ATV

Tag: Ballina

  • Borrell i quan të pasuksesshme takimet e ndara me Kurtin e Vuçiqin në Mynih

    Borrell i quan të pasuksesshme takimet e ndara me Kurtin e Vuçiqin në Mynih

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka thënë se takimet që kishte me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, ishin të pasuksesshme.

    Në deklaratën e Borrell të publikuar në faqen e Shërbimit të BE-së për Punë të Jashtme, të lëshuar lidhur me takimet, Borrell ka bërë të ditur se me Kurtin dhe Vuçiqin kanë diskutuar për deesklaimin e tensioneve në marrëdhëniet mes dy vendeve.

    “Me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti, kam diskutuar, në takime të ndara, se si të deeskalojmë tensionet mes dy vendeve, fatkeqësisht pa sukses”, thuhet në deklaratë.

    Po aty thuhet se Borrell ka pasur një numër të madh takimesh dypalëshe me partnerë të BE-së nga e gjithë bota.

    “Të gjithë u ndërgjegjësuan për realitetin në Konferencën e Sigurisë të Munihut të këtij viti se Evropa është në rrezik për shkak të dy luftërave në afërsi dhe shumë konflikteve të mundshme në mbarë botën”, ka theksuar ndër të tjera Borrell.

  • Kurti në Londër: Po e luftojmë korrupsionin, jemi në një vijë me ShBA në vlerat politike dhe ato të biznesit

    Kurti në Londër: Po e luftojmë korrupsionin, jemi në një vijë me ShBA në vlerat politike dhe ato të biznesit

    Në samitin e investimeve në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Londër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është në një vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglinë si në vlerat politike ashtu edhe në ato të biznesit.

    Kurti tha se Kosova ka fuqi punëtore duke përmendur moshën mesatare të popullsisë.

    Në tri vitet e fundit, Kurti tha se janë dyfishuar eksportet dhe investimet e drejtëpërdrejta të huaja, por shtoi se nevojiten ende investime të tilla.

    Ai përmendi edhe arsimimin profesional duke thënë se projekti ka nisur në 14 komuna.

    Në fund, kryeministri Kurti tha se diaspora po sjellë vetëm remitencat por edhe etikën e punës dhe dijeninë që kanë.

    “Kemi pasur zhvillim ekonomik, përparim demokratik dhe stabilitet institucional, që na ka ndihmuar shumë të luftojmë me sukses rreziqet për sigurinë dhe po ashtu të adresojmë ndryshimet klimatike dhe pabarazinë sociale… Kemi po ashtu edhe përparime në rendin e ligjit dhe avancimin në të drejtat politike, në të drejtat civile dhe demokracinë zgjedhore. Kjo e pozicionon Kosovën në një situatë të favorshme në hartën globale dhe jemi në zemër të lidhjes mes Evropës, Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Kemi një fuqi punëtore, mosha mesatare e Kosovës është 31 vjeçare dhe kemi një ekonomi të tregut të hapur që krijon një ambient të mirë për bizneset. Jemi të vendosur mirë për investimet teknologjike, nga 23 vende evropiane, Kosova del e 11’ta në një rangim duke lënë mbrapa të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE dhe një anëtare të BE’së. Në këto tri vite kemi dyfishuar si eksportet ashtu edhe investimet e drejtpërdrejta të huaja FDI, na duhen më shumë të tilla por jemi në vend të mirë sepse veçse po kemi këso investime, na duhen ende investime të këtij lloji. Jemi të dedikuar për rendin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit në vijë me Amerikën dhe Anglinë, si në vlerat politike edhe në ato të biznesit sidomos pas agresionit rus në Ukrainë që tashmë së fundi ka mbushur dy vjet. Dhe një element shtesë për të cilin kemi punuar shumë është për ta lidhur tregun e punës me arsimimin profesional në mënyrë që të kemi njerëz më shkathtësi të duhura, me çdo diplomë që jepet në shkollat tona të ofrohet edhe një vend pune. Kemi nisur këtë projekt në 14 komuna, 21 shkolla, 12 profile të ndryshme dhe këtë e kemi mësuar nga diaspora jonë e fuqishme sidomos në Gjermani dhe Zvicër, që po na i çojnë jo vetëm remitencat por edhe etikën e punës dhe dijeninë që kanë”, tha Kurti.

  • Para tetë vitesh Hashim Thaçi u zgjodh president i Kosovës

    Para tetë vitesh Hashim Thaçi u zgjodh president i Kosovës

    Hashim Thaçi u zgjodh president i KosovësKryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, u zgjodh president i Kosovës në raundin e tretë të votimeve mes tensionesh të larta politike më 26 shkurt të vitit 2016.

    Ai fitoi me 71 vota në raundin e tretë, pasi në dy raundet e para nuk arriti të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve. Zgjedhja e tij u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare të cilat dy herë radhazi ndërprenë seancën duke hedhur gaz lotsjellës.

    Në pjesën e parë të seancës, deputetët e opozitës njëri pas tjetrit diskutuan kundër zgjedhjes së Thaçit në postin e presidentit, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafa, për veprime të dëmshme kundër Kosovës. Në debatet e tyre, ata vunë theksin te marrëveshjet e arritura në bisedimet me Serbinë, si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

    Deputetët e opozitës shfaqën dyshimin se kandidati për president, Hashim Thaçi, mund të ketë bërë lëshime të reja përballë Listës serbe në shkëmbim të votës së tyre në favor të zgjedhjes së tij.

    Derisa po zhvilloheshin raundet e votimeve, jashtë parlamentit, policia përdori gazin lotsjellës dhe “topat e ujit” për të shpërndarë grupe protestuesish që hodhën shishe me benzinë në kundërshtim të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës. Të paktën 11 pjesëtarë të policisë dhe një protestues janë lënduar gjatë përleshjeve.

    Hashim Thaçi detyrën e presidentit e mori më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës.

    Para se të bëhej president, Thaçi ka qenë një vit zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme (2014-2015), si dhe kryeministër i Republikës së Kosovës në dy mandate (2007-2014).

    Thaçi ka qenë kryetari i parë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe është rizgjedhur vazhdimisht kryetar i partisë, deri më dorëheqjen e tij më 26 shkurt 2016, para se të votohej për president të Kosovës.

    Hashim Thaçi ka shpallur Kosovën shtet të pavarur më 17 shkurt 2008, ka udhëhequr ekipin e Kosovës në bisedimet në Rambouillet në shkurt 1999 dhe ka qenë udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve të luftës 1997 – 1999. Thaçi ishte lideri politik më i votuar në zgjedhjet e 8 qershorit 2014.

    Si kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëhequr dialogun politik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që më 19 prill 2013, rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Për angazhimin e tij për paqe dhe stabilitet, në vitin 2014, Hashim Thaçi është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe nga kongresistë dhe senatorë amerikan, si dhe nga përfaqësues të Parlamentit Evropian.

    Karriera politike e Hashim Thaçit fillon me angazhimin e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), lëvizje politike kjo që synonte emancipimin e pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

    Si student në Universitetin e Prishtinës, Thaçi u bë lider i Lëvizjes Studentore në periudhën mes viteve 1990 dhe 1993, vite këto kur pushteti i Beogradit mbylli institucionet arsimore universitare në gjuhën shqipe, ndërsa Universiteti i Prishtinës filloi të vepronte jashtë sistemit institucional.

    Më 1991, Thaçi zgjidhet prorektor-student i Universitetit të Prishtinës, ku jep kontribut në strukturimin dhe zhvillimin e procesit paralel mësimor universitar. Hashim Thaçi është njëri ndër themeluesit e organizatës politiko-ushtarake, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Nga viti 1997, Hashim Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë cilësi, ai kryesoi delegacionin e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambouillet të Francës, nga 6 deri më 22 shkurt 1999. Pas luftës, Hashim Thaçi ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nga 1999 – 2000.

    Thaçi ka qenë anëtar i Këshillit të Përkohshëm Administrativ (KPA), strukturë kjo e përbashkët qeverisëse e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe klasës politike kosovare, deri më 2001 kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pasluftës.

    Në tetor të vitit 1999, Hashim Thaçi ishte ndër themeluesit e Partisë së Progresit Demokratik të Kosovës (PPDK). Në kuvendin e parë zgjedhor të partisë, në vitin 2000, partia e ndryshoi emrin në Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Hashim Thaçi u zgjodh kryetar i saj, post të cilin e mbajti deri më 26 shkurt 2016.

    Thaçi ishte anëtar i Ekipit të Unitetit që përfaqësoi Kosovën në procesin negociator të udhëhequr nga Emisari Special i OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, që negocioi statusin politik të Kosovës, 2005 – 2007.

    Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u zgjodh kryeministër i Qeverisë së Kosovës. Kurse, më 17 shkurt 2008, kryeministri Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur.

    Thaçi është kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Më 5 nëntor të vitit të kaluar Thaçi dha dorëheqje nga pozita e Presidentit, për t’u nisur menjëherë drejt Hagës, për shkak të aktakuzës si i dyshuar për “krime lufte”.

    Në konferencën e fundit si President, ai tha se nuk do të lejonte të dilte si President i Kosovës në bankën e të akuzuarve para Gjykatës Ndërkombëtare.

  • ​Qytetarët nga ky vit ngarkohen me tatimin e tokës bujqësore, kjo s’vlen për komunat në veri

    ​Qytetarët nga ky vit ngarkohen me tatimin e tokës bujqësore, kjo s’vlen për komunat në veri

    Nga ky vit qytetarët janë të obliguar të paguajnë edhe tatimin në pronë për parcelat bujqësore, mirëpo ky obligim nuk vlen edhe për qytetarët e katër komunave në veri të vendit. Nga Ministria e Financave kanë bërë të ditur për KosovaPress, se nga ky vit të gjithë pronarët e tokave, në gjithë territorin e Kosovës, do të paguajnë tatim për pronën bujqësorë, pavarësisht faktit se janë apo jo njësi parcele bujqësore të kultivuara.

    Për këtë vendim të Ministrisë, kanë folur edhe disa kryetarë të komunave, të cilët nuk e kanë mirëpritur, ndërsa disa të tjerë, thonë se është në të mirën e komunës.

    E qytetarët ende nuk kanë informacione për këtë vendim.

    Udhëheqës i Divizionit për Çështje Ligjore të Tatimit në Pronë, Vehap Hashani ka dhënë detaje për KosovaPress, lidhur me këtë obligim tatimor.

    “Në gusht të vitit 2023, Ligji Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme është ndryshuar dhe plotësuar përmes Ligjit Nr. 08/L-224, me ç’rast pronat bujqësore, përkatësisht parcelat (tokat) bujqësore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, tatimohen, pavarësisht faktit se janë apo jo njësi parcele bujqësore të kultivuara. Përjashtimisht, tatimi në pronë për asnjërën nga kategoritë e pronave nuk zbatohet në katër komunat veriore të Kosovës për arsye politike”, thotë Hashani në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

    Për më tepër, ai ka shtuar se këto njësi të parcelave i nënshtrohen edhe lirimit tatimor në vlerë deri në pesëdhjetë mijë (50,000) euro pra, personi fizik konkretisht fermeri.

    “Rrjedhimisht me ndryshimet e reja ligjore, tokat bujqësore duke filluar nga viti tatimor 2024 tatimohen, megjithatë këto njësi të parcelave i nënshtrohen edhe lirimit tatimor në vlerë deri në pesëdhjetë mijë (50,000) euro, pra personi fizik, konkretisht fermeri, përcakton se cilën njësi bujqësore kërkon ta lirojë deri më 30 nëntor të vitit, para vitit tatimor dhe komuna e liron deri në lartësinë e vlerës së vlerësuar që ka toka bujqësore por jo më shumë se pesëdhjetë mijë (50,000) euro”, shton Hashani.

    Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi është shprehur i shqetësuar lidhur me këtë vendim. Sipas tij, ky obligim po i ngarkon bujqit në masë të madhe, derisa ka treguar edhe çmimin për zona.

    Latifi për KosovaPress, thotë se po kërkojnë me insistim nga Qeveria që sektorin e bujqësisë ta ketë me prioritet.

    “Tatimi mbi pronën ose parcelat në bujqësi ka qenë e kahershme, mirëpo zbatimi i këtij vendimi fillon nga ky vit dhe natyrisht se e ngarkon fermerin, bujkun tonë, dhe kur jemi tek Komuna e Rahovecit, pasi numri i bujqve është shumë i madh. Shembull në komunën tonë për 1 hektar, ne e kemi të ndarë në tre zona, e para është 78 euro për hektar, e dyta 60 euro dhe e treta ka 48 euro për hektar. 78 euro për hektar natyrisht se është ngarkesë dhe do të përpiqemi të kultivojmë praktika pozitive që njëfarë mënyre ia mundësojnë që ta ndjen më të lehtë këtë barrë të re që ka bujku jonë, por në qoftë se kjo nuk shoqërohet me përkrahjen në forma tjera nga ana e Ministrisë së Bujqësisë për bujqit tanë, atëherë natyrisht se e vështirëson…01:44 Buxheti i Ministrisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, nuk është se e bënë krenar bujkun e Republikës së Kosovës… Ne kemi kërkuar me insistim dhe po kërkojmë edhe tash për Qeverinë e Republikës së Kosovës me prioritet numër një duhet me qenë bujqësia, sepse zhvillimi intensiv i bujqësisë, përveç se ndikon në punësim ndikon edhe në bruto produktin vendor”, deklaron Latifi.

    Se ky vendim po i rendon bujqit e thotë edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj. Ndonëse ky obligim nuk është mirëpritur nga kjo komunë, ai thotë se vendimet që vinë nga lartë duhet zbatuar.

    “Gjitha vendimet që vinë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ato vendime që merren në Parlamentin e Kosovës ne jemi të obliguar t’i zbatojmë. Është e vërtetë që kohën e fundit tokat bujqësore nuk punohen shumë, ka me pas një ngarkesë më të madhe bujqit e Kosovës, por sidoqoftë vendimet që vinë nga lart ne duhet t’i zbatojmë…Është e vërtetë se rendohen, por sidoqoftë vendimet nga lartë ne duhet t’i zbatojmë, dëmtohen bujqit, por duhet të fillojmë të punojmë edhe tokën”, thotë Muharremaj.

    Ndërkaq, informacione lidhur me këtë nuk pati kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, megjithatë, ai thotë se këto vendime krijojnë të hyra nga burimet vetanake dhe është e mirë për komunën.

    “Sa i përket tatimeve, kjo ndërlidhet më shumë me tatimin në pronë dhe është një e hyrë nga burimet vetanake për Komunën e Prizrenit. Unë informacionin nuk e kam, mirëpo në qoftë se Ministria ka marrë një vendim të tillë atëherë natyrisht se komunat do ta zbatojnë, implementojnë, sepse krijon të hyra nga burimet vetanake”, thotë Totaj.

    Lidhur me këtë informacione nuk kanë as qytetarët.

    Qytetari Sadik Grajqevci derisa thotë se nuk ka informacione për këtë vendim, derisa shton se ky vendim nga ana Ministrisë së Financave nuk është i drejtë.

    “Pse unë të paguaj për tokë timen shtetin, ai shteti duhet të më paguajë dhe jo unë”, thotë Grajqevci.

    Edhe qytetarë të tjerë kanë thënë mbrapa kamerave të KosovaPress-it se nuk janë të njoftuar lidhur me këtë njoftim.

  • Draft-strategjia kundër korrupsionit ende nuk është gati

    Draft-strategjia kundër korrupsionit ende nuk është gati

    Përgatiti: Nora Luta

    Për ta adresuar parandalimin e korrupsionit në Kosovë, ekzekutivi është duke e hartuar strategjinë kundër korrupsionit 2024-2027. Në draftin fillestar të siguruar nga televizioni, janë paraqitur katër objektiva kryesore në luftimin e korrupsionit.

    E para flet për parandalimin, e dyta për ndjekjen dhe dënimin dhe objektivat për ndërgjegjësim dhe edukim. Në kuadër të ndjekjes dhe hetimit, në draft është paraparë ndër të tjera ndërmarrja e një analize të politikave për mbikëqyrjen e vendimeve të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.

    “Masat përfshijnë investimet në infrastrukturën e sistemit gjyqësor, kapacitetet njerëzore dhe nxitjen e proceseve të digjitalizimit në gjyqësor, përmes aplikimit të plotë të SMIL-it. Masat legjislative përfshijnë ndërmarrjen e miratimit të ligjit për SMIL dhe komunikimin elektronik, vlerësimin ex-post të ligjit për gjykatën tregtare, ndërmarrjen e një analize të politikave për mbikëqyrjen e vendimeve të KGJK-së dhe KPK-së, krijimin e strukturave të verifikimit, ndërmarrjen e vlerësimit ex-post të ligjit që përcakton përgjegjësinë penale të personave juridikë për vepra penale etj”, thuhet në draft-strategjinë kundër korrupsionit.

    Në kuadër të kësaj mase, sipas monitoruesve të drejtësisë, është propozuar një koncept-dokument për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Kushtetuese, e cila do të kishte rol mbikëqyrës ndaj vendimeve të KGJK-së dhe KPK-së.

    Strategjia ndër të tjera synon edhe rritjen e transparencës në vendimet dhe punën e Qeverisë, dhe administratës publike.

    “Kjo strategji synon t’i përdorë teknologjitë digjitale për ta luftuar korrupsionin në nivel kombëtar dhe të ndërtojë një qeveri më transparente dhe të përgjegjshme. Proceset e digjitalizimit afrojnë qytetarët me aktivitetet e Qeverisë, duke filluar nga përfshirja e tyre në procesin e bërjes së buxhetit të shtetit, deri te monitorimi i shpenzimeve, proceseve të prokurimit dhe ofrimit të shërbimeve publike”, thuhet më tej në draft-strategjinë kundër korrupsionit.

    Sipas Bugaqkut, strategjisë në këtë fazë i mungon vlerësimi i ndikimit financiar dhe aktivitetet që do të dalin nga ky dokument.

    Grupi punues për hartimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit është themeluar më 23 shkurt të vitit të kaluar, me planin që dokumenti të përfundojë në dhjetor.
    Megjithatë, një vit pas, strategjia ende nuk ka një epilog përfundimtar. Mandati i strategjisë së fundit ka përfunduar në vitin 2018.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Përplasjet në dialog, Kurti e Bislimi dolën disa herë kundër Borrellit e Lajçakut

    Përplasjet në dialog, Kurti e Bislimi dolën disa herë kundër Borrellit e Lajçakut

    Përgatiti: Armand Hoti

    Besnik Bislimi e qortoi haptazi Miroslav Lajcakun këtë javë, për qasjen e tij në procesin e dialogut.

    Për kryenegociatorin kosovar, ftesa për takim në Bruksel nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, për të folur për çështjen e dinarit, ishte shkelje e parimeve nga ndërmjetësuesi.

    “Por kësaj radhe mendoj që ai i ka shkelur parimet që ai i ka vendosur vetë sepse është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa dakordim parapake me palët dhe është munduar që të përcaktoj agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021”, kishte thënë Bislimi.

    Këtë deklaratë të Bislimit, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano e quajti të papranueshme.

    Por kjo nuk ishte hera e parë që liderët e Kosovës u përplasën me ndërmjetësuesit, për këtë proces.

    Kryeministri Albin Kurti, pas takimit trepalësh të 14 shtatorit në Bruksel, kishte thënë që Lajçaku u ndikua nga presidenti Aleksander Vuciq, për planin e sekuencimit të marrëveshjes së 27 shkurtit.

    “Është për të ardhur keq që Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë e kushtëzimin nga Serbia e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues”, kishte thënë Kurti.

    Lufta në distancë me Lajçakun e Borrellin vazhdoi edhe kur Kurti u kthye në Prishtinë.

    “Ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës. Në situatën në të cilin jemi, vlerësoj se nuk mund të shtrembërohen me gjykimin tim me asnjë hedhje hirit syve”, kishte thënë Kurti në një tjetër deklaratë.

    Për këtë acarim të herë-pas-hershëm të raporteve Prishtinë-Bruksel, profesori Basri Muja, thotë se duhet pasur kujdes me gjuhën diplomatike. Megjithatë, në disa raste, sipas tij, duhet mbrojtur interesat e shtetit.

    “Sigurisht që gjuha diplomatike është e nevojshmë në parim, por në situata të caktuara, ku vërtet vërehet që ndërmjetësit kanë qartë qasje jo të balancuar atëherë mendoj që edhe një gjuhë e tillë nuk i dëmton këto përpjekje sepse edhe partnerët ndërkombëtar duhet ta kenë të qartë se ekzistojnë disa limite që asnjë Qeveri e Kosovës nuk duhet të kaloj”, tha Muja.

    Megjithatë, qasjen si kryeministër, Kurti nuk e pati edhe sa ishte opozitar. Asokohe, ai i kishte dalë në mbrojtje sllovakut Lajcak, kur kundër tij fliste ish-presidenti Hashim Thaci, që udhëhiqte me dialogun.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • KFOR-i tërhiqet nga objekti komunal i Zveçanit

    KFOR-i tërhiqet nga objekti komunal i Zveçanit

    Përgatiti: Haris Ademi

    Pas nëntë muajve me prezencë non-stop, rreth objektit komunal të Zveçanit nuk do të ketë më trupa të KFOR-it.

    Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë kanë tërhequr njësitet nga ndërtesa e komunës veriore, pas vlerësimit se siguria në këtë pjesë të qytezës është stabilizuar.

    Sipas komunikatës për media të dielën, pjesëtarët e Batalionit të Forcave Operacionale rezervë do të mbesin ende në Zveçan, për të kryer patrullime të rregullta.

    Misioni i KFOR-it u detyrua t’i shtojë 700 ushtarë të kësaj njësie në veri, në fund të majit të vitit të kaluar, kur plasën protestat e dhunshme të serbëve në Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan, kundër kryetarëve të zgjedhur shqiptarë.

    Më 29 maj, pikërisht në Zveçan, situata eskaloi më së tepërmi. Dhjetëra ushtarë e protestues u plagosën gjatë kësaj përleshjeje, ku u përdorën armë, shok-bomba, gurë e shishe të qelqit.

    Pas kësaj situate, KFOR-i u tregua më i rreptë në komunikim. Dy ditë më vonë, një epror amerikan i paralajmëroi krerët e Listës Serbe që rrinin në Zveçan, se nuk do të lejohej më skenari i njëjtë.

    “Nuk mund ta harroj të hënën, sepse e hëna e kësaj jave mund të përsëritet sërish. Dhe unë s’mund ta harroj të hënën, për të vetmen arsye që të sigurohem se nuk do të ndodh kurrë më sërish”, tha një epror amerikan i KFOR-it në Zveçan.

    Edhe pse pati sërish raste sulmesh ndaj ekipeve të policisë dhe të mediave, situata në komunat veriore nuk u përshkallëzua njëjtë. Derisa KFOR-i vazhdoi t’i ruajë objektet.

    Njësitet paqeruajtëse janë larguan edhe nga Leposaviqi e Zubin Potoku, para se at lëshonin objekti komunal në Zveçan.

    Mirëpo vetëm një ditë më parë, në këtë ndërtesë u dogj flamuri i Kosovës. Zëdhënësi policor për veri, Veton Elshani, tha se të dyshuarit janë të mitur, derisa rasti është hapur si “nxitje e urrejtjes, përçarje dhe mosdurim”. Një flamur i ri i Republikës, është vendosur sërish në këtë objekt.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Presidentja Osmani në tryezën ekonomike Kosovë – Katar: Kosova me potencial të jashtëzakonshëm për investime

    Presidentja Osmani në tryezën ekonomike Kosovë – Katar: Kosova me potencial të jashtëzakonshëm për investime

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Katar, ka marrë pjesë në tryezën ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Katarit që po mbahet në Doha ku po diskutohet për potencialin investues në vendin tonë.

    Në këtë tryezë ekonomike me pjesëmarrje të Odës Ekonomike të Katarit dhe bizneseve anëtare katariane, kryetarit të Prishtinës z. Përparim Rama edhe disa nga bizneset më të suksesshme nga Kosova, u diskutua për mundësitë e shumta për parnteritete biznesore dhe investime në sektorë strategjik.

    Duke folur për potencialin zhvillimor të Kosovës, Presidentja Osmani potencoi faktin se Kosova ka tashmë një infrastrukturë ligjore të përafruar me ligjet e BE-së, një sistem të standardizuar të taksave me standardet më të mira ndërkombëtare, një ambient miqësor për investitorët e huaj dhe potencial të jashtëzakonshëm për investim në fusha të ndryshme.

    Presidentja Osmani ndër të tjera, veçoi mundësitë e shumta për bashkëpunim në industrinë e ushqimit dhe sigurisë ushqimore, energjisë, hotelerisë dhe turizmit malor, industrisë së drurit dhe asaj metalike.

    Ndërkaq, Kryetari Rama prezantoi planin për zhvillimin e Prishtinës, me fokus te një sërë projektesh kapitale e infrastrukturore nga fusha e sportit, artit, transportit e më gjerë.

    Kjo tryezë shërbeu edhe si platformë për bizneset kosovare për të promovuar bizneset e tyre dhe për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit të drejtpërdrejt me bizneset katariane.

    Gjatë tryezës ekonomike u vunë në pah mundësitë e shumta për parneritete e projekte të përbashkëta dhe pritet që së shpejti një delegacion i bizneseve të Katarit ta vizitojë Kosovën me qëllim të konkretizimit të bashkëpunimit.

    Gjatë kësaj vizite në Katar, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë shtetëror të Katarit ku do të diskutohen mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve si dhe do të mbajë fjalim në Web Summit, i cili sivjet po mbahet në Doha.

  • Biznesmenët serbë ankohen për kushtet ekonomike në Kosovë, Qeveria paralajmëron vende pune

    Biznesmenët serbë ankohen për kushtet ekonomike në Kosovë, Qeveria paralajmëron vende pune

    Derisa Qeveria e Kosovës paralajmëron vende të reja pune për pjesëtarët e komunitetit serb, investime në infrastrukturë dhe forma të tjera të mbështetjes, me qëllim fuqizimin e tyre ekonomik, disa biznesmenë serbë shprehen skeptikë në këtë drejtim.

    Vitomir Jaqimoviq nga Leposaviqi dhe Dushko Guxhiq nga Graçanica thonë për Radion Evropa e Lirë se ajo që Qeveria e Kosovës u ofron serbëve, nuk është e mjaftueshme.

    Sipas tyre, parakusht për fuqizimin ekonomik është qarkullimi i lirë i mallrave dhe njerëzve.

    Në mes të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia për, siç tha, arsye sigurie. Kjo ndodhi pasi tre policë të Kosovës, u arrestuan nga forcat serbe. Edhe pse policët u liruan nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, ndalesa mbeti në fuqi.

    Duke e komentuar këtë çështje, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se masa e tillë është marrë për shkak se “ekziston rreziku që krahas mallrave, në Kosovë të futen edhe armë”.

    Përndryshe, “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë” ishte temë e një tryeze të rrumbullakët, që u organizua këtë javë nga Qendra për Dialog Humanitar në Prishtinë.

    Çfarë bën Qeveria e Kosovës për serbët?

    Në këtë tryezë, Bislimi tha se Qeveria e Kosovës ofron mbështetje për kompanitë apo sipërmarrësit e vegjël përmes punësimit të punëtorëve, gjegjësisht përmes subvencioneve për pagesën e pagave mujore.

    Ai tha se në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – Qeveria e Kosovës do të mbështesë dy mijë vende të reja pune në sektorin privat.

    “Deri në 70 për qind e pagës ose me rreth 350 euro do të subvencionohen për gjashtë muaj. Reagimet që morëm nga veriu, janë shumë të mira. Sipas parashikimeve të deritashme, nevojiten rreth 2.000 vende të reja pune. Nëse ka nevojë, kjo masë mund të zgjerohet edhe me 2.000 të tjera. Ajo mund të aplikohet edhe në komunat tjera me shumicë serbe”, tha Bislimi.

    Përveç katër komunave në veri, janë edhe gjashtë komuna të tjera me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër: Graçanica, Shtërpca, Ranillugu, Parteshi, Kllokoti dhe Novobërda.

    Bislimi u shpreh i bindur se “formalizimi i ekonomisë” do të kontribuojë edhe në zhvillimin ekonomik të serbëve, përkatësisht në regjistrimin e bizneseve, në luftën kundër kontrabandës dhe në mjetet buxhetore të Qeverisë për realizimin e projekteve infrastrukturore.

    Çfarë thonë biznesmenët?

    Jaqimoviq nga Leposaviqi thotë se pozita e biznesmenëve serbë është shumë e keqe dhe se gjithçka bëhet “për mbijetesë”.

    Subvencionet e Qeverisë së Kosovës, sipas tij, nuk janë të mjaftueshme, sepse janë të kufizuara në punësimin e punëtorëve.

    “Punësimi i një apo dy punëtorëve nuk mjafton për aktivitetet ekonomike. Duhet të zgjidhet në një mënyrë tjetër, që malli të hyjë dhe të dalë normalisht”, thotë ky biznesmen shumëvjeçar, duke aluduar në vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.

    “Unë nuk shoh që dikush është përfshirë në zgjidhjen e këtyre problemeve. Qeveria e Kosovës mund të ndihmojë nëse i ndryshon vendimet e saj, duke lejuar qarkullimin e mallrave. Mallrat nga Serbia nuk mund të vijnë”, thotë Jaqimoviq për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas tij, nuk do të ketë zhvillim ekonomik “derisa politika të ndërhyjë në punën e biznesmenëve”.

    Guxhiq, biznesmen nga territori i komunës së Graçanicës, beson se Qeveria e Kosovës nuk dëshiron sinqerisht të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të serbëve. Sipas tij, këtij komuniteti i sigurohet minimumi – “vetëm ajo që duhet”.

    “Ajo [Qeveria e Kosovës] mund të bëjë shumë, por nuk do. Thjesht, ajo nuk do që të na ndihmojnë”, thotë ai.

    Guxhiq merret me prodhimin e lëngjeve dhe reçelit, që kryesisht shiten në tregun e Kosovës.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se biznesin e ka filluar para rreth shtatë vjetësh, falë organizatave ndërkombëtare joqeveritare.

    Ai thotë se asnjëherë nuk ka marrë ndihmë nga Qeveria e Kosovës.

    Por, sipas tij, biznesmenët serbë nuk dëgjohen as në Qeverinë e Serbisë.

    Rashiq: Kemi paraparë punësimin e komuniteteve pakicë

    Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha se vitin e kaluar, për herë të parë, është realizuar një program zhvillimor ekonomik, përmes të cilit janë investuar rreth tre milionë euro në ekonominë e zonave ku jetojnë serbë.

    Ai përmendi edhe strategjinë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë, e cila u miratua nga Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2023.

    Sipas tij, kjo strategji do të fillojë të zbatohet këtë vit dhe buxheti i planifikuar është rreth 32 milionë euro.

    “Në ata 32 milionë euro që përmenda, është edhe programi ekonomik. Një nga pikat më të rëndësishme të kësaj strategjie, është përfaqësimi proporcional i joshqiptarëve në administratën publike”, tha Rashiq.

    Sipas ligjeve të Kosovës, pjesëtarët e komuniteteve pakicë duhet të përbëjnë së paku 10 për qind të të punësuarve në sektorin publik.

    Deri më tani, sipas Rashiqit, “askush nuk është marrë sinqerisht me këtë çështje”.

    Sektori civil: Gjendja e biznesmenëve serbë është “kaotike”

    Aleksandar Stojanoviq, nga Qendra për Zhvillimin e Komuniteteve Lokale, tha se Qeveria e Kosovës nuk ka komunikim me komunitetin serb, se merr vendime pa konsultime dhe se serbët ndjejnë pasiguri për shkak të kësaj.

    “Më duhet të them se edhe organizatat ndërkombëtare kanë investuar shumë pak në mjediset serbe. Tani kemi nevojë për programe pak më serioze [të Qeverisë së Kosovës] që do të hapin biznese në mjediset serbe. Na duhet të ndryshojmë qasjen afatgjate”, tha ai.

    Gordana Gjoriq, nga Shoqata e Grave Afariste, vlerësoi se situata e paqëndrueshme politike, bën që komuniteti shumicë shqiptar t’i bojkotojë produktet e biznesmenëve serbë.

    “Më gjeni një treg më të madh, ku mund të gjeni produkte serbe. Ka bojkotim të produkteve serbe. Njerëzit tanë kanë probleme me shitjen e mallrave”, tha ajo.

    Gjoriq tha se situata është “kaotike”, sepse Qeveria e Kosovës “nuk ka krijuar kushte që komuniteti serb të zhvillohet ekonomikisht”.

    Sipas saj, është e nevojshme që, para së gjithash, të krijohet besim mes institucioneve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës.

    “Veprimet e Qeverisë aktuale janë të tmerrshme. Ajo promovon largimin [e komunitetit] dhe nuk forcon zhvillimin ekonomik. Për mua është e pakuptueshme që Qeveria merr vendime, të cilat dëmtojnë ekonominë dhe komunitetin serb”, tha Gjoriq.

    Në këtë kontekst, ajo përmendi ndalimin e importit të mallrave nga Serbia dhe ndalimin e përdorimit të dinarit serb me një rregullore të Bankës Qendrore të Kosovës.

    “E gjithë kjo krijon frikë te njerëzit, ata nuk e dinë se çfarë të presin. Nuk krijon besim te njerëzit”, tha Gjoriq.

    Bislimi u përgjigj duke thënë se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia është në fuqi, për arsye sigurie dhe jo ekonomike.

    “Transportimi i mallrave është keqpërdorur edhe për import të armëve. Prandaj, masat janë marrë për arsye sigurie nga Ministria e Punëve të Brendshme, e jo nga Ministria e Ekonomisë”, tha ai.

    Disa muaj pas ndalimit të importit të mallrave nga Serbia, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke vrarë një polic.

    Pak ditë më pas, policia e Kosovës sekuestroi një arsenal të madh armësh.

    Prishtina zyrtare e akuzoi Beogradin për sulmin e 24 shtatorit, por ai e mohoi çdo përfshirje.

  • Ngecja e dialogut Kosovë-Serbi, analistët: BE-ja s’ka vizion se si të vazhdojnë bisedimet

    Ngecja e dialogut Kosovë-Serbi, analistët: BE-ja s’ka vizion se si të vazhdojnë bisedimet

    Njohës të çështjeve politike në vend kanë vlerësuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ngecur, për faktin që Bashkimi Evropian (BE) nuk ka një vizion për të konkretizuar se si t’i qaset kësaj çështjeje, raporton Ekonomia Online.

    Ata kanë thënë se duke e parë këtë situatë dhe qasjen e BE-së, vështirë se gjatë këtij viti mund të ketë përfundim të dialogut

    Analisti politik, Albinot Maloku, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë pasur një pajtim sa i përket marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, mbi të cilin do të duhej të ndërtoheshin hapat e radhës nga BE-ja.

    “Çështja e parë është që kemi një pajtim të ndodhur vjet në Bruksel dhe aneksin në Ohër, ky është themeli mbi të cilën do të duhej të kishte një konkretizim hapash edhe nga ana e BE-së. Unë kam përshtypjen që BE-ja nuk ka një vizion të qartë se si t’i qaset palëve në këtë situatë dhe në këtë moment. Pra për takime të mundshëm ose të ngjashme”, u shpreh ai.

    Ai u shpreh se duke parë që BE-ja është pa vizion sa i përket kësaj çështje, i ngelet asaj që të konkretizoj vizionin e vetë në lidhje me mënyrën e jetësimit të marrëveshjes.

    “Çfarë ngelet nga BE-ja është që të konkretizoj vizionin e vetë në lidhje me mënyrën e jetësimit të pajtimi t të ndodhur në Bruksel dhe të aneksit në Ohër. Përderisa nuk ka një konkretizim për arsye që janë të obliguara BE-ja palëve ju ka thënë që nuk është e nevojshme që të keni nënshkrim për të, duhet të jetësoni këtë marrëveshje dhe se mbi bazën e këtij mos vizioni të BE-së gjithsesi që do të manovrojnë dhe palët secila në formën e vetë me vullnetin maksimal që ti jep një kahje destruktive procesit të dialogut”, ka thënë ai”, ka thënë ai.

    Maloku ka thënë se shanset që dialogu të përmbyllet gjatë këtij viti janë minore, për faktin se nuk ka pasur konkretizim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel e Ohër.

    “Shanset janë minore për të mos thënë hiq për faktin që tani çdo gjë ndërlidhet me atë se a është konkretizuar ndonjë gjë nga pajtimi i ndodhur në Bruksel dhe Ohër. Po ashtu pat edhe një paralajmërim nga BE-ja që nuk është në agjendën e tyre, në planin që të ndodhin takime të nivelit të lartë. Është non sens në qoftë se nuk ka, edhe me ndodh që nuk është se ka rrjedh logjike për të ndodhur, në qoftes se do të kishim konkretizim të diçkaje të re në raport me çështjen dialogut që ndërlidhet mese palëve. Këtë mungesë vizion të BE-së palët po e shfrytëzojnë dhe nuk është se ka ndonjë vullnet të konkretizuar as nga palët për të ecur tutje në kuptim e pasjes së një takimi dhe gjenerimit të temave të reja, ose edhe diçka që do të diskutohet nga pajtimi. Pra duet që të jetësohet pajtimi edhe të kemi hapa para”, ka thënë ai.

    Profesori universitar Milazim Krasniqi, ka thënë se BE-ja nuk e trajton Kosovën si shtet, marr parasysh që pesë shtet e saj nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ai tha se për këtë arsye edhe BE-ja ushtron më shumë presion mbi Kosovën se sa mbi Serbinë.

    Ai theksoi jemi në një situata që edhe BE-ja jo vetëm që nuk ka vizion, por nuk ka as kapacitet dhe as vullnet për ta zgjidhur çështjen e dialogut.

    “BE-ja e ka një mandat nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për ta ndërmjetësuar dialogun, pra BE-ja nuk ka mandat të vetin sovranë por ka mandat nga OKB-ja. Ndërsa BE-ja në fakt sillet sikur me qenë palë sovrane dhe jo vetëm sovrane, por sillet edhe si palë e pa barbaret sepse Kosovën nuk e trajtojnë si shtet me që pesë shtete nuk e njohin Kosovën. Si rrjedhojë e kësaj BE-aj ushtron më shumë presion mbi Kosovën se sa mbi Serbinë. Kjo pastaj prodhon frustrime te institucionet e Kosovës dhe reagime që reagime mandej përdoren për ta fajësuar Kosovën. Për shembull Serbia nuk është penalizuar për sulmin terrorist në Banjskë, ndërsa Kosova është penalizuar me masa për veprime në veriun. Pra kemi një situatë që edhe BE-ja thjeshtë jo vetëm që nuk ka vizion por thjesht nuk ka as kapacitet dhe as vullnet për ta zgjidhur këtë problem”, ka thënë ai.

    Krasniqi konsideron se BE-ja nuk është duke marr seriozisht çështjen e dialogut, dhe se zvarritja e këtij procesi është duke i konvenuar. Përmendja e krizave sipas Krasniqit është arsyetim për të mos e futur Ballkanin Perëndimor në Bashkim Evropian.
    Se ka metoda për anëtarësim të shpejtë në BE, Krasniqi përmend Rumaninë dhe Bullgarinë, të cilët janë anëtarësuar me proces të përshpejtuar.

    “Në instancën e fundit unë mendoj që BE-së nuk i konvenon dhe ku është absurd, nuk i konvenon arritja e marrëveshjes sepse ata nuk duan që Ballkanin perëndimor ta fusin në BE. Arsyetimi për të mos e futur gjithmonë është se ka kriza. Përndryshe po ka kishin seriozisht unë jam i bindur që ka zgjidhje, si ka qenë pranimi i përshpejtuar i Rumanisë edhe i Bullgarisë në BE pa i plotësuar gjitha kushtet ka mund të ndodh procesi i përshpejtuar i pranimi të Serbisë dhe Kosovës paralelisht në pako me kushtin e njohjes së ndërsjellët dhe jam i bindur që kjo do të realizohej. Pra BE-ja e ka mundësin por për shkak të interesave, kalkulimeve të veta nuk e realizon”, ka thënë ai.

    E skeptik shprehet edhe për përfundim të dialogut dhe marrëveshje përfundimtare. Ai ka thënë se ShBA-ja dhe BE-ja duhet t’i shtyjnë palët drejtë implementimit të marrëveshjes së arritur, por që duhet që të japin edhe ndonjë ofertë për të dyja shtetet.

    “Unë nuk besoj megjithëse, po them nëse merret seriozisht edhe mundet. Plani franko-gjerman edhe plani i implementimit të Ohrit, në fakt janë pranuar edhe nga Kosova edhe nga Serbia. Dhe nëse Shtete e Bashkuara dhe Brukseli duhen seriozisht t’i shtyjnë palët, atëherë duhet t’u japin edhe një ofertë, duhet të ju japin edhe një ‘karrot dhe jo vetëm shkop mbi krye’ se çka fitojnë. Nuk mjafton vetëm të thuhet se do të ecin në procesin e integrimit, në ne procesin e integrimit Evropian jemi që nga viti 2003, por as një shenjë seriozë të integrimit nuk e kemi. Prandaj po them më këtë mendësi, me këtë sjelle të BE-së unë nuk besoj që mund të ketë marrëveshje. Ndërsa nëse ndryshojnë qasjen dhe nëse për arsye edhe të rrezikut që po reflekton lufta në Ukraine edhe lufta në Gaza, nëse duan ta përshpejtojnë, unë jam i bindur që ata kanë kapacitet që ta detyrojnë edhe Serbinë të ulë stekën e kërkesave dhe ta detyrojnë edhe Kosovën ta zbatojnë planin franko-gjerman”, ka thënë ai.