ATV

Dialogu dhe “keqinterpretimet” për rregulloren e BQK-së

Written by

in

Përgatiti: Fatlum Jashari

Në prag të një rundi të ri në dialogun e Brukselit, Bashkimi Evropian vlerësoi se diskutimi në nivel kryenegociatorësh lidhur me rregulloren e BQK-së është hapi i radhës drejt zgjidhjes.

Përkundër përsëritjes nga zëvendëskryeministri se rregullorja nuk është pjesë e dialogut e as subjekt i negociatave, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së kumtoi se, krahas temave të tjera, rregullorja është në agjendën e diskutimeve.

Situata, sipas profesorit Dritëro Arifi, nuk është aq konfuze.

“Absolutisht, është shumë e qartë që dinari veç është bërë pjesë e dialogut. Po të kishte qenë ndryshe, BQK-ja nuk ishte dashur të shkonte në Bruksel. Pra, në një mënyrë BE-ja po e tregon atë që e kemi parë të gjithë. Qeveria është më mirë t’i pranojë gjërat ashtu siç janë, ose të mos i zbatojë fare. Në njëfarë mënyre po mbesim në kurthin e një lloj interpretimi apo keqinterpretimi të parëndësishëm. Është shumë e parëndësishme, sepse marrëveshja është shumë më e rëndësishme sesa dinari”, tha Arifi.

Referuar faktorit kohë, opinionisti Bekim Kabashi krahasoi çështjen e përdorimit të dinarit me atë të targave dhe zgjedhjeve në veri.

“Kjo po përdoret për të prolonguar, për ta shtyrë sa më gjatë, për të mos implementuar marrëveshjen për asociacion ose marrëveshjen bazike, pastaj edhe draft-statutin, e cila është kërkesa kryesore e bashkësisë ndërkombëtare. Kështu që, zgjidhja do t’i gjendet sepse nuk ka ndonjë arsye tjetër, nuk ka racionalitet që kjo temë të nxirret në këtë formë, me e dëmtua Kosovën, siç e ka dëmtuar në raportet me SHBA-në dhe BE-në”, tha Kabashi.

Duke përmendur rëndësinë e integrimit evropian të Kosovës, profesori Arifi theksin e vuri te nevoja e përqendrimit te marrëveshja bazë dhe shtojca.

“Qeveria duhet të fokusohet te marrëveshja, çka do të bëjë me marrëveshjen dhe si do ta argumentojë të partnerët ndërkombëtarë. Kjo është çështja më e rëndësishme, gjithçka tjetër është sekondare dhe vetëm humbje e kohës”, tha Arifi.

Në Qeveri nuk treguan nëse zëvendëskryeministri Bislimi do të udhëtojë drejt Brukselit, nëse rregullorja e BQK-së konfirmohet si temë e takimit.

Të mërkurën, kryeministri tha se nuk ka kohë për përgjigje.

Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *