ATV

Tag: Ballina

  • Hapet edicioni i tretë i Panairit të Karrierës dhe Punësimit AAB 2024 me 60 kompani pjesëmarrëse

    Hapet edicioni i tretë i Panairit të Karrierës dhe Punësimit AAB 2024 me 60 kompani pjesëmarrëse

    Pas dy edicioneve tejet të suksesshme është hapur për herën e tretë me radhë Panairi i Karrierës dhe Punësimit AAB 2024, ku do marrin pjesë 60 kompani, institucione e organizata.

    Në ceremoninë hapëse të këtij panairi morën pjesë një numër i madh i studentëve, të cilët për dy ditë me radhë kanë mundësinë të takojnë punëdhënësit e tyre potencial.

    Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, ka përshëndetur iniciativën për organizim të ngjarjeve të tilla, duke thënë se institucioni çdoherë synon përgatitjen e kuadrove që i përgjigjen kërkesave të tregut të punës.

    “Kolegji AAB qysh në fillet e para të themelimit frymëzuar nga kërkesat e tregut të punës dhe industrisë ka hapur programet e para për arsim të lartë të afta për t’iu
    përgjigjur kërkesave të tregut. Ky frymëzim dhe ky qëllim është ende i pranishëm në mesin tonë dhe po dëshmohet në një event kaq të bukur që tashmë është bërë traditë e institucionit”, tha Olluri.

    Edhe Edi Muhaxhiri nga spitali “Fati im” dhe Gëzime Rexhepi Qollaku drejtoreshë e kopshtit “Bardha”, në një fjalë rasti si pjesëmarrës për herën e tretë me radhë, thanë se kjo është një mundësi e pakrahasueshme për të gjithë studentët për të nisur karrierën profesionale. Gjithashtu ata përmendën faktin se dhjetëra studentë të Kolegjit AAB sot janë të punësuar si punonjës shëndetësor te spitali “Fati im” dhe si edukatore në kopshtin “Bardha.

    Në fund të ceremonisë të pranishmit vizituan panairin, duke parë nga afër mundësitë që ofrohen nga kompanitë pjesëmarrëse. Panairi është i hapur edhe me datën 16 mars nga ora 10:00 – 15:00.

  • ​Escobar: Kurti refuzoi propozimet për dinarin

    ​Escobar: Kurti refuzoi propozimet për dinarin

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit që kanë të bëjnë me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

    “Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë”, ka deklaruar Escobar.

    I pyetur nëse ky është lajmi i fundit nga kryeministri, Escobar është përgjigjur duke thënë se “Ky është lajmi i fundit”.

    “Unë ende jam duke shpresuar që, derisa kryenegociatorët do të takohen në Bruksel të martën, ata do ta gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i lejuar transferet e parave të gatshme në euro për këta njerëz”, ka deklaruar tutje ai.

  • Qeveria del me njoftim për takimin me Escobarin, tregon se çfarë i tha Kurti emisarit, por s’tregon kërkesat e amerikanit!

    Qeveria del me njoftim për takimin me Escobarin, tregon se çfarë i tha Kurti emisarit, por s’tregon kërkesat e amerikanit!

    Qeveria e Kosovës ka dalur me njoftim për takimin e djeshëm të Kurtit me Escobar. Në komunikatë tregohet se çfarë i tha Kurti emisarit amerikan, por ka asnjë detaj për kërkesat e Escobarit ndaj Qeverisë së Kosovës.

    “Duke kujtuar takimin e fundit që kishin së bashku nga tetori i vitit të kaluar, kryeministri e falënderoi z. Escobar për vizitën dhe foli për zhvillimet që kanë shënuar këta pesë muaj.

    Kryeministri tha se sulmi ndaj nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, duhet dënuar.

    Sulmi është vazhdimësi e kërcënimeve të Serbisë ndaj sigurisë së Kosovës pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë ku mbet i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërkohë që kryesit e këtij sulmi ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi.

    Në lidhje me rregulloren e Bankës Qendrore, Kryeministri pati diskutim përmbajtjësor të fokusuar në adresimin e shqetësimeve të përbashkëta. Ai tha se vendimi i Bankës Qendrore është vendim i një institucioni të pavarur dhe profesional. Për shkak të ndikimit të rregullores në komunitetin serb të Kosovës, qeveria ka bërë veprime për të siguruar që tranzicioni të jetë i shpejtë dhe i lehtë për qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb.

    Në këtë drejtim kryeministri theksoi edhe propozimet që janë prezantuar për periudhën tranzitore dhe ofroi bashkëpunimin në adresimin e shpejtë të të gjitha shqetësimeve që bien në kompetencat e qeverisë” thuhet në njoftimin e Qeverisë.

    Kryeministri e falënderoi z. Escobar për rolin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tha se sukseset e Kosovës dhe të popullit të saj janë suksese të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në takim, kryeministri ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

  • Pas vizitës së Escobarit në Kosovë, edhe Lajçaku sot te Vuçiqi

    Pas vizitës së Escobarit në Kosovë, edhe Lajçaku sot te Vuçiqi

    Përfaqësuesin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, sot pasdite do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Sipas kumtesës së shërbimit për media të Vuçiqit, takimi do të fillojë në ora 18, dhe do të mbahet në ndërtesën e Sekretariatit të përgjithshëm të presidencës serbe.

  • Parlamenti Evropian miraton ligjin e parë në botë për inteligjencë artificiale

    Parlamenti Evropian miraton ligjin e parë në botë për inteligjencë artificiale

    Evropa ka arritur në vijën përfundimtare të Aktit të Inteligjencës Artificiale (AI), një kornizë monumentale rregullash mbi inteligjencën artificiale që e bëjnë BE-në lider në botë në rregullimin e teknologjisë së re.

    Me një shumicë të madhe, Parlamenti Evropian dha miratimin përfundimtar për Aktin e AI, i cili tani do të duhet të miratohet nga Këshilli Evropian përpara se të bëhet ligj.

    Ky është një formalitet pasi ambasadorët e BE muajin e kaluar dhanë gjithçka të qartë, duke kapërcyer rezistencën e fundit ndaj ligjit. Korniza e rregullave për zhvillimin, futjen në treg dhe përdorimin e sistemeve të AI në BE mbahet nga një ekuilibër delikat midis përpjekjes për inovacion dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe qëndrueshmërisë mjedisore.

    Qasja e bazuar në rrezik, e miratuar nga legjislacioni, sipas së cilës një sërë detyrimesh u jepen zhvilluesve dhe ofruesve të sistemit të AI në bazë të niveleve të ndryshme të rrezikut të identifikuar, është inovative. Kur rreziku është i papranueshëm, hyjnë ndalimet. Ky është rasti, për shembull, me teknikat manipuluese dhe njohjen e emocioneve, të cilat janë ndaluar në shkolla dhe vendet e punës.

    Dhe pastaj është rasti i njohjes së fytyrës, i cili lejohet vetëm për autoritetet ligjzbatuese dhe i nënshtrohet kushteve strikte. Një tjetër element i ri është seksioni i kushtuar AI gjeneruese, i cili u fut në mes me synimin për t’i dhënë një përgjigje fillestare shqetësimeve të ngritura nga përhapja jashtëzakonisht e shpejtë e sistemeve të tilla si ChatGPT.

    Komisionari i Tregut të Brendshëm “Demokracia 1 – Lobi 0”, Thierry Breton, postoi me kënaqësi në rrjetin X, pasi mbeti i papërkulur nga presioni nga Parisi, i cili donte një dorë më të lehtë në AI gjeneruese për të promovuar yjet në rritje të biznesit francez, para së gjithash Mistral.
    Rrjeti X ishte i mbushur me komente entuziaste për votimin, duke filluar me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e cila tha se rregullat e reja do të ishin “një model për AI të besueshme në të gjithë botën”.

    Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola tha se ishte “krenare” në emër të eurodeputetëve për një akt “që ndërthur udhëheqjen, inovacionin dhe respektimin e të drejtave themelore”.

    Roma përshëndeti gjithashtu miratimin e ligjit në PE, me nënsekretarin Alessio Butti që lavdëroi punën “serioze, të heshtur” të qeverisë së Giorgia Meloni për “të mbizotëruar linjën italiane që synon rregulla të caktuara, të holla, në vend të vetërregullimit të thjeshtë nga kompanitë”.

    Bashkë-raportuesi i Aktit të AI, Brando Benifei, i pa gjërat ndryshe, duke thënë se qeveria italiane ka qenë “shumë munguar dhe ndonjëherë e ngatërruar” gjatë negociatave.
    Përveç fërkimeve politike, kreu i delegacionit të Partisë Demokratike (PD) në parlament tha se ka qenë një “ditë historike”, duke theksuar se teksti përfundimtar “pasqyron shumë prioritetet e Parlamentit Evropian, diçka që nuk e bën këtë shumë shpesh”.

    Shumica në pushtet dhe partitë opozitare të Italisë votuan pro, me përjashtim të Lëvizjes 5-Yje (M5S), e cila paralajmëroi për rrezikun e krijimit të “barrierave të hyrjes, rritjes së ndarjeve dhe dekurajimit të inovacionit evropian”.
    Ky nuk ishte zëri i vetëm kritik. Amnesty International tha se ishte “zhgënjyese” që BE-ja u kishte dhënë “përparësi interesave të industrisë dhe forcave të zbatimit të ligjit mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

    Business Europe i bëri thirrje BE-së të mbështesë “kompanitë që inovojnë” dhe të lehtësojë “qasjen në kapital dhe financim për zhvillimin e AI”, për shkak se “Evropa ka ende shumë terren për të bërë në garën e AI”. /ANSA

  • Gërvalla thotë se pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës është çështje muajsh

    Gërvalla thotë se pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës është çështje muajsh

    Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, në emisionin CONTEXT në ATV, ka lënë të kuptohet se pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mund të jetë çështje muajsh.

    Ajo thotë se, nëse kërkesa për anëtarësim kalon në muajin prill, ka mundësi që në maj me rastin e 75-vjetorit të formimit të Këshillit të Evropës, Kosova të jetë anëtarja më e re.

    “Nëse në prill kalon kërkesa jonë, merr votën masive për të kaluar rekomandimin në Këshillin Ministror përsëri, atëherë shpresojmë që në takimin e majit kah mesi i majit do të jetë takimi i ministrave të Jashtëm, të cilët njëkohësisht do të festojnë 75-vjetorin e formimit të Këshillit të Evropës edhe aty shpresojmë që Kosova do të jetë anëtarja më e re”, tha Gërvalla. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të ministres Gërvalla në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Gërvalla: Ledhatimi i Serbisë nuk është diçka sekrete

    Gërvalla: Ledhatimi i Serbisë nuk është diçka sekrete

    Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ledhatimi i serbisë nga Bashkësia Ndërkombëtare.

    “Ledhatimi i Serbisë nuk është kurrfarë sekreti, ajo nuk është fjalor vetëm i institucioneve të Republikës së Kosovës, por po të ndiqni mediat ndërkombëtare, po të lexoni gazetat më prestigjioze, po të shihni deklaratat e ë burrështetasve të tjerë, do ta shihni që ka një ledhatim të dukshëm të Vuçiqit, i cili edhe pse nuk heziton madje edhe të sulmojë me paramilitarë fqinjë e tij, prapëseprapë ka një lloj hezitimi për ta ballafaquar me pasojat e veprimeve të tilla”, tha Gërvalla. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të ministres Gërvalla në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Përveç “Elektroseverit”, qytetarët në veri “mund të zgjedhin furnizues të tjerë”

    Përveç “Elektroseverit”, qytetarët në veri “mund të zgjedhin furnizues të tjerë”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Elektroseveri nuk do të jetë opsioni i vetëm për furnizim me energji elektrike për qytetarët në katër komunat me shumicë serbe në veri.

    Jo-zyrtarisht, këtë e konfirmuan edhe në Zyrën e Rregullatorit për Energji, teksa në KESCO thanë se aktualisht nuk kanë qasje në veri.

    Ndonëse nuk është qartësuar tërësisht si proces, diçka e tillë mirëpritet nga përfaqësues politikë lokalë.

    “Është mirë që qytetarëve t’u jepet zgjedhja në dy opsione dhe qytetari, normalisht të zgjedhë opsionin më të lirë”, tha Skender Sadiku, zv.kryesues i Kuvendit Komunal në Mitrovicë e Veriut.

    Megjithatë, gazetari Branislav Krstic vlerëson se kjo mund të jetësohet në një fazë të mëvonshme.

    “Në qoftë se ekziston një kompani e cila është e zgjuar, me çfarë konsumatorësh ka në veriun e vendit, edhe ajo do të jetë e mundshme pas një marrëveshje konkrete midis KEDS-it dhe Elektroseverit”, tha Krstic.

    Në Elektrosever nuk dhanë një përgjigje përtej asaj që shkruan në fletushkë.

    Në fund të muajit të kaluar, krahas faturave fikse ose paushall, kjo kompani u dërgoi konsumatorëve edhe propozim-kontratat për furnizim.

    Ky zhvillim krahas nisjes së pagesës vlerësohet pozitiv.

    “Kjo është një shenjë e normalizimit edhe pse kushtimisht prek xhepin e qytetarit, por kjo është e mirë sepse ideja e mos-pagesës duhet të luftohet, definitivisht, sepse dikush ka paguar”, tha Sadiku.

    Krahas kritikave për fushatë informuese jo-serioze, Krstic është optimist për nisjen e procesit të matjes së konsumit dhe faturave të bazuara në të.

    “Jam i sigurt që deri në maj do të kemi një situatë ku do të kemi 90% e konsumatorëve janë të regjistruar”, tha Krstic.

    Propozim-kontrata për konsumatorët në katër komunat në veri, ka gjithsej 17 nene dhe është tërësisht e shkruar në cirilikë.

  • Opozita përkrah vendimin, kritikon Kurtin për shkelje të kauzave

    Opozita përkrah vendimin, kritikon Kurtin për shkelje të kauzave

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Vendimi i Qeverisë për t’i dhënë leje Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për pronat në favor të Manastirit Ortodoks të Deçanit, nxiti reagimin opozitar.

    Megjithëse, një hap të tillë po e vlerësojnë si obligim, krerët e tri partive më të mëdha opozitare kritikojnë Kurtin për ndryshim të qëndrimit të kahershëm.

    Duke folur për takimin e përbashkët që patën të mërkurën mbrëma, me Emisarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ata vlerësojnë se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës nuk kanë qenë asnjëherë në nivel më të ulët.

    Megjithatë, ambasadat e huaja në Kosovë, përfshirë edhe atë të SHBA-së e kanë mirëpritur vendimin e së mërkurës të kryeministrit Kurti, duke e quajtur të vonuar por të domosdoshëm.

  • Kosova drejt Këshillit të Evropës pa kushte të tjera

    Kosova drejt Këshillit të Evropës pa kushte të tjera

    Përgatiti: Armand Hoti

    Zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për bartjen e pronësisë të 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, qe parakusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Në fund të muajit maj, këshilli i Ministrave i KiE-së, do të vendosë nëse Kosova do bëhet anëtari më i ri i organizatës me seli në Strasburg të Francës.

    Deputeti opozitar, Arben Gashi, njëherësh anëtar i delegacionit kosovar në KiE, nuk pret të ketë pengesa të tjera për anëtarësim.

    “Nuk ka asnjë indicie që mund të ketë probleme. Presim që në fund të këtij muaji raportuesja për Kosovë, të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme të komitetit për politik dhe demokraci dhe të rekomandojë anëtarësimin e Kosovës si vend, i cili i plotëson kriteret për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, jam optimist se kjo do të ndodhë”, tha Gashi.

    Edhe pse zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese e vlerëson si progres të ndjeshëm në rrugën drejt anëtarësimit, njohësi i integrimeve, Dritëro Arifi, nuk e përjashton mundësinë për vonesa.

    “Po besoj që kjo mund të jetë një pikënisje e mirë edhe për Kosovën edhe për Këshillin e Evropës që Kosova të paktën të hyjë në ato kanalet për anëtarësim, sepse nuk besoj që anëtarësimi mund të bëhet shumë shpejt, çfarë mund të bëhet është avancimi i Kosovës në KiE. Kjo nuk është më në dorën e Kosovës, por fati ynë është në mundësinë e aleatëve që të na avancojnë më tutje”, tha Arifi.

    Arifi theksoi se shteti është vonuar në marrjen e vendimeve, që do ta afronin anëtarësimin e shtetit në KiE.

    “Narracioni që është ndërtuar në Kosovë, që ne do të humbim dhe do të zhdukemi, pra një narracion shumë negativ për këtë çështje dhe u pa dje që Kosova nuk u zhduk, por vetëm u përforcua më shumë. Në fund të ditës mendoj që ka fituar shumica e shumica janë shqiptarë”, tha Arifi.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në majin e vitit 2022.
    I themeluar në vitin 1949, Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.