ATV

Tag: Ballina

  • Vitia: Mjekët në Kosovë kanë paga dinjitoze, ndër më të lartat në Ballkan

    Vitia: Mjekët në Kosovë kanë paga dinjitoze, ndër më të lartat në Ballkan

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitija, në një intervistë për Ekonomia Online, konsideron se mjekët në Kosovë kanë rrogë dinjitoze dhe ndër më të lartën në Ballkan, si shkak i rritjes së vlerës së koeficientit të Ligjit të Pagave.

    E krahas rritjes së pagave për mjekët, Vitia ka përmendur edhe përkushtimin që kanë për renovimin e klinikave në QKUK e Spitale të Përgjithshme.

    Si prioritet për investime, Vitia përmend blerjen e aparaturave dhe renovimin e klinikave në QKUK.

    “E para nga viti i kaluar mjekët tashti kanë një rrogë dinjitoze nga rrogat më të larta që kanë mjekët në regjionin e Ballkanit perëndimor. Në anën tjetër jemi duke investuar në çdo vend janë katër klinika bosh në QKUK që janë para renovimit rrënjësor për të përmirësuar kushtet dhe është duke punuar më të madhe në bllokun operativë, cili kur nuk ka pasur filtra si duhet sterilizimi dhe kemi çaluar shumë me infeksione intra spitalore për shkak mungesës së këtyre filtrave dhe po bëhen sallat moderne në krejt bllokun operativ në QKUK”, theksoi Vitia, teksa thotë se nuk ka pasur investime në të kaluarën.

    “Në anën tjetër po vazhdojmë edhe investime në spitalet e përgjithshme, sepse një pjesë e madhe e problemeve edhe në Qendrën Klinike Universitare është sepse nuk ka pas investime për një kohë shumë të gjatë në spitale të përgjithshme qoftë në infrastrukturë, qoftë në aparatura dhe këtë jemi duke e bërë vazhdimisht, në anën tjetër jemi duke ndryshuar aspektin legjislativ në vitin e kaluar ka kaluar ligji për çmimin e produkteve farmaceotike, Ligji për sigurime shëndetësore i cili do të jetë edhe baza e themelit bashkë me të gjitha këto investimet tjera që i përmenda të reformës së parikthyeshëm më në sistemin shëndetësore”, u shpreh ai.

  • Bujqit nisin përgatitjet për të mbjella, planifikojnë që këtë vit të mbjellin më shumë

    Bujqit nisin përgatitjet për të mbjella, planifikojnë që këtë vit të mbjellin më shumë

    Hambari i shtetit mund të mbushet më shumë këtë vit.

    Bujqit planifikojnë ta rrisin prodhimin, derisa kanë filluar me përgatitjet për sezonin e mbjelljes.

    Mehdi Bresilla që tash e sa kohë merret me kultivimin e pemëve dhe perimeve, planifikon që sivjet të mbjellë përgjysmë më shumë se vitin e kaluar.

    “Vitin e kaluar i kam pasur 10 hektarë me perime, sivjet mendoj me i rritë, po ashtu i kam edhe 4 hektarë me pemë, sivjet mendoj me shku deri në 20 hektarë”, thotë Bresilla.

    Tokën e ka bërë gati edhe Naim Hajrizi që së shpejti pret ta mbjellë me patate, por edhe kultura të tjera, teksa shpreson në më shumë rendimente ketë vit.

    “Më së shumti kultivojmë patate, misër, grurë dhe qepë. Patate mendojmë 7 ose 8 hektarë. Sivjet e kemi rritë goxha shumë, me patate më shumë”, tha Hajrizi.

    Më të lehtë thonë se ua bëri edhe rënia e çmimeve të imputeve, të cilat më parë ishin shumë më shtrenjtë për shkak të pandemisë.

    Megjithatë, shpresojnë të mos ketë reshje atmosferikeqë do t’ua dëmtojnë të mbjellat./atvlive.tv

  • Librat e Hajrush Kurtaj si provë në Gjykatën Speciale, juristët vlerësojnë se materialeve të tilla s’duhet t’u falet besimi

    Librat e Hajrush Kurtaj si provë në Gjykatën Speciale, juristët vlerësojnë se materialeve të tilla s’duhet t’u falet besimi

    Në Gjykatën Speciale, Hajrush Kurtaj nga Prokurori u sfidua me përmbajtjen e librit që e shkroi për luftën e Ushtrisë Çlirimtare. Ish-ushtari, në cilësinë e dëshmitarit pranoi autorësinë e materialeve por, tha se përmbajtjen e kishte hiperbolizuar.

    “Popujt në luftë shkruajnë për historinë. Për heronjtë… duke shkruar për heronjtë… shkruan edhe për lavdinë… në librin tim I kam shkru qysh kam dashtë, jo qysh kanë qenë. Në çdo libër gjërat rriten zmadhohen.. është e zmadhume është e zbukurume…”, ka thënë Kurtaj.

    Njohës të çështjeve juridike vlerësojnë se botimet si ky i Kurtajt duhet të trajtohen me rezervë nga gjykata.

    “Librat administrohen si prova por është çështjetjetër a I falet besimi. Konsiderojmë se një libër duhet të jetë I mirëfilltë dhe me referenca të sakta e jo të jetë një libër I shkruar në mënyrë amatoreske dhe nga të dhëna jozyrtare.”, deklaroi Visar Rrecaj, avokat.

    Ndërsa profesori i gazetarisë dhe letërsisë, Milazim Krasniqi vlerëson se librat e tillë po përdoren nga gjykata në mungesë të provave.

    Në këtë drejtim, angazhimi në politikë i Kurtajt pas përfundimit të luftës, sipas avokatit Visar Rrecaj është një arsye më shumë.

    “Provat që duhet të merren parasysh janë veç ato materiale”, tha tutje Rrecaj.

    Hajrush Kurtaj, është autor i disa librave referuar periudhës 97-99, mes të cilëve edhe “Lufta e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes”.

    Kjo nuk është hera e parë që në Dhomat e Specializuara librat përdoren si prova.

    Më herët i akuzuari, Jakup Krasniqi po ashtu ishte përballur me pyetje të Prokurorisë rreth librave që ai kishte shkruar lidhur me luftën./atvlive.tv/

  • Pak inxhinierë e ekspertë teknikë në Telekom

    Pak inxhinierë e ekspertë teknikë në Telekom

    Mbi gjashtëdhjetë punëtorë të Telekomit, pritet të dalin në pension deri në fund të vitit 2024.

    Rreth 20 prej atyre që do ta përfundojnë angazhimin në këtë kompani publike, janë inxhinierë dhe ekspertë teknikë.

    “Është numër më i vogël për shkak se gjeneratat e vjetra të cilat kanë punu si inxhinier dhe janë kthyer në vitin 99 që kanë qenë të larguar prej pune tash të gjithë pjesa më e madhe ka dalë në pension. P:sh për 5 vitet e fundit diku mesatarja vjetore e punëtorëve që shkojnë në pension është 60 persona,vetëm këtë vit i kemi diku rreth 65 persona që presin të dalin në pension dhe sigurisht rreth 22 prej tyre janë inxhinierë.”, tha Lamih Balaj nga Sindikata e Telekomit.

    Pavarësisht kësaj, Telekomi nuk ka hapur konkurse tash e disa vjet.

    “Në Telekom nuk janë hapur konkurse që 3-4 vjet, sigurisht që duhet me e rifresku stafin, e kam thanë shpesh, ka nevojë Telekomi për njerëz, për gjenerata të reja”, tha tutje Balaj.

    Ndërkohë, mbi 300 punëtorë i ishin përgjigjur ofertës për pensionim të parakohshëm dhe largim vullnetar nga puna. As në këtë rast nuk kishte konkurs.

    “Gjithsej 302 është numri i të punësuarve që përfituan nga kjo ofertë. Janë aprovuar vetëm kërkesat për rastet kur ka pasur një zëvendësim adekuat brenda kompanisë”, tha Fadil Lepaja, zëdhënës i Telekomit.

    Sidoqoftë, ekonomisti Lavdim Hamidi thotë se operatori i parë publik, vazhdon ta ketë gjendjen e rënduar si pasojë e stafit joadekuat.

    “Tash po vërehet kriza se Telekomi është pa stafin e nevojshëm teknik, sepse kjo vërehet edhe në mungesë të ofrimit të shërbimeve. Shihet që as në Prishtinë nuk ka rrjet sa duhet e lëre më te flasim për pjesë me të thella të vendit. Ka ikë stafi, ka shku në operator ekonomik etj”, tha Hamidi.

    Aktualisht, Telekomi numëron afro 1700 punëtorë./atvlive.tv/

  • Varrezat e martirëve në Fushë Kosovë në gjendje jo të mirë, Komuna nuk ka projekt për rregullimin e tyre

    Varrezat e martirëve në Fushë Kosovë në gjendje jo të mirë, Komuna nuk ka projekt për rregullimin e tyre

    Sa herë që viziton varret e 16 familjarëve, të masakruar gjatë luftës, dhimbja vetëm i shtohet.

    Mërzia bëhet edhe më e rëndë për Erolind Mirenën, kur sheh gjendjen e varrezave të martirëve dhe dëshmorëve, të cilat komuna e Fushë–Kosovës, sipas tij, i la në harresë.

    “25 vjet pas luftës këto varreza nuk mirëmbahen, ka shumë vërshime të shpeshta edhe varrezat po shemben nga uji. Na i pastrojmë vetë si familje. Jemi të dëshpërum nga ana komunale se nuk ka ndonjë përkujdesje të varrezave që prej kohës kur u ndërtuan”, tha Erolind Mirena, familjar.

    Në këtë gjendje varrezat do t’i zërë edhe 25 vjetori, më 27 mars, ngase komuna nuk e ka në plan rregullimin e tyre.

    “Të planifikuara mjete për gjashtë mujorin e parëtë këtij viti nuk e kemi, për renovimin e varrezave, por ne pjesën e dytë të vitit do të jenë tëplanifikuara, dhe do të fillojnë punimet”, u shpreh Ali Topalli, drejtor i DKRS në Komunën e Fushë Kosovës.

    Por, sipas opozitës, komuna nuk ka investuar asnjëherëaty, madje as në raste festash.

    “Lëre që nuk ka projekt me u ndërtua, ose me u investua në atë pjesë, por këta nuk marrin mundin me i zëvendësua edhe flamujt kur janë festat”, tha Durim Hajra, asamblist i LV-së.

    Për herë të fundit këto varreza u rregulluan një dekadë më parë.

    Por as në atë kohë projektimi nuk u bë siç duhet.

    “Varrezat kanë mbetur në gjendje më të rëndë, ato nuk janë punua sipas planit dhe projektit që u parapa. Kam qenë vetë në komision një kohë bukur të gjatë, nuk e kam nënshkruar atë projekt. Por ekam nënshkruar për me e mbyllë si projekt”, deklaroi Ahmet Grajqevci, ish-anëtar i Komisionit.

    Vlerësohet se për shkak të punimeve dhe projektit tëdobët, sa herë ka reshje të dendura të shiut, varrezat përmbyten.

    I gjithë projekti në atë kohë i kishte kushtuar komunës rreth 200 mijë euro./atvlive.tv/

  • Qytetarët e mirëpresin pilot-projektin për zgjedhjen e mjekut familjar përmes e-Kosova

    Qytetarët e mirëpresin pilot-projektin për zgjedhjen e mjekut familjar përmes e-Kosova

    Nëpërmjet platformës e-Kosova qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin mjekun e tyre familjar, për vetën, fëmijën e familjarët.

    Përzgjedhja ka filluar tashmë dhe fillimisht po mundësohet për qytetarët e komunës së Prishtinës në dy qendra të mjekësisë familjare si dhe në Lipjan, Istog e Prizren si pjesë e pilot-projektit.

    “Ky është një projekt një vjeçar, kjo ne kemi kërkua nga qytetaret në lagjen ku janë dhe tëcaktohet mjeku i vet…”, tha Izet Sadiku, drejtor i shëndetësisë në Prishtinë.

    Pilot projekti i paraparë për 4 komunat ka filluar të zbatohet që nga 9 janari.

    Një gjë e tillë po mirëpritet nga qytetarët.

    “Menjëherë e ki më lehtë, nuk ki me kërkua mjekun po e ki direkt shkon te ai, me kon nevoja vjen edhe n shpi…”, tha një qytetar.

    “Në vende tjera veçse ka qenë kjo, mirë që erdhi edhe te ne…”, u përgjigj një tjetër qytetar.

    Madje disa prej tyre veçse janë regjistruar.

    “Si e kom dëgjua menjëherë jam regjistruar, normalisht që është më e mirë kjo…”, u përgjigj një qytetar.

    Ndërkohë projekti final ku do të përfshihen të gjitha qendrat e mjekësisë familjare, pritet të fillojë në prill të këtij viti./atvlive.tv/

  • Osmani: Kosova qëndron krah Ukrainës, sepse e di sa i lartë është çmimi për lirinë

    Osmani: Kosova qëndron krah Ukrainës, sepse e di sa i lartë është çmimi për lirinë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në dyvjetorin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia ka thënë se Kosova qëndron krah Ukrainës kundër agresionit rus sepse e di se sa i lartë është çmimi për lirinë, duke e përmendur luftën e fundit në Kosovë.

    Në rrjetin social “X” e para e vendit, Osmani ka thënë se liria fitoi dhe do të mbizotërojë përsëri.

    “Ne qëndrojmë me Ukrainën sepse e dimë se si është të paguash çmimin më të lartë për lirinë. Ne e dimë dhimbjen e humbjes së fëmijëve të pafajshëm; të dhunës seksuale gjatë luftës; e varreve masive me eshtrat e njerëzve tanë të dashur. Por liria fitoi dhe do të mbizotërojë përsëri! Slava Ukraina!”, ka shkruar Osmani.

  • Rreth 300 milionë euro të bllokuara nga masat e BE-së, po ndikojnë edhe te investitorët

    Rreth 300 milionë euro të bllokuara nga masat e BE-së, po ndikojnë edhe te investitorët

    Sanksionet ekonomike të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë dëmtuar vendin me rreth 300 milionë euro, derisa kjo shifër mund të rritet, pasi janë mbi tetë muaj nga vendosja e tyre. Kështu vlerësojnë disa njohës të ekonomisë, të cilët i bëjnë thirrje BE-së, t’i heqin ato.

    Të njëjtit vlerësojnë se nga këto masa, Kosova është duke humbur investitorë të huaj, pasi hezitojnë të investojnë në një vend që është i sanksionuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa thonë se është esenciale që të gjendet një zgjidhje para se BE të futet në ciklin e vet zgjedhor, pasi do të rrezikonte që këto masa të zgjasin me muaj të tërë. Megjithatë, kritikojnë edhe reformat e dobëta nga ana e qeverisë në ekonominë e vendit.

    Kryetari i Odës Ekonomike (OEK), Lulzim Rafuna thotë se nga sanksionet e BE-së, janë rreth 300 milionë euro, projekte të bllokuara.

    Rafuna derisa bënë thirrje institucioneve të BE-së që këto masa të hiqen, kërkon edhe nga institucionet e vendit që t’i plotësojnë kushtet, dhe të jenë në koordinim me BE-në, në mënyrë që Kosova mos të jetë e sanksionuar.

    Ai thotë se projektet kanë qenë të dedikuara në shpenzime ose investime kapitale që do të ndikonin drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe ngritjen e mirëqenies sociale për qytetarët e Kosovës.

    “Kërkesa jonë është edhe për institucionet e BE-së, që të largohen sa më shumë këto masa, ndërsa kërkesa tjetër shkon për institucionet e vendit tonë që t’i plotësojnë kushtet në mënyrë që sa më të shpejtë këto masa të padrejta të na hiqen, dhe Kosova si çdo vend tjetër ta gëzojë të drejtën që të marrë pjesë në të gjitha forumet, gjitha fondet, iniciativat pa qenë e detyruar që mos të marrë pjesë si rezultat i këtyre masave. Masat padyshim që e dëmtojnë ekonominë e vendit në dy drejtime, në atë material për arsyeje se deri më sot kemi përafërsisht rreth 300 milionë euro, projekte të cilat janë bllokuar, konkretisht janë 292 milionë projekte, të cilat janë të bllokuara, mirëpo kjo shumë e këtyre projekteve do të shkojë duke u rritur në muajt në vazhdim, për arsyeje se kanë qenë projekte të parapara të implementohen dhe nuk do të mund të implementohen si rezultat i masave ndëshkuese. Këto projekte kanë qenë të dedikuara në shpenzime ose investime kapitale, që do të ndikonin drejtpërdrejt në rritje ekonomike dhe ngritje të mirëqenies sociale për qytetarët e Kosovës”, thotë Rafuna.

    Rafuna vlerëson se BE duhet të vendosë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, për agresionin që bëri në Banjskë gjatë vitit të kaluar.

    Ai rithekson se ka grante të cilat Kosova nuk ka mundësi t’i marrë më, siç është Fond për digjitalizimin, ku sipas tij, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor morën hisen e vet, ndërsa vendi ynë ishte i përjashtuar pikërisht për shkak të masave që i kishim.

    Se këto masa janë duke e dëmtuar ekonominë e vendit e thotë edhe drejtori ekzekutiv i Institutit Riinevst, Alban Hashani.

    Hashani derisa thotë se masat e vendosura nga BE, janë të padrejta, shton se vendi është duke humbur edhe shumë investitorë të huaj.

    “Masat e BE-së kundër Kosovës vlerësoj se janë të padrejta duke pas parasysh gjithë konstilacionin dhe rrethanat që janë krijuar. Megjithatë, BE i ka arsyet e veta për vendosjen e tyre dhe në anën tjetër të njëjta masa krijojnë disa telashe në Kosovë, sepse dërgojnë sinjale jo të mira, jo vetëm tek institucionet e BE-së, por gjithashtu edhe te investitorët, sepse kemi parasysh se një vend i cili përballët me masa të tilla dërgon sinjale jo të mira për investitorët. Fjala e këtyre projekteve është për pjesëmarrjen e Kosovës në programet kornizë të BE-së, e kufizon qasjen në disa lloj financime, qofshin ato që janë të ndërlidhura me fondet e para anëtarësimit, por edhe me fonde të tjera që lidhen me programin e investimeve të Ballkanit Perëndimor, e në të cilin do të mund të kishin qasje jo vetëm sektori publik, por edhe privat”, thotë Hashani.

    Hashani vlerëson se është esenciale që të gjendet një zgjidhje para se BE të futet në ciklin e vet zgjedhor, pasi sipas tij, do të rrezikonte që këto masa të zgjasin me muaj të tërë.

    “Kërkesat e BE-së deklaritavisht janë të qarta. Sipas Qeverisë së Kosovës ato janë përmbushur, megjithatë ende nuk janë zhbllokuar masat. Është esenciale që të gjendet një zgjidhje para se BE të futet në ciklin e vet zgjedhor, sepse do të rrezikonte që këto masa të vazhdoheshin derisa cikli zgjedhor në BE, që do të mund të zgjaste edhe me muaj të tërë. Sipas vlerësimeve të Qeverisë, masat do duhej të largoheshin për shkak se ato kanë qenë të ndërlidhura me de-eskalimin në veri dhe sipas qeverisë këto kushte veçse janë përmbyllur, megjithatë vlerësimi i BE-së, është që këto ende nuk janë përmbyllur, dhe siç duket ka një ndërlidhje të këtyre masave edhe me rrjedhën e procesit të dialogut, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, shton Hashani.

    Anën tjetër, njohësi tjetër i ekonomisë, Florin Aliu vlerëson se ekonomia e vendit ka ngecur për shkak reformave jo të mira nga Qeveria, dhe jo për shkak të masave nga ana e BE-së.

    “Zhvillimi nuk varët prej këtyre sanksioneve, varet më shumë prej reformave që merren brenda Qeverisë së Kosovës, reforma që ajo i vendos për ekonominë tonë. Në atë aspekt po shoh ngecje, ndërsa sa i përket sanksioneve, besoj se janë kriteri bazë që e determinon zhvillimin apo një kriter shumë i parëndësishëm në zhvillimin tonë”, thotë Aliu.

    Kujtojmë se këto masa nga Bashkimi Evropian kundër Kosovës kanë ardhur për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.

  • Dy vjet nga pushtimi rus i Ukrainës, katër liderë perëndimorë bëhen bashkë në Kiev

    Dy vjet nga pushtimi rus i Ukrainës, katër liderë perëndimorë bëhen bashkë në Kiev

    Lufta në Ukrainë prej dy vitesh ende nuk është ndaluar duke sjellë një numër të lartë viktima dhe shkatërrime të mëdha për vendin.

    Numrat zyrtar i civilëve të vrarë që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022 janë shumë larg së vërtetës, sepse deri tani nuk është publikuar asnjë një raport me të dhëna të sakta.

    Gjatë pushtimit rus të Ukrainës, autoritetet thonë së që nga qershori 2023, kanë qenë në gjendje të numërojnë 10,368 civilë, trupat e të cilëve janë gjetur.

    “Ne vlerësojmë se numri ka të ngjarë të jetë pesë herë më i lartë. Prandaj dyshojmë se mund të kemi rreth 50,000” viktima, deklaronte në atë kohë Oleg Gavris, këshilltari kryesor i shefit të kabinetit të presidentit Volodymyr Zelensky.

    Edhe OKB gjithashtu se numri i viktimave të jetë më i lartë se shifrat zyrtare të publikuara.

    Autoritetet ukrainase vlerësojnë se vetëm rrethimi i Mariupolit (nga shkurti deri në maj 2022), një qytet port i madh në Ukrainën jugore aktualisht nën kontrollin rus, kushtoi jetën e të paktën 25,000 njerëzve, të cilët u varrosën në varre masive.

    Ndërkohë sot në Kiev pritet të mbërrijnë katër liderë perëndimore, përfshirë Presidenten e Komisionit Europian.

    Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe kryeministri belg Alexandre De Croix udhëtuan së bashku në kryeqytetin ukrainas gjatë natës me tren nga Polonia, thuhet në një deklaratë të qeverisë italiane.

    Meloni pritet të mbajë një konferencë sot nga Kievi me liderët e G7, dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është ftuar gjithashtu të bashkohet me diskutimin.

  • Kurti dhe Murati udhëtojnë drejt Londrës, marrin pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor

    Kurti dhe Murati udhëtojnë drejt Londrës, marrin pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.

    Ai, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, do të marrë pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2024.

    Ky samit është organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

    Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media.

    Samiti do të mbahet të hënën më 26.02.2024, ka njoftuar Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

    “Ngjarja do t’i bëjë bashkë 6 kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe investitorët ndërkombëtarë meqëllim për të nxjerrë në pah investimet potenciale dhe mundësit biznesore në regjion, dhe të promovohen projektet rajonale ndërkufitare”, thuhet në komunikatën e BERZH-it.