ATV

Tag: Ballina

  • Përtej lehtësimit në dialog, BE-ja mendon për rol “detyrues” për zbatim të marrëveshjes

    Përtej lehtësimit në dialog, BE-ja mendon për rol “detyrues” për zbatim të marrëveshjes

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Moszbatimi i marrëveshjeve, krizat e shpeshta në terren dhe ulja e nivelit të përfaqësimit kanë bërë që Bashkimi Evropian të mendojë për një rol shtesë në dialogun Kosovë-Serbi, përtej lehtësimit të procesit.

    Burimet i konfirmuan ATV-së se BE-ja po e konsideron të kalojë në një rol detyrues, referuar ndërlidhjes së zbatimit me përparimin në procesin e integrimit evropian.

    Pasi konstatoi se dialogu ka degraduar, ish-ambasadori në Bruksel, Bernard Nikaj, tha se BE-ja e ka tejkaluar rolin e lehtësuesit me propozimin, në formën “merre ose lëre”, të marrëveshjes bazë, si dhe hartimin e draft-statutit të asociacionit.

    “Këto veprime tregojnë që BE-ja e ka marrë një hap para, prej rolit tradicional të facilitatorit, të cilin e ka mbajtur në vitet e hershme të dialogut. Moszbatimi i kësaj marrëveshjeje dhe degradimi i raporteve mes palëve edhe në terren, por edhe situata në terren në Kosovë dhe çështjet që ngrihen gjithë kohën, me doemos e shtyjnë BE-në që ta rimendojë strategjinë e udhëheqjes së dialogut”, tha Nikaj.

    Krahas konstatimit se ka kohë që BE-së i është sosur durimi nga temat që prodhuan kriza, Fitim Mulolli nga Polcon, në kontekst të rolit shtesë përmendi kushtëzimet dhe ashpërsimin e ndëshkimeve.

    “Ka nis një iniciativë të futet në kapitullin 35, që do të bëhet obliguese për zbatim si pjesë e procesit të anëtarësimit. pra, nëse kjo nuk zbatohet, ngec edhe procesi i anëtarësimit në BE. Çka do të thotë kjo? Politikisht do të thotë nuk ka progres, ekonomikisht nuk japin fonde, nuk ka mbështetje e kështu me radhë. Çka mund të bëjë BE-ja tjetër, janë masat më ekstreme, mos me marrë më masa por me vendosë sanksione”, tha Mulolli.

    Teksa tha se BE-ja, me ndihmën e SHBA-së, ka mundësinë e fundit që para zgjedhjeve të adoptojë një strategji të re, Nikaj përmendi mungesën e konsensusit në union.

    “Sepse ka shtete në kuadër të BE-së të cilët janë duke e penguar edhe përfshirjen e obligimeve të dialogun në kapitullin 35, posaçërisht për Serbinë. Prandaj, pyetja a duhet të rimendohet dialogu e ka një përgjigje të thjeshtë: po. Sepse, ky dialog kështu është klinikisht i vdekur, dhe nëse nuk rimendohet rrezikon të acarojë situatën mes Kosovës dhe Serbisë, dhe potencialisht të çojë edhe deri në një konflikt”, tha Nikaj.

    Përkundër ftesës në adresë dhe nivel politik në takimin e fundit në Bruksel, Kosova u përfaqësua në nivel krejt teknik, me guvernatorin e BQK-së.
    Krahas ritheksimit së shqetësimeve lidhur me situatën me dinarin, SHBA-ja përsëriti thirrjen për zgjidhje përmes dialogut.

  • Protestë kundër kthimit në rigjykim të lëndës për vrasjen e Marigona Osmanit

    Protestë kundër kthimit në rigjykim të lëndës për vrasjen e Marigona Osmanit

    Përgatiti: Sara Shehu

    Me pankarta, “Poshtë gjykatat patriarkale”, “Femicidin ta ndëshkojmë, jo ta rigjykojmë”, “Siguri dhe drejtësi për gratë”, është protestuar të mërkurën.

    Organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, para Pallatit të Drejtësisë, mblodhi dhjetëra gra të cilat kundërshtuan vendimin e Gjykatës së Apelit për ta kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

    Njëra prej organizatoreve të protestës, Bjeshkë Guri, tha se ky vendim po e revolton gjininë femërore.

    “Jemi mbledhur sot këtu, pranë Gjykatës së Apelit për t’i kundërshtuar edhe njëherë praktikat e sistemit të drejtësisë në Kosovë, i cili shtet duke na vërtetur çdo herë e më shume se nuk funksionon për gratë, duke ua pamundësuar atyre çfarëdo lloj drejtësie. Vendimi i Gjykatës se Apelit që ta dërgojë në rigjykim lëndën e vrasjes së Marigona Osmanit na revolton tejmase, meqë përtej këtij rasti reflekton një praktikë të shpeshtë në rastet e dhunës ndaj grave dhe femicidit, e cila e kthen rastin në pikën zero, duke krijuar pasiguri për gratë në Kosovë dhe rrezikuar që Marigonës t’i bëhet padrejtësi edhe për së vdekuri”, tha Bjeshkë Guri nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

    Sipas saj, shqetësues mbetet fakti se Gjykata e Apelit nuk e adresoi qasjen problematike të Gjykatës Themelore lidhur me trajtimin dhe vlerësimin e dhunimit si vepër penale.

    “Përfshirja e motivit të vrasjes, e cila po ashtu është problematike në vetvete nuk e përjashton se vrasja është kryer në mënyrë mizore. Një sugjerim i tillë e rivendos theksin te motivet e vrasjes dhe jo akti për çka për ne është e papranueshme. Është shqetësuese se si Gjykata e Apelit asnjëherë nuk e adreson qasjen problematike të Gjykatës Themelore në trajtimin dhe vlerësimin e dhunimit si vepër penale. Dhunimi seksual është detyrimi në kryerjen e aktit seksual pa dhënien e pëlqimit. Mirëpo, Gjykata Themelore nuk e ka të qartë se çka do të thotë kjo dhe gabimisht nxjerr konkluzione, duke u mbështetur vetëm në provat e lëndimit fizik gjenital. Prezenca e lëndimeve fizike nuk është vendimtare për përcaktimin e dhunimit”, tha Guri.

    Më 23 shkurt, Gjykata e Apelit vendosi ta kthejë në rigjykim rastin e vrasjes së 18 vjeçares. Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt për vrasjen e Marigona Osmanit me burgim të përjetshëm, respektivisht 15 vjet burgim.

  • Sipas UNDP-së, varfëria është problemi kryesor me 28,6%, pasuar me papunësinë me 19,2%

    Sipas UNDP-së, varfëria është problemi kryesor me 28,6%, pasuar me papunësinë me 19,2%

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Varfëria dhe papunësia vazhdojnë të jenë ndër problemet më të mëdha që shqetësojnë kosovarët, sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë.

    Madje, sipas raportit më të ri të Pulsit Publik, varfëria tani është problemi kryesor, meqë deri në prillin e vitit të kaluar ishte papunësia.

    “Siç po e shihni në grafikë, varfëria është si problemi kryesor me 28,6%, pasuar me papunësinë me 19,2%. Çka mund të theksoj këtu është përqindja e të anketuarve që e kanë parë varfërinë si problemin kryesor, është ngritur me 7,5% në krahasim me prillin e vitit 2023, ku varfëria ka qenë problemi i dytë kryesor në Kosovë”, tha Alisa Hasani, menaxhere e projektit në UNDP.

    Këto gjetje janë shqetësuese për Nuno Queiros, përfaqësuesin e përhershëm të UNDP-së për Kosovë.

    “Nëse jeni të brengosur për varfërinë e mbi të edhe për papunësinë, atëherë keni një problem që do të ketë ndikim negativ të dyfishtë për të ardhmen”, tha Queiros.

    Teksa përqindjet i konsideroi të larta, ish-kryetari i Odës Ekonomike, fajësoi Qeverinë për, siç tha, politikat sociale të gabuara.

    “Nuk kemi pa strategji për të parandaluar efektin negativ të inflacionit. Pika tjetër ka bëjë me varfërinë që dita-ditës po shtohet dhe krejt kjo dëshmon se politikat qeveritare që me ndihma sociale të ndalohet varfëria, janë të gabuara”, tha ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

    Megjithatë, të dhënat e anketës të nëntorit të vitit 2023 tregojnë se mesatarisht 42% e qytetarëve janë të kënaqur me punën e institucioneve qendrore.

    “Unë besoj që zhgënjimi i qytetarëve në të kaluarën ka qenë shumë i madh që kjo që bëhet sot nga ana e Qeverisë aktuale, u duket mirë. Mirëpo e tërë kjo e dëshmon një verbëri dhe një fanatizëm politik që vërtet duhet të na shqetësojë”, tha Gërxhaliu.

    Mes tjerash, thuhet se është vërejtur ndryshim sa i përket perceptimit të korrupsionit në shkallë të gjerë, te Policia e Kosovës, nga 7,3% në 17,9%.

    Institucioni më i korruptuar është perceptuar të jetë Dogana, me 39% të të anketuarve që besojnë se ka prani të korrupsionit në shkallë të gjerë.
    Këto gjetje janë përpiluar pas anketimit të 1.306 respondentëve, mbi moshën 18-vjeçare, në periudhën 8-27 nëntor të vitit 2023.

  • Çfarë është Glokalizimi – sfidat dhe përfitimet

    Çfarë është Glokalizimi – sfidat dhe përfitimet

    Nga Adrian Civici

    Glokalizimi është një kombinim i fjalëve “globalizim” dhe “lokalizimi”. Termi përdoret për të përshkruar një produkt ose shërbim që zhvillohet dhe shpërndahet globalisht, por që është përshtatur për të akomoduar përdoruesin ose konsumatorin në një treg lokal. Glokalizimi është përshtatja e produkteve globale dhe ndërkombëtare në kontekstet lokale në të cilat ato përdoren dhe shiten. Ndërsa globalizimi është përhapja e produkteve, ideve dhe kapitalit përtej kufijve kombëtarë, një nga kritikat më të forta ndaj globalizimit është se ai mund të rezultojë në homogjenizimin e kulturave dhe konsumatorëve në mbarë botën. Pikërisht këtu shfaqet glokalizimi, i cili i kushton vëmendje praktikave, zakoneve dhe kulturës lokale për të pasur produkte që t’i përshtaten më mirë kulturës, dëshirave dhe nevojave rajonale. Në lidhje me një produkt ose shërbim të caktuar, glokalizimi nënkupton përshtatjen e produkteve dhe shërbimeve të tregtuara globalisht në tregjet lokale.

    Një produkt ose shërbim me natyrë e shtrirje globale, diçka që gjithkush ka nevojë ose e preferon me përparësi dhe mund e dëshiron ta përdorë, mund të përshtatet në përputhje me kulturën, ligjet, zakonet ose preferencat e konsumatorëve vendas. Produktet e “glokalizuara” janë me interes më të madh për përdoruesin përfundimtar, personin që përfundon duke përdorur produktin. Kjo ndodh sepse, ndërsa është diçka që të gjithë mund ta përdorin dhe e përdorin si produkt global, lokalizimi i tij e bën atë më specifik për një individ, kontekstin dhe nevojat e tij.

    Një shembull i zakonshëm i ofruar shpesh për të ilustruar glokalizimin është zinxhiri global i ushqimit të shpejtë që ofron artikuj gjeografikisht specifikë të menusë që plotësojnë shijet lokale. McDonald’s është një rrjet kryesor në mbarë botën për ushqimin e shpejtë, i cili ofrohet në më shumë se 120 vende. McDonald’s dallohet për aplikimin e një strategjie të mirë glokalizimi. Si një ndërmarrje globale, ajo ka zhvilluar strategji të ndryshme standarde dhe në këtë aspekt, përvoja lokale në kuadrin e glokalizimit është evidente. P.sh., : rasti indian – meqenëse indianët hindu nuk hanë mish viçi dhe myslimanët nuk hanë mish derri, McDonald’s e ndryshoi hamburgerin e Big Mac-it në versionin me pulë. Meqenëse shumë indianë janë vegjetarianë, u ofruan dhe disa zgjedhje të adhuruesve të perimeve, për shembull, McAloo Tikki ose Chili Paneer Pockets të cilat bëhen vetëm me djathë dhe perime; rasti gjerman – sigurimi i burgerëve gjermanë për hotdog dhe birrës gjermane që plotëson zakonet lokale të të ngrënit; rasti i Tajvanit – orizi është ushqimi kryesor tajvanez, kështu që McDonald’s zëvendëson bukën me oriz për të bërë burgerin Mcrice; rasti grek – pita është një lloj ushqimi i zakonshëm në jetën e përditshme greke, kështu që McDonald’s bëri Mac në stilin grek duke përdorur pita.

    Historia dhe aplikimet e konceptit “Glokalizim”

    Fillimisht, termi vjen nga koncepti japonez Dochakuka – teknika për kultivimin e tokës që përshtatet me kushtet lokale – më pas, në vitet 1980, u rishfaq në ndërtimin e modeleve të marketingut përpara se të prezantohej në vitet 1980-1990 në fjalorin enciklopedik britanik nga sociologu Roland Robertson, i Universitetit të Aberdeen, Skoci, që e përdori termin “glocalizim” për të karakterizuar efektin e teknologjive të informacionit në planifikimin e territorit. Ai e përkufizon atë që mund të jetë një fazë e re e evolucionit urban si: “procesi i dyfishtë me të cilin qyteti çlirohet nga funksioni i tij i prodhimit, shkëmbimit dhe përpunimit të informacionit duke e zhvendosur atë në hapësirën kibernetike, duke zhvilluar, rrjedhimisht, forma të reja të shoqërisë të cilësuara si organizatat hapësinore në nivel lokal”. Në një konferencë të vitit 1997 : “Globalizimi dhe kultura indigjene”, sociologu Roland Robertson deklaroi se glokalizimi “do të thotë njëkohshmëri e bashkëprezencë e tendencave universalizuese dhe lokale”… “si një proces që ndërthur shqetësimet lokale me forcat globale, ose si një përshtatje dhe interpretim lokal të forcave të globalizmit”. Koncepti glokalizim, që atëherë është përdorur në fushat e gjeografisë, sociologjisë, antropologjisë, muzikës, biznesit, marketingut, ekonomisë, etj.

    Sot, profesionistët e përdorin këtë term për të përshkruar dhe shpjeguar organizimin e komunitetit, edukimin dhe strategjinë e biznesit. “Glokalizimi” është një term që fjalë për fjalë nënkupton kombinimin e konsideratave globale dhe lokale. Paradoksi midis partikularizmit dhe universalizmit. Një mentalitet glokalizimi mund të shtyjë një kompani të “mendojë globalisht dhe të veprojë në nivel lokal” në mënyra që shkojnë përtej drejtësisë sociale ose ndikimit mjedisor. Glokalizimi frymëzon ndryshim në çdo fazë të ciklit jetësor të biznesit. Nga konceptimi i produktit te zhvillimi, zbatimi dhe vlerësimi, mentaliteti global na thërret të refuzojmë paradigmën standarde “një madhësi për të gjithë” të globalizimit.

    Glokalizimi versus Globalizimi

    Glokalizimi beson se themeli i shoqërisë në çdo epokë ka qenë dhe është bashkësia lokale, që nga ndërveprimi i individëve, të organizuar në grupe gjithnjë e më të mëdha, të pranishëm në një territor. Organizimi i këtyre grupeve sigurisht që përbën një grup “sistemesh” të cilat bëhen “nënsisteme” kur lidhen me organizata më komplekse. Për shembull, familja është një nënsistem i sistemit të lagjes, por lagjja është një nënsistem i sistemit të qytetit e kështu me radhë. Glokalizimi e fillon analizën e tij nga sistemet e thjeshta për të arritur tek ato më komplekset, ndërsa globalizimi duket se favorizon sistemet komplekse, shumë shpesh duke injoruar implikimet e nënsistemeve. Glokalizimi vendos në qendër të “filozofisë” së tij individin, personin njerëzor, trashëgiminë materiale dhe jomateriale lokale të personit dhe grupit të cilit i përkasin. “Ai nuk e injoron dialektikën që rrjedh nga takimi-përplasja e grupeve të ndryshme brenda logjikës sistem-nënsistem, por nuk e humb kurrë nga syri mikron në marrëdhënien e saj me makron”.

    Ai i jep rëndësi tregut të lirë, por beson se ai nuk mund të konsiderohet kurrë një “primum” pasi tregu është vetëm një nga funksionet e shumta të shoqërisë njerëzore. Glokalizimi i jep rëndësi komunikimit ndërmjet individëve dhe grupeve të përcaktuara në hapësirë ​​dhe kohë dhe sesi teknologjitë e reja kanë favorizuar një përshpejtim në proceset e transformimit. Glokalizimi e sheh të nevojshme t’i nënshtrohet një analize serioze përmbajtjes së komunikimit, e cila, e ndërmjetësuar nga teknologjitë e reja, mund të vuajë nga shtrembërime, sipërfaqësore, ose banalitete të formave të ndryshme.

    Një gabim i shpeshtë është “të besosh se glokalizimi e vë theksin mbi të gjitha në lokalen dhe globalizimin në atë globale. Glokalizimi nuk e injoron praninë e forcave globalizuese, të cilat vërtet shqyrtojnë gjenezën dhe implikimet e tyre, por janë të ngulitura fort në teorinë e përgjithshme të sistemeve dhe në ndërveprimin e ngushtë midis gjeopolitikës, gjeoekonomisë dhe gjeokulturës”.

    “Mendo global, vepro lokal”, sintezë midis të menduarit global, i cili merr parasysh dinamikën planetare të ndërlidhjes midis popujve, kulturave dhe tregjeve të tyre, dhe veprimit lokal, i cili merr parasysh veçoritë dhe veçoritë historike të zonës në të cilën ju duan të operojnë. I zhveshur nga kuptimet në lidhje me imperializmin kulturor dhe shfrytëzimin global nga disa shumëkombëshe, globalizimi tenton një përpjekje të arsyetuar për të ruajtur identitetet individuale brenda një sistemi kompleks, pa dëmtuar individualitetin dhe të drejtën për të ekzistuar të identiteteve të tjera brenda atij sistemi.

    Më saktësisht, në sektorin e shitjeve dhe marketingut, “glokalizim” nënkupton respektimin e produktit vendor dhe karakteristikave të tij kur kemi të bëjmë me tregun global, si dhe respektimin e nevojave lokale nga produkti global; në rastin e parë, globalizimi çon në mënyrë të pashmangshme në pikat e tregut të vendosura në tregun global, në të dytin në tregjet lokale që produktet globale nuk mund të arrinin pa përshtatje.

    Glokalizimi zakonisht lidhet me një model biznesi që synon besnikërinë e klientit. Produkti kuptohet në një kuptim të gjerë, duke përfshirë ndihmën pas shitjes dhe shërbimet e mirëmbajtjes: këto kontrata garantojnë një fitim të qëndrueshëm për prodhuesin dhe ndonjëherë përbëjnë pjesën më fitimprurëse. Reduktimi i distancave midis vendeve rezulton në mënyrë paradoksale në një forcimin e specifikave lokale. Një diversitet që luan në mënyra e afrimit me konsumatorët. Rezultati, “një produkt apo një fushatë e krijuar në Nju Jork nuk mund të ketë me ndikim të barabartë në Dubai”. Një fenomen i mirëkuptuar nga Nike, kampione për dekada të “Just do it” amerikane (pra domosdoshmërisht universale) dhe që modifikoi gradualisht marketingun e saj duke braktisur këtë slogan përfitojnë nga qasjet lokale. Interesi i madh i globalizimit është gama e pamasë e mundësive që tani janë të hapura për strukturat e vogla të cilat e gjejnë veten pothuajse në kushte të barabarta me ato të mëdhatë, dhe ndonjëherë me asete superiore si reaktiviteti, shpejtësia e vendimmarrjes, lehtësia e përshtatjes, aftësia. për të zbuluar mundësitë.

  • “Nuk ka pjesë të Marigonës që nuk është e thyer” – Gazetarja që ndoqi rastin në Gjykatë tregon për mizorinë që përjetoi 18-vjeçarja

    “Nuk ka pjesë të Marigonës që nuk është e thyer” – Gazetarja që ndoqi rastin në Gjykatë tregon për mizorinë që përjetoi 18-vjeçarja

    Të premten, Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, derisa reagimet ndaj këtij vendimi kanë qenë të menjëhershme.

    Ndërkohë, për të diskutuar lidhur me këtë çështje, e ftuar në emisionin “A LIVE”, ishte gazetarja e ATV-së, Krenare Mulliqi e cila përcolli gjithë procesin gjyqësor.

    Duke iu referuar aktakuzës së ngritur nga Gjykata Themelore në Ferizaj në lidhje me këtë rast, Mulliqi tha se Marigona Osmani ishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme, duke mos mbetur asnjë pjesë e trupit të saj, pa u dëmtuar.

    “Në bazë të aktakuzës të ngritur nga Gjykata thuhet se nuk ka pjesë të Marigonës që nuk është thyer apo dëmtuar. Ka pasur thyerje të nofullës, duarve, brinjëve, dëmtime në kokë, andaj edhe konsiderohet si një nga rastet më mizore të vrasjeve në Kosovë, pasi që ajo ka vdekur nga dhimbjet e shkaktuara nga dhuna e përdoruar sepse është maltretuar për më shumë se 72 orë. Madje në aktakuzë thuhet se janë gjetur shishet të ujit në tavolinë, të cilat Krivaça i ka përdorur, duke ia hedhur ujin Marigonës që ajo të këndellet dhe ti ndjej dhimbjet më shumë”, tha Mulliqi.

    Ndryshe, në gusht të vitit të shkuar, Krivaça ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Osmanit, ndërsa Sejdiu me 15 vjet për ndihmë në vrasjen e rëndë.

    Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, një ditë më herët Krivaqa dyshohet se aty, pa pëlqimin e Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

    Një ditë më pas, ata akuzohen se e kishin privuar atë nga jeta, në përpjekje për ta fshehur veprën penale të dhunimit./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Presidentja Osmani pritet në Tiranë nga Rama e Zelensky

    Presidentja Osmani pritet në Tiranë nga Rama e Zelensky

    Liderët e shteteve të Evropës Juglindore kanë filluar të mbërrijnë në Samitin Ukrainë – Europa Juglindore”, që po mbahet në Tiranë të Shqipërisë.

    Fillimisht kanë mbërritur dy nikoqirët e samitit, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të cilët po mirëpresin homologët e tyre.

    E para që arriti ishte presidentja e Moldavisë, e pasuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Osmani, iu përgjigj pyetjeve, nëse do të kërkojë që Ukraina të njohë Kosovën.

    “Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë, do ta vazhdojmë ta bëjmë, por me mirëkuptimin e plotë për situatën ku është Ukraina. Jam e bindur se ai moment do të vijë, bashkë me fitoren e Ukrainës”, theksoi ajo.

  • DASh: Bisedimet për rregulloren e BQK-së të vazhdojnë me urgjencë

    DASh: Bisedimet për rregulloren e BQK-së të vazhdojnë me urgjencë

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASh) tha se bisedimet në Bruksel për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, “duhet të vazhdojnë me urgjencë”.

    “Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha një zëdhënës i DASh-it, pasi u pyet nga Radio Evropa e Lirë për të komentuar bisedimet që u zhvilluan të martën për çështjen e rregullores.

    Ndërmjetësuesi i tyre, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se shumë pikëpyetje politike për çështjen e dinarit serb në Kosovë, mbetën pa përgjigje, andaj “duhen takime shtesë”.

    Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, i cili udhëhoqi delegacionin e Kosovës, tha se nuk u diskutua për rregulloren, porse për mundësitë që i ofron ajo për transferimin e mjeteve nga shtetet e tjera në Kosovë.

    Delegacionin e Serbisë e udhëhoqi kryenegociatori Petar Petkoviq, i cili tha se rregullorja e BQK-së kërkon zgjidhje në nivel politik.

    Bisedimet pasuan fuqizimin e kësaj rregulloreje, e cila e përcakton euron si valutën e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.

    Por, rregullorja nxiti reagime të zemëruara të Beogradit zyrtar, i cili mbështet financiarisht komunitetin serb në Kosovë.

    Bashkësia ndërkombëtare shprehu, po ashtu, shqetësime për ndikimin e saj në jetën e qytetarëve serbë dhe kërkoi pezullimin e saj.

    Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se vendimi për dinarin i ka vënë në pikëpyetje marrëdhëniet Kosovë-SHBA.

    “Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta në shprehjen e shqetësimeve për rregulloren e re”, tha zëdhënësi i DASH-it për REL-in.

    Ai tha se përsërit thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që t’i ulin tensionet dhe të angazhohen “seriozisht dhe urgjentisht”, në përpjekje “për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këmbëngul se vendimi i BQK-së nuk mund të anulohet. Sipas tij, rregullorja nuk i ndalon pagesat nga buxheti i Serbisë, por se ato duhet të bëhen në euro.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se qëllim i Kurtit është “spastrimi etnik i popullit serb nga Kosova”./REL/

  • Rama pret në takim presidentin Zelensky

    Rama pret në takim presidentin Zelensky

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur në takim presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Rama dhe Zelensky do të kenë takim fillimisht kokë më kokë dhe më pastaj do të takohen dy delegacionet shtetërore.

    Zelensky po qëndron sot në Tiranë, ku pritet të mbahet Samiti “Ukrainë – Europa Juglindore”, në të cilin pjesëmarrëse është edhe presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky për herë të parë po viziton Shqipërinë.

    Ai ka mbërritur në tokën shqiptare mbrëmë, ku është pritur nga ministri Igli Hasani dhe ambasadori i Ukrainës në Tiranë, ndërsa sot merr pjesë në samitin për Ukrainën.

     

     

  • ​Samiti “Ukrainë – Europa Juglindore” sot në Tiranë

    ​Samiti “Ukrainë – Europa Juglindore” sot në Tiranë

    Shqipëria mikpret sot Samitin “Ukrainë-Europa Juglindore”. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, njëherësh bashkëorganizator i Samitit, së bashku me kryeministrin Edi Rama, viziton për herë të parë Tiranën për të marrë pjesë në punimet e Samitit dhe në ngjarje të tjera të rëndësishme.

    Në samit do të jenë të pranishëm Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, Presidentja e Moldavisë Maia Sandu, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Borjana Kristo, Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.

    AGJENDA:

    E mërkurë, 28 shkurt

    09.00 – Presidenti Zelenskyy do të mikpritet nga Kryeministri Rama, në Kryeministri.

    Mediat do të kenë akses në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Këshillit të Ministrave.

    09.05 – Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Presidentin e Ukrainës Zelenskyy.

    9.30 – Takimi bilateral mes dy delegacioneve.

    Pamjet dhe fotot e takimeve do të shpërndahen për median në kanalet zyrtare të komunikimit dhe platformat e tjera sociale.

    10.10 – Firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës

    Transmetim i drejtpërdrejtë në kanalet zyrtare të komunikimit dhe në platformat sociale

    11.00 – Doorstep dhe mbërritja e liderëve ( Pallati i Kongreseve)

    Akses të gjithë mediat, përpara Pallatit të Kongreseve

    11.30-Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë fjalët hapëse të Sesionit.

    Transmetim i drejtpërdrejtë në kanalet zyrtare të komunikimit dhe në platformat sociale

    13:00 – Foto Familjare

    Të gjitha mediat

    13.30 – Kryeministri Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë një Konferencë të përbashkët për shtyp.

  • Stano: S’ka përmbushje të rrugëtimit drejtë BE-së për Kosovën dhe Serbinë, nëse nuk e zbatojnë marrëveshjen

    Stano: S’ka përmbushje të rrugëtimit drejtë BE-së për Kosovën dhe Serbinë, nëse nuk e zbatojnë marrëveshjen

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, i tha ATV-së se marrëveshja e Brukselit, një vit më parë mes Kosovës dhe Serbisë është marrëveshje historike që e vendosë dialogun në një trajektore të qartë largpamëse.

    Mirëpo, ai thotë se një vit më vonë, nuk ka progres në zbatimin e saj.

    “BE-ja shpreh keqardhje për përparim të kufizuar në zbatimin e Marrëveshjes, i cili mund t’u atribuohet të dyja palëve”, tha Stano për ATV-në, duke shtuar se Kosova dhe Serbia nuk mund të përparojnë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nëse nuk bëjnë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera, të arritura në kuadër të dialogut.

    Ai tregoi se Komiteti i Përbashkët i Monitorimit tashmë është krijuar, i cili ende nuk është takuar për shkak të mungesës së kushteve të referencës.

    “BE-ja monitoron nga afër nivelin e zbatimit dhe do të njoftojë shtetet anëtare në raportimin e saj për Kapitullin 35 për Serbinë dhe Grupin Special për Normalizim për Kosovën”, i tha Stano ATV-së.