ATV

Tag: Ballina

  • Hovenier: SHBA dhe populli i Kosovës kanë lidhje të forta

    Hovenier: SHBA dhe populli i Kosovës kanë lidhje të forta

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka vlerësuar thellë lidhjet e pandashme mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës në një ceremoni të zhvilluar në Prishtinë.

    Duke folur pranë shtatores së presidentit Bill Clinton, Hovenier hodhi dritë mbi marrëdhënien historike dhe të fortë që ka kultivuar SHBA me popullin e Kosovës, e cila ka qëndruar e palëkundur nga administrata në administratë.

    Ceremonia, e cila u zhvillua për të shënuar Ditën e Presidentit Amerikan, shërbeu si një platformë për të rikujtuar dhe vlerësuar përkushtimin e presidentëve të SHBA-së, duke filluar nga Clinton e deri te Biden, përfshirë Bush, Obama dhe Trump, ndaj lirisë dhe sovranitetit të Kosovës.

    Ambasadori amerikan theksoi ndikimin që liderët amerikanë kanë bërë për popullin e Kosovës, duke veçuar veprimet dhe mbështetjen që i kanë dhënë kësaj shteti në zhvillim.

    Ai gjithashtu pohoi se vlerat demokratike dhe aspiratat për liri që ndajnë të dy vendet janë një dëshmi e lidhjeve të pandarë që i bashkojnë ata.

    Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasqyroi në fjalët e saj respektin dhe mirënjohjen e thellë që Kosova ka për liderët e mëdhenj të Shteteve të Bashkuara, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në historinë e vendit të tyre, por edhe si farë drite për demokracinë në të gjithë botën.

    Osmani përmendi veprimet vendimtare të ish- presidentit Bill Clinton gjatë konfliktit në Kosovë dhe mbështetjen e vazhdueshme që ka ofruar SHBA në ndërtimin e institucioneve të reja të Kosovës.

    Ajo shtoi se demokracia është një proces që kërkon vigjilencë të pandërprerë dhe përkushtim, dhe se partneriteti i fortë SHBA-Kosovë është një dëshmi e vullnetit për të vepruar së bashku në shërbim të së mirës së përbashkët.

    Ngjarja u mbyll me një theksim të mirënjohjes për Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë qenë pranë Kosovës jo vetëm gjatë luftës për pavarësi, por edhe në rrugëtimin e saj pasluftë, duke siguruar një legat të bashkëpunimit, mbështetjes dhe miqësisë që do të vazhdojë të fuqizojë lidhjet mes dy kombeve./Telegrafi/

  • Kurti: Me vendet aleate jemi miq, por s’pajtohemi për çdo gjë

    Kurti: Me vendet aleate jemi miq, por s’pajtohemi për çdo gjë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në vënien e gurthemelit të fabrikës së prodhimit të dyerve dhe dritareve në Verbicë të Kmetocit,ku, veç investimeve nga mërgata, ka folur edhe për situatën në vend, veçmas në raportet mes Kosovës dhe vendeve aleate.

    “Ne me vendet aleate e partnere jemi miq, por që nuk do të thotë se pajtohemi në çdo vend dhe për gjithçka”, deklaroi Kurti.

    Ai, lidhur me vendimin e BQK-së për dinarin serb, tha se Qeveria e Kosovës, në bazë të ligjeve dhe të Kushtetutës, ka për detyrë ta mbështesë vendimet dhe rregulloret e BQK-së, derisa shtoi se raportet Kosovë-SHBA janë shumë të mira.

    Ndërkaq lidhur me takimin mes tij dhe presidentit serb, Vuçiq, kryeministri Kurti tha se nëse BE (v.j.),i thërrasin për nënshkrim të marrëveshjes, padyshim që shkon.

    “Jam treguar konstruktiv edhe atëherë kur na kanë thirrur në Bruksel dhe raundi i bisedimeve nuk mund të thuhet se ka qenë i suksesshëm. Unë këtë e bëj për BE-në, por edhe për shkak se duhet të kemi marrëdhënie normale me Serbinë”, tha Kurti.

  • Sarrazin: Kosova dhe Serbia duhet ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit

    Sarrazin: Kosova dhe Serbia duhet ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit

    Në kuadrin e Konferencës së Sigurisë në Mynih, i ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, thekson për DW se qëllimi është integrimi i suksesshëm i Ballkanit Perëndimor në BE.

    DW: Në Konferencën e Sigurisë në Mynih kësaj radhe të binte në sy, që në programin zyrtar nuk kishte asgjë për Ballkanin Perëndimor. Ndonëse pati dy evente anësore, ku shënohej Ballkan, ishte evidente mospërfshirja në rend dite. Si duhet shpjeguar?

    Manuel Sarrazin: Unë besoj se secili e di, që ne ndodhemi në një fazë, kur lufta në Ukrainë, çështja e rendit të ardhshëm botëror, zgjedhjet në SHBA dhe Trumpi, duket se qëndrojnë në plan të parë një herë për një herë. Besoj se nuk duhet të harrojmë, se në të gjitha këto çështje aftësia strategjike e Evropës për ta zhvilluar pozitivisht Ballkanin Perëndimor, do të jetë vendimtare për pyetjen, nëse do të na marrin seriozisht në çështjet e tjera. Sigurisht që nga BE kërkohet që të furnizojë Ukrainën, por tema së paku e dyta për nga rëndësia është Ballkani Perëndimor. Nëse atje kapaciteti i BE nuk funksionon në mënyrë adekuate, si mund të na marrë seriozisht dikush shumë, shumë larg nesh, në konkurrencën globale për çështjet e mëdha botërore, transmeton KosovaPress.

    DW: Pati një panel lidhur me zgjerimin e BE. Në të mori pjesë presidentja e Gjeorgjisë, një përfaqësuese e Ukrainës, Ballkani Perëndimor mungonte edhe atje. Dhe kur je në rajon, ke shpesh përshtypjen se njerëzit në fakt kanë frikë, se tema e tyre margjinalizohet si rrjedhojë e sfidave të mëdha që sjell Ukraina. Si e interpretoni këtë situatë?

    Manuel Sarrazin: Unë e kuptoj që shumë njerëz kanë, të themi frikë, se e shohim veten prej shumë kohësh duke pritur dhe tani të tjerët duket sikur po e parakalojnë Ballkanin. Së pari mendoj se duhet të kemi parasysh, se çdo histori suksesi e secilit vend drejt zgjerimit do t`i sjellë dobi të gjithëve. Ukraina ka bërë që Evropa të jetë e vendosur për ta dashur zgjerimin edhe me Ballkanin Perëndimor, të gjitha kryeqytetet, jo vetëm Berlini apo Brukseli, edhe të tjerët. Kancelari dhe ministrja e Jashtme janë shumë të lidhur me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor në biografinë dhe mendësinë e tyre. Ukraina dhe Ballkani Perëndimor për ne nuk përbëjnë kundështi, por të dy kanë një rëndësi të jashtëzakonshme gjeostrategjike.

    DW: Kurrë më parë nuk ka pasur një formacion kaq të mirë të përfaqësuesve për Ballkanin në BE. Nga ana tjetër koha po ikën, ne jemi tani pak para zgjedhjeve evropiane dhe do të ketë me siguri shumë ndryshime në nivel evropian. Çfarë duhet të nxjerrim nga kjo për politikën ndaj Ballkanit Perëndimor. Çfarë duhet të ndodhë në këtë dritare të shkurtër që është ende aty?

    Manuel Sarrazin: Unë mendoj se është e qartë, të gjithë e kanë të qartë, që në këto kohë po shkruhet histori. Historia shkruhet shpesh më shpejt nga ç`e mendon. Unë mund të them se nuk kam përshtypjen, se punës, veprimtarisë sime po i ikën koha, por çështja është që të punojmë së bashku, që ne, politika e qeverisë gjermane si shtet anëtar i BE-së, të japim kontributin tonë, në mënyrë që koncerti evropian të jetë i suksesshëm në Ballkanin Perëndimor. Dhe ne të gjithë punojmë për një qëllim, që është integrimi i suksesshëm i Ballkanit Perëndimor në BE. Dhe komisioni do të bëjë së shpejti propozime të reja, për ta bërë më të besueshëm rrugëtimin drejt këtij qëllimi.

    DW: Le të ndalemi edhe tek Bosnja e Kosova: Për Bosnjën 12 marsi është një moment i rëndësishëm. A nuk të krijohet përshtypja se vendi po bën një zhvillim politik për të plotësuar më mirë klauzolat e tij. Çfarë duhet të ndodhë nga këndvështrimi juaj si i Ngarkuar për Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që nga 12 marsi të hapet ndoshta një kapitull i ri?

    Manuel Sarrazin: Koalicioni ka dhënë disa sinjale subtile, se është i gatshëm të bëjë disa reforma paraprakisht, për të na mundësuar që ta ndjekim pozitivisht rrugën. Këtë do ta shohim, shenjat subtile i shohim, por duam t`i shohim vërtet. Kjo më duket se është situata, ashtu siç është, dhe ne sigurisht që do ta mbajmë të fortë presionin, me qëllim që të shohim sa më shumë zhvillime pozitive. Vendimtare është besueshmëria, që ne të jemi të bindur se rruga e reformave do të vazhdohet më tej në mënyrë të qëndrueshme. Dhe për këtë ne duam të marrim sinjale nga Sarajeva.

    DW: Sfera e dytë e konfliktit, apo ndoshta më e madhja në rajon, vazhdon të jetë çështja Kosovë – Serbi – dialogu. Shumë janë të dekurajuar, bëhen dy hapa përpara dhe pastaj dy prapa, nganjëherë tri hapa prapa dhe një hap para, dhe për këtë shumë edhe kanë thënë, ndoshta dritarja tani mbyllet, kush e di çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve evropiane, pas zgjedhjeve në SHBA. Cila është qasja e të Ngarkuarit për Ballkanin Perëndimor për të sjellë atje një përparim, në mënyrë që dikur të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme në marrëdhënien ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

    Manuel Sarrazin: Së pari duhet thënë se dritarja nuk është mbyllur ende. Ne kemi të dërguarin e posaçëm të BE, Miroslav Lajcak, i cili punon, ai ka një agjendë dhe do që të arrijë zbatimin dhe implementimin e Ohrit. Dhe qasja jonë është që ta mbështesim atë dhe të bëjmë gjithçka, që kjo dritare të shfrytëzohet, të cilën Miroslav Lajcak e plotëson tani. Ai është shumë aktiv dhe kjo është qasja jonë. Më duket se nuk ka kuptim të mendosh shumë, se çfarë do të vijë paskëtaj. Ne jemi për Ohrin dhe duam që të dyja palët ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit dhe mendoj se kjo është vendimtare. Unë shoh në të dyja palët se politika e brendshme do të bëhet një faktor i rëndësishëm. Dua ta them në mënyrë eksplicite; e ardhmja e të gjithë rajonit është në BE dhe kjo duhet të qëndrojë nganjëherë mbi politikën e brendshme.

    DW: Si Vuçiç ashtu edhe Albin Kurti ishin në Mynih. Ka ndonjë lajm pozitiv pas bisedimeve me këto dy politikanë për t`u treguar apo ndonjë shenjë shprese? Pati ndonjë impuls për të cilin mund të thuhet se po ndodh diçka?

    Manuel Sarrazin: Jo diçka për cilën unë mund të flisja këtu. Por një gjë mund të dihet me siguri, se qeveria gjermane mbetet e angazhuar për të bërë gjithçka, në mënyrë që këtu së shpejti të këtë përparim./DW

  • ​Rucker e sheh të ardhmen e Kosovës në BE, thotë se vendimi për dinarin ishte i nxituar

    ​Rucker e sheh të ardhmen e Kosovës në BE, thotë se vendimi për dinarin ishte i nxituar

    Ish-përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Joachim Rucker, shprehet optimist për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

    Rucker në një intervistë për KosovaPress thotë se Kosova është pjesë e Komunitetit Euro-Atlantik dhe se të ardhmen e saj e sheh në BE.

    Ndërkaq, sa i përket asaj nëse duhet të hequr sanksionet ndaj Kosovës, Rucker thotë se kërkesat e BE-së janë shumë të rëndësishme dhe si të tilla mund të përmbushen nga qeveria aktuale, në mënyrë që procesi të shkojë përpara.

    Përveç këtyre, Rucker për KosovaPress flet edhe për vendimin lidhur me dinarin, për çka vlerëson se u prezantua paksa me nxitim. Ai shton se duhet dhënë më shumë kohë serbëve të Kosovës për t’u përshtatur me një vendim të tillë.

    “Epo, mendoj se këtu ishin disa kërkesa në lidhje me atë që ju i quani sanksione, dhe mendoj se ato kërkesa ishin të rëndësishme dhe ato mund të përmbushen nga qeveria, jam absolutisht i sigurt dhe ne mund të ecim përpara. Natyrisht, Kosova është pjesë e Komunitetit Euro-Atlantik dhe të ardhmen e saj e shoh në BE. Pra, kjo nuk është një pengesë e madhe”, theksoi Rucker.

    Ish-përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Joachim Rucker shprehet i bindur se do të ketë rezultate në një afat të mesëm sa i përket normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Ai potencon se OKB-ja është vend i rëndësishëm për të zgjidhur çështje të tilla.

    “OKB-ja është një vend i rëndësishëm për të zgjidhur çfarëdo që duhet zgjidhur, por mendoj se ajo që është shumë e rëndësishme është sigurisht normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe jam ende i bindur se do të shohim rezultate në afat të mesëm”, tha Rucker.

    Ndërkaq, lidhur me vendimin e qeverisë aktuale për moslejimin e përdorimit të dinarit në Kosovë, Rucker konsideron se u prezantua me nxitim, për çka thotë se politikisht duhet dhënë më shumë kohë atyre që i përdorin për t’u përshtatur me një ndryshim të tillë.

    “Epo, mendoj se u prezantua paksa me nxitim, nuk dyshoj se mund të jetë e ligjshme, por mendoj se politikisht ju duhet t’u jepni njerëzve më shumë kohë për t’u përshtatur me një ndryshim të tillë”, tha Rucker.

    Para rreth një jave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se nuk është ndaluar dinari në Kosovë, por euroja është e vetmja valutë pagese në Kosovë.

    Kurti theksoi se ka bashkëpunim shumë të mirë me serbët e Kosovës dhe se nuk ka asnjë problem me ta. Ai shtoi se BQK-ja është e gatshme për të bashkëpunuar me Bankën Qendrore të Serbisë.

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj, e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb, nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.

  • Rreth 150 mjekë lanë punën gjatë vitit 2023

    Rreth 150 mjekë lanë punën gjatë vitit 2023

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Rreth 150 mjekë janë larguar nga vendi i punës vetëm në vitin 2023, sipas Odës së Mjekëve. Kurse gjatë këtij viti, 17 tjera kanë kërkuar dokumentin e pastërtisë etiko-profesionale, që nevojitet për punësim në Perëndim.

    Arsyet e largimit thuhet të jenë kushtet jo të mira të punës dhe pagat e ulëta.

    Ish-ministri i Shëndetësisë, tash deputet i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj, fajin për këtë e hedh te qeveria aktuale.

    “Qeveria më shumë ka qenë e interesuar të ndërhyjë dhe imponoj njerëz nëpër Klinika dhe spitale të cilët kanë qenë në ndërrime e largime të mëdha, sesa përfaqësim të denjë dhe menaxhim të mirë të institucioneve shëndetësore. Nga kjo klimë ka vazhduar edhe ikja sidomos nga mosplotësimi i kushteve të punës në pjesën e infermierisë e mos të flasim për mjekët ku ikja e tyre është në rritje edhe këtë vit fatkeqësisht nga kjo gjendje që krijuar viteve të fundit”, tha Zemaj.

    Përveç kapaciteteve njerëzore, deputeti i Aleancës, Shemsedin Dreshaj, thotë se po mungojnë edhe investimet në sektor.

    “Ndërsa sa i përket sektorëve të ndjeshëm, që e brengosin komplet qytetarin dhe shoqërinë e vendit, siç e sheh mundësia siç është arsimi, siç është infrastruktura, siç janë projektet kapitale, kjo qeverisje nuk ka treguar efikasitetin e duhur, as për së afërmi atë çka e shprehin”, tha Dreshaj.

    Ndërsa Bekim Haxhiu i Partisë Demokratike, po e kritikon pushtetin edhe për vonim të miratimit të ligjeve që lidhen me shëndetësinë.

    “Dështim në miratimin e strategjisë për shëndetësi, për tri vite nuk kanë qenë të aftë të miratojnë një strategji për shëndetësisë, për tri vite nuk kanë qenë të aftë që dy ligjet bazike për shëndetësi të cilat i kanë proklamuar vetë. Deri sa nuk kanë qenë të aftë të miratojnë as ligj për tri vite si mund të presim nga këta që mund të bëjnë diçka tjetër”, tha Haxhiu.

    Dy javë më parë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha para komisionit parlamentar se gjatë këtij viti synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në spitale, derisa paralajmëroi se së shpejti do ta nis edhe ligjin e ri për sigurime shëndetësore.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Mjeti shpërthyes në Rrugën B, ende enigmë

    Mjeti shpërthyes në Rrugën B, ende enigmë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Veturë e markës së njëjte u parkua në po të njëjtin vend edhe të shtunën mbrëma, në Rrugën B në Prishtinë.

    Por pronari me të shkuar tek vetuar e tij, hasi në një mjet të dyshimtë, për të cilin u tha se është mjet shpërthyes.

    Por se a ishte eksploziv apo jo, ende nuk është bërë e ditur, madje një gjë e tillë nuk u tha as në raportin 24 orësh të policisë.

    “Prishtinë / 17.02.2024 – 19:40. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se person-a të panjohur dyshohet se i kanë montuar diçka të dyshimtë në veturën e tij të parkuar. Njësit relevante policore, zjarrfikësit, ndihma e shpejtë dhe prokurori kujdestar për krime të rënda kanë dalur në vendin e ngjarjes, ku njësiti i EOD-së kanë bërë tërheqjen e mjetit të dyshimtë nga vetura, në mënyrë të sigurt dhe pa incidente”, thuhet në raportin e Policisë.

    Gjatë ditës ATV, foli edhe me zyrtarë të policisë për rajonin e Prishtinës, por ata nuk treguan nëse kanë marrë konfirmim nga njësia për deminim, se a ishte apo jo mjet shpërthyes.

    Krejt kjo situatë e krijuar u pa me shqetësim nga banorët e kësaj lagjeje.

    “Kemi dëgjuar për një mjet të dyshimte, në një veturë, kjo është shumë shqetësuese, sepse ka frekuentim të madh të qytetarëve. Është një pasiguri te qytetarët”, tha Ismet Hashani, banor në “Rrugën B”.

    “Nuk ka ndodh më parë këso sene, edhe është shumë tragjike nëse ndodhin raste te tilla”, tha Elion Ademaj, banor në “Rrugën B”.

    Pas largimit të automjetit nga policia, rruga ishte liruar për qarkullim, mbrëmjen e së shtunës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Lëndimi nga acidi klorhidrik, KPMM i gjen shumë shkelje “Trepçës”

    Lëndimi nga acidi klorhidrik, KPMM i gjen shumë shkelje “Trepçës”

    Përgatiti: Armand Hoti

    Dy minatorë rrezikuan ta humbasin shikimin, e 11 të tjerë morën lëndime më të lehta nga acidi klorhidrik, një muaj më parë, në minierën e Trepçës në Stan Tërg.

    I gjithë procesi i bartjes së këtij lëngu për pastrim të gypave, po del se është bërë pa masa mbrojtëse, e nga minatorë të pakualifikuar.

    Shkelje të tjera të rënda konstatoi Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, në raportin për këtë ngjarje, të siguruar nga ATV-ja.

    “Dimensionet e bidonit me acid kanë qenë shumë më të mëdha se ato të karrocës, dhe ena nuk ka qenë e lidhur për platforme. Pas arritjes së materialit në horizontin e XI-të, gjatë nxjerrjes nga kafazi të bidonit, si rezultat i peshës së liruar dhe tundjes së acidit, bidoni ka rrëshqitur nga platforma dhe është rrëzuar, duke u qarë dhe derdhur acidi klorhidrik”, thuhet në raportin e KPMM-së.

    Gjetjet thonë se minatorët u rrezikuan në vend pune, meqë as nuk e dinin se dikush po e sillte acidin në atë kohë.

    “Nuk është bërë vendosja e bllokadave siguruese të kafazit ndaj lëvizjeve/oscilimeve të tij gjatë bartjes dhe transportit të materieve të rrezikshme (acidit klorhidrik); Nuk ka pasur dhe nuk është përfillur procedurë standarde operative për punën/transportin me materie të rrezikshme (acid klorhidrik); Udhëzimet e punës për transport të materieve të rrezikshme kanë munguar; Punëtorët e minierës nuk kanë qenë të informuar lidhur me transportin e materieve të rrezikshme (acidit klorhidrik) në minierë dhe me rastin e aksidentit kanë qenë të rrezikuar”, thuhet në raportin e KPMM-së.

    Komisioni i formuar nga vetë ndërmarrja, nuk ka dhënë asnjë rekomandim se si të parandalohet përsëritja e këtij aksidenti.

    Për këtë joprofesionalizëm, Trepça do të gjobitet me 15 mijë euro, ndërsa KPMM do të iniciojë edhe procedura gjyqësore.

    Dy minatorët e lënduar më rëndë atë ditë, janë liruar nga spitali i Mitrovicës javën e kaluar, kurse ende nuk iu kanë kthyer horizonteve të minierës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Osmani: Qeveria dhe aleatët të ulen e të merren vesh për një plan për heqjen e dinarit

    Osmani: Qeveria dhe aleatët të ulen e të merren vesh për një plan për heqjen e dinarit

    Presidentja Vjosa Osmani tha se problemi që lindi mes Qeverisë së Kosovës dhe ndërkombëtarëve në lidhje me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës e cila e largon nga përdorimi dinarin serb në vend, është “mënyra se si u komunikua”.

    Osmani tha se “gjithçka që kemi arritur në këtë vend është rezultat i bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë”.

    Ajo tha se duhet të dilet nga kjo situatë duke arritur një marrëveshje me partnerët për një plan zbatimi të rregullores së re të BQK-së.

    Osmani tha se ka hapësirë “për t’u ulur dhe për të diskutuar mes qeverisë dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë”, për të punuar rreth kësaj çështjeje.

    “Unë mendoj se është vetëm çështje komunikimi”, the presidentja në një intervistë për mediumin arab “Al Aan” dhënë më 8 shkurt, të cilën Presidenca e shpërndau sot në Facebook.

    Osmani u shpreh e sigurt se do të zgjidhet çështja e dinarit, pasi tha se “nuk ka pse të mos zgjidhet”.

    “Do të ishte qesharake të mos zgjidhej”, tha ajo.

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka thënë të enjten në një konferencë për media se padëgjueshmëria e Qeverisë në lidhje me dinarin veçse i ka prekur raportet mes shteteve.

  • Kurti: Funksionalizimi për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës, obligim që po përmbushet

    Kurti: Funksionalizimi për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës, obligim që po përmbushet

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se funksionalizimi i Instituti për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë është “obligim që po përmbushet”.

    Kurti shpërndau një video nga momenti i djeshëm ku u bë pranim dorëzimi i dokumenteve të para. Ai i falënderoi familjarët e të zhdukurve për angazhimin në dokumentimin e krimeve të Serbisë.

    “Funksionalizimi i Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë është një obligim që po përmbushet ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi”, shkroi Kurti.

    “Në 16-vjetorin e Pavarësisë, dje ishim në Institutin për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me Drejtorin Ekzekutiv, z. Atdhe Hetemi, dhe me Kryetarin e Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, z. Ahmet Grajçevci, për ceremoninë e pranim dorëzimit të dokumenteve të para në këtë Institut. Falënderoj z. Grajçevcin dhe asociacionet e familjarëve të të zhdukurve për angazhimin e tyre ndër vite, për dokumentimin e krimeve të zhdukjeve me dhunë nga Serbia”, shtoi ai.

    Qeveria e Kosovës më 16 shtator e kishte miratuar Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe ai u miratua në Kuvendin e Kosovës më pas.

    Projektligji parasheh themelimin e institutit me qëllim të hulumtimit dhe dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999.

  • Maqedonci flet për “rrezik shumë të lartë” për luftë: Shumica e kapaciteteve luftarake të Serbisë janë dislokuar përreth kufirit

    Maqedonci flet për “rrezik shumë të lartë” për luftë: Shumica e kapaciteteve luftarake të Serbisë janë dislokuar përreth kufirit

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se bazat operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përreth kufirit me Kosovën janë “një kërcënim i vazhdueshëm për vendin tonë”.

    Maqedonci tha se “kemi një dislokim enorm të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në juf të Serbisë”.

    “Po, 48 bazat e përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe janë një kërcënim i vazhdueshëm për vendin tonë edhe për faktin që këto 48 baza janë në afërsi të kufirit me territorin e vendit tonë, pra janë diku prej 300 metra deri në 5 kilometra nga vija kufitare e Kosovës dhe janë të drejtuara armiqësisht kundër territorit të vendit tonë. Përveç këtyre 48 bazave, është për tu theksuar edhe fakti që 3 nga 4 brigadat e ushtrisë serbe janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë, dhe ato të drejtuara armiqësisht kundër territorit të vendit tonë”, tha ministri në një intervistë për The Geopost.

    “E kemi një dislokim enorm të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në jug të Serbisë, kryesisht përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës. Përveç këtyre tri brigadave, ka edhe formacione të tjera luftarake të ushtrisë serbe që janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë dhe kryesisht janë në bazat në Rashkë, Nish dhe Vranjë, pra përgjatë gjithë vijës kufitare të vendit tonë dhe këto 48 baza që i theksuat janë një zgjatje operacionale e këtyre tri brigadave të ushtrisë serbe e që aktualisht janë në jug të territorit të Serbisë dhe vetëm 1 nga 4 brigadat e ushtrisë së Serbisë është e dislokuar në veri të territorit të Serbisë, më saktësisht në kufi me Republikën e Kroacisë”, shtoi Maqedonci.

    Maqedonci tha se shumica e kapaciteteve luftarake të Serbisë, “duke përfshirë edhe kapacitetet që janë blerë nga Kina dhe Rusia janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë”. Ai tha se “kjo nuk paraqet kërcënim vetëm për vendin tonë, por, për të gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimor dhe për vendet tjera që kufizohen me Republikën e Kosovës”.

    “Duke i shtuar kësaj edhe veprimet e fundit që janë ndërmarrë nga grupe të armatosura paramilitare të udhëzuara nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ky rrezik është shumë i lartë”, tha ministri.