ATV

Tag: Ballina

  • Parlamenti Evropian: Të hiqet vetoja në procesin e zgjerimit

    Parlamenti Evropian: Të hiqet vetoja në procesin e zgjerimit

    Parlamenti Evropian ka miratuar të enjten një rezolutë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), përmes së cilës kërkoi që ky proces të bëhet më efikas, përfshirë duke e hequr përdorimin e vetos për vendet anëtare.

    Rezoluta kërkon gjithashtu që BE-ja ta ketë një buxhet më efikas, në mënyrë që të jetë në gjendje ta përballojë zgjerimin me vende të reja anëtare.

    Rezoluta u mbështet nga 305 deputetë, ndërsa 157 deputetë votuan kundër dhe 71 abstenuan.

    Bashkimi Evropian, aktualisht, për secilin vendim në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë, ku hyn edhe procesi i zgjerimit, duhet të gjejë konsensus. Kjo ka bërë që shpesh vendimet të bllokohen nga ndonjë shtet anëtar përmes vetos, edhe kur të gjitha tjerat ishin në favor.

    Kjo është rezoluta e fundit për procesin e zgjerimit që miraton Parlamenti Evropian në këtë përbërje, pasi zgjedhjet e reja në bllok do të mbahen në qershor.

    Ky institucion i BE-së e ka mbështetur fuqishëm procesin e zgjerimit, ndërkaq me këtë rezolutë kërkon që BE-ja të reformohet para se të zgjerohet.

    Parlamenti Evropian mbështet edhe integrimin gradual të vendeve kandidate në tregun unik të BE-së përgjatë procesit të zgjerimit, edhe para se ato të bëhen anëtare formale të bllokut.

    “BE-ja ka nevojë për një vizion afatgjatë politik dhe për reforma institucionale dhe financiare për të siguruar kapacitete për absorbimin e anëtarëve të ri”, thuhet në tekstin e rezolutës të cilën e kanë miratuar deputetët e Parlamentit Evropian të enjten.

    Eurodeputetët kërkojnë që përgatitjet për zgjerim të zhvillohen paralelisht edhe në Bashkimin Evropian edhe në vendet kandidate. Ata kërkojnë po ashtu edhe mbrojtje më të fuqishme të vlerave demokratike të Bashkimit Evropian dhe sundimit të ligjit.

    Sa i përket reformave institucionale të Bashkimit Evropian, rezoluta kërkon që ato reforma ta lehtësojnë procesin e miratimit të vendimeve, të hiqet miratimi i vendimeve me konsensus dhe të ketë mekanizma më fleksibil. Ajo propozon që të përdoret votimi me shumicë të kualifikuar për të përmirësuar baraspeshën mes vendeve më të mëdha anëtare dhe atyre më të vogla.

    Parlamenti Evropian po ashtu kërkon që institucionet e BE-së të fillojnë ta adresojnë ndikimin që pranimi i vendeve të reja anëtare do të ketë në përbërjen e Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian.

    Ndonëse kërkojnë që BE-ja të vendosë qëllime konkrete për reformat e vendeve kandidate, ata janë kundër vendosjes së afateve kohore për anëtarësim të ndonjë vendi në BE. /REL

  • ​Varhelyi: Shqipëria është gati për t’i hapur negociatat për kapitullin e parë të BE-së

    ​Varhelyi: Shqipëria është gati për t’i hapur negociatat për kapitullin e parë të BE-së

    Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama në përfundim të samitit BE-Ballkani Perëndimor, tha se udhëheqësit e Këshillit Evropian kanë vendosur që të ndihmojnë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor me gjashtë miliardë euro. Sipas tij, përmes këtij fondi shtetet rajonale deri në vitin 2027 do të gëzojnë të njëjtin intensitet me shtetet e Bashkimit Evropian.

    Varhelyi theksoi se këto shtete duhet të fillojnë me rregullat e Bashkimit e Evropian që nga sot sepse deri në kohën e anëtarësimit ato duhet të jenë gati.

    “Evropa është shumë burokratike bëhet fjalë plane instrumente, masa por mendoj që këtë herë ne kemi mundësi që të tregojmë se cilat janë përfitimet e drejta ekonomike të një vendi që kur bëhet shtete anëtar dhe cilat janë edhe të mirat që sjell në shoqëri anëtarësimi në BE. Rajoni juaj mund të bëhet gati për anëtarësim në BE edhe më shpejt, ne nuk është që po negociojmë se si dhe kur pas anëtarësimit do të fillohen rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian, por të fillojnë këto rregulla që sot, në mënyrën që ne kur të arrijmë tek anëtarësimi kjo gjë që të jetë kryer tashmë dhe të mos flasim për këtë gjë sepse do të jetë realitet. Sigurisht që ne e kuptojmë që pjesëmarrja në tregun e përbashkët ka të bëjë me konkurrencën, dhe konkurrenca në tregun e përbashkët të BE-së është e fortë, konkurueshmëria e shteteve anëtare të BE krahasuar të Ballkani Perëndimor është shumë e madhe dhe do të ishte e padrejtë që ne t’u kërkojmë partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të marrin pjesë në tregun e përbashkët, ku ata kanë më pak mundësi për të konkurruar në krahasim me kompanitë tonë, dhe për këtë arsyeje ne po japim fonde shtesë për të ndihmuar të gjitha reformat të cilat janë të nevojshme dhe të domosdoshme të kryhen sepse shumica e këtyre kanë koston e tyre financiare, për biznese, për qeverinë dhe për shoqërinë. Udhëheqësit e Këshillit Evropian kanë vendosur pa asnjë ndryshim të këtij dokumenti që 6 miliardë euro duhet të ndihmojnë rajonin që me anën e kësaj mbështetje financiare, ju do të shikoni që kjo është sasia e fondeve që u jepet shteteve anëtarëve sipas fondeve strukturore dhe deri në vitin 2027 rajoni do të gëzojë të njëjtin nivel intensiteti. Kjo do të thotë që do të jetë shumë e vështirë ose pas vitit 2027 do të ishte e vështirë me vendet e rajonit nuk jemi gati për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian” tha Varhelyi.

    Tutje, Varhelyi shtoi se Shqipëria është gati për të nisur negociata për kapitullin e parë për Bashkimin Evropian dhe për këtë BE-ja do të ketë mundësinë që ta marrë parasysh.

    “Unë nuk mendoj se ka në Bruksel njerëz që nuk bien dakord për këto arritjet e Shqipërisë. Gjithashtu ne jemi të dakorduar në Bruksel për faktin që Shqipëria është gati për të hapur negociata për grup kapitullin e parë dhe Bashkimi Evropian do të duhet që të ketë mundësinë që të marrë këtë vendim. Ne po përpiqemi të ndihmojmë dhe shpresoj që në muajin në vijim do të kemi atë takimin ose konferencën tjetër në mënyrë të kalojmë te negociata e vërteta. Ne dëshirojmë të hapim negociatat për grup kapitullin e parë”, shtoi Varhelyi.

  • BE: Raporti i ODHIR-it konfirmon shqetësimet për parregullsi në zgjedhjet në Serbi

    BE: Raporti i ODHIR-it konfirmon shqetësimet për parregullsi në zgjedhjet në Serbi

    Bashkimi Evropian vlerëson se raporti përfundimtar i zyrës për demokraci, institucione dhe të drejta të njeriut së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për zgjedhjet në Serbi “konfirmon shqetësimet e BE-së” dhe kërkon që Serbia të adresojë raportet për parregullsi në zgjedhje në mënyrë transparente.

    Kështu tha përmes një postimi të bërë në emër të BE-së, zëdhënësi i këtij institucioni, Peter Stano.
    Ky ishte reagimi i parë i BE-së pas publikimit të raportit të ODHIR-it.

    ODHIR-i ka monitoruar zgjedhjet e mbajtura në Serbi vitin e kaluar, ndërsa vëzhgues në ato zgjedhje ka pasur edhe nga Parlamenti Evropian.

    Edhe deputetët e Parlamentit Evropian kishin raportuar një varg parregullsish në zgjedhjet parlamentare, lokale dhe kranimore dhe përmes një rezolute urgjente kishin kërkuar hetim ndërkombëtar për parregullsitë.

    “Raporti final i ODHIR-it për zgjedhjet në Serbi konfirmon shqetësimet e BE-së: procesi zgjedhor ka nevojë për përmirësime të dukshme dhe reformat ë mëtejme. Raportet për parregullsi duhet të hetohen në mënyrë transparente, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale”, tha Stano.

    “BE-ja mirëpret shprehjen e gatishmërisë së autoriteteve në Serbi për të punuar në zbatimin e rekomandimeve. Nuk ka kohë për të humbur në prag të zgjedhjeve të ardhshme në vend”, shtoi ai.

    Në raportin e ODIHR–it, të publikuar më 28 shkurt, u tha se në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë “ka dominuar pjesëmarrja vendimtare e presidentit [të Serbisë, Aleksandar Vuçiq], që së bashku me përparësitë sistematike të partisë së pushtet [Partisë Progresive Serbe], ka krijuar kushte jo të barabarta për pjesëmarrësit në procesin zgjedhor”.

    Aty po ashtu u tha se në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, mes tjerash, liritë themelore në përgjithësi janë respektuar, por në fushatën zgjedhore ka pasur një retorikë të ashpër, anshmëri në raportimet e mediave në shtetërore dhe keqpërdorim të resurseve publike. Raporti konstaton po ashtu se nuk janë përdorur në mënyrë të mjaftueshme mekanizmat për parandalimin e frikësimit dhe presionit ndaj votuesve./rel

  • ​Rama: Plani i rritjes, platformë kyçe për të përshpejtuar hyrjen tonë në BE

    ​Rama: Plani i rritjes, platformë kyçe për të përshpejtuar hyrjen tonë në BE

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka thënë se bashkëpunimi rajonal është kyç për integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

    Rama në konferencë për media, pas Samitit BE-Ballkan Perëndimor, tha se me Planin e Rritjes për rajonin nga Bashkimi Evropian, të gjitha nismat rajonale, siç është Ballkani i Hapur tashmë janë ekspozuara si gjepura.

    Ai nënvizoi se pavarësisht problemeve politike të vendeve të rajonit duhet bashkëpunim për zbatimin e këtij plani të BE-së.

    “Integrimi evropian shkon përmes integrimit rajonal. Kjo s’ka aspak diskutim. Plani i rritjes e vulos një gjë të tillë. Prandaj të gjitha gjërat që deri tani kemi dëgjuar si Ballkani i Hapur dhe të tjera janë tashmë të ekspozuara si gjepura, sepse tashmë kjo është rruga. Tashmë me planin e rritjes, sot patëm një deklaratë të përbashkët ku të gjitha gjashtë vendet kanë rënë dakord se kjo është diçka që duhet të bëjmë. Pra nuk ka rëndësi çfarë probleme politike kemi me njëri-tjetrin, ne duhet ta bëjmë këtë”, tha Rama.

    Sipas tij, Plani i Rritjes është një platformë e rëndësishme që do të përshpejtojë hyrjen e vendeve të Ballkanit në BE.

    “Plani i rritjes është një plarformë kyçe për të përshpejtuar hyrjen tonë më Bashkimin Evropian. Është një instrument që do të bëjë të prekshëm ketë proces për njerëzit… Na jep mundësinë që të kemi kushte dhe procese që janë krejt të njëjta me ato të shteteve anëtare. Këto gjëra kanë ndodhur kur vendet janë bërë vend anëtare, por tash po bëhem edhe ma qenë anëtare. Ana tjetër e planit të rritjes është financimi dhe buxheti me i madh për vendet tona. Prandaj jam i kënaqur që jam ardhur në këtë pikë”, theksoi ai.

    Krahas kësaj, Rama tha se edhe nga bashkëpunimi rajonal do të kursehen miliona euro, duke larguar pengesat burokratike./KP

  • Publikohet raporti i ri i “Freedom House”, Kosova mbetet vend “pjesërisht i lirë”

    Publikohet raporti i ri i “Freedom House”, Kosova mbetet vend “pjesërisht i lirë”

    Organizata “Freedom House”, me seli në Washington, ka publikuar raportin vjetor ku vlerëson se Shqipëria dhe Kosova mbesin vende “pjesërisht të lira”, pavarësisht përparimit në disa fusha për avancimin e të drejtave të njeriut dhe lirive të qytetarëve.

    Në indeksin e Lirisë Globale, Shqipëria vlerësohet me 68 pikë, duke shënuar përparim me një pikë në raport me vlerësimin e vitit të kaluar. Shqipëria po ashtu konsiderohet si vend në tranzicion me sistem hibrid të qeverisjes.

    Në raport, Kosova këtë vit vlerësohet me 60 pikë nga 100 pikë maksimale, pa ndryshime nga viti i kaluar. Në të kaluarën, organizata “Freedom House” e ka cilësuar Kosovën si vend në tranzicion me një sistem hibrid qeverisjeje.

    Ekspertja e organizatës “Freedom House” për Ballkanin, Alexandra Karppi, tha për Zërin e Amerikës se situata në Kosovë nuk mund të shkëputet nga dinamika e zhvillimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Vitet e fundit Kosova ka shënuar përparim, çka pasqyrohet tek rezultatet, sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive qytetare, proceseve më të dobishme politike, që u kanë mundësuar qytetarëve pjesëmarrje më të lirë, dhe shoqërisë civile veprimtari më aktive. Këto gjëra gjithsesi kanë shënuar përparim vitet e fundit”, deklaroi Karppi.

    Viti 2023, sipas saj, ishte i vështirë për Kosovën.

    “Kemi parë rritje të dhunës në komunat veriore, çka mund të vërë në mëdyshje shumë procese, dhe mund shkaktojë trysni ndaj qeverisë që të sigurohet se po ofron mbrojtje për të gjithë qytetarët e Kosovës”, theksoi Karppi. “Këto janë procese afatgjata. Kjo është një situatë e stërzgjatur sigurie.”

    Sipas saj, “megjithëse ekzistojnë shqetësimeve për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve, janë bërë përparime të mëdha në respektimin e të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave fetare.”

    “Kosova mbetet një nga vendet udhëheqëse në Ballkanin Perëndimor në disa nga shtyllat e rëndësishme dhe thelbësore të demokracisë.”

    Lidhur me Shqipërinë, Karppi theksoi si përmirësim procesin e vettingut, i cili, sipas saj, “ka filluar të shënojë përparim duke e detyruar Shqipërinë që ta mënjanojë korrupsionin në fushën e drejtësisë”.

    Sipas Karppi, kjo do të thotë se në Shqipëri gjykatat tani janë në pozitë më të mirë që t’u shërbejnë qytetarëve dhe janë më efikase.

    “Kjo do të thotë se në Shqipëri po përmirësohet dukshëm qasja e qytetarëve tek sistemi i drejtësisë dhe ky përparim duhet të vlerësohet”, shtoi ajo.

    Ekspertja Karppi thotë se mungesa e transparencës dhe qeverisja jofunksionale vazhdojnë të përbëjnë shqetësim në Shqipëri. Ajo përmendi mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, gjatë të cilave, sipas saj, “nuk është krijuar një mjedis për zgjedhje më të lira dhe më të drejta.”

    “Përgjithësisht Shqipëria ka përparuar këtë vit duke u dhënë mundësi qytetarëve që serish të marrin pjesë në proceset demokratike duke iu përmbajtur angazhimeve për reforma të marra para Bashkimit Evropian”.

    Raporti që vlerëson përparimin e 195 shteteve dhe 15 territoreve gjatë vitit 2023, bazuar tek vlerësimet në fushën e të drejtave politike dhe lirive qytetare, e cilësoi gjendjen e përgjithshme globale të të drejtave politike dhe lirive të njeriut si, “një situatë të përshkallëzuar gjerësisht”.

    Sipas organizatës “Freedom House”, të drejtat politike kanë shënuar rënie për të 18 vite me radhë. Rënie është shënuar në 52 shtete, ndërkohë që vetëm 21 vende kanë shënuar përmirësim gjatë vitit 2023. Aktualisht nga 195 vendet dhe territoret e vlerësuara, sipas raportit, shumica e popullsisë së botës, rreth 80 për qind, jeton në vende që klasifikohen si pjesërisht të lira apo jo të lira.

    Në veçanti, organizata nënvizoi se zgjedhjet e manipuluara, si ato në Ekuador, Kamboxhia Poloni, Turqi dhe vende të tjera, dhe konfliktet e armatosura, disa të nxitura nga regjimet autoritare, si në rastin e Azerbajxhanit ndaj Nagorno-Karabakut dhe Rusisë ndaj Ukrainës, apo lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, që ka shkaktuar viktima të shumta civile, kanë kontribuar tek regresi i përgjithshëm gjatë vitit 2023.

    Organizata “Freedom House” thekson se Serbia ka shënuar rënien më të madhe në Evropë. Ajo është vlerësuar me 57 pikë, duke rënë tre pikë në kategorinë e të drejtave politike dhe lirive qytetare nga viti i kaluar. Serbia është po ashtu në listën e shteteve që, sipas organizatës, shënuan rënien më të madhe të lirisë në dekadën e fundit, me 21 pikë.

    Sipas ekspertes Karppi, zgjedhjet e mbajtura në Serbi në fund të vitit 2023, të sfiduara nga partitë opozitare “ishin vetëm një nga arsyet e rënies.” Disa faktorë të tjerë, sipas zonjës Karppi, përfshijnë edhe mungesën e transparencës rreth prokurimit, projekteve në infrastrukturë dhe politikave të zhvillimit ekonomik, por edhe fushatat denigruese ndaj udhëheqësve opozitarë dhe kritikëve të regjimit të Beogradit.

    “Aktualisht ekziston frika e ndonjë lloj hakmarrjeje nëse kritikoni ashpër këtë qeveri. Pra, përgjithësisht, një pamje e përkeqësuar”, shtoi ajo. “Po shohim një hapësirë që sa vjen e ngushtohet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe po ashtu një zbehje të funksionimit të institucioneve demokratike”.

    Këtë vit, sipas raportit, rënien më të madhe e shënoi enklava e Nagorno-Karabakut, ku 120,000 banorë armenë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre nën trysninë ushtarake të Azerbajxhanit.

    “Shtrirja dhe shkalla e përshkallëzimit është e gjerë dhe prek një të pestën e popullsisë së botës”, thuhet në raportin e organizatës. “Pothuajse kudo, zbehja e të drejtave është shkaktuar nga sulmet ndaj pluralizmit, bashkëjetesës paqësore të individëve me ide të ndryshme politike, fetare apo identitete etnike”.

    Në krye të listës së organizatës “Freedom House” renditet Finlanda me 100 pikë, pasuar nga Zelanda e Re dhe Suedia me 99 pikë./ VOA

  • Deklarata e BE-së për vdekjen e Navalnyt nuk e merr mbështetjen e Serbisë

    Deklarata e BE-së për vdekjen e Navalnyt nuk e merr mbështetjen e Serbisë

    Serbia nuk e ka mbështetur deklaratën e përbashkët të Bashkimit Evropian lidhur me vdekjen e politikanit opozitar rus, Aleksei Navaly.

    Kështu raporton Radio Evropa e Lirë duke iu referuar burimeve diplomatike në Bruksel.

    Këtë deklaratë, në emër të BE-së e ka paraqitur përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

    Raportohet se vendet që nuk janë anëtare të BE-së kanë pasur afat deri më 28 shkurt që t’i bashkohen kësaj deklarate. Deri në atë datë, Serbia nuk është shprehur për këtë temë dhe kjo nënkupton që nuk e ka mbështetur të njëjtën. Me deklaratën e BE-së për vdekjen e Navalynt nuk është pajtuar as Turqia.

    Burimet në Bruksel konfirmuan se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor mbështetën deklaratën e bllokut evropian, përmes së cilës presidenti rus, Vladimir Putin, mbahet direkt përgjegjës për vdekjen e kritikut të Kremlinit.

    Serbia edhe në të kaluarën nuk ka përshtatur qëndrimet me politikën e jashtme të BE-së, sidomos me çështjet që kanë të bëjnë me Rusinë. Përkundër thirrjeve nga BE, që secili shtet kandidat i cili synon integrimin në bllok të përshtatet me deklaratat dhe qëndrimet e BE-së, Serbia ka vazhduar t’i injorojë këto thirrje.

    Serbia po ashtu nuk u është bashkuar sanksioneve të vendosura nga BE-ja ndaj Rusisë për shkak të luftës së paprovokuar ndaj Ukrainës.

    Ndryshe, Navalny, kritik i ashpër i Kremlinit, vdiq më herët gjatë këtij muaji në një burg në Arktik, ku po vuante një dënim të gjatë nën akuza për ekstremizëm.

    Familja e tij, bashkëpunëtorët dhe shumë qeveri perëndimore e kanë fajësuar drejtpërdrejt Putinin për vdekjen e Navalnyt.

  • Liderët ballkanikë mblidhen në Tiranë për planin e rritjes ekonomike

    Liderët ballkanikë mblidhen në Tiranë për planin e rritjes ekonomike

    Në Tiranë të Shqipërisë, udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe komisionari evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, marrin pjesë në samitin rajonal mbi planin e rritjes ekonomike të Bashkimit Evropian për rajonin.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha përmes një postimi në Facebook se ky plan do të mundësojë një “mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit tonë”. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan për periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “për shkak të angazhimeve të mëparshme”, nuk do të jetë i pranishëm fizikisht në samitin e 29 shkurtit, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

    “Megjithatë, Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një video-adresimi”, tha Kryeziu.

    Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

    Një samit i ngjashëm për këtë plan u mbajt më 22 janar në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

    Çka është plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?

    Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, më 8 nëntor të vitit 2023, është i bazuar në katër shtylla.

    Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”.

    Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.

    Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”.

    Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.

    Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.

    Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.

    Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.

    Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”. /rel

  • Sot në Kuvend rezoluta për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore

    Sot në Kuvend rezoluta për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore

    Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot në një seancë të jashtëzakonshme.

    Seanca pritet të fillojë në orën 10:00, derisa në rend dite të saj është shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore.

  • Sot mbahet Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes në Tiranë

    Sot mbahet Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes në Tiranë

    Të enjten në Tiranë mbahet Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    Ky samit mbahet një ditë pas atij Ukrainë-Evropa Juglindore në kryeqytetin shqiptar dhe do të ofrojë  mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

    Në samit do të jetë i pranishëm edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

    Arritja e liderëve në samit do të bëhet në Pallatin e Kongreseve nga ora 09:30. Fjalët hapëse mbahen nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe komisionari Oliver Varhelyi nga ora 09:45. Fotot familjare do të bëhen nga ora 10:45. Firmosja e marrëveshjes bëhet në orën 12:00, ndërsa konferenca për media nga ora 12:30.

    Ndryshe, Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende. Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore: Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian, rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, përshpejtimi i reformave themelore dhe rritja e ndihmës financiare.

    Bashkimi Evropian do të hapë zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij.

  • ASK është gati për procesin e regjistrimit të popullsisë, fillon më 5 prill

    ASK është gati për procesin e regjistrimit të popullsisë, fillon më 5 prill

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Agjencia e Statistikave e Kosovës është e bindur se regjistrimi i popullsisë nuk do të dështojë kësaj radhe. Pas disa përpjekjeve, procesi i regjistrimit do të fillojë më 5 prill, pasi siç njoftuan nga agjencia, tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet.

    “Janë përgatitur të gjitha instalimet e nevojshme aplikacioni për regjistrim. Të gjitha pajisjet janë bërë gati dhe jemi të gatshëm me fillu me procesin e regjistrimin, pra nuk do të ketë shtyrje”, tha Ylli Shala, menaxher i projektit.

    Për ta përmbyllur këtë proces, do të angazhohen gjithsej 3400 punonjës, prej tyre 2500, si regjistrues dhe 900 të tjerë si mbikëqyrës.

    “Janë disa persona, por ata ne i kemi kontaktuar dhe u kemi thënë se nëse nuk përzgjidheni të punoni si mbikëqyrës, a pranoni të punoni si regjistrues, disa prej tyre kanë pranuar e disa të tjerë jo”, tha Shala.

    Pa treguar për shumën që do të paguhen, menaxheri i projektit thotë se punëtorët e përzgjedhur do të angazhohen me kontratë 2-mujore. Një proces i tillë konsiderohet i domosdoshëm, meqë krijon pabarazi në ndarjet buxhetore për komunat, e rrjedhimisht lë edhe pasoja të tjera.

    “Kjo krijon probleme infrastrukturore, po ashtu edhe planifikimet në investime kapitale, në shërbime komunale. Megjithatë, jo vetëm pjesa infrastrukturore, por edhe buxhetimi i pagave për mësimdhënës bëhet në bazë të numrit të nxënësve që janë në atë komunë”, tha Fidan Qerimi, profesor i ekonomisë.

    Agjencia nuk tregoi se sa do të kushtojë i gjithë procesi, megjithatë si ndihmë për të, qeveria të martën ndau 120 mijë euro. Procesi i regjistrimit do të përmbyllet më 17 maj.