ATV

Tag: Ballina

  • KQZ-ja verifikon nënshkrimet, më 21 prill votohet për shkarkimin e kryetarëve në veri

    KQZ-ja verifikon nënshkrimet, më 21 prill votohet për shkarkimin e kryetarëve në veri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Banorët në katër komunat në Veri, do të mund të votojnë për shkarkimin e kryetarëve, në javën e tretë të prillit.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve caktoi 21 prillin si datë të përshtatshme për mbarëvajtjen e këtij procesi, pas përmbushjes së kushtit të parë, që ishte peticioni më 20 për qind të nënshkrimeve të qytetarëve.

    Në të katër komunat kishte më shumë qytetarë sesa kërkohej për ta përmbushur kriterin prej 20 për qind.

    Në Mitrovicë të Veriut peticionin e nënshkruan 4.148 qytetarë nga 18.199 sa ishin të regjistruar.

    Në Zveçan kërkesës për peticion iu përgjigjën 1834 qytetarë nga 7.052 sa figurojnë të regjistruar me të drejtë vote.

    3.030 nga 13.441 qytetarë hodhën nënshkrimet e tyre për shkarkimin e kryetarit edhe në Leposaviq.

    Ndërkaq, në Zubin Potok nga gjithsej 6.732 votues pro shkarkimit të kryetarit, peticionin e nënshkruan 1576 qytetarë.

    Megjithatë, kishte edhe nënshkrime të pavlefshme.

    Rezultatet i pranuan, por për caktimin e datës për mbajtje të votimit, jo të gjithë ishin dakord.

    Nëse në votimin e 21 prillit, arrihet 50 për qind plus një, pro shkarkimit të kryetarëve, Presidentes së vendit i duhet që në afat prej 30-45 ditë nga shkarkimi, t’i shpallë zgjedhjet e reja në komunat përkatëse.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Si po u shmanget Serbia masave ndëshkuese të BE-së për Banjskën?

    Si po u shmanget Serbia masave ndëshkuese të BE-së për Banjskën?

    Bashkimi Evropian nuk ka gatishmëri për t’i vënë masa ndëshkuese Serbisë, pas sulmit të armatosur që ndodhi në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, dhe standardet e dyfishta të bllokut evropian nuk përbëjnë asgjë të re – kështu i kanë thënë Radios Evropa e Lirë burime diplomatike në Bruksel dhe ekspertë të huaj.

    Sipas tyre, thirrjet në aspekte procedurale, dhe në mungesën e një raporti përfundimtar nga autoritetet e Kosovës, janë vetëm arsyetime për zvarritjen e rastit.

    “Perëndimi nuk ka apetit për të marrë ndonjë masë kundër [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, dhe ndaj kujtdo që ka qenë i përfshirë… Perëndimi ka nevojë për Serbinë dhe nuk dëshiron ta dëmtojë këtë marrëdhënie delikate”, vlerëson analisti Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    Kosova, në anën tjetër, ngulmon në vendosjen e masave ndaj Serbisë, pasi deklaron se ndaj saj është kryer sulm terrorist.

    Çfarë ndodhi në Banjskë?

    Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serbësh vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në Banjskë të komunës së Zveçanit.

    Si pasojë e përleshjeve të mëtejme u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova e mban përgjegjës shtetin e Serbisë për këtë sulm, ndërsa Beogradi zyrtar e kundërshton këtë qëndrim.

    Ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – Millan Radoiçiq, më vonë e mori përgjegjësinë për sulmin.

    Autoritetet e Serbisë kanë nisur një proces gjyqësor kundër tij, por e kanë liruar nga masa e paraburgimit, me kushtin që të mos shkojë më në Kosovë.

    Organizata Ndërkombëtare e Policisë, e njohur më shumë si INTERPOL, ka lëshuar fletarrestim kundër tij.

    Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë, por masat ndëshkuese të kërkuara aq shumë prej autoriteteve të Kosovës nuk janë vënë kurrë.

    Në pritje të raportit të Kosovës…

    Bashkimi Evropian e ka pranuar vitin e kaluar një raport prej 48 faqesh nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës për sulmin në Banjskë.

    Megjithatë, burimet e Brukselit kanë thënë se ai nuk është i mjaftueshëm, duke vlerësuar se në të ka tone politike, dhe se nga Kosova nevojitet një raport i hartuar prej sistemit të drejtësisë.

    Autoritetet e Kosovës e kanë kritikuar disa herë Prokurorinë e Shtetit që ende nuk ka dalë me një raport për ngjarjet në Banjskë dhe nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.

    Këshilli Prokurorial i Kosovës, në anën tjetër, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të mos ndërhyjë në punët e sistemit të drejtësisë, duke pretenduar se deklaratat e pushtetit janë tendencioze.

    Pse nuk i kryen BE-ja hetimet e veta?

    Brukseli pohon se nuk ka mandat për një gjë të tillë. Nga BE-ja kanë thënë që sulmi ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe se autoritetet atje janë kompetente.

    Kur kanë folur publikisht, zyrtarët e BE-së e kanë cilësuar sulmin në Banjskë si terrorist.

    Por, në Raportin e Progresit të BE-së për vitin 2023, në pjesën për Serbinë, sulmi në Banjskë përshkruhet se është kryer vetëm prej “individëve të armatosur rëndë”.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk ka kthyer përgjigje për pyetjen e Radios Evropa e Lirë se pse blloku evropian ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë rast.

    Në të kaluarën, ai e ka përsëritur disa herë që janë në pritje të raportit përfundimtar nga Kosova.

    Parlamenti Evropian ka kërkuar ndëshkimin e Serbisë, mirëpo diçka e tillë është në dorën e Këshillit dhe të Komisionit Evropian.

    Alejandro Esteso Perez, analist dhe studiues i politikave të Ballkanit dhe zgjerimit të BE-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se BE-ja nuk dëshiron ta vendosë Serbinë përpara pasqyrës.

    “Nuk dëshiron të rrezikojë një reagim potencial të Vuçiqit, qoftë duke u afruar me Rusinë apo Kinën – që ai veçse po e bën – dhe e kupton që pa Serbinë nuk mund të ketë dialog Kosovë-Serbi”.

    Ndërkaq, analisti Vogel thotë se ka dëgjuar prej ligjvënësve në BE që Serbia kritikohet nëpër biseda private. Por, sipas tij, “nëse diçka nuk thuhet publikisht, është sikur të mos ishte thënë fare”.

    Çfarë masash do të duhej të merreshin ndaj Serbisë?

    Vogel përmend dy masa, që për të janë minimumi:

    Masa të ngjashme me ato që i janë vënë Kosovës, pas rritjes së tensioneve në veri, në majin e vitit 2023

    Një deklaratë të qartë prej udhëheqësve perëndimorë që incidenti do të hetohet në hollësi dhe që Vuçiq duhet të heqë dorë publikisht prej çfarëdo aktiviteti ushtarak afër Kosovës.

    Analisti Perez, ndërkaq, konsideron se duhen të tjera masa:

    Nisja e menjëhershme e një hetimi të pavarur

    Masa ekonomike

    Masa që shënjojnë individët – ngrirje pasurish, ndalesa në udhëtime.

    Burimet në Bruksel vlerësojnë se BE-ja e përdor mosvendosjen e masave ndaj Serbisë “për t’i bërë presion” Beogradit për procese që dëshiron t’i çojë përpara.

    Megjithatë, Serbia vazhdon të mos e koordinojë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së. Mossanksionimi i Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë është vetëm njëri prej shembujve.

    A do të ketë ndikim në Kosovë kjo qasje e BE-së?

    Perez beson që po.

    “Jam i befasuar prej përpjekjeve aq të vogla të BE-së për të kuptuar situatën e Kosovës. Nëse nuk ka lëvizje edhe në muajt e ardhshëm, besimi i popullatës në të do të zvogëlohet dhe ata do të jenë edhe më të pashpresë sesa tani”, thotë ai.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2022, dhe aktualisht ka të nënshkruar vetëm Marrëveshje për Stabilizim-Asociim me bllokun evropian. /REL

  • Përmbushet 20 përqindëshi i kërkuar për largimin e kryetarëve në veri – Më 21 prill votohet për largimin e tyre

    Përmbushet 20 përqindëshi i kërkuar për largimin e kryetarëve në veri – Më 21 prill votohet për largimin e tyre

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur i ka verifikuar listat e nënshkrimeve të peticionit për largimin e kryetarëve në katër komunat në veri të vendit, raporton Ekonomia Online.

    Sipas KQZ-së, nga listat e pranuara rezulton se në të katër komunat është përmbushur 20 për qindëshi i kërkuar në peticion për të nisur procedurat e largimit të kryetarëve.

    Në komunën e Leposaviqit, lista e nënshkruesve përmban 3 mijë e 30 nënshkrime, ndërsa pas krahasimit me të dhënat e listës së votuesve, rezulton se 2 mijë e 905 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote.

    “Pra, numri i votuesve për komunën e Leposaviqit është 13 mijë e 441 votues, ku 20 për qind e votuesve për këtë komunë i bie të jetë 2 mijë e 689 votues. Andaj, këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind të votuesve për këtë komunë”, u tha në mbledhjen e KQZ-së.

    Në komunën e Zubin Potokut, lista nënshkruese e peticionit përmban 1 mijë e 567 nënshkrime, ku pas krahasimit me të dhënat e listës së votuesve rezulton se 1 mijë e 380 nënshkrues janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote.

    “Numri i votuesve është 6 mijë e 732 votues, ku 20 për qind e votuesve për komunë i bie që të jetë 1 mijë e 347 votues, andaj, këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind të votuesve të kërkuar për peticion”, tha kryetari i KQZ-së.

    20 për qindëshin e kërkuar në peticion e ka përmbushur edhe komuna e Zveçanit, ku peticionin e kanë nënshkruar 1 mijë e 834 njerëz.

    Pas krahasimit me listën e votuesve, ka rezultuar se 1 mijë e 714 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në komunën e Zveçanit.

    “Numri i votuesve për komunën e Zveçanit është 7 mijë e 52 votues, ku 20 për qind e votuesve i bie të jetë 1 mijë e 411 votues. Andaj këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind të votuesve të kërkuar për peticion”, tha tutje ai.

    Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, janë mbledhur 3 mijë e 148 nënshkrime në listën e peticionit, ku pas krahasimit me listën votuese ka rezultuar se 3 mijë e 563 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në Mitrovicë të Veriut.

    “Numri i votuesve është 18 mijë e 199 votues, ku 20 për qind e votuesve për komunë i bie të jetë 3 mijë e 640, andaj këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind të votuesve të kërkuar në peticion”, tha ai.

  • Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” me marsh tradicional për 8 Mars – Bën thirrje për barazi dhe drejtësi për gratë

    Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” me marsh tradicional për 8 Mars – Bën thirrje për barazi dhe drejtësi për gratë

    Ka nisur marshi në Sheshin Zahir Pajaziti. Disa gra janë mbledhur aty për të marshuar në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, raporton EO.

    Ky tubim është organizuar nga kolektivi organizon marshin “Marshojmë S`festojmë”.

    Aktiviteti nisi në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’ për të vazhduar deri tek Sheshi Skënderbeu, tek objekti i Qeverisë së Kosovës.

  • ​Kurti në Ditën e Gruas: Synimi i qeverisë për barazi e drejtësi nuk ka alternativë

    ​Kurti në Ditën e Gruas: Synimi i qeverisë për barazi e drejtësi nuk ka alternativë

    Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Grave, është përmendur kauza e përbashkët e grave dhe vajzave që kanë kontribuar në ndërtimin e paqes, ndërtimin e institucioneve dhe demokracisë së vendit.

    Kryeministri Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Gruas ka thënë se synimi i Qeverisë së Kosovës për barazi e drejtësi nuk ka alternativë.

    Prandaj është shprehur se janë bashkë në përpjekjet për luftën për barazi.

    “Synimi jonë për barazi dhe drejtësi nuk ka alternativë. Politikat feministe po e ruajnë dhe përparojnë demokracinë ngado sot. Ato e kanë fituar luftën politike sepse tash nuk ka dyshime se këto të dyja mund të ecin vetëm bashkë. Ky është shteti që punojmë për çdo ditë. Demokrat po, por edhe feminist gjithsesi”, tha Kurti.

    I pari i vendit ka përmendur shtesat për lehona dhe fëmijë, skema nga të cilat sipas tij janë përfituese rreth 40 mijë lehona dhe rreth 400 mijë fëmijë. Derisa sipas Kurtit mbi 90 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë.

    “Qeveria jonë ka qenë e përkushtuar që ndryshimin për barazi sociale ta nis edhe në sektorët e publikes me strategji specifike për përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve tona. Fuqizimi i pozitës së grave në shoqëri, veçanërisht fuqizimi i pozitës ekonomike të saj është njëra ndër ndryshimet thelbësore që qeveria jonë ka shtyrë përpara që nga fillimi i mandatit”, ka thënë Kurti.

    Kurti ka përmendur se sipas parashikimeve të Bankës Botërore, Kosova në vitin 2024 pritet ta ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon.

    Ai u zotua se do tu japin shtysë projekteve zhvillimore dhe mbështetjes sociale për jetesën e mirë dhe barazinë në republikë demokratike.

    Në QKUK për herë të parë mund të bëhet rikonstruktimi i gjirit për gratë që e kanë mposhtur kancerin e gjirit ndërkaq mamografia si masë parandaluese dhe diagnostifikuese është falas për të gjitha qytetaret e republikës. Për herë të parë ofrohet vaksina kundër HPV-së për grupmoshën e caktuar si parandalues kundër kancerit të qafës së mitrës ndërkaq pajisjet për fertilizim të asistuar tashmë janë gati të funksionalizohen në QKUK”, shtoi Kurti.

    Gjatë konferencës së organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Grave, u tha se sot shënohet 20-vjetori i ligjit të parë për barazi gjinore.

    Ndërsa U.D. Drejtoreshës Ekzekutive të Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia ka falënderuar dhe shprehur mirënjohje ndaj të gjitha grave dhe vajzave kosovare pa dallim etnie që kontribuuan në ekonominë e vendit, në skemën politike e publike, në administratë, ndërmarrësi dhe në përpjekje të përhershme për ta balancuar jetën profesionale dhe atë private.

  • Osmani në Ditën Ndërkombëtare të Gruas: Sot, nesër e çdo ditë, me ju dhe për ju

    Osmani në Ditën Ndërkombëtare të Gruas: Sot, nesër e çdo ditë, me ju dhe për ju

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ka thënë se shënojnë arritjet e grave dhe vajzave si dhe përpjekjet e jashtëzakonshme të tyre në Kosovë dhe kudo në botë për të drejta të barabarta.

    Osmani tha se sot kujtojnë të gjitha ato gra e vajza që s’janë në mesin tonë, e të cilat sipas saj, u shndërruan në simbol rezistence, lufte dhe angazhimi për liri e barazi.

    “Forca, qëndrueshmëria dhe zelli juaj i pashoq për emancipim të vazhdueshëm, zhvillim e barazi qëndron fort në themelet e Republikës sonë. Sot, nesër dhe çdo ditë, me ju dhe për ju”, shkroi Osmani.

  • KQZ-ja sot diskuton për verifikimin e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në veri

    KQZ-ja sot diskuton për verifikimin e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot pritet të mbajë një mbledhje, në të cilën do të diskutohet edhe për verifikimin e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri.

    Në rendin e ditës për mbledhjen që është paraparë të nisë në orën 13:30 është edhe pika “Raporti lidhur me verifikimin e peticioneve të pranuar nga kuvendet e komunave Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut”.

  • “Marshojmë s’festojmë” organizon marshin tradicional për Ditën e Gruas

    “Marshojmë s’festojmë” organizon marshin tradicional për Ditën e Gruas

    Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” do të organizojë sot marshin tradicional me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare së Gruas.

    Ky marsh organizohet me thirrje për barazi e drejtësi për gratë.

    Nisja do të bëhet nga sheshi “Zahri Pajaziti” deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, me fillim nga ora 12:00.

    “Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” organizon marshin tradicional për 8 Mars me thirrje për barazi dhe drejtësi për gratë. (Nisja nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ndërtesa e Qeverisë,ora 12:00)”, thuhet në njoftim.

  • Prokuroria Speciale ende pa aktakuzë për Masakrën e Prekazit edhe 26 vjet pas

    Prokuroria Speciale ende pa aktakuzë për Masakrën e Prekazit edhe 26 vjet pas

    Forca të shumta paramilitare serbe rrethuan familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt, më 1998.

    Më 5, 6 dhe 7 mars të atij viti, pas një rezistence të hekurt, u vra Komandanti legjendar Adem Jashari, me 58 familjarë e të afërm të tij, përfshirë fëmijë, gra e pleq.

    Janë mbushur 26 vjet që nga ky sulm. Por, për ngjarjen që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, ende nuk ka aktakuzë, ndonëse Prokuroria Speciale thuhej se kishte filluar hetimet qysh në vitin 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ishte ish-prokurorja speciale Drita Hajdari e cila kishte deklaruar se në 2019 kishin filluar hetimet dhe se ishin në fazën e grumbullimit të provave.

    “Kam verifikuar nëse rasti është hapur nga EULEX-i apo UNMIK-u apo nga Tribunali i Hagës dhe pasi që kam kuptuar se nuk ka rast të hapur, kam vendosur për hapjen e hetimit me qëllim të zbardhjes së këtij rasti dhe të përgjegjësisë penale për krimet e luftës në rastin konkret”, kishte deklaruar ajo në media.

    E kontaktuar tash, Hajdari tha se meqenëse më nuk është prokurore, s’ka kompetencë të përgjigjet lidhur me këtë temë.

    Por në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, Kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj ka thënë se s’ka shumë kohë që janë hapur hetimet zyrtarisht.

    “Kanë fillu, nuk është kohë e gatë kur zyrtarisht, por po, ka. Veç muj me konfirmu që i kemi hetimet e aktivizume me vendim, por kurgjo ma shumë”, tha Isufaj.

    Se kur kanë filluar këto hetime dhe nëse ka pasur pezullime në ndonjë periudhë, nuk është përgjigjur as prokurori i rastit, Valdet Gashi.

    Edhe në marsin e kaluar, që shënonte 25 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), PSRK nuk ishte përgjigjur se kur kanë filluar dhe se në çfarë faze ishin hetimet.

    Sipas Kodit të Procedurës Penale, afatet kohore të hetimeve janë deri në dy vjet, por që me kërkesë të prokurorit, ky afat mund të zgjatet edhe për një vit, pra në total tre vjet.

    Mirëpo, Kodi parasheh edhe disa rrethana kur mund të pezullohen hetimet.

    -Nëse i pandehuri pas kryerjes së veprës penale vuan nga ndonjë çrregullim ose paaftësi e përkohshme mendore ose nga ndonjë sëmundje tjetër e rëndë,

    -Nëse është arratisur,

    -Nëse është bërë kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare ose ekzistojnë rrethana të tjera objektive në zhvillimin e hetimeve të cilat përkohësisht e pengojnë ndjekjen me sukses të të pandehurit.

    Koha derisa hetimi është pezulluar, nuk llogaritet në kohën për zbatimin e hetimit, e as në kohën për parashkrimin e veprës penale.

    Në vitin 2016, Prokuroria Speciale kishte themeluar një Departament të Posaçëm për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës nga prokurorët vendorë. Para themelimit të tij, rastet më herët ishin hetuar nga prokurorët e UNMIK-ut dhe EULEX-it.

    Për krime makabre të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, drejtësia ende nuk ka dhënë përgjigje, ndër to edhe masakra ndaj familjes Jashari.

    Ndaj, familjes Jashari ishin kryer tri sulme nga forcat paramilitare serbe. Nga të dhënat, më 30 dhjetor 1991, ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari.

    Sulmin e dytë, forcat paramilitare serbe e kishin kryer më 22 janar 1998. Edhe kësaj beteje, familja Jashari i kishte rezistuar.

    Mirëpo, në këto luftime kishin mbetur të plagosura Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

    Sulmit të marsit i kishte shpëtuar Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5- 6 mars të largohet nga rrethina si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

    Në këtë sulm janë vrarë 22 anëtarë të ngushtë bashkë me Komandanti legjendar Adem Jashari, banorë të fshatit Prekaz edhe mysafirë të Kullës së Jasharëve.

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në raportin e publikuar në shtator të vitit 2020 me titull “Amnistia e krimeve të luftës në Kosovë”, ka pasqyruar kronologjikisht hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Republikën e Kosovës ku ishin trajtuar edhe sukseset dhe dështimet e të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që kanë pasur dhe kanë kompetenca në fushën e hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës.

  • Vazhdojnë punimet me kapacitete të plota në rrugën Prishtinë-Mitrovicë

    Vazhdojnë punimet me kapacitete të plota në rrugën Prishtinë-Mitrovicë

    Me kapacitete të plota po vazhdojnë punimet në ndërtimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë, projekt ky i nisur që nga viti 2009. Ekonomia Online ka qëndruar në një segment të kësaj rruge, ku shihen dhjetëra makineri duke punuar.

    Më 8 shkurt, Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontratë me konsorciumin “HIDROSTROY AD SOFIJA dhe ESKAVATORI L.L.C.”, kompani nga Bullgaria dhe Kosova, për përfundimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë.

    Në ditën e nënshkrimit të kësaj kontrate, ministri i Infrastrukturës në Prishtinë, Liburn Aliu, ka theksuar se sipas marrëveshjes, kompanisë i është dhënë afat që punimet t’i përfundojë brenda 12 muajve.

    Ky projekt financohet nga huamarrja nga Fondi OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar me bashkëfinancim me Fondin Saudit të Zhvillimit, në vlerën 25 milionë euro.