ATV

Tag: Ballina

  • Kthimi në rigjykim i rastit të vrasjes së Marigona Osmanit/ Haxhiu: Vendime të tilla shtyjnë edhe të tjerët të kryejnë verime kriminale

    Kthimi në rigjykim i rastit të vrasjes së Marigona Osmanit/ Haxhiu: Vendime të tilla shtyjnë edhe të tjerët të kryejnë verime kriminale

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar vendimin e Gjykatës së Apelit që rasti i vrasjes së Marigona Osmanit të kthehet në rigjykim, tha se veprime të tilla të sistemit të drejtësisë shtyjnë edhe të tjerët të kryejnë veprime të tilla.

    “Nesër është paralajmëruar protesta për shkak të vendimit të Gjykatës së Apelit, që e kthen në rigjykim rastin e vrasjes mizore të Marigona Osmanit, që konsideroj se, që nga koha e pasluftës, ka pasur vrasje në Kosovë, mirëpo kjo konsiderohet që është më e rënda, për shkak të mënyrës se si është kryer vrasja e të ndjerës. Prandaj, kthimin në rigjykim i rastit tillë, sigurisht që unë do të sërish do të kritikohem që po komentoj vendime të gjykatës që po ndërhyj në drejtësi, por e kam thënë dhe e përsëris sërish, sa herë kemi vendime të tilla të gjykatave, unë do ta ngris zërin, sepse konsideroj që është tepër e rëndësishme që edhe si qytetare e këtij vendi, edhe si nënë, si grua, si ministre e Drejtësisë po ashtu, të adresoj padrejtësitë që bëhen nga vetë sistemi dhe kam përshtypjen që veprimet e tilla nga sistemi i drejtësisë konsideroj që i shtyn të tjerët që të bëjnë veprime kriminale, sepse kur të ledhaton sistemi me vendime të tilla, atëherë natyrisht që kjo është shtytje për edhe për të tjerët, por edhe për personat që për momentin mbahen në masën e paraburgimit”, tha Haxhiu.

    Në anën tjetër, ajo tha se është e papranueshme se si gjykatat së pari marrin vendime në bazë të presionit.

    “Pavarësisht që ka reagime qytetare, duhet të gjitha rrethanat të sqarohen dhe secili si me thënë argumentim i gjykatës pat të jetë i bazuar”, tha Haxhiu.
    Ajo thotë se probleme ka shumë në sistemin e drejtësisë, por se ato duhet të adresohen dhe përgjegjësinë e bartë sistemi i drejtësisë.

    “Kemi raste të shumta, por ka qenë edhe së fundi një prej rasteve kur dikush është dënu me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata Supreme e liron komplet nga përgjegjësia penale. Pra, këtu probleme ka shumë. Ky problem duhet të adresohet dhe këtu përgjegjësinë e bartë vetë sistemi i drejtësisë”, tha Haxhiu. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Propozimi i Qeverisë për pronësinë e KOSTT-it, vlerësohet tendencë kontrolli

    Propozimi i Qeverisë për pronësinë e KOSTT-it, vlerësohet tendencë kontrolli

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Propozimi i Qeverisë për bartje të pronësisë së aksioneve të KOSTT-it nga Kuvendi te Ministria e Financave, nga një pjesë e opozitës vlerësohet tendencë për vënien në kontroll të kësaj ndërmarrjeje publike.

    Kundërshtimi i PDK-së ndërlidhet me dyshimet për mos-përputhje të Projektligjit për Energjinë Elektrike me rregullat e Komunitetit të Energjisë në Vjenë.

    “Ne do ta trajtojmë nen për nen dhe do ta bëjmë publik qëndrimin tonë. Nuk mund të pajtohemi që të ndërrojë çështja e aksionarëve, siç ka qenë deri tash me KOSTT-in dhe disa institucione që i janë përgjigjur Kuvendit. Nëse e abstrahojmë me ligj çështjen e kompetencave të Kuvendit, atëherë kemi një situatë tjetër të asaj që nuk do të dëshiroja të shihja në ekonomi. Një ekonomi të centralizuar, që kontrollohet gjithçka nga ekzekutivi”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    Pasi tha se rregullorja e BE-së për shthurjen është keqinterpretuar, deputeti Armend Muja kundërshtoi argumentimin se Qeveria dëshiron ta vërë në kontroll KOSTT-in.

    “Nuk krijon probleme, sepse ato duhet të jenë në njësi të ndara. Ajo është kërkesa e rregullores. Në shumë vende të tjera në rajon i kanë krejt bashkë. Por e vërteta është që kalimi i KOSTT-it nga Kuvendi te ministria, unë e përkrahi këtë, sado që unë i kam të dhënat, e kam përcjellë një kohë të gjatë, mirëpo ministria i ka kapacitete me i ndihmua KOSTT-it, qoftë te aspektet e prokurimit, qoftë te aspektet e auditimit. është shumë më mirë të jetë në kuadër të Ministrisë së Financave”, tha Muja.

    Në KOSTT ende nuk janë deklaruar për këtë propozim të Qeverisë.

    Vetëm në tri vjetët e fundit, KOSTT-i me ndihmën direkte të Qeverisë pagoi rreth 150 milionë euro për mbulimin e devijimeve, si pasojë e mos-pagesës së rrymës në katër komunat në veri.

    Në fund të muajit Janar, Rregullatori i Energjisë i hoqi KOSTT-it këtë barrë, të cilën e kishte në licencë që nga vitit 2017, kur u ndërpre praktika e faturave të fryra në 34 komuna për të mbuluar veriun.

    Për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, kalimi i ndërmarrjes në përgjegjësinë e plotë të ekzekutivit vetëm sa i ndihmon zhvillimit të ndërmarrjes.

    “Metoda e financimit është ajo çfarë e bën faktikisht diferencën. E dyta është mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit, prapë shumica i përzgjedhë… Fakti që KOSTT-i ka qenë nën Kuvend besoni është e çuditshme, sepse nuk mund të jetë te Kuvendi, sepse nuk kanë deputetët kapacitet për t’u marrë me mbikëqyrje. Nuk është e pazakonshme”, tha Muja.

    Para miratimit të ligjit, sipas ekspertëve, kërkohet një vlerësim i përputhshmërisë me rregullativën e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, organizatë e cila ka kuadrin ligjor të BE-së në fushën e energjisë.

    Komuniteti i Energjisë është organizatë ndërkombëtare, që përbëhet nga BE-ja dhe 12 shtete, shumica e të cilave synojnë anëtarësimin në bllok.

  • Një vit nga marrëveshja Kosovë – Serbi, “Në vend të normalizimit, shtensionim i situatës”

    Një vit nga marrëveshja Kosovë – Serbi, “Në vend të normalizimit, shtensionim i situatës”

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Saktësisht para një viti, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve që deri atëherë njihej si “plani franko-gjerman”.

    Vetëm 20 ditë pasi palët e pranuan marrëveshjen, në Ohër u pajtuan për një aneks-dokument për zbatimin e saj.

    Por, nga 11 pika, pas 365 ditësh vetëm dy u zbatuan pjesërisht e një plotësisht – ajo për themelimin e Komisionit për mbikëqyrjen e zbatimit të Marrëveshjes.

    Pas 11 muajve nga dakordimi, Kosova dhe Serbia i njohën targat e automjeteve të shteteve respektive, teksa më 2 maj, kryeministri kosovar dhe presidenti serb miratuan “Deklaratën për Personat e Zhdukur”.

    Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve, specifikisht me mjete paqësore dhe përmbajtja nga kërcënimet apo përdorimi i forcës, ishin disa nga pikat e Marrëveshjes për Normalizim.

    Megjithatë, ajo çka pasoi në terren gjatë vitit 2023, ishte pothuajse krejtësisht e kundërta.

    Në fund të majit pasi kryetarët e zgjedhur shqiptarë të komunave me shumicë serbe tentuan qasje në objektet komunale, pati kundërshtime nga qytetarë serbë.

    Më 29 maj protestuesit me mjete të forta, koktej molotovi e armë zjarri, sulmuan pjesëtarët KFOR-it, Policinë dhe ekipe të mediave.

    Pas tensioneve të fundmajit, Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat vazhdojnë të jenë në fuqi.

    Vetëm pak ditë më pas, forcat serbe rrëmbyen tre zyrtarë të Policisë së Kosovës. Nga ekzekutivi kosovar vazhdojnë të insistojnë se më 14 qershor forcat serbe ishin futur në territorin e Kosovës dhe kishin rrëmbyer policët. Ata u liruan pas procesimit nga autoritetet në Beograd.

    Me qëllim shtensionimin dhe heqjen e masave, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe i dërguari i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, më 10 korrik në Bratislavë, u pajtuan për hapat e nevojshëm.

    Derisa Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i Ohrit nuk po zbatoheshin, pa rezultate përfundoi edhe takimi i nivelit të lartë i 14 shtatorit.

    Pikërisht, 10 ditë pas takimit, më 24 shtator nga grupi terrorist serb, në Banjskë të Zveçanit u vra rreshteri Afrim Bunjaku e u plagos polici Alban Rashiti.
    Përgjegjësinë për organizimin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, derisa autoritetet kosovare këmbëngulin se prapa tij qëndron shteti i Serbisë.

    Në përvjetorin e parë të Marrëveshjes për normalizim, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi përmendi se Kosova pesë herë ka ofruar publikisht nënshkrimin e saj, gjë që u refuzua nga pala serbe.

    Bashkimi Evropian nuk ka kthyer përgjigje, derisa Qeveria e Kosovës pretendon se Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjes Bazike, preambulën e saj dhe nene të Aneksit Implementues.

  • Lajçak paralajmëron takime të tjera, për rregulloren mungojnë shumë përgjigje

    Lajçak paralajmëron takime të tjera, për rregulloren mungojnë shumë përgjigje

    Përgatiti: Haris Ademi

    Pa ndonjë marrëveshje për çështjen e dinarit është mbyllur takimi i së martës në Bruksel, mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    Në diskutimin trepalësh, në nivel teknik, Prishtinën e përfaqësoi guvernatori i Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili, ndërsa Beogradin, zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe Bankës Postare.

    Sipas ndërmjetësuesit Miroslav Lajcak, për rregulloren e BQK-së duhen takime shtesë, meqë shumë pyetje politike kanë mbetur pa përgjigje. Ndërsa, Banka Qendrore pas takimit lëshoi komunikatë në të cilën tha se rregullorja nuk është vënë fare në diskutim nga BE-ja.

    “Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

    Brenda takimit, BQK-ja thotë se ka ofruar opsione për mënyrën e lehtësimit të zbatimit të rregullores, nëse ka vullnet nga pala serbe.

    Mirëpo Beogradi nuk e do heqjen e dinarit nga qarkullimi në Kosovë. Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, që mori pjesë vetëm në takimin e ndarë me Lajcakun, tha se kjo temë nuk mund të zgjidhet me Ismailin në Bruksel.

    “Duhet një nivel politik për zgjidhje, ai nuk mund ta bëjë atë që bëri Besnik Bislimi, të mos vijë në Bruksel, por të dërgojë njerëz nga e ashtuquajtura Banka Qendrore e Kosovës për të vendosur për diçka për të cilën ata vetë thonë se nuk kanë mandat”, tha Petkoviq.

    Petkovic shtoi se kryeministri Albin Kurti po do t’i shuajë institucionet serbe në Kosovë, të cilat duhet të jenë themel i Asociacionit.

    Në anën tjetër, Bislimi nuk kishte pranuar të marrë pjesë në dialog për çështjen e dinarit, duke e akuzuar Lajcakun se e ka përcaktuar temën e diskutimit pa u marrë vesh paraprakisht me palët.

    Rregullorja e BQK-së që e njeh euron si valutë të vetme në Kosovë, ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, për të cilën Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kritike për mënyrën e zbatimit.

  • Dy persona pranojnë fajësinë për huliganizëm në protestën në Zveçan

    Dy persona pranojnë fajësinë për huliganizëm në protestën në Zveçan

    Përgatiti: Nora Luta

    Protesta e banorëve lokalë serbë në kundërshtim të kryetarit të ri shqiptar në Zveçan, më 29 maj të vitit të kaluar kishte përfunduar me përleshje mes tyre dhe pjesëtarëve të KFOR-it, ku të paktën 30 ushtarë ishin lënduar.

    Për pjesëmarrje në këtë protestë dhe huliganizëm, Gjykata Themelore e Prishtinës i ka shpallur fajtor Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq.

    Që të dy të martën erdhën në Gjykatë, për t’u njoftuar me vendimin, pas pranimit të fajësisë, dhe arritjes së marrëveshjes me PSRK-në në janar të këtij viti.

    Të dy u dënuan me 6 muaj burgim, por dënimi Petroviqit do t’i kthehet në gjobë, e Obrenoviqit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

    Sipas aktakuzës Radosh Petroviq qysh një ditë pasi ishte arrestuar, në Polici nuk e kishte mohuar pjesëmarrjen në protestë.

    “Dushan Obrenoviq ka deklaruar se nuk ka marrë pjesë në momentet e ushtrimit të dhunës ndaj ushtarëve të KFOR-it, sepse ishte i arrestuar dhe se arrestimi i tij dhe thirrja për ndihmë meqë po e arrestojnë, mund të jetë shkak për fillimin e dhunës ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Po ashtu, ai ka deklaruar se ka kënduar këngë me përmbajtje nacionaliste, përkatësisht edhe me frazën “KOSOVA ËSHTË SERBI”, si dhe ka shtuar se kur është nisur për në Zveçan në trup kishte të veshur pantallonat, çizmet, xhaketën dhe një sheshir-kapelë të cilin ia kanë dhënë në hyrje të Zveçanit, një grup njerëzish dhe këtë me qëllim të maskimit sepse incizoheshin nga turma të njerëzve”, thuhet në Aktakuzë.

    Banorët serbë në maj të vitit të kaluar me protesta kishin kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat veriore.

    Tensionet ishin shtuar kur ata kishin tentuar të hyjnë në objektet komunale.

    Nën dyshimet për sulm ndaj KFOR-it, e pjesëmarrje në protesta të dhunshme, në paraburgim që nga qershori i vitit të kaluar është Milun Milenkoviq.

  • Lajçak deklarohet pas bisedimeve për dinarin

    Lajçak deklarohet pas bisedimeve për dinarin

    Emisari BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak ka njoftuar për takimet e zhvilluar sot në Bruksel me kryenegociatorin serb, Petar Petkovic, dhe përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës të prira nga Guvernatori, Ahmet Ismaili.

    Lajcak ka thënë se mirëpret përkushtimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së.

    Emisari sllovak ka thënë se takimi i sotëm ka qenë një hap i parë i rëndësishëm, megjithatë thotë se shumë çështje politike mbesin ende pa përgjigje.

    “Unë mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i Dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, ka shkruar Lajçak.

  • Guvernatori i BQK-së: Në Bruksel diskutuam për modalitetet e financimit nga Serbia

    Guvernatori i BQK-së: Në Bruksel diskutuam për modalitetet e financimit nga Serbia

    Në Bruksel ka përfunduar takimi i përbashkët mes ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gjatë takimit janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar te Banka Popullore e Serbisë”.

    “Nuk ka asgjë tjetër dhe as nuk kemi pranuar diskutime tjera”, ka thënë Ismaili.

    “Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet. Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim. Mundësi ligjore ka për transfer legal. Nëse gjithmonë Serbia ka gatishmëri t’i shfrytëzojë ato”, është shprehur ai.

    Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

    Sipas BE-së, ky vendim ka shkaktuar probleme praktike për komunitetin serb në Kosovë, të cilët kanë përdorur dinarin serb dhe me këtë valutë kanë marrë ndihmë nga Serbia.

    Para takimit të përbashkët, Lajçak u takua më herët gjatë 27 shkurtit me delegacionin serb, të udhëhequr nga kryenegociatori Petar Petkoviq. Më pas, emisari evropian u takua me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

    Kosova nuk ka dashur që në takimet në Bruksel të dërgojë nivel politik sepse beson se çështja e rregullores së BQK-së për pagesat me para të gatshme nuk duhet të jetë temë e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili njëherësh është edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, nuk ishte pajtuar që çështja e dinarit serb të ishte pjesë e dialogut. Kjo, pasi Qeveria e Kosovës e konsideron këtë gjë si çështje të brendshme për të cilën kompetenca të pavarura ka BQK-ja.

  • Përfundon takimi trepalësh në Bruksel për çështjen e dinarit serb

    Përfundon takimi trepalësh në Bruksel për çështjen e dinarit serb

    Në Bruksel ka përfunduar takimi i përbashkët mes ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

    Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

    Sipas BE-së, ky vendim ka shkaktuar probleme praktike për komunitetin serb në Kosovë, të cilët kanë përdorur dinarin serb dhe me këtë valutë kanë marrë ndihmë nga Serbia.

    Para takimit të përbashkët, Lajçak u takua më herët gjatë 27 shkurtit me delegacionin serb, të udhëhequr nga kryenegociatori Petar Petkoviq. Më pas, emisari evropian u takua me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

    Kosova nuk ka dashur që në takimet në Bruksel të dërgojë nivel politik sepse beson se çështja e rregullores së BQK-së për pagesat me para të gatshme nuk duhet të jetë temë e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili njëherësh është edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, nuk ishte pajtuar që çështja e dinarit serb të ishte pjesë e dialogut. Kjo, pasi Qeveria e Kosovës e konsideron këtë gjë si çështje të brendshme për të cilën kompetenca të pavarura ka BQK-ja.

    Bislimi javën e kaluar e kritikoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, për vendosjen e kësaj teme në agjendë të takimeve në Bruksel, pa pajtimin paraprak të Kosovës. Sipas kryenegociatorit kosovar, Lajçak në këtë mënyrë shkeli parimet e dialogut të vendosura vet ai, sipas të cilave, asnjë temë nuk mund të vendoset në rend dite pa pajtimin paraprak të Kosovës dhe Serbisë.

    Por, nga BE-ja janë përgjigjur se blloku angazhohen për të gjetur një zgjidhje për problemin, që sipas Brukselit, e ka “shkaktuar Kosova me vendimin e njëanshëm dhe pa konsultime as me partnerët, e as me komunitetin i cili ka pasoja të drejtpërdrejta nga ky vendim”. Sipas BE-së, dialogu është forumi ku duhet të gjendet zgjidhja për të gjitha çështjet e hapura mes palëve dhe këtë e kanë thënë edhe vendet anëtare, por edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

    Një ditë më parë, nga BQK-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të takohen me përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë për të lehtësuar transferimin e parave përmes kanaleve bankare.

    “Në këtë kuptim, [BQK-ja] edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, u tha në përgjigjen e BQK-së dërguar REL-it.

    Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

    Autoritetet në Kosovë kanë thënë se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, jo më të gjatë se tre muaj, ndërkaq kryeministri Albin Kurti, ka insistuar se vendimi nuk do të zhbëhet.Shtetet e Bashkuara, ndërkaq, i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimit të BQK-së, pasi kanë argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa pasur për bazë ndikimet negative te popullata serbe në Kosovë.

  • Hashani: Çështja e dinarit mund t’i kushtojë Kosovës me sanksione të reja

    Hashani: Çështja e dinarit mund t’i kushtojë Kosovës me sanksione të reja

    Profesori i ekonomisë, Medain Hashani, në emisionin A LIVE në ATV, tha se çështja e dinarit mund t’i sjellë Kosovës pasoja me sanksione të reja nga bashkësia ndërkombëtare.

    “Kur e merr një vendim të një anshëm, është një vendim i pamatur mirë, është një vendim i cili nuk është analizuar ashtu siç duhet dhe mbi bazën e kësaj, unë e konsideroj se një çështje e cila dihet, sepse valuta e vetme në Kosovë e cila përdoret është euro, është e përcaktuar me Ligj, monitorohet vazhdimisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, përdorimi i valutës që e matë edhe pjesën e politikës monetare, monitorohet vazhdimisht edhe nga ana e Bankës Evropiane Qendrore dhe ky veprim që është ndërmarrë me një rregullore të tillë, tregon që mund të ketë edhe pasojat e veta në aspektin e sanksioneve të reja që mundet me i pasë Kosova si rezultat i këtij vendimi të njëanshëm”, tha Hashani.

    Sipas tij, është nonsense që sot është duke u diskutuar në BE për çështjen e dinarit. /atvlive.tv

    Intervistën e tij të plotë në A LIVE, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kusari-Lila: Në Bruksel janë diskutuar transferet që vijnë si ndihmë nga Serbia, jo çështje tjera

    Kusari-Lila: Në Bruksel janë diskutuar transferet që vijnë si ndihmë nga Serbia, jo çështje tjera

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se në Bruksel është diskutuar sa i përket çështjes së transfereve të cilat janë të dedikuara për komunitetin serb në Kosovë që vijnë si ndihmë nga Serbia.

    Përveç kësaj ajo ka thënë se çështje të tjera nuk pritet që do të diskutohen në këtë takim.

    Të hënën në Bruksel janë zhvilluar takime të ndara mes emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me delegacionit serb të udhëhequr nga kryenegociatori Petar Petkoviq dhe delegacionin kosovar të kryesuar nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

    Kusari Lila ka thënë se për t’u vendosur komunikim dhe mënyrën e cila do të jetë tërësisht ndryshe prej asaj se si janë bërë deri tani këto transfere, është duke u diskutuar në Bruksel dhe se përtej kësaj nuk ka çka tjetër të diskutohet në raport me rregulloren e BQK-së.

    “Vetëm siç e dini çështja e dinarit ka të bëjë edhe me transferet të cilat janë të dedikuara për komunitetin serb në Kosovë që vijën si ndihmë nga Serbia. Përderisa është e paraparë edhe në ligjin për menaxhimin e financave të pushtetit lokal, që parashihet që këto transfere bëhen zyrtarisht përmes llogarive të veçanta. Për tu vendosur ky komunikim dhe kjo mënyre, e cila do të jetë tërësisht ndryshe prej asaj se si janë bërë transferet po diskutohet, përtej asaj nuk ka çka tjetër të diskutohet në raport me rregulloren e BQK-së. BQK-ja është institucion i pavarur i zgjedhur sipas ligjeve në fuqi prej Kuvendit të Republikës, i raporton Kuvendit, prandaj e vetmja çështje e cila diskutohet mund të jetë transferi i mjeteve që behën nga nja Bankë që në Serbi quhet Banka Popullore tek Banka Qendrore e Kosovës”, ka thënë ajo.

    Kusari Lila duke ju përgjigjur kritikave të opozitës se VV-ja është duke shkelur premtimet se çështjet e brendshme nuk do të diskutohen ne dialogun me Serbinë, tha se në këtë rast nuk ka shkelje të premtimeve por realizim të mandatit të plotë dhe të ushtrimit të detyrës të secilit institucion.

    “Jo në fakt nuk e shohë shkelje të premtimeve e shohë realizim të mandatit të plotë dhe të ushtrimit të detyrës të secilit institucion, prej institucioneve të pavarura siç është BQK-aj e deri tekë qeveria e Republikës si institucioni ekzekutiv përgjegjës për dialogun ashtu siç është paraparë edhe e thënë në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ajo.