ATV

Tag: Ballina

  • Kuvendi e deputetja Demi Murtezi paditen për diskriminim ndaj komunitetit LGBTIQ

    Kuvendi e deputetja Demi Murtezi paditen për diskriminim ndaj komunitetit LGBTIQ

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Seanca e Kuvendit e datës 16 mars 2022, në të cilën u diskutua për Kodin Civil, u bë shkak që këtë të premte në Ditën Ndërkombëtare për Zero Diskriminim, pesë organizata joqeveritare të paraqesin padi kundër Kuvendit dhe deputetes Labinotë Demi – Murtezi.

    Veç padisë, organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dorëzuan edhe ankesë te Avokati i Popullit. Ndaj kritikave që padia u dorëzua vonë, arsyeja ishte grumbullimi i fakteve, derisa u paralajmërua se padia e ankesa nuk do të jenë të fundit.

    “Jemi në proces të mbledhjes së fakteve dhe kjo nuk do të jetë e fundit do të vazhdojmë edhe tutje. Normalisht nuk dëshirojmë të ngutemi pasi që duam të veprojmë në bazë të ligjit dhe Kushtetutës”, tha drejtori i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, Arbër Nuhiu.

    Në seancën e para gati 2 vjetëve për Projekt-kodin civil, nga 61 deputetë sa kanë votuar, 29 ishin kundër, 28 për dhe 4 abstenuan.

    Projekt-kodi Civil është kundërshtuar nga një pjesë e madhe e deputetëve, për shkak të nenit 1138, i cili lejon bashkësitë civile mes personave me gjini të njëjtë.

  • Skenderaj, qyteti në të cilin ndodhi Epopeja e UÇK-së është përjashtuar nga Këshilli Organizativ

    Skenderaj, qyteti në të cilin ndodhi Epopeja e UÇK-së është përjashtuar nga Këshilli Organizativ

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Për herë të parë, Komuna e Skenderajt nuk është përfshirë në Këshillin Organizativ të shënimit të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare, e cila shënohet më 5, 6 dhe 7 mars.

    Sipas vendimit të publikuar nga Qeveria, pjesë e këshillit do të jenë disa ministra dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta.

    E mospërfshirja e komunës në të cilën ishte zhvilluar ngjarja që i dha kthesë luftës, konsiderohet e padrejtë nga zyrtarët në Skenderaj.

    “Më e keqja ka qenë se ne e kemi marrë vesh lajmin krejt tash në prag të epopesë, madje edhe përfaqësuesin e kemi pas gati kur të na kishin ftuar, është hera e parë, shumë absurde në vendin ku veç shënohet kjo epope të mos përfshihemi”, tha zëdhënësi i Komunës së Skenderajt, Amir Lushtaku.

    Pavarësisht kësaj, Komuna e Skenderajt do t’i vazhdojë aktivitetet sipas agjendës së përcaktuar vetë.

    “Ne i kemi aktivitetet në nivel lokal, dhe pavarësisht kësaj do të vazhdojmë me aktivitetet e planifikuara nga ne komuna…”, tha Lushtaku.

    Por, sipas asamblistit të Vetëvendosjes, Hysni Mehani, ka arsye përse komuna nuk u përfshi në këshillin organizativ.

    “Ka mundësi që s’e kanë përfshirë Skenderajn për shkak se vitet paraprake nuk ka arritur fort rezultat apo ndonjë përfshirje, kontribut të kënaqshëm edhe pse ishte pjesë e këshillit”, tha Mehani.

    Sidoqoftë edhe njëra prej ftesave nuk dihet nëse ka shkuar në vendin e duhur, meqë siç është njoftuar organizatat e dala nga lufta nuk janë ftuar asnjëherë në Këshill.

    Manifestimi i Epopesë së UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars organizohet nga viti 2000.

  • Trupi i Navalnyt dërgohet te varri

    Trupi i Navalnyt dërgohet te varri

    Mijëra persona me lule në duar – të rrethuar nga forcat e sigurisë – janë mbledhur nëpër rrugët afër Kishës “Ikona e Nënës dhe Zotit” dhe varrezës Borisovskoye në Moskë, ku zhvillohet ceremonia e varrimit të kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny.

    Ceremonia në kishë ka përfunduar dhe trupi i tij tani është duke u dërguar te varri.

    Prindërit e Navalnyt, Anatoliy and Lyudmila, janë parë duke marrë pjesë në ceremoninë në kishë, por asnjëri nuk ka bërë ndonjë koment publik.

    Aleati i Navalnyt, Ivan Zhdanov, i ka inkurajuar njerëzit që të ecin në këmbë prej kishës deri te varri, që është rreth 30 minuta larg.

    Disa persona janë dëgjuar duke bërtitur jashtë kishës “ekzekutues”, “Rusia do të jetë e lirë”, “jo luftës”.

    Të tjerë kanë thënë duke qarë, “nuk do të të harrojmë”.

    Prindërit e Navalnyt.

    Ceremonia është mbajtur te kisha në qarkun Marjino, ku ka jetuar Navalny për një kohë, sipas ish-zëdhënëses së tij, Kira Yarmysh.

    Diplomatë të huaj, përfshirë ambasadorët e Shteteve të Bashkura, Gjermanisë, Francës kanë shkuar në kishë për të nderuar Navlanyn.

    Ata janë parë të veshur në të zeza dhe me trëndafila në duar.

    Diplomatët e huaj në Moskë.

    Në rrugën drejt kishës janë vendosur shumë gardhe metalike.

    Ka raportime që të paktën 40 makina të policisë janë parkuar afër kishës në mëngjesin e 1 marsit.

    Yarmysh ka thënë se për ata që nuk mund të marrin pjesë, ceremonia do të transmetohet drejtpërdrejt në YouTube.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka lëshuar një paralajmërim përmes gazetarëve se çdo organizim i paligjshëm do të konsiderohet shkelje e ligjit, një lloj kërcënimi që policia do të intervenonte shpejt nëse duhet të merret me turmat.

    Ai ka thënë se Kremlini nuk e konsideron Navalnyn si politikan dhe nuk ka asgjë për të thënë për familjen e Navalnyt.

    Vendi ku do të varroset Navalny.

    Qindra rusë janë arrestuar vetëm pse kanë dërguar lule nëpër qytet për të përkujtuar Navalnyn.

    Ivan Pavlov, avokat i njohur rus për të drejta të njeriut, i cili është larguar prej shtetit, ka thënë se autoritetet ruse do ta konsiderojnë funeralin si “organizim masiv i padëshirueshëm” dhe do të tentojnë të kufizojnë sa më shumë numrin e pjesëmarrësve.

    “Jam i sigurt që do të ketë kordone të policore dhe vëzhgim me video prej të gjitha anëve”, ka thënë ai.

    “Si masë parandaluese, ata do t’i marrin në pyetje aktivistët nëpër stacione policore, apo do t’i vizitojnë nëpër shtëpi për t’iu dhënë paralajmërime. E kemi parë tashmë këtë”.

    Në ceremonitë ortodokse, njerëzit zakonisht parakalojnë para trupit të të vdekurit, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, dhe më pas ceremonia udhëhiqet prej një prifti dhe më pas një kori.

    Ivan Zhdanov, ish-udhëheqës i Fondacionit të Navalnyt kundër Korrupsionit, ka thënë se ka thashetheme në media që vetëm familjarët do të mund të marrin pjesë në ceremoni.

    Trupi i Navalnyt i është dorëzuar nënës së tij, Lyudmila më 24 shkurt, më shumë se një javë pas vdekjes së tij prej “shkaqeve natyrore” në një burg në rajonin rus të Arktikut.

    Ai ka qenë 47-vjeçar.

    E veja e Navalnyt, Yulia, ka thënë thënë se presidenti rus, Vladimir Putin është përgjegjës për vdekje e burrit të saj.

    Edhe disa zyrtarë perëndimorë e kanë të njëjtin mendim.

    Ai ka qenë duke vuajtur një dënim me burgim prej 19 vjetësh për akuza që ai dhe mbështetësit e tij i kanë konsideruar të motivuara politikisht. /REL

  • Çfarë synoi Macron me idenë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë?

    Çfarë synoi Macron me idenë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë?

    Presidenti francez, Emmanuel Macron është parë i izoluar në skenën evropiane këtë javë, pasi ka thënë se mundësia e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë nuk duhet të përjashtohet, koment që ka nxitur reagime prej shumë liderëve tjerë.

    Zyrtarët francezë kanë tentuar më vonë të japin sqarime për deklaratën e Macronit, ndonëse kanë insistuar në nevojën e dërgimit të sinjaleve të qarta se Rusia nuk mund të fitojë në Ukrainë.

    Kremlini ka paralajmëruar që nëse NATO-ja dërgon forca luftarake, atëherë një konflikt mes aleancës dhe Rusisë do të jetë i pashmangshëm.

    Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se një veprim i tillë mund të rrezikojë një konflikt bërthamor global.

    Deklarimi i Macronit, reagimi i aleatëve

    Macron e ka përmendur mundësinë e angazhimit të ushtarëve perëndimorë për t’i ndihmuar Ukrainës, teksa ka folur në një konferencë për media, pas një takimi me 20 liderë shtetesh dhe zyrtarë tjerë të lartë në Paris.

    Macron ka thënë se nuk ekziston konsensus për t’i angazhuar trupat, mirëpo “sa i përket dinamikës, asgjë nuk mund të përjashtohet”.

    Nuk dihet se cili ka qenë sinjali i qartë që ka tentuar të dërgojë Macroni, mirëpo “nuk është thënë rastësisht”, ka thënë Phillips O’Brien, profesor i studimeve strategjike në Universitetin Shën Andrews në Skoci.

    “Mund të jetë pak paralajmërim” për Rusinë “që kjo mund të ndodhë, prandaj përgatituni”, ka thënë O’Brien.

    Macron ka qenë më i qartë kur ka folur për evoluimin e qëndrimeve të liderëve evropianë, prej nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

    “U rikujtoj që dy vjet më parë, shumë njerëz afër kësaj tavoline kanë thënë se do të ofrojnë helmeta dhe shtretër për fjetje. Sot jemi duke thënë se na duhet të punojmë më shumë dhe më shpejt për të siguruar raketa dhe tanke”.

    Pas këtyre deklaratave, zyrtarë prej Gjermanisë, Polonisë dhe shteteve tjera, që kanë marrë pjesë në takimet në Paris, kanë tentuar të distancohen prej komenteve të Macronit, duke thënë se nuk do të dërgojnë trupa në Ukrainë.

    Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka thënë agjencisë së lajmeve Associated Pres se “nuk ka plane për angazhim të trupave të NATO-s” në terren.

    Sqarimi francez

    Ministri francez i Mbrojtjes Sebastien Lecornu, ka thënë se diskutimet për mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë, kanë të bëjnë me mundësinë e dërgimit të njerëzve për të ndihmuar në procese të çminimit dhe operacioneve të trajnimit, larg prej vijës së frontit.

    Ai ka thënë se nuk ekziston ndonjë konsensus prej këtyre diskutimeve.

    Ministri i Jashtëm francez, Stephane Sejourne, ka thënë se ky lloj i prezencës ushtarake nuk do të “kapërcente pragun luftarak”.

    Një diplomat francez, që ka qenë në dijeni të bisedimeve në Paris, ka thënë se synimi ka qenë te “dërgimi i një sinjali të qartë për presidentin Putin që edhe diçka e tillë ekziston si mundësi dhe nuk mund të përjashtojë faktin që asnjë prej partnerëve të Ukrainës nuk do të përfshihet”.

    Ky diplomat ka folur vetëm në kushte anonime për këtë çështje.

    Ai ka thënë se Macron “nuk e ka hedhur poshtë këtë mundësi për një arsye, siç e kemi parë, ne po bëjmë shumë gjëra që i kemi përjashtuar dy vjet më parë”.

    Parisi ka thënë se bisedimet me shtetet aleate do të vazhdojnë në takimet e ministrave të Jashtëm dhe atyre të Mbrojtjes në ditët në vijim.

    Ndryshimi i qëndrimeve të Macronit ndaj Rusisë

    Pasi Rusia e ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë, Macroni e ka mbajtur një linjë të hapur të komunikimit me Putinin.

    Ai pati thënë në qershor të vitit 2022 se presidenti rus e ka bërë një “gabim historik”, mirëpo fuqitë botërore nuk duhet të “nënçmojnë Rusinë, pasi kur luftimet të përfundojnë, ne mund të krijojmë një rrugë të re përmes mundësive diplomatike”.

    Këto deklarata janë kritikuar, atëbotë, prej Ukrainës dhe shumë aleatëve të Francës.

    Macroni ka folur për herë të fundit me Putinin në shtator të vitit 2022, dhe qysh atëherë e ka pasur një qasje më të ashpër ndaj tij.

    Komentet e tij të hënën kanë pasur për qëllim të jenë ‘zile zgjimi’, ka thënë François Heisbourg, analist i mbrojtjes në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, me bazë në Londër.

    “Megjithatë, disa deklarata nuk janë pritur”, ka thënë Heisbourg.

    Rusia shihet si armike agresive

    Macron ka thënë se është i shqetësuar që Rusia është duke u bërë më e ashpër në muajt e fundit.

    Ai e ka përmendur vdekjen e liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, shtypjen e opozitës politike ruse, dhe ashpërsimin e luftimeve përgjatë vijës së frontit në Ukrainë.

    Qeveria e Francës ka gjetur së fundi se forcat ruse kanë kërcënuar me rrëzim të një aeroplani vëzhgues që ka patrulluar në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Zi.

    Më herët këtë muaj, Parisi e ka akuzuar Moskën edhe për përhapje të dezinformatave nëpër Evropë.

    Këto qëndrime për Rusinë në Evropë vijnë teksa rriten shqetësimet nëse do të miratohet në Kongres ndihma amerikane për Ukrainën.

    Zyrtarët evropianë janë të shqetësuar edhe për mundësinë e fitores së ish-presidentit amerikan Donald Trump, më vonë gjatë këtij viti, duke ndryshuar politikën amerikane për kontinentin e vjetër.

    “Siguria jonë evropiane është në rrezik”, ka thënë Macron.

    “A duhet t’ua delegojmë votuesve amerikanë të drejtën tonë? Përgjigja ime është jo, pavarësisht se çfarë votimi është”.

    Pa marrë parasysh se cilat kanë qenë mesazhet e Macronit, analistët kanë thënë se ai mund të ketë ngatërruar mënyrën e dërgimit të mesazhit.

    “Macroni dëshiron t’i dërgojë Rusisë mesazh të fuqisë. Mirëpo për të funksionuar, duhet të jetë mesazh kredibil”, ka thënë Jana Puglierin, udhëheqëse e Këshillit Evropian të Berlinit për Marrëdhënie me Jashtë, institut ndërkombëtar.

    “Ai e ka krijuar pa nevojë një potencial për ndasi brenda NATO-s”.

    “Kjo nuk është mënyra e duhur për të promovuar unitetin dhe forcën e Evropës”, ka thënë Puglierin në disa deklarata me shkrim. /REL

  • Osmani udhëton në Turqi, do të merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë

    Osmani udhëton në Turqi, do të merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë

    Me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Turqi, ku do të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë.

    Siç njofton presidenca, gjatë forumit, Osmani do të jetë folëse në panelin kryesor të liderëve, me temën e forumit të sivjetëm: “Avancimi i diplomacisë në kohë trazirash”.

    “Përgjatë punimeve të Forumit, Presidentja Osmani do të takohet edhe me homologë nga disa vende të botës, pjesëmarrës të forumit”, thuhet në njoftim.

    Forumi Diplomatik i Antalisë është takim i nivelit të lartë, në të cilin adresohen sfidat ndërkombëtare dhe në të cilin marrin pjesë liderë shtetesh, diplomatë dhe akademikë.

    Forumi i sivjetshëm do t’i zhvillojë punimet prej 1 deri më 3 mars.

  • ‘Atë që them, e mendoj mirë’, Macron nuk tërhiqet nga ideja për trupa të NATO-s në Ukrainë

    ‘Atë që them, e mendoj mirë’, Macron nuk tërhiqet nga ideja për trupa të NATO-s në Ukrainë

    Presidenti francez Emmanuel Macron tha të enjten se kundërshtimi i idesë së tij për të dërguar trupa ushtarake perëndimore në Ukrainë ishte i qëllimshëm.

    Macron la mënjanë kritikat me të cilat është përballur në Francë dhe në skenën ndërkombëtare dhe këmbënguli se deklaratat e tij mbi agresionin e presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës ishin menduar me kujdes.

    “Këto janë çështje mjaft serioze, çdo fjalë që them për këtë çështje është e peshuar mirë, e menduar dhe e matur”, u tha Macron gazetarëve në prag të një vizite të tij fshatin Olimpik.

    Të hënën, Macron tha se nuk kishte “asnjë konsensus” për dërgimin e trupave tokësore në Ukrainë në një “mënyrë zyrtare”, por se “asgjë nuk ishte e përjashtuar”. Perspektiva e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë u refuzua nga anëtarët e tjerë të NATO-s, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë./a2cnn/

  • Hovenier e bënë të qartë: SHBA ka qenë prej fillimi, është dhe do të jetë gjithmonë me popullin e Kosovës

    Hovenier e bënë të qartë: SHBA ka qenë prej fillimi, është dhe do të jetë gjithmonë me popullin e Kosovës

    Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, në bashkëbisedimin e tij me gazetarë, e ka bërë të qartë se SHBA-ja gjithmonë ka qenë me popullin e Kosovës, është aktualisht dhe se do të mbetet gjithmonë.

    “Unë dua të them diçka që kam thënë më parë, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara më shumë se kurrë ndaj popullit të Kosovës. Ne kemi qenë me popullin e Kosovës që nga fillimi, jemi me popullin e Kosovës tani. Dhe ne do të jemi me popullin e Kosovës. Tani jemi me ta, siç thashë, në kontekstin e vizionit tonë, të cilin besojmë se është i ndarë në Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e këtij vendi, të një shteti sovran, demokratik, multietnik në të cilin të gjithë qytetarët jetojnë në kushte paqeje dhe sigurie. Kështu mbetet. Dhe kështu, dhe ne nuk do të tërhiqemi nga ai angazhim apo partneritet ndaj njerëzve”, tha Hovenier.

    Ai tha se kjo nuk nënkupton që çdo qeveri mund të marrë përkrahjen amerikane për secilën zgjedhje që bën.

    “Siç e kam thënë edhe më parë, edhe pse kjo nuk do të thotë se çdo qeveri e Kosovës do të ketë mbështetje për zgjedhjet që ata bëjnë, në masën që zgjedhjet e tyre përputhen me atë vizion, ne do t’i mbështesim ato. Në masën që ne besojmë se këto zgjedhje i ulin ose i pengojnë ato objektiva, ne do të jemi kritikë.
    Specifikat se si do të ndodhë kjo dhe çfarë saktësisht do të bëjmë. Siç e kam thënë disa herë, nuk është koha për të hyrë në ato specifika, mund të flas vetëm për faktin se një partneritet i degraduar ka pasoja dhe implikime”, tha Hovenier. /atvlive.tv

  • Freedom House, Kosova vend “pjesërisht i lirë”

    Freedom House, Kosova vend “pjesërisht i lirë”

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Me 60 pikë nga 100 njësoj si vitin e kaluar, është vlerësuar Kosova nga organizata “Freedom House”.

    Kosova, sipas Freedom House, vlerësohet si vend “pjesërisht i lirë”, pavarësisht përparimit në disa fusha për avancimin e të drejtave të njeriut dhe lirive të qytetarëve.

    Ekspertja e organizatës “Freedom House” për Ballkanin, Alexandra Karppi, tha për Zërin e Amerikës se situata në Kosovë nuk mund të shkëputet nga dinamika e zhvillimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Vitet e fundit Kosova ka shënuar përparim, çka pasqyrohet te rezultatet, sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive qytetare, proceseve më të dobishme politike, që u kanë mundësuar qytetarëve pjesëmarrje më të lirë, dhe shoqërisë civile veprimtari më aktive. Këto gjëra gjithsesi kanë shënuar përparim në vitet e fundit”, deklaroi Karppi.

    Raporti, sipas të cilit, vlerësohet përparimi i 195 shteteve dhe 15 territoreve gjatë vitit 2023, bazuar në vlerësimet në fushën e të drejtave politike dhe lirive qytetare, e cilësoi gjendjen e përgjithshme globale të të drejtave politike dhe lirive të njeriut si “situatë të përshkallëzuar gjerësisht”.

    Në krye të listës së organizatës renditet Finlanda me 100 pikë, pasuar nga Zelanda e Re dhe Suedia me 99 pikë.

  • Në veri nis shpërndarja e faturave të rrymës

    Në veri nis shpërndarja e faturave të rrymës

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Në ditën e fundit të muajit, kompania Elektrosever ka nisur shpërndarjen e faturave të energjisë në 4 Komunat Veriore.

    Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut do të paguajnë nga 21.60 euro në formë paushalli, të llogaritur për shpenzim të energjisë, shkruan Evropa e Lirë.

    Fatura mban logon e kompanisë Elektrosever, që është në pronësi të kompanisë publike energjetike të Serbisë, Elektroprivreda Srbije.
    Fatura është printuar në të dyja gjuhët. Siç njoftoi Elektroseveri, përveç faturës përdoruesit do të pajisen me një kopje të kontratës për inspektim.

    “Me pagesën e një shume prej 21.60 eurosh, Marrëveshja e Furnizimit me kompaninë ‘Elektrosever’ do të konsiderohet e lidhur. Zyrtarët e Elektroseverit do t’ua sjellin qytetarëve për nënshkrim Marrëveshjet për furnizimin me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e Elektrosever-it.

    Pagesa në formë paushalli do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, deri në vendosjen e njehsorëve të rinj.

    Megjithatë, edhe vendosja e njehsorëve të financuar nga Bashkimi Evropian mund të marrë kohë disa muaj, meqë procesi është në fazën e tenderimit.
    Nga 1 Janari, përgjegjësia e plotë për energjinë elektrike në veri, i takon Elektroseverit.

    Në janar, Rregullatori i Energjisë i hoqi KOSTT-it përgjegjësinë për mbulimin e humbjeve në katër komunat në veri.

    Që nga përfundimi i luftës, dëmi buxhetor si pasojë e mos-pagesës së energjisë në këtë pjesë të vendit, llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro.

  • Opozita me kritika për gjendjen në shëndetësi, Vitia ua hedh përgjegjësinë qeverive të kaluara

    Opozita me kritika për gjendjen në shëndetësi, Vitia ua hedh përgjegjësinë qeverive të kaluara

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Si rrallë në rend dite, deputetët kishin vetëm një pikë, atë të shqyrtimit të propozim-rezolutës për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore.

    Por, si rëndom rezoluta e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e mori mbështetjen e pushtetit.

    “Ekspertë të cilët pastaj është parë që nuk dinë as për vete dhe janë paguar për t’i trajnuar ekspertët, për të shkuar për t’i trajnuar stafin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Fatkeqësisht kjo ka ndodhë që unë pajtohem komplet me konkluzat e juaja, staf i patrajnuar, por kur i kanë bërë qeveritë e papërgjegjshme këto, nuk kam fjalë”, tha Vitia.

    Për situatën në shëndetësi mospajtime gjatë debatit, ministri Arben Vitia pati me shumë deputetë të tjerë opozitarë.

    Replika Vitia pati edhe me paraardhësin e tij. Ata i përmendën keqmenaxhimet e dështimet e njëri-tjetrit.

    Ligji për sigurime shëndetësore ishte miratuar në Kuvend para një dekade, por nuk është zbatuar asnjëherë.