ATV

Tag: Ballina

  • Sonte “Nata e Zjarreve” në Prekaz

    Sonte “Nata e Zjarreve” në Prekaz

    Me “Natën e Zjarreve” sonte përfundon manifestimin gjithëpopullor në kujtim dhe nderim të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, si dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Aktivitete të shumta janë shënuar më 5 dhe 6 mars, në 26-vjetorin e rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.

    Në ditën e tretë të Epopesë, nga ora 18:00, fillon ndezja e flakadanëve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

    Pas ndezjes së flakadanëve, vazhdon manifestimi “Nata e Zjarreve” me program kulturo-artistik në Sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

  • Xhaferi për deklaratën e Ramës: Shqipëria e ka obligim me Kushtetutë që të mbajë llogari edhe për shqiptarët jashtë kufijve të saj

    Xhaferi për deklaratën e Ramës: Shqipëria e ka obligim me Kushtetutë që të mbajë llogari edhe për shqiptarët jashtë kufijve të saj

    Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama të dhënë po në këtë emision se “Çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë”, tha se Shqipëria e ka obligim me Kushtetutë që të mbajë llogari edhe për shqiptarët jashtë kufijve të saj.

    “Deklarimi i Ramës kundrejt Kosovës, edhe me Kushtetutë, Republika e Shqipërisë e ka për obligim mbajtjen në llogari edhe për shqiptarët jashtë kufijve të shtetit aktual të Republikës së Shqipërisë. Kështu që, ajo punë mban në atë kontekst ta ketë, por jo veç në kontekst të NATO-s. Kështu që konteksti është pak më i gjerë se sa që është NATO në kuptimin e asaj që ka deklaruar Rama”, tha Xhaferi. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të kryeministrit Xhaferi në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Dialogu dhe “keqinterpretimet” për rregulloren e BQK-së

    Dialogu dhe “keqinterpretimet” për rregulloren e BQK-së

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në prag të një rundi të ri në dialogun e Brukselit, Bashkimi Evropian vlerësoi se diskutimi në nivel kryenegociatorësh lidhur me rregulloren e BQK-së është hapi i radhës drejt zgjidhjes.

    Përkundër përsëritjes nga zëvendëskryeministri se rregullorja nuk është pjesë e dialogut e as subjekt i negociatave, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së kumtoi se, krahas temave të tjera, rregullorja është në agjendën e diskutimeve.

    Situata, sipas profesorit Dritëro Arifi, nuk është aq konfuze.

    “Absolutisht, është shumë e qartë që dinari veç është bërë pjesë e dialogut. Po të kishte qenë ndryshe, BQK-ja nuk ishte dashur të shkonte në Bruksel. Pra, në një mënyrë BE-ja po e tregon atë që e kemi parë të gjithë. Qeveria është më mirë t’i pranojë gjërat ashtu siç janë, ose të mos i zbatojë fare. Në njëfarë mënyre po mbesim në kurthin e një lloj interpretimi apo keqinterpretimi të parëndësishëm. Është shumë e parëndësishme, sepse marrëveshja është shumë më e rëndësishme sesa dinari”, tha Arifi.

    Referuar faktorit kohë, opinionisti Bekim Kabashi krahasoi çështjen e përdorimit të dinarit me atë të targave dhe zgjedhjeve në veri.

    “Kjo po përdoret për të prolonguar, për ta shtyrë sa më gjatë, për të mos implementuar marrëveshjen për asociacion ose marrëveshjen bazike, pastaj edhe draft-statutin, e cila është kërkesa kryesore e bashkësisë ndërkombëtare. Kështu që, zgjidhja do t’i gjendet sepse nuk ka ndonjë arsye tjetër, nuk ka racionalitet që kjo temë të nxirret në këtë formë, me e dëmtua Kosovën, siç e ka dëmtuar në raportet me SHBA-në dhe BE-në”, tha Kabashi.

    Duke përmendur rëndësinë e integrimit evropian të Kosovës, profesori Arifi theksin e vuri te nevoja e përqendrimit te marrëveshja bazë dhe shtojca.

    “Qeveria duhet të fokusohet te marrëveshja, çka do të bëjë me marrëveshjen dhe si do ta argumentojë të partnerët ndërkombëtarë. Kjo është çështja më e rëndësishme, gjithçka tjetër është sekondare dhe vetëm humbje e kohës”, tha Arifi.

    Në Qeveri nuk treguan nëse zëvendëskryeministri Bislimi do të udhëtojë drejt Brukselit, nëse rregullorja e BQK-së konfirmohet si temë e takimit.

    Të mërkurën, kryeministri tha se nuk ka kohë për përgjigje.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kurti: Epopeja e UÇK-së e papërsëritshme, me domethënie të pashteruar

    Kurti: Epopeja e UÇK-së e papërsëritshme, me domethënie të pashteruar

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Epopeja e lavdishme e UÇK-së dhe sakrifica për atdhe e familjes Jashari është e papërsëritshme.

    “Ndonëse fjalët i pasojnë mendimet dhe i paraprijnë veprat, fjalët janë gjithmonë të pamjaftueshme për ti përçuar si mendimet ashtu edhe veprat. Në rastin e Epopesë së UÇK-së kjo bëhet pamundësia vet, andaj edhe kënga “Mora fjalë” tregon edhe kufijtë e fjalës. Fjalët që doemos nuk i gjen dot, që duhet t’i marrësh e t’i gjesh diku e disi, për ta shpjeguar a përshkruar këtë Epope të papërsëritshme me domethënie ende të pashteruar”.

    Teksa ka përmendur edhe tekstin e këngës së njohur “Mora fjalë” kushtuar kësaj epopeje të rëndësishme në historinë e vendit tonë.

    “Me fjalë të tjera “Mora fjalë” do të thotë që për këtë epope është vështirë të ketë ep, të gjithë e keni parasysh tekstin e këngës e cila nisë me atë se çfarë po bëjmë ne që po këndojmë Mora fjalë mora vargun mora qarkun me i thur këngë, pra çfarë po bëjmë ne kështu nis kënga”.

    “Më pastaj strofa e dytë porsa përpiqemi të themi diçka ne themi ‘Qohu Adem’, pra është e pamundur të shkosh më larg se strofa e parë e pa rënë në veprim e unë besoj se kjo është arsyeja se pse ka këngë por nuk ka tekst, vetëm me këngën me një tekst kaq të bukur dhe me një melodi të jashtëzakonshme është bërë e mundshme që të gjejmë diçka artistike që bëhet kulturë meqenëse rrah por si zemra e popullit”, ka thënë Kurti.

  • “Tentim atentatin ndaj Albin Kurtit”, Talat Xhaferi e cilëson si një lajm të rrejshëm

    “Tentim atentatin ndaj Albin Kurtit”, Talat Xhaferi e cilëson si një lajm të rrejshëm

    Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se informatën për tentim atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk mund ta trajtojë ndryshe, përveç se si lajm të rrejshëm.

    Këto deklarata ai i bëri pasi u pyet nga drejtuesi i emisionit Leart Hoxha, nëse informata për tentim atentat ndaj kryeministrit Kurti sa ishte në vizitë në Maqedoninë e Veriut, ka qenë lajm i rrejshëm.

    “Unë duke i pasur informatat si kryeministër nuk mund ta trajtoj ndryshe dhe ta definoj ndryshe për faktin që burimi i asaj informate nuk është as hapësira e Kosovës, as hapësira e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku Kryeministri ka qëndruar. Në bazë të informatave del që gjatë qëndrimit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, në Këshill Sigurimit, në seancë, në Facebook është paraqitë kanasje që nuk mund ta them është apo nuk është ashtu, por sidoqoftë nuk e ka burimin në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe nuk ka parathënie në kuptimin që ka pasur rrezik të tillë”, tha Xhaferi.

    Ai tha se mënyra e komunikimit të këtij informacioni, i ka bërë dëm vetëm se vetë institucionit përkatës në Republikën e Kosovës, në kontekst të besueshmërisë për këmbim të informatave në të ardhmen.

    “S’do mend që punë e institucioneve përkatëse, është edhe shkrimi më i vogël që mund të ndodhë edhe në kontekst, në relacion me bartësit e funksioneve, që të jetë temë trajtimi dhe çdo mend që komunikimi mes institucioneve ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë dhe s’do mend që ajo mënyrë e komunikimit i ka bërë dëm vetëm se vetë institucionit përkatës në Republikën e Kosovës, në kontekst të besueshmërisë për këmbim të informatave në të ardhmen, sepse informatat që shpërndajnë dhe që komunikojnë e këmbejnë institucionet përkatëse shtetërore, nuk janë temë që mundemi, ne që kemi qasje në ato informata, të dalim sot në emision këtu dhe t’i trajtojmë si çështje që i zbatojmë në publik, për faktin që krejt ne kemi obligime ligjore për afat kohor të caktuar, ato informata të klasifikume të mos i përdorim në publik për faktin që dëmtojnë vetë institucionin”, tha Xhaferi. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të kryeministrit Xhaferi në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Serbëve në Kosovë u dalin pagat në llogari, por s’ka dinarë

    Serbëve në Kosovë u dalin pagat në llogari, por s’ka dinarë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pagat nga shteti serb iu dolën. Por, shumë qytetarë serbë të cilët jetojnë në Kosovë, nuk kanë arritur t’i tërheqin të hollat, pasi institucionet financiare nuk kishin mjaftueshëm dinarë.

    Në mungesë të dinarit, qytetarëve u janë dhënë shuma vetëm deri në 10 mijë dinarë apo 85 euro.

    “Kjo situatë po na komplikon jetën se s’po mund t’i marrim pagat. Është situatë e rëndë. Mora vetëm 10 mijë dinarë, sepse ky është kufizimi, kaq mund të na japin”, thotë një qytetar.

    “Po krijohet tollovi e madhe. Kemi familje e fëmijë e nuk po mund t’i marrim paratë”, thotë një tjetër qytetar.

    Njëkohësisht, qytetarët serbë nuk janë shumë as të informuar se si të veprojnë, derisa BQK-ja ndaloi pagesat në dinarë.

    BQK-ja deri më tani ka dërguar vetëm mesazhe dhe nuk dihet nëse shkuan te individët që duhej, meqë shumë serbë nuk posedojnë numra të operatorëve që veprojnë në Kosovë.

    Qytetarët thonë se të vetmin informim i kanë mediat.

    “Është keq që nuk jemi informuar për çështjen e dinarit. Kjo është politikë e Prishtinës, por është dashur më shumë transparencë. Për komunitetin serb ky vend është i keq”, tha një qytetar.

    “Unë s’e kam idenë për procedurat, askush asgjë s’më ka thënë, po këto janë çështje politike në të cilat qytetarët nuk përfshihen”, tha një tjetër qytetar.

    Kritika për mungesë të fushatës nga BQK-ja ka edhe shoqëria civile.

    Vendimi i BQK-së për dinarin po zbatohet nga 1 shkurti.

    Aleatët ndërkombëtarë u bëjnë thirrje autoriteteve ta shtyjnë zbatimin e rregullores, ndërsa në Bruksel pati një takim javën e kaluar mes një delegacioni të BQK-së në lidhje me çështjen e dinarit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Ambasadori i ri britanik takon Kurtin: Britania e Madhe gjithmonë ka qenë aleat i Kosovës

    Ambasadori i ri britanik takon Kurtin: Britania e Madhe gjithmonë ka qenë aleat i Kosovës

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është pritur nga kryeministri Kurti.

    Ai në një postim në “X” ka shkruar se Mbretëria e Bashkuar ka qenë aleat i Kosovës në kohë të mira e të këqija.

    “Në kohë të mira e të këqija, Britania ka qenë aleat i Kosovës dhe do të ketë gjithmonë në zemër interesin e saj më të mirë. Ishte kënaqësi që pata takimin njohës me kryeministrin Kurti dhe që diskutova bashkëpunimin e gjerë mes Britanisë dhe Kosovës dhe si ta thellojmë”, ka shkruar ambasadori.

    Hargreaves ka thënë se shpreson që Kurti ka kaluar mirë në Irlandën Veriore.

  • Maqedonci: UÇK-ja dhe familja Jashari ndriçuan rrugën drejt lirisë

    Maqedonci: UÇK-ja dhe familja Jashari ndriçuan rrugën drejt lirisë

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci sot së bashku me komandantin e FSK-së, Bekim Jasharin kanë bërë homazhe në nderim të familjes Jashari dhe të rënëve tjerë.

    Maqedonci ka shkruar në Facebook se UÇK-ja dhe familja Jashari ishin ata që ndriçuan rrugën drejt lirisë.

    “Datat 5, 6 dhe 7 mars, shënojnë kthesën më të madhe historike të popullit tonë, shënojnë sakrificën më sublime për liri dhe atdhe, prandaj do të mbetën përherë në kujtesën e lavdishme të popullit tonë”, ka shkruar ai mes tjerash.

    Postimi i plotë:

    Sot së bashku me komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe personelin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, bëmë homazhe në nderim të familjes Jashari dhe gjithë të rënëve dhe më pas ishim në kullë, ku na priti baca, Rifat Jashari.

    Për të arritur te liria duhej të ishim bashkë të gjithë por përveçse të bashkuar duhej një fanar që të na ndriqojë rrugën. Ishte UÇK-ja, ishin Jasharajt ata që na bënë bashkë dhe na ndriquan rrugën duke na prirë përpara drejt luftës çlirimtare, rrjedhimisht drejt lirisë.

    Datat 5, 6 dhe 7 mars, shënojnë kthesën më të madhe historike të popullit tonë, shënojnë sakrificën më sublime për liri dhe atdhe, prandaj do të mbetën përherë në kujtesën e lavdishme të popullit tonë.

    Lavdi dhe nderime për të rënët!

  • Kurti pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”: Gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës Jasharëve

    Kurti pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”: Gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës Jasharëve

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten e vendit Vjosa Osmani Sadriu, Kryetarin e Kuvendi, Glauk Konjufca dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në vazhdën e aktiviteteve për nder të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Kryeministri Kurti tha se në Prekazin heroik dhe historik kthehemi dhe rikthehemi, që të kujtojmë dhe përkujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë, të cilën e gëzojmë.

    “Të gjithë dhe secili duhet të vijnë në këtë vend, që të mos harrojmë dhe që të mos devijojmë. Që të mos e harrojmë të kaluarën dhe që të mos devijojmë drejt së ardhmes”, tha ai.

    Duke çmuar lartë sakrificën, vetëflijimin e vetëmohimin e Jasharëve, kryeministri Kurti tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare është në themelet e çlirimit të vendit tonë dhe se ajo paraqet edhe dhembje e krenari, por edhe besë dhe shpresë për shtetin dhe popullin tonë.

    Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, Familjes Jashari, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!

    Pas homazheve, Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani-Sadriu, Kryeparlamentarin Konjufca dhe ministra të kabinetit qeveritar vizituan familjen Jashari, ku u pritën nga Rifat Jashari.

  • Presidenti amerikan: Një mandat i ri për Trump do të ishte një kthim në kaos për vendin

    Presidenti amerikan: Një mandat i ri për Trump do të ishte një kthim në kaos për vendin

    Presidenti amerikan Joe Biden teksa ka folur për zgjedhjet në SHBA, ka theksuar se një mandat i ri për ish-presidentin Donald Trump do të ishte një kthim në kaos.

    “Një mandat i dytë presidencial për Trump në Shtëpinë e Bardhë do të nënkuptonte një kthim në kaos”, thuhet në një deklaratë me shkrim të dhënë nga Presidenti amerikan Joe Biden.

    Gjithashtu ai shtoi se Donald Trump nuk është asgjë tjetër veçse një kërcënim për SHBA.

    “Katër vjet më parë kam kandiduar për shkak të kërcënimit ekzistencial që Donald Trump i paraqiti Amerikës në të cilën të gjithë besojmë”, shprehet Biden teksa përmend progresin e arritur nga administrata aktuale presidenciale në punësimin, inflacionin, çmimet e drogës dhe kontrollin e armëve.

    “Trump drejtohet nga inati dhe mashtrimi, i fokusuar në hakmarrje dhe jo te populli amerikan”, akuzoi Biden.