ​Jamie Shea, zëri i NATO-s dhe shpresa e kosovarëve

    “Në 48 orët e fundit, siç e keni parë, Beogradi ka vazhduar të shfaq një politikë të pamëshirshme ndaj mijëra kosovarëve. Ne nuk kemi asgjë kundër mediave. Por RTS nuk është medium. Është plot me punëtor të qeverisë të cilët janë të paguar që të prodhojnë propaganda dhe të gënjeshtra”

    Një çerek shekulli ka shkuar nga lufta dhe shumë gjëra kanë ndryshuar. Megjithatë, diçka ka mbetur e njëjtë. Kosovarët, përkundër kalimit të viteve, vazhdojnë ta mbajnë mend mirë këtë fytyrë.

    Jamie Shea ishte zëri dhe fytyra e shpresës për kosovarët në vitin 1999. Prandaj, në vizitën e parë në Prishtinë, u prit si një hero.

    “Ky ka qenë një moment fantastik. … Vetëm një herë në jetë. Për mua, ajo mirëpritje ka qenë një privilegj fantastik. Ka qenë paksa befasuese, sepse, këtë gjë e kam thënë shpesh, unë nuk e kam ditur që njerëzit kishin mundësi që t’i dëgjonin konferencat për media. Unë nuk e kam ditur këtë. Përshtypja ime ka qenë që serbët do ta gjejnë një mënyrë që ta bllokojnë gjithë këtë, ta ndalojnë transmetimin që të hyjë në Kosovë, që kosovarët nuk do të kenë radio apo televizior. Dhe, sinqerisht kam menduar që po flisja më shumë tek një audiencë ndërkombëtare. Kështu që të shkoja në Kosovë dhe ta kuptoja për herë të parë që njerëzit kanë pasur qasje në konferencat për media dhe ka qenë pak ndihmë në mbajtjen e moralit, mbajtjen e konfidencës dhe guximit në një kohë shumë të vështirë, ka qenë paksa befasuese”, ka rrëfyer Jamie Shea – ish-zëdhënës i NATO-s.

    Intervenimi i NATO-s në Kosovë, është periudha më sfiduese që Jamie Shea e ka kaluar në organizatën veri-atlantike.

    Duke reflektuar mbi plagët e Bosnjës, NATO kishte një vendosmëri të palëkundur për të shmangur një përgjakej të njëjtë në tokën e Kosovës.

    “Unë e kam ndjerë që NATO duhet t’i mbaj fjalët. Unë e kam jetuar Sylejman edhe konfliktin e Bosnjës, fqinjit tuaj verior të Jugosllavisë së vjetër, nga viti 1992 deri më 1995 dhe ato ishin ditë shumë të vështira. Sepse ne kemi bërë shumë premtime për aksione ushtarake, të cilat nuk i mbajtëm. Ne akuzoheshim nga shumë gazetarë se ishim një “Tigër prej letre”. Ne e kemi pasur politikë që t’i japim OKB-së të drejtën e vetos për sulmet ajrore, kështu që kishim të themi dy lloje të ndryshme të gishtërinjëve në të njëjtën anë, që ka qenë kontradiktore. Dhe ne ishim duke vendosur avionë ajër, të cilët po bënin shumë zhurmë, por nuk po intervenonim në fushëbetejë. Dhe e gjithë kjo rezultoi në tragjedinë monumentale të Srebrenicës, në korrik të vitit 1995, ku forcat serbe masakruan 8313 djem, sikur në Reçak, djem dhe burra. Gjykimi im, për kredibilitetin e NATO-s ne nuk deshëm që të ripërsëritet ajo performancë e tmerrshme. Dhe këtë herë, kredibiliteti ka qenë kryesori. Ne negociuam në një besim të mirë, komuniteti ndërkombëtar, Rambujeja. Ne ju kemi dhënë serbëve shumë dalje nga situata, ajo që amerikanët e quanin “Off-ramps” (rrugë një drejtimëshe), që të dalin nga kriza, rrugë që ata mund ta kishin ndjekur për ta shmangur një konfrontim me NATO-n. Por, veçanërisht pas Reçakut, me cenimin e të drejtave të njeriut në teren, me refugjatët, me shkeljet e të drejtave të njeriut, aksionet e serbëve, veçanërisht të policëve. Askush nuk dëshironte të përdorte forcën, por unë isha i përcaktuar që nëse NATO ka thënë qartësisht se ishte një vijë e kuqe, nëse ajo vijë e kuqe kalohet, atëherë ne duhet të ishim të qartë në vendimet tona”, ka shtuara tutje Jamie Shea.

    Në kokën e Sheas, marrëveshja e Rambujesë qëndron si përpjekja historike në ndërmjetësimin e paqes në Kosovë.

    Konferencat nga zyret qendrore të NATO-s në Bruksel, nuk kanë qenë të lehta.

    Sidomos, në kohën kur në Kosovë po ndodhnin shumë zhvillime.

    “Nuk ka qenë e lehtë. Clausewitz, strategu gjerman i Prusisë, e ka thënë frazën “Mjegulla e luftës”, çdokush e din këtë frazë dhe është e vërtetë. Ju nuk e keni një situatë të qartë se çfarë po ndodhë në teren, intelegjenca nuk është 100% dhe kështu ju jeni i shqetësuar veçanërisht kur flisni për mediat, frikësoheni nëse do të bëni ndonjë gabim, t’i thoni faktet gabim. Kredibiliteti i NATO-s ka qenë gjithashtu që të jemi të siqertë, t’i kemi faktet në rregull. Pra, kur ju nuk jeni duke i monitoruar drejtpërdrejt gjërat për të cilat jeni duke folur, nuk është e lehtë. Nëse ju do ta komentoni një ndeshje futbolli, të cilën ju nuk e keni parë, nuk jeni në stadium, ju jeni duke i marrë informacionet nga shokët që kanë qenë në ndeshje, ju nuk jeni në një pozitë të rehatshme për të qenë një komentator futbolli. Është shumë më mirë të jesh brenda në stadium, duke e monitoruar atë që po ndodhë në fushë”, ka deklaruar Jamie Shea – Ish-zëdhënës i NATO-s.

    25 vjet pas luftës së që la pas shumë viktima, Shea është krenar me të arriturat e Kosovës.

    “Qartazi, ju keni qenë duke jetuar në një fqinjësi të vështirë, që nuk i ka bërë gjërat edhe aq të lehta për ju. Tani Beogradi thotë që dinari është një valutë zyrtare e Kosovës, si dhe duke mbajtur qasje të tillë që Kosova na takon neve, përkundër që ne nuk e kontrollojmë atë, kjo nuk është shumë e lehtë. Duke i pasur parasysh këto gjëra, ku ju keni nisur nga asgjë, sepse e dini që serbët morrën gjithë dokumentet, ata kanë dëmtuar shumë resurse ekonomike para se të largoheshin. Ata e kanë lënë Kosovën me shumë pak, më tepër si refugjatë që mbërrijnë me pak para dhe vetëm me rrobat që mbajnë në shpinë. Në këto rrethana, mendoj që Kosova ka bërë jashtëzakonisht mirë. Kur unë kthehem në Prishtinë, çfarë vërej? Më shumë hotele të mira, më shumë vetura në rrugë, restorante shumë të mira, më shumë universitete, e të tjera, e të tjera. Sigurisht, ka probleme, mirëpo secili shtet ka probleme, demokracia nuk është asnjëherë perfekte. Por shoh progres”, ka vlerësuar Jamie Shea.

    Që nga shpallja e Pavarësisë, e themelimi i Forcës së Sigurisë, Kosova e ka një synim, anëtarësimin në NATO. Derisa kjo të ndodhë, Shea thotë se duhet edhe pak kohë.

    Jaime Shea, tani është në pension por vëmendjen nga Kosova e kosovarët të cilët i janë mirënjohës për punën e bërë, nuk e largon asnjëherë./Tv Dukagjini/

  • Komandanti Adem Jashari, përjetësohet në bronz në Mitrovicë

    Komandanti Adem Jashari, përjetësohet në bronz në Mitrovicë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Në sheshin që mban emrin e tij, jeta dhe vepra e komandantit Adem Jashari, u përjetësua në bronz në Mitrovicë, në 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
    Gjatë përurimit, në mesin e qindra të pranishmëve ishin edhe familjarë të tij përfshirë vëllanë, Rifatin.

    “Sot jemi këtu e kemi festen e 16-vjetorit të shtetit të Kosovës. Urime se pari Pavarësia të gjithëve dhe gjithë shqiptareve kudo qe gjenden brenda dhe jashtë Kosovës dhe urime edhe shtatorja, t’i gëzojmë së bashku”, tha Rifat Jashari.

    I pari i Mitrovicës, Bedri Hamza, tha se themelet e shtetit qëndrojnë me aleatët, e që sipas tij askush nuk duhet t’i rrënojë ato.

    “Familja e Shaban Jasharit ranë dëshmorë për Lirinë e Kosovës duke u përballur me policinë serbe. Më 5, 6 dhe 7 mars familja Jashari shënuan nismën më të lavdishëm Epopenë. Sakrifica e familjes Jashari vuri në lëvizje lirinë në dy drejtime në rrafshin ndërkombëtar dhe kryeqytetet e botës demokratike. Sado që ikin vitet emocionet e një ngjarje të tillë sikur ajo e 7 marsit jo që zbehen por bëhen edhe më të fuqishme për të cilën ishin bërë aq shumë. Janë shumë të panumërta ata që rreshtuan drejt vlerave perëndimore garantoi suksesin e veçante”, tha Hamza.

    Shtatorja e heroit Adem Jashari u punua nga skulptori Sabri Behramaj.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Jasharët e Prekazit, gurëthemeli i Pavarësisë

    Jasharët e Prekazit, gurëthemeli i Pavarësisë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Para 25 vjetësh në këtë oborr qetësia thyhej vetëm nga pushkët që shkrepeshin për çlirim. Jasharët e Prekazit, arritën qëllimin, andaj tash, tek kullat e tyre heshtja u prish nga qytetarët që erdhën për t’i nderuar, në përvjetorin e 16 të pavarësisë.

    Para se të arrinin tek shtëpitë, vizitorët mes të cilëve ishin edhe krerët e shtetit, ndaleshin për homazhe tek varret e të rënëve për liri.

    Kryeministri Kurti, Presidentja Osmani e kryeparlamentari Konjufca nuk folën gjë.

    Por, kështu nuk veproi Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike, i cili krahas nderimeve, kritikoi Qeverinë.

    Kurorë lulesh tek varri i komandantit Adem Jashari, u vendosen edhe nga vizitorë që erdhën nga Shqipëria.

    Megjithatë, qytetarët shprehën shqetësim për gjendjen e kullave.

    Më 5 mars të vitit 1998 shtëpitë e Jasharëve u sulmuan nga Policia. Familja rezistoi, andaj luftimet vazhduan deri më 7 mars. Përgjatë tre ditëve, u vranë 55 njerëz.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kosova feston 16 vjetorin e Pavarësisë

    Kosova feston 16 vjetorin e Pavarësisë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Për dallim prej mbledhjeve të kaluara, salla të shtunën e 17 shkurtit ishte më festive. Me mbledhjen solemne të Qeverisë, nisi shënimi i 16-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

    Prejardhja e Republikës, është te lufta çlirimtare dhe lëvizjet shekullore te popullit tonë për liri tha kryeministri Albin Kurti.

    “Republika e Kosovës, shteti ynë feston sot përvjetorin e vet të gjashtëmbëdhjetë. Sivjet shënojmë edhe dy përvjetorë të rëndësishëm, 26-vjetorin e epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe 25-vjetorin e çlirimit tonë nga okupimi i Serbisë. Përvjetorë të këtillë ofrojnë raste të përshtatshme për reflektime retrospektive, që rëndom mund të mos kemi kohë t’i bëjmë gjatë ditëve të tjera të vitit”, tha Kurti.

    Kurti shtoi se Kosova është shtëpia e të gjithëve, pa dallim.

    “Ashtu sikurse ditën kur u shpall, gjashtëmbëdhjetë vite më parë, ashtu edhe sot, si dhe çdo ditë më tej, Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj pa dallim. Andaj, sot ne festojmë, e urojmë e përgëzojmë, jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet jo shumicë në Republikën tonë, serbët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët, por edhe malazezët, kroatët e të tjerët”, tha Kurti.

    Teksa përmendi viktimat e luftës në Kosovë, shefi i ekzekutivit theksoi se për nder të tyre, duhet të vazhdohet rruga për ndërtimin e shtetit. Kurti falënderoi edhe partneret ndërkombëtar, për siç tha rrugëtimin e përbashkët për konsolidim të shtetit.

    “Teksa festojmë ditëlindjen e shtetit tonë, edhe përkujtojmë secilën jetë njerëzore të dhënë, gjakun e derdhur, përpjekjet e vetëmohimin për të mirën e përbashkët të këtij vendi, për ruajtjen e jetës dhe për jetesën e mirë për të. Përkujtimi është i anasjelltë, sepse ne me rininë dhe popullsinë tonë ecim përpara, por njëkohësisht duke përkujtuar veprimtarinë e atyre që ishin para nesh, ne ia përkujtojmë vetes në kujtesën tonë kolektive rrugën e kësaj vepre që duhet mirëmbajtur dhe rrugën që nuk duhet lëshuar asnjëherë. Lavdia e tyre është e përjetshme e kujtimi ynë për ta është i pashlyeshëm”, tha Kurti.

    Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mbi 100 vende të botës e kanë njohur shtetësinë.

    Përgjatë këtyre viteve, Kosova është anëtarësuar edhe në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Franco Foda emërohet përzgjedhës i Kosovës

    Franco Foda emërohet përzgjedhës i Kosovës

    Përgatiti: Ylber Kelmendi

    Në një konferencë të jashtëzakonshme në ditën e Pavarësisë së Kosovës gjermani Franco Foda është emëruar edhe zyrtarisht trajner i Kombëtares së Kosovës pasi ka nënshkruar një marrëveshje dy vjeçare me Federatën e Futbollit të Kosovës.

    Duke shprehur kënaqësinë që është bërë trajner i Kosovës, 57 vjeçari I lindur në Mainz, fjala e parë që e tha në konferencë ishte në gjuhen shqipe dhe theksoi se Kosova është një skuadër shumë atraktive dhe se me pak ndryshime mund të arrihen suksese të mëdha.

    “Personalisht skuadra më duket shumë interesante, shumë atraktive dhe me disa ndryshime të vogla do të kemi shumë sukses me këtë ekipi që e kemi.. I njoh disa futbollistë si: Rrahmanin e Napolit, Vedat Muriqin e Majorkës, Paqaradën, Alitin, kështu që i përcjellë rregullisht lojtarët”, tha Foda.

    Më tutje, ai vijoi duke thënë se ka parë disa ndeshje të Dardanëve dhe se nga këto ndeshje ka mësuar se Kosova mund të luaj me disa module në të gjitha repartet dhe po ashtu tregoi që gjatë perudhës sa është selector do të zhvendoset për të jetuar në Prishtinë.

    “Unë do të jetojë në Prishtinë sepse ka lojtarë që luajnë edhe në Superligën e Kosovës si Dellova i Ballkanit dhe Krasniqi i Llapit, por do të jem edhe jashtë vendit për t’i parë edhe lojtarët tjerë që janë të Kombëtares së Kosovës, por kryesisht në Prishtinë”, vijoi Foda.

    Në konferencën për shtyp me rastin e prezantimit të përzgjedhësit te ri, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi tha se Foda është trajner i rezultateve dhe se nën drejtimin e tij pret që Kosova të bëjë histori në garat ndërkombëtare dhe po ashtu tregoi se lojtari Elvis Rexhpebeqaj është duke u paisur me pasaportë të Kosovës.

    “Franco Foda është trajner i rezultateve, gjithsesi edhe ne jemi si Kosovë tani më në këtë pjesë duam të kemi rezultate sepse e kemi parë zhvillimin tonë dhe uroj që këto rezultate t’i bëjmë me Franco Fodën dhe Franco Foda të jetë trajneri ynë i cili do të mbetet në histori të futbollit të Kosovës me kualifikimin e Kosovës në garat evropiane dhe ndërkombëtare në të cilat bëjmë pjesë…Kemi vendosur që ta nënshkruajmë një kontratë dy-vjeçare, sigurisht që në këto gara, në këtë dy-vjeçar, në garat e radhës që i kemi do ta realizojë programin e tij, por edhe kërkesat tona që i kemi”, tha Ademi.

    Kujtojmë që Foda do te vjen me stafin e tij, kurse ndeshja e pare ku pritet të debutoj me Kosovën është ajo me Armenin me 26 mars.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Zbulohet shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari në Mitrovicë

    Zbulohet shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari në Mitrovicë

    Në mesin e qindra qytetarëve, sot në Mitrovicë në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, u inaugurua shtatorja e Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

    Në një fjalë rasti, vëllai i Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rifat Jashari, uroi të gjithë shqiptarët anë e kënd botës festën e Ditës së Pavarësisë, teksa uroi që “këtë shtatore dhe gjithë të tjerat t’i gëzojmë së bashku”.

    Në ceremoninë e inaugurimit, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, tha se sakrifica e familjes Jashari e simbolizon dhe sintetizon historinë e të gjitha familjeve të Kosovës për liri.

    Ai tha se si rrallë herë në historinë e kombeve dhe njerëzimit, familja Jashari qëndruan heroikisht dhe ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës, duke u përballur me ushtrinë dhe policinë serbe.

    Hamza shtoi kjo sakrificë u bë frymëzim dhe forcë mobilizuese për djemtë dhe vajzat e Mitrovicës që me armë në dorë luftuan denjësisht për lirinë e Kosovës.

    “Ditë kurorëzimi i një përpjekje të madhe, ajo kishte bashkuar të gjitha tokat e gjakut të dëshmorëve. Kur po shënojmë inaugurimin e shtatores, përkulemi para gjakut të dëshmorëve”, tha ai.

    Ndërkaq, lidhur me inaugurimin e shtatores së Adem Jasharit, i pari i Mitrovicës tha se kjo shtatore simbolizon realizimin e idealit tonë për liri.

    Në mesin e shumë të pranishmëve, prezent në këtë ceremoni ishte edhe djali i Hamëz Jasharit, Bekim Jashari, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu dhe ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

    Shtatorja e heroit Adem Jashari u punua nga skulptori Sabri Behramaj.

  • Osmani: Prezenca ushtarake e Serbisë në Kosovë ka përfunduar një herë e përgjithmonë më 1999

    Osmani: Prezenca ushtarake e Serbisë në Kosovë ka përfunduar një herë e përgjithmonë më 1999

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se prezenca ushtarake e policore e Serbisë në Kosovë ka përfunduar që nga viti 1999, ndërsa ka kërkuar që të ruhet partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare.

    Në Seancën Solemne për nderë të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidentja Osmani, tha se gjaku i dëshmorëve e martirëve është bazament i lirisë.

    “17 shkurti është arritura jonë më e madhe historike. Republike jonë po konsolidohet çdo ditë. Liria jonë nënkupton për ne vetë karakterin e ekzistencës sonë. Sot përulemi  para brezave që iu dedikuan lirisë. Kujtojmë mbi të gjitha dëshmorët dhe martirët e lirisë gjaku i të cilëve është bazamenti i lirisë. Në zemër të rrugëtimit tone qëndron edhe forca e aleancave tona. Ju ishit me ne në çdo kohë. Ju kemi pranë pa as një dyshim në mbrojtje të sovraniteti e demokracisë. Aleanca me SHBA qëndron si shtylla më e rëndësishme. Siguria dhe paqja e qëndrueshme nuk vjen vetëm por si rezultat i bashkëpunimit. Prandaj ta ruajmë më zell frymën e bashkëpunimit”, tha Osmani.

    “Lë të jetë e qartë se prezenca ushtarake e policore e Serbisë në Kosovë ka përfunduar një herë e përgjithmonë në vitin 1999. Heroi Afrim Bunjaku dha jetën e vete për t’i dhënë jehonë thënies se ‘Kosovë ne të dalim Zot’”, tha presidentja Osmani.

    Në fjalimin para deputetëve të Kuvendit, ku të pranishëm ishin edhe ambasadorë. Ajo ka falënderuar në mënyrë të veçantë këta të fundit, shtetet e të cilëve ndihmuan në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.

    “Në mënyrë të veçantë duhet tu falënderohemi miqve tanë të lirisë. Ju ishin me ne përgjatë rrugëtimit tonë kur na mohohej çdo e drejtë, kur shtypeshim mizorisht e kur luftonim për lirinë, kur u çliruam e kur ndërtuam institucionet tona demokratike. E ju kemi pranë pa asnjë dyshim edhe sot në mbrojtje të sovranitetit, të kufijve tanë, dhe demokracisë. Aleanca jonë me SHBA-në qëndron si shtylla më e fuqishme e shtetësisë sonë”, ka thënë ajo.

  • Kurti: Serbia ka zgjedhur konfrontimin, refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën

    Kurti: Serbia ka zgjedhur konfrontimin, refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën plenare për nder të 16-vjetorit të pavarësisë së Kosovës ka folur për dialogun me Serbinë ku ka thënë se Serbia në vend të fqinjësisë së mirë ka zgjedhur konfrontimin.

    Ai tha se Serbia dështoi në sulmin terrorist në Banjskë falë profesionalizimit të policisë sonë.

    “Është për keqardhje që Serbia ka zgjedhur konfrontimin, ka refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes bazike për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që sjell fqinjësi të mirë. Në vend të saj përqafoi terrorizmin, edhe aty dështoi falë profesionalizmit të policisë sonë”, deklaroi Kurti.

    Ai përmendi edhe pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë, duke thënë se janë pakica më e diskriminuar në Evropë.

    “Kosovën e kanë pjekur para kohe qëndresa e popullit tonë. Republika e Kosovës garanton të drejta me të gjëra për pakicat në rajoni tonë posaçërisht për serbet që përfitojnë e kontribuojnë në shtetin tonë të përbashkët. Ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës janë pakica më e diskriminuar në Evropë që edhe sot po i nënshtrohet spastrimit nëpërmjet të ashtuquajturit pasivizim të adresave… Bashkëpunimi me Shqipërinë do të shtohet dhe qeveri e Kosovës mbete e zotuar për t’i zbatuar marrëveshjet. Kosova është në krahë të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi si shtet fqinjë me të cilët ndajmë vlera të njëjta”, tha ai.

    Para deputetëve, Kurti tha se nëse Serbia do të kishte ndier përgjegjësi për gjenocidin në Kosovë do ta kishte njohur Pavarësinë e Kosovës qysh më 17 shkurt 2008.

    “Edhe sot si çdo vit mblidhemi për të uruar ditëlindjen e Kosovës. Me 16 vitet e saj në supe, është shteti më i ri rajon, por me vetëdije të pjekur po aq sa shtetet më të vjetra se ajo. Pavarësia ishte realizim i një aspirate popullore. Kosovën e ka pjekur para kohe qëndresa e popullit tonë ndaj valëve të njëpasnjëshme të pushtimeve dhe gjenocideve. Kosova u bë Republikë në Kaçanik dhe u luftua me pushkë të UÇK-së. Me flijimet që bëri për idenë e Republikës, Kosova fitoi simpatinë e shteteve demokratike që i dolën në krah më 1999. Më 2008 s’kishte mbetur dilemë te ndërkombëtarët se nëse Republika e Kosovës do të vinte. Por diskutohej të vinte në një trajtë të tillë që ishte e pranueshme edhe për armikun më të madh të saj, shtetin serb, që kishte dashur ta mbyste idenë e shtetit të shqiptarëve. Të gjithë e kemi të qartë se në rast Serbia shtetërore do të ishte ndier sado pak përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë, nëse në politikën e saj do të kishte mbizotëruar arsyeja dhe jo revanshizmi shovinist, ajo duhej ta kishte njohur Kosovën qysh më 2008. Kosova garanton të drejtat më të gjera për pakicat në rajonin tonë, posaçërisht te serbët”, tha ai.