ATV

Tag: Ballina

  • BE-ja vazhdon me presion për zbatim, presidentja fajëson Serbinë

    BE-ja vazhdon me presion për zbatim, presidentja fajëson Serbinë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në prag të takimit të radhës të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në njëvjetorin e dakordimit të shtojcës së Ohrit, Bashkimi Evropian shprehu zhgënjimin për nivelin e ulët të zbatimit.

    Megjithatë, BE-ja nuk heqë dorë nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve ballkanike.

    “Fatkeqësisht, përkundër mbështetjes së gjerë nga Bashkimi Evropian dhe asaj ndërkombëtare, Serbia dhe Kosova kanë arritur përparim shumë të kufizuar. Së shpejti do të ketë një takim të ri të kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Më vjen shumë keq që kjo marrëveshje, e cila ishte shumë e vështirë për t’u arritur, nuk është zbatuar. Ne do të vazhdojmë të bëjmë presion ndaj dy palëve, në mënyrë që të lëvizim përpara”, ka thënë përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell.

    Për mungesën e rezultateve në zbatim, presidentja Vjosa Osmani fajësoi Serbinë.

    “Serbia ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje, e cila qartë i kërkon që të mos shkelë integritetin territorial të Kosovës, që ta njohë subjektivitetin ndërkombëtar dhe parimin e barazisë së palëve, që të mos votojë kundër Kosovës në organizata ndërkombëtare, që të mos përdorë dhunë në relacionet ndërshtetërore”, tha Osmani.

    Duke përmendur refuzimin për propozimin paraprak të sekuencimit, ajo vlerësoi se plani i ri i balancuar do të ishte çelës për zbatim të plotë.

    “Plani i sekuencues i zbatimit të ketë parasysh që si Kosova, si Serbia, t’i zbatojnë në mënyrë paralele, të menjëhershme, obligimet e tyre. E jo që njëra palë t’i ketë të gjitha përfitimet në fillim, e pastaj për Kosovën të mendohet krejt në fund, sepse kjo do të na krijojë edhe një situatë ku Serbia përfiton, kurse Kosovës i thuhet prit edhe pak, jep edhe më shumë, jep edhe më shumë. Kjo nuk është një strategji që ka sjellë më shumë paqe”, tha Osmani.

    Dokumenti i sekuencimit apo renditjes së zbatimit të obligimeve nga marrëveshja bazë dhe shtojca, krahas rregullores së BQK-së, është temë kryesore në takimin e ftuar për të martën, ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.

  • Votimet për shkarkim të kryetarëve në veri do të mbahen në shkolla

    Votimet për shkarkim të kryetarëve në veri do të mbahen në shkolla

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Votimet për kryetarë të katër komunave veriore në prill të vitit të kaluar, u bënë në objekte të improvizuara.

    Serbët përveç që bojkotuan pjesëmarrjen, bllokuan edhe objektet shkollore që të mos përdoreshin për këtë proces.

    Por, jo edhe tash kur pritet të votohet për shkarkimin e kryetarëve, meqë votimi do të organizohet pikërisht në objekte shkollore.

    Janë gjithsej 44 qendra ku qytetarët do mund të votojnë pro, apo kundër shkarkimit nga pozita të Lulzim Hetemit, Izmir Zeqirit, Ilir Pecit dhe Erden Atiqit.

    18 nga to do të jenë në Leposaviq, 12 Zubin-Potok dhe nga 7 në Zveçan e Mitrovicë të Veriut.

    Në mbledhjen e së hënës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi edhe për komisionet komunale zgjedhore.

    Qytetarët që kanë paqartësi sa i përket votimit, do mund të kërkojnë ndihmë nga KQZ-ja përmes telefonit.

    Të drejtë vote për ta kryer këtë proces në katër komunat veriore, kanë gjithsej 46.248 qytetarë.

    Varësisht nga numri i votuesve në një komunë, nevojitet që pro shkarkimit të kryetarit të votojnë 50 për qind plus një, në mënyrë që nisma të ketë sukses.

    Votimi do të mbahet më 21 prill.

  • Për rastin që ndodhi në 2012-n, Dardan Krivaqa deklarohet i pafajshëm

    Për rastin që ndodhi në 2012-n, Dardan Krivaqa deklarohet i pafajshëm

    Përgatiti: Nora Luta

    I dënuar me burgim të përjetshëm nga shkalla e parë për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa të hënën u soll në Gjykatën Themelore të Ferizajt.

    Këtë herë nën akuzat për një vepër penale që e kreu në dhjetor të 2012-s, kur Marigona ishte vetëm 9 vjeçare.

    Gati dhjetë vjet nga ngritja e aktakuzës më 9 dhjetor të 2014-s, rasti në të cilin akuzohen për një grabitje në kazinon “Kajot”, edhe Anton Beluli e Arbnor Lika, nuk ka marrë një epilog.

    Në seancën e së hënës procesi gjyqësor nisi nga fillimi, pasi kryetari i trupit gjykues që e kishte rastin Idriz Ibrahimi u pensionua.

    Tash shqyrtimin do ta drejtojë gjyqtarja Fitore Daci, e cila njoftoi se procedura ndaj Anton Behlulit është veçuar për shkaqe shëndetësore.

    Ndërsa, Dardan Krivaqa, e i akuzuari tjetër Arbnor Lika u deklaruan të pafajshëm.

    Megjithëse, sipas aktakuzës, Krivaqa, i njohur për organet e drejtësisë për shkak edhe të rasteve të tjera, gjatë marrjes në pyetje kishte pranuar rolin e tij si roje në grabitje.

    “Dardan Krivaqa ka deklaruar se ditën kritike, së bashku me Arbnor
    Likën dhe Anton Behlulin kanë shkuar te kazino “Kajot”, në Ferizaj, ku pas marrëveshjes, ai ka bërë roje pranë kazinosë, kurse dy të pandehurit
    tjerë kanë vendosur maskat, kanë shkuar në kazino dhe pas 2 – 3 minutave kanë dalë nga kazino. Pranon faktin se fillimisht ia kishin dhënë 40 €, duke i thënë se nuk kanë marrë me shumë dhe janë shpërndarë, të nesërmen në telefon e ka ftuar Arbor Lika ku janë takuar te kafeneja “Enter”, ku aty kishte qenë edhe Antoni dhe që të dy ia kanë dhënë nga 100 € dhe i thonë që për këtë rast mos fol me askënd”, thuhet në Aktakuzën e Prokurorisë.

    Shqyrtimi kryesor në këtë rast vazhdoi me dëshminë e Sefedin Dernjani, i cili është në vuajtje të dënimit për një tjetër rast, ndërsa do të vazhdojë muajin tjetër, ku pritet të shfaqen pamje nga kamerat e sigurisë në kazino në ditën kur kishte ndodhur grabitja.

    Seanca e fundit në këtë rast ishte mbajtur në korrik të 2022-s, ndërsa gjykata nuk ka treguar se pse ka zgjatur procedura që nga ngritja e aktakuzës në 2014-n, por vetëm ka ofruar datat e seancave të mbajtura.

    Ndërkohë, Dardan Krivaqa u dënua në gusht të 2022-s me burgim të përjetshëm, për vrasjen e Marigona Osmanit, por Apeli e ktheu në rigjykim në shkurt të këtij viti.

  • Nga 30 qershori, të gjitha faturat dërgohen me zarf

    Nga 30 qershori, të gjitha faturat dërgohen me zarf

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Faturat mund të mbesin për kohë të gjatë në këtë gjendje, nëse konsumatorët nuk gjenden në shtëpi.

    Prandaj edhe mund të bien në duart e të tjerëve, që nuk u përkasin.

    Me këtë rast, mund të merren të dhënat personale të individëve.

    Kjo është arsyeja pse Agjencia për Informim dhe Privatësi u ka kërkuar ndërmarrjeve që faturat t’i fusin në zarf, nga 30 qershori e tutje.

    “Duke pasur parasysh shkeljet e privatësisë e cila njëherazi është vepër penale, ndërmarrjet publike duhet të përgatiten për këtë, iu kemi dhënë afat kohor, dhe pas kësaj date veç duhet të fillohet zbatimi…”, tha komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku.

    Nëse pas datës së caktuar, përsëri ka shkelje, konform ligjit për mbrojtjen e privatësisë, do të pasojnë gjoba.

    “I lusim ndërmarrjet për seriozitet pasi gjobat nuk janë aspak të ulëta, janë nga 20 e deri në 40 mijë euro, nëse përsëritet mund të shkojë edhe në mbyllje të ndërmarrjes”, tha Sogojeva-Dermaku.

    Ndërmarrja “Termokos” thotë se do të bëhet gati tek për sezonin e ardhshëm, meqë kanë mënyrë tjetër të faturimit.

    “Është plotësisht me të drejtë, ne si ndërmarrje me të marrë informatën kemi filluar përgatitjet menjëherë dhe do të bëjmë gjithçka që na kërkohet për mbrojtje të privatësisë, për sezonin e ardhshëm do jemi gati me këtë pasi që mënyra e shpërndarjes sonë dihet”, tha kryeshefi ekzekutiv i NP “Termokos”, Fisnik Gashi.
    Kundërshtime nuk ka as Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.

    “Ne jemi të informuar për këtë. Menaxhmenti i KRU ‘Prishtina” është në proces të përgatitjes dhe bisedimeve për të vepruar”, thuhet në njoftimin e Kompanisë Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.

    Kërkesa e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, përfshin ndërmarrjet publike qendrore dhe ato lokale.

  • Escobar i flet Serbisë nga Podgorica: Mesazhet e saj për Kosovën s’e ndihmojnë stabilitetin e rajonit

    Escobar i flet Serbisë nga Podgorica: Mesazhet e saj për Kosovën s’e ndihmojnë stabilitetin e rajonit

    Pas vizitës që pati në Kosovës zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gabriel Escobar sot ka vizituar Malin e Zi.

    Pas një takimi që pati me kryeministrin Milojko Spajiq në Podgoricë, që të dy dolën në një konferencë të përbashkët.

    Derisa konfirmoi miqësinë e mirë që SHBA ka me Malin me Zi dhe aleat brenda Aleancës, Escobar dërgoi një mesazh edhe për Serbinë.

    Derisa tha se SHBA nuk ka dhënë asnjëherë ndonjë koment për politikën e brendshme të Malit të zi, ai numëroi tri shtete fqinje të Malit të Zi për të cilat thotë se po punojnë për ruajtjen e stabilitetit, përvec njërit i cili po i dërgon mesazhe Kosovës.

    “Ajo që themi është se Mali i Zi duhet të vazhdojë të jetë i orientuar pro-evropian. Në këtë periudhë kur tri shtete fqinje po na ndihmojnë për të ruajtur stabilitetin… e ka një që nuk po punon për këtë por po dërgon mesazhe për Kosovën, jemi të vetëdijshëm se duhet të jemi të fokusuar në rrugën progresive të Malit të Zi”, tha Eskobar, i cili e pranoi se ndikimi malinj i Rusisë është shumë i pranishëm në Ballkan.

    Duke komentuar raportin e NATO-s për vitin e kaluar, Escobar thotë se erdhi në Ballkan pasi vizitoi institucionet e NATO-s, selinë dhe pa “entuziazëm të jashtëzakonshëm sepse anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës ndikoi pozitivisht në zhvillimin e mëtejshëm të situatës”.

    Kjo deklaratë e Escobar, erdhi vetëm një ditë pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka takuar fëmijët serbë të Kosovës, gjatë një organizimi në Beograd.

  • Osmani: Është arritur pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për dinarin

    Osmani: Është arritur pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për dinarin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje.

    Sipas saj, ideale do të ishte nëse do të arrihej një marrëveshje për të në Bruksel, më 19 mars, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

    Ajo ka thënë se është shumë pozitive “që komuniteti ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara pajtohen që mos të ketë qarkullim të dinarit në Kosovë”.

    “Me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje ato dërgesa, ajo ndihmë financiare që vjen nga Serbia, të arrijë në euro dhe jo në dinarë, dhe kjo besoj që e zgjidh një pjesë të madhe të problemit me të cilin jemi ballafaquar në të kaluarën”.

    Sa i përket pjesës së dytë të propozimit, ajo ka thënë se autoritetet e Kosovës janë duke shqyrtuar mënyra për të garantuar që ndihma që niset prej Serbisë për komunitetin serb në Kosovë “mos të shkojë në duart e personave që kanë abuzuar, që janë korruptuar dhe i kanë marrë paratë kinse në emër të qytetarëve, por i kanë shfrytëzuar për krim të organizuar. Për atë pjesë është duke u hartuar një plan që do t’i përfshijë autoritetet e Kosovës”.

    Prej 1 shkurtit Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nisur të zbatojë një rregullore të re, e cila përcakton që euroja është valuta e vetme në përdorim për kryerje të pagesave me para të gatshme.

    Kështu është pamundësuar përdorimi i dinarit.

    Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë dhe ua nis atyre pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë në valutën e vet, dinarin.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka reaguar ashpër Kosovës për zbatim të rregullores, duke thënë se nevojitet një plan i qartë që nuk dëmton komunitetin serb, dhe se afati për zbatimin e saj ka qenë shumë i shkurtër./REL

  • Cramon: I mundshëm anëtarësimi i Kosovës në BE, qeveria të punojë në interes të qytetarëve pasi realiteti është zhgënjyes

    Cramon: I mundshëm anëtarësimi i Kosovës në BE, qeveria të punojë në interes të qytetarëve pasi realiteti është zhgënjyes

    “Qeverisë së Kosovës i mungon vullneti politik për përparim në integrimet evropiane të vendit. Kabineti ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në BE, por hapat e nevojshëm për përparim në këto aplikacione nuk janë bërë”, tha për agjencinë bullgare të lajmeve “BTA”, raportuesja e Parlamentit Evropian (PE) për Kosovën, Viola von Cramon.

    Sipas saj, ata thonë se duan të bëhen anëtarë të NATO-s, BE-së dhe Këshillit të Evropës, por nëse dikush i njeh rregullat e klubit, duhet të luajë me ato rregulla në vend që t’i shkelë ato.

    Ajo vazhdoi duke thënë se Qeveria e Kosovës aktualisht nuk po ua lehtëson aspak jetën qytetarëve; po dërgon sinjale shumë të përziera. Partnerët ndërkombëtarë janë të lodhur nga mosveprimi i Prishtinës, dhe kjo çoi në futjen e masave ndëshkuese nga BE-ja vitin e kaluar.

    Raportuesja e PE-së tha për se për t’u anëtarësuar në BE, Kosova duhet të njihet si një vend i pavarur nga shtetet anëtare, e pesë prej tyre nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

    “Të gjithë pajtohen se ka nevojë për përfundim të suksesshëm të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë. Do të ishte shumë më e lehtë për të gjithë nëse Kosova do të thoshte se i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe i plotëson të gjitha kriteret, atëherë BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë do të ushtrojnë presion të madh ndaj Serbisë për të përmbushur pjesën e saj. Megjithatë, Kosova nuk po e bën këtë, gjë që e bën jashtëzakonisht të lehtë për presidentin serb Aleksandar Vuçiq të thotë se nuk ka kuptim që ai të investojë kapital politik nëse nuk ka interes për përparim nga ana e Kosovës”, tha Von Cramon.

    Ajo ka komentuar edhe vendimin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës që transaksionet me para të gatshme duhet të jenë në euro që nga 1 shkurti.

    “Kosova si shtet sovran ka të drejtë të vendosë se cilën valutë do të përdorë, por mënyra se si u përpoq ta zbatonte atë vendim është problematike. Ata nuk informuan personat që do të prekeshin për vendimin; ata nuk qarkulluan informacione në serbisht për vendimin dhe nuk u bënë konsultime. E gjithë kjo ishte kundër interesave të njerëzve të zakonshëm”, argumentoi ajo.

    “Të gjithë në BE dhe Washington po pyesin pse po e bëjnë këtë, por, në fund të fundit, ata synojnë njerëzit e zakonshëm nga pakica serbe. Kur Kosova shpalli pavarësinë, ishte e qartë se bëhej fjalë për një shtet dhe shoqëri multietnike dhe nevojiten mekanizma për ta mbrojtur atë shoqëri multietnike. Megjithatë, partisë në pushtet dhe mbështetësve të saj tani nuk i intereson kjo”, tha Cramon.

    Sipas raportueses së PE-së, Kosova është plotësisht e mundur që të anëtarësohet në BE, por ajo shpreson të shohë një qeveri që punon në interes të qytetarëve të vendit për ta arritur këtë qëllim.

    “Realiteti aktual është ndryshe dhe mjaft zhgënjyes”, shtoi ajo.

    Ajo se asnjë nga mekanizmat e BE-së për trajtimin e krizave të tilla nuk ka qenë mjaft efektiv deri më tani, dhe vendosja e masave kufizuese që prekin drejtpërdrejt qytetarët e vendit do të ishte e padrejtë.

  • Mbi 46 mijë qytetarë me të drejtë vote në katër komunat veriore, në dispozicion do të jenë 44 Qendra të Votimit

    Mbi 46 mijë qytetarë me të drejtë vote në katër komunat veriore, në dispozicion do të jenë 44 Qendra të Votimit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka miratuar raportin jopërfundimtar të Listës së Votuesve për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, raporton Ekonomia Online.

    Sipas këtij raporti, numri jopërfundimtar i qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna është 46,248 votues apo 1,153 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar Komune të cilat janë mbajtur më 23 prill 2023, ndërsa numri i përgjithshëm i Qendrave të Votimit është 44.

    Me qëllim të funksionalizimit të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, janë caktuar Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së. Lidhur me këtë, në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për emërimin e rreth 20 anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, por që mund të plotësohet gjatë ditëve në vazhdim. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (2023) KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së.

  • FAZ: Rikthimi i Trump mund t’i hapë rrugë ringjalljes së idesë së shkëmbimit të tokave Kosovë-Serbi

    FAZ: Rikthimi i Trump mund t’i hapë rrugë ringjalljes së idesë së shkëmbimit të tokave Kosovë-Serbi

    Gazeta gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka paralajmëruar pasoja të mëdha nga projekti që bëri bujë së fundmi: Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan, Donald Trump planifikon investime në Shqipëri dhe Serbi.

    Gazetari Michael Martens shkruan në artikullin me titull “Çfarë po planifikon dhëndri i Trump në Ballkan” se “nëse vjehrri i tij Donald Trump bëhet president amerikan, marrëveshja mund të ketë pasoja të mëdha”.

    Një projekt i mundshëm investimi i dhëndrit të Trump, Jared Kushner në Serbi dhe Shqipëri ka ndezur debate të gjalla, veçanërisht në Beograd. T

    Të premten, Kushner konfirmoi planet për New York Times, të cilat gazeta i përdori si bazë për një raport gjithëpërfshirës mbi projektin. Kjo nga ana tjetër çoi në reagime të qarta nga qeveria serbe në fundjavë, shkruan FAZ.

    “New York Times” raportoi se në Beograd bëhej fjalë për ndërtimin e një hoteli dhe një objekti me “1500 njësi banimi” dhe në Shqipëri bëhej fjalë për ndërtimin e resorteve luksoze në bregdetin e Mesdheut.

    “Jemi shumë të emocionuar. Ne nuk i kemi bërë ende këto marrëveshje, kështu që ato mund të mos ndodhin, por ne kemi punuar shumë për to dhe jemi shumë afër”, citohet të ketë thënë Kushner nga gazeta.

    FAZ raporton se ish-i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë.

    Gazeta gjermane shkruan se projekti mund të rezultojë shumë i dobishëm politikisht për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, nëse Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

    FAZ ka përmendur një “marrëveshje të planifikuar” midis Ramës, Vuçiqit dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, për çështjen e shkëmbimit, që sipas gazetës, ishte në prag të realizimit.

    Sipas një marrëveshjeje të planifikuar në atë kohë, e cila u përfol si një ‘shkëmbim tokash’, Martens shkruan se veriu i Kosovës do t’i kishte rënë Serbisë dhe jugu do të kishte tendencë drejt Shqipërisë.

    FAZ shkruan se marrëdhëniet e mira me Trumpin, mund t’i hapin rrugë Ramës dhe Vuçiqit për ta ringjallur këtë plan.

  • Foda është optimist për rezultate të mira të Kosovës, tregon arsyet pse nuk u ftuan Krasniqi, Zyba dhe Hyseni

    Foda është optimist për rezultate të mira të Kosovës, tregon arsyet pse nuk u ftuan Krasniqi, Zyba dhe Hyseni

    Selektori i ri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, është shprehur optimist për rezultate të mira në dy ndeshjet miqësore të marsit, kundër Armenisë dhe ndaj Rumanisë, raporton EO.

    Në konferencën e parë si selektor i Përfaqësues së Kosovës, trajneri gjerman zbuloi se në javët e fundit ka bërë shumë udhëtime për t’i përcjellë nga afër lojtarët, ndërsa tregoi se është takuar me disa prej tyre,

    Dardanët do të luajnë me Armeninë më 22 mars dhe katër ditë më vonë me Hungarinë me të dyja sfidat që luhen në udhëtim.

    “Në javët e fundit kemi udhëtuar shumë, i kemi shikuar lojtarët. Po ashtu, jam takuar personalisht me lojtarët, kishim shumë biseda të mira. Dhe, kemi kënaqësinë të fillojmë të punojmë me lojtarët dhe të luajmë në Armeni. Sot do të marrin pjesë 17 lojtarë në stërvitje, s’jemi ende të kompletuar pasi kanë pasur ndeshje në fundjavë. Ata janë të gatshëm”, deklaroi Foda.

    “Kemi një plan të qartë të cilit do t’I përmbahemi për ndeshjen ndaj Armenisë. Kemi përcjellë ndeshjet e lojtarëve, por I kemi përcjellë edhe ‘online’ si kanë luajtur dhe kemi përzgjedhur këta lojtarë. Gjithsesi çdo lojtar e ka mundësinë të tregoj veten për lojërat e ardhshme. Së fundi kam punuar në Zuerich dhe pas një periudhe kam nënshkruar kontratën e re. Më ka ardhur oferta prej federatës së Kosovës. Kemi zhvilluar bisedime shumë të mira. Është përmendur se duan të ndërrojnë shumë gjëra në ekip. Kam punuar shumë me lojtarë të Kosovës te Zuerichu dhe te Kaiserslauterni. Kosova ka ekip shumë interesant dhe lojtar shumë interesant dhe jam shumë i sigurt që do të arrijmë rezultate të mira”.

    Foda tha se kohëve të fundit ka udhëtuar shumë për të parë edhe nga afër ndeshjet e skuadrave ku luajnë futbollistët kosovarë.

    “Ne kemi udhëtuar shumë. Në Bukuresht ishte ndihmësi im. Kemi pasur një grup prej 40-50 lojtarë.Por ne jemi përcaktuar për lojtarët që na kanë magjepsur më shumë. Gjithsesi secili prej këtyre lojtarëve duhet të tregojë më të mirën. Dyert janë të hapura për çdo lojtar. Secili do të ketë rastin për të treguar veten dhe të marr pjesë në ndeshje. Por po duam që këtyre lojtarëve që kemi përzgjedhur të kenë rastin të tregojnë veten. Në të ardhmen do të përcjellim vazhdimisht lojtarët. Këto ndeshje dhe ndeshjet në verë na shërbejnë për të bërë përzgjedhjen e më të mirëve”, ka shtuar ai.

    Foda u pyet për mos grumbullimin e tre futbollistëve si Ermal Krasniqi, Qëndrim Zyba dhe top shënuesi i Superligës, Muhamet Hyseni.

    Trajneri gjerman deklaroi se të gjithë futbollistët kanë qenë në vëzhgim dhe dera është e hapur për të gjithë edhe në grumbullimet e ardhshme.

    “Të gjithë futbollistët janë në vëzhgim tonin. Edhe ata që i përmendët janë pjesë e rëndësishme e Kosovës, por për këto dy ndeshje kemi vendosur për këta futbollistë që janë në listë. Dera është e hapur për të gjithë dhe edhe atyre do t’iu vije mundësia në grumbullimet e ardhshme”.