ATV

Tag: Ballina

  • Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në samitin për Ukrainën në Tiranë

    Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në samitin për Ukrainën në Tiranë

    Sonte në Shqipëri, pritet të arrijë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili do të pritet nga kryeministri Edi Rama.

    Në Samitin e parë mes Ukrainës dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Tiranë, e pranishme do të jetë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Kjo është konfirmuar për klan kosova nga presidenca.

    Ndërkohë, pak ditë më parë në një mesazh në platformën “X”, kreu i shtetit të Ukrainës vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe shprehu padurimin për një të ardhme më të sigurt për gjithë Evropën. Shqipëria ka vendosur disa sanksione ndaj Rusisë, ndërsa ka dënuar luftën e saj në Ukrainë.

  • Zelensky sot në Tiranë

    Zelensky sot në Tiranë

    Sonte në mbrëmje, në aeroportin e Rinasit pritet të zbresë një nga figurat më të njohura botërore të momentit. Volodymyr Zelensky, Presidenti i Ukrainës, që prej dy vitesh po udhëheq luftën kundër Rusisë, duke mobilizuar kombin dhe ushtrinë si dhe duke bindur pjesën më të madhe të botës, të jetë përkrah vendit të tij.

    Ai është paraparë të pritet nga kryeministri Edi Rama. Megjithatë, ngjarjet në Ukrainë dhe elementët e sigurisë do të përcaktojnë edhe agjendën e Volodymyr Zelenskyt në Tiranë, ku ajo që dihet me siguri është pjesëmarrja në samitin e 28 shkurtit. Edhe pse në agjendën paraprake ishte parashikuar një takim me presidentin Bajram Begaj dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla ato janë anuluar.

    Zelenksy do të marrë pjesë në një forum që të mërkurën do të bëjë bashkë lider të BE-së dhe të Evropës Juglindore. Nga Bashkimi Evropian do të vijë Ursula Von der Leyen, ndërsa janë ende në pritje të konfirmimeve Greqia dhe Kosova, nëse do të përfaqësohen nga kryeministrat, apo nga presidentët. Serbia ka njoftuar se do të jetë e pranishme përmes presidentit Aleksander Vuçiq. Liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të qëndrojnë edhe të enjten, në një Samit për integrimin.

    Pak ditë më parë në një mesazh në platformën “X” kreu i shtetit të Ukrainës vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe shprehu padurimin për një të ardhme më të sigurt për gjithë Evropën. Shqipëria ka vendosur disa sanksione ndaj Rusisë, ndërsa ka dënuar luftën e saj në Ukrainë.

  • Qeveria synon ta bartë pronësinë e KOSTT-it nga kuvendi te Ministria e Financave

    Qeveria synon ta bartë pronësinë e KOSTT-it nga kuvendi te Ministria e Financave

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Qeveria synon që pronësinë e aksioneve të Operatorit të Sistemit të Transmisionit – KOSTT ta bartë nga Kuvendi te Ministria e Financave.

    Pushteti ekzekutiv synon që këtë ta bëjë nëpërmjet ndryshimeve në propozuara në Projektligjin për Energjinë Elektrike, i cili është vënë në konsultim publik.

    Projektligji i sponsorizuar nga Ministria e Ekonomisë parasheh që, brenda 60 ditësh nga hyrja eventuale në fuqi, Kuvendi të iniciojë procedurën për bartje të së drejtës së pronësisë.

    “Aktualisht, Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës. Për t’u siguruar që monitorimi e funksionimi i ndërmarrjes të bëhet në mënyrë optimale e efiçiente, si dhe për të liruar Kuvendin nga barra e mbikëqyrjes, kemi paraparë bartjen e të drejtës së pronësisë së KOSTT-it, te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”, tha Edita Pozhegu, këshilltare e Ministres së Ekonomisë.

    Referuar praktikave evropiane, eksperti i energjisë, Arben Kllokoqi, tha se kërkohet për dy ose më shumë ndërmarrje publike në sektorin e njëjtë, së paku, pronësinë ta mbajnë ministri të ndryshme.

    “Në rast se Qeveria ka asete edhe në transmision, dhe ka pronësi në gjenerim, apo në ndonjë biznes tjetër që ka të bëjë më prodhimin apo shitjen e energjisë elektrike, atëherë praktikë është që të jenë dy ministri të ndryshme. Në disa raste mund të jenë fonde të ndryshime, siç është rasti në Francë. Dhe, në këtë mënyrë arrihet përputhshmëria me direktivën. Megjithatë, përputhshmëria duhet të vlerësohet nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë”, tha Kllokoqi.

    Kllokoqi theksoi se, para hyrjes në fuqi të ligjit, duhet një lloj certifikimi nga Komuniteti i Energjisë në Vjenë për të shmangur elemente eventuale të monopolit.

    “Përveç konkludimit parimor se është në përputhje, duhet të shikohet se çfarë vendime, si vendoset bordi, çfarë vendime mund të marrë bordi dhe çfarë ndikimi ministritë përkatëse mund të kenë, apo edhe qeveria mund të ketë në vendimet e ndërmarrjes?”, tha Kllokoqi.

    Të hënën, në KOSTT nuk u përgjigjën lidhur me ndryshimet e propozuara.

    Ndërsa, qëndrim nuk dhanë as deputetë të dy partive opozitare, PDK e LDK.

  • Gjykata e liron kryeparlamentarin nga akuzat për gaz lotsjellës

    Gjykata e liron kryeparlamentarin nga akuzat për gaz lotsjellës

    Përgatiti: Nora Luta

    Gjykata e shkallës së parë e ka liruar kryetarin e Kuvendit Konjufcën, nga akuzat për hedhje të gazit lotsjellës, pasi tha se gjatë gjykimit nuk u provua fajësia e tij.

    Gjykata ka konfirmuar se pika dy e akuzës ndaj kryetarit të Kuvendit për veprën penale pengim i personit zyrtar, është parashkruar.

    Mbrojtja Vendimin e cilëson të drejtë.

    Konjufca akuzohej se sa ishte deputet hodhi gaz lotsjellës në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, në gusht të vitit 2016.

    Gjatë këtij gjykimi dëshmuan Sabri Hamiti, Pal Lekaj dhe disa ish-deputetë të cilët nuk e inkriminuan direkt Konjufcën.

    Hamiti gjatë dëshmisë kishte thënë se ishin përfaqësuesit e Vetëvendosjes, që kishin hedhur gaz dhe si pasojë ishte ndërprerë mbledhja e kryesisë.

  • S’ka të bëjë me neglizhencë të mjekëve, vajza kishte sëmundjen seps

    S’ka të bëjë me neglizhencë të mjekëve, vajza kishte sëmundjen seps

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Dyshimet e para të prindërve për vdekjen e vajzës së tyre 4 vjeçare nga Gjakova, ishin si pasojë e lëndimeve trupore dhe neglizhencës së mjekëve.

    Por në raportin e SHSKUK-së dhe Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, i cili u diskutua të hënën ndërmjet Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe atij për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale me krerët e shëndetësisë, thuhet se vajza është diagnostikuar me SEPSË.

    “Është diagnostikuar me SEPSË. Për diagnozën përfundimtare duhet t’i presim dhe rezultatet e fundit të hetimeve që kanë nisur. Kjo lloj e SEPSE-së që është infeksion i rëndë i gjakut dhe se vdekshmëria është shumë e lartë. Sipas raporteve dhe bisedave me profesionistët e fushës që i kanë trajtuar pacientët s’ka shenja që ka pasur shkaktarë të jashtme që e kanë rënduar gjendjen e pacientes…”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Për procedurën e trajtimit të 4 vjeçares foli drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi.

    Ndonëse të ftuar, në komision nuk morën pjesë kryetari i Gjakovës, Adrian Gjini, e as drejtoresha e shëndetësisë në këtë komunë, Adelina Shehu.

    Por, pjesë e diskutimit ishin dy deputet gjakovar, të cilët patën disa pyetje për ministrin.

    “Meqë SEPS është sëmundje ngjitëse, a është kontrolluar familja e vajzës…”, tha Fridon Lala, deputet i IRDK-së.

    “Informatën për vdekjen e vajzës e kanë marrë nga mediat, si mund të ndodh kjo…në autoambulancë nuk u lejuan prindërit…”, tha Agon Batusha, kryetar i LVV-së në Gjakovë.

    Për gjitha këto, ndonëse të mangëta, Vitia pati përgjigje.

    “Është rregull të mos ketë shoqërues, po ne kemi kontrolluar familjen jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta…”, tha Vitia.

    Ndërkaq, për diagnozën përfundimtare, Vitia tha duhet t’i presim edhe rezultatet e fundit të hetimeve që kanë nisur.

    4 vjeçarja, vdiq më 19 shkurt në QKUK, 2 ditë pasi ishte transferuar nga spitali i përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, për trajtim të mëtutjeshëm.

  • 400 milionë euro, memorandum mirëkuptimi Kosovë – Berzh

    400 milionë euro, memorandum mirëkuptimi Kosovë – Berzh

    Përgatiti: Haris Ademi

    400 milionë euro në tri vitet e ardhshme, pritet të investohen në Kosovë, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

    Kjo është vlera e memorandumit të mirëkuptimit që kryeministri Albin Kurti e nënshkroi të hënën me BERZH-in dhe që do të përdoret për investime që Qeveria i cilëson si prioritare, deri më 2027.

    Paraprakisht, Kurti mori pjesë në tryezën e përbashkët me liderët e Ballkanit Perëndimor, për të joshur sa më shumë investitorë për vendet e tyre.

    Ai foli për infrastrukturën ligjore dhe fuqinë e re punëtore, derisa tregoi edhe sektorët ku ka nevojë të investohet.

    “Ne kemi nevojë për investime në transport dhe energji, në lidhje me infrastrukturën, rrugë, autostrada dhe hekurudha, po ashtu projekte me 1.2 gigavatë energji të ripërtërishme, që janë bazike për rritjen e lidhjes rajonale dhe zhvillim të qëndrueshëm, ashtu si në edukim dhe zhvillim të kapitalit njerëzor”, tha Kurti.

    Njësoj bëri edhe Edi Rama, që tregoi për shifrat rekorde në sektorin e turizmit.

    “Shqipëria ka ndryshuar shumë, nga një vend i stigmatizuar, si një vend i pasigurt, në një vend që vitin e kaluar arriti 10 milionë turistë”, tha Rama.

    Kur në këso panele janë bashkë liderët e Kosovës dhe Serbisë, vështirë i tejkalojnë temat politike.

    Kurti i replikoi kryeministres serbe Ana Bernabiq, për mënyrën si e quajti Kosovën, kur po fliste për shifra ekonomike në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

    “Kur them Serbia Qendrore, dua të them Serbia, që nuk e përfshin në statistika provincën tonë autonome Kosovën e Metohinë, të cilën ne e konsiderojmë pjesë të Serbisë”, tha Bernabiq.

    Më pas, Kurti e përdori togfjalëshin zyrtar të shtetit që s’e njeh Beogradi.

    “Emri i vendit tim është Republika e Kosovës, jo siç u tha këtu, Kosova e Metohija. Nëse do të vazhdoja njësoj, do t’ju merrnim kohë, sepse në vend të Serbia, do të thosha Serbia, e Vjojvodina, Sanxhak, Toplica, Rashka, Lugina e Preshevës, dhe provinca e Timokut”, tha Kurti.

    Kosova e Serbia ishin kushtëzuar në nëntor të vitit të kaluar, se duhet të përparojnë në normalizimin e marrëdhënieve mes vete, për të përfituar nga pakoja 6-miliardëshe e Komisionit Evropian. Këtë nuk e theksoi të hënën, komisioneri Olivier Varhelyi, i cili tha se këto para do të ndikojnë në zhvillimin e gjithë rajonit.

    Në anën tjetër, BERZH-i thotë se, deri më tash, në gjithë Ballkanin Perëndimor janë investuar më shumë se 18 miliardë euro.

  • Gjykata Themelore liron Glauk Konjufcën nga akuzat për hedhje të gazit lotsjellës

    Gjykata Themelore liron Glauk Konjufcën nga akuzat për hedhje të gazit lotsjellës

    Gjykata Themelore e Prishtinës e ka liruar nga akuzat e Prokurorisë për hedhje të gazit lotsjellës, kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, raporton ATV.

    Konjufca akuzohej se sa ishte deputet hodhi gaz lotsjellës në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

    Sipas Gjykatës nuk është provuar gjatë gjykimit se Konjufca e ka kryer këtë vepër penale. /atvlive.tv

  • Aksidenti me fatalitet në afërsi të MASHT-it, policia jep detajet e fundit

    Aksidenti me fatalitet në afërsi të MASHT-it, policia jep detajet e fundit

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur para pak minutash në afërsi të Ministrisë së Arsimit në Prishtinë.

    Një veturë dyshohet se i ka rënë semaforit dhe i njëjti pastaj ka goditur një qytetarë, i cili ka vdekur në vendin e ngjarjes.

    Lajmin për ATV-në e ka konfirmuar Policia e Kosovës.

    “Sot rreth orës 12:40 kemi pranuar informatën se në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, kanë qenë të përfshirë një këmbësor dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësori i cili nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku, ndërkohë që ngasësja automjetit është shoqëruar në stacion policor”, thuhet në përgjigjen e Policisë. /atvlive.tv

  • BE thotë se Kosova dhe Serbia kanë konfirmuar se i çojnë përfaqësuesit e tyre në Bruksel për dinarin

    BE thotë se Kosova dhe Serbia kanë konfirmuar se i çojnë përfaqësuesit e tyre në Bruksel për dinarin

    Bashkimi Evropian ka konfirmuar se nesër do mbahet takimi mes Kosovës e Serbisë për të diskutuar “çështjen e dinarit”.

    Bashkimi Evropian ka konfirmuar se nesër, në Bruksel, do mbahet takimi mes Kosovës e Serbisë për të diskutuar “çështjen e dinarit”.

    Zëdhënësja e BE-së Nabila Massralli ka thënë se të dyja palët kanë konfirmuar se do dërgojnë përfaqësuesit e tyre për këtë takim. Ajo gjithashtu ka thënë se do takimi do zhvillohet në “formatin e zakonshëm i dialogut”.

  • Fillon dëshminë dëshmitari i 47 në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Fillon dëshminë dëshmitari i 47 në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 47 i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W02749 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe në përmbledhjen e lexuar nga përfaqësuesit e ZPS-së, pretendohet se në qershor të 1999 ai është rrëmbyer dhe rrahur nga anëtarët e UÇK-së.

    “W02749 ka qenë banorë i Prizrenit. Në qershor të 1999 është rrëmbyer dhe rrahur nga anëtarët e UÇK-së. Është dërguar në një ndërtesë e cila është përdorur nga UÇK-ja ku është marrë në pyetje dhe është rrahur me teje. Gjatë ndalimit ai ka vërejtur edhe persona të tjerë të ndaluar dhe është liruar nga një ushtar i UÇK-së”.

    Pyetjet për këtë dëshmitar është duke i parashtruar përfaqësuesit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në sesion privat për publikun.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë një ditë. Ai tha se ZPS-ja ka paraparë rreth një orë e gjysmë për ta marrë në pyetje këtë dëshmitar, mbrojtja e viktimave nuk ka pyetje kurse mbrojtja e të akuzuarve kanë parashtruar se iu duhen rreth katër orë.

    Vlen të theksohet se deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët për ZPS-në u pranuan si prova materiale së bashku me materialit përcjellëse.

    Të pranishëm në sallën e gjyqit janë të gjithë të akuzuarit përveç Jakup Krasniqit i cili është i kyçur përmes video-lidhjes.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.