Njëzet vjet më parë, shpërtheu revolta popullore kundër UNMIK-ut.
Pas përfundimit të luftës në qershor 1999, në Kosovë instalohet misioni i OKB-së, i cili lejoi krijimin e strukturave paralele serbe në Kosovë dhe ndikoi në ngulfatjen e ekonomisë së Kosovës.
Kështu më 17 mars 2004, filluan trazirat që më vonë janë përfolur shumë si “Trazirat e marsit”. Këto trazira filluan pasi që dy fëmijë shqiptar në pjesën veriore të Mitrovicës u mbytën në lumin Ibër. Disa fëmijë që mbijetuan në orët e vona po atë natë treguan para kamerave se ata ishin ndjekur nga serbët dhe duke ikur dy fëmijë kishin humbur jetën në lum.
Gjatë këtyre trazirave u vranë 19 persona, prej tyre ishin 12 shqiptarë. /KP/
Kërkesën për zgjedhje të reja në vend partitë opozitare po e shfaqin çdo ditë e më shumë. PDK e LDK këmbëngul që vendi duhet sa më shpejt të shkojë në zgjedhje të parakohshme, raporton Ekonomia Online.
Ndonëse kanë mbetur edhe pak muaj deri në përfundim të mandatit të Qeverisë Kurti, partitë opozitare shohin vetëm zhgënjim dhe mospërmbushje të premtimeve. Prandaj, zgjedhjet i shohin si zgjidhje reale.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, thotë për Ekonomia Online se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
“Mendoj që zgjedhjet e reja janë procesi me i domosdoshëm për këtë vend duke parë gjithmonë këtë qeverisje mënyrën e keqe të qeverisjes së këtij vendi dhe një situatë mjaftë e rëndë, qoftë ekonomike, qoftë në aspektet tjera të këtij vendi. Prandaj mendoj që sa më shpejt që është e mundur ne duhet të shkojmë zgjedhje dhe sovrani të vendos kush do ta udhëheq Kosovën vitet e ardhshme”, thotë Qalaj.
Përveç PDK-së zgjedhje të reja po kërkojnë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Deputetja e kësaj partie, Valentina Bunjaku-Rexhepi, thotë për Ekonomia Online se çdo ditë qëndrimi i kësaj qeverisje, dëmi është i madh. Prandaj, këmbëngul për të shkuar në zgjedhje.
“Edhe një ditë nëse vazhdon kjo qeveri është edhe dhjetëfish dëmi më i madh për qytetarët e republikës së Kosovës, normalisht që duhet me shku në zgjedhje po ne si opozitë e kemi të pamundur me dërgu Kosovën në zgjedhje sepse kemi pak numra në parlamentin e Republikës së Kosovës dhe kjo nuk ka ndodhur asnjëherë që një parti politike të votohet me kaq besim të madh mbi 50 për qind të deputetëve dhe me pas shumicën parlamentare e pa asnjë koalicion tjetër sikur që i ka ndodhur VV-së dhe pikërisht që kanë pasur numra mjaftueshëm në Parlament është dashur me dërgu agjendën e Kuvendit. E para dhe me sjell ligje për me u votu në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe kjo është një qeveri një mazhorancë që më së paku ka punuar në të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
“Sa i përket zgjedhjeve të reja atë minutë që zotëri Kurti është i gatshëm me hy në zgjedhje, Lidhja Demokratike e Kosovës me krahë hapur më shumë dëshirë do t’i pres zgjedhjet e reja sepse i ka dalë fytyra e vërtetë dhe kauzat e rrejshme të Kurtit tani më i kanë kuptuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe i falënderoj të gjithë qytetarët që ata më të vërtetë i kanë thirrur mendjes dhe e kanë ndryshuar bindjen karshi qeverisë krejt dhe drejtë krejt dhe rren”, u shpreh ajo.
Mendim të ngjashëm për të shkuar në zgjedhje nuk ka edhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi. Ai për Ekonomia Online, thotë se Qeveria Kurti duhet ta përfundojë mandatin e saj.
Madje, Abazi nuk i sheh aq serioze deklarimet e opozitës për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.“Nuk shoh ndonjë arsye sepse mendoj që Kurti duhet ta përfundoj mandatin e vet, ashtu siç i është dhënë. Nuk ka të interesuar nga opozita në formën serioze për ta rrëzuar këtë Qeveri duhet t’i lihet mundësia për të parë së fakt për katër vite ka arritur të bëjë minimalisht mos të themi asgjë në të mirën e Kosovës sepse ky mit i krijuar dhe premtimet që janë dhënë realisht janë përkthyer në asgjë tjetër përveç se një pushtet autokratik dhe populizëm dhe luftë propagandistike ndaj kundërshtareve politikë por asgjë konkrete në kuptimin e përmirësimit të jetës dhe realizimit të premtimeve të dhëna në fushatat elektorale”, u shpreh Abazi.
Pas 25 vjetësh Muharrem Muharremi do kthehet të jetojë në fshatin e lindjes.
Ai do vendoset në shtëpinë e re në Bistricë të Leposaviqit, të cilën ia ndërtoi Qeveria, meqë të vjetrën ia kishin djegur në luftë.
64-vjeçari ishte një ndër përfituesit e programit për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara gjatë luftës në pjesën veriore të vendit.
Në fshatrat e Leposaviqit, Cerajë e Bistricë farë pranë të qenët të banueshme janë edhe disa shtëpi tjera. Njëkohësisht njësi tjera banimi po rindërtohen e po rinovohen edhe në pjesë tjera të Veriut.
Por, asamblisti Betim Osmani, druan se procesi i kthimit të banorëve do të shtyhet edhe më, nëse punohet me këtë ritëm.
Marrëveshjet për ndërtimin e 20 shtëpive dhe rindërtimin e 4 të tjerave, ishin nënshkruar në shtator të vitit 2023 në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe përfituesve nga komunat veriore./atvlive.tv/
Dyshimet për varreza masive i kanë në disa lokacione në Serbi. Por pala kosovare ende nuk po lejohet t’i fillojë gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore, meqë Serbia po e bllokon procesin.
“Ne i kemi disa lokacione të shënuara në Serbi që potencialisht janë të dyshimta për vendndodhjen e personave të zhdukur, mirëpo për momentin për shkaqe politike nuk kemi ende qasje në atë zonë”, tha Ditor Haliti, udhëheqës i Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Ndonëse, po bëhen një vit nga aneksi i Ohrit që specifikon se çështja e të zhdukurve duhet të trajtohet me urgjencë, Serbia nuk po e zbaton.
Megjithatë, pala kosovare nuk po i ndal tentativat, ndonëse e shohin si sfidë të madhe.
“Ka me dhjetëra dhe qindra kërkesa në vazhdimësi që procedohen nga ana e komisionit qeveritar të Kosovës dhe nga ana e delegacionit të Kosovës, por edhe grupit punues. Është gjithmonë shqetësuese dhe sfiduese qasja e Serbisë kundër këtij procesi, pra edhe në kuptim të moscaktimit të datave për të vazhduar gërmimet në lokacionet e tyre, por edhe në kuptim të mosofrimit të të dhënave nga arkivat e tyre”, deklaroi Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Sipas Garës, janë disa lokacione që Serbia qëllimshëm po i fsheh, ndonëse thotë se kanë kërkuar edhe nga ndërkombëtarët që të bëjë presion mbi Serbinë.
“Ai grup punues ka arritur t’i identifikojë 16 varreza masive, deri më tani gjatë këtyre 25 viteve, ne kemi arritur t’i konfirmojmë vetëm 5 varreza masive në Serbi dhe pashmangshëm shtrohet pyetja se ku janë edhe 11 lokacione. Pra edhe kjo listë prej 11 lokacioneve, kërkesa për të mësuar këto lokacione, por edhe lista prej 8 lokacioneve që ke i kemi prezantuar në kuptim të kërkesave zyrtare”, shtoi tutje Gara.
Së fundmi gërmime në territorin e Serbisë janë kryer vitin e kaluar, në afërsi të minierës së Shtavalit, por që nuk është gjetur ndonjë mbetje.
Mbi dy dekada pas luftës, ende nuk dihet për fatin e mbi 1 mijë personave./atvlive.tv/
Në 125 faqe apo gati dyfish më shumë se ligji aktual është përpiluar Projektligji i ri për Bankat për të cilin diskutimi publik ka përfunduar. Në 143 nene, me projektligjin e ri ndryshohen kushtet për këto institucione financiare.
Nga hyrja në fuqi e këtij projektligji bankat duhet t’i kenë kapital në çdo kohë jo më pak se 10 milionë euro para të gatshme apo 3 milionë euro më shumë se sa e parasheh ligji aktual.
As në këtë projektligj nuk është përcaktuar përqindja e normave të interesit, por siç thuhet në nenin 71, Banka Qendrore e Kosovës mund ta bëjë një gjë të tillë.
Në projektligjin e ri u rriten edhe dënimet në rast se evidentohet që bankat kanë bërë shkelje.
Projektligji, sa ishte në diskutim publik komente mori vetëm nga Fondacioni Kosovar për Shoqërinë Civile në lidhje me mbrojtjen e konsumatorëve.
Ndërkaq pas diksuitmit publik ligji do të ju dorëzohet deputetëve fillimisht në komisione parlamentare e më pas do të dërgohet në seancë për miratim./atvlive.tv/
Për dy ditë me radhë në Kolegjin AAB u mbajt edicioni i tretë i Panairit të Karrierës dhe Punësimit, i cili përfundoi të shtunën.
Në të morën pjesë kompani të ndryshme, ndër të cilat ishte edhe PriBank, bankë kjo që është në vitin e dytë të punës.
“interesimi ishte i lartë. Jemi të kënaqur sepse është një mundësi e praktikës dhe punësimit në të ardhmen sepse jemi bankë që vetëm sa kemi startuar dhe kemi nevojë, pasi do të vazhdojmë të bëjmë hapjen edhe të degëve të tjera.”, tha Iliriana Matoshi-Agushi, menaxhere e burimeve njerëzore “Pribank”.
Veç tyre, për vitin e tretë me radhë, Play International sërish planifikojnë t’i bëjë pjesë të stafit studentët e Kolegjit AAB.
Pjesë e panairit ishin edhe disa spitale, që tashmë kanë të punësuar ish-studentët e Kolegjit AAB.
Në Panairin e Karrierës dhe Punësimit të organizuar nga Kolegji AAB, morën pjesë rreth 60 kompani./atvlive.tv/
Në stacionet e autobusëve në kryeqytet ende nuk ka tabela, të cilat do t’i njoftonin udhëtarët që përdorin transport publik me oraret e autobusëve.
Tërë këtë vonesë Komuna e Prishtinës e arsyeton se po bëhet një plan i ri për trafikun urban, megjithatë do t’i vijë radha. Në tabelat digjitale, pritet të përfshihen linjat publike dhe private.
“Pas mbylljes së xhepave ne veçse jemi në hartim të pikave të tjera e që është edhe tabela digjitale e cila do të vendoset në stacionet në qendër pastaj edhe më gjerë, do t’i përfshij të gjitha linjat…”, tha Gent Sejdiu, projekt-menaxher për transformimin e transportit publik.
Mirëpo, në anën tjetër, qytetarët ende janë të zemëruar me mbylljen e xhepave.
Sipas tyre, kjo nuk do duhej të ishte fare pjesë e projektit meqë prish idetë vijuese për transformim.
Duke thënë se nuk ka në plan të ndërroj planet mbi projektin, në vazhdimësi nga komuna priten edhe pika të tjera për transportin publik.
Në kuadër planit për transformimin e transportit publik, në gjashtë mujorin e parë të vitit 2024, komuna e Prishtinës ka premtuar se do të jenë në dispozicion të udhëtarëve edhe 30 autobusë të rinj, 6 elektrikë, kurse 24 do të jenë diesel./atvlive.tv/
Në nëntor të 2020-ës, Ministria e Drejtësisë e Kosovës ngriti padi në Mal të Zi, duke e kërkuar kthimin e pronësisë në një parcelë 4.5 mijë hektarëshe në Budva, që pretendon se e ka blerë më 1963.
Por, as pas gati tri vjet e gjysmë, Avokati i Shtetit thotë se nuk ka nisur procedura gjyqësore për pronën bregdetare, të njohur si “Ganimete Tërbeshi”, në zonën kadastrale të Beçiqit.
Kosova asokohe, këtë pronë e shfrytëzonte për t’i akomoduar qytetarët që i dërgonte për ekskursione në Budva.
Në këtë rast, padia është ngritur ndaj Komunës së Budvës dhe kompanisë “Sunraf Beach Properties”. Këto të dyja, e as gjykata, nuk i janë përgjigjur pyetje të ATV-së për rastin.
Sipas avokatit Visar Rrecaj, ky proces mund të marrë kohë për shkak të lëndëve të shumta të këtij lloji, kurse thotë se nuk duhet të ndikohet nga politika.
“Mund të marrin kohë 3-4 vjet derisa të fillojnë seancat, ka shumë konteste pronësore. Është çështje civile dhe nuk do të duhej të kishte probleme politike… Meqë, pronat janë blerë në ish-sistem, është proces i ndërlikuar…”, deklaroi avokati Rrecaj.
Avokati i Shtetit është i përfshirë edhe në një rast tjetër në Mal të Zi, pasi një qytetar e ka paditur Kosovën, për ta zgjidhur një kontratë pronësore në ish-Jugosllavi.
Në tërësi, Agjencia Kosovare e Privatizimit pretendon t’i ketë 35 asete në shtetin malazez, në qytetet Podgoricë, Nikshiq, Cetinje, Budvë, Tivar, Tivat, Berane dhe Bjello Pole. AKP-ja synon ta kthejë kontrollin në të gjitha këto.
Shumica e këtyre aseteve janë lokale afariste./atvlive.tv/
Ambasada amerikane në Prishtinë përmblodhi vizitën e emisarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke treguar për takimet e tij dhe qëllimin e vizitës.
“Ambasada e SHBA-së në Prishtinë mirëpriti Zëvendësndihmës Sekretarin Gabriel Escobar për një vizitë në Kosovë këtë javë, ku u takua me liderët kosovarë, opozitën, shoqërinë civile dhe përfaqësues të mediave për t’i dhënë mbështetje çuarjes përpara të disa çështjeve urgjente”, shkruan ambasada.
Gjithashtu, ajo përmend edhe ‘sfidat’ aktuale në marrëdhëniet dypalëshe, por zotohet se mbështetja e SHBA-së për Kosovën është e palëkundur.
“Siç theksoi Zëvendësndihmës Sekretari Escobar, përderisa kemi disa sfida në marrëdhëniet tona dypalëshe aktualisht, mbështetja jonë për popullin e Kosovës është e palëkundur”.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka dhënë detaje lidhur me Ndërmarrjen “Korporata e Ruajtjes së Energjisë”, e cila u themeluar në mbledhjen e fundit të Qeverisë.
Sipas Rizvanollit, kjo korporatë do të ketë në pronësi dhe do të menaxhojë 125MË të kapacitetit të baterive të Programit Kompakt mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Tutje ka thënë se do të ofrojë shërbime si: arbitrazhi i energjisë, balancimi i sistemit energjetik, operimi i sistemit të ruajtjes së energjisë, tregtimi i energjisë së ruajtur në rajon dhe modelimin përmes teknologjisë informative dhe simulimi i sistemit.
“Përmes grantit më të madh në histori të vendit tonë po ndërtojmë kapacitetet e ruajtjes së energjisë ndër më të mëdhatë për kokë banori në Evropë, e që do të menaxhohen nga kompania më e madhe në rajon e kësaj natyre!”, ka shkruar Rizvanolli.