ATV

Tag: Ballina

  • ​Escobar gjatë vizitës në Kosovë takoi familjen e heroit Afrim Bunjaku

    ​Escobar gjatë vizitës në Kosovë takoi familjen e heroit Afrim Bunjaku

    Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës javën e kaluar në Kosovë, ka takuar drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe familjen heroit, rreshter Afrim Bunjaku, i cili mbeti i vrarë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

    Sipas njoftimit të policisë, Escobar shprehu ngushëllime familjes Bunjaku dhe Policisë së Kosovës për humbjen e jetës së rreshterit Afrim Bunjaku.

    “Gjatë vizitës së Zëvendës Ndihmës Sekretarit (ZNS) Gabriel Escobar në Kosovë, ai kërkoi dhe ju dha kohë për tu takuar me të venë dhe djemtë e rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, të cilët shoqëroheshin nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. ZNS Escobar, në prani të Ambasadorit të SHBA-së Jeffrey Hovenier, dhe Atasheut të DOJ-ICITAP-it Kimberly Riffe, shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta familjes për humbjen tragjike të babait/bashkëshortit të tyre. Ngjarja ishte shumë emocionuese dhe e përzemërt dhe personalitetet e larta i shprehën ngushëllimet e tyre familjes dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Më tej bëhet e ditur se Escobar është njoftuar në detaje nga drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha për sulmin ndaj policisë në Banjskë më 24 shtatori 2023.

    “Në një takim të veçantë, DP Hoxha informoi ZNS Escobarin dhe atasheun Riffe për sulmin ndaj policisë në Banjskë më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku, dhe situatën aktuale të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës. ZNS Escobar vlerësoi mundësinë për të komunikuar drejtpërdrejt më kreun e Policisë së Kosovës. DP Hoxha përcolli mirënjohjen e tij të thellë për Shtetet e Bashkuara dhe stafin e shumtë të ambasadës që ndihmojnë policinë dhe janë të përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës./kp/

  • Anulohen dy seanca në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Anulohen dy seanca në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III se në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit të anulohen seancat e datës 21 mars dhe 22 gusht 2024.

    Sipas trupit gjykues ky vendim është marrë për shkak se ka kontradikta në mes datave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndryshe, me fillim të seancës së sotme gjyqësore, gjyqtari Smith III tha se do të fillojë dëshminë dëshmitari i 49-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04811.

    Vlen të theksohet se sot e pranishme në seancën e gjyqit ishte edhe bashkmbrojtësja e re e ekipit të Thacit, Nina Tavakoli për të cilën u tha se do të parashtrojë pyetje për dëshmitarin.

    Po ashtu, ajo pati një çështje për të parashtruar mirëpo për këtë gjë kërkoi sesion privat gjë e cila u miratua nga trupi gjykues.

    Në fillim të seancës, Smith njoftoi se Thaçi dhe Krasniqi janë të pranishëm në sallë përmes video-lidhjes ndërsa dy të akuzuarit e tjerë janë fizikisht aty.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Bislimi dhe Petkoviq takohen nesër në Bruksel

    Bislimi dhe Petkoviq takohen nesër në Bruksel

    Nesër do të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

    Para pak ditësh zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se në Bruksel për të martën janë ftuar shefat e delegacioneve nga të dy vendet; Besnik Bislimi i Kosovës dhe Petar Petkoviq nga Serbia.

    Në këtë takim do të flitet me theks për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që dinari serb të mos përdoret si mjet pagesave.

    “Siç e kemi thënë nga takimi i parë, që ishte i dedikuar për vendimin e BQK-së, duhen më shumë bisedime”, ka thënë Stano.

    “Takimi ka zgjidhur disa çështje, ka prekur disa gjëra dhe disa gjëra kanë mbetur që të vazhdohen. Ky saktësisht është vazhdimi. Në këtë fazë janë kryenegociatorët”.

    Stano ka vazhduar duke thënë se në agjendën e së martës është edhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, që ai e ka quajtur çështje urgjente.

    Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, ka pranuar një ftesë nga emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për takim në nivel kryenegociatorësh për të martën e 19 marsit.

    Kjo u konfirmua para dy ditësh nga këshilltari për media i Bislimit, Klisman Kadiu, i cili tha se ftesa potencon si fokus të agjendës së diskutimeve avancimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Zbatues të Ohrit.

    “Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqëndrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër”, shkroi Kadiu.

    Sot drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë Petar Petkoviq, ka njoftuar se sot do të niset për në Bruksel, ku të martën do të zhvillojë diskutime në nivel teknik për çështje të rëndësishme për deeskalimin.

  • Këtë javë parashihet të kemi mot të nxehtë, temperaturat deri në 17 gradë

    Këtë javë parashihet të kemi mot të nxehtë, temperaturat deri në 17 gradë

    Java e tretë e marsit do të fillojë me mot të butë, me temperatura që shkojnë deri në 16C e 17C ditën e hënë.

    Gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes pritet të ketë reshje lokale shiu, të cilat në zona të caktuara pritet të jenë në formë të rrebesheve. Ka mundësi të ketë ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

    Nivelet e ndotjes ajrore shënojnë rritje kryesisht orëve të mbrëmjes, me indeks që kalon edhe në vlera të dobëta. Ditën indeksi mbetet më gjatë në vlera të pranueshme.

    Era do fryjë në drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 12-31 km/h.

  • ​Një vit nga marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    ​Një vit nga marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars kanë arritur marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

    Bashkimi Evropian publikoi në formë të shkruar marrëveshjen/planin e zbatimit që u arrit në Ohër ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

    Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell tha se të dy vendet “janë dakorduar për t’i respektuar të gjitha pikat e propozimit evropian dhe se do t’i implementojnë të gjitha”.

    Ky Aneks përbën një pjesë integrale të Marrëveshjes.

    • Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

    • Palët kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit do të bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët kanë parasysh se menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe kësaj Shtojce, Ndërmjetësi i BE-së do të fillojë procesin për të ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks.

    • Palët bien dakord të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

    • Për të zbatuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për krijimin e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut të përcaktuara nga ndërmjetësi i BE-së.

    • Palët bien dakord të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditëve. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit.

    • Për të zbatuar nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditëve për të krijuar një paketë investimi dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

    • Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

    • Renditja e paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon renditjen e zbatimit të tyre.

    • Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

    • Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    • Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, ky Aneks ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që ata marrin nga BE-ja.

  • Vazhdon përplasja për objektin

    Vazhdon përplasja për objektin

    Përgatiti: Armand Hoti

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, pritet ta vazhdojë një punë që i mbeti në gjysmë të premten.

    Javën e kaluar, ai e vizitoi fizikisht objektin ku ndodhet selia qendrore e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërsa për të hënën, vetëm e la një paralajmërim.

    Çfarë do të bëjë nuk dihet, por në vizitën e fundit tregoi se ia ktheu Ministrisë së Bujqësisë, 600 metrat katrorë të këtij objekti.

    Nga Aleanca kanë kritika për ministrin se si hyri në ndërtesën që gjendet në lagjen Ulpiana.

    “Ka hyrë tinëz, pa e njoftuar askënd, ka bërë shpejtë foto dhe ka ikur. Ministri mund të vijë ta vizitojë objektin, por duhet të jetë transparent, mos të vijë fshehurazi, dhe ne e presim. Atë ditë është ndërruar roja, nuk e ka njohur. Ne kemi qenë në objekt në zyrat tona dhe vetëm e kemi parë postimin e ministrit”, tha zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli.

    Të drejtën për ta shfrytëzuar katin përdhesë dhe të parin, AAK e arsyeton me kontratën e lidhur me ministrinë.

    600 metrat katror, në të cilët po aludon Ministri, thuhet se nuk shfrytëzohen nga partia opozitare.

    “Ministri po dezinformon për shkak se e ka fjalën për podrumin dhe katin e fundit. Ne i kemi 569 metra katror që i shfrytëzojmë, që janë kati përdhesë dhe kati 1. 600 metra janë podrumi dhe kati i fundit”, tha Xhemajli.

    Që nga marsi i 2018-ës kur stafi i Aleancës u vendos në zyrat e reja e deri në mars të 2023-ës, AAK i ka paguar Ministrisë së Bujqësisë qera prej 2400 eurosh.

    Në nëntor të vitit të kaluar, kontrata mes Ministrisë dhe AAK-së u vazhdua, por kësaj here partia paguan mbi 4500 euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Katër komunat në veri do të kenë tarifa më të ulëta të energjisë elektrike

    Katër komunat në veri do të kenë tarifa më të ulëta të energjisë elektrike

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin-Potoku do të kenë tarifa, më të ulëta të energjisë elektrike sesa 34 komunat tjera.

    Dallimi ndërmjet tarifave të paraqitura nga Elektroseveri në propozim-kontratat për klientët eventualë, me pjesën tjetër të vendit është rreth 5%.

    Faturimi i konsumit parashihet të bëhet në dy zona apo kategori – secila ka tarifën e ulët dhe të lartë.

    Në zonën e parë, çmimi për një kilovat orë është 7.4 centë, ndërsa ekuivalentja për konsumatorët e KESCO-s është 7.79 centë.

    Tarifa e ulët në këtë zonë është 3.17 centë për kilovat orë, ndërsa ekuivalentja në pjesën tjetër të vendit është 3.34 centë.

    Edhe zona e dytë ka tarifa më të ulëta, krahasuar me ato për konsumin mujor mbi 800 kilovatë orë.

    E larta është 13.73 centë për kilovat orë, ndërsa e ulëta 6.47, për dallim nga ato në 34 komunat tjera, 14.45, respektivisht 6.81 centë për kilovat orë.

    Sipas licencës, Zyra e Rregullatorit për Energji nuk i cakton tarifat për Elektroseverin, por luan rol mbikëqyrës.

    Muajin e kaluar në veri, ka nisur faturimi paushall.

    Për aplikimin e këtyre tarifave duhet të rregullohet çështja e matësve dhe të nisë faturimi i bazuar në vlerën saktë të konsumit.

    Projekti për vendosjen e matësve të rinj inteligjentë financohet nga Bashkimi Evropian, ndërsa punët në terren nuk pritet të nisin para muajit maj.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Këmbimoret e bankat pa interes për të punuar në komunat veriore

    Këmbimoret e bankat pa interes për të punuar në komunat veriore

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Institucionet financiare duket se nuk po kanë interes të punojnë në komunat veriore.

    Nga hyrja në fuqi e rregullores për operacione me para të gatshme, asnjë bankë nuk ka kërkuar licencë nga BQK-ja për të hapur filialet e tyre në komunat veriore.

    Por veç tyre, interesim nuk ka as nga këmbimoret. Nga Banka Qendrore e Kosovës, përmes një përgjigje për televizionin thanë se ky institucion nuk ka pranuar asnjë kërkesë për licencë për të funksionuar në katër komunat veriore të vendit.

    Krejt kjo për ish-zëvendësguvernatorin e Bankës Qendrore, Fatmir Gashi, po ndodh për shkak se rregullorja është bërë çështje politike.

    Sipas ekspertëve të ekonomisë, bankat nuk kanë interes të punojnë në ato komuna.

    Sipas Gashit, BQK-ja do të duhej të fillonte shtrirjen e institucioneve financiare në veri shumë muaj para se ta miratonte rregulloren.

    Aktualisht rregullorja për operacione me para të gatshme është në fazën e tranzicionit, pasi BQK-ja ka përpiluar edhe një plan 10 pikësh për të lehtësuar zbatimin e saj, por jo më gjatë se 3 muaj.

    Pikërisht pikat 3, 4, 5 dhe 6 të këtij plani parashohin lehtësira për të inkurajuar institucionet financiare, me theks për këmbimore, të licencuara për hapjen e zyrave në Komunat e Kosovës me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore.

  • Avokatja Nina Tavakoli i bashkohet ekipit mbrojtës të Thaçit

    Avokatja Nina Tavakoli i bashkohet ekipit mbrojtës të Thaçit

    Avokatja Nina Tavakoli i është bashkuar ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit.

    Kështu ka bërë të ditur Gjykata Speciale përmes një njoftimi.

    “Në bazë të rregullit 26(1) të Rregullores 1, Sekretari njofton Trupin Gjykues të miratimit të znj. Nina Tavakoli si Bashkëavokate për Hashim Thaçin dhe në përputhje me rregullën 26(1) të Rregullores dhe nenin 18(6) të Direktivës për avokatin, 2 e informon Trupin Gjykues për përfundimin e emërimit të Albert Moskowitz si bashkë-avokat i Thaçit”, thuhet në njoftim.

    Tutje, bëhet e ditur se më 4 mars të këtij viti, avokati Misetic e ka informuar sekretarin se do të dëshironte të ndihmohej nga Tavakoli si bashkëavokate.

    “Tavakoli është pranuar në listën e avokatëve në përputhje me nenin 7(3) dhe 18(1) të Direktivës për avokatin.3”, thuhet tutje në njoftim.

  • Dëmtimi i shenjave të trafikut, Elshani jep detaje thotë se fillimisht janë ndaluar 4 persona të dehur

    Dëmtimi i shenjave të trafikut, Elshani jep detaje thotë se fillimisht janë ndaluar 4 persona të dehur

    Në raportin e sotëm 24 orësh, Policia ka njoftuar se për një rast “Vandalizëm” në Leposaviq.

    Atje një shtetas i Serbisë dyshohet se ka dëmtuar dy shenja të trafikut.

    “VANDALIZËM- Leposaviq / 16.03.2024 01:45. Është arrestuar i dyshuari mashkull/s, shtetas i Serbisë për shkak se i njëjti dyshohet se i ka dëmtuar dy shenja të trafikut. I dyshuari me vendim të gjyqtares është dërguar për procedim në gjykatën për kundërvajtje.”

    Lidhur me rastin, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i tha Gazeta10 se fillimisht janë ndaluar 4 persona të dehur.

    “Katër persona i kemi ndaluar fillimisht, që të gjithë të dehur. Në fund dy personave ju janë shqiptuar tiketa për dehje në vend publik, një i dyshuar për vandalizëm (kundërvajtje) dhe një ka mbetur dëshimtar. Asnjëri nuk është arrestuar”, tha Elshani.

    Ai konfirmoi se shenjat e trafikut që janë dëmtuar janë tabelat e vendbanimeve që janë vendosur së fundi.

    Të enjten tabelat e komunikacionit që tregojnë vendbanimet të shkruara në cirilik në veri të Kosovës janë zëvendësuar me tabela dygjuhëshe, në gjuhën shqipe dhe atë serbe, por me alfabet latin.