ATV

Tag: Ballina

  • Përplasje mes ministrit të financave dhe opozitës në komisionin për buxhet

    Përplasje mes ministrit të financave dhe opozitës në komisionin për buxhet

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Borxhi publik për vitin 2023, kanë përplasur ministrin e Financave, Hekuran Murati, me deputetët opozitarë, derisa po raportonte në Komisionin për Buxhet.

    Diskutimet filluan pasi Murati deklaroi se për herë të parë në Kosovë ka ulje të borxhit publik.

    Kjo ngjalli reagime tek anëtarët e komisionit, të cilët e kundërshtuan deklaratën.

    Debati vazhdoi edhe kur Hoti pyeti ministrin rreth vlerësimit të kreditorëve, madje i kujtoi atij që nuk do të jetë edhe gjatë në këtë pozitë.

    Kritika pati edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Në këtë komision, përpos ministrit raportuan edhe drejtori i ATK-së dhe i Doganës, të cilët po ashtu u kritikuan nga anëtarët e Komisionit për keqmenaxhim.

  • S’dihet objekti se ku do të vendoset gjykata administrative

    S’dihet objekti se ku do të vendoset gjykata administrative

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Brenda këtij viti, sistemit të drejtësisë në Kosovë, pritet t’i shtohet edhe një Gjykatë. Megjithatë, akoma nuk dihet se në cilin objekt do të vendoset Gjykata Administrative.

    “Sa i përket objektit të Gjykatës, kjo çështje mbetet të vendoset në të ardhmen apo deri në miratimin e Projektligjit nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Drejtësisë.

    Krahas ndryshimeve legjislative, njohës të çështjeve juridike konsiderojnë që Qeveria duhet të punojë edhe në rregullimin e infrastrukturës për funksionim sa më të mirë të gjykatave.

    Juristët shpresojnë që Gjykata Administrative të mos e ketë fatin e njëjtë sikurse ajo Komerciale, e cila përballet me probleme të theksuara infrastrukturore.

    Projektligji për Gjykatën Administrative u miratua nga Qeveria më 14 shkurt. Ajo do të ketë juridiksion në tërë territorin e Kosovës. Do të jetë kompetente në zgjidhjen e kontesteve nga marrëdhënia e punës, mes personit fizik dhe institucionit publik, siç përcaktohet me nenin 5 të projektligjit.

  • Kurti takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it

    Kurti takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

    Zyra e kryeministrit njofton se qëllimi i takimit ishte informimi dhe koordinimi për temat aktuale.

    “Fillimisht u diskutua mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri Kurti i falënderoi shtetet e QUINT-it për mbështetjen e vazhdueshme dhe i informoi ata mbi hapat që po ndërmerr vendi ynë në këtë proces, duke i adresuar rekomandimet nga Raporti i Juristëve Eminent. Kryeministri deklaroi se presim avancim në procesin e anëtarësimit, si domosdoshmëri për forcimin e mëtutjeshëm të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

    Kryeministri theksoi dhe nevojën që BE-ja të heqë sa më shpejt masat ndëshkuese ndaj vendit tonë, pasi arsyet për të cilat janë vendosur kanë pushuar qysh në shtatorin e vitit të kaluar, kur qeveria ka bërë veprimet në krijimin e bazës ligjore për mundësimin e procesit të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës.

  • Vrasja e Marigona Osmanit, Apeli vendos që të rigjykohet rasti edhe një herë në Ferizaj

    Vrasja e Marigona Osmanit, Apeli vendos që të rigjykohet rasti edhe një herë në Ferizaj

    Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Vendimi është bërë i ditur me një njoftim për media.

    “Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti për Krime të Rënda, me aktvendimin PAKR.nr.677/23, të datës 11.01.2024, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ankesat e mbrojtësve të akuzuarve D.K, av.Admir Salihu dhe A.S, av.Arbnora Shefkiu, av.Avni Ibrahimi edhe sipas detyrës zyrtare, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, 2022:132923 të datës 04.08.2023, ashtu që çështja penale i është kthyer gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim. Në pikën II të dispozitivit të aktvendimit, kjo gjykatë pretendimet ankimore të prokurorisë dhe ato të mbrojtësve për bazat e tjera ankimore si dhe të përfaqësuesit të palës se dëmtuar, i ka konsideruar tani për tani si jo lëndore, ndërsa në pikën III të dispozitivit të aktvendimit, ka konstatuar se të akuzuarit, D.K dhe A.S, të mbeten në paraburgim, deri në një vendim tjetër nga ana e gjykatës së shkallës së parë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

    “Gjykata e Apelit, me aktvendimin PAKR.nr.677/23, të datës 11.01.2024, ka aprovuar, ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ankesat e mbrojtësve të akuzuarve D.K, av.Admir Salihu dhe A.S, av.Arbnora Shefkiu, av.Avni Ibrahimi edhe sipas detyrës zyrtare, aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, 2022:132923, të datës 04.08.2023, e ka anuluar ashtu që çështja penale i është kthyer gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim”, thuhet më tutje.

    Por, mbi cilat arsye u kthye rasti në rigjykim?

    “Në arsyetim të aktvendimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se pretendimet e prokurorisë dhe të mbrojtëseve lidhur me shkeljet esenciale të dispozitave procedurale qëndrojnë, ashtu që ekzistojnë shkelje të dispozitave nga neni 384 paragrafi 2.7, lidhur me nenin 369 paragrafi 6 dhe 7 të KPP, si dhe shkelje të dispozitës së nenit 384 paragrafi 2.1, lidhur me nenin 361 paragrafi 2 të KPP, të cilat kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit të ankimuar. Kolegji i Gjykatës së Apelit ka gjetur se shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale konsistojnë në faktin se dispozitivi I dhe II i aktgjykimit të ankimuar është i pa qartë, i pa kuptueshëm dhe jo në harmoni me dispozitat ligjore të cilët formojnë elementet e veprave penale për të cilat të akuzuarit janë shpallur fajtor, për arsye se dispozita ligjore nga nenit 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 i KPRK, për të akuzuarin e parë i referohet privimit nga jeta të personit tjetër në mënyrë mizore apo dinake dhe jo për motive xhelozie, ndërsa përkitazi me pikën 1.4 të nenit 173 të KPRK, kolegji gjykues i shkallës së dytë ka theksuar se një rrethanë e tillë duhet të vërtetohet nga ekspertet e fushës përkatëse, e që në rastin konkret nuk është bërë nga ana e gjykatës së shkallës së parë”, ka shkruar Gjykata e Apelit.

    “Sa i përket të akuzuarit të dytë A.S, gjykata e apelit ka vlerësuar se, në raport me veprën penale nuk janë dhënë arsye të qarta dhe konkrete nëse veprimet e të akuzuari janë në pajtueshmëri me tiparet e veprës penale për të cilën i njëjti është shpallur fajtor. Mbi bazën e të lartcekurave kolegji i shkallës së dytë, ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale, aktgjykimi i atakuar përmban shkelje esenciale nga dispozitat e procedurës penale, pasi që mungojnë arsyet për faktet vendimtare të cilat janë thelbësore për vërtetimin e përgjegjësisë penale të akuzuarve, për çka gjykata e shkallë së dytë ka dhënë udhëzimet konkretet të cilat do të duhet të eliminohen në fazën e rigjykimit, nga gjykata e shkallës se parë”, thuhet në komunikatë.

  • Hovenier: ShBA qëndron fuqishëm krah KFOR-it për ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes në Kosovë

    Hovenier: ShBA qëndron fuqishëm krah KFOR-it për ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes në Kosovë

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, është takuar sot me Komandantin e KFOR’it, Ozkan Ulutas.

    Për këtë takim ka njoftuar Ambasadori Hovenier, i cili ka thënë se me Ulutas kanë folur për situtën e sigurisë në Kosovë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fuqishëm krah KFOR-it.

    “Takimi i mirë me Komandantin e KFOR’it, MG Ulutaş. Përsëritëm angazhimin tonë të përbashkët për sigurinë në Kosovë dhe diskutuam për sfidat aktuale. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fuqishëm me @NATO_KFOR pasi punon për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë”, ka shkruar Hovenier.

  • BE sërish kërkon që çështja e dinarit të zgjidhet në dialog

    BE sërish kërkon që çështja e dinarit të zgjidhet në dialog

    Bashkimi Evropian ka përsëritur se dëshiron t’u ndihmojë Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë, pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutë të vetme për pagesa me para të gatshme në shtet.

    Zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe sigurisë, Peter Stano, megjithatë gjatë konferencës për media më 23 shkurt nuk deshi të japë detaje rreth një takimi të thirrur për javën e ardhshme në Bruksel për këtë çështje.

    “Duhet t’i kthehemi praktikës së deritanishme që të mos flasim në publik dhe konferenca për shtyp për logjistikën e përgatitjeve të takimeve në nivel të grupeve punuese”, tha Stano.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të premten se çështja e dinarit “mund të zgjidhet këtu në Kosovë”, duke shtuar se nuk është dashur që kjo temë të shkaktonte “përplasje me aleatët”.

    Ndërkaq, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, më herët gjatë javës ka konfirmuar se zyra e tij ka pranuar një ftesë nga BE-ja për takim për çështjen e dinarit. Ai ka thënë se nuk do të marrë pjesë në këtë takim, duke theksuar se nuk e di se kush mund të marrë pjesë në të nga Kosova.

    “Dërguam letrën për palët dhe sqaruam në detaje se si presim të merren me çështje të caktuara. Ne shpresojmë që të dyja palët do të gjejnë zgjidhje për një çështje që ishte krijuar me një vendim pa afat dhe pa konsultime të njërës palë, që pati ndikim te pala tjetër”, tha Stano.

    “Ne nuk jemi komentues, por lehtësues dhe bëjmë përpjekje t’iu ndihmojmë palëve që të gjejnë zgjidhje”, shtoi ai.

    Duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë pasojash mund të ketë për Kosovën nëse nuk merr pjesë në takim në Bruksel, të cilin e ka thirrur i dërguari i posaçëm evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, Stano tha se “nuk mund të spekulojmë se çfarë do të ndodhë, nëse do të ndodhë”, duke shtuar se ftesat për palët janë dërguar dhe BE-ja vetëm bën përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje.

    Më herët është konfirmuar se Lajçak u ka dërguar ftesë Kosovës dhe Serbisë që të marrin pjesë në një takim në Bruksel më 27 shkurt për të diskutuar rreth çështjes së dinarit.

    Bislimi, gjatë një deklarimi për media, kishte thënë se kjo ftesë e Lajçakut përbënte shkelje të parimeve nga ana e tij sepse, sipas praktikave të mëhershme, asnjë temë nuk mund të vendoset në agjendë të një takimi, pa pajtimin paraprak të të dyja palëve.

    Kosova mendon se çështja e dinarit nuk është një temë që duhet diskutuar në dialog, por autoritetet bankare në Serbi kanë kërkuar që zgjidhja për këtë çështje të gjendet në kuadër të dialogut të Brukselit.

    Më 1 shkurt, në Kosovë ka nisur të zbatohet rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme.

    Rregullorja e BQK-së është kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se vendimi është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimin te komuniteti serb.

    Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, duke argumentuar se mospërmbushja e kësaj kërkese veçse ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

    BQK-ja ka thënë se vendimi do të zbatohet përmes një faze transitore jo më të gjatë se tre muaj.

  • Stano flet për ftesat për takim më 27 shkurt: Kemi bërë shpjegime të detajuara, nuk spekulojmë për skenarët

    Stano flet për ftesat për takim më 27 shkurt: Kemi bërë shpjegime të detajuara, nuk spekulojmë për skenarët

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, sot sërish ka folur për ftesat e dërguara për Kosovën dhe Serbinë rreth një takimi në Bruksel, të cilin e ka refuzuar kryenegociatori Besnik Bislimi.

    Stano tha se nuk e komentojnë organizimin e takimeve përmes mediave dhe domenit publik, por shtoi se ftesat janë bërë dhe se shpresojnë që palët të pajtohen për zgjidhje,

    “Ne i kemi dërguar ftesat te partnerët për t’u marrë me çështje të caktuara dhe u kemi shpjeguar në thellësi dhe tash shpresojmë që të dyja palët të jenë në gjendje të pajtohen dhe të zgjidhin çështjen që u shkaktua nga një vendim i pafat dhe i pakonsultuar nga njëra palë që ka ndikuar tek pala tjetër”.

    Ai tha se roli i BE-së është për të lehtësuar palët të arrijnë deri te zgjidhja dhe se nuk do të komentojnë se çka janë duke bërë në këtë drejtim.

    Stano u pyet edhe se çfarë pasoja mund të ketë një refuzim i ftesës për të marrë pjesë për zëvendëskryeministrin Bislimi, por refuzoi të përgjigjet.

    “Ne asnjëherë nuk spekulojmë rreth skenarëve “çka nëse”. Ne kemi dërguar ftesat, kemi vënë objektivat dhe kemi bërë publike përgatitjen tonë për të ndihmuar palët që të gjejnë zgjidhje”.

  • Krimi tronditës në Durrës, gazetari nga Shqipëria zbulon se si arriti policia që ta zbardhte vrasjen

    Krimi tronditës në Durrës, gazetari nga Shqipëria zbulon se si arriti policia që ta zbardhte vrasjen

    Një kallëzim në polici për zhdukje personi zbuloi një ngjarje mjaft të rëndë të krimit në familje. Policia e Durrësit, pas 10 ditë kërkimesh për zhdukjen e një 49-vjeçari zbuloi se kemi të bëjmë me një vrasje.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Shënavlash të Durrësit, ku në oborrin e familjes Meta, është gjetur i vrarë me armë zjarri dhe i varrosur kryefamiljari Pëllumb Meta.

    Në lidhje me këtë krim policia ka arrestuar vajzën e viktimës, 19-vjecaren Hygerta Meta, studente në Tiranë për biznes, e cila sipas të dhënave paraprake policore mësohet se e ka pranuar autorësinë e vrasjes së të atit.

    Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE Në ATV, gazetari nga Shqipëria, Edison Vatnikaj, ka treguar në detaje rrjedhën e ngjarjes që nga dita kur tashmë i ndjeri Pëllumb Meta, ishte raportuar si i zhdukur.

    “Sa i përket të gjithë dinamikës, besohet që vajza në fjalë e ka pranuar këtë krim me pretekstin se babai i saj Pëllumb Meta, do ta fejonte me shkuesi, pra do ta fejonte pa dëshirën e saj për shkak se ajo vazhdonte shkollën në vitin e parë për Administrim Biznesi dhe martesa mund të shkëpuste marrëdhëniet me shkollën dhe në të tilla kushte është bërë edh vrasja e 50-vjeçarit. Sipas policisë, dyshohet se në këtë vrasje nuk ka marrë pjesë vetëm vajza Hygerta, por janë edhe anëtarët e tjerë të familjes, gruaja dhe dy djemtë e tjerë të familjes Meta, të cilët mund ta kenë ndihmuar apo mund të jenë personat kryesor në këtë ngjarje. Nisur edhe nga gjithë dinamika pasi është vrarë edhe Pëllumb Meta me armën e zjarrit, është groposur në afërsinë e banesës së tij, pikërisht në një bahqe e cila është e sajuar për bagëti, është zhveshur dhe aty është mbështjellë me një batanije dhe është groposur”, tregoi gazetari Vatnikaj.

    Ai tha se fillimisht, policia kishte parë kamerat e sigurisë, nga të cilët kishte parë se ishte lëvizur makina e Pëllumb Meta, të cilën e drejtonte vajza e tij Hygerta.
    Me të siguruar këtë provë, policia kishte vënë nën përgjim të gjithë familjen Meta.

    “Nga verifikimet ka rezultuar në fakt që djali ka bërë kallëzimin ku është shprehur se babai kishte që një ditë më parë që nuk kishte kontaktuar me asnjë nga familjarët dhe pasi është rezultuar dhe është administruar kallëzimi në fjalë, policia ka nisur hetimet fillimisht duke parë kamerat e sigurisë dhe një ditë pasi është bërë ky kallëzim, është parë lëvizja e makinës së Pëllumb Metës ku ka rezultuar që nuk ishte vetë Pëllumbi, por një nga familjarët, pikërisht vajza e cila ka lëvizur makinën në një zonë të plazhit për të humbur nga qarkullimi me automjet. Pasi është arritur të provohet që vajza ka lëvizur makinën, është vënë nën përgjim e gjithë familja ku është provuar krimi i rëndë i ndodhur pikërisht brenda familjes Meta. Në momentin që Policia ka arritur të ky dyshim i arsyeshëm, e kanë marrë sërish në pyetje vajzën, e kanë marrë djalin, gruan dhe djalin tjetër të familjes, por ndemjet tyre ka pasur dëshmi kontradiktore që do të thotë se nuk kanë pasur përputhshmëri mes deklarimeve në këtë aspekt është bërë e mundur që e gjithë zona e banesë të mbikëqyret me punonjës policia, aty ku anash banesës kanë parë një tokë të punuar, çka kanë ngritur dyshimet pikërisht për varrosjen e 50-vjeçarit”, tha Vatnikaj.

    Ai tregoi se është provuar që Pëllumb Meta është vrarë me armë zjarri, është provuar që është varrosur pikërisht në atë ambient aty, por deri në këtë fazë që jemi, nën akuzë është vetëm vajza e cila ka pranuar autorësinë. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Si përpiqet Rusia të ndikojë në Ballkan përmes Forumit Mysliman Evropian?

    Si përpiqet Rusia të ndikojë në Ballkan përmes Forumit Mysliman Evropian?

    Kur tensionet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit qenë rritur në gushtin e vitit 2022 për shkak të çështjes së targave ilegale serbe të automjeteve, të cilat përdoreshin në veri të Kosovës, Forumi Mysliman Evropian kishte shprehur shqetësimin e tij se myslimanët mund të pësonin nga ndonjë incident i mundshëm.

    Kjo, megjithatë, nuk ka qenë hera e parë që kjo organizatë ka shfaqur interesim për rajonin e Ballkanit.

    Puna e saj është përmendur së voni në një raport që ka përpiluar Royal United Services Institute (RUSI), me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i konsideruar instituti më i vjetër në botë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

    Në raportin e titulluar “Kërcënimi nga lufta jokonvencionale e Rusisë përtej Ukrainës, 2022–‘24” përmenden taktika të ndryshme të Rusisë për të krijuar përçarje në Evropë.

    Aty përfshihet edhe strategjia e Rusisë për të zgjeruar ndikimin e saj në botën myslimane, nëpërmjet organizatave dhe fondacioneve bamirëse.

    Një ndër to është Fondacioni Ahmat Kadyrov, i cili tenton të popullarizojë si figurë fetare ish-udhëheqësin çeçen, njëherësh babanë e udhëheqësit aktual të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, i cili është aleat i presidentit rus, Vladimir Putin.

    Punë të ngjashme bën edhe Forumi Mysliman Evropian.

    Sipas raportit britanik, “organizata është sidomos aktive në Ballkan, ku ka krijuar lidhje me përfaqësues autoritarë myslimanë (jo vetëm fetarë, po edhe figura politike) në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Kroaci, Greqi dhe Rumani”.

    Në ueb-faqen e saj, në internet, nuk gjenden të dhëna për mënyrën e financimit të organizatës.

    Çfarë raportesh ka Kosova me Forumin Mysliman Evropian?

    Në korrik të vitit 2021, një delegacion nga Forumi Mysliman Evropian, i kryesuar nga kryetari i tij, qëndroi për vizitë në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) dhe në Fakultetin e Studimeve Islame. Delegacioni qe pritur nga kryetari i BIK-ut, myftiu Naim Tërnava, dhe nga bashkëpunëtorët e tij.

    Atëbotë, zyrtarë të BIK-ut i patën deklaruar se delegacionin e kishin pritur vetëm në shenjë respekti dhe se nuk kishin qenë në dijeni se me kë ka afërsi organizata.

    Delegacioni pati zhvilluar një mori vizitash edhe në vendet e tjera në Ballkanit.

    Në faqen e Këshillit të Myftinjve të Rusisë, vizita ishte paralajmëruar si mundësi për të avancuar në një nivel tjetër bashkëpunimin mes myslimanëve të Ballkanit dhe atyre të Rusisë.

    Çfarë dihet për Forumin dhe kush e udhëheq atë?

    Forumi Mysliman Evropian është organizatë e themeluar në tetorin e vitit 2018 dhe i ka disa zyra në Evropë.

    Udhëheqës i Forumit është Abdul-Vahed Niyazov. Në të kaluarën, ai besohet se ka qenë udhëheqës i lëvizjes “Myslimanët në mbështetje të presidentit Putin”, dhe gjatë një periudhe ka qenë përfaqësues i partisë së Putinit në Dumë, dhomën e poshtme të Parlamentit rus.

    Sipas ueb-faqes së Forumit, ai angazhohet për ofrim të ndihmës për integrim të emigrantëve myslimanë në shoqëritë evropiane, për ndërtim të xhamive dhe qendrave kulturore, apo për zhvillim të industrisë Halal në Evropë.

    Por, Zyra e Departamentit për Siguri Shtetërore e Lituanisë ka thënë në raportin vjetor të 2023-tës se Forumi përhap propagandë kundër Perëndimit.

    Sipas autoriteteve lituaneze, pozitat kryesore në Forum u takojnë udhëheqësve të organizatave myslimane ruse, të cilat kanë lidhje me administratën presidenciale të Rusisë.

    Në të kaluarën, Niyazov është parë në takime me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

    Sipas autoriteteve të Lituanisë, Niyazovit i është ndaluar hyrja në zonën Shengen, në Evropë, prej tetorit të vitit 2022.

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban me Abdul-Vahed Niyazovin dhe një pjesëtar tjetër të Forumit në gusht të vitit 2023.

    Cilat janë lidhjet e Forumit Mysliman Evropian me Ballkanin?

    Pjesë e këshillit të Forumit Mysliman Evropian, nga rajoni i Ballkanit, janë myftinjtë e Serbisë, Mevlud Dudiq dhe Abdullah Numan, pastaj Behixhudin Shehapi nga Maqedonia e Veriut dhe Rifat Feiziq nga Mali i Zi.

    Një myfti i Serbisë ka marrë pjesë edhe në themelimin e Forumit, më 2018, në Barcelonë.

    Në faqen e Forumit në rrjetin social Facebook publikohen shpesh fotografi të xhamive nëpër Ballkan dhe aktivitetet e tyre.

    Me raste shprehet edhe mbështetje për ndonjë figurë politike, sikurse Bakir Izetbegoviq, ish-president i Bosnje e Hercegovinës, apo Muammer Zukorliq, zëvendëskryetar tashmë i ndjerë i Parlamentit të Serbisë.

    Në rrjetet sociale, në postime kryesisht në gjuhën ruse, Forumi deklaron mbështetje edhe për figura kontroverse, siç është Andrew Tate.

    Ish-kikboksieri amerikano-britanik është përgëzuar nga organizata për konvertim në islam, me shpresën se ai do t’i promovojë vlerat islamike.

    Aktualisht, Tate po përballet me procese gjyqësore në Rumani, pasi akuzohet për përdhunim dhe trafikim, akuza që ai i ka hedhur poshtë.

    Luftimi i propagandës ruse

    Jakub Kalensky nga Qendra për Ndikim Hibrid COI, me bazë në Finlandë, ka thënë ditë më parë se Evropa duhet t’i rrisë kapacitetet për identifikim dhe dokumentim të dezinformatave që nisen prej Rusisë.

    “Besohet se Rusia tani ndan 2 miliardë euro për operacione dezinformimi brenda vitit, derisa përgjigja e BE-së financohet prej 12 milionë eurove”, ka thënë ai.

    “Nëse i kemi 2 miliardë euro përballë 12 milionë eurove, e dimë qartë fundin. Nuk ka rëndësi nëse fushata e BE-së është më e mirë, në fund Rusia do të fitojë”, është shprehur Kalensky, raporton REL.

  • Osmani: Roli i grave e ka shtyrë përpara paqen në vendin tonë

    Osmani: Roli i grave e ka shtyrë përpara paqen në vendin tonë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka quajtur pjesë e kyçe e historisë së Kosovës në të gjitha fazat e saj, gratë në Kosovë, raporton EO.

    Në Konferencën rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova e meriton të jetë pikë reference në hartën globale sa i përket angazhimit në drejtim të jetësimit të agjendës për gratë.

    “Në bosht të historisë sonë, të popullit tonë, në fazat e ndryshme të saj, si në kohën e rezistencës paqësore ashtu edhe gjatë luftës së UÇK-së, edhe pas luftës në procesin e ndërtimit të paqes, në procesin e shtetndërtimit, edhe sot ndërsa forcojmë pozitën tonë në arenën ndërkombëtare, ka qenë roli i grave që ka shtyrë përpara paqen dhe sigurinë në vendin tonë”, ka thënë ajo.